Ballina Blog Faqe 35

Masa ndaj Vlora Hysenit, Berisha: Hera e parë në histori që kreu i një shërbimi sekret vihet në funksion të krimit

0

Hera e parë në histori që një shefe e shërbimit sekret ishte në funksion të krimit. Kështu është shprehur kreu i selisë blu Sali Berisha, pasi GJKKO vendosi masën e sigurimit arrest në shtëpi për Vlora Hysenin.

Në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se ka tradhtuar detyrën e ligjin si edhe ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve.

“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky”, deklaroi Berisha, teksa riktheu në vëmendje edhe denoncimet për Vlora Hysenin që nga vitit 2022 kur vendos në krye të këtij institucioni.

Berisha solli në vëmndje vizitën e parë që ajo bëri në Beograd, të cilin e konsideroi një kërcënim serioz për NATO-n.

“Pas largimit të detyruar, gjoja për studime të ish-shefit të shërbimit, Helidon Bendo, në shërbim u dërgua këshilltari i tij, famëziu Kashani, i cili në aktin më të parë, i urdhëruar nga Rama, urdhëroi punonjësit të ndërpresin çdo bashkëpunim me shërbimet partnere. Rast unik. Koreja e Veriut mund ta kishte një urdhër të tillë. Por, ndërkohë famozja Hyseni ishte në atë kohë këshilltare e Edi Ramës për shërbimet inteligjente. Ky është denoncim në vitin 2022. Më 24 dhjetor 2022. Burime shumë të besueshme informojnë se sapo mori detyrën, Vlora Hyseni e shkarkuar nga qeveria e Kosovës sepse plaçkiti të dhënat e shërbimit dhe i dërgoi në adresë të armiqve të Kosovës, emërohet drejtoreshë dhe vizitën e parë, sipas burimeve direkt të kryeministrisë, e bëri në Beograd ku qëndroi mbi 10 ditë. E kam konsideruar në atë kohë një kërcënim serioz për NATO-n, pasi shërbimet inteligjente të NATO-s ndajnë informacione me shërbimet inteligjente të vendeve anëtare dhe natyrisht në duart e saj ato kanë shkuar në drejtim të padronëve të saj”, tha Berisha. 

Eurodeputetët “zbarkojnë” në Zvërnec, shoqërohen nga ligjvënës të maxhorancës e opozitës

0

Eurodeputetët, të ndodhur në Shqipëri në kuadër të takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, kanë “zbarkuar” këtë të martë në Zvërnec, ku do të ndërtohet projekti që nxiti protestat masive kundër qeverisë, të cilat nisën në fund të muajit maj.

Bëhet fjalë për 5 eurodeputetë, të cilët shoqërohen nga 14 ligjvënës shqiptarë, 7 nga maxhoranca dhe 7 nga opozita. Fredi Beleri tha për mediat se janë duke parë nga afër situatën në Zvërnec, ndërsa theksoi se nuk është kundër zhvillimit, por duhet të mbrohet mjedisi dhe biodiversiteti.

Mes tyre edhe eurodeputeti grek Fredi Beleri, i cili ka mbërritur i pari në Zvërnec, ku është shprehur se vizita synon të shohë nga afër situatën në zonë, me fokus te biodiversiteti dhe mbrojtja e mjedisit.

Beleri tha se është pro zhvillimit, por theksoi se investimet duhet të realizohen duke respektuar ligjet dhe rregullat e shtetit të së drejtës.

“Zhvillimi të jetë i qëndrueshëm dhe biodiversiteti dhe natyra të respektohen. Janë 5 eurodeputetë që kanë ardhur. Nga Shqipëria janë 14 deputetë”, tha Beleri.

I pyetur nëse është pro investimit në Zvërnec, eurodeputeti u përgjigj:

“Unë jam pro çdo investimi kur bëhet me ligje dhe norma të shtetit të së drejtës”.

Sa i përket mundësisë së një dëgjese publike me banorët e zonës, Beleri tha se, sipas informacionit që ka, një takim i tillë nuk pritet të zhvillohet.

