Ballina Blog Faqe 31

Ish-deputeti Ervin Salianji: Berisha ka frikë të dalë në shesh se e gjuajnë protestuesit me vezë

0

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, është shprehur se opozita e ka humbur sheshin e protestës.

Salianji, në një intervistë në Klan News tha se Berisha ka frikë si Rama, prandaj nuk del në shesh.

Sipas tij, Sali Berisha frikësohet se mos goditet me vezë nga ana e protestuesve.

Ervin Salianji: PD ka humbur sheshin e protestës. Kryetari i opozitës nuk del dot në shesh, si Rama edhe ky ka frikë se mos e gjuajnë me vezë. Rast unik në botë. Çfarë përfaqëson?

Pyeteni çfarë do të bëjë ky për të mundur Ramën.

Nëse ikën Berisha nga kryetari i opozitës, Edi Rama nuk zgjat me shumë se 2 muaj. Nëse ky qëndron, është garancia për Edi Ramën në pushtet.

Sali Berisha është pengesa që opozita të vijë në pushtet me gjithë këto skandale. Rama të gjithë bashkëpunëtorët i ka të korruptuar. Sali Berisha në vend që të dalë në shesh, aq sa të ketë… nuk i frymëzon. Për herë të parë në 35 vite PD ka humbur sheshin. Kjo është një opozitë impotente, s’ka as plan dhe as strategji. Berisha ishte mbyllur sot në Elbasan, në vend që të dalë në shesh, dhe bënte muhabet për vitin 1994.

Në kërkim nga SPAK, kush është ish-anëtari i bandës së Durrësit Indrit Dokle

0

Për herë të parë, SPAK lëshon urdhërarrest për ish-anëtarin e Bandës së Durrësit, Indrit Dokle, i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës. Me urdhër të SPAK u ushtruan kontrolle në disa ambiente në pronësi të Dokles, por ai nuk është gjetur. Për herë të parë emri i tij del në një dosje të SPAK si person i akuzuar për përfshirje në një grup që trafikonte drogë.

Deri më tani, emri i Dokles ishte shfaqur në dosjet e SPAK kryesisht si objektiv i planeve për eliminimin e tij. Në dosjen “Plumbi i Artë”, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka dëshmuar se Ervis Martinaj, i zhdukur prej gushtit 2022, i kishte ofruar 500 mijë euro për vrasjen e Dokles, nga të cilat pretendonte se kishte marrë 100 mijë euro parapagim.

Pas zhdukjes së Ervis Martinajt në gusht të vitit 2022, Dokle u mor në pyetje nga hetuesit. Familjarët e Martinajt kishin kërkuar të hetohej edhe pista e një hakmarrjeje të mundshme nga Dokle, nisur nga pretendimi i Dumanit se Martinaj kishte porositur vrasjen e tij.

Emri i Dokles doli edhe në një tjetër procedim të SPAK. Më 2 qershor 2026, GJKKO dënoi Elvin Merlikën dhe Alket Xhixhën për sigurimin e kushteve për vrasjen e tij, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Indrit Dokle ishte dënuar me burgim të përjetshëm për krimet e kryera kur ishte pjesë e Bandës së Durrësit, por në janar 2020 fitoi lirinë me vendim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha. Ajo i shuajti dënimin e përjetshëm duke e konvertuar në 25 vite burg dhe më pas e liroi me kusht, duke i kaluar 5 vitet e mbetura në shërbim prove. Dokle kishte qëndruar në qeli që prej vitit 2005. Prokuroria e Krujës e ankimoi vendimin, duke argumentuar se Dokle është një përsëritës krimesh dhe nuk plotësonte kushtet ligjore për lirimin me kusht, por kërkesa është ende në Apel dhe nuk është caktuar ende data për shqyrtimin e saj.

SPAK operacion në Shkodër dhe Tiranë/ Përfundon në pranga një 50-vjeçar, Indrit Dokle i shpëton policisë

0

Një 50-vjeçar është arrestuar në Shkodër gjatë një operacioni për goditjen e një grupi të dyshuar për trafik droge.

Në pranga ka rënë Bledar Cafi, 50 vjeç, i cili u arrestua në banesën e tij në orët e para të mëngjesit. Për të, Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzat që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe grupin e strukturuar kriminal.

Gjatë operacionit, policia ka kontrolluar edhe banesat dhe pronat që i përkasin Indrit Dokles, 43 vjeç, i cili është shpallur në kërkim që prej vitit 2024.

