Ballina Blog Faqe 36

Protestë masive e studentëve në Prishtinë kundër vendimit të Hagës

0

Një numër i lartë studentësh kanë dalë në protestë sot në sheshin kryesor të Prishtinës, për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës së Hagës, që dënoi ish-krerët e UÇK-së me 81 vite burg.

Studentët kërkojnë lirimin e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Studentët kanë thirrur në kor “UÇK, UÇK” dhe mbajnë edhe pankarta në duar në mbrojtje të luftës çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, i pranishëm në tubim tha se do të përkrahen protestat e studentëve. Theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.

“Ne mbështesim protestat e studentëve. Ne e përkrahim drejtësinë, ne përkrahim çlirimtarët. Kërkojmë drejtësi të barabartë, jo drejtësi që cenohet rëndë nga interesa të shteteve të ndryshme.

Lufta ka qenë e drejtë, UÇK luftoi për lirinë e Kosovës. Jo vetëm sot, por gjithmonë do e mbrojmë vendin”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Kjo protestë është iniciuar nga ana e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës.

Prej ditësh, në rrugët e Prishtinës po protestohet kundër vendimit të Gjykatës së Hagës, që dënoi me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së.

Kujtojmë se sot në 21 shtator, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Hamza, i shoqëruar nga deputetë të PDK-së, tha në një konferencë për media në objektin e Kuvendit se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai sqaroi se nisma nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ato janë krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, por ndryshimin e ligjit për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të tyre.

Ekzekutimi i Artan Myrtajt/ Ervin Demo urdhëron shkrirjen e zinxhirit komandues të policisë së Sarandës

0

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo ka urdhëruar shkrirjen e strukturave të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ngjarjeve të njëpasnjëshme kriminale që kanë tronditur qytetin bregdetar 14 muajt e fundit, veçanërisht pas Korrikut 2025.

Gjatë një takimi sot me drejtuesit e Policisë së Shtetit në 12 qarqet e vendit, ministri Demo ka kërkuar që i gjithë zinxhiri komandues në Sarandë të shkrihet dhe atë të vendoset një Task-Forcë e përkohshme, e cila do të hetojë sagën e ngjarjeve kriminale.

Ministri Ervin Demo është treguar i prerë dhe ka kërkuar kontroll të plotë të territorit nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, dhe në kushtet kur në Sarandë situata është jashtë kontrollit për shkak të përplasjes së grupeve kriminale, në ndihmë të Policisë do të jetë dhe Task-Forca.

Ajo do të përbëhet nga 10 persona dhe do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjeve kriminale që kanë përgjakur qytetin bregdetar dhe po vazhdojnë të shkaktojnë viktima, siç ishte rasti i djeshëm i Artan Myrtaj, i cili u ekzekutua në zemër të qytetit.

Sherri që po merr jetë në Sarandë

Origjina e kësaj sage hakmarrje dyshohet se është ngjarja e ndodhur pasditen e 17 Korrikut 2025 në qytetin e Sarandës, ku u plagosën me armë zjarri shtetasit Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza. Ata kishin zënë një sipërfaqe toke që pretendohet se u përket personave të tjerë.

Vëllezërit Ramadan Canaj alias Ramadan Zoto dhe Erjon Canaj kanë shkuar të sqaroheshin me dy të rinjtë nga Kamza, sepse pretendonin pronësinë e tokës që ishte marrë nga Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, për të ndërtuar beach bar.

Situata përshkallëzoi në përleshje fizike dhe më pas Ramadan Zoto qëlloi me armë zjarri duke plagosur Ernest Lamën dhe Gëzim Hajdaraj.

Të plagosurit u dërguan në spital, kurse dy vëllezërit u arratisën dhe Ramadan Zoto u prangos pas disa muajsh në Korçë. Vëllai i tij, Erjoni vazhdon ende të jetë në arrati. Ata u ndihmuan gjatë arratisjes nga shtetasit Klaus Jaçaj dhe Artan Myrtaj.

I riu Klaus Jaçaj u arrestua dhe pak muaj pas ngjarjes, i shpërthyen makinën me tritol. Autorët nuk u mjaftuan me kaq. Përmes një shpërthimi të telekomanduar, ata hodhën në erë edhe makinën e babait të Klausit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Isuf Jaçaj.

Saga e hakmarrjes vazhdon dhe më tej. Personi i dytë që ndihmoi vëllezërit Canaj t’i shpëtonin Policisë pas plagosjes së dy të rinjve nga Kamza, Artan Myrtaj, sapo ishte liruar nga qelia për përkrahje të autorëve të krimit, kur dje u ekzekutua në zemër të qytetit.

RENEA zbarkon në shtëpinë e Ervis Lamit

Ervis Lami dyshohet se është kreu i një grupi të fuqishëm kriminal në zonën e Kamzës, i cili ka fituar terren në zonën e Sarandës dhe është përfshirë në konflikt me disa grupe të tjera kriminale, për shkak të përplasjeve për kontrollin e territorit.

Dy të rinjtë që u plagosën një vit më parë në Sarandë janë të afërm dhe shokë të tij, ndaj sot Forcat Speciale RENEA kanë zbarkuar në shtëpinë e tij, por nuk kanë mundur ta gjejnë aty. Gjithashtu, nga kontrolli nuk janë gjetur as sende të paligjshme.

Ervis Lami është i skeduar nga autoritetet ligjzbatuese për disa ngjarje të rëndë kriminale, duke përfshirë vrasje, gjobëvënie, mbajtje të armëve luftarake, etj, ndërsa dyshimet e grupit hetimor janë dhe grupi i tij qëndron pas sagës kriminale të hakmarrjes që ka nisur në Sarandë.

Eurodeputetja Isabel Wiseler Lim kërkon heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut!

0

Në takimin e sotëm në Tiranë të takimit të 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, eurodeputetja Isabel Wiseler Lim, ka ngritur si shqetësimin mos heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Wiseler-Lima vlerësoi punën e SPAK-ut dhe theksoi se ky institucion gëzon një nivel të lartë besimi te qytetarët shqiptarë.

Megjithatë, ajo ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si garantohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe nëse reforma në drejtësi do të vijojë të jetë e pakthyeshme.

“Kur isha në maj këtu si vëzhguese e zgjedhjeve, ju ishit në fushatë, e tani ju shoh këtu si kolegë dhe mund të flasim si parlamentarë me njëri-tjetrin. SPAK-u është në fakt një nga institucionet të cilit shqiptarët i kanë më shumë besim dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi. Kjo është një nga format për të cilën është rënë dakord nga të dyja palët. Por megjithatë pavarësia nuk është se sigurohet menjëherë, pra kërkesat për imunitet për shembull vendosen këtu dhe çdo hetim dhe fillim i tyre do të vendosen këtu. Dhe ndërkohë anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit zgjidhen nga parlamenti. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, dhe pyetja është a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Unë besoj fort se përgjigjja është po”, tha ajo.

Bllokohet autostrada Tiranë-Durrës, ARRSH njofton oraret dhe devijimet e trafikut

0

Drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në autostradën Tiranë-Durrës duhet të tregojnë kujdes gjatë dy netëve të ardhshme, pasi do të ketë bllokime të përkohshme të qarkullimit në të dyja drejtimet.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se masat janë të nevojshme për shkak të punimeve për montimin e trarëve tërthorë, në kuadër të projektit për zgjerimin e superstradës, Faza III.

Në drejtimin Tiranë-Durrës, qarkullimi do të bllokohet sonte, më 21 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00.

Gjatë kësaj periudhe, trafiku do të devijohet nëpërmjet rampës së Rinasit dhe më pas do të vijojë në rrugën dytësore, për t’u rikthyer në superstradë përmes rrugës së Rinasit dhe rampës në drejtim të Durrësit.

Për mjetet e rënda, devijimi do të nisë që nga rrethrrotullimi i “Casa Italia”, me qëllim shmangien e dëmtimit të rampës provizore të Rinasit.

Në drejtimin Durrës-Tiranë, bllokimi i qarkullimit do të kryhet nesër, më 22 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00.

Trafiku do të devijohet përmes mbikalimit Kashar-Thumanë dhe më pas do të vijojë në rrugën dytësore, në krahun e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, ku automjetet do të rikthehen në autostradë në drejtim të Tiranës.

Ndërkohë, automjetet që kanë destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar-Thumanë.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin sinjalistikën dhe udhëzimet për devijimin e trafikut gjatë orareve të punimeve.

Vritet me armë 36-vjeçari shqiptar në Itali, Gjovalin Lazri emër i njohur për policinë

0

Një 36-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Gjovalin Lazri është vrarë gjatë natës në Baldissero d’Alba, në Itali. Mediat italiane shkruajnë se Lazri dyshohet se ishte pjesë e një grupi prej të paktën pesë personash që kishin shkuar në një kantier ndërtimi me qëllim vjedhjen e materialeve.

Grupi dyshohet se kishte hyrë në pronën e një 35-vjeçari, Roberto Mollo, ku ishin grumbulluar materiale ndërtimi, pajisje dhe mjete pune. Mollo, i cili ndodhej i vetëm në vendin e ngjarjes, thuhet se ka dëgjuar zhurma gjatë natës dhe ka marrë armën. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, ai ka qëlluar disa herë në drejtim të personave që ndodheshin jashtë.

Ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit dyshohet se janë larguar, Lazri është goditur nga të shtënat. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të urgjencës, 36-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.

Gjovalin Lazri ishte me origjinë nga Shqipëria, por prej vitesh jetonte në Torino, në periferi të qytetit, së bashku me partneren dhe fëmijën e tyre. Sipas avokates së familjes, Roberta Sisimbro, të afërmit e viktimës janë të tronditur nga ngjarja. Lazri kishte precedentë të mëparshëm për vepra penale kundër pasurisë, por avokatja e tij familjare ka deklaruar se ai po përpiqej të rikthehej në një jetë normale dhe punonte rregullisht. Ai administronte një lokal në Corso Taranto në Torino, ku jetonte me familjen.

A do të shkojë në Uashington në forumin e IDU? Ja si përgjigjet Berisha

0

Pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Sali Berisha dha një prononcim për gazetarët ku tregoi nëse do të shkojë në Uashington në forumin e IDU-së.

Pyetjes nëse do të udhëtojë sërish drejt SHBA-ve në forumin e IDU që do mbahet në datat 2 dhe 4 dhjetor, kreu i PD u përgjigj duke thënë “Për forumin, do ta marr vendimin më vonë, në parim po, por nuk është vendimi përfundimtar”.

Zoti Berisha, një pyetje ju lutem, a do udhëtoni sërish drejt Uashingtonit në forumin e IDU që do mbahet në datat 2 dhe 4 dhjetor?

Sali Berisha: Po, më falni, a do shkoj në dhjetor në Uashington? Po sikur të shkoj para dhjetorit?

Unë po pyes për forumin zoti Berisha?

Sali Berisha: Për forumin, do ta marr vendimin më vonë, në parim po, por nuk është vendimi përfundimtar.

Paratë për koncertin e Kanye West/ Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e Adriatik Lapajt

0

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e partisë “Shqipëria Bëhet” që kërkoi shfuqizimin dhe pezullimin e efekteve të aktit normativ për dhënien e një fondi prej 3.6 milionë Eurosh për koncertin e këngëtarin Kanye West.

Padia është rrëzuar që në seancën paraprake, ku gjyqtarët kanë vendosur të mos e kalojnë çështjen në seancë plenare.

Adriatik Lapaj, në emër të “Shqipëria Bëhet” iu drejtua trupës kushtetuese në 10 Korrik, ku kërkonte pezullimin e Aktit Normativ, shfuqizimin e tij dhe shfuqizimin e ligjit kur akti normativ të merrte dritën jeshile nga Kuvendi.

Sipas Lapajt, akti normativ ishte në kundërshtim me kushtetutën, me nenin 101 të saj, pasi nuk plotëson dy kushtet themelore, nevojën dhe urgjencën për të përdorur paratë nga fondi i emergjencës.

SMS mashtruese qarkullojnë në mesazhet e qytetarëve, lëshohet paralajmërimi: Mos jepni të dhëna personale

0

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado, në një postim në rrjetet  ka paralajmëruar qytetarët për një mesazh mashtrues që po qarkullon në celularët e tyre në lidhje me institucionin që ai drejton.

Përmes një njoftimi zyrtar, zyrtari i ISSH bën me dije se qytetarët po marrin një SMS që nuk është dërguar nga institucioni dhe u kërkon atyre të tregohen të kujdesshëm dhe të mos japin të dhënat personale.

Po ashtu në njoftim theksohet se institucionet përkatëse për marrjen e masave të nevojshme dhe bllokimin e këtij mesazhi. Në fund, institucioni u bën apel qytetarëve që ta shpërndajnë njoftimin, me qëllim informimin dhe personave të tjerë.

Njoftimi i plotë:

Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH)

njofton qytetarët se në celularët e tyre po qarkullon një SMS, i cili nuk është dërguar nga ISSH.

Ju lutemi, mos klikoni në linkun e përfshirë në këtë mesazh dhe mos jepni të dhëna personale.

ISSH ka njoftuar institucionet përkatëse për marrjen e masave dhe bllokimin e tij.

Ju lutemi, shpërndajeni këtë njoftim për të informuar edhe të tjerët.

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri kalojnë BE-në, por fuqia blerëse mbetet shumë pas Europës

0

Prej më shumë se tri dekadash, prioriteti i qeverive shqiptare ka qenë integrimi i vendit në Bashkimin Europian. Madje qeveria aktuale e ka integrimin në BE premtimin e saj kryesor.

Dhe në fakt, procesi formal ka përparuar ndjeshëm vitet e fundit: Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe në korrik 2026 mbylli përkohësisht tre të parët.

Por ka të paktën një tregues ku Shqipëria jo vetëm e ka arritur Europën, por tashmë e ka kaluar: çmimet e ushqimeve.

Në vitin 2025, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 103% të mesatares së Bashkimit Europian, duke kaluar për herë të parë referencën e 100%. Pra, një shportë ushqimore që mesatarisht kushton 100 në BE, në Shqipëri kushton rreth 103, e matur sipas standardeve të fuqisë blerëse.

Në vitin 2016, kur u shënua dhe niveli më i ulët, që nga 2005-a, kur raportohen të dhënat më të hershme, çmimet e ushqimeve ishin sa 66% e mesatares së BE-së. Në 9 vjet, treguesi u rrit me 36 pikë përqindje.

Ndërkohë, PBB-ja për frymë e Shqipërisë në 2025-n ishte vetëm 43% e mesatares së BE-së, ndërsa konsumi individual aktual për frymë (AIC), që reflekton më mirë fuqinë reale të konsumit të familjeve, ishte 48%, nga përkatësisht 30% dhe 37% në 2016-n, duke mbetur ndër të fundit në Europë.

Çmimet bënë rrugën drejt Europës shumë më shpejt

Ecuria afatgjatë e bën kontrastin edhe më të dukshëm. Në vitin 2005, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ishte vetëm 73.8% e mesatares së BE-së. Në vitet që pasuan madje pati një periudhë kur diferenca me Europën u zgjerua: në 2013-2015, ushqimet kushtonin vetëm rreth 67% të mesatares europiane.

Më pas tendenca ndryshoi.

Nga 67.7% e mesatares së BE-së në vitin 2015, indeksi i çmimeve të ushqimeve u ngjit në 81.2% në 2019, në 84.9% në 2022, në 90.7% në 2023, pothuajse u barazua me BE-në në 2024 me 99.6% dhe në 2025 e kaloi atë, duke arritur në 102.9%.

Në të njëjtën periudhë, treguesi i konsumit/të ardhurave reale për frymë në raport me BE-në u përmirësua shumë më ngadalë: nga rreth 38% në 2015 në 48% në 2025, vetëm 10 pikë përqindjeje.

Gjatë kësaj periudhe, çmimet e ushqimeve u afruan me Europën mbi tri herë më shpejt sesa fuqia ekonomike e konsumatorit shqiptar.

Por dhe kërcimi i viteve të fundit i të ardhurave duhet lexuar edhe në dritën e rishikimit të popullsisë pas Censit 2023. Numri i banorëve rezultoi rreth 2.4 milionë, nga 2.8 milionë në Censin e vitit 2011, çka, për të njëjtën madhësi ekonomie apo konsumi, rrit automatikisht vlerën e treguesve për frymë.

Për rrjedhojë, një pjesë e përmirësimit është statistikore dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht një rritje me të njëjtën masë të mirëqenies reale të individëve.

Shqipëria, përjashtimi i rajonit

Shtrenjtimi nuk është thjesht një pasojë e faktit që i gjithë Ballkani Perëndimor po konvergon me çmimet europiane.

Në vitin 2025, Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku çmimet e ushqimeve e kishin kaluar mesataren e BE-së.

Serbia ishte në 96.6% të mesatares europiane, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina në 84.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut në vetëm 74.3%.

Dhe hendeku vazhdon të zgjerohet. Në korrik 2026, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% me bazë vjetore, pesë herë më shpejt se mesatarja e BE-së prej 0.6%. Në Serbi, ndërkohë, çmimet e ushqimeve ishin 5.6% më të ulëta se një vit më parë dhe në Maqedoninë e Veriut 0.3% më të ulëta.

Iluzioni i rritjes së të ardhurave

Edhe pse të ardhurat për frymë janë rritur shpejt dhe Shqipëria është ngjitur në vendin e tretë në rajon në terma nominalë, me 11.2 mijë dollarë për frymë në 2025, fuqia reale blerëse mbetet dukshëm më e ulët.

Kur korrigjohen sipas çmimeve, Shqipëria zbret në vendin e katërt, me vetëm 23.4 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, shumë poshtë Maqedonisë së Veriut me 29.7 mijë.

Arsyeja është se vendi është shtrenjtuar shumë shpejt: niveli i përgjithshëm i çmimeve arriti në 72.6% të mesatares së BE-së, ndërsa çmimet e ushqimeve në 102.9%, duke bërë që rritja e të ardhurave të përkthehet në një fuqi blerëse shumë më të kufizuar.

Mbi 100 ditë protesta në vend, Rama flet për gazetën gjermane: Jam më i mirë kur më sfidojnë

0

Protestat e përditshme në Tiranë, të pagëzuara si “Revolucioni i Flamingove”, dhe përplasja politike me Kryeministrin Edi Rama janë bërë pjesë e një artikulli të publikuar nga gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Në fokus të shkrimit janë protestat që kanë vijuar prej më shumë se 100 ditësh, por që, sipas artikullit, nuk janë shndërruar në një lëvizje masive në rrugët e kryeqytetit.

Përballë kësaj situate, Rama i sheh protestat si një sfidë për qeverinë, por edhe si një mundësi për të reflektuar mbi mënyrën se si institucionet duhet t’u përgjigjen shqetësimeve të qytetarëve.

“Për mua është një sfidë. Por kjo është diçka e mirë. Gjatë gjithë jetës sime politike, gjërat nuk kanë shkuar kurrë vërtet mirë kur nuk jam sfiduar”, citohet të ketë thënë Rama, duke shtuar se koha do të tregojë nëse edhe kësaj here sfida do ta bëjë më të mirë qeverisjen e tij.

Sipas kryeministrit, fakti që qytetarët dalin në rrugë për çështje që lidhen me mjedisin, biodiversitetin dhe interesin publik nuk duhet parë domosdoshmërisht si një zhvillim negativ.

Rama argumenton se Shqipërisë i nevojitet një qasje më e madhe ndaj asaj që ai e quan “shtet përkujdesës” – një shtet që dëgjon qytetarët, merr në konsideratë përvojat e tyre dhe punon për përmirësimin e shërbimeve publike dhe investimeve.

Sipas tij, kjo qasje është pjesë edhe e reflektimeve brenda qeverisë dhe grupit parlamentar për mënyrën se si institucionet duhet t’u përgjigjen kërkesave të shoqërisë.

Një tjetër pjesë e artikullit lidhet me projektet e investimeve në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, të cilat kanë qenë në qendër të debatit publik.

Rama kundërshton termin “shitje” të Shqipërisë dhe thekson se Sazani vazhdon të jetë pronë e shtetit shqiptar.

Sipas tij, ende nuk është finalizuar një marrëveshje për zhvillimin e ish-zonës ushtarake të Sazanit nga investitorë privatë.

Artikulli ndalet edhe te diskutimi për investimet e huaja në sektorin e turizmit, përfshirë projektet e lidhura me Jared Kushner dhe partnerët e tij.

Sipas qëndrimit të përcjellë nga Rama, investimet me vlerë potenciale mbi 4 miliardë euro nuk janë diçka që një kryeministër mund ta refuzojë automatikisht nëse gjykon se ato janë në interes të vendit.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” trajton gjithashtu ndikimin e protestave në sektorin e turizmit.

Sipas artikullit, protestat kanë sjellë një ngadalësim të lehtë të ritmit të rritjes së sektorit, por situata duket se nuk ka pasur një ndikim afatgjatë në fluksin e vizitorëve.

Shifrat e përmendura në artikull parashikojnë që Shqipëria të presë këtë vit rreth 14 deri në 15 milionë vizitorë, nga afërsisht 12.5 milionë një vit më parë.

Në këtë panoramë, “Revolucioni i Flamingove” mbetet një prej përplasjeve më të dukshme mes protestës qytetare, politikave të zhvillimit dhe projekteve të mëdha turistike në Shqipëri.

Artikulli i plotë:

Nga Matthias Rüb,

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”

Prej më shumë se njëqind ditësh ata mblidhen çdo mbrëmje. Rreth orës 19:00 njerëzit grumbullohen në zemër të Tiranës dhe ecin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Afërsisht në gjysmën e rrugës ndodhet zyra e kryeministrit, për të cilin kërkojnë dorëheqjen.

Pikërisht aty protesta bëhet më e zhurmshme. Hera herës, para godinës ka përplasje me efektivët e policisë dhe arrestime, por shumicën e kohës situata mbetet paqësore.

Kështu ndodh mbrëmje pas mbrëmjeje. Gjatë ditëve të javës, protestuesit janë dukshëm më të shumtë në numër sesa në fundjavë, kohë kur edhe protestuesit më këmbëngulës zgjedhin ndonjëherë detin, në vend që të qëndrojnë gjithmonë në rrugët e Tiranës. Këto të fundit mbushen nga të rinjtë që dalin për të festuar. Ata festojnë të paktën po aq zhurmshëm dhe gjatë sa protestuesit demonstrojnë. Janë dy botë paralele që duket sikur nuk priten me njëra-tjetrën.

I vetëshpalluri “Revolucion i Flamingove” në Shqipëri, deri tani nuk është shndërruar në një lëvizje masive. Megjithatë, ka treguar këmbëngulje. Të njëjtën gjë po bën edhe kreu i qeverisë Edi Rama. Ai është në pushtet që prej vitit 2013 dhe është i vendosur të qëndrojë deri në fund të legjislaturës në vitin 2029.

Cila palë do t’ia dalë të rezistojë deri në fund?

Protestat në kryeqytetin shqiptar nisën në fund të majit. Shkak u bë ndërhyrja e ashpër e punonjësve të një kompanie private sigurie pranë një gardhi kantieri. Gardhi ishte ngritur në skajin verior të gadishullit të Zvërnecit, ku do të nisnin punimet paraprake për një projekt turistik luksoz. Kundër projektit, që po shtyhet përpara nga kompania e investimeve Affinity Partners e Jared Kushnerit, dhëndrit të Donald Trumpit, kishin protestuar në vend disa qindra persona.

Gjatë protestës pati përplasje pranë gardhit. Rojet tërhoqën zvarrë disa protestues mbi zhavorr për t’i larguar nga gardhi i kantierit. Pamjet e regjistruara me celular të ndërhyrjes, ku askush nuk u lëndua rëndë, u bënë virale.

Por si mundi një incident relativisht i parëndësishëm të shndërrohej në një lëvizje proteste kombëtare, që madje e quan veten revolucion?

Kjo lidhet edhe me flamingot, të cilët lëvizja i ka zgjedhur si simbolin simpatik të ndryshimit që synon. Ambientalistët druhen se kolonitë e flamingove rozë dhe të shpendëve të tjerë shtegtarë mund të rrezikohen nga bumi turistik në jug të Shqipërisë – veçanërisht nga resortet luksoze të planifikuara nga investitorët arabë dhe nga Katari të lidhur me grupin e Kushnerit. Habitati i flamingos rozë është pikërisht Laguna e Nartës, një zonë e mbrojtur pranë Zvërnecit.

‘Lëvizja e Flamingove’ e akuzon qeverinë për korrupsion dhe kërkon zgjerimin e zonave të mbrojtura, fundin e favorizimit të investitorëve të mëdhenj dhe zgjedhje të reja demokratike.

Fillimisht Rama, i cili drejton Partinë Socialiste që prej vitit 2005 dhe qeverinë që prej vitit 2013, u përpoq t’i linte protestat të vetëkonsumoheshin. Protestuesve u tha se nuk mund të shfaqeshin një ditë të bukur dhe të rrëzonin nga detyra kryeministrin e zgjedhur dhe qeverinë e tij.

“Kështu nuk funksionon. Duhet të prisni deri në zgjedhjet e ardhshme.” Ishte një argument i vështirë për t’u hedhur poshtë. Në zgjedhjet parlamentare të majit 2025, Rama dhe socialistët e tij kishin fituar më shumë se 52 % të votave. Ishte fitorja e katërt radhazi e socialistëve në zgjedhje, ndërsa Rama dhe partia e tij kishin rritur vazhdimisht përqindjen e votave.

Megjithatë, pikërisht pasi kishte marrë mandatin më të fortë nga zgjedhësit, Rama u përball papritur me kërcënimin më serioz ndaj pushtetit të tij. Pak më pak se dy muaj pas nisjes së protestave, ai ndryshoi taktikë. Në vend që t’u tregonte më tej “grushtin” protestuesve nëpërmjet retorikës, tani po përpiqet t’u rrahë shpatullat. Protestat, thotë tani, janë shenjë e vitalitetit dhe stabilitetit të demokracisë shqiptare. Ai bën dallimin mes atyre që paraqesin kërkesa legjitime dhe duhen dëgjuar, dhe atyre që, sipas tij, po përdoren nga kundërshtarët e tij brenda dhe jashtë vendit për qëllime politike.

Në një fjalim të fortë para grupit parlamentar të socialistëve në fund të korrikut, Rama paraqiti strategjinë e re të qeverisë. Ai foli për një krizë të thellë të besimit publik. Përpara figurave të partisë së tij, të mësuara me fitore elektorale, Rama u ankua për “paradoksin e suksesit”: sa më shumë zhvillohet dhe begatohet një shoqëri, aq më pak ajo gjykon atë që është arritur dhe funksionon, dhe aq më shumë përqendrohet te ajo që mungon dhe nuk funksionon.

Shoqëritë e varfra, tha ai, janë më tolerante ndaj mangësive, sepse mbizotëron mendësia se “mund të ishte edhe më keq”. Shqipëria, sipas Ramës, e ka lënë pas këtë fazë dhe ka hyrë në një tjetër, ku mbizotëron ideja se “mund të ishte edhe më mirë”.

Prandaj, sipas tij, tani nevojitet një “shtet përkujdesës”, që të dëgjojë dhe marrë seriozisht përvojat e qytetarëve, të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe investimeve dhe në këtë mënyrë të forcojë besimin e qytetarëve te shteti.

Fjalimi i Ramës u prit, pozitivisht nga deputetët dhe funksionarët e Partisë Socialiste. Përfaqësuesit e Lëvizjes së Flamingove e hodhën poshtë si një manovër retorike për të shmangur vëmendjen nga problemet themelore: korrupsioni, mungesa e transparencës dhe shkatërrimi i mjedisit.

Sali Berisha, kreu i opozitës konservatore nga Partia Demokratike, hodhi dyshimin se Rama kishte përdorur inteligjencën artificiale për të hartuar dokumentin 40-faqësh, të cilin e cilësoi pa përmbajtje dhe të shkruar keq.

Vetë Rama nuk të jep përshtypjen se ndihet i vënë në mbrojtje nga “Revolucioni i Flamingove”. Ai të pret në zyrën e tij në Kryeministri. Atletet e bardha i ka poshtë tavolinës. Me pantallonat e gjera të zeza, pulovrën e zezë dhe me çorape të zeza. Në një varëse rrobash varen fanella basketbolli që ish-lojtari i kombëtares shqiptare i ka marrë dhuratë. Dollapët dhe raftet janë të mbushura me objekte të ndryshme arti.

Rama nuk beson se vendi ndodhet në një pikë kthese, e aq më pak në një pikë thyerjeje. “Por pa dyshim është një provë besimi.” Ai thotë se përpiqet ta shohë gotën njëkohësisht gjysmë plot dhe gjysmë bosh.

“Nëse dikush tjetër e sheh gotën gjysmë bosh, është në rregull. Ai sheh më pak atë që kemi arritur dhe kërkon më shumë. Ndërsa ai që e sheh gotën gjysmë plot, sheh pikërisht atë që kemi arritur.”

Në parim, sipas tij, është shenjë pozitive kur njerëzit dalin në rrugë – për biodiversitetin, për mbrojtjen e mjedisit dhe për çështje të tjera.

“Për mua është një sfidë. Por kjo është diçka e mirë. Gjatë gjithë jetës sime politike gjërat nuk kanë shkuar kurrë vërtet mirë kur nuk jam sfiduar. Zakonisht jam më i mirë kur sfidohem. A do të jem më i mirë edhe këtë herë? Shpresoj. Nuk e di. Koha do ta tregojë. E ardhmja do ta dëshmojë.”

Sa i përket shkakut të drejtpërdrejtë të protestave në rivierën shqiptare, Rama kujton se kontakti i parë me Jared Kushner dhe Ivanka Trump për një investim të mundshëm në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit kishte ndodhur në një kohë kur Donald Trump nuk ishte ende sërish president.

“Jeta e Trumpit në atë kohë lëkundej mes burgut dhe Shtëpisë së Bardhë.”

Rama këmbëngul se fakti që, si kryeministër shqiptar, promovon investimet e huaja direkte në vendin e tij, veçanërisht në sektorin kyç të turizmit, nuk e bën atë një vegël të Trumpit.

Dhe perspektiva e më shumë se katër miliardë eurove investime në projektet e planifikuara nga Kushner dhe partnerët e tij, thotë Rama, nuk është diçka që ai si kryeministër mund ta refuzojë thjesht, nëse mendon për interesin e vendit.

Megjithatë, sipas tij, nuk mund të flitet për një “shitje” të Shqipërisë. Ishulli i Sazanit vazhdon të jetë pronë e shtetit shqiptar dhe do të mbetet i tillë. Ende nuk është arritur asnjë marrëveshje për zhvillimin e mundshëm të ish-zonës së mbyllur ushtarake nga investitorë privatë në një resort luksoz.

Në qershor, protestat sollën një ngadalësim të vogël në rritjen e turizmit shqiptar. Tani kjo duket se është kapërcyer. Këtë vit Shqipëria pritet të regjistrojë 14 deri në 15 milionë vizitorë, krahasuar me rreth 12.5 milionë një vit më parë.