Ballina Blog Faqe 26

Spanja shpallet kampione e Botës! Argjentina zbret nga froni

0
EAST RUTHERFORD, NEW JERSEY - JULY 19: Rodri #16 of Spain lifts the FIFA World Cup Winner’s Trophy after the team’s victory following the FIFA World Cup 2026 Final match between Spain and Argentina at New York New Jersey Stadium on July 19, 2026 in East Rutherford, New Jersey. (Photo by David Ramos/Getty Images)

Kombëtarja e Spanjës është shpallur kampione e botës pasi mposhti në finale Argjentinën.

“La Roja” triumfoi me rezultat minimal 1-0, sfidë ku u nevojiten edhe vazhdimet.

 Spanja ishte larg më dominuese për të krijuar shumë raste por që assesi s’ia dolën t’i finalizonin.

Lamine Yamal kishte një rast të mirë shënimi pas vetëm pesë minutave lojë, por që Emiliano Martinez me super pritje ia mohoi golin.

Spanjollët pastaj rrezikuan edhe përmes Ferran Torres e Aymeric Laporte, megjithatë Martinez sërish ishte në vendin e duhur.

Situata për Argjentinën u vështirësua pasi mesfushori Enzo Martinez mori kartonin e dytë të verdhë, kësisoj gjyqtari e përjashtoi nga loja.

Në kohën shtesë, Spanja realizoi përmes Nico Williams mirëpo goli u anulua shkaku i një faulli në sulm (96’).

Heroi i Spanjës rezultoi të jetë Ferran Torres që shënoi me një goditje të fortë pas një topi të kthyer nga Nico Williams (106’).

Torres faktikisht shënoi edhe një tjetër herë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Kësisoj, Spanja e merr epitetin e kampiones së botës, për ta dëshmuar vetën se është ekipi më i fortë në botë.

Vodhi lekët e Postës Shqiptare, prokuroria dyshime se i harxhonte në kazino. Ish-drejtoresha: Jam qytetare e lirë…

0

Detaje të reja kanë dalë nga hetimi për skemën e dyshuar të përvetësimit të fondeve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare janë arrestuar nën akuzën se kanë abuzuar me rreth 69 milionë lekë të rinj, para të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.

Gjatë seancës gjyqësore, ku u shqyrtua masa e sigurisë, Sipas TCH, prokurori ka sjellë edhe detaje të tjera nga hetimi, duke përmendur edhe frekuentimin e kazinove nga drejtoresha e filialit.

Elisabeta Mataj ka pranuar fjalën e mbrojtjes dhe nuk ka mohuar se ka frekuentuar kazino, por është shprehur se nuk ka pasur asnjë ndalim ligjor apo kontraktor që ta pengonte të shkonte në ambiente të tilla.

“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, mësohet të jetë shprehur Mataj para gjykatës.

Ajo ka mohuar se i është shmangur drejtësisë, duke deklaruar se kishte planifikuar të udhëtonte jashtë vendit më 10 korrik, ndërsa në datat 13 dhe 14 korrik ka qenë në punë.

E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar paratë që dyshohet se janë përvetësuar, Elisabeta Mataj është përgjigjur se nuk e di.

Hetimet pritet të zbardhin mënyrën se si është realizuar skema, rolin e secilës prej të arrestuarave dhe destinacionin e shumës prej 69 milionë lekësh, e cila ishte parashikuar për pagesat sociale ndaj qytetarëve.

Tensione në Kuvendin Kombëtar të Protestës, të pranishmit përplasen me njëri-tjetrin

0

Po mbahet në këto momente për herë të parë Kuvendi Kombëtar i Protestës dhe nuk kanë munguar tensionet.

Persona të ndryshëm që janë prezentë në sallë kanë dalë kundër mënyrës sesi po organizohet kjo mbledhje dhe personat që janë të pranishëm aty.

“Mosha mesatare këtu është mbi 45 vjeç, këtu nuk shoh asnjë nga marshimi. Nuk jemi lajmëruar”, shprehet një prej protesuesve.

Nga ana tjetër, ka edhe nga ata që kanë kërkuar fjalën, por nuk u është dhënë. “Kemi një rend dite”, u shpreh një nga organizatorët pas këtij incidenti.

“Ky kuvend është i hapur për të gjithë qytetarët, do të kemi takim të hapur”, tha moderatorja e takimit. Ndërkohë, një prej organizatorëve, i cili në një moment po pengohej të fliste, nuk e kurseu përgjigjen e ashpër.

