Ballina Blog Faqe 38

Dosja “e zezë” e Alket Rizait, emri i tij del në vrasjen e një të burgosuri në muajin shkurt

0

Emri i Alket Rizait, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Greqi, është përfshirë në hetimet për vrasjen e një të burgosuri brenda godinës së komandës së burgut të Domokosit, ngjarje e ndodhur më 15 shkurt 2026.

Rizai, i cili prej së hënës kërkohet nga autoritetet pasi u arratis nga burgu, dyshohet gjithashtu se u përfshi në një incident me të shtëna armësh në një beach bar në Anaviso.

Sipas televizionit SKAI, dëshmitë e vendosin Rizain në zonën ku u vra me tre plumba Antonis Papadatos. Edhe pse çështja mbetet ende e hapur, kryeroja i burgut është lënë në paraburgim pasi ndodhej në vendngjarje dhe ka dhënë deklarime kontradiktore gjatë marrjes në pyetje.

SKAI publikon për herë të parë pamjet e dosjes

SKAI ka publikuar për herë të parë fotografi nga vendi i krimit. Për vrasjen akuzohet një i burgosur bullgar i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa në pranga përfundoi edhe kryeroja i burgut, i cili sipas avokates së familjes së viktimës ka dhënë versione që bien ndesh me provat.

“Që në momentin e parë, ajo që deklaroi ishte krejtësisht në kundërshtim me faktet që dolën menjëherë. Brenda shtatë minutash një i burgosur doli nga pavijoni ku mbahej dhe u vra në godinën e administratës”, tha avokatja.

Dëshmitarët përmendin Alket Rizain

Edhe pse Alket Rizai mohon të ketë qenë në vendin ku u vra Papadatos, dëshmitarë okularë pretendojnë të kundërtën.

Një punonjës i burgut ka deklaruar:

“Në një moment dëgjova të shtëna që vinin nga godina e vjetër e rojës së burgut dhe pashë që i pari që doli prej aty ishte Alket Rizai.”

Si ndodhi vrasja

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se pak para se të ekzekutohej me tre plumba në kokë, Antonis Papadatos ndodhej në ambientet e përbashkëta të pavijonit D, ku po bisedonte me të burgosur të tjerë.

Pak më vonë aty mbërriti i burgosuri bullgar, i cili i kërkoi Papadatosit të dilte nga qelia dhe ta ndiqte. Të dy kaluan korridoret që të çojnë drejt godinës së rojës së burgut.

Në të njëjtën kohë, sipas kamerave, drejt të njëjtit drejtim u nis edhe Alket Rizai, i shoqëruar nga disa të burgosur të tjerë që përshkruhen si “truproja” të tij.

Në godinën e administratës ndodheshin tashmë Papadatos, i burgosuri bullgar dhe kryeroja. Kamerat kanë regjistruar edhe një përqafim të ngrohtë mes kryerojës dhe Rizait.

Më pas të gjithë duket se e shoqërojnë viktimën drejt godinës së vjetër të rojës së burgut – i vetmi ambient ku nuk funksiononte asnjë kamerë sigurie.

Brenda asaj dhome, jashtë mbulimit të kamerave, Papadatos u qëllua fillimisht nga pas në kokë dhe më pas edhe me dy plumba në fytyrë.

Versioni i autorit të dyshuar

I burgosuri bullgar, i cili mori përsipër përgjegjësinë për vrasjen, pretendon se Papadatos kishte fshehur një revolver në pantallonat e shkurtra dhe tentoi të vriste kryerojën.

Sipas tij, ai ndërhyri për t’i marrë armën, por ajo u shkrep aksidentalisht, duke e goditur për vdekje Papadatosin në kokë.

Megjithatë, policia dhe gjyqtari hetues dyshojnë se ngjarja i ngjan më shumë një ekzekutimi me pagesë sesa një akti vetësakrifikues.

Pas të shtënave, bullgari hodhi armën në dysheme dhe u dorëzua.

Nga ana tjetër, kryeroja pretendon se gjatë incidentit u përpoq të mbrohej dhe nuk pa çfarë ndodhi, ndërsa këmbëngul se Rizai ishte larguar disa minuta përpara të shtënave.

Avokati i tij, Dimitris Gavelas, deklaroi:

“Klienti im u gjend në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Ai u përball me një situatë që nuk mund ta parandalonte. Sa i përket pretendimit se Rizai nuk ndodhej në vendngjarje, unë mund të përcjell vetëm atë që deklaron klienti im.”

Rizai mohon përfshirjen

Vetë Alket Rizai ka mohuar çdo përfshirje në vrasje.

“Jam i pastër dhe nuk kam frikë nga asgjë. Nuk kam qenë brenda godinës së vjetër të rojës në momentin kur ndodhi ngjarja. Nuk kisha asnjë arsye të përzihesha në një çështje të tillë, as për të gjitha paratë e botës.”

Megjithatë, ekspertët e kriminalistikës kanë gjetur gjurmë gjaku në këpucët e tij dhe mbetje baruti në rrobat e tij.

Sipas SKAI, 47-vjeçari nuk është marrë ende si i pandehur në këtë dosje dhe vazhdon të ketë statusin e dëshmitarit, ndërsa kërkesa për lirim e kryerojës së paraburgosur është rrëzuar.

Dyshimet se ka kaluar në Shqipëri

Ndërkohë, me kalimin e ditëve po forcohet skenari se Alket Rizai, i njohur edhe për lidhjet e tij të ngushta me Vasilis Paleokostasin, mund të ketë kaluar në Shqipëri.

Sipas informacioneve që kanë mbërritur në Policinë Greke, sinjali i fundit për vendndodhjen e tij është regjistruar në Greqinë Veriore, zonë nga ku dyshohet se mund të ketë kaluar ilegalisht kufirin drejt Shqipërisë.

Edhe pse autoritetet theksojnë se kjo nuk konsiderohet ende një fakt i provuar, ai mbetet skenari që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në hetimet për kapjen e të arratisurit.

Reforma Territoriale/ Braçe nxjerr zbuluar mazhorancën: Kufijtë e rinj i mora vesh nga mediat

0

Reforma Territoriale duket se po ecën me ritmin e vet, aq sa edhe deputetët e mazhorancës po e mësojnë hartën e re nga mediat.

Deputeti socialist Erion Braçe ka zbuluar se, pavarësisht diskutimeve të zhvilluara nga kryeministri Edi Rama me drejtuesit politikë të qarqeve dhe takimeve në territor, me deputetët nuk është zhvilluar ende një diskutim i plotë për reformën.

Madje, Braçe tha hapur se edhe kufijtë e rinj i ka mësuar nga mediat.

“Me deputetët jo. Unë e kam marrë vesh ndarjen e kufijve nga media, por ama që të jetë bërë një diskutim i plotë për reformën ende nuk është bërë”, deklaroi Braçe në “ÇdoKënd” në A2CNN.

Por Braçe nuk u ndal vetëm te mënyra se si është komunikuar reforma. Sipas tij, diskutimi është nisur në drejtimin e gabuar, pasi debati nuk duhet të përqendrohet vetëm te pyetja se “kush do të shkrihet” dhe “kush do të bashkohet”, por te kompetencat që do të kenë njësitë e reja.

“Harta e re territoriale është impostuar gabim e gjitha”, tha deputeti socialist.

Ai kundërshtoi qasjen që e sheh reformën kryesisht përmes numrit të bashkive apo aksesit në fondet e Bashkimit Europian, duke kërkuar që pushtetit vendor t’i jepen më shumë kompetenca dhe financime edhe nga fondet kombëtare.

Sipas Braçes, qeveria qendrore duhet të heqë dorë nga një pjesë e konsiderueshme e pushtetit dhe t’ia delegojë atë pushtetit vendor.

“Qeveria qendrore duhet të lëshojë masivisht pushtet tek pushteti vendor”, tha ai.

Braçe solli si shembull edhe arsimin, duke argumentuar se qeveria duhet të mbajë politikat kombëtare, kurrikulën dhe kontrollin e cilësisë, por jo domosdoshmërisht të administrojë çdo funksion nga qendra.

Në një tjetër kritikë ndaj mënyrës së ndërtimit të reformës, deputeti socialist tha se pushteti nuk duhet të përqendrohet vetëm te kryetari i bashkisë, sidomos në rastin kur bashkitë do të jenë edhe më të mëdha.

Sipas tij, kompetencat duhet të zbresin deri te njësitë administrative dhe komunitetet lokale.

Gazetari dhe realizuesi i Emisionit Gjurmët Lorenc Shehu merr “Mirēnjohje” nga Bashksija shqiptare në Umag tē Istrias nē Kroaci.

0

Gazetari dhe realizuesi i Emisionit Gjurmët nē Zjarr televizion Lorenc Shehu, merr “Mirēnjohje” nga Bashksija shqiptare në Umag tē Istrias nē Kroaci. Gjithashtu gazetari Lorenc Shehu zhvilloi dhe njē intervistē ekskluzive me prefektin e istrias z.Boris Miletić.

Gazetari Lorenc Shehu zhvilloi njē intervistē me z. Shtjefēn Maksuti i cili prej më shumë se 40 vitesh jeton nē istria. Z. Maksuti foli për jetēn e tij por dhe pēr aktivitetin e bashkësisē shqiptare në Umag dhe nē qytete tē tjera të zonës sē Istrias. Qendra e kətyre bashkēsive shqiptare është në kryeqendrës e Istrias Pula.


Mē pas gazetari Lorenc Shehu zhvilloi njē intervistē me prefektin e istrias z. Boris Miletić nē zyrēn e tij nē Pula. Gazetari Shehu i dha dy personazheve në këtē emision Çertifikatēn e Mirënjohjes nga Emisioni Gjurmët.


Gjithashtu prefekti Miletiĉ i dhuroi gazetarit Lorenc Shehu një album me fotografi dhe histori të vendbanimeve tē zonës sē Istrias.

Protesta hyn në ditë e 110, Tabaku i drejtohet Ramës: Provo dil, të tërheqin zvarrë…

0

Deputetja demokrate Jorida Tabaku iu drejtua kryeministrit Edi Rama gjatë replikës së saj në Kuvend në orët e para të ditës së sotme, duke iu referuar protestave të zhvilluara prej 110 ditësh dhe kërkesës së protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit.

Tabaku i kërkoi Ramës të përballet me protestuesit dhe të dëgjojë kërkesat e tyre. Ajo shtoi se kërkesa që, sipas saj, po artikulohet nga qytetarët në protestë është dorëheqja e kryeministrit.

“Së pari, njëherë kërkon guxim shumë të madh kur t’i kesh 110 ditë te dera protestuesit e të thuash ‘na përzënë ne’. Provo njëherë dil atje, se e kanë provuar edhe këto këtu dhe i kanë tërhequr zvarrë.

Së dyti, në vend që t’i dëgjosh e t’i marrësh si këmbana alarmi ato që kërkojnë njerëzit atje, sillesh përsëri me të njëjtën arrogancë që i ka sjellë ata njerëz të dalin atje në shesh.

Sot kanë një thirrje qytetarët dhe thirrja është ‘Rama, jep dorëheqjen’. Dëgjoje, meqenëse e dëgjoke turmën, edhe zbato kërkesat e tyre.”– tha Tabaku.

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, protestuesit zbulojnë katër kërkesat e tyre

0

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në shenjë proteste ndaj vendimit të Speciales ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Në protestën që zgjati rreth 40 minuta qytetarët artikuluan katër kërkesa:

-Shfuqizim ndryshim i ligjit për dhomat e specializuara;

-Shkarkim i ministres së drejtësisë Donika Gervalla;

-Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish krerëve;

-Angazhim ekspertësh ndërkombëtar në mbrojtjen e ish krerëve.

Një protestuese në fjalën e saj tha se ‘sot kur do të duhej të ishim në ditën e dytë të festës po protestojmë’. Sipas saj, po protestojnë sepse pafajësia është dënuar me dënime drakonike, ndërkohë kriminelët e luftës dhe njerëzimit, po enden në liri.

“Ky diskriminim, ky tentim për balancë false për të njëjtësuar viktimën me agresorin po na dhemb deri në palcë. Jemi të dëshpëruar se na është prekur ideali ynë, e po pyesim veten si mban kjo tokë tërë këtë dhimbje, tërë këtë padrejtësi. Si është e mundur të ndodhë gjithë ky inskenim, si nuk u shemb toka, apo çka e shemb këtë tokë tani që këmba e tyre nuk e shkeli tokën e Kosovës? Jemi këtu se po njolloset, përbaltet e tjetërsohet lufta e domosdoshme e një populli që i ishte vjedhur e drejta për liri, e drejta për dinjitet dhe e drejta për jetë në shtëpinë e tyre”, tha një protestuesja.

Gjykata e Londrës i tërheq veshin Enea Karakaçit për konfliktin në Aeroportin e Vlorës

0

U shua shpejt entuziasmi në Ministrinë e Infrastrukturës për “fitoren” në Londër, në përballjen me kompanitë që kanë konçensionin e aeroportit të Vlorës. Disa orë pasi qeveria shpalli me tone triumfaliste se kishte fituar betejën e parë dhe se zgjidhja e kontratës së koncesionit kishte hyrë në fuqi, Cecilia Carrara, Arbitre e Emergjencës e caktuar në procedurën e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, u detyrua të rikthehet me një email, që ia prish festën Enea Karakaçit.

Rikujtesa që vjen nga gjykata e Londrës është e pazakontë. Nuk bëhet fjalë për një vendim të ri nga arbitrazhi, por thjesht për një thirrje për të pasur kujdes, për një vijë të kuqe që i vendoset zyrtarëve të shtetit shqiptar, të cilët dolën publikisht me vrullin për ta çuar më tej konfliktin për aeroportin.

Në Londër janë dy procedura arbitrazhi. Njëra është ajo e VIA-s, ku arbitri nuk pezulloi formalisht zgjidhjen e kontratës, por i ndaloi MIE-së të ushtronte të drejtat kryesore që burojnë prej saj: të hyjë e të marrë në posedim aeroportin, të marrë kontrollin operacional të aseteve, të kërkojë dorëzimin e pronave apo të zëvendësojë koncesionarin me një operator tjetër.

Tjetra është procedura e MABCO-s, aksionerit me 98% të VIA-s. Pikërisht në këtë çështje Carrara kishte nxjerrë urdhrin paraprak që i kërkonte qeverisë të mos ndërmerrte veprime që mund të përkeqësonin konfliktin ose të rrezikonin procedurën. Dhe pikërisht këtë urdhër arbitra e ndjeu të nevojshme ta ritheksonte përsëri me email.

Në emailin e dërguar palëve, Arbitrja e Emergjencës e caktuar në procedurën e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit i drejtohet direkt ministrisë së drejtuar nga Enea Karakaçi “që të mos pengojë Kërkesën Emergjente të paraqitur nga Aplikanti dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim gjatë zhvillimit të këtyre Procedurave të Arbitrit të Emergjencës lidhur me përfundimin e Kontratës së Koncesionit që do ta përkeqësonte këtë mosmarrëveshje ose do të rrezikonte këto procedura”.

Mesazhi nuk lë vend për keqkuptime. Ministria duhet të sillet në mënyrë të tillë, që të mos e bëjë të pavlefshme procedurën që po shqyrtohet në Londër. Kjo vjen sepse ministria e kishte paraqitur vendimin si “një fitore të rëndësishme”, duke theksuar se arbitri “rrëzoi tërësisht dy nga tri kërkesat e VIA-s” dhe se “zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi”.

Madje njoftimi shkonte një hap më tej. Sipas zyrtarëve të ministrisë, rrëzimi i kërkesave “konfirmon se mosmarrëveshja, në të cilën MIE do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri qëndrimin e saj, tani mund të kalojë menjëherë te tribunali i arbitrazhit”.

Pra, në vend të një sinjali për uljen e tensioneve dhe rikthimin te negociatat, Ministria e interpretoi rezultatin si dritë jeshile për ta thelluar konfliktin.

Nxitimi që mund t’i kushtojë Shqipërisë

Si sjellja e ministrisë, ashtu edhe mesazhi nga Londra vlejnë të anaizohen për të kuptuar çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.

Historia e Aeroportit të Vlorës ka treguar se qeveria shqiptare që në nisje të konfliktit ka shfaqur një nxitim për ta çuar konfliktin drejt zgjidhjes së kontratës, drejt shpronësimit me çdo kusht, ndërkohë që pala tjetër pretendon se ka kërkuar vazhdimisht negociata.

Edhe një ditë më parë, biznesmeni Behgjet Pacolli deklaroi se “nuk ka synuar zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes arbitrazhit” duke shtuar se kompania kishte kërkuar bisedime dhe marrëveshje për vazhdimin e punimeve. Ai i kërkoi qeverisë “të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar”. Por qëndrimi i tij krijon një kontrast të fortë me komunikimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila u shpreh entuziaste se çështja “tani mund të kalojë menjëherë te tribunali i arbitrazhit”.  

Ky dallim mund të jetë i rëndësishëm në betejën që vjen. Gjykata Ndërkombëatre do të shqyrtojë mes të tjerave edhe sjelljen e palëve dhe provat që secila prej tyre do të paraqesë, dhe aty do të gjejë një ministri të papërmbajtur për ta çuar kontratën drejt prishjes sa më parë dhe për t’ia dorëzuar aeroportin një pale tjetër që ende nuk ka dalë në skenë.

Edhe kreu i opozitës, Sali Berisha, e interpretoi politikisht këtë nxitim si pjesë të një plani për t’ia marrë projektin Pacollit. Në intervistën në Opinion ai deklaroi: “A e dini ju se dhe aeroportin e Vlorës do ia japë Yeffet-it. Nuk ka mbetur investitor i huaj në Shqipëri. I përzë një nga një”. Berisha shtoi se Pacolli “nuk ka pasur dëshirë të padisë Shqipërinë” dhe pretendoi se ekspozimi financiar mund të shkojë të paktën në 600 milionë euro.

“Jam kërcënuar, por nuk kam frikë”, Dash Sula: Rama më riktheu dinjitetin

0

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, tha se sfida e tij më e madhe në detyrën që i është ngarkuar, është të garantojë bizneset se askush nuk do të trokasë më në dyert e tyre, për të marrë atë që ai e quajti “pjesën e shefit”.

“Ju garantoj që nuk do të shpëtojë asnjë inspektor. Pavarësisht presioneve që kam, po them që kam pasur presione. Para dy ditësh kam shkuar në Policinë e Elbasanit, kam bërë denoncim, pikërisht sepse më vijnë mesazhe kërcënuese, më kanë marrë në telefon me kërcënime. Kam marrë dhe nuk kam frikë. Nuk kam frikë, se nuk i kam borxh njeriu”, tha Sula i ftuar në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN.

“Dhe unë po them këtu, nga televizioni juaj i nderuar, i bëj thirrje çdo qytetari, çdo subjekti: nëse do të përdoret emri i Inspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, nga një inspektor, nga një trupë inspektimi, nga një drejtues i inspektoratit rajonal, nga një drejtues i inspektoratit qendror, që flet, sepse, në teori, ka qenë që “duhen për shefin”, unë i kam bërë të gjitha të qarta. Nuk ka më “për shefin”, të paktën për mua, këtu lart. Dhe po ju them që sfidën që unë kam, e kam me veten time”.

Sula gjithashtu tha se Edi Rama, duke e emëruar në këtë pozicion, i ka rikthyer dinjitetin. “Dua të jem 1000 herë faqebardhë para shqiptarëve, 100 herë me Edi Ramën, sepse ai burrë më riktheu dinjitetin”, tha Sula. “Më ka rikthyer dinjitetin, në kuptimin jo se do isha harruar unë, por më dha mundësinë që unë të tregoj vlerat e mia morale, profesionale, kush jam. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Nuk do të rrojmë as 500 vjet, as 1000 vjet. Ka shumë vlerë të kujtohesh për mirë. Mirë është edhe të lëmë emrin e mirë familjes, fëmijëve, nipërve, mbesave, stërnipërve, kur të ikim nga kjo botë”.

Ervin Demo betohet në Presidencë si ministër i Brendshëm

0

Ervin Demo është betuar paraditen e së premtes, 18 shtator, para Presidentit Bajram Begaj si ministri i ri i Brendshëm pak orë pasi Parlamenti miratoi emërimin e tij në këtë post.

Kuvendi miratoi gjatë seancës që zgjati deri pas mesnate me 83 vota pro dekretin e Presidentit Bajram Begaj për emërimin e Demos.

Emërimi i Demos vjen në kuadër të ndryshimeve të fundit në kabinetin qeveritar të ndërmarra nga kryeministri Edi Rama, i cili largoi nga detyra e ministrit të Brendshëm Besfort Lamallarin.

Demo drejtonte më parë ministrinë e Pushtetit Vendor, e cila tashmë do të shkrihet dhe do të jetë pjesë e ministrisë së Brendshme.

Kush është Ervin Demo

Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo ushtronte prej shtatorit 2025 detyrën e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Në karrierën e tij politike, Ervin Demo ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë së Beratit (2019–2025).

Gjatë 2017–2018, Demo ka mbajtur detyrën e Zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa në periudhën 2012–2016 ka qenë Zëvendës rektor i Universitetit të Tiranës. Karriera e tij është e lidhur ngushtë me arsimin e lartë.

Që prej vitit 2004, ai është pedagog me kohë të plotë pranë Departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.

Demo ka kryer studimet e larta në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfunduar ciklin Bachelor dhe Master. Më pas, ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, Itali, duke u specializuar në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit akademik.

Protestë në Prishtinë, qindra qytetarë “pushtojnë” sheshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

0

Qindra qytetarë janë mbledhur këte të premte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së dhe në kundërshtimin të vendimit të Gjykatës Speciale, e cila më 16 shtator dënoi Hashim Thaçin, Jakupin Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin me gjithsej 81 vite burgim.

Të pranishëm në protestë janë edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe deputetë të kësaj partie. Siç shihet edhe nga pamjet, qytetarët mbajnë në duar flamujt të UÇK-së teksa sheshi është “pushtuar” nga mbështetësit e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.

Para nisjes së protestës, policia e Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të mos mbajnë maska gjatë protestave.  Policia ndër tjerash u ka bërë thirrje protestuesve që të tregojnë kujdes dhe të mos hedhin sende e mjete të forta.

Prej më shumë se dy orësh brenda “Vilës së Kuqe”, përfundon takimi i Edi Ramës me ministrat dhe drejtuesit politik, çfarë u diskutua

0

Ka përfunduar pas më shumë se dy orësh, mbledhja e nisur që prej orëve të mëngjesit mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrave e drejtuesve politikë të Partisë Socialiste. Takimi u zhvillua në ambientet e “Vilës së Kuqe” në Tiranë, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Burime bëjnë me dije se gjatë mbledhjes, ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve kanë paraqitur shënimet e tyre, të mbledhura gjatë takimeve të zhvilluara me qytetarët, duke përcjellë problematikat, shqetësimet dhe kërkesat e ngritura prej tyre.

Në vijim, diskutimet janë përqendruar te detajet dhe hapat që lidhen me dy dokumentet, ndërsa mbledhja ka zgjatur për më shumë se dy orë.

Kjo nuk është hera e parë që kryesocialisti dhe njëherësh kryeministri Rama mbledh drejtuesit politikë dhe ministrat për të diskutuar mbi problematikat e hasura në terren dhe kontaktet e tyre me qytetarët.

Ndërkohë, nisma “Prania Besnike” zhvillohet çdo të premte, në orën 17:00. Në këtë hapësirë, qytetarët kanë mundësinë të shprehin pakënaqësitë, të ngrenë problematikat dhe të përcjellin sugjerimet e tyre për çështje që lidhen me përditshmërinë.