Ballina Blog Faqe 29

Zbulohen projektet dhe investitorët/ Tre resorte të tjera po projektohen në Zvërnec

0

Nga Vladimir Karaj, BIRN

Tre vite më parë, banorët e Zvërnecit u thirrën në një takim në një lokal përgjatë rrugës që të çon drejt plazhit. Sipas kryeplakut të fshatit, Kostaq Konomi, takimi u kërkua nga Mezan Malaj, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe biznesmen ndërtimi. Aty mori pjesë edhe Ermal Dredha, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Në tryezë, banorëve iu paraqit një ofertë për zgjidhjen e konfliktit të tyre shumëvjeçar për pronësinë mbi një rrip toke që njihet lokalisht si “10-hektarëshi”, i transferuar në fillim të viteve ’90 nëpërmjet Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), të bazuara në ligjin nr. 7501.

“Na thanë: na jepni AMTP-të dhe ne do t’u rregullojmë dokumentet e do t’i grisim ato të atij tjetrit,” kujton Konomi, ndërsa shpjegon se me “tjetrin” Malaj i referohej Artur Shehut, një biznesmen shqiptaro-amerikan me banim në Miami, i cili ka një histori të gjatë akuzash dhe dyshimesh që e lidhin me krimin e organizuar, trafikun e narkotikëve dhe përvetësimin e pronave në bregdetin e Vlorës.

Banorët e Zvërnecit e refuzuan ofertën e sipërmarrësit, kujton Konomi, dhe zgjodhën rrugën ligjore në betejën e tyre për pronësinë. Por ndërsa gjykatat nuk e kanë dhënë ende verdiktin përfundimtar mbi konfliktin, në maj dhe qershor 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) miratoi dy leje zhvillimi për hotele dhe resorte turistike mbi pronat e kontestuara dhe një tjetër leje më në jug, në kufi me TEC-in e Vlorës.

Tri lejet kanë së bashku një sipërfaqe zhvillimi prej mbi 190 mijë metrash katrorë dhe ndodhen brenda kufijve të zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë, kandidate për rrjetet evropiane “Emerald” dhe “Natura 2000”.

“Planet e miratuara, edhe pse janë leje të papublikuara, janë në linjë me vizionin për ta urbanizuar gjithë zonën dhe për ta transformuar nga një park i mbrojtur në një qytet të ri,” tha Zydjon Vorpsi nga Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

I pyetur nga BIRN mbi miratimin e lejeve të zhvillimit për këto tri resorte, kryeministri Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve deri në publikimin e këtij shkrimi. Edhe Artur Shehu, i kontaktuar nëpërmjet avokatit të tij, nuk ktheu përgjigje. Më herët, Shehu i ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.

Leje të pazbardhura

Planet e qeverisë shqiptare për të lejuar ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit të SHBA-ve, shërbyen si shkëndijë për atë që njihet si “Revolucioni i Flamingove”, një protestë që vijon prej muajsh dhe që, përpos largimit të kryeministrit, kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara në ligjin nr. 21/2024 “Për zonat e mbrojtura”, të cilat, sipas protestuesve, u kanë hapur rrugë ndërtimeve në zonë.

Presioni i kësaj lëvizjeje duket se ka dhënë efekt në terren edhe te projektet paralele të planifikuara në zonën e mbrojtur, të cilat mbeten të pazbardhura dhe pa miratim përfundimtar. Gjatë bisedave me BIRN, investitorët pranuan se protestat kishin ndikuar në ngecjen e proceseve administrative për zbardhjen përfundimtare të lejeve nga institucionet.

Sipas dokumenteve të siguruara nga AZHT nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit, kompania “Green Investment” me aksioner shumice Kreshnik Malajn, djalin e ish-deputetit socialist, Mezan Malaj, do të realizojë kompleksin turistik “Arte Marea 1” në tokat e fshatit Zvërnec, ndërsa kompania “Turi M.Z.P”, me pronar biznesmenin Artur Haxhi, synon të ndërtojë një hotel. Leje me kusht ka marrë edhe kompania “Concord Investment” në pronësi të vëllezërve Dulaku, e cila do të ndërtojë një kompleks turistik pranë TEC-it të Vlorës.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit, e cila shërben si sekretariat i KKTU-së, ka refuzuar në vijimësi të vërë në dispozicion informacionin e plotë mbi planet në zonë, përpos të dhënave mbi parcelat dhe pronësinë e tyre, si dhe një vendim për VNM paraprake për projektin e “Green Investment”.

Ajo që dihet është se këto vendime për leje zhvillimi “nuk janë zbardhur ende”, pasi zhvilluesit nuk kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor.

“Është marrë leje zhvillimi me kusht, por nuk është zbardhur dhe tani nuk e di ku ka ngecur,” i tha BIRN-it në telefon Artur Haxhi, aksioneri i vetëm i “Turi M.Z.P”. “Nuk ka ecur si procedurë,” shtoi ai.

Haxhi është një biznesmen i njohur kryesisht për një proces penal, ku ai u akuzua së bashku me ish-kryebashkiakun Shpëtim Gjika lidhur me ndërtimin e një pallati 11-katësh. Haxhi u dënua në Apel, por vendimi është rikthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë.