“Nuk ma ka ndier kur kam pasur 300 veta përballë, jo më juve. Prandaj mos na sfidoni, mos na merrni neve sikur jemi të butë”, u shpreh ai, duke shkaktuar më pas një reagim të ashpër në sallë.

“Duhet të shkojmë përtej sheshit. Në shesh e vramë frikën, por çfarë do të bëhet më pas? Nuk duhet të përsërisim rastin e Serbisë, ku protestuan pa fund dhe nuk ndryshuan asgjë”, shprehet një prej organizatorëve.

Bashkitë si pashallëqe, 80% e buxheteve shkon për rroga, vetëm 20% investim për qytetarët

0

Megjithëse burimet financiare janë rritur në tërësi për të gjitha bashkitë në vend, struktura e shpenzimeve sipas bashkive ka probleme. Referuar raportit të Financave Vendore për vitin 2025, në shumë bashki të vogla dhe të mesme shpenzimet për paga dhe operative zënë me shumë së 60 % të buxhetit, ndërkohë në bashkitë e mëdha ky raport është më i ulët.

Nëse do ti referohemi të dhënave ku paraqitet struktura e shpenzimeve sipas natyrës për vitin 2015 dhe vitin 2025, konstatohet se aktualisht vetëm 18%-20% e shpenzimeve vendore shkojnë për investime kapitale, pjesa tjetër për paga dhe shpenzimeve operative.

Konkretisht bashkitë kanë shpenzuar në total në vitin 2025, 92.4 miliardë lekë, nga të cilat 29.1 miliardë janë shpenzime operative; 40 miliardë lekë paga dhe sigurime dhe vetëm 23.2 miliardë lekë investime.

Kjo tregon se një pjesë e madhe e rritjes së buxhetit nuk është përdorur në drejtim të zhvillimit ekonomik vendor, kryesisht në bashkitë e vogla.

Nga analiza rezulton se në vitin 2025, rreth 40 % e buxhetit të bashkisë Tiranë është përdorur për investime, ndërkohë në bashkitë e tjera si Durrës, Elbasan etj, rreth 30 % e buxhetit është përdorur për investime. Ky raport i shpenzimeve për investime paraqitet kryesisht në bashkitë e mëdha dhe të mesme.

Investimet nga burimet e veta janë rritur nga 12 miliard lekë në vitin 2015 në rreth 23.2 miliard lekë, në vitin 2025. Investimet kryesisht janë fokusuar në: infrastrukturë rrugore, ujitje-kullim, menaxhim mbetjesh, zhvillim urban.

Përsa i përket shpenzimeve për paga/sigurime dhe operative konstatohet një rritje e konsiderueshme nga viti 2015 në vitin 2025. Kjo rezulton një rritje e cila është vjen paralelisht me rritjen e të ardhurave dhe buxhetit vendor dhe me rritjen e volumit të shërbimeve për komunitetet vendore. Si rezultat i krijimit të njësive të reja vendore, bashkitë e reja administrojnë një territor shumë herë më të madh se para reformës administrativo territoriale, si rrjedhojë kanë rritur edhe nivelin e shërbimeve që ofrojnë.

Gjithashtu, ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e shpenzimeve për paga ka patur edhe transferimi i funksioneve nga ministritë e linjës te bashkitë në vitin 2015, bashkë me stafin përkatës./lapsi.al

Riformatimi i PD, Berisha: 60% janë të rinj dhe gra në Këshillin Kombëtar

0

reu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot, 18 korrik, se kjo forcë politike ka përfunduar procesin e riorganizimit të forumeve të saj, duke e cilësuar atë si “procesin më të thellë të ripërtëritjes së PD që nga themelimi”.

Në komunikimin e tij virtual të fundjavës, Berisha tha se ndryshimet në strukturat drejtuese kanë sjellë një përfaqësim më të madh të të rinjve dhe grave.

“Ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD, jo vetëm në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti”, u shpreh ai.

Sipas tij, në Këshillin Kombëtar të PD, 60% e përbëjnë të rinjtë dhe gratë, ndërsa dy të tretat e drejtuesve të rinj të partisë zgjidhen për herë të parë. Berisha bëri të ditur se edhe në strukturat drejtuese ka pasur ndryshime të mëdha, duke theksuar se nga 14 sekretarë të partisë, vetëm 3 janë të rizgjedhur.

“Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD pas themelimit të saj”, theksoi kreu i PD-së.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, Berisha ia kushtoi edhe diasporës. Ai tha se për herë të parë është institucionalizuar roli i saj brenda partisë. “Hapa të parë të rëndësishëm janë shënuar. Një nënkryetare partie dhe një sekretar për diasporën janë zgjedhur”, deklaroi më tej.

Foli edhe për protestën e zhvilluar në Tiranë, duke shprehur sërish mbështetjen e tij. Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke thënë se “kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë” duhet të vijojë.

Kuçana: Nëse nuk të ‘bekon’ Flamur Noka, nuk bën karrierë në PD

0

Ish-kandidatja për deputete e PD-së dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana, sqaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV përplasjen që pati me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Kuçana tha se kishte paraqitur një rezolutë, e cila, sipas saj, nuk u mor në shqyrtim nga drejtuesit e mbledhjes.

“Unë i kërkova kryetares së Këshillit Kombëtar të më jepte fjalën për të paraqitur rezolutën, që më pas t’u kalonte anëtarëve për votim. Ajo kishte vetëm rol rregullator, por refuzoi ta lexonte, edhe pse e kisha depozituar 24 orë më parë.

Rezoluta përmbante tre propozime kryesore.

Pika e parë kishte të bënte me hapjen e Partisë Demokratike dhe dëgjimin e zërit të protestuesve. E dyta ishte ngritja e një fronti intelektual dhe një fronti studentor, jo domosdoshmërisht me anëtarë të PD-së. Pika e tretë ishte ‘çmulizimi’ i Partisë Demokratike.

“Mulizimi’ është një fenomen që duhet luftuar. Është një model pa meritokraci, ku është krijuar një grup servilësh dhe, nëse nuk të ‘bekon’ Flamur Noka, nuk bën dot karrierë në Partinë Demokratike.

Nuk kam asgjë personale me zotin Noka. Por në aspektin politik, mendoj se ai e ka përmbushur misionin e tij dhe duhet të kishte ndjekur shembullin e Edi Palokës.

Partia Demokratike ka nevojë për reflektim pas zgjedhjeve dhe për t’u afruar më shumë me protestën qytetare.

PD duhet të dëgjojë zërin e sheshit dhe të reflektojë ndaj protestës. Ajo që po ndodh nuk është ripërtëritje, por riciklim”, tha Kuçana.

Tundja e Kos-it para Ramës

0

Në një proces burokratik në hapjen e tre kapitujve me BE-në, kryeminstri Rama nuk e la momentin t’i ikte për të bërë qoftë edhe një video me Marta Kos, komisioneren për zgjerim të BE-së.

Nuk kishte si të mos trajtonte çështjen që zien më shumë, duke e kthyer një vend të vogël si Shqipëria në agjendën kryesore të mediave botërore, e veçanërisht një zone të harruar si Zvërneci.

“Do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipërinë dhe Europën. Kjo është ambicia ime”, u shpreh kryeministri.

E thënë hapur si: “ambicia ime”, kryeministri Rama po zhvendos çështjen Zvërneci edhe në Bruksel, imazhi i të cilës për atë pjesë europiane që nuk sheh me syzet e Kos është ai burrë që zvarritej në tokë nga rojet private në sytë e Policisë së Shtetit dhe protesta e qytetarëve shqiptarë që vijon çdo ditë me moton e vetme: “Rama jepe dorëheqjen”

Ndërsa premton se do të vijojë projektin që do bëjë “krenar” edhe europën, kreu i qeverisë u mjaftua me qëndrimet e Kos, që në këto ditë të vështira të kreut të qeverisë sonë nuk ka hezituar që t’i japë edhe një dorë mbështetëse.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se mbrojtja e mjedisit mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm të negociatave me Shqipërinë. Ajo theksoi se Brukseli pret respektimin e plotë të legjislacionit europian. Sipas saj, Komisioni Europian dhe qeveria shqiptare kanë rënë dakord që ligji për Investimet Strategjike të shfuqizohet, ndërsa ligji për Zonat e Mbrojtura të rishikohet dhe të harmonizohet me standardet e BE-së.

Edhe Rama konfirmoi se ligji për Investimet Strategjike do të zëvendësohet me një ligj të ri, pasi, sipas tij, e ka përmbushur misionin e vet. Ndërsa për ligjin e Zonave të Mbrojtura, ai sqaroi se nuk do të shfuqizohet, por do të pësojë ndryshime për t’u përafruar plotësisht me kërkesat europiane.

Me parimin që të hajë nga të dyja anët, kryeministri tentoi edhe një herë që të shpërdajë hi poropagandistik në Bruksel, por deri më tani ka zënë vetëm sytë e Martës, e cila tetoi të tundej edhe një herë para një kryetari qeverie që qyteratë e tij i tërheq zvarrë në emër të zhvillimit dhe abicies personale sikurse e cilësoi projektin për Zvërnecin./boldnews.al

BIRN: Komisioni Europian kritikon sulmet politike ndaj SPAK-ut në rastin Balluku

0

Nga BIRN

Në raportin vjetor për Sundimin e Ligjit të publikuar të premten, Komisioni Europian theksoi se reagimet e ekzekutivit dhe shumicës parlamentare ndaj hetimeve të SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë përbëjnë përpjekje për ndikim të papërshtatshëm mbi drejtësinë dhe dëmtojnë besimin publik te institucionet.

Komisioni ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi, por paralelisht ka kritikuar ashpër sulmet politike ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, duke i cilësuar ato si përpjekje për ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor.

“Pezullimi nga detyra i një zyrtari të nivelit të lartë, i urdhëruar nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK-ut, si edhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar të këtij zyrtari, shkaktuan reagime të forta negative nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore”, thuhet në raport.

Komisioni shton se institucionet drejtuese të sistemit gjyqësor reaguan publikisht duke dënuar presionin politik mbi drejtësinë, ndërsa kujton standardet europiane sipas të cilave “të gjitha pushtetet e shtetit duhet të nxisin dhe mbrojnë besimin e publikut te institucionet kushtetuese, përfshirë gjyqësorin”.

Qëndrimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes qeverisë dhe SPAK-ut u tensionuan ndjeshëm pas hetimeve që prekën zyrtarë të lartë të mazhorancës, përfshi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Gjatë muajve të fundit, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të Partisë Socialiste kanë akuzuar publikisht SPAK-un për tejkalim kompetencash dhe kanë paralajmëruar ndryshime në legjislacionin procedural. Paralelisht, deputetë të shumicës propozuan amendamente në Kodin e Procedurës Penale që do të zgjeronin kategorinë e zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra gjatë hetimeve. Edhe për këto zhvillime Komisioni shpreh shqetësim në kapitullin mbi balancën e pushteteve.

Raporti kujton se Kuvendi refuzoi të heqë imunitetin e Ballukut të kërkuar nga SPAK për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, duke theksuar se ky vendim “ngriti shqetësime lidhur me parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe barazisë përpara ligjit”. Po ashtu, Brukseli vëren se propozimet për të kufizuar pezullimin nga detyra të zyrtarëve gjatë proceseve penale “mund të dëmtojnë efektivitetin e hetimeve penale, përfshirë hetimet për korrupsion në nivele të larta, dhe koha e paraqitjes së tyre mund të kontribuojë në perceptimin e pandëshkueshmërisë”.

Megjithatë, vlerësimi për punën e SPAK-ut mbetet pozitiv. Komisioni thekson se struktura e posaçme “vazhdoi të demonstrojë pavarësi dhe kapacitete të forta për të dhënë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht përpjekjeve të raportuara nga media dhe politika për ta diskredituar, ushtruar presion dhe ndikim të papërshtatshëm”.

Në një tjetër pjesë të raportit, Komisioni evidenton se gjatë periudhës së monitoruar pati edhe kërcënime fizike ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke bërë që tetë magjistratë të vendoseshin nën mbrojtje. Raporti po ashtu përmend ngarkesën në sistem sidomos në gjykatën e Apelit dhe problemet e tjera përfshi mungesën e resurseve njerëzore.

Ndryshe nga theksi i vendosur nga raporti mbi presionin ndaj drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, në reagimin e saj pas publikimit të dokumentit, u përqendrua kryesisht te vlerësimet pozitive.

“Raporti i këtij viti konfirmon se progresi i arritur në reformën në drejtësi po konsolidohet dhe se Shqipëria vijon të ecë përpara në përmbushjen e standardeve evropiane, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministria vuri në dukje gjithashtu se raporti vlerëson përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar, rezultatet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe përmirësimet në efikasitetin e sistemit gjyqësor, ndërsa pranoi se Komisioni identifikon edhe fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për forcimin e sundimit të ligjit.

Humbja ndaj Këlliçit, Boçi: Momenti i votimit nuk është shumë i pastër

0

Luçiano Boçi komentoi procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve në Partinë Demokratike, proces pas të cilit humbi postin e nënkryetarit. Vendin e tij e zuri Belind Këlliçi.