Deputetët e tjerë pritet t’i bashkohen vizitës në vijim.

Deputetët shqiptarë dhe eurodeputetët janë pritur në Manastirin e Zvërnecit nga prifti i Kishës së Shën Mërisë, Atë Jan Tereziu.

Ai i ka shoqëruar në ambientet e kishës, duke u treguar për historinë dhe vjetërsinë e këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë

Gjatë vizitës, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka pyetur Atë Jan Tereziun edhe për investimet që parashikohen të ndërtohen në zonën e Zvërnecit.

Prifti është shprehur se ky është një vend i Zotit dhe se në këto ambiente nuk mund të bëhet politikë.

Në përfundim të vizitës, deputetët dhe eurodeputetët janë ndalur për të konsumuar një kafe në ambientet e Manastirit të Zvërnecit.

Parlamenti Europian pret që Shqipëria të ndryshojë ligjin për zonat e mbrojtura deri në fund të këtij viti në kuadër të zbatimit të rezolutës së këtij parlamenti dhe kërkesave që lidhen me negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Eurodeputetja Isabel Wiseler-Lima shprehu dje besimin se këto amendime do të jenë në axhendën e Kuvendit së shpejti si detyrim për përmbushjen e kërkesave të shtruara në një rezolutë të PE dhe standardeve të legjislacionit europian.

Në Kosovë u shkarkua nga Kurti/ Kush është Vlora Hyseni e SHISH që SPAK kërkon ‘arrest shtëpie’

0

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, (SPAK), sot ka pezulluar nga detyra dhe ka lëshuar masë sigurie “arrest shtëpie” për Vlora Hysenin, drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), në kuadër të hetimeve për dosjen AKSHI.

Ndërsa mësohet se masa e sigurisë nuk është ekzekutuar pasi Hyseni ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, siç raportojnë mediat, në një konferencë me 82 shefash shërbimesh informative nga mbarë bota.

Kush është Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni ka punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Në mesin e vitit 2021, ajo u shkarkua nga detyra nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme”, thuhej në deklaratë asaj kohe.

Rruga drejt SHISH

Më 17 mars të vitit 2023, Edi Rama njoftoi se i kishte propozuar Presidentit, Bajram Begajt emrin e Vlora Hysenit, ish-zëvendësdrejtuese e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për postin e drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Propozimi i Ramës u shoqërua me debate dhe kundërshti nga ana e opozitës, e cila i kërkonte në atë kohë Kreut të Shtetit që para dekretimit të merrte informacione të plota rreth saj dhe arsyet e shkarkimit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Pavarësisht kundërshtimeve, Presidenti Bajram Begaj e dekretoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it më 3 prill 2023, rreth dy javë pas propozimit të Ramës.
Ndërsa sot SPAK ka lëshuar masë sigurie ndaj Hysenit dhe ka kërkuar pezullimin nga detyra pasi dyshohet se i ka përcjellë informacione sekrete shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar më herët në kuadër të dosjes AKSHI.

Aksioni i SPAK shkakton debate në Komision, deputeti demokrat: Ka rënë shteti! Institucionet po arrestojnë njëri-tjetrin

0

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Institucioneve është përfshirë nga debata të nxehta politike pas zhvillimeve më të fundit me masën e sigurisë të nxjerrë nga SPAK për drejtuesen e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH). Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, dhe kryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, kanë përplasur qëndrimet e tyre mbi rënien e shtetit dhe përgjegjësinë politike të kryeministrit Edi Rama.

Deputeti demokrat Ivi Kaso e nisi fjalën e tij duke kërkuar ndryshimin e menjëhershëm të agjendës parlamentare, duke e cilësuar ngjarjen si një nga goditjet më të rënda për shtetin shqiptar në dekadat e fundit.

“Nuk besoj se kjo seancë e sotme e komisionit tonë, apo asnjë seancë e asnjë institucioni publik sot nuk mund të fillojë në mënyrë të zakonshme, pasi ka ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, besoj nga më të rëndat në këto 36 vite tranzicion dhe demokraci. Sot është vërtetuar dhe është certifikuar përfundimisht rënia e shtetit shqiptar,” deklaroi Kaso. 

