Ballina Blog Faqe 28

Vetëvrasja e Xhuana Nikollit/ Vetëdorëzohet pas disa muajsh në arrati ish-bashkëshorti, Eraldo Fizi

0

Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i Xhuana Nikollit, është vetëdorëzuar në Policinë e Lezhës, pasi ishte shpallur në kërkim për vdekjen e 25-vjeçares.

Fizi dyshohet se ka pasur përgjegjësi në ngjarjen që çoi në vetëvrasjen e Nikollit.

Xhuana Nikolli u vetëhelmua me fostoksinë mëngjesin e 10 marsit 2026, në banesën me qira në Tiranë ku jetonte. Ajo u dërgua në spital, por ndërroi jetë më pas në QSUT.

Sipas raportimeve, rreth orës 07:00, pasi shoqja e saj ishte larguar për në punë, Xhuana dyshohet se konsumoi fostoksinë. Më pas ajo kontaktoi me telefon një nga motrat që jetonte në Angli dhe i tregoi çfarë kishte bërë.

Familjarët kanë deklaruar se një natë më parë, më 9 mars, Xhuana ishte takuar me ish-bashkëshortin e saj, Eraldo Fizin. Ata pretendojnë se gjatë atij takimi ajo ishte dhunuar. Këto janë pjesë e dyshimeve dhe dëshmive të familjarëve, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes po hetohen nga autoritetet.

Skandali i SHISH/ Këshilli i Sigurisë Kombëtare pritet të mblidhet sërish

0

Kryetari i komisionit të Brendshëm dhe të Mbrojtjes, Bledi Çuçi ka deklaruar ditën e sotme se Këshilli i Sigurisë Kombëtare pritet të mblidhet sërish, pasi të përfundojë një audit. Sipas tij, auditi do të synojë të evidentojë nëse situata e krijuar ka sjellë pasoja të mundshme për funksionimin e SHISH.

Në lidhje me këtë, ai bëri me dije se Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh të hënën, ku SHISH paraqiti një informacion paraprak për çështjen. Çuçi theksoi se në përfundim të mbledhjes u vendos që të kryhet sa më shpejt një auditim i plotë dhe pas përfundimit të tij, Këshilli të mblidhet sërish për një diskutim më të gjerë. 

Bledi Çuçi: Në lidhje me këtë çështje, Presidenti mblodhi Këshillin e Sigurisë ditën e hënë dhe aty pati një informacion paraprak nga SHISH. Po në Këshill u la detyra që të bëhet sa më shpejt një auditim i thellë në lidhje me ndonjë pasojë të mundshme, nëse ka, për funksionimin e SHISH dhe besoj se shumë shpejt do të kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të diskutohet edhe më gjerësisht pasi të jetë bërë ky auditim. Edhe komisioni jonë ka një rol në këtë aspekt, por duhen ndjekur të gjitha hallkat shtetërore dhe së pari duhet lënë Prokuroria të hetojë deri në fund përfshirjen e ish-drejtoreshës së SHISH në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me sigurinë ose jo. 

Pasi të kemi një qartësim të situatës, edhe ne kemi instrumentet tona për të thirrur për të raportuar institucionet e sigurisë për këtë çështje. Por le ta bëjë e qetë Prokuroria e qetë punën e saj dhe të kalojmë këto filtra të informacionit që vijnë nga një institucion kaq i rëndësishëm siç është SHISH dhe pastaj jemi dhe ne. Me kohën do të sqarohen të gjitha përgjegjësitë e secilit, qoftë penale, qoftë administrative.

Nisi zyrtarisht detyrën, ambasadori amerikan Wendt takon Ramën në Kryeministri

0

Ambasadori amerikan Eric Wendt zhvilloi një takim prezantimi me kryeministrin Edi Rama, pas nisjes së misionit të tij në Shqipëri. Të shtunën, më 26 shtator, Wendt i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Bajram Begaj.

Kryeministri Rama ka publikuar një fotografi nga takimi në rrjetet sociale, të cilën e ka shoqëruar me mesazhin: Mirë se erdhe!

Eric Wendt është ambasadori i 11-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë që prej vitit 1991, kur mes dy vendeve u rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Ai pason në këtë detyrë Yuri Kim, ndërsa prej vitit 2023 ambasada e SHBA-ve është drejtuar nga Nancy VanHorn si e ngarkuar me punë.

Veliaj “shkund” Bashkinë e Tiranës nga burgu, firmos ndryshimet e disa drejtuesve

0

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka firmosur nga burgu disa ndryshime në administratën e Bashkisë së Tiranës.

Mësohet se ndryshimet kanë prekur drejtues të disa njësive administrative. Piro Jani, drejtues i Njësisë Administrative nr. 5, dhe Florian Pullazi, drejtues i Njësisë nr. 2, janë larguar nga detyra. Pullazin mbante postin si administrator të Njësisë nr. 2, që  prej dhjetorit 2017.

Trendelina Jaku, deri tani administratore e Njësisë Administrative nr. 1, është emëruar në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Jaku ishte emëruar administratore e Njësisë nr. 1 nga Veliaj në vitin 2015.

Ndryshimet kanë prekur edhe Kasharin. Administratori Xhevahir Koçi është emëruar drejtor i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

Veliaj ka emëruar gjithashtu Julinda Dhamen si këshilltare të tij.

Lëvizjet vijnë një ditë pasi drejtimi i Bashkisë u kthye në objekt debati në Këshillin Bashkiak. Në mbledhjen e 29 shtatorit, këshilltarja e PD-së Ilda Zhulali kërkoi sqarime se kush po e drejton institucionin, ndërsa Eridian Salianji deklaroi se kryetar vazhdon të jetë personi i zgjedhur nga qytetarët.

Para mbledhjes, Këshilli Bashkiak i kishte kërkuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që Veliaj të merrte pjesë fizikisht ose përmes videokonferencës.

Kërkesa argumentonte se pjesëmarrja e kryetarit lidhej edhe me çështjet e administrimit të Bashkisë. SPAK nuk e lejoi pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e 29 shtatorit.

Ndryshimet e fundit tregojnë se Veliaj po vijon të ushtrojë kompetenca administrative përmes firmës së tij, ndërsa debati politik në Këshillin Bashkiak është përqendruar te funksionimi i institucionit gjatë mungesës së tij fizike.

Ergys Agasi bën deklaratën e fortë: Nuk e kam takuar asnjëherë Vlora Hysenin!

0

Ergys Agasi ka reaguar përmes avokatit të tij, Maksim Haxhia, lidhur me të dhënat dhe pretendimet e bëra publike në kuadër të hetimeve të SPAK.

Haxhia ka përcjellë versionin e klientit të tij, duke kundërshtuar pretendimet që lidhen me takimet me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, si dhe me dokumentet që dyshohet se janë gjetur në automjetin e Agasit.

Në intervistën e dhënë për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, duke folur për qëndrimin e Agasit, Haxhia deklaroi: “Po e deklaroj çfarë kam biseduar me klientin dhe më ka thënë: asnjëra nga ato nuk qëndron. Kryetarja e shërbimit informativ nuk ka qenë asnjëherë në zyrën time. Nuk e kam takuar asnjëherë, në kuptimin që të kenë takime të vazhdueshme. Se çfarë ruajnë ata në kuptimin e funksionimit të atij institucioni është tjetër gjë, këtë nuk e di…, që është një lidhje, që është aset, a është në shërbim… këtë nuk di ta them. Vetëm di të them që ai sfidon. Më ka thënë që sfidoj këdo që të thotë: “Unë kam bashkëpunuar me sekretet shtetërore” dhe e dyta: “Që në makinën që kam pasur në shtëpi janë gjetur dokumente”.”

Sa i përket pretendimeve për dokumentet dhe materialet që dyshohet se janë gjetur në automjetin e Agasit, avokati ka kundërshtuar versionin e bërë publik dhe ka deklaruar se klienti i tij është i gatshëm të përballet me këto pretendime.

“Sfidon këdo për ato biseda që kanë nxjerrë në media ose në publik dhe thotë: “Po të ishin se në makinën time, që aty ka qenë, nuk ka lëvizur, se është vërtetuar që nuk është makina me të cilën është kryer rrëmbimi, të jenë gjetur materiale të shërbimit informativ”. Kanë vënë në gojën e Agasit që ai ka deklaruar që: “I kam pasur këto dokumente dhe i kam lënë në makinë”. Jo, nuk është e vërtetë, aty kam qenë në proces. Këtë kundërshton ai. Ai thotë, edhe prokurorinë dhe këdo tjetër që të ballafaqohet.”

