Ballina Blog Faqe 39

Protesta kombëtare e opozitës, përplasje dhe molotovë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

0

Për afro dy orë e 30 minuta opozita protestoi për largimin e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Marshimi i opozitës nisi paqësisht përpara kryeministrisë me një minutë heshtje në nderim të dy të miturve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Durrës.

Pasi qëndruan për afro 30 minuta poshtë selisë së qeverisë, ku munguan fjalimet politike, protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, aty ku u shënuan dhe përplasjet e para me uniformat blu. Shkak i tensioneve u bë një kordon i vendosur nga policia që i pamundësoi protestuesve vijimin e tubimit përtej perimetrit të sigurisë të vendosur nga policia. Tentativës së policisë për ta shpërndarë turmën me ujë e gaz lotsjellës, kjo e fundit iu kundërpërgjigj me molotov.

Në pamundësi për të çarë perimetrin e sigurisë sapo kaluan ish-hotel Dajtin, protestuesit të shoqëruar nga deputetët e opozitës tentuan të rikthehen drejt kryeministrisë, por edhe këtu u penguan nga policia. Nuk mjaftuan as thirrjet e deputetëve demokratë dhe as përplasja me uniformat blu për t’i mundësuar protestuesve vijimin e marshimit aty ku e nisën.

Sali Berisha i cili shoqëroi përgjatë gjithë marshimit qytetarët ku ishte në jo pak raste shënjestër e autobotit me ujë, akuzoi drejtuesit e policisë se mohuan një të drejtë kushtetuese të protestuesve në shkelje të ligjit themeltar të shtetit. Pas tentativave të dështuara, Berisha i tërhoqi protestuesit në selinë blu, nga ku i dha mesazhin radhës kundërshtarit të tij politik. Ndonëse nuk caktoi një datë për protestën e radhës, Berisha tha se opozita nuk do të ndalet deri në përmbushjen e misionit të saj.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Fjala e plotë e Veliajt para Gjykatës Administrative: Ols Dado nuk është prokuror

0

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mbajti këtë të premte fjalën e tij para Gjykatës Administrative, ku foli në procesin në të cilin ka paditur prokurorin e SPAK, Ols Dado.

Në deklaratën e gjatë para gjykatës, Veliaj tha se prej më shumë se dy vitesh është vënë përballë një “sulmi frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik”, që sipas tij kulmoi me heqjen e lirisë personale dhe pamundësimin e ushtrimit të mandatit si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Ai ngriti akuza edhe ndaj mënyrës së ushtrimit të pushtetit penal, duke deklaruar se nuk po i lejohet një mbrojtje efektive dhe se po i kufizohet aksesi në dosje, komunikimi me avokatët ndërkombëtarë dhe mundësia për të informuar publikun mbi çështjen.

Veliaj shtroi pyetjen nëse “pushteti penal mund të qëndrojë mbi kontrollin e ligjit”, ndërsa kërkoi nga gjykata të shqyrtojë ligjshmërinë e autoritetit që, sipas tij, ka ushtruar pushtet mbi të dhe institucionin që përfaqëson.

Fjala e plotë e Veliajt

“Kam më shumë se pesëmbëdhjetë muaj që jetoj në një realitet që, deri pak kohë më parë, do ta konsideroja të paimagjinueshëm në një republikë demokratike. Një realitet ku raporti midis qytetarit dhe pushtetit penal është përmbysur gradualisht, deri në pikën që vetë garancitë kushtetuese duken çdo ditë e më të brishta përballë forcës së pakontrolluar të këtij autoriteti shtetëror.

Është një situatë me një ngarkesë të tillë paradoksale, sa mund të përshkruhet më saktë vetëm nga një penë si e Dostojevskit dhe jo nga një gjuhë e zakonshme si e imja.

Prej më shumë se dy vitesh, menjëherë pas zgjedhjes sime për herë të tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jam vënë përballë një sulmi frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik; një përplasje që, në përfundim të saj, arriti deri në heqjen e lirisë sime personale dhe në pamundësimin e ushtrimit të mandatit që ma besuan 160 mijë qytetarë të Tiranës.

Madje, edhe pasi fitova formalisht mandatin tim në Gjykatën Kushtetuese, pas një përpjekjeje tjetër për ta shfuqizuar atë, unë vijoj të mbahem me këmbëngulje në paraburgim dhe izolim, ndërkohë që vetë ligjshmëria e burimit të atij pushteti penal ndodhet sot përpara kësaj gjykate për shqyrtim.

Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Është hetuar çdo dimension personal dhe familjar i imi. Mbi mua dhe familjen time është ushtruar, në thelb, një formë e plotë “vetingu” jo administrativ, por penal, jashtë çdo standardi normal proporcionaliteti.

E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, unë kam bashkëpunuar me drejtësinë në çdo moment. Kam kontribuar për të lehtësuar punën e saj. Nuk kam pasur asnjë hezitim, asnjë drojë dhe asnjë mëdyshje për t’u përballur me procesin dhe me të vërtetën, as dje, as sot.

Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi i vërtetë i kësaj çështjeje.

Sepse për më shumë se dy vite u përdor çdo mekanizëm i mundshëm politik, mediatik dhe juridik për të më sjellë përpara drejtësisë, në mënyrën më denigruese të mundshme, për një njeri që akoma mban besimin e një qyteti të tërë për drejtimin e tij.

U përdorën hetime, përgjime, kontrolle, ekspozim publik dhe çdo formë tjetër e ushtrimit të pushtetit penal, me argumentin se unë duhej të vihesha përballë drejtësisë.

Sot që unë ndodhem përpara drejtësisë, me vullnetin e plotë për t’u përballur me të, paradoksi është se i njëjti mekanizëm duket se nuk do më një përballje reale me drejtësinë, por një përballje të kufizuar, të kontrolluar, të shpejtë dhe proceduralisht të cunguar.

Sepse nuk kërkohet vetëm kufizimi i lirisë sime fizike. Kërkohet edhe kufizimi i mundësisë sime për t’u mbrojtur efektivisht e për t’u përballur me dinjitet.

Mua nuk më lejohet të kem akses të plotë dhe real në dosje. Nuk më lejohet të dëgjoj të gjitha përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk më lejohet komunikimi me avokatët e mi ndërkombëtarë. Nuk më lejohet të informoj opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar mbi natyrën reale të kësaj çështjeje.

Sigurisht, nuk më lejohet as ushtrimi i mandatit që qytetarët e Tiranës më kanë besuar.

Pra, ndërsa mbi mua ushtrohet çdo kufizim që mund t’i ushtrohet një qytetari, njëkohësisht bëhet gjithçka që unë të mos mund të ushtroj në mënyrë efektive ato të drejta që vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë m’i garanton.

Dhe sa herë që përpiqem të ushtroj një prej këtyre të drejtave, krijohen pengesa të reja proceduriale, të cilat jo vetëm e bëjnë ushtrimin e tyre gjithnjë e më të vështirë, por përdoren më pas edhe kundër meje, për të justifikuar cenime të mëtejshme të lirisë sime personale.

Vetë ky gjykim, ku ndodhemi sot, është një tjetër provë e këtij paradoksi absurd.

Sepse edhe sot pala përballë, në thelb, nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes. Kërkon që Ju, zoti Gjyqtar, të mos shqyrtoni ligjshmërinë e pushtetit që është ushtruar mbi mua dhe mbi institucionin që unë përfaqësoj.

Dhe kjo është ajo që e bën këtë çështje shumë më të rëndë sesa një debat procedural.

Sepse në thelb të pretendimit që paraqitet përpara Jush qëndron ideja se unë nuk paskam të drejtë t’i kërkoj gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që më hoqi lirinë personale; të autoritetit që më vendosi në përgjim; që kontrolloi jetën time private dhe të familjarëve të mi; të autoritetit që hyri në çdo dimension të jetës sime personale dhe institucionale.

Pra, pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi mua?”

Pra, pushteti mund të ndërhyjë mbi mandatin e një kryetari bashkie edhe në kundërshtim me kufijtë që vendos vetë ligji, por kryetari i zgjedhur nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi bashkinë dhe mbi këtë qytet?”

Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi më i madh i kësaj çështjeje.

Unë kam bërë një padi përpara Jush. Një padi që nuk është asgjë tjetër veçse ushtrimi i një të drejte që njerëzimi e ka njohur që në lindjen e qytetërimit; nga kodet e Hamurabit deri te Kanuni i Lekë Dukagjinit: e drejta e njeriut për t’iu drejtuar një gjykimi të paanshëm dhe për të kërkuar drejtësi.

As këtë nuk duan të ma lejojnë.

Si i padituri Dado, ashtu edhe vetë KLP, autoriteti që duhej të kishte garantuar ligjshmërinë e ushtrimit të këtij funksioni publik, sot pretendojnë se unë nuk legjitimohem t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar kontrollin e këtij autoriteti.

Sepse sipas kësaj logjike, qytetari mund të hetohet, të survejohet, të arrestohet, të izolohet dhe të kontrollohet në çdo aspekt të jetës së tij personale, familjare dhe publike; një kryetari bashkie mund t’i ndërpritet ushtrimi i mandatit të dhënë nga qytetarët; qytetarëve mund t’u merret nga zyra kryetari i zgjedhur prej tyre, por në momentin që ata i drejtohen gjykatës për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet, atëherë ai nuk konsiderohet më subjekt i mbrojtjes së ligjit, por rrezik për drejtësinë vetë.

Pra, qytetari mund t’i japë drejtësisë shpatën e pushtetit për të vepruar në emër të tij, por nuk paska të drejtë të pyesë se kush po e mban atë shpatë, me çfarë legjitimiteti e mban dhe në emër të kujt po e përdor kundër tij.

Benjamin Cardozo, një nga figurat më të ndriçuese të Gjykatës Supreme amerikane, paralajmëronte se drejtësia humbet kuptimin e saj në momentin kur garancitë proceduriale reduktohen deri në pikën që qytetari mbetet i pambrojtur përballë pushtetit.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja thelbësore e kësaj çështjeje.

Kush mund të legjitimohet më shumë për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë së këtij autoriteti sesa vetë qytetari, liritë dhe të drejtat themelore të të cilit janë cenuar drejtpërdrejt nga ushtrimi i tij?

Kush mund të legjitimohet më shumë sesa një individ të cilit i është hequr liria personale, i është kontrolluar jeta private, i është ndërprerë ushtrimi i mandatit publik dhe ndaj të cilit është ushtruar forma më intensive e pushtetit penal të shtetit?

Dhe po kështu, kush mund të legjitimohet më shumë sesa vetë Bashkia e Tiranës, institucionit të cilit iu ndërpre ushtrimi normal i mandatit të kryetarit të zgjedhur, si pasojë direkte e ushtrimit të këtij autoriteti?

Sepse në fund fare, pyetja bëhet akoma më e thjeshtë sesa gjithë ky proceduralizëm përpiqet ta paraqesë:

Çfarë duhet të ndodhë më shumë mbi një qytetar dhe mbi një institucion demokratik, që ata të kenë të drejtën t’i kërkojnë gjykatës verifikimin e ligjshmërisë së pushtetit që është ushtruar mbi ta?

Apo mos duhet që qytetari të heshtë fare?

A duhet të pranojë çdo ndërhyrje mbi jetën, lirinë dhe dinjitetin e tij, pa pasur të drejtën t’i kërkojë gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që ushtron këtë pushtet mbi të?

Sepse nëse kjo është logjika që pranohet, atëherë ne nuk kemi më një shtet të së drejtës. Atëherë kemi një pushtet penal që kërkon të qëndrojë jashtë kontrollit.

Ky pushtet i pakontrollueshëm nuk është drejtësi. Ai është arbitraritet.

Prandaj, i nderuar zoti Gjyqtar, në thelb të gjithë kësaj çështjeje qëndron një pyetje aq sa e thjeshtë, por edhe vendimtare:

A është Olsi Dado prokuror i Republikës së Shqipërisë?

A i është dhënë atij, në mënyrë të kushtetuese, autoriteti për të ushtruar pushtet penal në emër të Republikës së Shqipërisë?

Kjo është pyetja që sot kërkon përgjigje nga Ju, i nderuar zoti Gjyqtar.

Jo vetëm për mua.

Jo vetëm për këtë qytet.

Por për Republikën tonë.

E pra, unë jam sot këtu jo vetëm për të mbrojtur të drejtat që më burojnë si qytetar nga sovraniteti i popullit shqiptar dhe që janë skalitur në Kushtetutën e Republikës, por për të mbrojtur vetë parimin se në Republikën e Shqipërisë askush që ushtron autoritet penal mbi qytetarin nuk mund të qëndrojë mbi kontrollin e ligjit.

Sepse në ditën kur qytetari humbet të drejtën për t’i kërkuar gjykatës kontrollin mbi autoritetin që i ka cenuar lirinë, atë ditë nuk vihet në diskutim vetëm fati i një individi.

Ajo është dita kur fillon të vihet në diskutim vetë ideja republikane se ligji qëndron mbi pushtetin.

Dhe në momentin kur kjo ide rrëzohet… rrëzohet vetë Republika.

Faleminderit!”, tha Veliaj

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Padia ndaj Dados/ I pranishëm në seancë edhe aktori Robert Ndrenika, e puth në ballë Veliajn 

0

Këtë të premte, 8 maj, në Gjykatën Administrative do të shqyrtohet padia e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado. Për këtë të fundit, Veliaj thotë se është emëruar në kundërshtim me ligjin.

Ndryshe nga hera e fundit, Veliaj është prezent sot në sallë, ndërsa gjyqin po e ndjekin edhe aktorët Robert Ndrenika e Gazmend Paja. Këta të fundit mbështesin kreun e bashkisë Tiranë.

Pa nisur seanca, Ndrenika e puth në ballë Veliajn, ndërsa nuk mungon buzëqeshja e kryebashkiakut.

Avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca, ka kërkuar që seanca të jetë publike. Mbetet për t’u parë nëse seanca do të vijojë të transmetohet LIVE, pasi mbrojtja e Dados ka kundërshtuar. Gjykata është tërhequr për vendim…

Sipas avokatit Plarent Ndreca, nga vetë zhvillimi i procesit gjyqësor dhe provat e administruara deri tani, rezulton se Presidenti i Republikës, në momentin e dekretimit të Ols Dados si prokuror, nuk ka kryer verifikime reale mbi plotësimin e kushteve ligjore për emërimin e tij.

Kujtojmë se më 3 prill, për rreth 1 orë u mbajt seanca gjyqësore pikërisht për këtë padi.

Presidenca përfaqësohej nga Sara Bërdullima, ndërsa përfaqësuese e KLP-së ishte Danja Hobdari. Ndërkohë, mungoi avokatura e shtetit. Pati një sërë diskutimesh në këtë seancë përgatitore për palët, megjithatë togat e zeza kërkuan që padia të rregullohet, duke dhënë afat 20 ditë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

PD ndryshon skenarin e protestës/Tubimi pa fjalime, demokratët do marshojnë

0

Ka ndryshuar sërish skenari i protestës që do të mbahet nga Partia Demokratike pasditen e sotme.

Burime mediatike bëjnë me dije se demokratët do të nisin menjëherë me marshimin.

Përpara Kryeministrisë mungon podiumi, duke lënë të kuptohet se kësaj radhe nuk do të ketë fjalime, por marshim dhe revoltë qytetare, siç edhe ka ndodhur më parë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Me dokumenta/ Fidel Ylli “fut hundët” edhe te sporti i pëllumbave! Kërkesë doganës për bllokimin e 170 sportistëve shqiptarë në kufi

0

Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë po trondit komunitetin sportiv në Shqipëri. Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003”, e regjistruar ligjërisht si organizatë jofitimprurëse me 170 anëtarë dhe me aktivitet të njohur ndërkombëtarisht në sportin e pëllumbave garues, ka denoncuar publikisht bllokimin e saj në pikën doganore të Qafë Thanës, pas një shkrese të dërguar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.

Sipas dokumenteve dhe reagimit zyrtar të shoqatës, anëtarët e saj prej vitesh marrin pjesë në aktivitete sportive ndërkombëtare në vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia, duke kaluar në mënyrë të rregullt në pikat kufitare shqiptare dhe duke paraqitur çdo dokumentacion të kërkuar sipas ligjit dhe Kodit Doganor.

Por situata ka ndryshuar më 4 maj 2026 në pikën doganore “Qafë Thanë”, ku mjeti i shoqatës, një “IVECO FIAT” me targa AA 158 ZL, është ndaluar nga autoritetet doganore pa asnjë shpjegim zyrtar dhe pa asnjë akt administrativ të shkruar.

Shoqata deklaron se ka kërkuar zyrtarisht arsyet ligjore të ndalimit, por autoritetet nuk kanë paraqitur asnjë bazë ligjore dhe asnjë dokument që justifikon pengimin e sportistëve për të dalë jashtë territorit shqiptar.

Në kërkesën drejtuar doganës, shoqata ngre dy pyetje thelbësore:

  • A ka të drejtë mjeti i përdorur për transportin e shpendëve sportivë të kalojë pikat doganore shqiptare?
  • Cilat janë arsyet ligjore që u ndalua kalimi në Qafë Thanë më 04.05.2026?

Në qendër të këtij skandali ndodhet letra e Fidel Yllit, ku kërkohet që doganat të mos lejojnë kalimin e kësaj shoqate sportive. Fidel Ylli me Ramazan Gjylën dhe Gazmir Fehimin janë një grup interesi që po tenton të monopolizojë aktivitetin dhe të përdorë institucionet shtetërore kundër rivalëve.

Pyetja që trondit opinionin publik është e thjeshtë: me çfarë tagri një president komiteti olimpik kërkon ndalimin e qytetarëve shqiptarë në kufi? Dhe si mundet drejtori i doganës, Besmir Beja, të marrë përsipër bllokimin e sportistëve pa një vendim gjykate, pa një akt administrativ dhe pa asnjë bazë ligjore?

Shoqata “Pëllumbat e Postës 2003” thekson se nuk kryen aktivitet tregtar, por aktivitet sportiv dhe kulturor, ndërsa pëllumbat transportohen me dokumentacion të rregullt dhe të vaksinuar sipas standardeve veterinare.

Pyetja që ngrihet është tronditëse: me çfarë të drejte një zyrtar sportiv i kërkon doganës të ndalojë qytetarë shqiptarë të dalin jashtë kufirit? Në cilin ligj mbështetet kjo kërkesë? Që kur një president komiteti olimpik merr kompetenca mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve?

Akoma më i rëndë bëhet skandali me përfshirjen e drejtorit të doganës, Besmir Beja. Si mundet një drejtues i institucionit doganor të marrë në konsideratë një shkresë të tillë dhe të pengojë sportistë që nuk kryejnë tregti, nuk transportojnë mallra të paligjshme dhe nuk janë nën hetim për asnjë vepër penale, por thjesht ushtrojnë një aktivitet sportiv dhe hobi të njohur ndërkombëtarisht?

Burime pranë sportistëve bëjnë me dije se anëtarët e “Pëllumbave të Postës 2003” janë të pajisur me dokumentacion të rregullt dhe pëllumbat e tyre janë të vaksinuar sipas standardeve përkatëse. Megjithatë, ata janë përballur me pengesa dhe tentativa për bllokim në kufi pas ndërhyrjeve zyrtare të ardhura nga strukturat sportive.

Në një vend normal, institucionet mbrojnë sportistët dhe promovojnë përfaqësimin ndërkombëtar të vendit. Në Shqipëri ndodh e kundërta: sportistët ndalohen në kufi, ndërsa institucionet përdoren si armë për pazare dhe interesa personale.

A kemi të bëjmë me shpërdorim detyre? A po përdoren doganat për hesapet e një grupi të vogël njerëzish? Dhe mbi të gjitha, a do të reagojnë institucionet për këtë precedent të rrezikshëm ku qytetarëve shqiptarë tentohet t’u kufizohet lëvizja e lirë me një letër zyrtare?

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja, ulet sërish çmimi i naftës

0

Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të karburanteve.

Çmimi i naftës ka pësuar sërish ulje, pasi nga 196 lekë/litri do të shitet me 193 lekë/litri.

Ndërkohë, benzina do të shitet me 179 lekë/litri.

Njoftimi: 

Bordi i Transparencës në datë 8 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 193 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 179 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 8 ora 13.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

PS ashpërson Kodin Rrugor: Ja kur hiqet përfundimisht pantenta

0

Pas ngjarjes tragjike të Durrësit, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër, është shtuar vigjilenca nëpër rrugët e vendit sa i takon respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Ashtu siç e paralajmëroi në Kuvend, Partia Socialiste ka propozuar sot, 8 maj, një amendament që lidhet pikërisht me Kodin Rrugor. Propozim që synon ashpërsimin e masave ndaj shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Sipas dokumentit, drejtimi i mjetit pa leje drejtimi do të sjellë jo vetëm përgjegjësi penale, por edhe shtyrje me 1 deri në 2 vite të së drejtës për t’u pajisur me patentë, sidomos për të miturit.

Për drejtuesit e rinj me leje “B” (deri në 24 muaj), parashikohen kufizime më të rrepta: alkool zero në gjak, shpejtësi më e ulët e lejuar dhe ndalim i drejtimit natën pa shoqërues me përvojë. Shkeljet do të shoqërohen me gjoba, pezullim patente dhe humbje pikësh.

Ndryshimet prekin edhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, duke e ndaluar edhe për biçikleta, motomjete dhe monopatina elektrike, si dhe ashpërsim të gjobave për shkelje të rënda të sjelljes në rrugë. Një tjetër masë e fortë parashikon heqjen e përhershme të lejes së drejtimit për shkelësit “serialë”.

Pjesë nga dokumenti:

Drejtuesit të mjetit, i cili konstatohet duke drejtuar mjetin pa qenë i pajisur me leje drejtimi, përveç përgjegjësisë sipas legjislacionit penal në fuqi, i shtyhet për një periudhë prej 1 (një) viti e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi pranë sistemit të autoshkollave, si masë administrative ndëshkuese.

Kur drejtuesi i mjetit është i mitur, afati për t’u pajisur me leje drejtimi pranë sistemit të autoshkollave shtyhet për një periudhë 2-vjeçare nga momenti kur i lind kjo e drejtë sipas legjislacionit në fuqi.

Organet e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor kujdesen për evidentimin e kundërvajtësve dhe kryerjen e procedurave përkatëse të regjistrimit në sistem.”

Drejtuesit e mjeteve, të cilët janë pajisur me leje drejtimi të kategorisë ‘B’ brenda 24 (njëzet e katër) muajve të fundit, i nënshtrohen këtyre kufizimeve të posaçme:

a) kufiri i lejuar i alkoolit në gjak është 0.0‰;

b) shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara;

c) ndalohet drejtimi i mjetit nga ora 24:00 deri në orën 06:00 pa praninë e një drejtuesi shoqërues, i pajisur me leje drejtimi prej të paktën 3 (tre) vjetësh;

ç) mosrespektimi i kufizimeve të përcaktuara në këtë pikë dënohet me gjobë administrative nga 5 000 (pesë mijë) lekë deri në 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, si dhe merret masa plotësuese e pezullimit të lejes së drejtimit për 1 (një) muaj dhe heqja e pikëve sipas përcaktimeve të akteve nënligjore në fuqi;

d) pas përfundimit të periudhës së provës prej 24 (njëzet e katër) muajsh pa shkelje, kufizimet hiqen automatikisht. Për drejtuesit e mjeteve, të cilët gjatë një viti konstatohet se kanë kryer dy shkelje të normave të sjelljes ose të kufizimeve të përcaktuara në këtë pikë, si dhe u janë hequr të paktën 10 (dhjetë) pikë, periudha e kufizimeve zgjatet edhe me 1 (një) vit.”

Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat me motor.

Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kur spektakli kalon vijën e kuqe: Koncerti i Kanye West në Tiranë ngre pikëpyetje të shumta

0

Kanye West, reperi dhe producenti muzikor 48-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara pritet të mbajë një koncert në Tiranë më 11 Korrik, si pjesë e turit të tij të vitit 2026. Ardhja e tij në Tiranë u njoftua nga kryeministri Rama në rrjetet sociale, njoftim i cili e përshkruan eventin si një koncert historik në kryeqytet.

Përtej entuziazmit dhe famës ndërkombëtare të reperit amerikan, njoftimi mbi koncertin e tij në Tiranë ka ngjallur debat për shkak të deklaratave të vazhdueshme antisemitike, mohimin e Holokaustit dhe glorifikimin e Adolf Hitlerit që West ka bërë vazhdimisht.

Disa nga datat e turit të tij në Europë janë anuluar pikërisht prej natyrës së deklaratave, me reagime të forta nga qeveritë e vendeve si Polonia apo Mbretëria e Bashkuar.

Disa prej aktivistëve të të drejtave të njeriut në Shqipëri i thanë BIRN se në kushtet kur disa vende europianë kanë anuluar koncertet e këngëtarit për shkaqet e përmendura më sipër, performanca e tij këtë verë në Tiranë sjell pikëpyetje të mëdha.

“Problemi këtu nuk është thjesht një koncert apo një artist, problemi është mesazhi që jepet kur një vend legjitimon ose promovon figura që kanë normalizuar gjuhën e urrejtjes, antisemitizmin, apo glorifikimin e figurave totalitare, që i kanë shkaktuar dëme të pariparueshme njerëzimit dhe kujtesës kolektive,” tha Isa Myzyraj, gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut.

Sipas Myzyrajt, ky hap tregon se Shqipëria shpesh është e gatshme të kapërcejë çdo parim për efekt spektakli politik dhe për të tërhequr vëmendjen e një audience të re, të lodhur nga politika tradicionale.

“Por kur kjo ‘lojë’ kalon në promovimin e figurave që kanë relativizuar antisemitizmin apo kanë glorifikuar Hitlerin, atëherë kemi të bëjmë me një vijë të kuqe që nuk duhej kaluar,” shtoi Myzyraj.

Edhe Gentian Serjani, jurist dhe aktivist në Tiranë, i tha BIRN se kjo dukej më shumë si një qasje politike e drejtuesve tanë.

Ai shtoi se qëndrimet e Ramës kundrejt liderëve ndërkombëtarë kanë qenë jo konsistente, të karakterizuara nga ndryshime të forta në qëndrimet e tij, si për shembull deklaratat kundër Trump-it dhe më pas një sjellje krejt të ndryshme ndaj tij, madje edhe me vlerësime.

“Në fund, kjo është qasja politike që ka zgjedhur të ndjekë kryeministri ynë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se di do të reagojnë përfaqësuesit e shtetit të Izraelit në vendin tonë”, tha Sejrani, duke shtuar se financimi i koncertit të West si një formë promovimi për vendin ka prevaluar mbi deklaratat antisemitike të këngëtarit.

Edhe aktivisti Myzyraj shtoi se në fakt është e vështirë të kuptohet ky vendim i Shqipërisë për të promovuar një figurë kaq kontroverse si Kanye West, në një moment kur shumë vende dhe organizatorë koncertesh janë distancuar prej tij për shkak të gjuhës antisemitike.

“Për më tepër, kjo krijon një kontraditë të fortë politike për vetë kryeministrin Edi Rama, i cili vetëm pak muaj më parë mbajti një fjalim në Knesset, duke u shfaqur si një mbështetës i fortë i Izraelit dhe i luftës kundër antisemitizmit”, tha Myzyraj.

Sipas aktivistëve, një dilemë të fortë ngre edhe propaganda e disa zyrtarëve të lartë të cilët thonë se Shqipëria do të fitojë miliona euro nga ky aktivitet.

“Në një plan të gjerë ngrihet pyetja se deri ku jemi gati të shkojmë si vend, për të fituar ca para?”, shtoi Myzyraj, duke theksuar se nëse futemi në detaje, pyetjet janë akoma më të shumta, lidhur edhe me paratë që do të përfitojë buxheti i shtetit.

“Pyetjet janë të shumta, përgjigja duket gjithmonë e njëjtë: Kanye West do të vijë në Shqipëri, kaq!”, përfundoi Myzyraj./ BIRN

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Protesta e opozitës para Kryeministrisë, ja rrugët ku do të bllokohet lëvizja

0

Policia e Tiranës ka marrë disa masa për protestën e opozitës ditën e sotme para Kryeministrisë.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse dhe segmente rrugore.

Njoftimi:

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 08.05.2026, në orën 19:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

nga ora 23:45 e datës 07.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Paralajmërimi/ “Hantavirusi mund të jetë dhe në Tiranë”, mjekja tregon simptomat e virusit të ri

0

“Hantavirusi mund të jetë dhe në Tiranë”. Kështu u shpreh mjekja Aurora Meta Dollenberg për shpërthimin e virusit të ri që ka alarmuar botën, në një lidhje me Dita Jonë, për shkak se ky virus gjendet kryesisht te minjtë. Ajo theksoi se virusi nuk transmetohet nga njeriu te njeriu, por përmes kontaktit me urinën, feçet apo ushqimet e kontaminuara nga brejtësit, ndërsa përmendi edhe tipet e këtij virusi në Europë.

“Virusi jeton tek sidomos tek minjtë. Prandaj është dhe më i kapshëm zakonisht në ato zonat siç është Tirana, në zonat e ndotura ku kemi një mungesë higjiene ku minjtë kanë dominim të theksuar. Prandaj dhe hantavirusi ka qenë kryefjala tek anija, e cila ka qenë e izoluar në hambarët e drithërave, ku minjtë kishin marrë kontrollin, arritëm që të kishim një transmetim të virusit nga pështyma nga fekalet ushqimi i pagatuar mirë i cili infektoi të gjithë pasagjerët.

Po ekziston (në Tiranë). Këtu nuk mund ta heqim dot komplet kujdesin sepse hantavirusi është një banor i zakonshëm tek minjtë. Për sa kohë që dhe Tirana në kanalizime ka zona jo mirë të inspektuara kanë minj kemi automatikisht dhe hantavirusin e ashtuquajtur evropian. Dy tipe të caktuar Dobrovan sepse ka në Kroaci dhe në Serbi. Dhe rastin e Pulava, e cila është zbuluar në Gjermani dhe në Europën nordike”, tha ajo në Dita Jonë.

Mjekja theksoi se simptomat janë të ngjashme me gripin si temperaturë, lodhje dhe dhimbje koke. Sipas saj në raste të rralla, virusi mund të shkaktojë insuficiencë renale ose ethe hemorragjike, me gjakderdhje nga hunda, mishrat e dhëmbëve dhe njolla të kuqe në trup.

“Hantavirusi etopian karakterizohet sidomos nga simptomat renale, ethe hemorragjike. Dhe për Europën, OBSH-ja ka nxjerrë udhëzimesh teknike speciale se si ta menaxhojmë Hantavirusin në vendet e Ballkanit dhe në pjesën tjetër evropiane. Vendet si Shqipëria duhet të kenë një qendër të mirë dialize për pacientë, në qoftë se me raste shumë të rralla virusi arrin të kalojë nga miu te njeriu  dhe ky pacient të mos ketë një sistem imunitarr shumë rrallë më pak se 1% e të infektuarve arrijnë të zhvillohen vetë në shtim të veshkave dhe ka nevojë urgjente për dializë. Dhe kemi atë rastin numër dy që të etheve hemorragjike pra gjaku nga hundët, njolla të kuqe në të gjithë trupin tregojnë që dhe mpiksja e gjakut”, tha mjekja.

Në Dita Jonë ajo rekomandoi higjienë të shtuar, gatim të mirë të ushqimeve dhe dezinfektim të ambienteve me prani brejtësish.

“Rëndësi vetëm higjiena, pra larja e duarve, i sipërfaqeve të kuzhinës, sidomos gatimi i mirë sepse hantavirusi nuk është një rrezik për popullatën e gjerë, vetëm për grupe të caktuara që janë për shembull si fermerët, bujqit ose ato magazinat e vjetra ose që janë në kontakt të vazhdueshëm me këto ambiente që kanë mbeturina nuk pastrohen në kohë. Dhe unë jam rritur ashtu në Tiranë dhe Tirana nga një mbimbytje me minj. Kështu që autorizohet një program nga OBSH-ja për zhdukjen e minjve, është masa më e mira parandaluese. Mesazhi për qytetarët është që amvisat të jenë të kujdesshme në ditët e javët në vijim për të gatuar ushqime mbi 70 gradë të cilat dezinfikohen”.

Po pavarësisht kësaj deklarate, ajo hodhi poshtë mundësinë e një pandemie dhe sqaroi se Shqipëria nuk është më e rrezikuar se vendet e tjera europiane.

“Dua të heq çdo lloj frike dhe çdo lloj ndjenje alarmi në lidhje me antavirusin, sepse nuk është diçka e re dhe nuk është një virus i rrezikshëm që ka mundësi të përhapet në popullatë. Është zero mundësia për një pandemi dhe Shqipëria nuk është më shumë e rrezikuar sesa vendet e tjera evropiane”, theksoi ajo.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx