Ballina Blog Faqe 26

Analiza e The Guardian: Cila është e vërteta pas bumit të jashtëzakonshëm të ndërtimeve në Shqipëri?

0

Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka bërë një artikull ku sjell në vëmendje debatin që ka shkaktuar bumi i ndërtimeve dhe projekteve arkitekturore në Shqipëri, duke vënë përballë vizionin për transformimin urban dhe turistik të vendit me kritikat për mungesën e transparencës, ndikimin në mjedis dhe përfshirjen e arkitektëve të njohur ndërkombëtarë.

Në fokus të shkrimit janë rreth 500 projekte të propozuara nga 60 studio ndërkombëtare arkitekture, të cilat janë përfshirë në një libër prej 800 faqesh, “The Albanian Files”.

Artikulli i plotë në “The Guardian”:

Vjeshtën e kaluar, isha ulur me një arkitekt të njohur në Nju Jork, kur telefoni i tij nuk pushonte së vibruari. Më në fund, ai kontrolloi mesazhet dhe qeshi. “Oh, grupi i Albanian Architecture Army po zien përsëri,” tha ai. “Duket se Edi ka disa projekte të reja për ne.”

Edi ishte Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë që nga viti 2013, i cili ka udhëhequr transformimin e shpejtë të ish-vendit komunist përmes një sërë projektesh madhështore ndërtimore. Në Tiranë ka kulla me forma të përdredhura, hapësira publike të vlerësuara me çmime, resorte tërheqëse përgjatë bregdetit dhe shumë vizione të tjera mbresëlënëse që priten të realizohen – të gjitha të mbledhura tani në një libër voluminoz, “The Albanian Files”.

Rezulton se transformimi i vendit koordinohet pjesërisht përmes një grupi në WhatsApp (“Albanian ArchArmy”, shkurt), ku bëjnë pjesë disa prej arkitektëve më të famshëm në botë. Është një forum ku ndahen arritjet, festohen projektet e reja dhe kryeministri-patron lavdërohet për guximin dhe vizionin e tij. Arkitekti nga Nju Jorku e përshkruan situatën si një film me superheronj: Rama jep sinjalin dhe arkitektët yje të botës mblidhen për të shpëtuar Shqipërinë me projektet e tyre të guximshme. Nëse shikon me kujdes, mund të shohësh edhe shqiponjën dykrenare shqiptare të projektuar në qiellin e natës.

Grupi në WhatsApp mund të jetë konfidencial, por “The Albanian Files” është gjëja më e afërt me të. Është një dokument i jashtëzakonshëm, në mënyra të parashikuara dhe të paparashikuara. Në parathënien e tij, Rama e përshkruan librin si “një dëshmi të çmuar nga prapaskenat” e një procesi që “po e ngre Shqipërinë në një mënyrë që askush nuk e kishte parashikuar”. Është një katalog befasues ëndrrash, ku 60 studio ndërkombëtare arkitekture (dhe asnjë studio shqiptare) paraqesin planet e tyre për më shumë se 500 projekte në të gjithë vendin.

Për kritikët e Ramës, megjithatë, libri prej 800 faqesh dhe 2.2 kilogramësh është një dosje provash. Ata i referohen mungesës së transparencës në vendimmarrje, shkatërrimit të trashëgimisë, dëbimeve të detyruara, dëmtimit të peizazheve të mbrojtura dhe rolit të industrisë shqiptare të ndërtimit në pastrimin e parave të krimit të organizuar. Publikimi përmban dëshmi të dorës së parë nga arkitektë që dokumentojnë përvojat e tyre dhe një deputet i opozitës e ka quajtur atë “armën e tymosur” – megjithëse nuk ka asnjë pretendim se arkitektët janë përfshirë në ndonjë shkelje. Rama ka të drejtë kur thotë se askush nuk e kishte parë këtë që po vinte: shumica e projekteve në faqet e librit janë të panjohura për popullsinë vendase, e cila ka reaguar me zemërim.

“Arkitektë yje, shkoni në shtëpi!” shkruhej në një pankartë gjatë një proteste të zhurmshme në qershor, jashtë një ambienti në Tiranë ku ishin mbledhur shumë prej arkitektëve të librit për një aktivitet ekskluziv, për të festuar punën e tyre dhe për të promovuar botimin. “Ku është publiku?” shkruhej në një tjetër. Biletat për festivalin e arkitekturës, të titulluar “Landscapes of Abundance”, kushtonin deri në 200 euro, në një vend ku paga mesatare mujore është 700 euro. Aktiviteti u zhvillua në një moment të tensionuar, vetëm disa javë pasi protesta të mëdha në mbarë vendin u ndezën nga planet shumë-miliardëshe për zhvillimin e rezervatit natyror të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit në një resort luksoz, të mbështetur nga familja Trump.

Të quajtura “revolucioni i flamingove”, për shkak të habitateve të brishta që kritikët thonë se do të dëmtohen nga projekti, protestat kanë vijuar për më shumë se 120 ditë, me thirrje gjithnjë e më të forta për dorëheqjen e Ramës. Arkitektura është gjendur papritur në qendër të kritikave.

“Ndjehet sikur po jetojmë në një mbretëri autokratike”, thotë Lorin Kadiu, drejtori i Citizens.al, një platformë investigative që ka ndjekur projektet e ndërtimit në Shqipëri që nga viti 2018. “Jo vetëm për shkak të mungesës së transparencës, por edhe sepse të gjithë duhet t’i nënshtrohemi shijeve estetike të një personi. I gjithë vendi duhet të pikturohet ashtu siç dëshiron ai.”

Rama, i cili është diplomuar si piktor, u bë i njohur fillimisht si kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 2000, kur tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare me programin e tij për lyerjen e pallateve gri të periudhës sovjetike me një larmi ngjyrash të ndezura. Ndryshimi i lirë dhe i thjeshtë funksionoi dhe Rama u vlerësua për qasjen e tij artistike jokonvencionale.

Por tani shumë prej ish-mbështetësve të tij mendojnë se ambiciet e tij arkitekturore kanë shkuar shumë larg. Një letër e hapur, e shpërndarë gjatë protestave, dënonte “art-larjen e politikës së buldozerëve” dhe i pyeste arkitektët e mbledhur nëse e shijojnë “lirinë për të bërë këtu atë që në vendet tuaja do të ishte e ndaluar, do të kundërshtohej ose do të bëhej e pamundur në një mënyrë tjetër”.

Nga arkitektët e kontaktuar nga Guardian, vetëm njëri u përgjigj, duke thënë se nuk bën asgjë në Shqipëri që nuk do të lejohej të bënte në një vend tjetër. Ai shtoi se “liria në Shqipëri është sigurisht joshëse dhe, si e tillë, përgjegjësia personale është më e madhe”.

Siç shkruan Rama me theks në parathënien e “The Albanian Files”, arkitektët tërhiqen nga puna në Shqipëri për shkak të “lirisë nga ‘jo’-ja në të gjitha format e saj”. Faqet e librit janë të mbushura me vizione për brigje të virgjëra, pyje të gjelbër dhe duna e laguna të paprekura.

Në Gjirin e Gjipesë, një zonë që shumë e konsiderojnë plazhin e fundit të virgjër në jug të Shqipërisë, studioja holandeze MVRDV ka propozuar një hotel me xham pasqyrues që do të shtrihej mbi grykë, “si një xhevahir në bregdet”.

Ky projekt vjen menjëherë pas kullës së apartamenteve të tyre në Tiranë, në formën e kokës së Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë – e cila gjithashtu ka një ngjashmëri të habitshme me Ramën.

Në zonën e mbrojtur të dunave të Ranës së Hedhun, arkitekti i njohur portugez Álvaro Siza ka hartuar një projekt zhvillimi në kodër, me teleferik dhe një kullë shumëkatëshe në plazh.

Disa faqe më tej, arkitekti zviceran Valerio Olgiati propozon një grup kullash betoni që ngrihen nga rëra, të mbushura me dritare mbrojtëse. Duket sikur po përgatitet të zmbrapsë një pushtim nga deti.

Transformimi luksoz i bregdetit vazhdon me projektuesin fiorentin të jahteve luksoze Luca Dini, motoja e studios së të cilit është “të mahnisë edhe më të përzgjedhurit”. Ai paraqet një udhëtim të ilustruar përmes 17 projekteve të tij, përfshirë kompleksin Life Marina, që shtrihet përgjatë shtatë kilometrave vijë bregdetare të virgjër pranë Sarandës, si dhe resortin Atara, me një “kurorë” të artë që qëndron pezull mbi shkëmbinj, si një tjetër pikë vrojtimi ushtarak.

Situata thuajse shkon në parodi kur ilustrimet në stilin e komikeve përfundojnë me një imazh të një super-jahti që fluturon mbi një panoramë urbane, ndërsa vetë projektuesi deklaron nga kuverta: “[ne] krijojmë hapësira që harmonizohen me mjedisin”.

Redaktorja e librit, Anneke Abhelakh, u kërkoi arkitektëve të dorëzonin vetë tekstet e tyre dhe ato janë jashtëzakonisht të sinqerta. Në disa momente, libri lexohet si një regjistrim i fshehtë i bisedave.

“Për shkak se nuk ka shumë rregulla dhe klientët e mi kujdesen shumë pak për kontekstin, jemi të detyruar të mendojmë për vlerat tona”, shkruan arkitekti me bazë në Berlin, Sam Chermayeff.

Ai tregon për përvojën “vërtet të çmendur” të punës në Shqipëri, përfshirë mënyrën se si u telefonua papritur nga një prej bashkëpunëtorëve të Ramës dhe shumë shpejt iu kërkua të projektonte dy kulla në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej 45 mijë metrash katrorë – diçka e jashtëzakonshme për një projektues të njohur më shumë për kuzhinat eksperimentale.

“Sigurisht që pranova”, shton ai, “pa e kuptuar vërtet se çfarë po ndodhte”.

