Ballina Blog Faqe 34

Dua Lipa në mbështetje të protestave në Shqipëri: Shqetësuese që qeveria ndryshon ligjin për mjedisin pa konsultime publike

0

Përmes një promoje paralajmëruese në platformën e saj Service95 Book Club, këngëtarja Dua Lipa ka ftuar autoren e njohur shqiptare Lea Ypi për të diskutuar mbi librin e saj “Free” (Të Lirë).

Biseda e tyre ka prekur edhe protestat që po ndodhin aktualisht në Shqipëri.

Në promon e publikuar, Dua për protestat shprehet: “Nuk mund të flasim për historinë e Shqipërisë pa folur pak për Shqipërinë sot. Ajo që vërtet e gjej shqetësuese është parimi që qeveria mundet thjesht të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik.”

Kuvendi në seancë plenare, PD bojkoton punimet: Të plotësohen kërkesat e protestuesve

0

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të hënë, më 13 korrik, në orën 10:00, në seancë plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë projektrezolutash që lidhen me vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve kryesore të vendit për vitin 2025.

Ashtu si seancën e shkuar Partia Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë as në seancën plenare të nesërme të Kuvendit. Vendimi u është komunikuar deputetëve të grupit parlamentar përmes një njoftimi të brendshëm.

“Të nderuar kolegë! Ju njoftoj se nesër nuk do të marrim pjesë në seancën plenare, sipas vendimit të Grupit Parlamentar dhe qëndrimit të bërë tashmë publik”, thuhet në njoftimin drejtuar deputetëve të PD-së.

Kjo do të jetë seanca e dytë radhazi që demokratët bojkotojnë, pas asaj të javës së kaluar, ku gjithashtu nuk morën pjesë për shkak të qëndrimit të tyre se kërkesat e protestuesve nuk ishin marrë parasysh.

Qëndrimi i bërë publik nga Partia Demokratike është se kërkesat e protestuesve duhet të pranohen. Protestuesit vijojnë prej 43 ditësh tubimet në bulevard kundër qeverisë, por qëndrimet e tyre kanë përfshirë kritika edhe ndaj opozitës, duke kundërshtuar jo vetëm mazhorancën, por edhe mënyrën e përfaqësimit politik nga partitë opozitare.

Kompania e lidhur me vëllain e Erion Veliajt mori 4.3 mln euro për biletat e Kanye West

0

Paraditen e 7 Korrikut 2026, Ministria e Kulturës transferoi në mënyrë urgjente 400 milionë lekë (4.3 milionë euro) në llogaritë e kompanisë “Redcloud”, e angazhuar për organizimin e koncertit të reper-it amerikan, Kanye West.

Vetëm një ditë më parë, në 6 Korrik, Këshilli i Ministrave kishte miratuar një Akt Normativ me fuqinë e ligjit, me shpejtësi, për të kaluar shumën e paracaktuar për Fondin e Emergjencave në funksion të mbarëvajtjes së spektaklit të shumë-debatuar.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në një dalje publike se fondi qeveritar ishte planifikuar të shpenzohej për koncertin, me qëllim që “Shqipëria të mos turpërohej para turistëve të huaj”.

Më herët, në Prill 2026, kur Rama tregoi për herë të parë se Kanye West kishte planifikuar koncert në Shqipëri, në mes të korrikut, ai theksoi se qeveria nuk do të shpenzonte asnjë monedhë për aktivitetin.

Megjithatë, në 6 korrik, ai u shfaq në kantinerin ku po ngrihej skena për koncertin që do të zhvillohej pak ditë më pas, në 11 korrik, në shoqërinë e Ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja.

Kryeministri deklaroi për herë të parë se qeveria do të shpenzonte 400 milionë lekë, të cilat ishin të destinuara për blerje biletash. Vendimi kontrovers u ekzekutua menjëherë.

Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se pagesa është kryer nga Ministria e Turizmit në favor të “Redcloud”, një kompani e angazhuar prej vitesh në organizimin e eventeve.

