Ballina Blog Faqe 40

Kryemadhi përballet me protestuesit jashtë GJKKO: Strukturohuni, se nuk keni gjë në vijë!

0

Monika Kryemadhi është përballur me protestuesit pas daljes nga GJKKO.

Një grup protestuesish, ishin mbledhur para gjykatës, ku kërkonin lirimin e qytetarëve të arrestuar pak ditë më parë.

Kryemadhi, iu është bashkuar dhe ka dëgjuar shqetësimet e tyre, ku edhe u ka dhënë atyre këshilla për vijimin e aksionit të tyre.

“Strukturohuni se ndryshe nuk keni gjë në vijë”, u ka thënë Kryemadhi, teksa shton se “kam eksperiencë unë në këtë fushë”.

Por teksa është përballur edhe me kundërshti nga protestuesit, Kryemadhi ka thënë: “Mua nuk më ka votuar populli, më ka votuar shoqëria ime. Edi Ramën e ka votuar populli”.

Kuvendi mblidhet në seancë plenare. Qytetarët protestojnë, forca të shumta sigurie rrethojnë godinën

0

Kuvendi është mbledhur këtë të enjte në seancë plenare, ndërsa në afërsi të godinës janë grumbulluar protestues.

Pak para nisjes së seancës, protestuesit mbajnë në duar flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të UÇK-së, një ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Ndërkohë, forca të shumta policore kanë rrethuar godinën e Kuvendit. Gazetari Igli Çelmeta raporton për A2CNN se në total rreth 1600 forca policore janë angazhuar në terren.

Policia ka mbyllur me gardh metalik edhe trotuarin ku kalojnë qytetarët që nuk janë pjesë e protestës. Kjo ka sjellë debate mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë, me kërkesën që të lejohet lëvizja e lirë në trotuar.

Deputetët e PD-së me stemën e UÇK-së në veshje, gjest solidariteti pas vendimit të Hagës

0

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka shkuar këtë të enjte në sallën e Kuvendit, duke u spikatur me një gjest simbolik.

Në shenjë solidariteti me vendimin e marrë një ditë më parë në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deputetët e opozitës kanë zgjedhur të mbajnë të vendosur stemën e UÇK-së në veshjet e tyre gjatë seancës plenare.

Konferenca e Kryetarëve, PS rrëzon kërkesën e PD për Komision Hetimor për KAYO

0

Mazhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e PD për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë shtetërore “KAYO”.

Kërkesa e opozitës është diskutuar në Konferencën e Kryetareve, pas pretendimeve të ngritur nga PD lidhur me aktivitetin e kompanisë, kjo edhe pas publikimit të audiopërgjimeve nga ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se kompania KAYO ka shpenzuar rreth 34 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe kërkoi transparencë mbi mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve, kontratat dhe aktivitetin e kompanisë.

“Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kështu na thatë edhe për inceneratorët, por doli që paratë digjeshin në shesh. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit. Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentatat? Për këtë arsye duhet komisioni hetimor, sepse ai i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet informacion.

Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yefet? Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës? Si përfiton ky njeri në vetëm 6 muaj 34 milionë euro? Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë. Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit”, tha Bardhi.

Nga mazhoranca, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla argumentoi se kërkesa nuk plotëson kriteret për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

Sipas arsyetimit të paraqitur, objekti i kërkesës është tepër i gjerë dhe përfshin çështje të ndryshme, pa përcaktuar në mënyrë të qartë faktet konkrete, veprimet apo mosveprimet që duhet të hetohen.

Tensione pranë selisë së EULEX-it, hidhen lëndë plasëse

0

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur pranë ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, në zonën industriale në Prishtinë, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjatë protestës së zhvilluar para selisë EULEX, situata është tensionuar teksa të pranishmit po hedhin lëndë plasëse brenda objektit. Po ashtu, qytetarët e revoltuar kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së EULEX-it, ndërsa në vend janë të pranishme njësi të Policisë së Kosovës.

Protestat dhe tensionet kanë ardhur pasi Gjykata Speciale në Hagë dënoi me 81 vite burg 4-sh-krerët e UÇK-së.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Shqiptarët e Kosovës u mblodhën me shpresën për të festuar lirimin e tyre dhe më pas u kthye në marshim dhe tensione.

Kush është Charles Smith, amerikani që dënoi me 81 vjet burgim ish krerët e UÇK-së

0

Charles L. Smith III është gjyqtari amerikan që kryesoi trupin gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe lexoi aktgjykimin e shqiptuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Smith, shtetas i Amerikës, është emëruar gjyqtar në Dhomat e Specializuara më 7 shkurt 2017. Përveç drejtimit të panelit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ai është edhe nënkryetar i kësaj gjykate që nga 29 prilli 2020.

Karriera e tij në Kosovë kishte nisur vite para krijimit të Dhomave të Specializuara. Nga viti 2010 deri më 2013, ai shërbeu si gjyqtar i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX.

Në kuadër të këtij mandati, Smith ishte anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës nga viti 2011 deri më 2013. Gjatë kësaj periudhe u zgjodh fillimisht nënkryetar, e më pas kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, thuhet ne biografinë e tij, të shfaqur në uebfaqen e Dhomave të Specializuara..

Para angazhimit në Kosovë, ai kishte një karrierë të gjatë në sistemin amerikan të drejtësisë. Në vitin 1990 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Distriktin e Katërt Gjyqësor të shtetit Iowa,

Nga viti 1996 deri më 2010, Smith shërbeu si kryegjyqtar në këtë distrikt dhe ishte njëkohësisht anëtar i Këshillit Gjyqësor të Iowas.

Përpara emërimit si gjyqtar, nga viti 1970 deri më 1989, ai ushtroi profesionin e avokatit privat. Veprimtaria e tij përfshinte çështje civile dhe penale, si dhe raste që lidheshin me biznesin, tatimet dhe trashëgiminë.

Smith përfundoi studimet për drejtësi në Universitetin Creighton në Shtetet e Bashkuara, ku mori gradën “Juris Doctor” në vitin 1970. Po atë vit u pranua në Odën e Avokatëve të Nebraskës, ndërsa më 1971 në atë të Iowas, që është njëra nga shtetet më miqësore amerikane me Kosovën.

Prej vitit 2014 ai ka punuar edhe si ndërmjetësues dhe arbitër.

Në Dhomat e Specializuara, Smith ka kryesuar gjithashtu trupin gjykues në çështjen ndaj ish-drejtuesve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Krahas funksionit të nënkryetarit të gjykatës, ai ushtron edhe detyrën e gjyqtarit të lartë për ankesat e personelit./KosovaPress

Vendimi për liderët e UÇK-së, reagon politika shqiptare/ Rama: Marre! Berisha: I padrejtë dhe i pamerituar!

0

Gjykata në Hagë ka shpallur fajtorë 4 krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, dhe i kanë dënuar në total me 81 vite burgim.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar secili me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Pas këtij vendimi kanë ardhur edhe reagimet e para të politikës shqiptare. Edi Rama ka zgjedhur ta komentojë vetëm me një fjalë vendimin e dhënë: Marrë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dënoi vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit”, tha Berisha.

“Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës. Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta. Por asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”.

Ndërkohë Presidenti Bajram Begaj, shprehu “trishtim të thellë” për vendimin e sotëm, ndërsa vlerësoi vendosmërinë për apelimin e aktgjykimit.

“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm.

Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie. Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në!

Liria ka emër”, shkruan Begaj.

Reuters: Vendimi për ish-krerët e UÇK-së u ndoq nga afër edhe në Serbi

0

Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi në total me 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, ka marrë jehonë ndërkombëtare. Reuters shkruan se ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm nga gjykata e krimeve të luftës e Kosovës. 

Thaçi u dënua me 25 vjet burg për krime të kryera si komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë ndarjes së dhunshme të territorit nga Serbia në vitet 1990. Gjykata tha se ai ishte fajtor për vrasjen e 96 kundërshtarëve politikë dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar me forcat serbe të sigurisë nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë konfliktit. 

Reuters shkruan se vendimi u ndoq nga afër në Kosovë dhe Serbi, ku trashëgimia e konfliktit të viteve 1998-99 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 mbeten një burim tensioni midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Në Prishtinë, mijëra njerëz që po e shikonin vendimin në një ekran të madh e fishkëllyen vendimin dhe brohoritën “Thaçi, Thaçi”, ndërsa disa shpërthyen në lot.

“Ky vendim është i turpshëm. Nga sot, nuk do të ketë paqe në Kosovë”, tha Raif Pllana, një ish-luftëtar i UÇK-së i cili doli në mbështetje të Thaçit në qendër të Prishtinës. Policia tha se ishin bërë përgatitje me forcat paqeruajtëse të huaja në rast se protestat do të bëheshin të dhunshme. Shtetet e Bashkuara i këshilluan qytetarët të shmangnin turmat.

Rritja e ndjeshme e çmimit të karburanteve, ringrihet sërish Bordi i Transparencës

0

Qeveria ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila tha se vendimi lidhet me një mekanizëm të përcaktuar më herët për reduktimin e akcizës në rast se çmimi i karburanteve kalon këtë nivel.

“Sot morëm një vendim që e kemi diskutuar prej disa kohësh për riaktivimin e Bordit të Transparencës për çmimin e karburanteve. Duke qene se çmimi më shumë se dy javësh qëndron 222 lekë për litër dhe duke qenë se kemi marrë një vendim paraprakisht ku sa herë që çmimi të kalojë 220 lekë në do të aktivizojmë një mekanizëm për reduktimin e akcizës, atëherë mekanizimi i vetëm përmes ne të cilën ne mund të aktivizonim reduktimin e akcizës ishte ringritje bordit”, tha Ibrahimaj, e cila theksoi se nuk ka një afat sa do të zgjasë, por theksoi se do të monitorojnë tregun.

Haga dënon me 81 vite burg në total 4 ish-krerët e UÇK,  lot dhe trishtim në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë

0

Qindra qytetarë u mblodhën sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të ndjekur drejtpërdrejt shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Pas shpalljes së dënimeve, në shesh janë parë qytetarë të përlotur dhe të trishtuar, ndërsa tek të pranishmit është krijuar një atmosferë e rënduar.

Trupi gjykues shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.

Thaçi u dënua me 25 vjet, Krasniqi me 25 vjet, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim. Koha e kaluar në paraburgim do t’u llogaritet në vuajtjen e dënimit, sipas vendimit të gjykatës.

Vendimi u ndoq në ekranin e vendosur në sheshin “Skënderbeu”, ku pas shpalljes së dënimeve u vu re një atmosferë e rënduar dhe emocionale mes qytetarëve të pranishëm.