Por Dokle nuk është gjetur në banesë dhe ka mundur t’i shpëtojë arrestimit. Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Operacioni është zhvilluar në Shkodër nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe BKH-së, nën drejtimin e SPAK.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Muri i Lartë”. Operacioni nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK.

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Vijon puna për kapjen e një shtetasi tjetër, i cili gjatë operacionit nuk u gjet në banesë.

Strukturat operacionale dhe hetimore të Policisë së Shtetit, konkretisht Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe të vendimit të Gjykatës, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi, si dhe kryerjen e kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi tjetër, i shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit, në Shkodër u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit B. C., 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Kapja dhe arrestimi i tij u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 25.09.2026, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, u ushtrua kontroll në vendet që i përkasin shtetasit në kërkim E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, person në kërkim që prej vitit 2024, për të cilin GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë kontrolleve, ky shtetas nuk u gjet dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Shqipëria pret sot Bjellorusinë në “Air Albania”, ja rrugët që do të bllokohen

0

Policia e Shtetit ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45. Për shkak të fluksit të tifozëve, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa akse rrugore pranë stadiumit.

Rrugët që do të bllokohen janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit; Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së; Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së; Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së; 

Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje; Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së; Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, ku do të lejohet vetëm kalimi i mjeteve të autorizuara nga FSHF-ja; Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

Te sheshi “Willson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes. Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve. Policia njofton gjithashtu se tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme para hyrjes në stadium.

Në ambientet e stadiumit nuk do të lejohet futja e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve dhe sendeve të tjera të forta apo të rrezikshme.

Pas tre vitesh Shqipëria zyrtarisht me Ambasador të SHBA në Tiranë, Eric Wendt dorëzon sot kredencialet te Begaj

0

Këtë të shtunë, Wendt do të dorëzojë letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj në një ceremoni të planifikuar në orën 11:00. Pas ceremonisë, presidenti dhe ambasadori i ri amerikan do të zhvillojnë edhe një takim kokë më kokë.

Pas një periudhe gati trevjeçare pa ambasador të emëruar, Shtetet e Bashkuara rikthejnë përfaqësimin e plotë diplomatik në Shqipëri me nisjen e mandatit të Eric Wendt në Tiranë.

Ai pason Yuri Kim, e cila përfundoi misionin e saj në qershor të vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe, drejtimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë e ka mbajtur Nancy VanHorn në cilësinë e të ngarkuarës me punë.

Emërimi i Eric Wendt u propozua nga Presidenti Donald Trump, ndërsa më 6 gusht mori miratimin e Senatit amerikan. Ai mbërrin në Shqipëri me një karrierë të ndërtuar kryesisht në fushën ushtarake dhe të sigurisë, pas më shumë se 34 vitesh shërbim në ushtrinë amerikane. Pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në Forcat Speciale “Green Berets”, ndërsa ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s.

Gjatë dëgjesës së tij në Senat më 20 maj, Wendt prezantoi prioritetet që do të udhëheqin mandatin në Shqipëri. Ai veçoi luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si edhe forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe sigurinë kibernetike.

Në të njëjtën dëgjesë, ambasadori i ri shprehu mbështetjen për SPAK-un, duke vlerësuar bashkëpunimin e Strukturës së Posaçme me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Sipas tij, roli i SPAK mbetet thelbësor për aq kohë sa institucioni ruan pavarësinë dhe mbetet i paprekur nga ndikimet politike.

Kalendari i angazhimeve të tij në Tiranë përfshin edhe pritjen zyrtare të 2 tetorit, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të politikës shqiptare nga të gjitha krahët.

Vezët dhe sharjet “hajdutë”/ Zemërimi që po e ndjek pushtetin kudo në rrugë

0

Dhuna shtetërore me të cilën Edi Rama ruan pushtetin po e merr kundërpërgjigjen në rrugë nga qytetarë të zemëruar gjithnjë e më shumë me vjedhjet galopante të buxhetit, skandalet e korrupsionit dhe depërtimi i krimit në institucionet shtetërore. Ndërsa në protesta dhuna shtetërore deegradon tek përdorimi i shkopinjve të gomës, uji me presion, gazi lotsjellës dhe arrestimet e paligjshme, përballë ka vezë ndaj zyrtarëve, sharje dhe ndjekje në rrugë të deputetëve e ministrave me thirrjet “hajdutë” dhe “kriminelë”.

Revolta kaloi përtej rrugëve të Tiranës këtë javë. Thirrjet “familje mafioze” dhe “tradhtar”, Edi Rama i dëgjoi edhe në New York, ku ndodhet për aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama. Ndërsa po hynte në godinën ku zhvillohej një aktivitetet privat, Rama dhe Linda i shpëtuan për pak goditjes me vezë nga një grup shqiptarësh që jetojnë në SHBA.

Në filmim, duket që Rama vazhdon të ecë i patrazuar, por rojet e sigurisë reagojnë menjëherë kur një vezë fluturon pranë kokës së kryeministrit dhe bashkëshortes së tij.

Të dy nxitojnë të futen brenda, ndërsa pas tyre vazhdojnë thirrjet e protestuesve. Zemërimi që prej javësh po ndjek pushtetin në rrugët e Tiranës, këtë herë e ndoqi deri përtej Atlantikut.

Por në New York nuk u shpëtuan qytetarëve të indinjuar me qeverisjen as Taulant Balla dhe ambasadori shqiptar në SHBA, Ervin Bushati. “Nuk keni turp? Nuk keni turp, z. Bushati?”, dëgjohet të thotë një qytetar që i ndjek nga pas duke i filmuar me telefon. Balla vazhdon rrugën me shpejtësi, ndërsa qytetari i drejtohet: “Taulant, nuk ke turp? 15 mijë dollarë nata”, duke iu referuar pretendimeve të publikuara për koston e akomodimit të kryeministrit në New York.

Për Taulant Ballën nuk ishte hera e parë që protesta e ndiqte përtej dyerve të Kuvendit. Vetëm pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PS-së u detyrua të largohej nga lokali ku po pinte kafe pasi disa protestues e pikasën mes klientëve. Filmimi më lart tregon se revolta e qytetarëve po i ndjek përfaqësuesit e mazhorancës edhe në hapësirat e zakonshme publike.

Për disa deputetë socialistë, sidomos gjatë orëve kur zhvillohen protestat, dalja në rrugë është kthyer në një problem të sikletshëm. Në një prej rasteve më të shpërndara në rrjetet sociale, Belinda Balluku u përball me disa qytetarë të irrituar ndërsa dilte nga një bar-kafe pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Thirrjet “hajdute” dhe “kriminele” e shoqëruan deri te makina, ndërsa pamjet u shpërndanë menjëherë në rrjet.

E njëjta atmosferë është zhvendosur çdo javë përpara Kuvendit. Protestuesit kanë rrethuar godinën dhe automjetet e deputetëve të mazhorancës janë goditur vazhdimisht me vezë. Mes tyre kanë qenë makinat e Erion Braçes, Iva Gjuzit, Albana Koçiut etj.

Me shtimin e tensioneve u ashpërsua edhe ndërhyrja e policisë, por vezëve nuk u shpëtuan as uniformat blu.

Një prej drejtuesve të policisë që ra në sy për metodat e dhunshme përballë protestuesve, Ilir Hasrama u kthye në personazh të rrjeteve sociale pasi u godit drejt në fytyrë me një vezë. “Si e ke synin?”, u kthye më pas në thirrjen ironike që e ndiqte në tubimet e radhës, ndërsa në tubimet përballë parlamentit, ai ishte vazhdimisht shënjestër e tyre.

Në një situatë të sikletshme u gjend disa ditë më parë deputetja Zegjine Çaushi. Duke ecur në rrugë, ajo u përball me Arvina Lleshin, një prej protestueseve më aktive të tubimeve të fundit. Përplasja verbale vazhdoi për disa çaste dhe, e vënë në siklet nga insistimi i protestueses, që i përsëriste këngën e protestës “Zegjine Zegjine, 3 milion jemi ne/ ti nuk di të numërosh, shko në shkollë të mësosh”. Çaushi iu kthye me fjalët: “Nuk të vjen turp?” dhe “Sa të paguajnë?”.

Para Zegjinesë, përballjen me Arvina Lleshin e pati deputetja Iris Luarasi, këtë herë në korridoret e një qendre tregtare që përdoret edhe si rrugëkalim drejt zonës së Parlamentit. Luarasi paralajmëroi se do t’i drejtohej drejtësisë për vajzat që e ndoqën dhe e quajtën “hajdute”. “Shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj. Prandaj këtë rast do ta denoncoj dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë”, deklaroi deputetja e PS-së.

Edhe më parë, në një situatë të ngjashme ishte gjendur Tërmet Peçi. I rrethuar nga protestuesit dhe thirrjet e tyre, deputeti socialist zgjodhi një mënyrë të pazakontë për ta kaluar situatën: nxori dy telefonat e tij dhe i mbajti njëkohësisht pranë veshëve, duke vazhduar rrugën sikur të ishte duke zhvilluar dy biseda telefonike paralelisht me të njëjtin vesh.

Brutale ka qenë edhe përballja e Eduart Shalsit dhe Ervin Hoxhës me protestuesit. Në momentin që po dilnin nga parlamenti të shoqëruar nga badigardët e tyre, dy deputetët e PS ndërruan rrugë të gjendur nën breshërinë e vezëve dhe të sharjeve banale.

I fundit që e pësoi ishte ish-ministri Bledi Çuçi që gjendej në kafe me bashkëshorten e tij. E irrituar për thirrjet e protestuesve, Delina Fico duket që qëllon me ç’të mundet, lugë dhe shishe në drejtim të atyre që i emërtojnë “hajdutë”.

Irritimi ka shkuar edhe më tej. Protestuesit kanë sjellë përpara Kuvendit edhe kazanë mbeturinash, për të treguar se ku do të përfundonin politikanët që i akuzojnë për korrupsion. Kordonët e policisë, deri tani e kanë mbajtur përplasjen tek vezët, sharjet dhe thirrjet “nuk na përfaqësoni”.

Për shumëkënd, ndjekja e politikanëve në rrugë, goditja me vezë dhe poshtërimi publik janë metoda të papranueshme, që e zhvendosin protestën nga argumentat drejt linçimit personal. Por këto nuk lindën papritur. Për 13 vite të “rilindjes” në pushtet kanë ndodhur aferat më të paimagjinueshme të korrupsionit, është provuar katërcipërisht depërtimi i krimit në institucionet shtetërore, ndërsa metodat policore janë ashpërsuar ndaj qytetarëve që ngrenë zërin.

Prandaj zemërimi nuk po u drejtohet më godinave të pushtetit. Ai po i ndjek përfaqësuesit e qeverisë në kafene, në rrugë, në qendra tregtare dhe, siç treguan pamjet e fundit, edhe mijëra kilometra larg Tiranës, deri në New York./Lapsi.al

Këshilli Bashkiak fton Veliajn në mbledhjen e 29 shtatorit, kërkesë SPAK-ut dhe Burgjeve për pjesëmarrjen

0

Këshilli Bashkiak i Tiranës kërkon pjesëmarrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e 29 shtatorit, e parashikuar të zhvillohet në orën 15:00.

Për këtë qëllim, SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u është kërkuar të mundësojnë praninë e tij.  Në shkresë kërkohet që Veliajt t’i jepet leje e përkohshme për të marrë pjesë fizikisht në mbledhje ose, nëse kjo nuk është e mundur, të lidhet online përmes videokonferencës. Sipas kërkesës, pjesëmarrja e kryetarit lidhet edhe me shqyrtimin e çështjeve të administrimit të Tiranës dhe projektligjit për ndarjen administrativo-territoriale. Këshilli kërkon që institucionet të kthejnë përgjigje me shkrim për vendimmarrjen e tyre

“Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e martë, datë 29 shtator 2026, ora 15:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, për shqyrtimin, mes të tjerave, edhe të pikës 11 të rendit të ditës, ku detyrimi për t’u shprehur me një qëndrim zyrtar ndaj projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i takon si Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ashtu edhe Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Nisur nga sa është thënë më sipër dhe referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 66, datë 03.11.2025, por edhe duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:

•             lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,

Ose, nëse kjo nuk është e mundur,

•             mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).

Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.

Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak”, thuhet në kërkesë.

“Bleona është gjallë!”/ Gjyshi rrëfen misterin e zhdukjes: Dy gra të dyshimta me shami u panë në fshat…

0

Prej 16 vitesh, fati i Bleona Matës mbetet i pazbardhur. Vajza vetëm 6 vjeçe humbi gjurmët më 22 maj 2010 në Zapod të Kukësit, teksa ndodhej në zonën e kullotave së bashku me vajza të tjera të familjes. Që prej asaj dite, kërkimet dhe hetimet nuk kanë mundur të japin një përgjigje përfundimtare se çfarë ndodhi me të.

Rasti i Bleonës është rikthyer ndër vite në vëmendjen e opinionit publik, ndërsa dëshmi të ndryshme kanë hapur edhe pista të reja për zhdukjen e saj. Një prej tyre lidhet me një familje në Vlorë, pistë që është kundërshtuar nga familjarët e përmendur dhe për të cilën, deri më tani, nuk është bërë publike një provë përfundimtare që të zbardhë fatin e vajzës.

Në emisionin “Me Zemër të Hapur” të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, gjyshi i Bleona Matës, Zenel Mata, ka rrëfyer kujtimet e tij për ditën e zhdukjes. Ai tregon se atë ditë ndodhej duke kositur pranë shtëpisë dhe kishte parë Bleonën duke luajtur në mes të fshatit. Më pas, pas njoftimit se vajza nuk ishte më aty, banorët u mobilizuan dhe nisën kërkimet, të cilat vijuan për ditë të tëra në zonën përreth.

Gjatë intervistës, Zenel Mata mohon të ketë pasur konflikte apo hasmëri me fqinjët dhe kundërshton dyshimet që janë ngritur ndaj familjes së tij. Ai flet gjithashtu për dëshmitë lidhur me një makinë që dyshohet se është parë në zonë ditën e zhdukjes dhe shpreh dyshimet e tij për familjen në Vlorë. Këto janë pretendime dhe dyshime të shprehura prej tij gjatë intervistës dhe jo fakte të provuara. Pas 16 vitesh, gjyshi thotë se ende beson se Bleona është gjallë. Në fund të rrëfimit, ai i drejton një apel mbesës së tij, duke kërkuar që, nëse ajo është gjallë dhe e dëgjon një ditë këtë intervistë, t’i japë familjes një shenjë se ndodhet gjallë.

INTERVISTA
Anila Ahmataj:
Zoti Zenel, përshëndetje!

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Përshëndetje!

Anila Ahmataj: Si jeni? Si kaloni ju?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Mirë, mirë domethënë.

Anila Ahmataj: Ndjesë për shqetësimin. Zoti Zenel, unë të mora se doja të të pyesja pak lidhur me situatat e fundit, me dëshmitë që janë dhënë në ekranet televizive, lidhur me Bleona Matën…

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Ahë…

Anila Ahmataj: Dhe do donim që të dëgjonim dhe versionin tuaj, se shpeshherë familja juaj përmendet gjatë intervistave që nëna e saj jep nëpër media.

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po… Po… Po, çfarë ka?

Anila Ahmataj: Tani, çfarë mendimi keni ju lidhur me të gjitha ato deklarata të dhëna në studiot televizive ku ju automatikisht përfshiheni nëpërmjet dëshmisë së saj?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Nuk ka problem prej nesh. Inshallah gjendet! Të jep ndonjë lajm ndonjëri, po…

Anila Ahmataj: Ju besoni që do gjendet?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Patjetër që besojmë. Sepse nuk kena probleme ne me asnjë, po vazhdon vajza…

Anila Ahmataj: Po ju vetë, zoti Zenel, çfarë mbani mend nga data 22 maj?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë me mbajt mend? Gjithçka, dita e errët.

Anila Ahmataj: Pse?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Zi për ne ka qenë.

Anila Ahmataj: Çfarë kujtoni ju?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë me kujtu? Tani kanë kaluar shumë, shumë kohë kanë kaluar…

Anila Ahmataj: Po ku keni qenë atë ditë, mbani mend? Ku jeni ndodhur atë ditë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Mua atë ditë kam qenë duke kositur afër shtëpisë.

Anila Ahmataj: Çfarë ndodhi më tej?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): E shikoja vajzën duke luajtur këtu te mesi i fshatit…

Anila Ahmataj: Po…

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Edhe merr në telefon goca, thotë: “A ka ardhur Bleona”, thotë, “në shtëpi?” Edhe bëmë kontrollin nëpër fshat, i gjithë fshati u mobilizua, i gjithë, gati komuna, dolëm për ta kërkuar në mal.

Anila Ahmataj: Po…

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Edhe dy javë kemi kërkuar… edhe nuk gjetëm asgjë.

Anila Ahmataj: Bashkëshortja juaj ka dhënë dëshmi, ka parë një makinë atë ditë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Me sa më njoftuan paksa, ka kaluar një makinë e Vlorës me shpejtësi drejt për në Kukës. Kishin parë dy gra, ishin në makinë, po ishin të mbuluara, thotë, “me shami”.

Anila Ahmataj: Kush e thotë këtë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Ato që kishin punuar, ata punëtorët nëpër arat.

Anila Ahmataj: Po bashkëshortja, gruaja juaj?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Gruaja ka qenë edhe ajo në shtëpi. Ka parë një djalë, thotë, iku, thotë, pas vajzave si për mal, me flokë të gjata, i maskuar.

Anila Ahmataj: Po atë ditë, vajza juaj, halla e Bleonës, ka qenë me Bleonën?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Atë ditë ka qenë ajo, ka qenë me lopë sipër.

Anila Ahmataj: Veç pa Bleonën?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, Bleona ka qenë duke luajtur këtej në mes të fshatit.

Anila Ahmataj: Po ajo vetë, vajza juaj, halla e Bleonës, çfarë tregon për ngjarjen ose për atë ditë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë të tregojë… Erdhi Bleona, thotë, me ato vajzat e tjera, me Qamilen…Ishte duke ngrënë qershi, thotë, i dha bukë, thotë, me ngrënë. Në atë kohë, thotë, shikoj lopët, se kishin ikur larg. Edhe u nis, thotë, për të kthyer lopët. Kur u ktheva, nuk e gjeta Bleonën.

Anila Ahmataj: E kuptoj. Po ju vetë, zoti Zenel, keni pasur ndonjë konflikt të tipit hasmëri me fqinjët?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, jo, jo, jo, jo, jo, jo.

Anila Ahmataj: Me komshinjtë, me fqinjët?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, mo jo, nuk kena pasur. Nuk kena pasur fare.

Anila Ahmataj: Po asaj kohe, cilat kanë qenë mendimet tuaja lidhur me largimin e Bleonës? Çfarë keni menduar ju vetë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë të them unë tani? Është rrëmbyer ajo. E kanë marrë dikush…

Anila Ahmataj: Sepse në disa dëshmi të Bukuries thotë që ju keni pasur konflikte me fqinjët tuaj.

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, dëgjo! Po. Konflikte me ato ku, me ato ne jemi një fis gati.

Anila Ahmataj: Keni pasur ndonjëherë konflikt me ata?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, mo jo, nuk kena pasur konflikt! Përkundrazi, dasmë me marrë e me dhënë bashkë kena pasur gjithmonë.

Anila Ahmataj: Po djali juaj si i ka pasur marrëdhëniet me Bukurien?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Zamiri ka qenë gjithmonë në kurbet. Jo në Maqedoni, jo këtej. Kjo ka qenë në shtëpi. Çfarë të them unë tani? S’jam interesuar për ato problemet. Mirë kanë qenë, s’kanë qenë keq.

Anila Ahmataj: E kuptoj. Po vetë djali juaj është interesuar ndonjëherë për Bleonën?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, jo, jo, jo! Që kur ka humbur Bleona, ai nuk ka lidhje me të, as me një familje.

Anila Ahmataj: Pra nuk flet, nuk ka komunikim me djalin?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, jo!

Anila Ahmataj: Po pse ka ndodhur kjo ftohje?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po pikërisht kjo ishte i gjithë hesap. Iku vajza… iku e Bukurija…

Anila Ahmataj: E kuptoj. Po pse u ndanë, pse u divorcuan ata?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po ku e di unë tani, humbi vajza, Bukurija iku, u ndanë ata.

Anila Ahmataj: Po ju, marrëdhënia juaj me Bukurien si është?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Mirë ka qenë, mo mirë, unë s’kam ndonjë gjë kështu, ka qenë mirë. Unë bile, përkundrazi, me Bukurinë kam mbetur, kam shkuar atje për ta kërkuar, kudo.

Anila Ahmataj: Po, e di. Po me nipin ke komunikim?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Me nipin rrallëherë shkoj tani në Kukës. Kur shkoj në Kukës atëherë e takoj, po.

Anila Ahmataj: Po ai si e ka sjelljen ndaj jush?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po rrallëherë, mirë është, mirë e ka, po…

Anila Ahmataj: Çfarë dyshon, çfarë dyshoni ju, zoti Zenel, dhe çfarë mendoni për këtë gjë? Cila është, domethënë, mendimi juaj apo shpresa që keni juve?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Shpresa ime është që gjendet, do gjendet ajo Bleona.

Anila Ahmataj: Pra ju mendoni që është gjallë Bleona?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Gjallë do jetë, gjallë, duhet të jetë doemos. Dëgjon? Dyshoj gjithmonë, gjithmonë te kjo familja e Vlorës.

Anila Ahmataj: Pse?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Se ajo ka pasur dy goca, ka pasur ai. Goca e parë është martuar me një ushtar këtu. Edhe ajo, meqë s’paska pasur fëmijë, siç thuhet, ka ikur në Gjermani ku… kush e di ku… Duhet ta ketë marrë ajo.

Anila Ahmataj: Po pas gjithë kësaj zhurme që u bë me familjen e Vlorës, keni pasur ju ndonjë kontakt nga këta familjarë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, mo jo, se ata janë në Vlorë ata. Ata s’kanë lëvizur hiç këtej.

Anila Ahmataj: Ju kanë telefonuar ndonjëherë për t’ju pyetur që çfarë është kjo dëshmi, pse na akuzoni?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, jo, jo, jo, jo, jo, jo, jo! Ata s’kanë… asnjë lidhje ata. Akuza ka qenë vetëm se makina ka qenë e Vlorës edhe…

Anila Ahmataj: Po. Pra ju… ju po më thoni që dyshoni te kjo familje në Vlorë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Patjetër! Tjetër s’ka. Gjithmonë më shkon mendja te aty, te ai dëshmitari.

Anila Ahmataj: Po Bukurija pse ju akuzon në njëfarë forme drejtpërdrejt juve si familje?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po nuk e di unë tani? Mendimet e saja janë… Unë kam pasur lidhje shumë të mira me të, e kemi respektuar, na ka respektuar, ka qenë shumë e respektueshme.

Anila Ahmataj: Se sipas dëshmisë së saj, akuzat bien mbi ju, bashkëshorten tuaj, djalin tuaj…

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po tani çfarë të them unë? Ajo ka të drejtë tani, sepse ka humbur vajza. Vajza ime ka qenë atje, po kur është kthyer s’e ka gjetur fare Bleonën.

Anila Ahmataj: Po vajza juaj a ka pasur ndonjë komunikim me këtë familjen e Vlorës?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po kushërinj kemi qenë, bre! Ata vinin… s’ka pasur lidhje ajo, ka qenë e vogël, po… Ata vinin këtu, ne shkonim atje gjithmonë.

Anila Ahmataj: Qamilja ka bashkëpunuar?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, mo jo! Qamilja është e re. Është munduar me një akuzë koti tani.

Anila Ahmataj: E kuptoj. Ju kur keni folur për herë të fundit me nënën e Bleonës, me Bukurinë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po ku e di unë? Kam harruar tani… se më ka humbur edhe numri i saj.

Anila Ahmataj: Sa vite u bënë që s’flisni me njëri-tjetrin?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Ashtu. Ai ka bërë bllok a çfarë ka bërë, unë s’e kam numrin e saj tani…

Anila Ahmataj: Po me djalin tuaj pse nuk tentoni ta telefononi ndonjëherë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po nuk kam numër, bre! Ai s’më merr as në telefon, asgjë. As kam muhabet me të.

Anila Ahmataj: Po nëpërmjet nipit nuk ke tentuar ndonjëherë të lidhësh kontakt me Bukurinë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po nuk më del as ai në telefon.

Anila Ahmataj: Ke… ke kohë që nuk flet as me nipin?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Kam kohë, shumë kohë kam. Mund të jetë dy-tre vjet.

Anila Ahmataj: E kuptoj, paske shumë. Çfarë dëshiron ti t’i thuash djalit tënd, pra cili është mesazhi jot që përcjell për djalin tënd?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Për Zamirin a?

Anila Ahmataj: Po, për Zamirin.

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po në qoftë se dëgjon ai, po s’më merr mendja. Ai s’ka telefon.

Anila Ahmataj: Nëse të dëgjon… Nëse të dëgjon, çfarë do t’i thuash?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po të interesohet për ne!

Anila Ahmataj: Ai është martuar, ka ndërtuar një jetë? Sa fëmijë ka?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po, ka një vajzë.

Anila Ahmataj: Ka një vajzë.

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po.

Anila Ahmataj: Si e ka emrin vajza?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Anxhela.

Anila Ahmataj: Në rregull. Çfarë do t’i thuash Bukurisë nëse edhe ajo të dëgjon, se patjetër do ta dëgjojë këtë intervistë?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Në qoftë se më dëgjon, të më marrë në telefon se s’e kam numrin e saj, më ka humbur… Ashtu… edhe flasim, nuk ka problem. Unë e respektoj tamam si vajzën time edhe atë.

Anila Ahmataj: Po për Bleonën, mbesën tuaj, çfarë do thuash?

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë të thotë njeriu… jam shumë i mërzit për atë. Në qoftë se më dëgjon… me rrezik që s’më dëgjon, po po më dëgjoi, të njoftojë të paktën njërin nga familja… nga Bukurija ose nga këta, që “jam gjallë e jam këtu”.

Anila Ahmataj: Ju kuptoj. Të falënderoj shumë, zoti Zenel!

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Nuk ka problem, edhe unë ju falënderoj shumë për respektin edhe interesimin që keni!

Anila Ahmataj: Faleminderit! Gjithë të mirat!

Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Gjithë të mirat!

Ish-ministri Sandër Lleshaj thirrje politikës të marrë masa: Vendi ka pësuar dëme të pallogaritshme. Qytetarët nuk kanë kujt t’i besojnë më

0

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i bën thirrje klasës politike që të reagojë menjëherë dhe të marrë masa, për atë që ai e quan gjëmë me Shërbimin Informativ të Shtetit. Drejtuesja Vlora Hyseni është shkarkuar dhe ndodhet në masë arresti për nxjerrje të sekreteve.

Ai thotë se diskutimi publik për ish-drejtuesen e shërbimit tashmë nuk ka asnjë vlerë, përpos devijimit të diskutimit në detaje banale romantike, por tërmeti katastrofik i ndodhur duhet të shërbejë për të diskutuar rreth shërbimit dhe jo rreth drejtueses së pafat të tij.

“Vënia nën masë arresti e Drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit duket se i ka alarmuar të gjithë. Arrestimi është lajm i padëgjuar kurrë ndër ne e më përtej, ndërkohë që devijimet alarmate të këtij shërbimi nga ligji nuk kanë munguar përgjatë historisë tonë.

Është i mirëkuptueshëm dhe i ligjshëm zemërimi i qytetarëve të zakonshëm, që tashmë nuk dinë se kujt t’i besojnë më në këtë vend.

Por e papranueshme është maskarada e politikanëve dhe e deputetëve që nxitojnë të lajnë duart apo të përbetohen për ndershmëri, moral apo integritet, ndërkohë që kanë fjetur gjumë (në rastin më të mirë) për gati tri dekada rrënuese për vetë shërbimin informativ”, shkruan Sandër Lleshaj.

Ushtaraku dhe ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, thekson se ndërprerja e menjëhershme e dëmeve të pallogaritshme që shërbimi dhe vendi kanë pësuar nga kjo gjëmë, që ende po ndodh, si dhe marrja e masave për ndërtimin e një shërbimi të mirëfilltë inteligjent të bazuar në parime, përvoja dhe standarde demokratike dhe perëndimore, është sot një detyrë emergjente kombëtare.

“Drejtuesit politikë përgjegjës dhe deputetët, që aktrojnë sot plot hipokrizi për dramën, duhet të pyesin vetën dhe t’i përgjigjen popullit shqiptar për disa pyetje të rëndësishme:

1. A e dini se ligji në fuqi për Shërbimin Informativ të Shtetit është i bazuar në Dispozitat Kushtetuese të vitit 1991, pra jo në ndonjë kushtetutë, por dispozitat provizore që tepruan si rrënojë nga Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të vitit 1976?!

2. A e dini se cili parlament i ka miratuar këto dispozita?!

3. A ju vjen turp për këtë?!

4. Përse përmes mosveprimit tuaj keni lejuar që ky shërbim informativ, që në fakt duhej të ishte një shërbim inteligjent, të funksionojë në bazë të një ligji qesharak që është më i vjetër se sa vetë Kushtetuta e Shqipërisë?

5. Përse nuk kuptoni ende se, në këto rrethana, për gati tri dekada, praktikisht Shërbimi Informativ funksionon pa ligj?

6. Përse nuk kuptoni ende se një shërbim që funksionon “de facto” pa ligj është një kërcënim potencial serioz për liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe për rrjedhojë edhe për sigurinë e vendit.

7. Përse keni lejuar që Shërbimi Informativ të jetë struktura më e pakontrolluar në Shqipëri, ndërkohë që strukturat homologe nga vendet e NATO-s dhe vendet e tjera demokratike janë më të kontrolluarat ndër të gjitha institucionet e një shteti normal?”, shkruan Sandër Lleshaj.

Vodhi 69 mln lekë, lirohet nga burgu ish-drejtoresha e Postës Durrës, gjykata e lë në “arrest shtëpie”

0

Gjykata e Durrësit ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” me “arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës Elisabeta Mataj.

Mataj ndodhej në paraburgim prej muajit korrik, nën hetim për dyshimet mbi përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për pensionet në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.

Sipas informacionit për vendimin e ri, gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të hetimit kanë ndryshuar rrethat, duke zbutur masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Ndryshimi i masës nuk nënkupton pushimin e hetimeve dhe as shpalljen e pafajësisë së të hetuarës.

Përgjegjësia penale do të përcaktohet në përfundim të procesit gjyqësor.

Elisabeta Mataj është një nga tre zyrtaret e Postës së Durrësit të përfshira në hetim.

Në korrik, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u lanë që në fillim në “arrest në shtëpi”.

Hetimet për mungesën e rreth 69 milionë lekëve vijojnë.