Ballina Blog Faqe 36

“Më jep celularin!”, zbardhen detaje të reja nga krimi i rëndë në Shkodër ku burri vrau me çifte gruan

0

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e shtetases Bardhe Ziçi nga bashkëshorti, një ditë më parë në Shkodër. Policia e Shkodrës ka ngritur si pistë kryesore të hetimit xhelozinë mes çiftit.

Nga kamerat e sigurisë që policia disponon, shtetasi Shtjefën Ziçi i ka kërkuar celularin bashkëshortes së tij të ndjerë, gjë për të cilën kanë bërë debat. Menjëherë pas debatit, 62-vjeçari futet në banesë merr çiften që kishte me leje dhe qëllon bashkëshorten e tij duke e lënë të vdekur në vend. Autori i dyshuar për shkak të traumatizimit, nuk ka dhënë ende një dëshmi për policinë, por burime pranë palës mbrojtëse bëjnë me dije se do t’i qëndrojnë faktit se vrasja ka qenë aksidentale. Sipas palës mbrojtëse Shtjefën Ziçi ka marrë çiften për ta pastruar dhe nuk ka qenë në dijeni se ka patur plumba brenda sepse ka qenë bashkëshortja që ditë më parë e ka mbushur duke mos e vënë në dijeni burrin e saj.

Megjithatë nisur nga pamjet e deritanishme dhe dëshmitë si dhe hetimet paraprake, policia dyshon se pista e vrasjes lidhet me xhelozinë mes çiftit. Në momentet e para, para arrestimit, autori i dyshuar i ka thënë grupit hetimor në vendngjarje se nuk është penduar se kishte vrarë gruan e tij, por kjo nuk është ende një dëshmi zyrtare e autorit, por vetëm fjalë të thëna në momentin e arrestimit. Pala mbrojtëse hedh poshtë dyshimet e policisë për xhelozi duke i qëndruar faktit se vrasja ishte aksidentale.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:30 të 9 korrikut në unazën lindore të Shkodrës. Shtetasi Shtjefën Ziçi pas një debati me gruan e tij Bardhe Ziçi në një dyqan që kishin afër shtëpisë, u fut në banesë, mori çiften dhe qëlloi dy herë ndaj viktimës duke e lënë të vdekur në vend. Vrasja ndodhi në pragun e shtëpisë të çiftit në fjalë. 55-vjeçarja tentoi që të ikte për të shpëtuar por dy plumbat e çiftes i morën jetën. Shtjefën dhe Bardha Ziçi janë prindër të dy fëmijëve, një djali që jeton në Kanada dhe një vajze, e cila punon si oficere në repartin ushtarak në Vau Dejës.

Autori i dyshuar punonte si taksist me makinën e tij private ndërsa bënte edhe furnizimin për dyqanin ushqimor ku shiste bashkëshortja e tij e cila mbeti e vrarë.
Të dy, burrë e grua, njiheshin si njerëz të qetë në zonë dhe askush nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti të mëparshëm mes tyre. Ata punonin bashkë dhe kishin një jetë normale derisa ndodhi vrasja e cila tronditi mbarë opinionin.

Policia sekuestroi armën e krimit, një çifte me leje që kishte autori si dhe arrestoi në vendngjarje Shtjefën Ziçin i cili u dorëzua duke mos u larguar nga aty dhe pa bërë asnjë rezistencë si dhe duke mos shfaqur asnjë pendesë. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe kamera të sigurisë në zonë për të zbardhur të plotë dinamikën e kësaj ngjarje të rëndë që ndodhi në Shkodër.

4 mln euro për koncertin e Kanye West, Shqipëria Bëhet çon në “Kushtetuese” Aktin Normativ

0

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave, përmes të cilit është miratuar një fond prej 4 milionë eurosh për kompaninë organizatore të koncertit të këngëtarit Kanye West në Shqipëri.

Lapaj ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e çdo veprimi që lidhet me kryerjen e pagesave, ndërsa ka deklaruar se dyshon që fondet mund të jenë kaluar tashmë.

“I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese të pezullojë çdo veprim për të bërë pagesat, edhe pse kam përshtypjen se këta i kanë bërë pagesat. Së dyti, kemi kërkuar shfuqizimin e këtij akti si në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë”, u shpreh Lapaj.

Lapaj tha se ky është një koncert privat dhe se nuk është gjë e jashtëzakonshme që një koncert të dështojë.

“Ky akt normativ cenon parimin e propocionalitetit  sepse në akt nuk shpjegohet pse 4 mln euro. Cenohet parimi i barazisë së shtetasve para ligjit, sepse i vendos subjektet në pabarazi. Disa subjekte kanë ardhur në Shqipëri dhe i kanë zhvilluar aktivitet e tyre me kostot e veta, ndërsa në rastin konkret subvencionohet”, deklaroi Lapaj, i cili theksoi se qeveria ka miratuar “ligj me emër të posaçëm”, ose siç e quati ai “akt individual”.

Marjana Koçeku zbulon mesazhet dhe telefonatat pas vendimit për t’u larguar nga PS

0

Ish-deputetja e PS-së Marjana Koçeku, në një intervistë me emisionin “Now” me Erla Mëhillin, ka folur lidhur me vendimin e saj për tu larguar nga grupi i Partisë Socialiste. Ajo gjatë fjalës së saj ka zbuluar detaje pas vendimmarrjes së saj.

E pyetur se me kë u konsultua përpara se të ndërmerrte këtë hap, ajo shprehet se nuk ka biseduar me askënd, as me miq, familjarë apo kolegë. Sipas saj, ajo është konsultuar vetëm me ndërgjegjen dhe parimet e saj.

Pasi vendimi u bë publik, ajo tregon se ka marrë shumë telefonata, mesazhe, madje politikanë nga Partia Socialiste kanë dërguar edhe njerëz në shtëpinë e saj për t’u interesuar pranë familjes se çfarë po ndodhte.

 “Unë jam konsultuar vetëm me ndërgjegjen edhe me parimet në të cilat unë besoj. Ato ma kanë treguar rrugën gjithmonë dhe më kanë ndihmuar që të mos dal as prej vetes dhe prej vërtetës.

Vetëm me veten. Mbasi kam marrë vendimin kam marrë shumë mesazhe, shumë telefonata, edhe më kanë çu dhe njerëz te shtëpia për me u interesuar dhe për me ditë, me ditë më tepër prej familjes time se çfarë po ndodh dhe pse e kam marrë këtë vendim, nga politikanët e Partisë Socialiste.

Dhe unë nuk kam dhënë asnjë komunikim privat sepse ishte tepër vonë. Unë i kam kërkuar me ju kontaktu, u kam kërkuar vazhdimisht për zonën, për komunitetin tim. Nuk kam marrë përgjigje. Qëndrimet kanë qenë indiferente dhe ai moment pas largimit tim ishte shumë vonë për me folë.

Në zotësinë time si deputete, unë i kam kontaktuar gjithë ata që kanë kompetencë veprimi për qarkun tim, jo vetëm lokal por dhe ata qendror, sepse unë kam dalë prej një zone, siç theksova, që ka qenë e nën përfaqësuar, ka qenë e izoluar dhe e panjohur. Madje, edhe kur e kam taku për herë të parë në podkast kryeministrin, që u prezantova se nga vija dhe kush isha, ai ma pranoi që nuk e kishte idenë se çfarë ndodhte në ato zona.

Dhe është një zonë jo e vogël dhe jo me pak peshë në historinë edhe në hartën e Shqipërisë. Dhe gjithë kjo ë prapambetje e investimit të shtetnor dhe e pranisë së vëmendjes të institucioneve më kanë shty edhe si vajzë, por edhe si e re dhe banorja e atyre zonave, çohen të hyj në politikë, sepse sidomos për të rinjtë edhe për gratë, mundësitë kanë qenë thuajse të pamundura”, tha ajo.

“Rama mbron financimin me 4 mln euro për Kanye West”/ New York Times: Kryeministri nuk dha detaje për përdorimin e fondeve

0

Gazeta prestigjioze amerikane  New York Times i ka kushtuar një artikull debatit që ka shpërthyer në Shqipëri për financimin publik të koncertit të reperit amerikan Kanye West, i njohur si “Ye”, si edhe polemikave që shoqërojnë projektet turistike në bregdetin shqiptar.

Sipas artikullit, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin e qeverisë për të financuar koncertin me rreth 4.5 milionë dollarë, duke e cilësuar atë një investim për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik. Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e përshkroi eventin si një mundësi të rëndësishme për të tërhequr vizitorë dhe për të rritur imazhin e vendit.

Megjithatë, New York Times thekson se kryeministri nuk ka dhënë detaje konkrete mbi mënyrën se si do të përdoren fondet publike. Gazeta rikujton gjithashtu deklaratën e ministrit të Turizmit, Blendi Gonxhja, sipas së cilës për koncertin po ndërtohet një stadium i përkohshëm me kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh.

Sipas artikullit, Rama pret që eventi të sjellë të paktën 114 milionë dollarë për ekonominë shqiptare. Ai argumenton se financimi publik është i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e koncertit dhe për të shmangur, sipas tij, dëmtimin e imazhit të Shqipërisë përballë mijëra vizitorëve që kanë blerë tashmë biletat. Kryeministri vlerëson se aktiviteti do të ndikojë pozitivisht në konsum, biznes dhe të ardhurat e shtetit.

New York Times e vendos debatin për koncertin në kontekstin e protestave që po zhvillohen kundër projektit të resortit turistik në bregdetin e Adriatikut, ku është i përfshirë Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas gazetës, Rama i ka cilësuar kritikat ndaj koncertit dhe projektit turistik si pjesë të një fushate dezinformimi, duke deklaruar se protesta qytetare është përdorur për qëllime politike. Ai është shprehur se Shqipëria do të vijojë me projektet e saj dhe se “nuk ka asnjë shans të kthehet pas”.

Artikulli ndalet edhe te figura e Kanye West, duke rikujtuar polemikat që artisti ka shkaktuar ndërkombëtarisht pas deklaratave antisemite dhe komenteve në mbështetje të Adolf Hitlerit dhe nazizmit, për të cilat më vonë ka kërkuar falje.

Në përfundim, New York Times vëren se turneu i Kanye West është shoqëruar me kundërshtime dhe anulime në disa vende evropiane, ndërsa në shtete të tjera koncertet janë zhvilluar me pjesëmarrje të lartë.

Dhuna brutale ndaj 17-vjeçares në Fier, Hita pezullon një efektiv policie: Krijoi marrëdhënie me autoret e ngjarjes

0

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur ditën e sotme ka dhënë detaje në lidhje me rastin e dhunimit të 17-vjeçares nga bashkëmoshataret në Fier, pamje të cilat u bënë publike dhe ndikuan thellë opinionin publik.

Hita ka folur në lidhje me pezullimin e efektivit të përfshirë në këtë rast, teksa u shpreh se ndaj tij është marrë masa për shkelje të standarteve profesionale dhe cenimin e figurës së Policisë së Shtetit. Ai më tej sqaroi se efektivi në fjalë nuk dyshohet se ka publikuar videon por në fakt ai ka krijuar marrëdhënie të panevojshme, me vajzat të cilat kanë dhunuar bashkëmoshataren e tyre.

“Oficeri i Policisë i përfshirë në rastin e Fierit nuk është evidentuar se ka nxjerrë videon. Pezullimi i tij është urdhëruar për shkelje të standardeve dhe cenim të rëndë të figurës së Policisë, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer veprime të kundërligjshme ndaj një të miture tjetër”, u shpreh Hita.

Më tej Drejtuesi Madhor, u shpreh se njëra prej vajzave është përfshirë në incidente të mëparshme të ngjashme me rastin dhe për këtë arsye është arrestuar.

“Është një video e rëndë ku shihen disa të mitura duke kryer veprime të dhunshme. Janë kryer veprimet procedurale dhe, në vijim të hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë, janë ndërmarrë ndjekjet penale. Një prej vajzave ka pasur rast të përsëritur dhe është arrestuar”, tha ai.

Tronditet Shkodra/ Burri vret me çifte gruan, zbardhen emrat e autorit dhe të viktimës

0

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të enjte në Shkodër, ku raportohet se një person ka vrarë bashkëshorten e tij.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në unazën lindore të qytetit. Rreth orës 13:30, shtetasi Shtjefën Ziçi, 64-vjeç, ka qëlluar me çifte bashkëshorten e tij shtetasen Bardhe Ziçi, 54 vjeç. Sipas informacioneve paraprake, Policia ka arrestuar autorin.

“Rreth orës 13:30, në lagjen “Mark Lula”, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi Sh. Z., 62 vjeç, ka vrarë me armë zjarri, bashkëshorten e tij, shtetasen B. Z., rreth 55 vjeçe. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë kapur autorin e dyshuar, shtetasin Sh. Z., i cili u shoqërua në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar armën e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer krimi. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha policia.

Vargu gjigant i qepëve në urën e Mesit në Shkodër

0

Një varg gjigant me qepë u vendosë gjatë të mërkurës në të gjithë gjatësinë e urës së Mesit në Shkodër. Vargu është i gjatë 110 metra dhe peshon rreth 1.2 tonë.

Një fermer nga Postriba e Shkodrës ka arritur të realizojë një ide të kahershme, duke e kthyer atë në një simbol të punës dhe traditës vendase. Kujtim Plangaj, pas 5 vitesh përpjekjesh, përfundoi ndërtimin e një vargu qepësh me gjatësi 110 metra, një realizim që synon të promovojë produktin karakteristik të zonës.

“Kemi marrë pjesë afërsisht tre katër punëtorë në ditë afërsisht 25 punëtorë me u realizu ky varg. Ka përafërsisht 1.2 ton qepë, varet nga madhësia qepës”, u shpreh fermeri.

Plangaj shprehet se kjo nismë lidhet ngushtë me dashurinë për Postribën, bujqësinë dhe vlerat kulturore të zonës, duke veçuar si simbol edhe Urën e Mesit.

“Qepët janë autoktone e cila është 300 vjeçare dhe për Urën e Mesit që është mrekulli e zonës tonë”, tha ai.

Ura e Mesit është bashkuar simbolikisht me produktin karakteristik tre shekullor të zonës, qepën e Postribës, duke përcjellë një mesazh të fortë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë bujqësore dhe monumenteve kulturore. Kjo nismë synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbështetjen e fermerëve dhe vlerësimin e pasurive historike e natyrore të zonës.

GJKKO pushon çështjen ndaj Jonaid Myzyrajt: Nuk ka kryer shkelje

0

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyraj, dhe personave të tjerë të pandehur në këtë procedim.

Vendimi vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila kishte kërkuar pushimin e hetimeve, duke argumentuar se nga hetimet nuk janë evidentuar elementë të mjaftueshëm për vijimin e akuzës.

Çështja lidhej me një procedurë prokurimi për mirëmbajtjen e një segmenti rrugor në veri të vendit, me vlerë rreth 2.2 milionë euro, ku Myzyraj dhe ish-anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik ishin hetuar për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Me vendimin e saj, GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka mbyllur këtë procedim për të pandehurit përkatës.

Edi Rama për Corriere: Dua dialog me protestuesit

0

Prej 40 ditësh, mijëra shqiptarë protestojnë çdo ditë në Tiranë në një revoltë që nisi kundër ndërtimit të një resorti luksoz në jug të vendit (pranë një zone të mbrojtur), i lidhur me kompaninë e Jared Kushnerit, bashkëshorti i Ivanka Trump dhe dhëndri i Donald Trumpit. Por Demonstratat u shndërruan shpejt në protesta kundër qeverisë socialiste të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe gjithë Kastës së korruptuar politike.

