Ballina Blog Faqe 37

Kanye West, mes Ramës dhe protestuesve

0

Nga Armand Shkullaku

Se çfarë nevojash emergjente mund të mbulojë një vend si Shqipëria me 4.25 milionë euro, që i falen një biznesi koncertesh, apo me 4 milion të tjera që i dhurohen një arkitekti për të bërë tendën e kryeministrisë, këtu lista do të ishte pafund. Nga pajisjet mjekësore në QSUT e deri tek ndihma jetësore për të moshuarit dhe invalidët. E nëse dashnorët e estetikës ramiste, që po na kushton miliarda euro pa asnjë bereqet, e kanë gati formulën propagandistike se kjo listënevojash s’është gjë tjetër veçse populizëm dhe se njerëzit kanë nevojë edhe të argëtohen, nën dritën e protestës së muajit të fundit, akti i kryeministrit duhet lexuar përtej polemikës se si duhen përdor taksat e qytetarëve.

Në radhë të parë, dhurimi i parave të atyre që sot janë në bulevard për një biznes privat, është“akt lufte” që kryeminstri u shpall protestuesve. Thelbi i protestës është pikërisht mbrojtja e publikes nga interesi privat, ruajtja e pasurive kombëtare nga plaçkitja dhe largimi i një qeverie që e kondideron Shqipërinë si oborrin e saj personal. Reagimi flakë për flakë i Ramës duke i falur 4.25 milion euro nga buxheti i shtetit një biznesi privat, në emër të Shqipërisë, përbën përdhunim publik të kauzës qytetare të protestës.

Vendimi personal i Ramës për të çuar gjysmën e fondit të emergjencës kombëtare për një koncert privat, sfidon një tjetër element kryesor të protestës, atë të përjashtimit të qytetarëve nga vendimarrja. Nëse dhjetra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë sepse ndihen të përjashtuar nga arroganca e pushtetit dhe të papërfaqësuar nga ata që janë në qeveri e parlament, Edi Rama vetëm sa e përforcon diktatin e tij mbi ta.

Së dyti, reagimi që pasoi aktin e kryeministrit, tregoi ndarjen e thellë mes atyre që janë në rrugëdhe establishmentit në shërbim të pushtetit. Mund të jesh mbështetës i qeverisë, por mund të mos jesh dakort që ato 4 milion euro të shkojnë për një koncert privat në vend se të përdoren për zëvendësimin e skanerave që nuk punojnë në spitale. Asnjë zë i vetëm nga mazhoranca dhe asnjërresht nga veglat mediatike të pushtetit, nuk e ngritën qoftë edhe si hipotezë se sa i drejtë ishte akti i kryeministrit. Përkundrazi, ata që e goditën atë akt, u sulmuan si sorra e korba, armiq qënuk e duan suksesin e Shqipërisë, injorantë që nuk kuptojnë se si do e ndryshojë të ardhmen e vendit Kanye West, qorra që nuk e shohin lartësinë ku na ka ngjitur lideri maksimal.

Janë të njëjtit njerëz që qajnë me oi arkivolin bosh të kryeministrit dhe iu duket normale kur ai hap vera nga 33 mijë euro për të impresionuar vizitorët e lartë, shtriq trupin e dhjamosur nëavionin privat apo ul të ndenjurat në tribunat e NBA. Të njëjtët që hulumtojnë me rrënjë e degëbiografitë e protestuesve por mbyllin sytë për kriminelët e hajdutët që qeverisin vendin. Ata qëalarmohen për dhunën, por s’guxojnë të thonë një fjalë kur kryeministri publikon fotot e organizatorëve të protestës për t’u shkelmuar të nesërmen fytyrës nga policia.

Ky normalizim prej një dekade i abuzimit, mashtrimit dhe krimit është gjithashtu një shkak i fuqishëm pse në rrugët e Tiranës kërkohet fundi i kastës sunduese. Për Ramën dhe ata që e rrethojnë është normale t’i falësh paratë e qyetarëve një biznesi privat sikur t’i kishe të tuat. Ndërsa për ata që janë në rrugë, këtij “normaliteti” duhet t’i vijë fundi.