Projekti i kompanisë së tij quhet “SALTERRA 2” dhe dokumentet tregojnë se KKTU ka miratuar me kusht një “kompleks turistik me program hotelerie dhe shërbimesh”. Sipërfaqja e mbuluar nga gjurma e strukturës pritet të jetë 4,250 metra katrorë.

I pyetur nga BIRN, Artur Haxhi theksoi se projekti është ende në pritje dhe se nuk kishte konfirmim mbi përmasat e godinës.

“Është aplikuar për 11 kate, por nuk jam i sigurt sa është miratuar, 7 apo 6 apo 5+1. Po presim të vijojë,” tha ai, ndërsa këmbënguli se investimi do ta mbrojë natyrën.

“Patjetër, nëse leja miratohet, do të vazhdojë. Kjo është arsyeja pse e kam blerë pronën,” shtoi Haxhi, i cili pretendoi se zhvillimi nuk e prek mjedisin. “Është jashtë pyllit dhe unë nuk do të isha dakord që të pritej pylli për ndërtim,” përfundoi ai.

Projekti i dytë për nga madhësia është “Arte Marea 1” i kompanisë “Green Investment”. Planet 3D të publikuara në një faqe interneti tregojnë një fshat turistik me vila dhe ndërtime masive buzë detit.

Ai shtrihet në një pronë që, sipas banorëve të zonës, ka qenë tokë bujqësore, edhe pse aktualisht aty nuk ka të mbjella. Aksioneri kryesor i kompanisë është Kreshnik Malaj, djali i ish-deputetit të Vlorës, Mezan Malaj.

Sipas Vendimit Paraprak për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, “Arte Marea 1” shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme trualli prej 49,985 metrash katrorë, nga të cilat 8,424 metra katrorë do të zihen nga strukturat. Projekti parashikon objekte nga një deri në tre kate mbi tokë dhe një kat nëntokë.

Dokumenti mjedisor i AKM-së konfirmon se sipërfaqja e këtij projekti ndodhet në zonën e mbrojtur dhe se zhvillimi aty u mundësua pikërisht nga ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, duke referuar nenin 20, në të cilin u shtua turizmi si aktivitet i lejuar dhe iu la në dorë KKTU-së “shqyrtimi i kërkesave specifike për leje zhvillimi/ndërtimi, me rregullore të posaçme”.

Aksioneri Kreshnik Malaj dhe kompania nuk ishin të arritshëm për koment.

Projekti më i madh në këtë grup lejesh zhvillimi, të dhëna një vit më parë, është ai i kompanisë “Concord Investment” sh.p.k. Ai shtrihet në një rrip pylli prej rreth 13.6 hektarësh në zonën e njohur si Pylli i Sodës, menjëherë pas TEC-it të Vlorës.

Përfaqësuesi i “Concord”, Artan Dulaku, e mbron këtë investim duke argumentuar se statusi i zonës së mbrojtur aty pranë është absurd përballë degradimit industrial nga TEC-i i Vlorës.

“Zona e mbrojtur është një spekulim gjigant që po i bëhet fjalës,” deklaroi Dulaku për BIRN.

“Kur aty është një ambient pocaqi, s’ka asnjë lloj vlere, nuk ka asnjë lloj bimësie, nuk ka asnjë lloj gjëje, përse është zonë e mbrojtur?” tha ai, ndërsa pretendoi se protestuesit dhe media po i shkaktonin një dëm ekonomik të paparë Shqipërisë.

Hija e Artur Shehut mbi pronatKryeplaku i Zvërnecit, Kostaq Konomi, tregon tokën e kontestuar ku është projektuar resorti “Arte Marea 1”.

Kosta Konomi, kryeplaku i Zvërnecit, i njeh me emër banorët që kanë marrë në vitin 1991 AMTP për parcelat ku, sipas koordinatave dhe të dhënave të AZHT-së, planifikohen dy projekte zhvillimore turistike brenda zonës kadastrale 3951.

“Kjo këtu është e baxhanakut tim,” thotë Konomi, ndërsa tregon me dorë një parcelë toke të pazhvilluar në skajin jugperëndimor dhe jugor të fshatit Zvërnec, që nis pranë zonës së banuar dhe zbret drejt bregdetit. Ai shton edhe një listë me emra, atësi dhe mbiemra, ndërsa tregon me dorë parcelat në një zonë që banorët e fshatit e njohin si “10-hektarëshi”.

Emrat që përmend Konomi përputhen edhe me dokumentet gjyqësore, mbi bazën e të cilave Gjykata e Vlorës u dha të drejtë atyre në vitin 2013, duke rrëzuar gjashtë vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të viteve 2006-2009.

Në total, këto vendime, ku përfshihet edhe zona e njohur si “10-hektarëshi”, i njohën familjes Shehu – trashëgimtarëve të Seit Shehut nga Kanina – rreth 4 milionë metra katrorë në zonën e Zvërnecit dhe i kompensuan fizikisht po aty me 3.4 milionë metra katrorë tokë.

Gjykata e Vlorës gjeti se vendimet për kthim prone për familjen Shehu mbivendoseshin mbi tokat e ndara në vitin 1991 përmes ligjit 7501. Vendimi, megjithatë, nuk është përfundimtar dhe një vit më parë çështja u rikthye për rigjykim.

Ndërkohë, edhe pse në dokumentet gjyqësore flitet për trashëgimtarët e Seit Shehut, për kryeplakun Konomi dhe për banorë të tjerë të Zvërnecit me të cilët BIRN ka folur, personi kyç pas konfliktit për tokën është Artur Shehu dhe disa persona të lidhur me të, përfshirë juristë dhe të afërm të tij.

Biznesmeni shqiptar, i cili jeton në Florida që prej fundit të viteve ’90, është tashmë nën hetim nga SPAK për pastrim parash lidhur me një transaksion me vlerë 128 milionë euro nga shitja e tokave në Zvërnec te kompania “Albanian Land Development”, e cila lidhet me projektin e resortit të prezantuar nga Kushner dhe Ivanka Trump në këtë zonë.

Ndaj Shehut në Shqipëri është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas banorëve të Zvërnecit, toka e njohur si zona e “10-hektarëshit” kishte qenë më parë dunë rëre, e kthyer në tokë bujqësore në vitet ’60-’70, dhe mbi të sot janë dhënë lejet e zhvillimit për kompanitë “Green Investment” dhe “Turi M.Z.P”.

Banorët thonë se ish-deputeti Mezan Malaj u kërkoi atyre t’ia linin atij në dorë problemet e pronësisë, në mënyrë që të fitonin përballjen me familjen Shehu. Një propozim që Konomi thotë se u refuzua nga banorët.

I kontaktuar në telefon nga BIRN lidhur me këtë investim dhe akuzat e ngritura nga kryeplaku për negociata me banorët, ish-deputeti Mezan Malaj u distancua. “Nuk ka lidhje me mua,” deklaroi ai shkurt, duke refuzuar të përgjigjej më tej. Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, i cili sipas banorëve ishte po ashtu në takim, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Të njëjtën origjinë dhe të njëjtin konflikt duket se ka edhe toka ku ndodhet projekti “Salterra” i “Turi M.Z.P”. Kryeplaku Konomi i tha BIRN se ai është pronar, bazuar në ligjin 7501, i një prej parcelave kufitare me ato ku ndodhet projekti dhe se parcelat e tjera u janë ndarë fqinjëve të tij. I pyetur në telefon, Artur Haxhi mohoi se e kishte blerë pronën nga Shehu. Megjithatë, BIRN mësoi se prona i ishte shitur atij nga një prej personave të lidhur me Shehun.

Edhe në jug, aty ku “Concord Investment” ka marrë leje mjedisore, prona rezulton të ketë ‘origjinë’ nga familja Shehu. Një prej pronarëve të lokaleve buzë detit pranoi për BIRN se e kishte blerë pronën nga Shehu dhe tha se edhe prona fqinje, ku pritet të ndërtohet resorti, ishte shitur prej këtij të fundit. Një version të ngjashëm dha edhe zotëruesi i lokalit fqinj, i cili pranoi përfshirjen e Shehut në pronat e zonës.

“Kjo është një turli, o shoku, një gjellë që s’e ha kush,” tha ai, duke përdorur një metaforë popullore. “Politika i ka bërë këto, gjithë këto toka politika ia ka dhënë [Shehut],” shtoi ai.

Artan Dulaku, nga ana tjetër, këmbënguli se prona ku ai planifikonte zhvillimin e resortit kishte certifikata të rregullta pronësie, ndërsa shtoi se nuk e dinte nëse Shehu kishte qenë pronari fillestar i saj.

“Nuk e dimë, se s’mund t’i kontrollojmë… Ne s’kemi as tagrin, as fuqinë, as kohën, as ato që të kontrollojmë se sa breza para shfaqet ai, nëse shfaqet,” tha sipërmarrësi i njohur i ndërtimit, njëkohësisht aksioner i televizionit kombëtar “Vizion Plus”.

“Di të them që ata që janë tani janë qytetarë të Vlorës, Tiranës dhe Kosovës, qytetarë që i kanë blerë tokat atje,” shtoi ai. “Kanë certifikatat dhe ne kemi të gjitha kontratat me ta,” theksoi Dulaku.

Kutia e Pandorës për bregdetinZona pranë TEC-it të Vlorës, ku kompania Concord Investment planifikon ndërtimin e një resorti turistik.

Edhe nëse konfliktet e pronësisë do të zgjidheshin nesër, mbetet një pyetje më e madhe: çfarë do të mbetet nga statusi i mbrojtur i Pishë Poro-Nartës nëse këto projekte marrin formë.

Përtej argumenteve të zhvilluesve, ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se procedurat e ndjekura për lejet e zhvillimit në Zvërnec po anashkalojnë detyrimet për mbrojtjen e ekosistemeve dhe po hapin Kutinë e Pandorës për të gjithë bregdetin.