Rama është pyetur për reagimin e tij ndaj protestuesve ku kërkon ndjesë për njerëzit e sinqertë që mund të jenë fyer dhe është i gatshëm të dialogojë me ta. Të njëjtën gjë nuk e thotë për ata që prodhojnë baltë, histeri, shpifje e baltë.

Sa për dorëheqjen e tij, kryeministri nuk pranon kurrsesi ultimatum pasi thotë se për këtë nevojiten zgjedhje. Për ndërhyrjet e huaja, të cilat flet gjerë e gjatë, shprehet se nuk e zhvlerësojnë protestën, por tregojnë si po përdoren qëllimet e saj nga interesa të tjera.

Protesta nuk do ta dëmtojë sezonin turistik dhe as anëtarësimin në BE, por thirrja e vazhdueshme për protestuesit është transparenca dhe dialogu.

Duke u ndalur te opozita, Rama nuk i merr të gjitha meritat për vete për forcën e tij në zgjedhje pasi sipas tij shkak i forcës së tij është edhe kjo lloj opozite e udhëhequr nga Berisha, emrin e të cilit preferon të mos e përmend.

Intervista e plotë për Corriere Della Sera

-Tani protesta ka ndryshuar?

Edi Rama: Me kalimin e javëve protesta ka ndryshuar në thelb. Sot nuk është më vetëm një shqetësim qytetar për mjedisin. Është edhe një protestë politike, e marrë në dorë nga një koalicion opozitash, aktorësh politikë dhe rrjetesh nga jashtë, të cilët kanë një objektiv të përbashkët: të godasin qeverinë. Dhe këtu ekziston edhe një dimension global.

-Në ç’kuptim?

Edi Rama: Emri Trump nuk është thjesht emri i një investitori në këtë histori: ai është burimi më i madh i indinjatës digjitale në botë. Kudo që shfaqet emri Trump, aktivizohen automatikisht ushtri politike, mediatike dhe digjitale, pro dhe kundër tij. Shqipëria, për shkak të këtij projekti, është shndërruar papritur në një arenë të vogël ku përplasen anti-Trumpistët globalë me Trumpin, ndërsa debati i vërtetë shqiptar mbi mjedisin, zhvillimin dhe ligjin shpesh mbytet nga kjo zhurmë e importuar. Kjo nuk e zhvlerëson asnjë qytetar të sinqertë që proteston. Por unë kam detyrimin të dalloj mes qytetarit që shqetësohet për natyrën dhe fabrikave të histerisë që përpiqen ta përdorin Shqipërinë si skenë për betejat e tyre.

-Protestuesit kërkojnë që qeveria të bllokojë projektin në Zvërnec, të lidhur me familjen Trump.

Edi Rama: Qeveria nuk ka asgjë për të bllokuar, sepse ende nuk ekziston një projekt përfundimtar. Nuk ka leje ndërtimi. Nuk ka kantier. Nuk ka një vendim përfundimtar për të cilin mund të thuhet: ndalojeni. Të kërkosh anulimin e një projekti që ende nuk ekziston në formën e tij përfundimtare është një kërkesë politike, jo një vendim qeveritar. Një qeveri serioze nuk vepron mbi fantazi, por mbi dokumente, ligje, studime dhe standarde.

-Po çfarë po bëni ju?

Edi Rama: Po presim projektin përfundimtar. Dhe shpresoj që të jetë një projekt i jashtëzakonshëm, me arkitektë, urbanistë, inxhinierë të mjedisit, ekspertë të biodiversitetit dhe standarde evropiane të nivelit më të lartë. Ambicia ime nuk është që ai të bëhet edhe një resort tjetër, por një model i ri zhvillimi ku turizmi dhe natyra të mos përjashtojnë njëri-tjetrin.