“Redcloud” në dosjen e Veliaj

Kompania përfituese është krijuar në vitin 2011. Ajo zotërohet prej vitit 2021 nga Klodian Makashi.

Në pranverën e vitit 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi hetimet për kryetarin në detyrë të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në shkurt të vitit 2025, veprimet proceduriale shënuan një moment kulminant, me arrestimin e Veliajt. Ai tashmë është në gjykim për “korrupsion pasiv” të 9 raste, “fshehje pasurie” dhe “pastrim parash”.

Në një dosje të veçuar, prokurorët e SPAK-ut po kryejnë verifikime mbi rolin Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, në një skemë të dyshuar pastrimi parash.

Djali i vogël i familjes Veliaj zotëron prej vitesh kompaninë “Gogel”, e angazhuar në organizimin e eventeve kulturore e artistike. Prokurorët kanë krijuar një bazë të dhënash, nga ku rezulton se kompani të ndryshme private, të cilat kanë përfituar tendera nga Bashkia e Tiranës, njëkohësisht rezultojnë si kontraktore të “Gogel” të Arbër Veliaj.

Në 17 Prill 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të kryer kontroll në zyrat e shoqërisë “Gogel”.

Mes shumë dokumentave, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) rezulton se kanë sekuestruar edhe një kontratë të nënshkruar ndërmjet “Gogel” shpk të Arbër Veliajt dhe “Redcloud” të Klodian Makashit.

Në proces-verbalin e sekuestrimeve, BKH-ja ka shënuar: “Sekuestrim ‘Business Cooperation Agreement, date July 2024’, në gjuhën angleze, lidhur ndërmjet Gogel Shpk dhe RedCloud Shpk, fletë 4 (katër)”.

Arbër Veliaj e kundërshtoi vendimin për kontrollin e zyrës së tij. Por, Gjykata e Apelit të Posaçëm i rrëzoi pretendimet e tij në qershor të këtij viti, duke mbajtur të sekuestruara të gjithë dokumentacionin e marrë në zyrat e “Gogel”, përfshirë edhe kontratën me “Redcloud”.

Për momentin, nuk ka asnjë të dhënë publike që të dëshmojë se kompania e Klodian Makashit është pjesë e hetimit të Prokurorisë së Posaçme.

Nga të dhënat në portalin informativ “spending.data”, rezulton se kompania ‘Redcloud” ka përfituar rreth 37 milionë lekë të reja nga bashkia e Tiranës, nën drejtimin e kryetarit tashmë të arrestuar, Erion Veliaj. /Boldnews.al

Shqipëria, më shumë famë nga flamingot se nga një këngëtar urrejtjenxitës

0

Nga Arben Malaj

Fama globale? Nuk jemi në epokën e gurit. Ndoshta të mbretërve kryeministrorë, po. Jemi në periudhën e Inteligjencës Artificiale, ku në milionat e sekondës dhe me shume pak lekë mund të arrish çdo cep të botës dhe çdo individ të botës globale për mirë apo për keq.

Ti jeton në “Kopshtin e Edenit” si faraonët e mijëra shekujve më parë. Ti jeton në kullën e fildishtë të arrogancës dhe të urrejtjes ndaj popullit tënd. Jemi vendi i fundit në Evropë në testimin PISA. Pra, të fundit për cilësinë e arsimit. Jemi të parët për koston e lartë të pagesës nga xhepi të faturave shëndetësore, me rreth 65% të shumës së çmimeve të ilaçeve. Jemi të fundit për sigurimin e ujit të pijshëm në qytete dhe fshatra. Jemi të parët në pamundësinë e blerjes së shtëpisë së parë.

Sepse ti ndoqe modelin: Shqipëria sa më e shtrenjtë dhe shqiptarët më të varfër. Jemi të fundit në garantimin dhe gëzimin e pronës private. Jemi të parët të ndëshkuar nga drejtësia e mohuar. Jemi të fundit jo vetëm në Evropë, ku: (i) drejtësia vonohet deri në 21 vite dhe (ii) stoku dosjeve të pashqyrtuara janë rreth 200 mijë. Para pak ditëve rezultuam të parët ne Evrope ku të rinjtë dëshirojnë të braktisin vendin e tyre.

Përqindja ishte (i) tronditëse, (ii) shpirtërisht dërmuese, (iii) ekonomikisht vrastare për ekzistencën tone në të ardhmen, jo shumë të largët. Janë mbi 67% e të rinjve që duan ta braktisin vendin e tyre. Jemi në shekullin e 21, në shekullin ku fama nuk blihet, po fitohet. Më shumë “famë” Shqipëria ka marrë nga “flamingot” sesa nga një këngëtar; (i) 400 milionë dollarë pasuri (ii) bipolar, (iii) urrejtjenxitës dhe (Iv) kontravers.

Të cilin e braktisën kompanitë më të mëdha sponsorizuese si ‘Adidas’ për nxitjen e antisemitizmit dhe lartësimin e Hitlerit. Po pse nuk promovohet Shqipëria nëpërmjet Dua Lipës dhe talenteve të tjera me famë botërore nga trojet shqiptare? Ti nuk financove këngëtarin, ti financove organizatorët.

Babëzia jote për pushtet, deri kriminale, nuk ka kufi: (i) etik, (ii) moral, (iii) shoqëror, (iv) përgjegjësi buxhetore, (v) papërgjegjshmëri politike. Koha është gjykatësi më i madh! Kujdes nga mallkimi me shpirt i njerëzve të varfër të vendit tonë!

4 mln euro për koncertin e Kanye West, Bardhi: Do kallëzojmë në SPAK Ramën

0

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka bërë me dije se të hënën do të depozitojnë në SPAK një kallëzim penal kundër kryeministrit Edi Rama për financimin me 4 milionë eurove të koncertit të Kanye West.

Bardhi ka nxjerrë deklarat e Ramës kur dikur shprehej kundër disa eventeve publike me vlerë 1 milionë euro për festimet e 100 vjetorit të Pavarëisë, ndërkohë që tani jep 4 milionë euro për një koncert privat.

Bardhi thotë se kryeministri duhet të japë llogari për fondin e dhënë në shkelje të ligjit.

“Kur Edi Rama ishte në opozitë denonconte tre evente publike, të organizuara për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, me vlerë 1 milionë euro, duke i cilësuar si abuzim me ligjin dhe një opurtunitet korrupsioni. I njëjti Edi Rama, 14 vite më pas, miraton një fond 4.2 milionë euro për një koncert privat, pa asnjë procedurë, në shkelje flagrante të ligjit, me fondet që duhet të përdoren vetëm në rastet e fatkeqësive natyrore apo masave të jashtëzakonshme.

Me standardin që ka vendosur vetë ai, Edi Rama duhet të përgjigjet penalisht për abuzimin me 4.2 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë.

Prandaj, ditën e hënë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë kallëzim penal në Prokurorinë e Posacme (SPAK) kundër Edi Ramës dhe Blendi Gonxhja, të cilët duhet të japin llogari para ligjit dhe qytetarëve për abuzimin flagrant me paratë e shqiptarëve”, deklaron Bardhi.

Rama i jep 4 mln €, por Kanye West nuk e di ku bie Shqipëria!

0

Koncerti i reperit amerikan, Kanye West, i cili pritet të mbahet pasditen e kësaj të shtune në Tiranë, ka qënë kryefjala e mediave ditët e fundit. Kjo për faktin se Edi Rama ka hequr 4.2 milionë euro nga fondi i emergjencës për financimin e këtij koncerti.

Ndërkohë, një foto që po qarkullon së fundmi në rrjete sociale, ka ndezur edhe më shumë debatet.

Gazetarja Flora Xhemani Baba, ka ndarë në rrjetin e saj social Facebook një foto ku shihet se në faqen zyrtare të reperit amerikan, njoftohet koncerti që pritet të mbahet sot, por vendodhja e kryeqytetit tonë është vendosur në Turqi.

Ky detaj ka nxitur reagime të ashpra në rrjet, pasi Rama jep 4.2 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë, për një person që as nuk e di ku bie Shqipëria.

“Edi Rama po i jep 4.2 milion euro nga taksat tona por Kanye West nuk e di se ku bie Shqipëria! Në faqen e tij zyrtare nuk shënohet Albania por Tirana, Turqi! E morët vesh o njerëz? Ky boti as nuk e di se kush po ia jep lekët! Le t’ia tregojmë ne sot në shesh, se aty i kemi mediat e huaja!”, shkruan gazetarja krahas fotos.

Temperaturat e larta/Paralajmërim nga IGJEUM: Kujdes nga zjarret, ja 6 qarqet me rrezik të lartë

0

Sot pasdite dhe nesër pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera pritet nivel rreziku “I MODERUAR”, paralajmëron Instituti i Gjeoshkencave në Shqipëri.

N? disa qarqe pritet nivel rreziku lokalisht “I LARTË” konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Dibër (Perëndim) dhe qarku Vlorë (Veri-Perëndim). Rreziku më i lartë pritet ditën e sotme.

Përsa i përket parashikimit meteorologjik, sot pasdite nuk priten reshje, kurse nesër do të ketë reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë ndërsa në qarqet Lezhë, Tiranë dhe Elbasan priten reshje lokalisht të dobëta (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).

Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë në bregdet: 20 / 31°C, në vendet e ulëta: 17 / 35°C dhe në vendet malore: 14 / 30°C. Kurse era, sot pasdite dhe nesër pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.

Ish-ministrja gjermane e Mjedisit mbështet qytetarët në Shqipëri: Shumë mirë që protestoni

0

Steffi Lemke, ish-ministrja e Mjedisit në Gjermani dhe deputetja aktuale në Bundestag  ka shprehur mbështetjen e saj për protestat që po zhvillohen në Shqipëri për dorëheqjen e Ramës.

Steffi Lemke  shkroi se protestat kundër projekteve të diskutueshme të ndërtimit në Shqipëri vijojnë dhe se kjo është një gjë pozitive. Deputetja gjermane deklaroi se dëshiron të shprehë sërish solidaritetin e saj me aktivistët shqiptarë të mjedisit dhe natyrës, të cilët sipas saj po dalin në rrugë për të mbrojtur natyrën unike dhe vendin e tyre.

“Në Shqipëri protestat kundër projekteve të diskutueshme të ndërtimit vazhdojnë ende. Kjo është një gjë e mirë! Dua të shpreh edhe një herë solidaritetin tim me të gjithë mbrojtësit shqiptarë të mjedisit dhe natyrës, të cilët dalin në rrugë për të mbrojtur natyrën e tyre unike dhe atdheun e tyre”, shkruan deputetja.

Reagimi vjen në një kohë kur në Shqipëri vijojnë protestat e quajtura “Revolucioni Flamingo”, të nisura fillimisht kundër projekteve turistike në zonat e mbrojtura, veçanërisht në zonën e Vjosë-Nartës, por që më pas janë shtrirë edhe në kërkesa më të gjera politike dhe kundër korrupsionit.

Berisha: 4 milionë eurot për Kanye West janë dhënë në mënyrë antikushtetuese

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për përdorimin e fondit rezervë për financimin e koncertit të Kanye West në Tiranë. Gjatë një bashkëbisedimi online, Berisha e cilësoi vendimin për akordimin e 4 milionë eurove si antikushtetues dhe pretendoi se fondi i emergjencës është përdorur për një aktivitet privat.