Shuplaka 4 milionëshe ndaj protestuesve duhet të marrë një përgjigje. Ata që vjedhin dhe kanëkurajon që vjedhjen ta paraqesin si zhvillim, duhen treguar me gisht. Nëse ata nuk ndjejnë turp, të paktën fëmijët e familjarët e tyre të ulin kokën sa herë të dalin në rrugë. Ata që mbulojnëvjedhjet për të kapur vetë ndonjë kockë, duhen bojkotuar e diskredituar. Ata që numërojnëprotestuesit në shesh dhe jo kufomat që dalin çdo ditë nga onkologjiku, duhen përndjekur sa herëtë guxojnë të nxjerrin kokën. Atyre që përgojojnë njerëzit që protestojnë dhe vetë dalin në çdo dosje kriminale, u duhet kujtuar çdo ditë se shtëpitë që kanë, kostumet që veshin, shkollat e fëmijëve që paguajnë i kanë nga paratë e vjedhura të atyre që janë në rrugë.

Ato 4 milion euro janë një pikë uji në fuçinë miliardëshe të abuzimit dhe vjedhjeve, por nën dritën e protestave që kanë përfshirë vendin, shërbejnë për të kuptuar se Edi Rama nuk di tëveprojë ndryshe. Cilido që mund të kishte ndonjë iluzion se protestat do ta bënin të reflektonte ndaj qytetarëve, tashmë e ka marrë përgjigjen.

Në mënyrë metaforike, koncerti i luksit në Tiranë ka shenjuar një kufi të qartë ndarës mes atyre që vazhdojnë të jetojnë në pushtetin e abuzimit dhe atyre që besojnë se u ka ardhur fundi. /Lapsi.al 

Atletet e bardha të Ramës dhe dyshimet mbi samitin e NATO-s në Tiranë

0

Ndërsa liderëve europianë u lexohej në fytyrë hezitimi për t’u përballur me nervozizmin e Donald Trump në Ankara, samiti i NATO-s në raport me Shqipërinë ka pasur një kontrast domethënës mes asaj që ndodhi para kamerave dhe asaj që po zhvillohej pas dyerve të mbyllura.

Në planin e parë u pa një Edi Rama plot gjallëri, i qeshur si rrallëherë, që zgjodhi të shfaqej në atë ambjent toksik me atletet e bardha, duke bërë gjeste prej gaztori në tentativë, deri në thyerje të protokollit.

Sipas pamjeve që shpërndau kryeministria, në momentet e fotos familjare, teksa Rama qëndronte me atletete e bardha në rreshtin e parë të grupit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte duket që i tërheq vëmendjen Donald Trump. Presidenti amerikan nuk reagon aspak.

Edhe para këtyre momenteve, shihet se Edi Rama zbret një shkallë më poshtë nga të tjerët, duke bërë humor me gjatësinë e tij.

Episodet të tilla janë parë edhe në takime të tjera ndërkombëtare. Ato ilustrojnë një mënyrë të të bërit politikë që Edi Rama e ka kultivuar prej disa dekadash: bindjen se vëmendja dhe të qënit karagjoz është kapital politik dhe se simbolikat si kjo e atleteve të bardha mund të zëvendësojnë, ose të paktën të mbulojnë, mungesën e rezultateve në çështjet thelbësore.

Por ndërkohë që kamerat shpërndanin gjestet prej kllouni të Edi Ramës, mediat më prestigjioze ndërkombëtare raportonin një lajm krejt tjetër për Shqipërinë që ka të bëjë me samitin e Ankarasë.

Bloomberg shkruan se brenda NATO-s po diskutohet seriozisht mundësia që aleanca të heqë dorë nga praktika e samiteve vjetore ose të shtyjë samitin e ardhshëm të planifikuar për t’u mbajtur në Tiranë. Sipas burimeve të cituara nga media amerikane, një nga arsyet është shmangia e një tjetër përplasjeje publike me Donald Trump. Arsyeja tjetër lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë, e cila vazhdon të konsiderohet një nga vendet me nivelin më të ulët të shpenzimeve për mbrojtjen brenda aleancës.

Sipas analizës së Bloomberg, nuk është shumë produktive që në njërën anë samiti ku NATO kërkon të demonstrojë vendosmërinë e saj për të investuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, të organizohej nga një vend që ende mbetet dukshëm poshtë këtij objektivi. 

Si një konfirmim i kësaj teze, vjen edhe fakti që deklarata përfundimtare e samitit të Ankarasë nuk përmend organizimin e samitit pasardhës në Shqipëri, ndryshe nga praktika e viteve të kaluara. Në pikën 6 të deklaratës shkruhet se:

“Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare që na ofroi Turqia. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm.”

Formulim është shumë më i paqartë se deklaratat e samiteve të viteve të kaluara. Në deklaratën e samitit të Hagës (2025) thuhej shprehimisht se takimi i radhës do të zhvillohej në Ankara, ndërsa ai në vitin 2027 do të zhvillohej në Shqipëri.

Pak ditë më parë, Reuters kishte raportuar të njëjtën linjë. Duke cituar një diplomat të NATO-s, një zyrtar europian dhe disa burime të përfshira në diskutime, agjencia shkroi se administrata Trump dhe pakënaqësia e disa aleatëve për nivelin e ulët të shpenzimeve shqiptare kanë vënë në pikëpyetje organizimin e samitit në Tiranë. Një prej burimeve shpjegonte se ekziston frika që Donald Trump mund ta përdorë një samit në Shqipëri për të sulmuar publikisht vendet që nuk përmbushin objektivat e mbrojtjes, duke prodhuar një tjetër krizë komunikimi për aleancën.

Edhe Euronews arriti në të njëjtin përfundim. Sipas burimeve të saj, mungesa e Shqipërisë në draft-deklaratën e Ankarasë është një mesazh politik. NATO, sipas këtij raportimi, po ushtron presion mbi Tiranën që të përshpejtojë rritjen e shpenzimeve ushtarake nëse dëshiron të mbetet vendi organizator i samitit.

Kësisoj, duhet kuptuar që për Shqipërinë samiti i Ankarasë nuk paratha asgjë të mirë, sepse vendi ynë rrezikon të humbasë shansin për të pritur samitin e NATO-s në vitin 2027, por shqetësim për Edi Ramën ndërkohë ishte fakti se atletet e bardha nuk tërhoqën vëmëndjen e duhur./ Lapsi.al

Debati për fondin e koncertit/ Çakërri: Paratë do të kthehen pesëfish, Dervishi: Nuk kanë zënë mend nga protesta

0

Financimi i koncertit të Kanye West nga buxheti i shtetit ka ndezur debatet edhe në Off the Recird me Andrea Dangllin në A2 CNN. Përballë gazetarëve deputetja socialiste Briseida Çakërri mbrojti vendimin e qeverisë, duke argumentuar se fondi prej 4 milionë eurosh i akorduar nga qeveria do të kthehet pesëfish në buxhetin e shtetit.

“Janë para të shqiptarëve dhe do të kthehen pesëfish. Ajo që ne presim më pas është 5-6 fish më e madhe sesa ajo që po jepet në këtë moment. Një kosto e ngjarjes dhe imazhit të vendit, na bën mirë ne në këtë moment. Biletat nuk po shiten vetëm, për shqiptarët, por po shiten edhe për të huajt dhe të gjitha janë të ardhura për buxhetin e shtetit. Nuk kishim arsye për t’i humbur për sa kohë nuk ishte një fond apo shpenzim i lartë ku 1.6 euro do paguanin shqiptarët për këtë gjë. Për këtë arsye u mor kjo masë në këtë moment”, tha ajo ën Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Nga ana tjetër, gazetari Lutfi Dervishi e cilësoi problem mungesën e koherencës dhe transparencës dhe theksoi se debati nuk lidhet me faktin nëse fondi do të gjenerojë apo jo të ardhura, por me deklaratat e mëparshme të qeverisë se nuk do të përdorej asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, çka sipas tij tregon se qeveria nuk ka zënë mend nga protesta dhe mesazhi i saj.

“Edhe sikur paratë të kthehen 400-fish, nuk është ky problemi. Ke thënë që nuk do përdor asnjë qindarkë dhe pastaj thuaj që ditën e fundit se po turpërohemi. Ky është problemi. Problemi këtu është që nuk ka rëndësi fjala. Pra këtë po diskutojmë. Tjetra është që nuk më duket se këta kanë zënë mend nga protesta. Se protesta është pikërisht të kërkojë një shoqëri më të drejtë. Ato njerëz që kanë dalë aty, thelbi i tyre me hallet nga më të ndryshme kërkojnë një shoqëri më të drejtë”, deklaroi ndër të tjera Dervishi.

“Reuters”: Qeveria shqiptare e akuzuar për korrupsion, jep 4 mln € për koncertin e Kanye West

0

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama për një financim prej 4 mln euro për koncertin e Kanye West kanë tërhequr vëmendjen e mediave botërore.

Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se kryeministri ‘Edi Rama mbrojti vendimin e qeverisë për të shpenzuar një shumë të tillë parash, ndërsa përpiqet të zbusë reagimet e forta publike dhe zemërimin që ka shtuar protestat dhe kërkesat për dorëheqjen e tij’.

Reuters thekson se Kanye West është ndaluar të performojë në disa vende evropiane këtë verë pas deklaratave të tij, të cilat kanë përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe përdorimin e simboleve naziste.

Koncerti, i planifikuar për më 11 korrik në periferi të Tiranës, pritet të zhvillohet në një stadium të përkohshëm të ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet.

Në një postim në Facebook, Rama deklaroi se fondi prej 4 milionë eurosh u miratua në momentet e fundit për të shmangur, sipas tij, dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.

“Ne akorduam 4 milionë euro në minutën e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë përballë afro 25 mijë vizitorëve nga 80 vende të botës, të cilët kishin blerë tashmë biletat për koncertin e Kanye West, ndërsa shumë të tjerë kishin frikë se ai mund të anulohej”, citohet Rama nga Reuters.

Sipas kryeministrit, eventi pritet t’i sjellë ekonomisë shqiptare të paktën 100 milionë euro të ardhura, falë rritjes së rezervimeve në hotele dhe aktiviteteve turistike gjatë ditëve të koncertit.

Megjithatë, deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të shumta kritike në rrjetet sociale. Një komentues shkroi se “Shqipëria turpërohet kur mirëpret një këngëtar që admiron Hitlerin”, ndërsa një tjetër reagoi: “Turp, jo me paratë e mia!”.

Reuters kujton se në Tiranë protestat qytetare kanë vazhduar çdo ditë për më shumë se një muaj. Fillimisht ato nisën kundër planeve për ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Më pas, protestat u zgjeruan duke kundërshtuar edhe projekte të tjera turistike pranë zonave të mbrojtura bregdetare, ndërsa protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar qeverinë për korrupsion.

Nipi plagos me thikë xhaxhanë në Kamëz

0

Një konflikt mes të afërmve ka përfunduar me plagosjen e një personi në Kamëz. Një 16-vjeçar dyshohet se ka goditur me thikë xhaxhanë e tij pas një konflikti mes tyre.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, ndërsa pas ndërhyrjes së policisë, i mituri është arrestuar.

Uniformat blu kanë shoqëruar të riun dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe motivit që çoi në përdorimin e thikës.

Autoritetet po punojnë për dokumentimin e ngjarjes, ndërsa pritet të dalin më shumë detaje në vijim.

BKH godet Kadastrën për korrupsion! Në ‘sitë’ drejtues dhe zyrtarë të lartë

0

Byroja Kombëtore e Hetimit (BKH), ka zbarkuar në ASHK ku po heton disa drejtues dhe zyrtarë në disa qytete të vendit pas dyshimeve për një skemë të organizuar korrupsioni që lidhet me tjetërsimin e pronave, legalizime të paligjshme apo bashkëpunim me grupe kriminale.

Në disa media doli se i është sekuestruar telefoni drejtoreshës së ASHK-së, Lorena Goxhobelli, burime për VoxNews na thanë se nuk ësht e vërtetë.

VoxNews ka mësuar se BKH është instaluar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, ditën e premte me orë të tëra. Nën hetim janë zyrtarë dhe ish drejtorë të cilët mund të kenë favorizuar regjistrimin e pronave në kundërshtim me ligjin.

Ndërkohë, sipas informacioneve SPAK ka vendosur sekuestro mbi disa sipërfaqe toke në zonën e Livadhit në Himarë dhe pritet të ketë edhe aksione të tjera në vijim.

Vatrat kryesore të korrupsionit dyshohet se ndodhen në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Elbasan.

Prokurorët e posaçëm po hetojnë ndikimin e grupeve kriminale që dyshohet se kanë krijuar një mekanizëm për lehtësimin e pastrimit të parave duke tjetërsuar pasuritë e paligjshme dhe duke investuar në sektorin e ndërtimit./VoxNews

Një vit nga lirimi, Salianji: Burgosja ime ishte politike! Kemi nevojë për politikë që pranon mendimin ndryshe

0

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar në 1-vjetorin e lirimit të tij qelia, duke e cilësuar dënimin me burg si një burgosje politike.

Me anë të një postimi në Facebook, Salianji thekson bindjet se ‘pushteti mund të kufizojë përkohësisht lirinë, por nuk e burgos atë’.

Ish deputeti shkruan se një vit më parë mori fund sprova e burgosjes politike, duke sqaruar se kjo është sanksionuar edhe nga gjashtë rezoluta ndërkombëtare.

“Sot, një vit liri. Një vit më parë mori fund sprova e burgosjes politike. E sanksionuar si e tillë nga 6 rezoluta ndërkombëtare! Pushteti mund të shtrëngojë, mund të kufizojë përkohësisht lirinë e një njeriu, por nuk mund të burgosë kurrë bindjet, të vërtetën dhe idealet që ai ka.

Përherë kam zgjedhur të mos ndryshoj bindjet për t’iu përshtatur rrethanave. Sepse liria nuk është privilegj që të jepet nga pushteti; është e drejtë që mbrohet çdo ditë”, shkruan Salianji.

Ai thekson se Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin dhe për politikë që pranon edhe mendimin ndryshe.

Salianji jep mesazhin se “pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk e ndryshojnë drejtimin”.

“Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, për politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që nuk heqin dorë nga e drejta për të kërkuar më shumë demokraci, më shumë drejtësi dhe më shumë llogaridhënie.

Një vit më vonë, bindja ime është edhe më e fortë: pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk e ndryshojnë drejtimin”, shkruan Salianji, duke e mbyllur me mirënjohje për mbështetjen.

Ekonomiksi i koncerteve, 100 milionë eurot imagjinare të kryeministrit

0

Klodian Tomorri

Kryeministri Edi Rama reagoi kundër kritikave publike mbi përdorimin fondit rezervë të buxhetit për të subvencionuar koncertin privat të Kanye West. Përmes një gjuhe të papërshtashme për një kryeministër, me etiketime vulgare ndaj kritikëve, shefi i qeverisë ka dhënë argumentet e tij se pse shpenzimi i 4.2 milionë eurove nga paratë e qytetarëve ishte një investim i mirë.

“4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye Weest; për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura,” shkroi Rama në profilin e tij në facedbook.

Por a do të përfitojë ekonomia shqiptare me të vërtetë 100 milionë euro nga koncerti, ashtu siç pretendon kryeministri?

Së pari, tashmë një gjë është e sigurtë. Vetë koncerti është një aktivitet financiarisht jo rentabël. Fakti që qeveria detyrohet të disbursojë 4.2 milionë euro nga buxheti për të nxjerrë nga gropa aktivitetin është prova e pakundërshtueshme e falimentit financiar të projektit.

Dhe ky është vetëm subvencioni i pranuar zyrtarisht, sepse ne nuk e dimë se si janë financuar shpenzimet për ndërtimin e stadiumit dhe kostot e tjera organizative të aktivitetit. A ka ndërhyrë qeveria për të çuar nënkontraktorë privat në ndërtimin e stadiumit dhe a u ka diktuar atyre kushte duke u premtuar kompesim në mënyra të tjera?!

Megjithatë një projekt apo investim mund të mos jetë rentabël “per se” dhe njëkohësisht të gjenerojë të ardhura për ekonominë lokale. Investimet publike janë shembulli klasik i kësaj. Shumë rrugë, hekurudha apo vepra të tjera publike mund të jenë financiarisht jo fizibël për t’u realizuar me kapital privat, por subvencionohen me para publike dhe gjenerojë përfitime të mëdha për ekonominë.