-Pse i rezistoni idesë së bllokimit? Keni frikë nga administrata amerikane?

Edi Rama: Jo. Nuk kam frikë as nga administrata amerikane, as nga rrjetet sociale, as nga turma. Kam një përgjegjësi ndaj Shqipërisë. Kriteri nuk do të jetë emri i investitorit dhe as zhurma globale pro apo kundër Trumpit. Kriteri do të jetë vetëm një: a i përmbush projekti standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike që meriton Shqipëria evropiane? Nëse po, projekti vazhdon. Nëse jo, nuk vazhdon. Pikë.

-Keni përdorur terma fyes ndaj protestuesve. Nuk është një reagim normal…

Edi Rama: Nëse ndonjë fjalë e imja ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë nga shqetësimi për natyrën, e them pa asnjë vështirësi: më vjen keq. Por nuk pranoj të barazoj qytetarët e sinqertë me fabrikat e baltës, propagandën politike, llogaritë anonime, shpifësit, kërcënuesit dhe prodhuesit e histerisë. Me të parët dialogoj. Me të dytët përballem.

-Ju thoni se njerëzit janë të keqinformuar. Cila është e vërteta?

Edi Rama: E vërteta është shumë më e thjeshtë sesa legjenda. Nuk ka nisur asnjë ndërtim. Nuk ka shitje të Sazanit. Nuk ka betonizim të lagunës. Nuk ka asgjë nga apokalipsi që qarkullon çdo ditë në rrjetet sociale. Ekziston një proces i mundshëm zhvillimi turistik, i cili do të shqyrtohet vetëm mbi bazën e ligjit, studimeve mjedisore dhe standardeve ndërkombëtare. Dhe po, ambicia jonë është që çdo zhvillim atje jo vetëm të mos e dëmtojë mjedisin, por t’i sjellë atij një përfitim të matshëm.

-E përsëris: a nuk do të ishte më e arsyeshme ta bllokonit projektin, duke parë reagimin popullor?

Edi Rama: Reagimi popullor duhet dëgjuar. Por shteti nuk mund të qeveriset me telekomandën e rrjeteve sociale. Nëse çdo proces ndalet sapo krijohet një stuhi digjitale, atëherë nuk kemi më ligj, nuk kemi më ekonomi, nuk kemi më institucione. Kemi vetëm frikë. Dhe frika nuk është politikë publike.

-Protestuesit kërkojnë dorëheqjen tuaj dhe duan gjithashtu që të mos rikandidoni.

Edi Rama: Në një demokraci, dorëheqjet nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët përmes votës. Unë kam një mandat të qartë. Kush mendon se duhet të largohem, ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhjet. Kjo është demokracia. Ultimatumet nuk janë demokraci.

-I keni fituar zgjedhjet, por pakënaqësia ekziston.

Edi Rama: Fitorja nuk është një vaksinë kundër pakënaqësisë. Mandati nuk është një licencë për vetëkënaqësi. Ekziston një fenomen i njohur në politikë: kur një vend përmirësohet, qytetarët bëhen më pak tolerantë ndaj asaj që ende nuk funksionon. Rrugët më të mira i bëjnë gropat më të bezdisshme. Shërbimet më të shpejta e bëjnë çdo vonesë më të padurueshme. Lufta kundër korrupsionit e bën çdo skandal edhe më të papranueshëm. Kjo është revolucioni i pritshmërive në rritje. Dhe është shenjë se shoqëria nuk është dorëzuar. Detyra jonë është të dëgjojmë më mirë, të shpjegojmë më qartë dhe të korrigjojmë më shpejt.

-Por këto janë protesta më shumë kundër projektit apo kundër qeverisë?

Edi Rama: Kanë lindur si një shqetësim për projektin. Sot janë gjithashtu një protestë politike kundër qeverisë. Kjo nuk është problem. Opozita ka të drejtë të protestojë. Problemi lind kur mjedisi përdoret si kostum për një betejë pushteti që nuk ka asnjë lidhje me flamingot, lagunën apo ligjin.

-Ju keni folur për ndërhyrje të huaja. A keni prova?

Edi Rama: Po flas për ndërhyrje digjitale, jo për qytetarët që dalin në bulevard. Janë dy gjëra të ndryshme. Kemi parë amplifikim artificial nga jashtë, përdorim masiv të VPN-ve, llogari anonime, platforma të lidhura me ekosisteme propagandistike dhe aktorë me qëllime keqdashëse. Institucionet do të bëjnë raportin e tyre. Por dua të jem i qartë: ndërhyrja e huaj nuk e zhvlerëson protestën e qytetarëve të sinqertë. Ajo vetëm tregon se shqetësimet e tyre po përdoren nga të tjerë për qëllime të tjera.

-Mos vallë jeni përqendruar tepër te imazhi i Shqipërisë jashtë vendit, duke lënë pas dore problemet e brendshme?

Edi Rama: Imazhi i Shqipërisë jashtë vendit nuk është kozmetikë. Është ekonomi, investime, turizëm, diplomaci, siguri dhe respekt për shqiptarët. Por po, problemet e brendshme nuk zgjidhen me flamuj në samitet ndërkombëtare. Pensionet, shëndetësia, pronësia, drejtësia e përditshme dhe shërbimet publike: këtu ka ende shumë punë për të bërë. Nuk e mohoj.

-Çfarë u përgjigjeni akuzave për korrupsion, pensione të ulëta, shëndetësi të dobët dhe mungesë perspektive për të rinjtë?

Edi Rama: Nuk i quaj të gjitha akuza. Disa janë probleme reale. Pensionet janë ende të ulëta. Shëndetësia ka ende plagë të hapura. Pasiguria juridike nuk zhduket me një ligj. Të rinjtë kërkojnë më shumë dhe kanë të drejtë. Por Shqipëria e sotme nuk është ajo e djeshmja. Pagat janë rritur. Punësimi është rritur. Ekonomia është më e fortë. Drejtësia po prek të paprekshmit. Vendi është më pranë Bashkimit Evropian se kurrë më parë. Kjo nuk mjafton. Por nuk është pak.

-Transparency International e rendit Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara të Evropës. Kush mban përgjegjësi?

Edi Rama: Nuk ndikohem nga raportet që bazohen te perceptimet. Raporti që marr më seriozisht është Raporti i Progresit i Komisionit Evropian. Dhe ka një fakt që thotë më shumë se perceptimet: në Shqipëri, për herë të parë, drejtësia po heton ministra, kryetarë bashkish, deputetë, sipërmarrës dhe njerëz të pushtetshëm. Kjo nuk është fundi i korrupsionit, por është fillimi i fundit të paprekshmërisë. Dhe ky është një ndryshim historik.

-Ruani ende një forcë elektorale. Është meritë e qeverisë apo dobësi e opozitës?

Edi Rama: Të dyja. Do të ishte arrogancë të thosha vetëm të parën dhe hipokrizi të mohoja të dytën. Por askush nuk fiton kaq gjatë vetëm falë dobësisë së kundërshtarit. Njerëzit mund të jenë të pakënaqur me shumë gjëra, por dinë të dallojnë mes një force që punon, gabon, korrigjohet dhe ecën përpara, dhe një opozite që shpesh jeton më shumë nga urrejtja ndaj meje sesa nga një projekt për Shqipërinë.

-Meqë ra fjala, kush është lideri i opozitës?

Edi Rama: Këtë duhet ta thotë opozita, jo unë. Unë nuk emëroj liderët e saj. Problemi është se opozita ka më shumë pretendentë për fronin e zemërimit sesa bartës të një projekti qeverisës. Por ky është problemi i saj.

-Keni frikë se protestat do ta dëmtojnë sezonin turistik?

Edi Rama: Jo për shkak të protestës. Një vend ku njerëzit protestojnë lirisht është një vend demokratik, jo një vend i rrezikshëm. Shqetësimi im është imazhi i rremë që prodhon histeria digjitale: sikur Shqipëria të ishte në kaos, sikur të ishte në flakë, sikur të mos kishte institucione. Kjo nuk është e vërtetë. Shqipëria është e hapur, e sigurt dhe këtë do ta dëshmojë edhe një herë ky sezon.

-A mund të ngadalësohet procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

Edi Rama: Jo. Protesta paqësore nuk e dëmton procesin. Përkundrazi, ajo dëshmon se kemi një shoqëri të lirë. Ajo që do ta dëmtonte procesin evropian do të ishte zëvendësimi i shtetit të së drejtës me presionin e rrugës, ose rikthimi i dezinformimit si politikë publike.

-Çfarë zgjidhjeje u propozoni protestuesve?

Edi Rama: Transparencë, dialog dhe fakte. Zgjidhja nuk mund të jetë: ndaleni gjithçka sepse kështu them unë. Zgjidhja është: verifikoni gjithçka, korrigjoni atë që duhet korrigjuar, ndaloni atë që bie ndesh me ligjin dhe interesin publik, dhe lejoni atë që i shërben vendit.

-Disa thonë se nuk ka më dallim mes Partisë Socialiste dhe shtetit.

Edi Rama: Kjo është një tezë politike, jo një fakt. Shqipëria ka institucione. Ka një drejtësi që merr vendime kundër njerëzve të qeverisë dhe kundër vetë qeverisë. Ka media ku shumica dërrmuese e përmbajtjes është kritike ndaj qeverisë. Ka një opozitë që proteston përpara zyrës sime. Ka zgjedhje që certifikohen nga shqiptarët. Formula partia është shteti është propagandë e lehtë për një realitet shumë më kompleks.

-A ka diçka që mendoni se duhej ta kishit menaxhuar më mirë gjatë këtij muaji protestash?

Edi Rama: Sigurisht që ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Gjithmonë ka. Por nuk pendohem që nuk bëra atë që kërkonte turma digjitale: të shpallja fajtor një proces përpara se të kishte prova dhe të ndaloja një projekt përpara se të ekzistonte një projekt. Detyra ime nuk është të jem i pëlqyer në çdo moment. Detyra ime është të mbroj ligjin, interesin publik dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Beleri në PE: Në Shqipëri protestohet kundër korrupsionit, por qeveria thotë se problemet vijnë nga fqinjët!

0

Eurodeputeti Fredi Beleri, gjatë fjalës së mbajtur në Parlamentin Europian, deklaroi se protestat e zhvilluara për 39 ditë para Kryeministrisë pasqyrojnë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj korrupsionit, mungesës së transparencës, largimit të të rinjve dhe keqqeverisjes.

Sipas Belerit, qytetarët i përjetojnë drejtpërdrejt këto probleme, ndërsa akuzoi qeverinë se po përpiqet të zhvendosë vëmendjen duke ia atribuar përgjegjësinë fqinjëve.

Ai theksoi se retorika që fajëson fqinjët për sfidat e brendshme duhet të marrë fund, në mënyrë që Shqipëria dhe vendet e rajonit të bashkëjetojnë si anëtare të Bashkimit Europian.

Shumica e njerëzve që dolën në demonstrata janë shqiptarë që kanë protestuar për mungesën e transparencës, korrupsionit, largimin e trurit, largimin e të rinjve dhe qeverisje së keqe. Këta protestues e ndiejnë këtë shumë thellë, por qeveria do t’i hedhë sytë diku tjetër. Po thonë këto problem vijnë nga fqinjët, kjo duhet të përfundojë, duhet të përfundojë helmimi i shoqërisë nëse do bashkëjetojmë si anëtar të BE dhe shpresoj që kjo të përfundojë dhe të përqendrohemi në gjërat që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë”, u shpreh Beleri.