I kontaktuar për një koment, Chermayeff u përgjigj: “Unë u bëj klientëve shqiptarë të njëjtat pyetje që u bëj klientëve në çdo vend tjetër dhe ndihem po aq i sigurt”, duke shtuar se “ashtu si në Gjermani apo SHBA, unë vërtet nuk di më shumë sesa ajo që më thuhet” dhe se nuk punon në zona të mbrojtura ose pranë tyre. “Unë nuk bëj asgjë”, shtoi ai, “që nuk do ta bëja në një vend tjetër.”

Arkitekti austriak Chris Precht tregon se si Rama e kontaktoi në Instagram, “duke pyetur nëse do të isha i interesuar të punoja në Shqipëri”.

Tani ai ka 29 projekte në emër të tij, përfshirë një “Garden of Eden” me vlerë 4 milionë euro, të ndërtuar në oborrin e zyrës së vetë kryeministrit.

“Është një realitet i paimagjinueshëm”, thotë grupi i fushatës së arkitektëve dhe urbanistëve shqiptarë Arkitektët Shqiptarë, i cili ka krijuar një bazë të dhënash online me të gjitha projektet – të publikuara në shqip, ndryshe nga libri.

“Një grup i ngushtë arkitektësh të huaj kontaktohet drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit dhe merr projekte pa një procedurë konkurruese.”

Arkitektët e huaj e përshkruajnë ndryshe situatën.

“Rama nuk i emëron vetë arkitektët”, më thotë një anëtar i grupit ArchArmy. “Por ai i prezanton me zhvilluesit. Dhe kuptohet se, nëse ata zgjedhin një prej arkitektëve të tij, [zhvilluesit] do të marrin lejen për të ndërtuar atë që duan.”

Rama i ka mohuar vazhdimisht këto akuza. Në një intervistë të ashpër për CNN në qershor, ai i dënoi pretendimet për korrupsion si “lajme të rreme”. Prej kohësh ai ka deklaruar se protestat më të gjera janë nxitur nga armiqtë e presidentit amerikan, përfshirë Iranin.

“Nëse nuk do të ishte Jared Kushner”, tha ai, “askush nuk do t’ia varte për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është e gjithë urrejtja ndaj Trumpit që krijon gjithë këtë vëmendje.”

E kontaktuar nga Guardian, zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj në mënyrë të detajuar kërkesave për koment, por i cilësoi akuzat si “thashetheme” dhe “vlerësime të hidhura”.

Gjatë një fjalimi këtë javë, në prezantimin e konkursit për një kullë të re, Rama këmbënguli se juritë e konkurseve përbëhen “kryesisht nga arkitektë, urbanistë dhe akademikë që janë plotësisht të lirë”, se “pala shqiptare është në pakicë” dhe se “nuk ka kurrë orientim apo ndikim” mbi jurinë.

Ai shtoi se sot Shqipëria “është ‘universiteti’ më i madh i hapur i arkitekturës”, pasi arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësinë “të takojnë, të ndjekin dhe të punojnë konkretisht me mjeshtra”.

Nëntitulli i librit është “Freedom and Architecture” dhe në shumë prej projekteve ndihet një lloj autorizimi pa kufij.

“Të punosh si arkitekt në Shqipëri është çliruese”, shkruan arkitekti belg Xaveer De Geyter, krahas propozimit të tij për një treshe gjigante kullash në formën e shkronjës M për portin e Sarandës, “duke provokuar një shkallë lirie që ndonjëherë na lë pa fjalë”.

Studioja spanjolle Arquitectura-G e vlerëson procesin shqiptar të dhënies së lejeve si “dukshëm më të shpejtë dhe më pak kufizues” sesa në vende të tjera, të udhëhequr nga “një vizion i qartë që vjen nga kryeministri”.

Manuel Aires Mateus nga Portugalia është dakord: “Ka raste kur gjërat duhet të vijnë nga lart-poshtë.”

Entuziazmi i dukshëm për të ndërtuar në terrene të virgjëra është gjithashtu i pranishëm.

Arkitekti i njohur japonez Kengo Kuma përshkruan emocionin e fluturimit me helikopter mbi Shqipëri.

“E gjeta shumë emocionuese”, shkruan ai, “sepse pjesa më e madhe e natyrës është e paprekur”.

Në Azi, shton ai, “është shumë e vështirë të gjesh një projekt në një tokë kaq ‘të virgjër’”.

Arkitektja me origjinë indiane dhe me bazë në Berlin, Anupama Kundoo, flet për mundësinë për të krijuar “të çliruar nga bagazhi” i Evropës dhe vendeve të tjera “të zhvilluara”.

Kundoo po punon për një masterplan për një “vendbanim laboratorik” me 50 mijë banorë në parkun kombëtar të mbrojtur Divjakë-Karavasta.

Një projekt i tillë është bërë i mundur vetëm nga një ligj kontrovers i vitit 2024, i cili lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje në zonat e mbrojtura. Nga ky ligj përfiton edhe projekti i mbështetur nga familja Trump në Zvërnec.

Nuk ka asnjë pretendim se ndonjë prej arkitektëve të përmendur në këtë artikull po shkel ligjin.

“Zhvilluesit janë me nxitim”, thotë Kadiu. “Ka një garë për të ndërtuar sa më shumë që të jetë e mundur përpara se këto ligje të shfuqizohen.”

Presioni po rritet. Shqipëria ka hyrë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësimin në BE, por këto rregullore të lehta mbeten një pengesë. Si ligji i vitit 2024, ashtu edhe legjislacioni i vitit 2015 që i jep trajtim preferencial “investitorëve strategjikë”, u kritikuan në një raport të BE-së vitin e kaluar si të papajtueshëm me standardet e saj.

Një rezolutë e Parlamentit Evropian në qershor të këtij viti “shprehu shqetësime serioze” dhe bëri thirrje për një “moratorium të menjëhershëm mbi procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore” brenda zonave të mbrojtura.

Rama vazhdon t’i mbrojë të dy ligjet si politika pragmatike dhe modernizuese që synojnë të balancojnë mbrojtjen e mjedisit me zhvillimin ekonomik me vlerë të lartë.

Përtej frikës për mjedisin dhe proceseve jo transparente të lejeve dhe prokurimeve, mbetet një tjetër pyetje e rëndësishme: si mundet një prej vendeve më të varfra të Evropës të përballojë projekte kaq ekstravagante?

Çmimet e pronave janë rritur në mënyrë astronomike, por pa një rritje të krahasueshme të pagave apo të kredive hipotekore të dhëna nga bankat, duke bërë që kritikët të dyshojnë për praninë e parave me origjinë të dyshimtë.

Global Initiative against Transnational Organized Crime e identifikon sektorin shqiptar të pasurive të paluajtshme dhe atë të turizmit si zona të rëndësishme për pastrimin e parave, duke vënë në dukje se sektori i ndërtimit është “depërtuar thellë nga fondet e paligjshme”.

Një raport i vitit 2020 vlerësonte se 1.6 miliardë euro “para të pista” ishin pastruar përmes pasurive të paluajtshme shqiptare në tre vitet para publikimit të raportit.

Siç raportova në vitin 2022, përgjimet e rrjedhura zbuluan persona të lidhur me mafian italiane duke diskutuar se bumi i kullave të larta në Tiranë ishte një mundësi ideale për pastrimin e parave të tyre, me çmime ndërtimi prej rreth 500 eurosh për metër katror, që dukeshin të vogla krahasuar me çmimet e shitjes deri në 4,000 euro për metër katror.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, po shënon përparime.

Në qershor, ajo sekuestroi 150 milionë euro pasuri, përfshirë apartamente, vila dhe prona tregtare, të lidhura me një rrjet të dyshuar trafiku kokaine.

Po në qershor, Pëllumb Gjoka, i cili dikur ishte shpallur “investitor strategjik” nga qeveria shqiptare dhe kishte marrë miratimin për të ndërtuar një resort me vlerë 52 milionë euro në bregdet, u dërgua në burg për akuzën se kishte urdhëruar vrasje të porositura.

Hulumtimi i Citizens.al tregon se disa projekte të përfshira në “The Albanian Files” lidhen me hetime në vazhdim të SPAK-ut – megjithëse asnjë prej arkitektëve të përmendur në këtë artikull nuk është i përfshirë në to.

Hetimet pretendojnë se kapital kriminal është kanalizuar përmes kompanive guaskë, kontratave të ndërtimit dhe transaksioneve të pronave.

Më shumë se 40% e projekteve në libër nuk përmendin as emrin e klientit, duke bërë që shumë njerëz të pyesin: pse gjithë kjo mungesë transparence?

Një ish-anëtar i ArchArmy-t shpreh keqardhje për mënyrën se si kanë përfunduar gjërat.

“Si të tjerët, u bashkova me bindjen e sinqertë se kjo mund të ishte një ndryshim pozitiv për vendin”, thotë ai. “Rama e dinte se Shqipëria do të zhvillohej shumë shpejt dhe nuk donte ta shkatërronte. Është më mirë të kesh disa arkitektë të mirë të përfshirë për t’u siguruar që rezultati të jetë të paktën i denjë, sesa njerëzit të ndërtojnë apartamente gjenerike përgjatë bregdetit pa asnjë kontroll.”

Arkitekti thotë se u tërhoq pasi ishte pjesë e një jurie konkursi që “nuk dukej demokratike” dhe sepse çështjet që lidhen me pronësinë e tokës “gjithmonë dukeshin shumë të paqarta”.

Ai shton: “Rama ende beson fort se po bën gjënë e duhur për vendin. Është një shembull klasik i asaj që ndodh kur mendon se je udhëheqësi dashamirës, por qëndron shumë gjatë në pushtet.”

Kjo ndjesi pasqyrohet edhe në një prej kontributeve më zbuluese të librit.

Reinier de Graaf, nga studioja holandeze OMA, i shkruan një letër të hapur Ramës – e menduar si parodi, por humori duket i zbehtë.

“Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si patron i ndriçuar i arkitekturës”, shkruan ai, “profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të kishte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju… do të vazhdonit të ishit president përjetë – ndoshta edhe mbret.”

Ai e mbyll me fjalët:

“Në një botë autokracish, a mund të kemi një autokrat dashamirës me shije?”.

KokëRama, DASH e nxin, Ursula e zbardh

0

Nga Basir Çollaku

Koka lart e koka poshtë, janë kthyer në një vëmendje harbute në Tiranën e gjitha rrëmujave të mundëshme. Dekadë putanizmi. Kuplara publike.

Lajmet dje ishin ero-politike, ku koha keqndahej sipas fasonerisë.

Privatësia dalldisëse ndonëse ka brendi mëkatesh me kosto familjare dhe tregon disi se si sillet vorbulla elitare artistike brenda unazës, një çrregullim ndyrësisht i poshtër përfaqësimi, të tjerat janë periferi hallakatjesh.

Kemi një qeveri e një kokëministër me hir-pahirin sundues po pallon një shtet të tërë prej 13 vitesh dhe viktima, populli, vetëm rënkon ngjashëm me vesin. Financat. Ligjin. Ekonominë. Pronat. Edukimin. Shëndetësinë. Sovranitetin. Sigurinë Kombëtare.

Kokëministri dje u takua siç e lyp protokolli me ambasadorin e ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt. Palaçorisht mysafiri i nderuar, gjeti në zyrën e shtetarit një klloun me çitjane e atlete. I kruspullosur në kolltuk, kokëRama lart dukej i nbërthyer si kokërama poshtë.

Një i pandehur në nominim qelie. Njoftini i takimit nga Ambasads ishte thjesht dhe shkurt. Mbështesim punën bashkë në mbrojtje, investime, ekonomi dhe luftën kundër krimit të organizuar. Tekst funeral për kokëministrin, ndryshe KokëRama.

Pak më vonë kokëministri priti Ursula von der Leyen, për të shkëlqyer në fasadën e sheqerit artificial për mahnitjen shqiptare të progresit. Ursula mbase ka harruar se ku ndodhej, ndërsa lëçiste fjali parajse. Ne po mahnisim në korrupsion. Trafik droge. Krim të organizuar. Pastrim parash. Shkëlqim kur shefat e SHISH e të Policisë së Shtetit, zvkryeministrja, kryebashkiaku, ministra, merren të pandehur si pjesë organizatash kriminale.

Ditën kur i përkëdheluri prej saj, njofton paketën Anti-SPAK, Të këndojë ndonjë raport BE-je apo Europoli Ursula Pfizer, kur ngeja t’ia mundësojë. Pa u ftohur llogjet e covidianes së akuzuar evropiane në zgrip ore të delirit, mbërrin raporti DASH 2026. Tjetër mesele. Korrupsion kudo, madje edhe në drejtësi. Krim të organizuar. Pastrim parash.

Kartele kokaine, cënues sigurie kombëtare të dy vendeve. Mahnitje e zezë kjo Ursula. E bash dje kur ekipi amerikan braktisi tryezën evropiane, duke theksuar se nuk mund të qëndrojnë në një tavolinë me lider europianë të korruptuar.

Tej gjeopolitikës ata kanë dhe dosje plot. Ursula, ai trafiku arnëve të Ron-Ramës ne Ukrainën dhe Afrikën sikur nuk ndrin për negociata. Apo çe do! Ku janë edhe shokët kinezë në karriken shqiptare të Aleancës..! E të tjera.

Ato dosjet belge, spanjolle, holandeze, franceze, italiane, gjermane, ku Rama fërshëllen si kokëbordi në Mafie, hidhuni ndonjë sy-vesh.

Integroni shqiptarët jo mëkatarët. Kushdoqofshin ata. E siç është moti emocional, kokën lart e vëmendjen poshtë, apo kokën poshtë e vëmendjen lart..!! Sepse dje pamë se për çfarë ndodh në Shqipëri, DASH e nxiu kokëRamën, me një raport të detajuar, e Ursula e zbardhi kokëRamën, me një gallatë-sallatë seksi..

SPAK dhe BKH kontroll në banesën e biznesmenit Ron Yeffet në periferi të Tiranës

0

SPAK dhe BKH kanë zhvilluar ditën e sotme një kontroll në banesën e Ron Yeffet, e cila ndodhet në periferi të Tiranës. Sheti shqiptar i paguante më shumë se tre milionë euro në muaj që nga gushti i vitit 2025, një kompanie që një vit më parë nuk ekzistonte. Ndërsa të tjera mendohet se janë paguar përmes transaksioneve të paraportuara ose të klasifikuara, të  gjitha pa asnjë tender publik. 

Timak Defence, një kompani publiko-private, në të cilën qeveria shqiptare ka vetëm 20%, u krijua në gusht 2025. Qëllimi i saj ishtë për të prodhuar dhe furnizuar forcat e armatosura me automjete dhe mjete të tjera ushtarake.

Ndërsa Advanced Arms Technology, e cila është një sipërmarrje tjetër, por me të njëjtën strukturë pronësie u krijua për të prodhuar dhe blerë armë të kalibrit të lehtë dhe të mesëm dhe dronë ushtarakë për forcat e armatosura. Biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet është personi i cili qëndron pas këtyre dy kompanive.

Eli Fara thyen heshtjen për videot intime me Adi Hilën, ja çfarë deklaroi në polici

0

Këngëtarja Eli Fara ka dëshmuar në polici në lidhje me skandalin e videove intime të publikuara nga studioja e kompozitorit, Adrian Hila.

Sipas raportimeve në media, gjatë dëshmisë së saj, Fara është shprehur se Adi Hila nuk është personi që ka shpërndarë videot dhe se ajo vetë nuk kishte dijeni për kamerat e vendosura në banesë.

Ndërkohë pak më herë u raportua se ndaj kompozitorit Adrian Hila, ishte regjistruar një denoncim lidhur me rastin.

Ndërkohë, një ditë më parë Adi Hila u paraqit në Komisariatin e Policisë për të bërë dëshminë e tij, ku u shpreh se kamerat në shtëpinë e tij i ka vendosur për arsye sigurie, ndërsa shtoi se nuk janë publikuar nga ai.

Gjithashtu mësohet se policia ka kryer kontrolle në banesën e Hilës, ku janë gjetur kamera, por nuk dihet nëse janë ato që kanë regjistruar videot e vitit 2024.

Vetëvrasja e Xhuana Nikollës, zbardhet dëshmia e ish-bashkëshortit: E kam rrahur vetëm 1 herë…

0

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg E. F., ish-bashkëshorti i 25-vjeçares Xhuana Nikolli, e cila u vetëvra disa muaj më parë. Ish-bashkëshorti i saj dyshohet se e shtyrë të renë drejt vetëvrasjes për shkak të dhunës sistematike që ai ushtronte ndaj saj.

Në gjykatë E. F., ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj ish-partneres së tij, vetëm një herë, një ditë përpara ngjarjes dhe jo sistematikisht. Ai ka shprehur gjithashtu pendesë për çfarë ka ndodhur dhe se ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.

“Jam i penduar. U vetëdorëzova vetë, jam gati t’i përgjigjem drejtësisë për çfarë kam bërë. Jam në gjendje të rënduar psikologjike. Do të përballem me pasojat. Kam pasur debat me Xhuanën një ditë para ngjarjes dhe e kam goditur, por s’e kam dhunuar sistematikisht”, mësohet të ketë deklaruar E. F., në gjykatë.

Xhuana Nikolli ndërroi jetë në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet më 10 mars pasi kishte konsumuar fostoksinë. Në trupin e pajetë të 25-vjeçares u konstatuan dhe shenja dhune.

E reja ishte gjetur në shtëpi në gjendje të rëndë nga shoqja e saj, e cila më pas kishte lajmëruar urgjencën. shoqja e 25-vjeçares kishte dëshmuar para uniformave blu se Xhuana Nikolli dhunohet në mënyrë sistematike nga partneri i saj.

Çifti ishte martuar në qershor të vitit 2025, por ishin darë tre muaj më parë për shkak të konflikteve që kishin mes tyre.

Boçi në Komision: Reforma territoriale në shërbim të PS-së, ju po shkatërroni hartën e Shqipërisë

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve mënyrën se si po trajtohet reforma territoriale dhe propozimet për ndryshimin e hartës së bashkive.

Në Komisionin e Ligjeve, Boçi akuzoi mazhorancën se nisma është e orientuar politikisht dhe se synimi nuk është një reformë afatgjatë në interes të vendit.

“Nga jeni nisur ju për të bërë një shkrirje të tillë të bashkive?! Nga vota politike, sepse ajo ju ka orientuar. Synimi juaj me kaq nxitim nuk është se doni të bëni një reformë.  JU doni që të bëni një reformë që ti shërbejë partisë, por nuk duhet ti shërbejë partisë.

Ne do hyjmë në histori si njerëz që shkatërruam hartën territoriale, apo do bëjmë një reformë që ti shërbejë Shqipërisë për 20-30 vite”, u shpreh Boçi.

Ai kërkoi që reforma të mos bëhet me nxitim, por t’i jepet kohë diskutimeve edhe të propozimit të Partisë Demokratike.

“Ju po realizoni atë kërkesën tuaj, sesi ata të largohen të zbresin territorin. Ti japim fund kësaj maskarade, të hyjmë në shinat e kushtetutës. Të presim kohën, të ndërpresim mbledhjen e komisionit, të presim kohën e konsultimeve të PD, të diskutohet edhe propozimi i PD dhe pastaj të kalojë ne seancë”, tha deputeti i PD.

Protestë para Kuvendit, disa banorë nga Memaliaj kundërshtojnë bashkimin me Tepelenën 

0

Një grup qytetarësh nga Memaliaj kanë zhvilluar këtë të premte protestë përpara godinës së Kryesisë së Kuvendit, duke kundërshtuar propozimet e hartës së re territoriale.

Shkak për këtë protestë është bërë projektligji për ndarjen e re administrative, i cili parashikon shkrirjen e Bashkisë së Memaliajt dhe bashkimin e saj me Tepelenën.

Teksa jashtë mbahet tubimi, në Komisionin e Ligjeve do të shqyrtohet projektligji për ndarjen e re territoriale.

Protestat qytetare, Bardhi: Nuk na shqetësojnë thirrjet ‘Berisha në burg’!

0

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar protestën kundër qeverisë, duke folur edhe për thirrjet e disa protestuesve kundër drejtuesve të opozitës.

Në një intervistë për “Prime News24”, Bardhi tha se këto qëndrime nuk përbëjnë shqetësim për PD-në, duke i konsideruar si reagime të një pjese të vogël të protestuesve.

I pyetur konkretisht për thirrjet “Gaz Bardhi në burg”, deputeti demokrat tha se nuk e shqetëson një qëndrim i tillë, duke theksuar se kushdo që pretendon se një person ka shkelur ligjin duhet t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë.

“Unë nuk shoh asnjë problem që dikush mund të bërtasë edhe ‘Gaz Bardhi në burg’. E rëndësishme është që çdo qytetar, që ka një të dhënë se dikush ka shkelur ligjin, duhet t’i drejtohet organeve të drejtësisë”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se nuk ka arsye të shqetësohet nga këto thirrje, pasi, sipas tij, nuk ka shkelur ligjin.

“E kam ndërgjegjen e pastër dhe nuk e kam shkelur ligjin”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

Bardhi u pyet edhe nëse protesta dhe qëndrimet e shprehura aty e kanë delegjitimuar opozitën. Ai tha se nuk e sheh veten si një opozitar të delegjitimuar, duke argumentuar se një pjesë e madhe e problematikave të ngritura nga qytetarët janë çështje që opozita i ka denoncuar prej vitesh.

“Nuk ndjehem si opozitar i delegjitimuar, por ndjehem i vlerësuar që pjesa dërrmuese e kauzës që ngrenë qytetarët janë kauza që opozita i ka denoncuar prej 14 vitesh”, tha ai.

Sa i përket pjesëmarrjes së PD-së në protestë, Bardhi argumentoi se prania e strukturave politike nuk do t’i shërbente formatit të tubimit, pasi e konsideron atë një protestë qytetare.

Adrian Hila dëshmon për disa orë në polici: Nuk kisha qëllim të filmoja pamje intime

0

Kompozitori Adi Hila ka dhënë dëshminë e tij në polici, pas publikimit në rrjetet sociale të disa videove të tij, në momente intime me disa artiste të njohura.

Mësohet se kompozitori Adi Hila ka pranuar se ka qenë ai që ka vendosur kamerat në banesë, por burime bëjnë me dije mohon që qëllimi i tyre të ketë qenë filmimi i momenteve intime.

Sipas dëshmisë së tij, kamerat janë vendosur për arsye sigurie, pasi në zonën ku ndodhet banesa e tij kishin ndodhur vjedhje. Për këtë arsye, ai pretendon se kishte vendosur kamera në çdo cep të pronës.

Në deklarimet e tij, Hila është shprehur se kamerat ishin instaluar që në vitin 2022, shumë kohë përpara publikimit të videove intime që kanë shkaktuar skandalin e ditëve të fundit. Sipas versionit të tij, bëhej fjalë për kamera të thjeshta, të cilat nuk kishin memorie për ruajtjen e pamjeve, por funksiononin online.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, një mburojë e re për zyrtarët e lartë?

0

Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë.

Projektligji përjashton nga masat e arrestit veprat penale ku maksimumi i dënimit është deri në pesë vjet, vendos filtra të rinj në kryerjen e hetimeve dhe kërkimin e provave nga prokurorët si dhe forcon regjimin e sekretit hetimor, deri në atë pikë sa ndalon bërjen publike të faktit se një person është nën hetim.

Kryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale” dhe tha se 10 vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”.

Në të kundërt, përfaqësues të shoqërisë civile e shohin këtë si projekt që synon të mbrojë zyrtarët e lartë nga drejtësia përmes cënimit të themeleve të reformës në drejtësi.

“Shqetësimi kryesor i Ramës muajt e fundit apo në muajt e ardhshëm është raporti i tij me pushtetin dhe post-pushtetin dhe kjo do të thotë që ai nuk e ka projekt reformën në drejtësi, as nevojën e forcimit të shtetit të së drejtës dhe as llogaridhënien e transparencën publike,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.

“Përpjekja e fundit është për të krijuar mekanizma mbrojtës në një rast hetimi ndaj tij dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe sidomos në periudhën kur ai s’do jetë kryeministër,” shtoi Krasniqi.

Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale propozohen në një kohë kur qeveria e kryeministrit Edi Rama është tronditur nga skandale të reja korrupsioni, të cilat përfshijnë ish.zv.kreyeministren Belinda Balluku, ish-kryetaren e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni dhe drejtues të tjerë të lartë.

Këto përvoja, sipas Krasniqit, kanë ndikuar që kryeministri Rama të mendojë për mekanizma shtesë në raport me drejtësinë, ndërkohë që publikisht e konsideron atë të suksesshme.

Rrezikun që dispozitat e reja të ndikojnë në punën e institucioneve të drejtësisë e ngre edhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ndonëse në parim ai vlerëson orientimin e paketës drejt kufizimit të paraburgimit dhe forcimit të alternativave ndaj tij.

Ai thotë se efektiviteti i reformës së re do të varet nga mënyra se si do të zbatohen dispozitat e reja dhe nga konsistenca e gjykatave në vendimmarrje, ndërsa sugjeron që qeveria të sanksionojë në këtë paketë që dënimet të llogariten për çdo episod të përsëritur të një vepre penale, duke argumentuar se trajtimi i disa shkeljeve si një rast i vetëm mund të krijojë probleme në luftën kundër korrupsionit.

Në të kundërt, paralajmëron Preçi,  “amendimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nuk do të jenë gjë tjetër veçse një mekanizëm makiavelist politik për të frenuar SPAK-un, duke mbajtur të shtrënguara radhët e funksionarëve të qeverisë dhe politikanëve të mazhorancës së drejtuar nga z.Rama, që de facto janë kandidatë për t’u hetuar në vijim nga SPAK-u.”

Për Migen Qiraxhi nga “Qendresa Qytetare”, janë skandalet e fundit ato që e kanë nxitur qeverinë të bëjë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime që sipas tij kanë si target punën e SPAK.

“Ka një paradoks: sa më shumë SPAK ka rezultate dhe godet nivele të larta të politikës, aq më shumë shohim iniciativa politike që prekin aktivitetin e SPAK”, tha Qiraxhi, duke shtuar se ndryshimet vijnë pikërisht atëherë kur ky institucion ka fituar një nivel të konsiderueshëm legjitimiteti publik.

Ndryshime që rrezikojnë reformën në drejtësi

Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016 pas ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, kishte si qëllim forcimin e pavarësisë së institucioneve kryesisht atyre të posaçme kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar dhe një riorganizim të bazuar mbi vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorisë.

Një dekadë më pas, ekspertët e shoqërisë civile i vlerësojnë ndryshimet e reja të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale si rrezik për këtë reformë, pavarësisht se ato paraqiten si korrigjime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos në çështjet e masave të paraburgimit.

Problematika kryesore, sipas tyre, është mungesa e një konsultimi real me aktorët e drejtësisë dhe me institucionet ndërkombëtare që mbështetën këtë reformë 10 vite më parë.

Krasniqi e quan këtë nismë “një lëvizje politike personale” dhe deri diku si “një nga ligjet e porositura në axhendën ligjore të qeverisë”.

Ai e konsideron absurd faktin që nismat që prekin thelbin e drejtësisë vijnë vetëm nga mazhoranca socialiste, duke shpërfillur opozitën parlamentare dhe institucionet e drejtësisë, gjë që sipas tij tregon se “koncepti i partisë-shtet vijon të jetë dominues dhe personalizimi i pushtetit logjikë dominuese”.

Sipas tij këto tentativa bien në kontrast dhe me procesin e integrimit ku i vetmi evolucion pozitiv në kapitullin e drejtësisë dhe luftës anti-korrupsion konsiderohet puna që bën SPAK dhe GJKKO.

Migen Qiraxhi nuk e konsideron suprizë këtë nismë të qeverisë, por e lidh atë me tentativa të vazhdueshme për të prekur kompetencat apo hapësirën e veprimit të SPAK me nisma që paraqiten si reforma kundër korrupsionit.

“Nese kjo sot është një nisme e qeverisë, ekziston rreziku që gradualisht të formalizohet një interes i përbashkët i pjesëve të politikës së vjetër, majtas dhe djathtas, për të rimarrë kontroll ose për të ngushtuar hapësirën e një drejtësie që për herë të parë po godet realisht në nivelet e larta,” thotë ai, duke këmbëngulur se ky është konflikti themelor.

Në këtë kontekst, Qiraxhi beson se debati duhet të fokusohet tek legjitimiteti I SPAK dhe jo tek përmbajtja teknike e propozimeve.

Ndërkohë, Zef Preçi vlerëson se pavarësisht rrezikut që paketa mbart ndaj pavarësisë së drejtësisë, në planin parimor ajo duket se adreson disa nga problemet më të kritikuara të sistemit penal shqiptar lidhur me masat e paraburgimit.

Por ai thotë se sërish mbeten pikëpyetje të forta, kryesisht për mungesën e tekstit të plotë publik në momentin e prezantimit dhe me zbatimin e tij në praktikë nga gjyatatat./ Reporter.al