Më tej, Kaso theksoi se situata ku institucionet e sigurisë përplasen me njëra-tjetrën tregon se sekretet më të larta shtetërore kanë rënë në duart e krimit të organizuar, për shkak të vendimeve politike të vetë kryeministrit.

“Sot ka ndodhur e padëgjuara, kur institucionet e shtetit fillojnë arrestojnë njëri-tjetrin në zyrë, kur drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit merret masë sigurie… Opozita e ka denoncuar emërimin e pakriter të kësaj zonje në krye të institucioneve të sigurisë së vendit, në një mënyrë të dyshimtë dhe për vullnet personal të kryeministrit, i cili sot duhet të mbajë dhe përgjegjësinë,” nënvizoi ai, duke kërkuar gjithashtu dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe zhvillimin e seancave dëgjimore emergjente. 

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për “rënie të shtetit”, duke mbrojtur vendimmarrjen e shumicës dhe duke e paraqitur veprimin e organit të akuzës si tregues të pjekurisë demokratike.

“Ju folët për institucion, por në fakt çdo institucion ka detyrën e vet dhe përgjegjësinë e vet. Nëse institucionet e drejtësisë penale kanë funksionin e tyre kushtetues dhe ligjor ndjekjen penale, ne këtu nuk kemi këtë gjë. Ne këtu kemi detyrën tonë si ligjvënës,” u përgjigj Xhafaj. 

Lidhur me pretendimet se institucionet po godasin njëra-tjetrën, Xhafaj u shpreh se veprimet e drejtësisë ndaj individëve të caktuar nuk duhet të enaçohen si goditje ndaj vetë institucioneve, por si funksionim i shtetit të së drejtës.

“Sa i përket çfarë bëjnë institucionet, që ju formuloni ‘institucionet arrestojnë njëri-tjetrin’, institucionet nuk arrestojnë. Arrestojnë individët. Kjo është shenjë e pjekurisë së demokracisë, shenjë e fortësimit të shtetit të së drejtës, shenjë dhe tregues i qartë i pjekurisë së institucioneve,” tha ai. 

Për të përforcuar qëndrimin e tij se funksionimi i hetimit ndaj zyrtarëve të lartë është një proces i natyrshëm, Xhafaj e krahasoi situatën me vendet partneres perëndimore:

“Ajo që po shohim sot është ajo që ndodh rëndom në botën normale, në vendet demokratike, në vendet ku vepron shteti i së drejtës. Këtë ne e shohim në vendin kampion të demokracisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të konsoliduar, për një shtet të së drejtës,” përfundoi Xhafaj, duke u shprehur gjithsesi i hapur për të diskutuar çdo çështje që hyn në sferën e përgjegjësisë parlamentare. 

Ulet çmimi i naftës dhe benzinës, ja vendimi i Bordit të Transparencës

0

Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë të karburanteve.

Nga sot, nafta do të shitet me pakicë deri në 213 lekë/litër, ndërsa me shumicë deri në 201 lekë/litër. Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është vendosur në 193 lekë/litër, ndërsa me shumicë në 181 lekë/litër.

Çmimet hynë në fuqi më 22 shtator, në orën 12:00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur mund të rishikohen.

Bordi ka paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve se moszbatimi i çmimeve të përcaktuara mund të sjellë pezullimin e aktivitetit.

Njoftim për Shtyp

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e dytë.

Kështu  Bordi i Transparencës në datë 22 Shtator 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se  201 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 193  lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se  181 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 22 ora   12.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg. 

Operacioni i SPAK, arrestohen dy ekspertë të kriminalistikës në Policinë e Shtetit

0

Fatjon Kalluci, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, është arrestuar në kuadër të operacionit të SPAK, të zhvilluar mëngjesin e së martës.

Në pranga ka rënë edhe Embro Sulejmani, pronar i një biznesi në Durrës.

Ndërkohë, kontrollet e autoriteteve vijojnë në zonën e Shkozetit në Durrës, si pjesë e të njëjtit operacion.

Ndërkohë, me kërkesë të SPAK dhe me vendim të GJKKO-së, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, si edhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës, për shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet të bëhen të ditura edhe detaje të tjera në lidhje me masat e sigurisë dhe personat e përfshirë.

Rama i ka ofruar post Klevis Balliut? Flet deputeti i PD: Është “çmendur” disa herë, por …

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, është pyetur nga gazetari Andrea Danglli në emisionin “Off the Record” në A2CNN se çfarë reformash do të ndërmerrte nëse do të ishte ai në krye të Ministrisë së Brendshme, nëse kryeministri Rama për një moment do t’ia ofronte këtë post.

Balliu tha se kryeministri ka ofruar shpesh poste, por e ka marrë përgjigjen. Ndonëse nuk sqaroi nëse ai vet ka marrë një ftesë për t’iu bashkuar kabinetit, Balliu shtoi se Rama shpesh i bën ofertat përmes miqve dhe biznesmenëve.

Pyetje-përgjigje

Andrea Danglli: Ju nëse do ishit ministër i Brendshëm…Nëse “çmendet” z.Rama politikisht, edhe thotë do marr z.Balliu ministër të Brendshëm, cilat janë reformat që do ndërmerrnit?

Klevis Balliu: Rama për atë pjesë, është “çmendur” disa herë për të ofruar poste, nuk kam punë me Ramën, sepse problem është ai. Ai është “çmendur” disa herë me oferta për poste dhe ka marrë atë përgjigje që ka marrë.

Andrea Danglli: Ju ka bërë edhe juve?

Klevis Balliu: S’ka lënë njeri ai pa u bërë oferta, nëpërmjet miqve të vet edhe biznesmenëve të vet. /A2 Televizion

GJKKO cakton masën e “Arrestit në shtëpi” dhe pezullon nga detyra shefen e SHISH, Vlora Hyseni

0

Me kërkesë të SPAK dhe me vendim të GJKKO-së, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës për shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Ende nuk dihet se për çfarë akuzash e ka marrë në hetim SPAK Hysenin, ndërkohë që është duke u kontrolluar edhe banesa e saj.

Kontrolle po ushtrohen edhe ndaj disa personave të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij vendimi të GJKKO-së.

SPAK urdhëron kontrolle te banesa e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda

0

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar kontrolle në lidhje me ish-kreun e Policisë së Shtetit, Ilir Proda. SPAK po zhvillon kontrolle në banesën e Prodës. Aksioni lidhet me një hetim ku ka dalë dhe emri i ish-kryepolicit dhe vendimi ka përcaktuar kontroll banese si dhe personal.

Proda është ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, i cili u shkarkua nga detyra më 1 mars 2026 pas protestave të opozitës. Ai mori drejtimin e Policisë së Shtetit më 2 tetor 2024, pasi ka shërbyer më parë si drejtor i Policisë së Elbasanit dhe në pozicione të tjera drejtuese në Tiranë e rrethe.

Taulant Balla kallëzoi Sali Berishën për shpifje, GJKKO pushon çështjen

0

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur pushimin e gjykimit të çështjes së ngritur nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për fyerje dhe shpifje.

NJOFTIM PËR MEDIAT 
1. Viktima akuzuese Taulant Balla më datë 16.04.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Deklarimin fajtor të të akuzuarit Sali Berisha për kryerjen e kundërvajtjeve penale të “Fyerjes” dhe “Shpifjes”, të kryera botërisht në dëm të viktimës akuzuese Taulant Balla, parashikuar nga nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Besmir Stroka, me vendimin nr. 67, datë 21.09.2026, vendosi:
1. Pushimin e gjykimit të çështjes Nr.Regj.111, datë regjistrimi 16.04.2026, me viktimë akuzuese Taulant Balla, i akuzuar Sali Berisha.
2. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të viktimës akuzuese. 3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi. Tiranë, më datë 21.09.2026 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar