Ballina Blog Faqe 27

Messi dhe Yamal, të lidhur nga numri 19. Rastësia që po mahnit botën e futbollit

0

Lionel Messi dhe Lamine Yamal do të përballen për herë të parë në karrierën e tyre në një finale të Kupës së Botës, por përpara këtij dueli mes dy gjeneratave të futbollit ekziston një seri e çuditshme përputhjesh që lidhen me numrin 19.

Rrugët e tyre u kryqëzuan për herë të parë 19 vite më parë, në një set fotografik të famshëm, ku një Messi i ri shfaqet duke larë një Lamine Yamal foshnjë. Fotografia u bë virale vite më vonë dhe tani ka marrë sërish vëmendje të jashtëzakonshme, pasi dy protagonistët e saj do të përballen në skenën më të madhe të futbollit: finalen e Botërorit.

Por përputhjet nuk ndalen këtu. Të dy lojtarët debutuan në Kupën e Botës në moshën 19-vjeçare. Messi e bëri këtë në Botërorin e vitit 2006, ndërsa Yamal në edicionin aktual, ku të dy kishin mbushur 19 vjeç gjatë turneut.

Një tjetër detaj interesant është se të dy kanë mbajtur fanellën me numrin 19 në Botëror. I njëjti numër që të dy e kanë veshur edhe te Barcelona. Messi nisi aventurën e tij me numrin 30, por më pas kaloi te 19-ta, ndërsa Yamal e mbajti këtë numër përpara se të merrte fanellën ikonike me numrin 10, atë që Messi e kishte mbajtur për shumë vite në klubin katalanas.

Dhe për t’i shtuar edhe më shumë mister kësaj historie, finalja ku Messi dhe Yamal do të luftojnë për titullin botëror do të zhvillohet më 19 korrik.

Pse i duhej Edi Ramës edhe një herë trupi i pajetë i Martin Canit

0

Duhet të kesh një lëkurë të trashë për të shpërfillur dhimbjen e dy prindërve që jetojnë çdo ditë me mungesën e fëmijës së tyre, të vrarë nga goditjet e thikës. Por kur plagën e tyre e ngacmon vazhdimisht sa herë të duhet ndonjë justifikim politik, këtu nuk bëhet më fjalë për mungesë ndjeshmërie, por për cinizëm të niveleve psiqike. Këtë cinizëm ka shfaqur Edi Rama me historinë e Martin Canit, jo një, por dy herë.

Herën e parë ndodhi pak muaj pas vrasjes. Nxënësi i “Fan Nolit” në Tiranë humbi jetën rrugës për në spital, pas një sherri ku u godit me thika, në të dalë të shkollës. Ndërsa familja kërkonte përgjegjësi nga shkolla, nga institucionet dhe nga organet që po hetonin ngjarjen, ndërkohë që opinioni publik ngrinte pikëpyetje për mënyrën si ishte menaxhuar konflikti dhe për dyshimet se hetimet po manipuloheshin, Rama zgjodhi ta zhvendoste debatin në një drejtim krejt tjetër.

Kryeministri shpalli si fajtor TikTok-un. Ai e quajti rrjetin social me qendër në Kinë “rrugaçi i lagjes”, rikujtoi kohët kur fëmijët nuk rriteshin nën ndikimin e algoritmeve dhe njoftoi mbylljen e platformës për një vit.

“TikToku është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një vit. Rrugaçë, perversitete, llum e qenëri nuk sheh në TikTok-un e Kinës”, deklaronte asokohe Rama.

Ai e paraqiti vendimin si një masë për mbrojtjen e fëmijëve duke marrë shkas nga rasti i Martin Canit, por qëllimi real kishte prapavijë politike.

Mbyllja e TikTok-ut ndodhi pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, ndërsa platforma ishte një nga hapësirat e pakta ku qeveria nuk ushtronte ndikim si në mediat tradicionale apo në rrjetet e tjera sociale.

Për kritikët e qeverisë, tragjedia e Martin Canit u përdor si argumenti moral që justifikonte mbylljen e një platforme të pakontrolluar, duke e zhvendosur debatin larg përgjegjësive konkrete të institucioneve.

Prindërit e Martin Canit e kundërshtuan këtë masë. Edhe atëherë ata e theksuan faktin se djali i tyre nuk ishte vrarë nga TikTok-u. 

“Martini nuk u vra nga TikTok”, shkruanin nëna dhe babai i tij në reagimin e tyre publik.

Përkundrazi, ata e drejtuan gishtin pikërisht atje ku qeveria nuk donte të shikohej: te dështimi i shtetit duke e quajtur manipulim lidhjen e vrasjes së Martinit me mbylljen e rrjetit social.

“Mjaft me manipulime! Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Martini, Eraldi ne Maliq dhe Erjoni në Durrës nuk u vranë nga rrjetet sociale; ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjshmëria institucionale dhe nga dështimi total i shtetit që duhet t’i mbronte. Ne nuk do të heshtim!  Nuk do të lejojmë që emri i djalit tonë, një futbollist me ëndrra dhe një shpirt i pastër, të përdoret më si mburojë për dështimet tuaja” shkruante familja Cani në vitin 2025.

Prindërit nuk kërkonin mbylljen e rrjeteve sociale, por përgjegjësi nga institucionet. Ata nuk flisnin për algoritme, por për shkollën, për mungesën e sigurisë, për mungesat në spitale dhe për dështimin e shtetit për të mbrojtur fëmijët.

Dukej sikur historia mbaroi aty, deri kur emri i Martin Canit u rikthye sërish në fjalimet e kryeministrit këtë të enjte. Kësaj radhe “Martini” i duhej për të mbështetur një projekt tjetër me vlerë mbi 100 milion dollarë. Në ceremoninë ku prezantoi “Smart City”, Rama deklaroi se të gjithë e kishin harruar vrasjen e të miturit, përveç tij.

“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi në shkollën ‘Fan Noli’, që krijoi një situatë konvulsive me politizimin ekstrem të ngjarjes dhe me gazetarinë e gjakut. Unë nuk e kam harruar, sepse e kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt. Kjo është përgjigjja ime ndaj asaj tragjedie”, u shpreh Rama.

“Sot jemi në kohën e armikut të fëmijëve, rrezikut të rrugaçit të lagjes që është algoritmi. Ky sistem do të na japë krah dhe do të fokusohet edhe te bashkëpunimi me prindërit”, deklaroi ai.

Në pamje të parë, lidhja tingëllon e natyrshme: më shumë kamera do të thotë më shumë siguri edhe për fëmijët. Por debati për “Smart City” nuk është zhvilluar rreth nevojës për teknologji apo për mbrojtjen e nxënësve. Ky ka qenë një projekt që ka ngritur shumë pikëpyetje për mënyrën se si do të shpenzohen mbi njëqind milionë euro para publike. Opozita ka lëshuar akuza për kosto të fryra, mungesë transparence dhe dyshime për korrupsion. 

Sipas të dhënave të kontratës, do të instalohen 2 239 kamera ANPR për njohjen automatike të targave dhe 2 602 kamera PTZ për monitorimin e trafikut dhe identifikimin e shkeljeve, ndërsa policia do të pajiset me 3 816 kamera trupi të lidhura me një sistem të centralizuar mbikëqyrjeje.

Vetëm licencat e programeve kushtojnë 31 milionë dollarë, pajisjet dhe infrastruktura 62.4 milionë dollarë, 8 milionë dollarë janë parashikuar për shërbime profesionale dhe 17.1 milionë dollarë për mirëmbajtjen katërvjeçare. Me TVSH, fatura totale arrin rreth 140 milionë dollarë. Shifrat kanë ushqyer akuzat për shpenzime marramendëse, ndërsa kamera të ngjashme mund të blihen në treg me çmime shumë më të ulëta.

Pikërisht tani rikthehet edhe një herë emri i Martin Canit, si historia e një fëmije të vrarë që e zhvendos menjëherë diskutimin nga milionat te emocionet. 

Por edhe kësaj radhe, ata që e kundërshtuan të parët përmendjen e djalit të tyre si mish për top ishin prindërit e Martinit. Duke kuptuar se emri i tij po keqpërdorej sërish, ata i kërkuan kryeministrit të ndalej.

“Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera. Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që meritonte të jetonte.” shkruan familja Cani në reagimin e radhës.

Në të njëjtën letër, familja Cani përsërit pretendimet për problemet në shkollën “Fan Noli”, për mungesat në sistemin shëndetësor dhe për dështimet institucionale që, sipas tyre, mund të kishin bërë diferencën mes jetës dhe vdekjes së djalit të tyre. Janë deklarata që familja i ka bërë publikisht prej muajsh, janë raportuar gjerësisht nga mediat dhe njihen mirë nga vetë kryeministri.

Megjithatë, për herë të dytë, Edi Rama zgjodhi ta rikthente Martin Canin duke shpërfillur familjen që vazhdon t’i drejtohet institucioneve. Mjafton që ta lidhte kujtimin e tij në një fjalim me një projekt që përballet me kritika të forta për korrupsion.

Korrupsioni është arsyeja pse kryeministri e përdori kësaj radhe emrin e Martinit. Këtu qëndron edhe cinizmi më i madh: për familjen Cani, Martini ishte një djalë që nuk do të kthehet më kurrë në shtëpi; për Edi Ramën, ai vazhdon të rikthehet sa herë i duhet një argument publik./Lapsi.al

Fundjavë përvëluese, temperaturat do të shkojnë deri në 41 gradë të dielën

0

Moti gjatë fundjavës do të karakterizohet nga kthjellime dhe temperatura të larta, me vlerat maksimale që pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius. Situata do të vijojë e qëndrueshme edhe në fillim të javës, me mot të kthjellët dhe temperatura të larta. Megjithatë, nga mesi i javës pritet një ndryshim i kushteve atmosferike, me shtim të vranësirave, reshje shiu me intensitet të ulët dhe shtrëngata afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

“Pozicionimi i zonës me presion atmosferik të lartë mbi Europë dhe forcimi i anticikloneve afrikanë dhe atij të Azoreve kanë bërë që të kemi mot të nxehtë dhe ditë të plota me diell.

Në fundjavë vendi do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme me mot të kthjellët dhe diell, por nuk do të mungojnë vranësirat e pakta në relievet malore. Erërat do të fryjnë me shpejtësi 7 metra për sekondë, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 1-2 ballë.

Përsa i përket kushteve termike, temperaturat parashikohen të jenë 22-41 gradë Celsius. E njëjta situatë edhe për fillimjavën, ku moti parashikohet i kthjellët. Temperaturat do të vazhdojnë të kenë rritje, 40-41 gradë Celsius. Përkeqësim të kushteve pritet në mesjavë. Do të kemi mot të vranët dhe vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, por nuk do të mungojnë edhe reshjet në formën e shtrëngatave afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era do të fryjë me shpejtësi 8 metra për sekondë deri në 18 metra për sekondë. Pritet rënie e ndjeshme e temperaturave, ku parashikohet të jenë jo më shumë se 35-36 gradë Celsius”, u shpreh sinoptikania Elida Maloçali.

Beqaj: SPAK pranoi se mu cenuan të drejtat gjatë hetimeve

0

Pasi SPAK refuzoi 23 kërkesat e Ilir Beqajt i cili kundërshtonte akuzën dhe veprimet proceduriale të organit hetues, duke i cilësuar të pabazuara në ligj, ish-ministri deklaroi në seancën gjyqësore se SPAK ka pranuar se gjatë fazës së hetimeve që i janë cenuar të drejtat procedurale, duke pretenduar se kjo është reflektuar në përgjigjet e organit të akuzës ndaj kërkesave të tij.

Beqaj u shpreh se ende nuk ka qartësi mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe se kjo, sipas tij, e vështirëson mbrojtjen. Ai akuzoi prokurorët se po shkelin të drejtat procedurale dhe tha se kallëzimi mbi të cilin është ngritur çështja bazohet në pyetje, çka sipas tij duhej të ishte refuzuar.

Ish-ministri pretendoi gjithashtu se në periudhën 2019-2020 nuk janë kryer veprime hetimore paraprake dhe kërkoi që SPAK të sqarojë se cili laborator është përdorur për ekspertizat, si edhe nëse ai është i certifikuar.

Nga ana tjetër, avokati i Beqajt kërkoi kohë për t’u njohur me arsyetimin e përgjigjeve të SPAK lidhur me 23 kërkesat e paraqitura nga i pandehuri, përpara vijimit të shqyrtimit të çështjes.

“Faleminderit organit akuzës për përgjigjet. Pranoi që në fazën e hetimeve m’i ka cenuar hapur të drejtat e mia dhe kjo përgjithësisht në 10 kërkesat e para. Sot përsëri unë kam vështirë të bëjë mbrojtjes, nga SPAK nuk u nda që të ketë një konfirmim mbi qartësinë e akuzës, sot u përdor nga prokurorët për të dyja qëndrimet mbi akuzat. Unë kam kuptuar rreth 3 vjet që merrem që kodi i procedurës është garanci organi i akuzës është detyrim, sot me sa kuptoj prokurorët kanë fituar pavarësinë ndaj drejtuesit të prokurorisë, se dikur bën ok ça thoshte titullari, dikur vareshin prej tij por këtë pavarësi e përdorin sot për të shkelur të drejtat proceduriale dhe bëjnë çfarë të duan pas reformës në drejtësi. Vetë SPAK pranoi se kallëzimi bazohet në pyetje, ka kallëzim me pyetje? Ndaj duhej të refuzohej. Të paktën në dosje nga 2019-2020, nuk ka asnjë veprim hetimor, janë zero veprimet paraprake. Njoftimi i akuzës thotë deri në këtë fazë të hetimeve, nuk u tha përgjigje pse është kjo deri më këtë fazë të hetimeve. Nuk besoj se ka vjedhje para se të shkruhet kontrata, mund të ndodhin vepra të tjera penale. Kur më akuzon më thuaj një shifër ir-je nga 5 që pretendon.

Për laboratorin që kam pretenduar se është i pacertifikuar. I kërkoj gjykatës të urdhëroj SPAK të sjellë cila ISP u përdor nga laboratori i SPAK dhe a është i certifikuar

Organi i akuzës thotë se kjo është akuza ndaj teje por disa gjëra që janë këtu nuk janë të sakta, merre pra ndaje, dhe kjo s’është çështje themeli”, tha Beqaj.

UNICEF: 40.5% e shqiptarëve në rrezik varfërie ose përjashtimi

0

Shqipëria nuk ka ende një skemë gjithëpërfshirëse universale për mbështetjen financiare të fëmijëve, ndërsa 40.5% e popullsisë rezulton në rrezik varfërie ose përjashtimi social, pothuajse dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian prej 21%.

Të dhënat paraqiten në projektprogramin e ri të UNICEF-it për Shqipërinë për periudhën 2027–2031. Dokumenti vlerëson se barra e varfërisë prek në mënyrë disproporcionale familjet me fëmijë në varësi, familjet me një prind, fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, si edhe familjet rome dhe egjiptiane.

UNICEF ka gjetur se sistemi i mbrojtjes sociale dhe ai i mbrojtjes së fëmijëve vazhdojnë të jenë të fragmentuar dhe të financuar në nivele të pamjaftueshme. Shpenzimet për mbrojtjen sociale përbëjnë 9.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më pak se gjysma e mesatares së BE-së prej 20.5%. Vetëm 5% e këtyre fondeve përdoret për shërbimet e kujdesit social.

Financimi është edhe më i kufizuar në nivel vendor. Megjithëse bashkitë kanë përgjegjësi për sigurimin dhe aksesin në shërbimet sociale, ato shpenzojnë më pak se 2% të buxheteve të tyre për këtë qëllim. Kjo kufizon kapacitetin për të mbështetur familjet në vështirësi përmes shërbimeve, përtej pagesave të ndihmës ekonomike.

Hendeku me BE-në shtrihet edhe në arsim dhe shëndetësi. Shpenzimet publike për arsimin arritën në 2.6% të PBB-së në vitin 2024, kundrejt mesatares evropiane prej 4.6%. Për shëndetësinë, shpenzimet përllogariten në 2.77% të PBB-së, ndërsa mesatarja e BE-së është rreth 10%.

Pavarësisht përmirësimit të disa treguesve, varfëria e fëmijëve mbetet e lartë. Norma e fëmijëve në rrezik varfërie ra nga 29.7% në vitin 2019 në 26.6% në vitin 2024, por vijon të prekë më shumë se një në katër fëmijë.

Dokumenti thekson gjithashtu mungesën e shërbimeve të përballueshme të kujdesit në vitet e para të jetës. Vetëm 24% e fëmijëve nga lindja deri në tre vjeç kanë akses në kujdes formal nga një deri në 29 orë në javë. Oferta e kufizuar e çerdheve dhe shërbimeve të kujdesit rëndon mbi familjet dhe kufizon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.

Në programin e ri, UNICEF parashikon të ofrojë asistencë teknike për vënien në funksion të përfitimit universal për fëmijët dhe për krijimin e mekanizmave që kombinojnë mbështetjen financiare me shërbimet e kujdesit./ ekofin.al

Prag tragjedie në Theth, guri shkëputet nga një masiv shkëmbor dhe bie mbi makinën me turistë

0

 Një grup turistësh kanë shpëtuar pa pësuar lëndime, pasi një gur i madh është shkëputur nga mali dhe ka rënë mbi automjetin me të cilin po udhëtonin.

Guri ka goditur automjetin gjatë lëvizjes në aksin rrugor drejt Thethit, por fatmirësisht asnjë prej turistëve nuk ka pësuar dëmtime.

Rruga drejt Thethit është një nga akset më të frekuentuara nga turistët gjatë sezonit veror, por në disa segmente të saj ekziston rreziku i rënies së gurëve për shkak të terrenit malor.

Blendi Klosi: Nuk ka asnjë shans të japë dorëheqjen qeveria!

0

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i ftuar në emisionin Të Paekspozuarit në NCN TV, deklaroi se nuk ka asnjë shans që qeveria të dorëhiqet. 

Ylli Rakipi: Orë ka ndonjë shans të japë dorëheqjen qeveria? 

Blendi Klosi: Asnjë shans. Zëro shans. Ka nevojë për reflektim në raste të tilla. PS ka ndryshuar, është dimensioni më i fortë i ndryshimit. 

Ylli Rakpi: Pra dorëheqje gjallë në botë jo? 

Blendi Klosi: Nuk ka asnjë arsye të ketë dorëheqje të Partisë Socialiste. 

“Si u thua protestuesve hiçër ti?!”/Ja çfarë thotë Gjergj Luca

0

Sipërmarrësi Gjergj Luca, ka debatuar në emisonin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, me Ylli Rakipin lidhur me protestën dhe anatemimin që ai u ka bërë protestuesve, të cilët më pas e sulmuan me përshtypje negative për biznesin e tij. 

Debati: 

Ylli Rakipi: Ti i quan ata hiçër? Je një njeri pasionant, nuk dua ta relativizoj. Por, aty ka njerëz të ndryshëm. Ka studentë, që nuk marrin dot një shtëpi me qira, ka punëtorë, profesorë, sipërmarrës, ka edhe hiçër. Por mbi të gjitha janë qytetarët. Pse i anatemon ti? 

Gjergj Luca: Vijmë nga sistem i mbyllur, sado ta shpjegojmë, brezat i marrin si përralla. Ne ushqyem ëndrra të tjera në atë kohë, në kulmin e punës, sistemi ndërroi dhe ëndrrat tona u zëvendësuan me ëndrrat e reja, që dilnim në shtepi dhe ktheheshim në darkë sepse nuk mbahej familja ndryshe. E dyta, kur doli Tirana atje dhe pashë njerëz të veshur bukur me shije, që kalonin edhe me fëmijët, unë u emocionova dhe e ndjeva veten mirë që Tirana po dilte dhe po thoshte shumë gjëra që ka kaq vite që në Shqipëri nuk artikulohen. Mendoj se në këtë studio unë kam artikuluar gjëra shumë më të rënda, kam bërë copë të dy partitë, me një kurajo, alla Lucë, që gjithmonë e kam thënë të vërtetën time siç e kam menduar dhe siç më del nga përditshmëria ime. Deri këtu jemi në rregull. Kur në protestë filloi kori duke u marrë me impreditorët, u bë shkasë një video e imja me një fëmijë, pashë që nxorrën fëmijët në shkallën e revolucionit dhe po nxirrnin shprehje “Saliu në burg, Rama në burg”. Si një fëmijë 10 vjeç mund ta infektosh me këto fjalë? U ndjeva keq, mora një djalë që kishte sjellë bukën dhe ujin te i ati dhe bëra një video, thashë pse nuk i çoni në punë, sic bëj unë që i fus fëmijët e mi në bar apo restorant? U turr tuma e inkuizicionit të më çonin nç litar.  “Luca i korruptuar” “Luca i krimit” “Luca në litar”, me të njëjtën gjuhë dhe mllef që kemi parë në komunizëm sekretarin e partisë, brigadierin. Thashë si ka mundësi, këta djem të rinj ku e kanë mësuar këtë gjuhë agresive?  Gjithë ky mllef dhe pasion për të folur për njerëzit që mbajnë këtë vend. Këtë vend e mban kapitali duke hapur vende pune. Paguhen me taksat tona. Si mund të ngrihesh kundër kapitalit dhe të shkatërrosh investimet? Ti ulim yjet… Kujt i bën dëm? 

Ylli Rakipi: Jo, jo, mos zbrit këtu tani. 

Gjergj Luca: Isha i acaruar. 

Ylli Rakipi: Hiçër ju ke thënë pas review-ve?

Gjergj Luca: Kishin filluar historinë e sulmit. 

Ylli Rakipi: Ata e kanë ndaj klasës politike shqiptare, kundër establishmentit 35 vjeçar. Kanë dalë dhe ajo duhet lexuar si e tillë. Janë njerëz 

Gjergj Luca: Cili nga ata ka thënë fjalë më të rënda? 

Ylli Rakipi: Ke thënë ti por me përjashtim të Ramës… 

Gjergj Luca: I sheh rrjetet ti? 

Ylli Rakipi: Pas review-ve dakord. Por ka një problem. Mbyllja e syve përpara idesë, ata sulmojnë një establishment që i ka lënë të rinjtë në mes të rrugëve. 

Gjergj Luca: Kanë lënë veten. Kush i ndalon për të punuar? 

Ylli Rakipi: Gjithë kjo klasë politike, ikin jashtë Shqipërisë. Ti e lexon këtë njëlloj si klasa politike shqiptare.  

Gjergj Luca: Ata të thonë se çfarë përfaqësojnë dhe çfarë kanë bërë në jetë. 

Ylli Rakipi: Po kujt i thua ti një 20 vjeçari çfarë ka bërë në jetë? 

Gjergj Luca: Pse dalin, çfarë kërkojnë? 

Ylli Rakipi: Ngrihet ky brez sepse jeton në mënyrë tjetër, i shohin gjërat krejt ndryshe. 

Gjergj Luca: Unë mendoj se i shoh gjërat gabim. 

Ylli Rakipi: Nëse një brez i ri, gjenerata Z, përfaqëson brezin më të ri në Shqipëri dhe botë, që kërkon të ndërtojë vetëveten dhe nuk gjen asnjë hapësirë. Pse? Sepse ka 35 vjet me këtë establishment. Ti ke patur forca politike që shpërndanin bursa dhe diploma për zgjedhje. 

Gjergj Luca: Çfarë kërkojnë këta? 

Ylli Rakipi: Vetëveten, të jetojnë. Të mos bëhet drejtor një njeri që nuk ekziston, që nuk ka diplomë, të mos drejtojë një njeri që nuk vlen. Këto duhet ti lexojë qeveria. 

Gjergj Luca: Ku të fillojnë punë? Në administratë? Ku tjetër? 

Ylli Rakipi: Ti e di që në Shqipëri nuk ka garë për asgjë? 

Gjergj Luca: Prapë po flet për administratën. Në privat ka shumë. 

Ylli Rakipi: Ore kush është ngritur që të rrëzohesh ti? Ke parë njeri ti? Ata thonë për oligarkët. Nuk po të veçon njeri ty. 

Dervishi: Protesta ka ‘ngelur për vjeshtë’ sistemin dhe klasën politike!

0

Gazetari Lutfi Dervishi mendon që protesta qytetare, e cila sot ka hyrë në ditën e 47-të të saj, ka ngelur për vjeshtë sistemin dhe klasën politike në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Dervishi e konsideroi protestën gjënë më të mirë që i ka ndodhur Shqipërisë në 100 vitet e fundit. Sipas tij protesta u ka dhënë një shans aktorëve në Shqipëri për të ndryshuar.

Protesta ka mbetur për vjeshtë sistemin dhe klasën politike, në kuptimin që u ka dhënë një shans për të ndryshuar. Protesta është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur Shqipërisë këto 100 vitet e fundit. Në kuptimin që përmirësoi edhe imazhin e vendit. Nga aq sa kam ndjekur mediat ndërkombëtare, opinioni publik në vende shumë demokratike ka marrë Tiranën si shembull, aq shumë saqë një vëzhgues shprehej se përveç kritereve të Kopenhagenit që i duhen vendit për të shkuar në BE, duhen futur edhe kriteret e Tiranës”, tha gazetari.

“Të arrijë situata që në senatin amerikan, senatorët të thonë të marrim shembull nga Tirana, pra i ka sjellë një gjë të mirë Shqipërisë, dhe u ka dhënë një shans aktorëve për t’u përmirësuar. Edhe fakti që s’kanë dalë me lëvizje politike, gjë që sistemi e dëshiron, tregon pikërisht këtë gjë, duan që të ndryshojnë”, u shpreh Dervishi.

Braçe ngre alarmin në Kuvend: Mos i ktheni tokat bujqësore në parqe fotovoltaike

0

Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore” u shoqërua me debate në Kuvend, ku deputeti socialist Erion Braçe shprehu shqetësimin për përdorimin e tokave bujqësore për ndërtimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike.

Gjatë diskutimeve, Braçe kërkoi që kufijtë për zhvillimin e këtyre projekteve të përcaktohen qartë në ligj dhe të mos lihen në dorë të vendimeve të Këshillit të Ministrave. 

“Mbase nuk është Ministri i Bujqësisë personi i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të ishte ai i Energjitikës, por pyetja është sa licenca janë dhënë për parqe eolike në toka bujqësore deri më tani? E dyta, po për parqe agro-fotovoltaike në toka bujqësore deri më tani? Sa leje janë dhënë për parqe të tilla në toka me bonitet 9 deri në 10 deri më tani?”, u shpreh Braçe.

Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, mbrojti projektligjin, duke theksuar se ndryshimet synojnë përshtatjen e kuadrit ligjor me zhvillimin e bujqësisë moderne dhe përdorimin e teknologjive të reja. Sipas Sallës, funksioni kryesor i tokës bujqësore nuk ndryshon dhe mbetet prodhimi, ndërsa teknologjitë e reja do të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit dhe përdorimin më efikas të burimeve natyrore.

“Projektligji është një ndërhyrje e kufizuar në ligj për mbrojtjen e tokës bujqësore, por e nevojshme për ta përshtatur me zhvillimin e bujqësisë moderne. Toka nuk është thjesht një sipërfaqe për ta përshtatur për prodhim bujqësor, por një pasuri kombëtare të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e brezave. Ky parim nuk ndryshon dhe nuk cënon mbrojtjen e tokës bujqësore. Plotëson kuadrin bujqësor për të vënë në përdorim disa teknologji, që ndihmojnë për përdorimin më të mirë të ujit dhe disa lëndëve ushqyese dhe burimesh natyrore, duke rritur produktivitetin. Realiteti ka ndryshuar sa i përket tokës bujqësore. Nuk mjafton vetëm kultivimi i sa më shumë sipërfaqesh, por të kemi sa më shumë produktivitet. Nuk cënohet në asnjë moment funksioni i tokës bujqësore, që mbetet prodhimi. Filozofia e këtij ligji është që teknologjia të vendoset në funksion të tokës, fermerit dhe prodhimit. Ndaj edhe përcakton që disa kritere të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke zbatuar rregullat strikte.”, tha Salla.

Deputeti ngriti gjithashtu pyetje mbi numrin e licencave të dhëna deri më tani për parqe eolike dhe agro-fotovoltaike në toka bujqësore.

“Ky projektligj është i rëndësishëm. Mua më shqetëson ligji i ri që e kemi para. Nuk ka sanksionuar qartësisht kufijtë e vendosur në ligjin ekzistues, por lë të hapur që Këshilli i Ministrave vendos kufijtë e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit fotovoltaik dhe eolik. Kërkoj që në nenin 2, në pikën 6 të jenë të qarta dhe të përcaktuara kufijtë që ka vendosur vetë ligji për secilin park. Duhet një definicion më i qartë në ligj për këto kufij. Përndryshe, këto parqe fotovoltaike do të shtrihen më pas në të gjithë tokat bujqësore në të gjithë vendin dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Këto definicione që janë vënë në ligj nuk mbrojnë tokën bujqësore. Koncepti mbi tokën bujqësore ka ndryshuar totalisht. Toka duhet për bujqësi, jo për industri. Ne nuk kemi pafund tokë bujqësore.”, tha Braçe.