Ballina Blog Faqe 39

Përpasje në orët e vona të natës mes Bardhit dhe Zegjinesë: A u martove Gazo?

0

Debat i tensionuar dhe replika me tone të ashpra janë regjistruar në Kuvendin e Shqipërisë mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi iu drejtua deputetes duke i përmendur dajën e saj, i cili u vu në pranga pas akuzave nga ish-bashkëjetuesja për dhunë dhe plagosjen e babait të saj me mjet prerës (drapër).

Nga ana e saj, deputetja Çaushi kërkoi të replikonte ndaj akuzave, duke iu përgjigjur: “Ti duhet të shohësh hallin tënd gazo, a u martove vetë apo jo?”

Pjesë nga debati:

Bardhi-Çaushit: A t’u martua daja ty? A t’u martua? Mbaj vendin aty se po flas unë. Këtë copën tjetër do ia jap atij. Naftën do ta sjellë një mik tjetër timin dhe do e marrë ai, gazin ai tjetri. Ky është shteti që ke ndërtuar ti. S’ke asnjë lidhje me ligjin.

Peleshi: Këtu mbyllen diskutimet.

Çaushi kërkon replikë.

Peleshi: Përgjigje në orën 01:30 të mëngjesit, të lutem!

Çaushi: Ti duhet të shohësh hallin tënd Gazo, a u martove vetë apo jo? Zgjedhjet në Fier fitohen kur vjen një drejtues politik si puna jote. Të vijë një njeri mjeran si ty, që ha qofte dhe pi xhin, pa shkelur në asnjë derë, jo që fitohen zgjedhjet, por fitohen më bindshëm se kësaj here.

Pagat e magjistratëve/ SPAK nis hetimet, sekuestrohen dokumente dhe merren në pyetje zyrtarë

0

SPAK ka nisur veprimet hetimore për kallëzimin e bërë nga gjyqtarët kundër Ministrit të Financave dhe zyrtarëve të tjerë në lidhje me bllokimin e pagave të magjistratëve.

Pas sekuestrimit të praktikës dokumentare në Ministrinë e Financave, vendimeve të KLP dhe KLGJ dhe vendimit të Kushtetueses, listëpagesave të Prokurorisës së Përgjithshme dhe gjykatave, listëpagesat e anuluara tek MF, gjurmët elektronike të sistemit të thesarit SPAK ka filluar të marrjen në pyetje zyrtarët e përfshirë në procesin e mosekzekutimit të pagave.

Mëngjesin e sotëm në SPAK është paraqitur Elmira Peto, drejtoreshë e Thesarit. Ajo po pyetet në cilësinë e personit në dijeni.

Në kallëzimin e depozituar në SPAK gjyqtarët pretendojnë se zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe degëve të Thesarit kanë konsumuar veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, “pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës” dhe “mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës.

“Nuk mban më ujë pilafi”, Mirela Kumbaro dhe Tërmet Peçi firmosin shkresën për kryetarin e Memaliajt

0

Ministrja Mirela Kumbaro dhe deputeti Tërmet Peçi, njoftojnë se kanë dakordësuar dhe kanë firmosur një shkresë për kryetarin demokrat të Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, si dhe Këshillin Bashkiak të kësaj njësie vendore, duke kërkuar marrjen e masave për banorët e disa fshatrave.

Dy drejtuesit e lartë të qarkut të jugut, thonë se janë të shqetësuar për fatin e banorëve të disa fshatrave, sepse gjatë vitit 2026 rrugët e tyre kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga shirat, dhe nuk është marrë asnjë masë për t’i paraprirë përmirësimit të situatës.

“Banorët e njësive Memaliaj Fshat, Luftinjë e Buz kanë nevojë për mbështetjen, jo fjalët tona”, shprehet ministrja Mirela Kumbaro.

Bashkë me Tërmet Peçin, ajo thotë se të gjitha strukturat e qarkut duhet të veprojnë tani, që reshjet dhe moti i keq i vjeshtës 2027 të mos bëhen shkak për dëme e pasoja që lidhen me jetën dhe pronën e banorët të fshatrave.

“Nga Kuvendi, bashkë me deputetin e qarkut të Gjirokastrës Tërmet Peçi, sot i drejtuam një letër kryetarit të Bashkisë Memaliaj mbi një shqetësim që na shoqëron prej më shumë se një viti ne si përfaqësues të politikës dhe rrezikon banesat, pronat dhe sigurinë e shumë familjeve në disa prej fshatrave të njësive administrative”, shprehen ata.

https://www.facebook.com/watch/?v=1762389514994543

Miratohet me 84 vota ligji i maxhorancës që rrit me 2% rrogat e magjistratëve

0

Kuvendi miratoi në orën 01:30 të 18 shtatorit ligjin e maxhorancës për pagat e gjyqtarëve.

Ligji u miratua me 84 vota pro dhe 24 vota kundër, pas një debati që vijoi në Kuvend edhe pas mesnate.

Ndërkohë para votimit u debatua deri në orët e para të mëngjesit.

Debati në Kuvend për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka vijuar edhe pas mesnate, ndërsa kryeministri Edi Rama ndërhyri disa herë gjatë diskutimeve.

Kreu i qeverisë tha se do të japë qëndrimin e tij për çështjen pasi të dëgjojë të gjithë deputetët që po marrin fjalën në seancë.

“Për sa i përket pastaj çështjes në fjalë, unë do të flas, patjetër që do të flas dhe do të flas kur të dëshiroj unë, jo kur vendosni ju. Por do të flas, këtu jam për të folur. Por po dëgjoj një herë të gjitha mendjet e ndritura të mendimit juridik të Parlamentit, pastaj do të them dhe unë ato që mendoj si një piktor i rëndomtë”, tha Rama.

Gjatë debatit, kryeministri u përfshi edhe në replika për çështjen e arbitrazhit, duke sqaruar deklaratën e tij të mëparshme se subjekti që fitoi çështjen do të marrë “zero lek” nga shteti shqiptar: “Meqë më doli emri për një saktësim, juve thatë që unë paskam thënë që nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Unë nuk kam thënë nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, kam thënë që ai subjekti që e fitoi atë çështje do marri zero lek nga shteti shqiptar”, deklaroi Rama.

Ai vijoi duke thënë: “Dhe pavarësisht se partia juaj u angazhua fuqimisht që t’u thoshte shqiptarëve se ai në ndërkohë mori 100 milionë euro, unë dua t’ju informoj që, jo vetëm deri në momentin që ne po flasim, ai ka marrë zero lek nga shteti shqiptar, por ndërkohë, si shumë të tjerë, që kur kapen mbas Shqipërisë padrejtësisht pastaj për një arsye ose një tjetër nuk i shkon mbarë jeta, ai sot që flasim, subjekti në fjalë, së bashku me një apo dy arbitrit përkatës do të përballen me drejtësinë.”

Sipas Ramës, paratë e mbajtura të ngrira do të kthehen në arkën e shtetit shqiptar.

“Të jesh i sigurt që më herët sesa vonë, të gjitha lekët, që të gjitha ato që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol-it, do kthehen në arkën e shtetit shqiptar”, tha ai.

Kryeministri përsëriti se nuk kishte deklaruar se nuk njihte vendimin e arbitrazhit.

“Unë nuk kam thënë, nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, unë kam thënë që koha kur lloj-lloj kriminelësh dhe lloj-lloj legenësh mund t’ia merrnin Shqipërisë çfarë të donin ka ikur dhe ai do marri zero lek nga shteti shqiptar. Këtë kam thënë unë!”

“Zero lek do marri nga shteti shqiptar dhe natyrisht jo me forcë, por nëpërmjet rrugës ligjore. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore, jemi në disa procese me subjektin në fjalë”, shtoi Rama.

Ai deklaroi se për subjektin në fjalë ka procese administrative dhe civile, si dhe një proces penal jashtë Shqipërisë : “Për subjektin në fjalë, ka jo vetëm procese administrative civile, por dhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë. Edhe në Republikën e Shqipërisë SPAK ka hapur procesin”, tha Rama.

Rama tha se vendimi nuk është ekzekutuar dhe se qeveria e ka kontestuar atë.

“E vërteta është që ai vendim nuk është ekzekutuar, i dashur jurist i panjohur. Sepse ne jemi në disa procese, e kemi kontestuar në rrugët që kemi gjetur dhe deri tani subjekti, jo vetëm nuk ka marrë asnjë kokërr leku dhe nuk ka parë të marrë asnjë kokërr leku, por ka hyrë në një telash shumë të madh me Republikën e Shqipërisë, sepse nga një kundërshtar në arbitrazh është subjekt i të drejtës penale, qoftë këtu, qoftë dhe jashtë.”

Për fondet e Albcontrol-it, Rama deklaroi: “Paratë e bllokuara të Albcontrol janë në një fond të ngrirë dhe do të preken vetëm kur të mbarojë sqarimi i çështjes. Dhe në ndërkohë, po ju përsëris që vetë SPAK ka hyrë aktivisht në këtë çështje.”

Në ndërhyrjen e tij të tretë, Rama këmbënguli sërish se paratë nuk janë marrë.

“Ndërkohë që unë jam këtu prezent me zërin tim, unë thashë që ai ka marrë dhe ka për të marrë zero lek, nuk thashë, sepse nuk ka ndodhur, se po të ndodhte kjo, do të ishte në librat e llogarive të shtetit shqiptar, që ai ka marrë dhe do t’ia marrim mbrapsht. Unë thashë që ai ka marrë zero lek.”

Sipas kryeministrit, fondi vijon të jetë i ngrirë deri në përfundimin e procesit.

“Fondi është një fond i ngrirë deri në fund të procesit, pikërisht sepse ndryshe nga çfarë mendoi ai, që u kthye në heroi i këtyre këtu, që nuk lënë plehrë pa e kthyer në hero për të sulmuar me çdo kush dhe me çdo kusht dhe me çmimin e përbaltjes së Shqipërisë, palën tonë, ndërkohë që sot, pikërisht çështja e arbitrazhit nuk u mbyll ashtu sikundër ëndërronte ai subjekt, ne jemi në disa procese dhe zero lek janë marrë, zero lek do të merren.”

“Kjo është e vërteta”, përfundoi Rama në këtë pjesë të replikave, ndërsa debati në Kuvend për çështjen e pagave të magjistratëve vijoi edhe pas mesnate.

Gjykata ndërkombëtare bllokon qeverinë Rama/ Pse nuk ndërhyn SPAK për aeroportin e Vlorës

0

Një arbitër ndërkombëtar në Londër bëri për Aeroportin e Vlorës atë që drejtësia e përgjumur shqiptare nuk guxon dot ta bëjë prej muajsh: ka ngrirë konfliktin mes kompanive private dhe qeverisë para se gjoba me vlerë qindra milionë euro të kthehej në fakt të kryer dhe fatura t’i mbetej buxhetit të shtetit.

Më 16 shtator, Arbitri i Emergjencës i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), Cecilia Carrara, nxori një urdhër paraprak në çështjen e hapur nga MABCO Constructions kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

MABCO, kompania zvicerane e grupit Mabetex, zotëron 98% të Vlora International Airport, ndërsa 2A Group 2%.

Urdhri ndalon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të ndërmarrë veprime të tjera lidhur me përfundimin e kontratës që mund ta përkeqësojnë konfliktin ose ta bëjnë të pavlefshme procedurën.

MABCO iu drejtua ICC-së më 7 shtator, pasi Ministria kishte njoftuar prishjen e kontratës së koncesionit. Sipas dokumentit të arbitrazhit, prishja do të bëhej efektive më 17 shtator, vetëm një ditë pas nxjerrjes së urdhrit. Ky afat shpjegon edhe urgjencën e procedurave.

Pas hyrjes në fuqi të prishjes së kontratës, ministria mund të ndërhynte në projekt, të merrte në posedim ose nën kontroll operacional kantierin, asetet dhe punimet, të kërkonte dorëzimin e pasurive dhe të zgjidhte një operator që do të zëvendësonte koncesionarin ekzistues.

MABCO argumentoi se, nëse kjo ndodhte, procedura emergjente humbiste kuptimin. Në Londër do të vazhdonte shqyrtimi i prishjes së kontratës, ndërsa në Vlorë qeveria mund ta kishte marrë aeroportin dhe mund të kishte vendosur një operator tjetër.

Arbitri e pranoi se ekzistonte rreziku që qeveria të merrte kontrollin e pronave apo të zëvendësonte VIA-n me një operator pasardhës.

Në dosje kishte edhe materiale të paraqitura nga MABCO që arbitri i përshkroi si “disa prova që sugjerojnë se MIE mund të jetë duke shqyrtuar emërimin e një operatori pasardhës”.

Në pikën 38 urdhërohet ministria të mos ndërmarrë veprime lidhur me përfundimin e koncesionit që ndryshe nënkupton se qeveria nuk mund ta kthejë prishjen e kontratës në një fakt të kryer ndërsa arbitri po shqyrton nëse duhet ta ndalojë atë.

Ndërhyrja e gjykatës në Londër ndryshon rrjedhën e konfliktit. Pa të, skenari ishte që qeveria të prishte kontratën, të merrte aeroportin, të largonte koncesionarin dhe eventualisht të vendoste një operator tjetër. MABCO do të vazhdonte më pas betejën në arbitrazh, këtë herë jo vetëm për kontrollin e aeroportit, por edhe për dëmin që pretendon se i është shkaktuar nga shteti shqiptar.

Pretendimet e MABCO-s për ekspozimin financiar të Shqipërisë kanë shkuar në qindra milionë euro, me një dëm potencial të pretenduar deri në 500-700 milionë euro, por rreziku financiar do të diskutohet në një konflikt arbitrar në themel. Kështu, masa që mbron sot interesin e një kompanie private mbron edhe një interes publik.

Kontrasti me atë që ndodhi prej muajsh brenda Shqipërisë është i dukshëm.

Konflikti i Aeroportit të Vlorës vazhdon prej muajsh. Nisi për kontrollin e Vlora International Airport, vazhdoi me vendime gjykatash që prekën të drejtat e aksionerit me 98%, bllokim të kantierit, ndërhyrje institucionale dhe më pas procedurën e Ministrisë për prishjen e koncesionit.

Në dosjet hetimore të SPAK në lidhje me lotet e Unazës së re në Tiranë dolën komunikime mes personave që lidhen me këtë histori. SPAK ka administruar në hetimet e tij materiale që përfshijnë Arbër Abazin dhe Belinda Ballukun, ndërsa lidhjet e Abazit me Valon Ademin dhe rolet e personave të përfshirë në VIA janë elemente që kërkojnë verifikim për të përcaktuar nëse konflikti ishte pasojë e interesave korruptive.

Këto janë materiale që SPAK i ka në dosje, por që duhet t’i hetojë nëse materialet që disponon krijojnë dyshime për vepra penale. Nëse nga hetimi rezulton se veprime të caktuara mund të jenë produkt i një vepre penale, vazhdimi i tyre mund të prodhojë pasoja qindra miliona euro dëmë për qytetarët shqiptarë.

Prokurori Klodian Braho dhe SPAK duhet të sqarojnë çfarë materialesh kanë për Aeroportin e Vlorës, çfarë tregojnë ato dhe nëse krijonin bazë për të ndërhyrë para se konflikti të arrinte në pikën ku shteti shqiptar rrezikonte një tjetër betejë ndërkombëtare.

Nëse paratë ikin, atëherë drejtësia për aeroportin e Vlorës do t’i kushtojë shumë qytetarëve shqiptarë. Shqipëria e provoi këtë me inceneratorët, ku hetimet ngritën akuza dhe çuan personat përgjegjës para gjykatës, por ndërkohë kontratat ishin lidhur dhe paratë e buxhetit ishin paguar.

Në Vlorë ka ende kohë që historia të mos përfundojë njësoj Mbetet të shihet nëse SPAK do të hetojë atë që ka ndodhur përpara se dëmi të prodhohet, apo do të mbërrijë përsëri me vonesë kur dëmi të jetë bërë./Lapsi.al

Ende asnjë gjurmë për Alket Rizain në Greqi, autoritetet dyshojnë se mund të ketë hyrë në Shqipëri

0

Shqiptari Alket Rizai vazhdon të jetë ende i zhdukur dhe nuk është kthyer më në burgun e Domokos në Greqi, nga ku kishte marrë një leje që skadonte të hënën në mëngjes. 

I dënuari u përfshi në një incident me të shtëna armësh pranë një beach bar-i në Anavisos, në orët e para të së dielës. Autoritetet po përpiqen të gjejnë e Rizait, por deri më tani kërkimet kanë qenë pa rezultat.

Në të njëjtën kohë, ndërsa ditët kalojnë, skenari se ai mund të ketë lëvizur në Shqipëri, po forcohet. Informacioni që ka mbërritur në Policinë Helenike raporton se gjurma e fundit e Rizait ndodhet në Greqinë Veriore, nga ku ai ndoshta do të kishte kaluar në Shqipëri në mënyrë të paligjshme.

Alket Rizai, në orët e para të së dielës gjatë incidentit jashtë barit të plazhit, qëlloi me armë në ajër. Dosja e çështjes së ngritur kundër tij përfshin, ndër të tjera, veprën penale të posedimit të rëndë të një arme dhe përdorimit të një arme.

Në pesë vitet e fundit, në fund të fundit, ai kishte marrë 16 leje.

Revolta në Prishtinë, kënaqësi në Beograd/ Si u prit dënimi me burg për ish-krerët e UÇK-së

0

Vendimi i Gjykatës Speciale për të dënuar me gjithsej 81 vite burg katër ish-drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shkaktoi hidhërim në Kosovë, por u shoqërua me entuziasëm Serbi. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian zgjodhën të mbështesin procesin gjyqësor dhe të bëjnë thirrje për respektimin e vendimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Gjykata i shpalli fajtorë për katër akuza për krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Por ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues vlerësoi se Prokuroria nuk provoi përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.

Përpara se vendimi të prodhonte reagimet politike, tensionet e para u shfaqën në Hagë.

Jashtë godinës së Dhomave të Specializuara ishin mbledhur shqiptarë dhe mbështetës të UÇK-së, shumë prej të cilëve kishin shkuar me pritshmërinë se procesi do të përfundonte me lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Flamujt shqiptarë dhe të UÇK-së dhe thirrjet “UÇK” shoqëruan pritjen e vendimit.

Por pas shpalljes së dënimeve atmosfera ndryshoi katërcipërisht. Mes protestuesve dhe policisë holandeze pati përplasje, ndërsa unifromat blu u detyruan të përdorin ujë me presion për të larguar protestuesit nga zona përreth gjykatës. Situata më pas u vu nën kontroll. 

Pamjet nga Haga ishin në një farë mënyre zgjatim i asaj që po ndodhte në Prishtinë. Mijëra qytetarë ndoqën vendimin në ekrane të mëdha dhe reaguan me fishkëllima e thirrje në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së. Në shenjë irrimit një grup protestuesish goditi me gurë ndërtesën e EULEX-it në Prishtinë, përpara se të marshonte drejt godinës së qeverisë.

Kurti: “Padrejtësi e papranueshme”

Reagimi politik në Kosovë erdhi menjëherë nga kryeministri Albin Kurti, i cili vuri në diskutim edhe mënyrën se si është ndërtuar vetë mekanizmi i drejtësisë speciale.

“Dënimi dhe një masë kaq e rëndë dënimi për katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është një padrejtësi e papranueshme, një dënim i madh dhe i dëmshëm”, deklaroi Kurti.

Kurti gjithsesi la të kuptohet që mënyra e vetme për ta kundërshtuar dënimin është ndjekja e rrugëve ligjore në Apel.

“Ky aktgjykim patjetër duhet të ndryshohet dhe korrigjohet në shkallën e Apelit dhe sa më parë” u shpreh Kurti.

Kryeministri i Kosovës u ndal edhe te një element me rëndësi i vendimit sipas të cilit katër ish-drejtuesit e UÇK-së nuk u dënuan për krime kundër njerëzimit. Sipas tij, vendimi rrëzoi pretendimin më të rëndë se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile.

Kurti e zgjeroi më pas argumentin duke sulmuar karakterin, sipas tij, selektiv të Dhomave të Specializuara.

“Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike”, deklaroi Kurti.

SHBA: Respektojmë vendimin

Në kontrast me reagimin e Prishtinës, Departamenti Amerikan i Shtetit mbajti një qëndrim institucional në mbështetje të procesit gjyqësor.

Një zëdhënës i DASH i tha Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara “respektojnë vendimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Mesazhi amerikan shkoi më tej duke u kërkuar palëve të shmangin përshkallëzimin pas vendimit:

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike.”

Qëndrimi amerikan qe institucional: njohje e vendimit të gjykatës dhe kërkesë që kundërshtimi ndaj tij të vazhdojë përmes procedurave juridike, jo përmes tensioneve politike apo në rrugë.

BE: Gjykata duhet të vazhdojë punën pa ndërhyrje

Një linjë të ngjashme mbajti Bashkimi Europian. Në reagimin e dhënë pas vendimit, një zëdhënës i BE-së deklaroi:

“Dhomat e Specializuara të Kosovës administrojnë drejtësinë përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale.”

Brukseli kujtoi njëkohësisht se vendimi nuk është përfundimtar dhe se të dënuarit kanë të drejtën e ankimit përpara një paneli të pavarur të Apelit. Por mesazhi politik i BE-së ishte i drejtpërdrejtë:

“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve, në Kosovë dhe në rajon, të tregojnë vetëpërmbajtje.”

Brukseli theksoi gjithashtu se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të lejohen të përmbushin mandatin e tyre “pa ndërhyrje”, veçanërisht në interes të viktimave. Ashtu siç pritej pozicioni i BE-së është se përgjegjësia e shqyrtuar në Hagë është individuale. Një përgjigje direkte për debatin që shpërtheu menjëherë pas vendimit, pasi gjykata nuk shpalli UÇK-në organizatë kriminale dhe nuk gjykoi karakterin e luftës së saj.

Rama, jo më shumë se një fjalë: “MARRE”

Shumë më i shkurtër ishte kryeministri shqiptar Edi Rama. Pas shpalljes së dënimeve, Rama publikoi vetëm një fjalë: “MARRE”

I shkruar me shkronja të mëdha, reagimi i Ramës nuk guxon të shkojë në një përplasje me ndërkombëtarë, për më tepër që Rama ka kontributin e tij në krijimin e gjykatës speciale në Kosovë. 

Në Serbi, Vuçiç shfrytëzon momentin për kapital politik

Në Beograd, reagimi ishte diametralisht i kundërt me atë në Prishtinë dhe Tiranë. Ministri në largim i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, e përshëndeti vendimin dhe pretendoi se dënimet përbënin:

“Konfirmim se UÇK-ja ishte një organizatë kriminale dhe terroriste” e quajti Ivica Daçiç vendimin e gjykatës së Hagës.

Gjithsesi presidenti serb Aleksandar Vuçiç do t’i drejtohet publikut në orën 18:30 lidhur me vendimin e dhënë ndaj udhëheqësve të të ashtuquajturës UÇK dhe situatën në rajon. 

Më herët, më 4 shtator ai pretendoi se kishte marrë informacion “përmes kanaleve të inteligjencës” se Thaçi do të lirohej nga akuzat që lidheshin me krimet ndaj serbëve dhe se mund të merrte një dënim që mbulohej nga koha e kaluar në paraburgim. Kështu, i njëjti vendim prodhoi dy lexime pothuajse të papajtueshme në dy anët e kufirit.

Lajmi për dënimin e Thaçit në mediat e mëdha të globit

Vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit mori një hapësirë të konsiderueshme në mediat kryesore ndërkombëtare, por raportimi ishte kryesisht juridik dhe faktik, jo një gjykim mbi UÇK-në apo luftën për pavarësi. Reuters e vendosi theksin te përmasat e krimeve për të cilat gjykata i shpalli fajtorë: vrasjen e 96 personave, ndalimin e paligjshëm të 385 vetave, torturimin e 303 të ndaluarve dhe trajtimin mizor të 49 të tjerëve. Agjencia e përshkroi Thaçin si ish-komandantin kryesor të UÇK-së dhe nënvizoi se viktimat përfshinin kundërshtarë politikë dhe persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të forcave serbe. Por Reuters evidentoi gjithashtu se gjykata rrëzoi një pjesë të akuzave, pasi Prokuroria nuk provoi ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj civilëve.

Associated Press bëri një dallim edhe më të qartë mes dënimit të katër drejtuesve dhe historisë së UÇK-së. AP kujtoi se Thaçi mbetet për shumë shqiptarë të Kosovës një figurë e luftës për pavarësi dhe një ish-aleat i Perëndimit, ndërsa vendimi shkaktoi protesta dhe zemërim në Kosovë. Por elementi më domethënës i raportimit ishte sqarimi se procesi nuk ishte një gjykim i UÇK-së: gjykata theksoi se po shqyrtonte përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe jo legjitimitetin e UÇK-së apo të luftës së Kosovës për pavarësi. Kjo është edhe arsyeja pse narrativa se Haga “dënoi UÇK-në” nuk përputhet me atë që vendosi juridikisht trupi gjykues. AP evidentoi gjithashtu reagimin e Amnesty International, e cila e përshëndeti vendimin si një sinjal se edhe zyrtarët e nivelit më të lartë mund të mbajnë përgjegjësi për krime lufte.

Edhe The Guardian e trajtoi vendimin si një nga zhvillimet kryesore europiane të ditës, duke e vendosur përplasjen mes dy realiteteve në qendër të raportimit: nga njëra anë, gjykata që e shpalli Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij përgjegjës për ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor dhe vrasje; nga ana tjetër, zemërimi në Kosovë, ku ata vazhdojnë të konsiderohen nga shumë qytetarë heronj të luftës. Gazeta britanike evidentoi se gjykata i lidhi krimet me eliminimin e kundërshtarëve të perceptuar të UÇK-së, por njëkohësisht nënvizoi se gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit u rrëzuan, pasi nuk u provua standardi i një sulmi të gjerë ose sistematik kundër civilëve./Lapsi.al

Berisha-socialistëve: Edi Rama është kryepisi, si minj do ju marrë me vete në anijen që po mbytet

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit iu drejtua socialsitëve duke i thënë se “jeni bërë ushtarë të Padronit dhe Ron Yeffet-it, duke i thënë para kompanisë KAYO”, që Berisha thotë se është e Edi Ramës.

Lideri i opozitës ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si janë përdorur fondet publike dhe akuzoi qeverinë për favorizim të interesave private.

Sali Berisha iu drejtua socialisteve qe te mos heshtin përballë këtyre padrejtësive qe po u behen shqiptarëve, ndërsa i paralajmëroi ata “Rama do t’ju marre me vete ne anijen qe po mbytet çdo ditë”.

“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të protestuesve të ndaluar dhe ndëshkimin e atyre që përdoren dhunën ndaj tyre. Ju kërkoni të mbijetoni me dhunë policore. Ju jeni bërë figurat më të urryera në historinë e kombit shqiptar. Ju mendoni se jeni të qetë, por ju them unë ju; Ai padrionoja juaj zvarritet çdo ditë zvarrë nga ata protestues dhe hiqni dorë nga mbrojtja e tij, sepse si minj do ju marrë me vetë në anijen e tij që po mbytet cdo ditë.

E paimagjinueshme, skandali në të cilën dalin Rama, Lubia, Nufi..a e kuptoni ca u bëni shqiptarëve ju?! U jepni para kompanisë së Edi Ramës. Blen automjetet dhe shteti ia blen ato automjete qe blen me paratë tona. A ka akt më të shëmtuar se ky?! A ka vjedhje me flagrante se kjo?! A keni ju interesin më të vogël njerëzor, apo  jeni ushtarë të Yeffet dhe padrinos?

Si mundet të heshtni para këtij fakti, kontrabandë e legjitimuar. Do bëjë punë të pista të kujt? Të kryepisit, nëse qeveria porosit punë të pista, kryepisi është ai që porosit dhe është kryeministri. Si ka mundësi ta ndiqni ju këtë?!”, tha Berisha.

Tensione në protestë, goditen me vezë efektivët, shoqërohen disa persona

0

Përplasje janë shënuar sërish mes protestuesve dhe policisë, ndërkohë që mbahet seanca plenare e Kuvendit.

Burime bëjnë me dije se disa protestues janë shoqëruar nga uniformat blu. Një grup protestuesish të cilët erdhën nga zona e Ministrisë së Brendshme goditën me vezë efektivët.

Tanimë turma ka nisur të zhvendoset në drejtim të xhamisë. 

1600 forca policore janë angazhuar sot në terren për mbarëvajtjen e protestës dhe punimeve normale të Kuvendit. 

Në të gjitha rrugët hyrëse drejt godinës së Parlamentit është vendosur gardh metalik dhe ka kordon policor. 

Redi Muçi e uroi për look-un e ri, shpërthen Zegjine Çaushi: O psikopat, na hape barkun

0

Deputeti i Lëvizja Bashkë, Redi Muci, ka ironizuar ndryshimet në look-un e deputetes së PS Zegjine Çaushi.

Në fjalë e tij në Kuvend, Muçi ka ironizuar deputetët socialistë që sipas tij kishin një plan të mirëmenduar për t’u shpëtuar vezëve që pritej të hidheshin nga protestuesit, ndërsa për Çaushin tha: Urime Zegjinesë për look-un e ri.

Ndërkohë reagimi i deputetes socialiste ka qenë: “Ulu mo ulu, se na hape barkun, psikopat!”.

Redi Muçi: E nis me një urim për sesionin e ri, uroj të jetë më i shkurtri në histori dhe të jetë i fundit i kësaj qeverie dhe partie të deligjitimuar që ka uzurpuar shtetin shqiptar. Nisëm me rrethimin e godinës nga policia, të cilët shumë shpejt do arrestojnë edhe protestuesit, me deputetë që kishin një plan që t’i shmangin vezëve. Urime kolegë që iu shmangët vezëve, urime Zegjinesë për look-un e ri. Janë 110 ditë që kanë kalitur shqiptarët me vullnetin për një Shqipëri të re që nuk ka në kkupolën drejtuese hajdutë që në dosjet e SPAk u dalin cilat 1 nga 1 të arreduar sipas modës së fundit dhe ju votoni që të mos u hiqet imuniteti. Nuk mund të jeni edhe anëtarë të një organizate mafioze e të mërziteni pse ju quajnë mafiozë. Meqë menduar se protestat do të zbehen nga Besa, dije se për mllefin e popullit ka vetëm një ilaç, është dorëheqja.

Peleshi: Ju tërheq vëmendjen për gjuhë të papërshtatshme dhe seksiste.