Haxhia ka ngritur gjithashtu pikëpyetje lidhur me publikimin e disa komunikimeve telefonike, duke argumentuar se ato, sipas tij, nuk kanë interes për hetimin. Avokati ka kërkuar që çdo material që pretendohet se ekziston të përfshihet në dosjen e hetimit, në mënyrë që mbrojtja të mund ta kundërshtojë atë në rrugë ligjore.

“Ne kërkojmë që prokuroria të distancohet, ose nëse janë të vërteta, t’i fusin në dosje, jo po të bëhet kallëzim ndaj prokurorisë. Jo, t’i vërë në dosje dhe ta bëjmë luftën ballë për ballë, pra ta bëjmë dyluftimin juridik me provat që ke, por e them përsërit, nuk besoj që prokuroria t’i ketë nxjerrë, sepse si ka, nuk i ka. …Ne, në cilësinë e mbrojtjes, na e kanë bërë mbrojtjen gati të pamundur. Ky variant fillon vazhdimisht, duke i bërë gjërat në publik, mbarset publiku dhe ne atëherë duhet të sqarojmë publikun dhe pastaj të bëjmë mbrojtjen juridike. Për mua është bërë një strategji dhe taktikë që ta vërë para fajësisë zotin Agasi.”

Më herët, gjykata ka aprovuar tre masa të kërkuara nga SPAK për nxjerrje sekreti dhe përkrahje të autorit të krimit, mes tyre edhe për ish-kreun e SHISH, i cili mbahet në arrest shtëpiak.

Deklaratat e mësipërme përfaqësojnë qëndrimin e mbrojtjes së Ergys Agasit. Hetimet dhe pretendimet e SPAK vijojnë të jenë pjesë e procesit në zhvillim.

Kodi i ri i Procedurës Penale, Edi Rama tregon ndryshimet

0

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, pjesë e paketës së re të garancive procedurale në kuadër të reformës në drejtësi.

Kryeministri theksoi se për dënime deri në 3 vjet s’do ketë masë shtrënguese, dhe për vepra deri në 5 vjet s’do caktohen më arreste me burg.

Kreu i qeverisë tha se prokurori s’do ketë mision të gjejë patjetër një fajtor, por të gjejë të vërtetën. Ai u shpreh se nuk mund të thirret një person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar pa avokat.

“Nuk ka në ato 105 nenë asnjë mballomë alla shqiptarçe dhe asnjë arnë të importuar nga jashtë. Këshilli i Europës e ka kaluar paketën në filtrin e konventës dhe standardeve europiane, duke e vlerësuar si një projekt që rrit transparencën e procesit penal dhe zgjeron të drejtat e mbrojtjes, kjo është për ne garancia më e mirë. Po ndërmarrim një tjetër reformë modernizuese për sistemin e drejtësisë dhe europianizuese për shtetin shqiptar, ku procesi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë jo nga burgu si zanafillë”, u shpreh kryeministri.

“Për vepra me dënim maksimal deri në 3 vjet nuk do caktohen më masa shtrënguese, për vepra nën 5 vjet s’do të caktohet më arrest me burg. Natyra e rëndë e veprës e marrë më vete, s’do mjaftojë më, as heshtja e personit, as mospranimi i akuzës, nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual, dhe i mbështetur me fakte që lidhen me vet personin. Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur, dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, dhe nuk arsyeton pse masat më të buta s’mjaftojnë, vendimi bëhet i pavlefshëm. Sa herë caktohet arresti gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, me përjashtim të veprave të rënda“, u shpreh ai.

“Avokati s’mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit, duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime. Personi do të ketë akses të pakufizuar te provat që i është hequr liria, dhe do të marrë akses para se çështja të shkojë në gjyq. Prokurori do ketë detyrimin që të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë personin, sepse s’ka si mision të gjejë patjetër një fajtor, por të gjejë të vërtetën. Nuk mund të thirret një person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar, pa avokat”, vijoi Rama.

Kryepolici Vilson Bala paraqitet në SPAK, dyshime për kontakte me Ergys Agasin kur drejtoi Policinë e Durrësit

0

Drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Vilson Bala është paraqitur paraditen e kësaj të mërkure në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Ai pritet të merret në pyetje nga hetuesit e BKH-së dhe prokurorët e SPAK, ndërsa dyshimet janë për lidhje me Ergys Agasin.

Deri një vit më parë, Vilson Bala ka qenë drejtues i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, zonë ku biznesmeni kontravers i arrestuar nga SPAK për aferën e AKSHI-t, ka pasur një veprimtari të gjerë.

Gjithashtu, ka raportime se prokurorët i kanë dërguar fletëthirrje Vilson Balës për një rast të dekonspirimit të një operacioni policor, por nuk është ende e qartë nëse kjo lidhet me rastin e biznesmenit Ergys Agasi, apo është një çështje e re.

Vilson Bala ka mbajtur edhe postin e ish-kreut të Forcës Operacionale dhe ka qenë zyrtari që drejtoi operacionin për arrestimin e Ilir Metës. Partia e Lirisë e ka denoncuar atë për postet që ka mbajtur, si shpërblim për “rrëmbimin e Metës”.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Agasin, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj, për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për manipulimin e tenderave të AKSHI-t, ndërsa hetimet përfshijnë edhe pretendime për përdorim të dhunës dhe pengmarrje, të biznesmenit Gerond Meçe.

Ergys Agasi është një nga figurat që prej kohësh ka gjetur “strehë” në politikë, veçanërisht te Partia Socialiste, duke mbajtur pozita të rëndësishme. Së fundmi, është zbuluar dhe bashkëpunimi i tij me drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Nga “Dosjet VIP” te siguria kombëtare/ Analiza e DW: Zyrtarë të lartë në hetim, përgjegjësi individuale?!

0

Më 22 shtator, drejtorja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, në një konferencë ndërkombëtare me drejtues të shërbimeve të inteligjencës. 

Në Tiranë, ndërkohë, Gjykata e Posaçme vendosi ndaj saj masën e arrestit në shtëpi dhe pezullim nga detyra, nën dyshimin për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të sekretit hetimor.

Mes dritëhijeve për sigurinë kombëtare të vendit, presidenti Bajram Begaj mblodhi të hënën (28.09.2026) Këshillin e Sigurisë Kombëtare. “Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë.

Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”- thuhet në deklaratën e shpërndarë pas mbledhjes. Por rasti i ish- drejtueses së SHISH-it nuk qëndron i vetëm. Ish-presidenti Ilir Meta ka kaluar pothuajse dy vjet në paraburgim.

Ish-kryeministri Sali Berisha është në gjyq. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ndodhet në qeli prej fillimit të vitit 2025. Dy ish-zëvendëskryeministra të qeverive Rama, Arben Ahmetaj dheBelinda Balluku, po përballen gjithashtu me procedime penale. Hetimet kanë përfshirë edhe drejtuesit e lartë të AKSHI-t, ministra dhe ish-funksionarë të tjere të lartë.

Dosjet “VIP”
Për vite me radhë, korrupsioni në nivelet e larta nuk ndëshkohej. Ndaj, një nga pritshmëritë kryesore të reformës në drejtësi, të nisur në vitin 2016, ishte që zyrtarët dhe politikanët e nivelit të lartë të mos mbeteshin më jashtë rrezes së drejtësisë. “Pritshmëria ishte që institucionet e reja të drejtësisë të fokusoheshin tek korrupsioni i nivelit të lartë dhe tek çështjet ‘VIP”- thotë për DW Afrim Krasniqi, politolog dhe drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike. “Kishte individë që qëndronin mbi ligjin dhe pandëshkueshmëria ishte e theksuar.”

Por rezultatet nga reforma nuk erdhën menjëherë. Ngritja dhe konsolidimi i institucioneve të reja kërkoi vite, ndërsa hetimi i çështjeve të vjetra ishte shpesh më i vështirë.

Për Dorian Matlijën, avokat dhe drejtor ekzekutiv i Res Publica-s, numri i zyrtarëve të lartë që sot përballen me procedime penale nuk do të thotë domosdoshmërisht se korrupsioni është më i përhapur se më parë. “Ajo që ka ndryshuar ndjeshëm është reagimi institucional” – thotë Matlija për DW. “Sot SPAK është një strukturë e specializuar, me më shumë pavarësi, kapacitete më të forta dhe mbështetje ndërkombëtare, si dhe me vullnetin për të ndërmarrë hetime që kanë thyer mitin e paprekshmërisë së zyrtarëve të lartë.”

Kush e parandalon korrupsionin?
Dalja para drejtësisë e zyrtarëve të lartë është vetëm njëra anë e funksionimit të institucioneve. Sepse kur një rast korrupsioni mbërrin në prokurori, shkelja e dyshuar tashmë ka ndodhur. Sipas Dorian Matlijës, pikërisht këtu rezultatet janë më pak bindëse. “Po bëhemi më efektivë në ndëshkimin e korrupsionit pasi ai ka ndodhur, por jemi shumë më pak të aftë për ta parandaluar”- thotë ai. Sipas tij parandalimi duhet të nisë shumë më herët, përmes kontrolleve administrative, auditimeve, rregullave për konfliktin e interesit dhe deklarimit të pasurisë. Por Matlija vlerëson se këto mekanizma shpesh nuk e kanë kryer funksionin e tyre.

Edhe Komisioni Evropian arrin në një përfundim të ngjashëm në raportin e vitit 2025 për Shqipërinë. Ai vlerëson se SPAK ka bërë “progres të prekshëm” në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Por, në të njëjtën kohë, korrupsioni mbetet i përhapur dhe mekanizmat për parandalimin e tij kanë pasur efekt të kufizuar. Përmasat e problemit shfaqen edhe në kontaktet e qytetarëve me administratën. Në një sondazh të SELDI-t të vitit 2023, 52 % e të anketuarve në Shqipëri thanë se ishin përballur me presion korruptiv nga zyrtarë publikë, ndërsa 40 % deklaruan se kishin paguar ryshfet.

Afrim Krasniqi e sheh problemin edhe në raportet e pushtetit. Partia Socialiste qeveris Shqipërinë që prej vitit 2013 dhe aktualisht ka shumicën absolute në Kuvend. Sipas tij, dominimi i zgjatur i një force politike ka dobësuar mekanizmat që duhet të kontrollojnë pushtetin ekzekutiv. “Kemi një sistem të deformuar” – thotë Krasniqi për DW. “Kreu i ekzekutivit kontrollon ekzekutivin, parlamentin dhe institucionet.” Sipas tij, përqendrimi i pushtetit është shoqëruar edhe me rrjete informale ndikimi, përmes të cilave individë jashtë institucioneve shtetërore mund të ndikojnë në vendimmarrjen politike, legjislacion dhe përdorimin e pasurive publike.

Kryeministri Rama thekson se përgjegjësia penale është individuale sa herë që hetimet kanë përfshirë zyrtarë të lartë. Edhe për rastin Hyseni, qëndrimi i tij ishte i njëjtë. “Kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar rreth kësaj teme në vetvete” – tha Rama.

Prova e rezultateve
Në maj, BE-ja konfirmoi përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, ku përfshihet edhe sundimi i ligjit. Tani vëmendja zhvendoset te zbatimi dhe rezultatet e qëndrueshme. International, nga 33 pikë në vitin 2012 në 39 në vitin 2025, por mbetet ende pas vendeve të BE-së. Për avokatin Matlija, integrimi evropian ka ndihmuar në forcimin e institucioneve si SPAK. “BE-ja nuk kërkon më vetëm miratimin e ligjeve dhe reformave, por rezultate konkrete dhe të qëndrueshme” – thotë ai.

Për Afrim Krasniqin, pikërisht këtu qëndron edhe prova e integrimit, jo vetëm te përparimi formal në negociata, por te ndryshimi që sjell në vend. “Thelbi duhet të jetë që Shqipëria, shoqëria shqiptare dhe institucionet shqiptare të ndryshojnë dhe të përmirësohen, në mënyrë që të bëhemi të denjë për integrimin” – thotë Krasniqi. Sipas tij, ky ndryshim duhet të ndihet edhe nga qytetarët, përmes sigurisë sociale, mirëqenies dhe pavarësisë, dhe jo të mbetet vetëm një arritje në letër./DW

Ursula von der Leyen e nis nga Tirana turin 3-ditor në Ballkan, takime me Begajn dhe Ramën

0

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërrin sot në Tiranë, duke nisur nga Shqipëria turin e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Von der Leyen do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Pas takimit me Ramën, në orën 17:30 është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp.

Vizita e presidentes së Komisionit Evropian do të vijojë më 1 tetor në Kosovë, ku do të takohet me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu dhe kryeministrin Albin Kurti.

Po më 1 tetor, Von der Leyen do të udhëtojë drejt Malit të Zi, ku në axhendë janë takimet me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić.

Ndalesa e fundit e turit do të jetë Maqedonia e Veriut, të premten. Atje, presidentja e Komisionit Evropian do të zhvillojë takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

Në këtë itinerar nuk janë përfshirë Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Sipas njoftimit, vizitat në këto dy vende nuk janë parashikuar për shkak të zgjedhjeve të ardhshme.

Në qendër të vizitës së Von der Leyen është edhe ideja për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, me synimin për të mbështetur procesin e tyre të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Plani parashikon përcaktimin e reformave prioritare, afateve orientuese dhe objektivave për përfundimin e fazave të negociatave. Paralelisht, edhe vendet anëtare të BE-së pritet të marrin angazhime për të avancuar procesin.

Megjithatë, vendimet kryesore që lidhen me zgjerimin e Bashkimit Evropian vijojnë të kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare.

Mbyllet saga e konfliktit në Universitetin e Mjekësisë, Senati vendos në favor të Prof. Dr. Edit Xhajankës

0

Pas muajsh përplasjesh në Universitetin e Mjekësisë, Senati Akademik ka rrëzuar propozimin e Komisionit Disiplinor Ad Hoc për masë ndaj Prof. Dr. Edit Xhajankës. Relacioni mori 8 vota pro, 1 kundër dhe 10 abstenime, duke mos siguruar shumicën e nevojshme për miratim.

Mbyllet në favor të Prof. Dr. Edit Xhajankës saga që prej muajsh kishte prodhuar përplasje të forta brenda Universitetit të Mjekësisë së Tiranës.

Senati Akademik nuk ka miratuar propozimin e Komisionit Disiplinor Ad Hoc për marrjen e një mase ndaj Xhajankës, duke e mbyllur procedurën pa sanksion disiplinor ndaj saj.

Sipas burimeve të brendshme nga Universiteti i Mjekësisë, vendimi është marrë në mbledhjen e Senatit Akademik të zhvilluar më 28 shtator 2026, ku relacioni i komisionit u hodh në votim të hapur.

Rezultati ishte 8 vota pro relacionit, 1 votë kundër dhe 10 abstenime.

Për miratimin e propozimit kërkoheshin të paktën 10 vota pro. Me vetëm tetë vota në favor, relacioni nuk arriti shumicën e nevojshme dhe, për rrjedhojë, masa e propozuar ndaj Prof. Dr. Edit Xhajankës nuk u miratua nga Senati.

Veçanërisht domethënës në rezultatin përfundimtar është numri i abstenimeve. Dhjetë anëtarë të Senatit zgjodhën të mos e mbështesnin relacionin, ndërsa vetëm tetë votuan në favor të tij. Kështu, pavarësisht procedurës së gjatë që kishte mbërritur deri në organin më të lartë kolegjial të universitetit, propozimi nuk arriti të kalonte filtrin përfundimtar të votimit.

Vendimi i Senatit vjen pas muajsh debatesh dhe përplasjesh brenda Universitetit të Mjekësisë lidhur me procedurën e nisur ndaj Xhajankës. Në qendër të debatit ka qenë Komisioni Disiplinor Ad Hoc, mënyra e ngritjes së tij dhe vendimmarrja e ndërmarrë ndaj profesoreshës.

Përplasja mori përmasa të forta institucionale, ndërsa çështja kaloi në disa etapa përpara se të mbërrinte për vendimmarrje në Senatin Akademik. Xhajanka, nga ana e saj, ka kundërshtuar procedurat e ndërmarra ndaj saj, ndërsa konflikti u shoqërua me akuza për presion dhe hakmarrje institucionale.

Prof. Dr. Edit Xhajanka është një prej pedagogeve me karrierë të gjatë në Universitetin e Mjekësisë. Ajo numëron rreth 35 vite në jetën akademike dhe ka mbajtur poste të rëndësishme drejtuese, mes tyre atë të shefes së departamentit dhe, për dy mandate, të dekanes së Fakultetit të Mjekësisë Dentare.

Pikërisht pesha e saj akademike dhe funksionet e mbajtura ndër vite e kishin kthyer konfliktin në një nga përplasjet më të forta të brendshme në Universitetin e Mjekësisë.

Vendimi i 28 shtatorit ndryshon përfundimisht rrjedhën e kësaj procedure. Komisioni Disiplinor Ad Hoc e kishte çuar relacionin deri në Senat, por në momentin e votimit nuk siguroi numrin e nevojshëm të votave për ta kthyer propozimin në vendim.

Në këtë mënyrë, pas muajsh debatesh, përplasjesh procedurale dhe tensionesh brenda strukturave akademike, Prof. Dr. Edit Xhajanka del nga procedura pa asnjë masë disiplinore të miratuar nga Senati. /Pamfleti