Për Olsi Nikën nga EcoAlbania, ndërhyrjet masive lidhen me një qëllim më të gjerë, të nisur nga projekti i Jared Kushner.

“Kushneri është elefanti që përdoret për të hapur derën, është çelësi për të gjitha këto projektet e tjera,” shprehet ai.

“Aty, në të gjithë bregdetin, janë dhënë leje dhe ka plane… Po u hap ajo derë, zonat do të disintegrohen të gjitha, do të bëhen zona urbane. Ndoshta jo si Golemi, ndoshta më të strukturuara, por intensiteti i ndërtimit do të jetë i njëjtë.”

Ky vizion i një “qyteti të ri”, që rrezikon një zonë kandidate për rrjetin “Emerald” dhe një hap larg “Natura 2000”, mbështetet edhe nga Zydjon Vorpsi, ekspert i organizatës mjedisore PPNEA. Sipas tij, planet e miratuara zhbëjnë thelbin e zonës së mbrojtur, duke cenuar gjitarët, shpendët dhe hidrodinamikën unike të deltës së Vjosës.

“Nuk ka më diskutim për cenim të zonës së mbrojtur dhe statusit të saj. Vlerat e saj zhduken,” thekson Vorpsi.

“Nëse tek këta faktorë ndërhyhet dhe shtrojmë asfalt, gërmojmë për kanalizime dhe themele betoni, ndriçojmë gjithë zonën, atëherë statusi i mbrojtur nuk vlen më të jetë në letër.”

Të dy ekspertët kritikojnë përdorimin nga institucionet të Vlerësimeve Paraprake të Ndikimit në Mjedis, duke e parë këtë si një mënyrë për të shmangur studimet e thelluara që kërkon një ekosistem i tillë.

Për Nikën, qeverisë i mungon krejtësisht mekanizmi i “Vlerësimit të Duhur Mjedisor” (Appropriate Assessment) që kërkon BE-ja. Ndërsa për Vorpsin, miratimet e shpejta janë tregues i dorëzimit të institucioneve.

“Nëse do të flisnim për një projekt me interes të lartë publik dhe jo për një investim imobiliar privat, atëherë ai duhej t’i nënshtrohej patjetër një VNM-je të thelluar,” tha ai. “Duket sikur i janë nënshtruar dëshirës së kryeministrit për ta transformuar komplet zonën,” përfundoi Vorpsi./ BIRN

Vlora Hyseni kërkon heqjen e “arrestit në shtëpi”, ankimon masën në Apelin e Posaçëm

0

Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka ankimuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, duke iu drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Kërkesa kundër masës së sigurisë është depozituar sot nga avokati i Hysenit.

Hyseni kërkon në këtë mënyrë ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur ndaj saj nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Ish-drejtoresha e SHISH është nën hetim nga SPAK për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Partia Demokratike kallëzon në SPAK ministren e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu

0

Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK, ministren e re të Shëndetësisë Klodiana Spahiu, për plagjiaturë me temën e diplomës.

PD kallëzon ministren duke e akuzuar për plagjiaturë të plotë, pa hequr madje as presjet dhe qëllimin.

Në një deklaratë për mediat nga Prokuroria e Posaçme ku dhe depozitoi kallëzimin, Kalaja tha se në focus do të jenë ministrat dhe deputetët të cilët kanë marrë gradat e titujt shkencorë në mënyrë të pamerituar.

Po ashtu Kalaja, theksoi se edhe ndaj ish zëvendëskryeminsitres ka një kallëzim në SPAK, për falsifikim të diplomës së shkollës së lartë.

“Duhet të kthejnë pas paratë e marra nga titujt shkencorë, fokus do jenë edhe ministrat që kanë marrë tituj e grada shkencore. Dija arrihet me forcë dhe punë, jo duke kopjuar e vjedhur siç është rasti i ministers së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.

Jo vetëm që ka marërë plagjaturë temën, por s’e ka minimalin e ruajtjes së kopjimit. Jemi besimplotë se SPAK, do nisë me Spahiun dhe personat e tjerë.

Ne s’kemi marrë ende përgjigje se Balluku e ka diplomën e shkollës së lartë të falsifikuar. Ka pasur kallëzim, pastaj do merremi me Taulant Ballën e Ulsi Manjën, bashkë me grabitjen që i kanë bërë vendint, të na grabisin edhe dijen.  Ne vijmë me subjektin që është kompetencë e SPAK“, tha Kalaja.

Doli në përgjimet e Ergys Agasit, reagon për herë të parë Taulant Balla

0

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla foli me gazetarët pas takimeve me komisionin ndërparlamentar të BE-së, ku u pyet edhe për përgjimet e Ergys Agasit me Vlora Hysenin, ish-drejtoreshën e SHISH.

Balla u shpreh se nuk komenton asnjë dosje të drejtësisë, ndërsa sa i përket përmendjes së tij në përgjime shtoi se nuk flet për persona që kanë probleme me drejtësinë si Ergys Agasi.

Balla: Kam besim SPAK do hetojë edhe këtë dimension të rrjedhjeve të informacioneve që përbëjnë procesin e drejtë të pandikuar. Mesa di ka një vendim të gjykatës për ti shpallur gjithë ato dokumente sekrete. Mbështetja për SPAK, grupi i PS është i pakufizuar.

Në 13 vite në pushtet pas qindra emërime, mund të ketë me gisht edhe që kanë shkelur besimin. Le të përballen me drejtësinë. E para, standardi ynë është i njëjtë me standardin e Bundestag. Nuk hyjmë në meritën e dosjeve dhe çfarë kanë dosjet. Këtë gjë po ua them nuk ka qenë pjesë e diskutimeve. Edhe Sali Berisha bëri konferencë të posaçme për shtyp, më tha djali se nuk e ndjek. Nuk komentoj as Berishën as persona që kanë persona që kanë probleme me drejtësinë. Edhe Berisha edhe Agasi kanë probleme me drejtësinë. Nuk komentoj dosjet, drejtësia t’i shkojë në fund jo vetëm kësaj por edhe gjithë dosjeve.  

“Nëse Bela çon emrin…”, Belinda Balluku ministre edhe pas shkarkimit. Dëshmitë ekskluzive të drejtoreve për “shefen”

0

Fiks Fare hap sezonin me një investigim mbi pushtetin e Belinda Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë edhe pse është shkarkuar nga funksionet publike.

Në dokumente, ajo është shkarkuar. Në zyrë është vendosur një ministër tjetër. Por në institucionet që janë nën varësi të kësaj ministrie, drejtuesit flasin ndryshe.

Fiks Fare hyri në disa prej këtyre institucioneve, u prezantua si punëkërkuese dhe bisedoi drejtpërdrejt me titullarët. Dhe në këto biseda, emri i Belinda Ballukut del përsëri në qendër: si “shefe”, si person që mund të ndikojë në emërime, në punësime dhe në vendimmarrje.

Nëse një ministre shkarkohet zyrtarisht, por drejtuesit e institucioneve vazhdojnë ta trajtojnë si autoritetin që duhet dëgjuar, atëherë pyetja është e pashmangshme: A është Belinda Balluku ish-ministre vetëm në letra, ndërsa në praktikë vazhdon të ushtrojë pushtetin e ministres?

Fiks Fare solli dëshmi, biseda dhe përballje direkte me Belinda Ballukun.

“Nëse Bela e çon emrin…”

Investigimi nis në Autoritetin e Aviacionit Civil, ku gazetarja e Fiks Fare kontakton drejtorin Maksim Et’hemaj, duke shprehur interes për një vend pune në sektorin e medias. Gjatë bisedës, Et’hemaj flet për punonjësen aktuale të medias dhe e lidh atë me Belinda Ballukun.

Sipas tij, nëse ajo do të zëvendësohej dhe në vend të saj do të vinte një person tjetër, kjo do të ishte thjesht çështje emrash, duke lënë të kuptohet se një propozim nga Balluku do të merrej në konsideratë. Por pse do të kishte rëndësi sot një emër i propozuar nga një ish-ministre?

“Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja”

Fiksi shkon më tej, në Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial. Edhe këtu skenari është i njëjtë: kërkesë për punësim. Drejtori Sokol Zajmi shprehet: “Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja.” Më pas ai përdor edhe një tjetër shprehje: “Ushtarët zëvendësohen kollaj, po mbretëresha nuk zëvendësohet dot.” Por kush është “shefja” dhe kush është “mbretëresha”? Në kontekstin e bisedës së regjistruar nga Fiks Fare, referenca lidhet me Belinda Ballukun.

“Belinda Balluku e ka vënë Enea Karakaçin”

Investigimi vijon në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera. Gazetarja e Fiks Fare bisedon me drejtorin Rrapush Tola, sërish për mundësinë e punësimit. Gjatë bisedës, Tola pretendon se Belinda Balluku ka vendosur Enea Karakaçin në krye të ministrisë dhe se një sinjal prej saj mund të ndikonte edhe në mundësinë e punësimit të gazetares. Një deklaratë që ngre një tjetër pikëpyetje: Nëse ministri aktual është në detyrë, përse një drejtues institucioni e lidh ende autoritetin e tij me ish-ministren?

 Këshilltari i Ballukut ende në ministri 

Fiksi vijon investigimin brenda vetë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Gazetarët kontaktojnë Flor Serjanin, ish-këshilltarin e Belinda Ballukut, i cili vijon të mbajë detyrë në ministri. Gjatë telefonatës, ai konfirmon se është ende në detyrë, ndërsa thotë se merret edhe me PR-in e Belinda Ballukut. Më pas, në një takim të zhvilluar në ambientet e ministrisë, Serjani flet për drejtuesit e agjencive në varësi të MIE-së. Sipas tij, drejtuesit janë vendosur me ndërhyrjen apo sugjerimin e Belinda Ballukut. Ai përmend edhe drejtuesin e AKBN-së, duke thënë se Balluku e ka sugjeruar atë. Por dëshmia shkon edhe më tej. Serjani tregon se është takuar me Belinda Ballukun vetëm dy ditë përpara bisedës me gazetaren e Fiks Fare.