Por gjithmonë analizat financiare mbi kostot dhe përfitimet bëhen mbi bazën e treguesve realë dhe jo shifrave të hedhura kuturu. Shifra prej 100 milionë eurosh, që kryeministri thotë se do të përfitojë ekonomia nga koncerti i reperit amerikan, nuk ka asnjë bazë mbështetëse nga pas, përveç hamendësimeve të zotit Rama.

Ajo është thjesht një shifër e hedhur në turmë pa asnjë analizë reale financiare dhe nuk do të ndryshonte asgjë edhe sikur kryeministri të thoshte se përfitimi i ekonomisë do të 200 milionë, 300 milionë apo edhe 1 miliardë euro. Por tani të kthehemi në botën reale sepse literatura tashmë ka një bazë gjithmonë e më të pasur vlerësimesh të impakteve ekonomike të koncerteve apo aktiviteteve kulturore në ekonomitë lokale ku ato realizohen.

Për shembull, “Turi Era” i Taylor Swift në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2024 është një nga më të studiuarit në këtë aspekt. Mes të tjerave, këngëtarja e famshme amerikane zhvilloi dy koncerte në Denver të Kolorados në verën e vitit 2024, ku morën pjesë më shumë se 150 mijë spektatorë.

Sipas vlerësimeve të Institutit Common Sense dy koncertet gjeneruan 38 milionë dollarë të ardhura direkte nga shitja e biletave dhe 140 milionë dollarë në GDP-në e Kolorados. Pra dy koncerte masive me mbi 150 mijë pjesëmarrës dhe çmimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjeneruan gjithsej 140 milionë dollarë aktivitet ekonomik.

Por për ta përafruar edhe më shumë bazën e vlerësimin me Shqipërinë do të shërbente koncerti pikërisht i Kanye ëest, në Stamboll dy muaj më parë. Koncerti i mbajtur në statidumin Ataturk pati një pjesëmarrje prej 120 mijë vetësh dhe sipas vlerësimeve gjeneroi nga 50 milionë deri në 100 milionë dollarë për industrinë turke të turizmit.

Dhe këto ishin vlerësime nga vet organizatorët, të cilët në Turqi nuk kërkuar para nga qeveria për të mos falimentuar.

Tani të kthehemi në Shqipëri. Sipas të dhënave që publikon vetë kryeministri, koncerti në Tiranë pritet të ketë 25 mijë pjesmarrës nga jashtë. Me një çmim mesatar bilete prej 250 eurosh, këta persona kanë gjeneruar në total 6 milionë euro të ardhura për organizatorët.

Studimet e specializuara tregojnë se ekonomiksi i koncerteve ka një multiplikator shpenzimesh që luhatet nga 1.5-3 herë, që do të thotë se për çdo 1 lekë bilete ka 1.5-3 lekë të tjera shpenzime për ushqim, transport, akomodim në ekonominë lokale.

Pra në rastin më të mirë 20 milionë euro gjithsej, ndërsa në skenarin me realist rreth 15 milionë euro në total kontribut për ekonominë e vendit. Ky është vlerësimi me realist i impaktit që koncerti i Kanye West do të ketë në ekonominë shqiptare, i cili përputhet plotësisht me koncertet e ngjashme të zhvilluara edhe në vende perëndimore, ku çmimet madje janë më të larta.

Fjala vjen Afro Nation Portugal, i mbajtur në vitin 2023, tërhoqi 40 mijë pjesëmarrës. Kontributi i tij total ekonomik për ekonominë e Portugalisë u vlerësua 15 milionë dollarë.

Me këto llogari, financiarisht subvencionimi me 4.2 milionë euro i koncertit për buxhetin është një operacion negativ, pasi me një qarkullim total prej 20 milionë euro, arka e shtetit nuk do të kapte dot as paratë e shpenzuara.

Dhe pyetja pastaj është kjo; kur një qeveri subvencionon aktivitete private, cilat duhet të jenë prioritet. çingijet jo rentabël të kryeministrit, shtresat vulnerabël apo aktivitetet ekonomike që gjenerojnë kthim më të lartë?/ Kapital

Dyshohet për tjetërsim pronash, vetëdorëzohet në polici zv.drejtori i Kadastrës në Dibër, Daniel Gjura

0

Mbrëmjen e djeshme është vetëdorëzuar në Polici zëvendësdrejtori i Kadastrës Dibër, Daniel Gjura, i cili ishte shpallur në kërkim i dyshuar si pjesë e një skeme mashtrimi për tjetërsim pronash. Më herët, Gjura mbante pozicionin e drejtorit të ASHK-së Dibër dhe ka qenë ish-kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sot ai akuzohet për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër dyshohet se janë përfshirë në skemë mashtrimi. Përmes dokumenteve të falsifikuara, ata kanë regjistruar prona shtetërore në emër të Teshar Doçit dhe familjarëve të tij. Pas hetimit 7-mujor të prokurorisë, gjykata caktoi masat e sigurisë për 14 persona.

Për Teshar Doçin, i konsideruar nga hetuesit si përfituesi i pronës, Gjykata ka vendosur masën “arrest në burg”. E njëjta masë është edhe për Fatjon Çakrrin, familjar i tij. Ata dyshohen për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, kryer në bashkëpunim.

Në kërkim është shpallur noterja e përfshirë në skemë, per te cilen gjykata ka caktuar masën “arrest në shtëpi”.

Dy ish-funksionarë të Kadastrës së Dibrës janë lënë në ‘arrest shtëpie’, ndërsa 6 punonjës aktualë po hetohen me masën “detyrim paraqitjeje”.

Dhe një tjetër familjar i Doçit është me mase sigurie “detyrim paraqitje”./shqiptarja.com

Gazeta italiane: Shqiptarët kanë vrarë frikën, Edi Rama nuk është më i paprekshëm

0

Mobilizimi më i madh popullor që Shqipëria ka përjetuar në dekadat e fundit vazhdon: aftësia për t’u përhapur përmes mediave sociale dhe përpjekjet për ta delegjitimuar atë

Nga Marzia Baldari, IL FATTO QUOTIDIANO

“Arritja më e rëndësishme e protestës është ajo që organizatorët e quajnë vrasja e frikës. Shqiptarët nuk e perceptojnë më pushtetin e kryeministrit Edi Rama si të paprekshëm. Ky ndryshim psikologjik mund të jetë pasoja më e rëndësishme e kësaj lëvizjeje”.

Për gazetaren investigative Xhesika Tollia, e cila prej më shumë se një muaji ndjek në terren manifestimet e Revolucionit Flamingo për portalin investigativ Shteg, ky është momenti i kthesës së mobilizimit më të madh popullor që Shqipëria ka njohur në dekadat e fundit.

Më shumë se kërkesat politike, sipas saj, ka ndryshuar marrëdhënia mes qytetarëve dhe pushtetit.

Për këtë është i bindur edhe Endrin Hysa, 37 vjeç, italian me origjinë shqiptare. Ai jeton prej vitesh në Itali, por kur protestat shpërthyen vendosi t’i bashkohej diasporës dhe të kthehej në Shqipëri për të marrë pjesë në manifestime.

“Omerta (heshtja e imponuar nga frika) ka qenë gjithmonë një nga të këqijat më të mëdha të këtij populli. Për dekada me radhë shqiptarët mbetën të izoluar nga bota gjatë komunizmit. Pas rënies së tij, shumë njerëz përfunduan duke pranuar në mënyrë pasive një politikë thellësisht të korruptuar,” thotë 37-vjeçari.

Më pas ai rrëfen disa episode nga fëmijëria e tij: “Kur isha fëmijë jetoja në Durrës dhe të gjithë e dinim se ai pallat shumëkatësh ishte ndërtuar nga mafia, ose ai lokali, apo ai tjetri ngjitur. Për ne prania e krimit të organizuar ishte normalitet,” shpjegon Endrini.

Më pas ai shton: “Për këtë arsye kam menduar gjithmonë se Shqipëria nuk do të mund të ndryshonte kurrë për sa kohë që do të vazhdonte ky heshtje kolektive. Kur pashë në Instagram mijëra njerëz që dilnin në rrugë, e kuptova se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Për herë të parë pashë shqiptarët të çliroheshin nga frika. Dhe unë duhej të isha këtu”.

Historia e tij tregon edhe një element tjetër dallues të Revolucionit Flamingo: aftësinë për t’u përhapur përmes rrjeteve sociale më shumë sesa përmes medieve tradicionale.

“Bëhet fjalë për një protestë jo tradicionale,” shpjegon gazetarja Tollia. “Ajo mbështetet fort te rrjetet sociale dhe përdor mënyra komunikimi tipike të brezave të rinj. Kushdo që ka një telefon inteligjent dhe një lidhje interneti mund të publikojë një video që mund të bëhet virale brenda pak orësh”.

Për këtë arsye, vëren Tollia, lëvizja nuk ka qenë kurrë e varur nga mbulimi i mediave tradicionale, qoftë kombëtare apo ndërkombëtare.

“Protesta u përhap përmes algoritmeve të rrjeteve sociale. Dhe pikërisht për këtë arsye edhe kryeministri Rama e ka cilësuar disa herë algoritmin si ‘fajtor’”.

Sipas gazetares shqiptare, kryeministri u përpoq që në fillim të kontrollonte narrativën: “Fillimisht u përpoq t’i minimizonte protestat. Më pas, kur u bë e qartë se ato përfaqësonin një realitet politik që nuk mund të injorohej më, filloi të kërkonte elemente për t’i delegjitimuar”.

Sipas saj, Rama fillimisht foli për një “luftë hibride”.

“Ai pretendoi se lëvizja ndikohej nga interesa ruse ose iraniane. Kur këto shpjegime nuk gjetën mbështetje në opinionin publik, filloi të identifikonte protestues të veçantë, duke publikuar emrat dhe fotografitë e tyre në kanalet e tij në rrjetet sociale.”

Ndërkohë, klima në sheshe është bërë më e tensionuar.

Ditët e fundit kanë ndodhur përplasje dhe disa arrestime. Megjithatë, një nga thirrjet që dëgjohet më shpesh mbetet: “Policia është me ne.”

“Përdorimi i forcës nuk mund të justifikohet duke thënë se disa protestues hodhën miell ose vezë drejt automjeteve të deputetëve,” thotë Tollia.

“Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim institucional lidhur me dhunën e denoncuar nga disa të arrestuar. Kemi parë njerëz tashmë të neutralizuar dhe të shtrirë në tokë që goditeshin me shkopinj gome.”

Këto episode dhune, shpjegon më tej Tollia, u përfshinë shpejt në narrativën e qeverisë.

“Ishte e parashikueshme që këto episode do të përdoreshin për të forcuar rrëfimin e qeverisë. Dhe pikërisht kjo po ndodh. Disa ekspertë të komunikimit mendojnë se Partia Socialiste po ndjek një strategji të koordinuar të disiplinës së mesazhit (message discipline) dhe manipulimit politik (political spin).”

Megjithatë, sipas gazetares, përplasjet nuk e kanë dobësuar mbështetjen për protestën.

“Manifestimi kombëtar i 4 korrikut, që nxori në rrugë mijëra njerëz, tregoi se protesta vazhdon të mobilizojë qytetarët njësoj si ditën e parë. Pamjet e prindërve që sjellin fëmijët në protesta dhe i lënë të vizatojnë ulur mbi asfalt janë prova më e qartë se shumica e pjesëmarrësve nuk kërkon dhunë. Ata vazhdojnë ta mbështesin lëvizjen me të njëjtin entuziazëm si në fillim.”

Kërkesat e mijëra protestuesve mbeten të njëjtat: një ndryshim i thellë politik dhe dorëheqja e Edi Ramës, i cili për momentin nuk ka ndërmend të largohet nga detyra.

“Nuk mund të them nëse Rama do të japë dorëheqjen apo jo,” përfundon Tollia.

“Ai vetë e ka përsëritur disa herë se kjo mundësi nuk bën pjesë në planet e tij. Ajo që mund të them është se kjo protestë do të ketë për të një kosto të konsiderueshme politike.”