“Në mënyrë të papritur, antikushtetuese, absolutisht antikushtetuese, Edi Rama merr nga fondi rezervë i qeverisë, krijimi i të cilit bazohet në nene të qarta të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe këtë fond që i është besuar për ta përdorur për emergjenca, urgjenca dhe raste tepër të veçanta, e ndan me Kanye West, një këngëtar i mirënjohur, vetëm e vetëm për lobingje të tij. Ky është një krim antikushtetues”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se paratë e rezervës së qeverisë nuk mund t’i jepen një koncerti privat dhe akuzoi kryeministrin Rama se nuk respekton ligjin dhe Kushtetutën.

“Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë. Vetëm ai që nuk ka asnjë interes të shtetit ligjor apo interes kombëtar. Ka vetëm interesa personale”, deklaroi Berisha.

Satira e Agron Gjekmarkajt: Këto ditë të trazuara kryeministri i ka kaluar duke bërë plane qysh të shpëtojë vatanin

0

Nga Agron Gjekmarkaj

Halle, halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngja! Qerrata i madh ky populli ynë, mendonte Festimi teksa zhytej në kanape!

Gjithë këto ditë të trazuara ai i ka kaluar duke bërë plane të holla qysh të shpëtojë vatanin nga rrëmuja e nga rremeti, si njeri i ardhur për punë të mëdha!

Ndonjëherë i vjen keq që ka lindur në Koplik, po ajo mërzi e braktis shpejt, se gjindja, duke i njohur bëmat, e di nga York-u, Vandeja apo Bavaria!

Ai edhe emrin e ka bërë me të drejtë, Le Festim de Gozhà, që të lirohet nga tisi i përzhitur i provincializmit! Gjithnjë ka menduar që Shqipëria ka nevojë për të, për mendjen e rafinuar qamet, për stilin dhe look-un prej dendi, për fjalën e parfumuar me dije të epërme!

Në zyrë herët shkon dhe kafeja hyn bashkë me të, ajo para, ai pas!

E pi atë të shkretë dhe sheh me gëzim lajmet, numëron gazetat e televizionet e huaja që flasin keq për Babon dhe zemra i bëhet mal! Ato shtohen çdo ditë!

E pat dhe ky që desh të më hiqte dhe më quante leshterik, se çoku më konsideronte budalla asokohe por gjeni i dola tani !

Shyqyr po vjen dita t’ia shpërblej edhe Ditmarit, që më mbajti në 2013, ta marr si zëvendëskryeministër, meqenëse vetë do bëhem Kryeministër në vjeshtë! Që në 1912 nja 28 vjet e kanë pasur gegët – na takon!

Ditët janë të gjata. Ambasadorët hyjnë një nga një. Shpesh e gjejnë Feston të përhumbur në ëndërrime! Asaj të frengut i hapi zemrën. I tha: “E kam pritur këtë ditë. Duhet ta marr këtë përgjegjësi. Ju me keni tuajin!

Ja, në samitin e Ankarasë Babon e lanë vetëm. Sa m’u dhimbs, se të gjithë thërrisnin: ‘Le Festim! Le Festim! Le Festim!’ Unë u bëja me shenjë që të ngjatetonin  atë, po hiç ata, si për inat, vazhdonin: ‘Le Festim’ këtu, ‘Le Festim’ atje!

Madje Erdogani ma bëri: ‘Mashallah, dukesh turk i vërtetë, veç një tanuz të mungon ! Me thënë të drejtën, aty buzëqesha, po nuk më erdhi mirë, se në origjinën e kemi nga Vandeja!”

Një dilemë e ka Festi : t’i lejojë që tani ta thërrasin z. Kryeministër, apo në vjeshtë, kur të kryesojë qeverinë tranzitore?

Gjatë pauzave, kur mbetet vetëm, mbyll sytë e bind veten: nuk duhet hezituar, duhet bërë kjo për Shqipërinë, meqenëse po ma kërkojnë të gjithë!

Lajmet që i sjell zonja e dashur nga Brukseli janë të mbara! Të gjithë po presin që Babua të lërë çelësat në dorë të tij dhe të bëhet def nga sytë!

Ja edhe “New York Times”, ja dhe “Le Monde” kanë bërë helaq Babon dhe i bëhet zemra mal! Bereqet bereqet psheretin.

Ndërkohë ka porositur një skulptor të bëjë monumentin e një flamingoje, që ta vërë në vend të kërpudhës te Kryeministria!

Paskëtaj hyn një tjetër ambasador: “Ah, aaah, mon chéri, Le Festim!”, i cili e këshillon të presë pak, mos t’i shfaqë kështu toptan ambiciet, se Babo të degdis ambasador në UNESCO se ënde vulos fermane.

Po ai e siguron që kjo punë ka marrë udhë, se nuk e ndal dot as Briseda Bakërri me Ardit Bidon as Kidi me Saren !

Orët janë të gjata, por mejtimet i bëjnë ato të dashura!

Festua mbyll sytë dhe imagjinon Taon me kapuç-turban, si kuzhinier në akçihanen e shërbimeve qeveritare, që grin sallam për të e pret feta të holla proshute, ku tinëz rras herë pas here ndonjë në gojë, se i thahet; e ka neps që nga fëmijëria në Librazhd!

Për Klosin e ka më të lartë e të ngjyrosur mendimin dhe e do me xhaketë të bardhë e papion, si kamerier, lepe-peqe t’i vijë me temena e tabaka, i duket natyrë e shtruar qe e mban me  qejf çdo samar !

Këto banalitetet e mediokritetet që çuan popullin në protestë, ç’janë këto si Karakaçer, Nufra, Lameqyqe, atë të bujqësisë e shëndetësisë se nuk më kujtohet emri, do t’i bëj sikter me një firmë!

Ndoshta Sofjan Lozonjarin dhe Ervin Demon i lë si përfaqësues të minorancave! Për Tezen nuk jam krejt i vendosur, tha me vete, se po jep shenja të mira!

Në festën e Ambasadës Amerikane në fillim i kishte ndenjur rëndë Ditmarit, i kishte thyer zemrën, po më pas i ishte afruar nga pas duke i thënë: “Mos e kthe kokën, bëj sikur nuk më sheh, po vazhdo, mbahu, jemi me ty, se Babua në shtator 4-5 nga ne do t’i dorëzojë vetë në hapsana; për dhjamë qeni do na shpjerë. Ndaj ky reflektim më ka bërë të mendoj! E ka thënë Termeja me gojë që ajo ia ka me hile Babos sa të vijë ditë e keqe!”

Shije të mirë i kishte lënë edhe Ulësia, i cili, sapo u hapën llafe që ndërkombëtarët po lobojnë që Festimi të bëhet Kryeministër, i kishte shkuar në zyrë, kinse për të biseduar për afrim ligjesh me BE-në, dhe aty i kishte shprehur admirim që një aristokrat si ti, i dlirur nga veset, i duhej atdheut për t’i vënë melhem mbi plagët që i kanë hapur këta!

Muzgu i vjen më melankolik. I del përpara Kostaqi me sytë e njomur, që duket sikur i thotë: “14 vjet rehat të Babos nuk bëhen hasha, more i paudhë, vinim nga xhehnemi  na çoi në xhenet  “ pastaj lotët si kristal të butë e të qashter  të Etildës, në të cilët duket sikur mbytet, trishtimi i Ogit si horizont i mbyllur , mjekrra e ndukur e Dilos e trazojnë!

Të qarat me dënesë të Evisit, Antonetës dhe ulërimat e Zeniqes e trembin pak!

Me këtë Mamicën nuk di ç’të bëjë. E sheh me xhelozi: ta mbajë afër apo ta largojë, ende s’e ka zgjidhur! Kush hyn në belara edhe me atë Nallbanë e Devollit se me gisht në çark mbeti dhe ay i ziu apo me Rutten që do të fuse botën në luftë nga ndezullia !

Gjithsesi, fati ndihmon guximtarët dhe Festimi e ka ndarë mendjen! Ditë të mira po vinë per Kroniken !