Drejtori i AKBN-së: “Do t’i çoj të fala”

Pas kësaj dëshmie, Fiks Fare kontakton Genci Tërpon, drejtorin e AKBN-së. Tërpo konfirmon se ka takuar Belinda Ballukun në fund të muajit gusht. Gjatë bisedës, ai pranon t’i përcjellë të fala dhe shprehet se do të shohë situatën për mundësinë e punësimit të gazetares. Edhe një tjetër drejtues institucioni, pra, e lidh vendimmarrjen me një person që zyrtarisht nuk e mban më postin e ministres.

 Përballja me Belinda Ballukun

Pas gjithë këtyre dëshmive, Fiks Fare shkon te personi që përmendet vazhdimisht në këto biseda: Belinda Balluku.

Gazetarja e takon teksa ajo ecën në zonën e Liqenit të Tiranës.

Balluku fillimisht reagon ndaj mënyrës së ndjekjes dhe më pas i drejtohet edhe operatorit të Fiks Fare. Por pyetjes kryesore, pse drejtuesit e institucioneve vazhdojnë ta konsiderojnë atë “shefe”, Balluku nuk i përgjigjet drejtpërdrejt.

Në vend të përgjigjes, ajo akuzon Fiks Fare për gjobëvënie dhe kritikon mënyrën e punës së gazetarëve. Teksa hyn në palestër, Balluku i drejtohet gazetares: “Mos u bëj gjobaxhie.”

Belinda Balluku është larguar nga posti me letra por dëshmitë e drejtuesve që Fiks Fare kontaktoi ngrenë një pyetje shumë më të madhe: A është larguar ajo vetëm nga karrigia e ministres, apo edhe nga pushteti që lidhet me atë karrige?

Sepse nëse drejtuesit aktualë të institucioneve vazhdojnë ta konsiderojnë “shefe”, nëse flasin për ndikimin e saj në emërime dhe punësime dhe nëse pranojnë se një sinjal prej saj mund të ndryshojë një vendim, atëherë kemi përballë një situatë që kërkon sqarim institucional.

A është Belinda Balluku ish-ministre vetëm në dokumente, ndërsa në praktikë vazhdon të ushtrojë funksione dhe ndikim si ministre? Dhe këtu lind edhe pyetja tjetër, tashmë për drejtësinë: Nëse këto dëshmi verifikohen dhe rezulton se një person i larguar zyrtarisht nga detyra vazhdon të ushtrojë funksione apo kompetenca shtetërore, a duhet SPAK të ndërmarrë hapat ligjorë që parashikon Kushtetuta, përfshirë edhe kërkimin pranë Kuvendit të autorizimit përkatës, nëse një autorizim i tillë kërkohet nga masa që synohet?

Sepse dokumentet mund të thonë se posti ka ndryshuar. Por dëshmitë e mbledhura nga Fiks Fare tregojnë që pushteti nuk ka ndryshuar./Top Channel 

Tentuan t’i merrnin 100 mijë euro Armand Dukes duke u prezantuar si Taulant Balla! Zbardhen dëshmitë kontradiktore të dy të rinjve

0

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me dy të rinjtë, të cilët tentuan t’i merrnin 100 mijë euro presidentit të FSHF-së, Armand Duka përmes mashtrimit, duke u prezantuar si Taulant Balla.

Gjatë marrjes në pyetje, O.Balla ka dhënë një version për mënyrën se si është përfshirë në këtë ngjarje.

Sipas deklarimit të tij, ai ka marrë një mesazh në Instagram, ku i është premtuar se do të fitonte 2 mijë euro dhe se për këtë duhej të kontaktonte një person përmes një numri telefoni.

Balla ka deklaruar gjithashtu se nuk e njihte më parë Edison Korrën, personin tjetër që u arrestuar për këtë ngjarje. Sipas tij, një person ka shkuar me makinë dhe i ka dhënë një numër telefoni, përmes të cilit më pas ka komunikuar me djalin e Armand Dukës.

Ndërkohë, E.Korra ka dhënë një tjetër version. Ai ka deklaruar se Balla e ka kontaktuar në një lokal dhe i ka propozuar që të merrte një porosi.

Nga grupi hetimor ka dyshime se autorët gënjejnë, pasi dëshmitë janë kontradiktore.

SPAK refuzon kërkesën e Veliajt për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

0

SPAK ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për të mundësuar praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e sotme, e planifikuar për orën 15:00.

Këshilli Bashkiak kishte kërkuar që Veliaj të lejohej të merrte pjesë fizikisht në mbledhje ose, në pamundësi të kësaj, të lidhej përmes videokonferencës. Kërkesa ishte dërguar pranë SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Sipas informacionit, refuzimi i SPAK është bërë në bazë të dispozitave të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, që përcakton të drejtat dhe trajtimin e personave që ndodhen në paraburgim, si dhe kompetencat e institucioneve përgjegjëse.

Këshilli Bashkiak kishte argumentuar se prania e kryetarit ishte e rëndësishme për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me administrimin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa në rendin e ditës së mbledhjes së sotme është përfshirë edhe diskutimi mbi projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.

Në kërkesën drejtuar institucioneve, Këshilli Bashkiak iu referua edhe vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se pjesëmarrja e kryetarit në mbledhjet e Këshillit lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale.

Veliaj ndodhet në paraburgim dhe vijon të jetë nën masën e arrestit në burg. Më 15 shtator, Gjykata e Lartë la në fuqi masën e sigurisë ndaj tij, pas rishqyrtimit të çështjes në zbatim të një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Reforma Territoriale, çfarë u diskutua te “Ligjet” në seancën e pasdites? Sako dhe Qosja me propozime të ndryshme

0

Debate dhe propozime të ndryshme janë diskutuar pasditen e djeshme në Komisionin e Ligjeve në kuadër të reformës Administrativo-Territoriale, ku përfaqësuesit e pushtetit vendor kanë paraqitur qëndrimet e tyre mbi organizimin e ardhshëm të njësive vendore.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, në cilësinë e përfaqësueses së Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë, prezantoi propozimet e kësaj shoqate, të miratuara nga Asambleja dhe të dorëzuara te dy bashkëkryetarët e reformës në muajin qershor.

Në qendër të propozimeve janë decentralizimi, rritja e kompetencave të bashkive, financimi i funksioneve të transferuara dhe një shpërndarje më e barabartë e investimeve në të gjithë territorin.

Sako theksoi se transferimi i çdo përgjegjësie të re te pushteti vendor duhet të shoqërohet me kompetenca të përcaktuara qartë, financim dhe kapacitete njerëzore.

“Gjatë takimeve që kemi pasur me kryetarët e bashkive, kemi vënë theksin te funksionet dhe financat si çështje shumë të rëndësishme për shërbimin fundor të qytetarëve, sepse atyre nuk u intereson se kush e jep shërbimin, por e rëndësishme është që shërbimi me standard të shkojë edhe te qytetari me vendbanimin shumë të largët”, tha Sako.

Ajo kërkoi gjithashtu që të përcaktohet me ligj mënyra se si funksionet dhe kompetencat mund të transferohen apo të rikthehen te pushteti vendor.

“Ne propozojmë që të ndalohet me instrument ligjor heqja e funksioneve dhe kompetencave të njësisë së qeverisjes vendore për çështje që shtrihen në territor nga qeveria qendrore. Duhet përcaktuar një metodologji e qartë e decentralizimit të një funksioni. Kompetencat e centralizuara të rishikohen dhe të kthehen te bashkia”, u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit.

Sipas Sakos, edhe ndryshimi i kompetencave duhet të shoqërohet me burime të përshtatshme.

“Çdo funksion i ri që transferohet te bashkitë duhet shoqëruar me kompetenca të qarta, financim, standarde dhe kapacitete njerëzore. Duhen miratuar standarde kombëtare dhe vendore në harmoni me BE-në për shërbimet publike, të garantohet cilësi dhe akses i barabartë në shërbime në zona urbane dhe rurale”, tha ajo.

Në vijim, Sako kërkoi më shumë kompetenca për njësitë administrative dhe një mekanizëm që do të garantonte shpërndarje më të balancuar të investimeve.

“Njësitë administrative duhet të kenë më shumë kompetenca, të ofrojnë më shumë shërbime. Investimet të shpërndahen në mënyrë proporcionale. Vendosja e një rregullatori për shpërndarjen e investimeve do të bënte të mundur mbulimin me investime të të gjithë territorit”, deklaroi Sako.

Në të njëjtën mbledhje, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, solli një tjetër qasje mbi hartën territoriale, duke mbështetur propozimin e opozitës për 100 bashki dhe 12 qarqe.

Qosja argumentoi se zgjerimi i territorit të bashkive nuk ka sjellë automatikisht përmirësim të shërbimeve dhe kërkoi që përpara miratimit të një harte të re të bëhet një vlerësim i reformës së vitit 2014.

“A-ja e gjithçkaje është ndarja territoriale dhe afërsia me qytetarin. Për kompetencat jam dakord, por afërsia me qytetarin është më e rëndësishme. Si përfaqësues i Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë që përfaqëson bashkitë e opozitës, dua të bëj të qartë që ne qëndrojmë për 100 bashki dhe 12 qarqe”, tha Qosja.

Kryebashkiaku i Kavajës e lidhi propozimin me përvojën e reformës së vitit 2014, duke kërkuar që efektet e saj të analizohen përpara se të merret një vendim i ri për ndarjen territoriale.

“Kjo është baza për një qeverisje vendore më pranë qytetarëve. Përvoja e viteve 2014 tregoi se bashkitë u bënë më të mëdha, por shërbimi jo. Ne kërkojmë vlerësim publik të reformës së kaluar para se të merret vendimi përfundimtar”, u shpreh ai.

Qosja propozoi gjithashtu një model territorial të diferencuar, ku numri i njësive vendore të përcaktohet në bazë të nevojave të komuniteteve.

“Ne propozojmë një model territorial të diferencuar, ku numri përcaktohet në bazë të nevojës. Duhet të rrisim numrin e bashkive dhe çdo kompetencë të shoqërohet me financim. Kërkojmë përfaqësim real të qytetarëve. Komunitetet e prekura duhen dëgjuar para ndryshimit të kufijve”, tha Qosja.

Diskutimi në Komisionin e Ligjeve riktheu në fokus dy prej çështjeve kryesore të reformës territoriale: organizimin dhe numrin e njësive vendore, si dhe mënyrën se si kompetencat, financat dhe shërbimet do të shpërndahen mes pushtetit qendror dhe atij vendor.

Ulsi Manja del nga Kuvendi, aktivistja i shkon pas: O hajdut!

0

Një përplasje është shënuar jashtë ambienteve të Kuvendit, ku një aktiviste i është drejtuar me tone të forta deputetit socialist Ulsi Manja.

Ngjarja është filmuar prej vetë aktivistja, e cila ka nxjerrë telefonin në momentin kur Manja po largohej nga godina e Parlamentit. Teksa deputeti kalonte në oborrin e Kuvendit, ajo i është afruar dhe i ka drejtuar thirrjen: “O hajdut!”.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale duket Manja teksa vijon të largohet nga ambientet e Kuvendit, ndërsa aktivistja vazhdon ta ndjekë me telefon duke regjistruar momentin.

https://www.instagram.com/reel/Dd1xpbQEVhY/?utm_source=ig_web_button_share_sheet

13 burra pas Vlora Hysenit

0
Screenshot

Emrin e ka të madh, bëmat gjithashtu. Tani e më pas ankthi mori fund. Kushdo që kishte frikën se në vendin tonë penetruan armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, në një vrimë të lënë nga ish-kryeagjentja e vendit Vlora Hyseni, duhet të jenë shumë më të qetë.

Presidentit të republikës i thanë që të thirrte mbledhjen e këshillit të sigurisë kombëtare dhe ai sigurisht që do e mblidhte.

Plot 13 burra dhe një grua, presidenti Begaj, kryeministri Rama, ministrat Nufi, Demo, Malaj, Karakaçi, Hoxha, Gogu, ministrja Ibrahimaj, kryeparlamentari Peleshi, kreu i komisionit të sigurisë Çuçi, gjeneral Kingji, kreu i komanduar i SHISH Lila dhe kryepolici Hita për një orë e gjysmë diskutuan situatën dhe thonë se nuk lanë asnjë pikë pa vendosur mbi i…

Shumë minuta thonë se mori diskutimi plot vlerë sesi armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm shfrytëzuan “dobësinë” e ish-kryeagjentes, drejtoreshës së SHISH Vlora Hyseni, për të futur në valle “agjent Gysin”, i cili punoi shumë për të shkuar shtrat më shtrat e institucion më institucion, të drejtuar nga burra e gra të ‘ndershme’.

Me “dosje sekrete” në duar mësohet se ministri Nufi ka folur për radarët, e sidomos për raketat (armë që thonë se e njeh mirë). Mendohet që të jetë konsultuar më parë me Roni Yeffet, ndërsa automjeti që ka mbërritur në takimin e sigurisë kombëtare thonë se ka kaluar për modifikime speciale nga uzina sekrete “Timak defence”. Atë automjet të Nufit radarët jo e jo, që se kapin, por as reketat nuk e zenë.

Vendodhjen e uzinës që e prodhon e kanë caktuar në Shkozë, por ka të dhëna se është një kamuflim, pasi uzina mjaft sekrete dyshohet të jetë në një tunel të nëndheshëm diku tjetër, që pak njerëz e dinë. Megjithatë, ende ka dyshime se në këto tunele ka hyrë dhe dalë agjenti “E.A”.

Në fund të mbledhjes edhe kreu që i thirri (pasi e thirrën që ta thërriste), la të kuptohet se makina që ai lëviz nuk i ofron efelementët e duhura të sigurisë, ndaj ministri që na mbron tha se do e shohë mundësinë që të porosisë për të gjthë të pranishmit aty automjete speciale.

“E di rrezikun që na prek të gjithëve, por ju siguroj se do flas me kryellamarinistin e uzinës që automjeteve që ju lëvizni tu vendosë një zgarë që të ngjajnë si automjete të punëtorëve të “dur-aluminit” dhe jo për lëvizjen e personaliteteve si ju”- mendohet se tha ministri, pasi u mendua disi gjatë.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare diskutoi diskutoi jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe të konflkikteve nëpër botë dhe si t’i shmangim ato nëpërmjet inteligjencës artificiale apo platformës “pasqyrë Albania”.

Diçka zbuloi kryeministri ynë në asamblenë e OKB-së ku salla ishte plot dhe doartrokitjet pas fjalimit të tij domethënës qenë aq të gjata sa jejona vijon ende. Megjithatë i mendueshëm ai nuk foli për IA-në, sepse u ndal në hallet tona. “Nuk do e harroj kurrë këtë numër, jemi 13 burra pas Vlora Hysenit.

Mendoj se kjo ngjarje na dha mësime të vlefshme për dhjetëjeçarin e ardhshëm”-mendohet se tha kreyeministri- duke i bërë shenjë presidentit që ta mbyllte takimin e vyer./boldnews.al