“Momenti i votimit është moment i cili ka shumë elementë brenda, nuk është shumë i pastër si moment, është shumë subjektiv, nuk është shumë objektiv. Të dy kishim të njëjtat mundësi. Nuk e mendoj që Këlliçi ka lobuar më shumë. Këto janë gjëra që kanë relativitetin e vet. Nuk do hyj të gjej detaje”, tha Boçi në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.

Kur u pyet mbi deklaratën e Berishës se “ky është ekipi më i mirë në histori”, Boçi u përgjigj: “Është e drejta e zotit Berisha të japë atë përcaktim. Është ekipi i kryetarit të partisë në këtë rast dhe është e drejta e kryetarit të partisë të japë mendim. Ai bën një ballafaqim të ekipeve në vazhdimësi. Ekipet varen edhe nga momentumi politik. Nuk është i njëjtë ky momentum me atë para katër vitesh, kur ne ishim para një situate shumë të vështirë dhe ku ishte në lojë ekzistenca e Partisë Demokratike. Flas për momentin që unë jam zgjedhur nënkryetar i Partisë Demokratike. Zakonisht ne si shoqëri vuajmë nga amnesia, por edhe partitë politike në Shqipëri vuajnë nga amnesia. Duhet të konsiderojnë dhe atë që ka kaluar dhe nuk mund të krahasohen situatat e njëjta. Pra, ishte krejt situatë ndryshe atëherë dhe s’mund të thuash që dhe ai ekip s’ ishte i mirë. Kemi një situatë krejt ndryshe tani për atë çka vjen, është e drejta e kryetarit të partisë që t’i japë cilësime të tilla”.

Më tej, Boçi u pyet edhe mbi “mulizmin”.

“Nëqoftëse unë do e kisha hedhur si tezë këtë, do kisha të gjithë të drejtën ta parashtroja dhe të jepja përgjigje. Përcaktimi i termave të tillë, se kemi dëgjuar me “izma” shumë gjëra, është e drejta e atyre që e transmetojnë dhe e diskutojnë. Nuk besoj që duhet të jem unë ai që përcaktoj dhe i jap vulën gjërave të tilla. Por, koha do tregojë shumë elementë. Ai mendimi, ai diskutimi që është i shëndoshë në PD nuk mund të shuhet. Po u shua diskutimi apo debati, atëhere do të thotë që ajo demokracia e brendshme çedon. Ndërkohë, unë e konsideroj si shenjë të demokracisë së shëndoshë të brendshme të Partisë Demokratike, faktin që mund të hidhen dhe teza të tilla me “izëm”. S’duhet të përqëndrohemi te termi dhe ta mbushim me negativitet”, tha Boçi.

Messi dhe Yamal, të lidhur nga numri 19. Rastësia që po mahnit botën e futbollit

0

Lionel Messi dhe Lamine Yamal do të përballen për herë të parë në karrierën e tyre në një finale të Kupës së Botës, por përpara këtij dueli mes dy gjeneratave të futbollit ekziston një seri e çuditshme përputhjesh që lidhen me numrin 19.

Rrugët e tyre u kryqëzuan për herë të parë 19 vite më parë, në një set fotografik të famshëm, ku një Messi i ri shfaqet duke larë një Lamine Yamal foshnjë. Fotografia u bë virale vite më vonë dhe tani ka marrë sërish vëmendje të jashtëzakonshme, pasi dy protagonistët e saj do të përballen në skenën më të madhe të futbollit: finalen e Botërorit.

Por përputhjet nuk ndalen këtu. Të dy lojtarët debutuan në Kupën e Botës në moshën 19-vjeçare. Messi e bëri këtë në Botërorin e vitit 2006, ndërsa Yamal në edicionin aktual, ku të dy kishin mbushur 19 vjeç gjatë turneut.

Një tjetër detaj interesant është se të dy kanë mbajtur fanellën me numrin 19 në Botëror. I njëjti numër që të dy e kanë veshur edhe te Barcelona. Messi nisi aventurën e tij me numrin 30, por më pas kaloi te 19-ta, ndërsa Yamal e mbajti këtë numër përpara se të merrte fanellën ikonike me numrin 10, atë që Messi e kishte mbajtur për shumë vite në klubin katalanas.

Dhe për t’i shtuar edhe më shumë mister kësaj historie, finalja ku Messi dhe Yamal do të luftojnë për titullin botëror do të zhvillohet më 19 korrik.