Ballina Blog Faqe 44

Rama tregon hapur si i zgjedh ministrat: Unë jam trajneri, zgjedh kush do luajë

0

Edi Rama ka dhënë ditën e djeshme një intervistë, ku ka komentuar për herë të parë mënyrën se si i zgjedh ministrat.

“Unë mendoj se sot, në çdo demokraci, lideri është fytyra identifikuese. Kjo është natyra e politikës. Kur vjen puna te fytyra publike, mbani mend ndonjë ministër të një lideri të madh si Obama apo Macron? Kjo është pjesa që shihet dhe është komplet ndryshe kur vjen puna te kontributet dhe si funksionon shumica”, deklaroi ai.

Sa i përket kritikave për zgjedhjen e ministrave, Rama tha se nëse je anëtar i PS-së dhe i strukturave drejtuese të saj, nuk je i informuar se po zgjidhesh anëtar i qeverisë, pasi, sipas tij, “je pjesë e formacionit”.

Po ashtu, kryeministri theksoi në intervistë se është ai “trajneri” që përcakton se kush do të “luajë” ose jo.

“Nëse janë anëtarë të Partisë Socialiste dhe të udhëheqjes së saj, nuk e dinë. Nëse nuk janë, patjetër që flas paraprakisht, ndërsa nëse janë pjesë e PS-së, janë pjesë e formacionit që e bën trajneri me lojtarët që janë në dispozicion.

Nuk negocion trajneri: do luash ti apo s’do luash ti? Ata janë të gatshëm aty që të marrin detyra dhe, për sa kohë mua më kanë zgjedhur trajner, jam unë që e përcaktoj formacionin dhe s’ma përcakton njeri tjetër”, tha ai.

Fundjava me shi e shtrëngata/ Ulje temperaturash dhe breshër në zonat malore

0

Moti do të pësojë ndryshime gjatë fundjavës, me shtim të vranësirave dhe rikthim të reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas sinoptikanes, Eneida Doçi, reshjet do të jenë herë pas here të shoqëruara me shtrëngata, shkarkesa elektrike dhe breshër në zonat malore, ndërsa era do të forcohet në relievet malore dhe përgjatë bregdetit.

Nga e diela pritet edhe një ulje e temperaturave.

“Që ditën e sotme do kemi ndryshim të situatës meteorologjike, pritet shtim vranësirash në orët e pasdites, por në veri dhe perëndim përgjatë maleve. Reshjet e shiut parashikohen afatshkurtra dhe lokale, në orët e mbrëmjes do kemi shtim vranësirash mesatare dhe të dendura në të gjithë vendin.

Ditën e nesërme moti parashikohet me alternime kthjellimesh të herëpashershme, por edhe vranësira mesatare, por edhe të dendura në të gjithë vendin.

Reshjet e shiut parashikohen të jenë prezente që në orët e para në të gjithë vendin dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës. Herë pas here në zonat lindore priten shtrëngata dhe shkarkesa elektrike, në relievet malore dhe breshër.

Të dielën moti do të jetë i paqëndrueshëm dhe me shi në jug të vendit.

Gjatë ditës së hënë moti i qëndrueshëm, kurse nga e marta në vijim pritet një përkeqësim i situatës meteorologjike.

Gjatë fundjavës era do të jetë me shpejtësi 8 metër për sekondë dhe hera-herës në relievet malore dhe në bregdet, shpejtësi deri në 16 metër për sekondë.

Në zonat malore temperaturat pritet të zbresin deri në 13 gradë, kurse maksimalet të mos i kalojnë 30. Në zonat e ulëta nga 19 deri në 34, për pjesën bregdetare nga 22 në 34. Nga e diela pritet një ulje e mëtejshme dhe e përkohshme e temperaturave, nga 12 deri në 32 gradë”, u shpreh për TCH sinoptikania Eneida Doçi.

Vëllai i Igli Tares vë në siklet Shehajn: Ke punësuar bashkëshorten e Endri Fugës

0

Vëllai i ish-futbollistit Igli Tare, Genti Tare, ka ndërhyrë përmes një lidhjeje telefonike në emisionin “Top Story”, ku po diskutohej rreth dosjes së Belinda Ballukut dhe përfshirjes së vëllait të tij në të.

Gjatë ndërhyrjes së tij, Genti Tare është përplasur me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke e akuzuar se përdorimi i “gjysmë të vërtetave” mund të dëmtojë njerëzit për të cilët flitet.

Për të ilustruar argumentin e tij, Tare i solli Shehajt disa pretendime që, sipas tij, mund të përdoren në të njëjtën mënyrë edhe ndaj kreut të Partisë Mundësia.

“Ja të të përdor unë ty një gjysmë të vërtete, të shoh si do të të djegë. Ke qenë ortak me Ilir Belerin te kompleksi i vilave në Petrelë. Je akuzuar nga opozita se i ke dhënë një vilë Erion Veliajt”, tha Genti Tare.

Më tej, ai shtoi se me të njëjtën logjikë mund të ngriheshin pretendime edhe për marrëdhëniet profesionale të Shehajt.

“Është njësoj si të marr një gjysmë të vërtetë dhe të them që Agron Shehaj është i korruptuar, ka pasur edhe bashkëshorten e Endri Fugës në punë, i ka dhënë dhe vilë Erion Veliajt”, u shpreh ai.

Genti Tare argumentoi se një qasje e tillë, sipas tij, po përdoret edhe ndaj vëllait të tij, Igli Tares, duke paralajmëruar se dëmi ndaj figurës së një personi mund të mbetet edhe në rast se më pas ai rezulton i pafajshëm.

“Igli Tares po i hidhet baltë dhe kur të dalë i pafajshëm, nuk ka më vlerë”, përfundoi Genti Tare.

Eksperti paralajmëron: Sherret në rrjete sociale po përshkallëzohen, përfshirë edhe VIP-at

0

Eksperti i kriminalistikës, Fatjon Softa, ka ngritur shqetësimin për përshkallëzimin e konflikteve që nisin në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se përplasjet virtuale po kalojnë gjithnjë e më shpesh në dhunë reale.

I ftuar në studion e Euronews, në një intervistë me gazetaren Mirela Milori, Softa u ndal edhe te rastet kur në konflikte përfshihen persona të njohur apo VIP-a, të cilët, sipas tij, në disa raste i bëjnë publikisht kërcënimet në rrjetet sociale.

Sipas ekspertit, një debat që nis me fyerje apo presion në internet mund të përfundojë në përplasje fizike dhe, në rastet më të rënda, edhe në përdorimin e armëve apo mjeteve të forta.

Softa tha se problematik është edhe fakti që dhuna dhe përplasjet publikohen më pas në rrjetet sociale, duke krijuar një lloj modeli që mund të nxisë të tjerë të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

“Zgjidhja më e lehtë për këto konflikte është kthyer përdorimi i forcës”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo sjellje po merr përmasa shqetësuese.

Eksperti theksoi se fenomeni nuk kufizohet vetëm te të rriturit, por po shfaqet edhe te moshat e reja.

“Kjo po ndodh që nga fëmijët”, deklaroi Softa, duke paralajmëruar për pasojat e përshkallëzimit të konflikteve që nisin në hapësirën virtuale dhe përfundojnë në jetën reale.

SPAK merr nën hetim deputetin e PD Luan Baçi, ish ortaku e kallëzoi se pastroi dhe fshehu 1.5 milionë euro

0

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vënë nën hetim deputetin e Partisë Demokratike, Luan Baçi.

Çështja ndaj tij u regjistrua  mbi bazën e një kallëzimi penal të depozituar në shkurt të vitit 2024 nga ish-ortaku i tij i biznesit, Aredin Behari.

Behari e akuzon deputetin për pastrim parash dhe fshehje pasurie në vlerën e 1.5 milionë eurove.

Veprimtaria e pretenduar financiare dhe fshehja e kapitaleve, sipas kallëzuesit, ka ndodhur përgjatë periudhës 2010–2012.

Organi i akuzës tani do të verifikojë deklaratat e pasurisë, bilancet e sipërmarrjeve tregtare dhe lëvizjet e llogarive bankare të ligjëruara gjatë atyre viteve.

Makina e re e Ramës, ministrja Ismaili: Është me qira, nevojë për sigurinë e kryeministrit

0

Erjona Ismaili, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ndërsa bëri publike disa nga vendimet e qeverisë, u pyet edhe për makinën e re të Kryeministrit Rama.

Ministrja u shpreh se ajo makinë është marrë me qira dhe paguhet nga buxheti i PS, pasi sipas Isamilit, ai automjet përdoret edhe për aktivitete të tjera partiake.

Ministrja shtoi se kjo makinë është marrë për arsye sigurie për kryeministrin dhe ka qenë edhe kërkesë nga Garda.

“Prania besnike do të shtrihet edhe në nivel ministri, për të qenë sa më pranë qytetarëve për problematikat. Është bërë publike edhe më herët që makina e kryeministrit është me qira, paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste. Është kërkesë e bërë nga Kryeministri për shkak se ajo makinë përdoret edhe për aktivitetin partiak. Sa i përket se çfarë mjeti, kjo bëhet edhe për arsye sigurie dhe pas kërkesave të Gardës së Republikës”, u shpreh ministrja.

Përplasje e fortë në dëgjesën për Reformën Territoriale në Përrenjas, banorët kundër bashkimit me Librazhdin

0

Dëgjesa publike e radhës për Reformën Administrativo Territoriale në bashkinë Përrenjas është shoqëruar me debate dhe përplasje të forta mes banorëve dhe përfaqësuesve politikë. Debati mori tone të forta mes socialistit Ardit Facja dhe deputetit të Partisë Socialiste, Olsi Komici. Facja shprehu kundërshtimin e tij ndaj bashkimit me Librazhdin, ndërsa qëndrimi i tij u mbështet me brohorima edhe nga të pranishmit në sallë. “Jeni mësuar të bëni ça të doni, por ta harroni”, dëgjohet të ketë thënë Facja ndër të tjera, teksa ka replikuar me Komicin.

Takimi, i zhvilluar në kuadër të konsultimeve për riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore, u shndërrua në një ballafaqim të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe deputetit të Partisë Socialiste, Olsi Komici. Banorët e Prrenjasit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj propozimit për bashkimin me bashkinë Librazhd, duke argumentuar se një riorganizim i tillë rrezikon të sjellë largimin e shërbimeve publike nga qytetarët, rritjen e kostove dhe dobësimin e vëmendjes ndaj zonave periferike. Gjatë diskutimeve, qytetarët kërkuan përgjigje dhe llogaridhënie nga deputeti Komici lidhur me qëndrimin e tij ndaj Reformës Territoriale. Disa prej tyre e akuzuan atë se nuk ka përfaqësuar sa duhet interesat e banorëve të zonës në Parlament.

Në debat u ngritën gjithashtu shqetësime për mënyrën se si reforma e vitit 2014 ka ndikuar në decentralizimin dhe ofrimin e shërbimeve publike. Banorët argumentuan se bashkimi i Prrenjasit me Librazhdin mund të krijojë një tjetër përqendrim administrativ, duke e bërë më të vështirë aksesin e qytetarëve në shërbime.

Deputeti demokat Luan Baçi paraqitet në SPAK

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, është thirrur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Baçi është paraqitur në ambientet e SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij, Sokol Mëngjesi.

Ende nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me arsyen e thirrjes së deputetit apo çështjen për të cilën ai do të japë shpjegime.

Edi Rama shkarkon ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari

0

Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ditën e sotme ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari. Pas shkarkimit të Lamallarit, në krye të Ministrisë së Brendshme është emëruar Ervin Demo.

Lamallari e mbante këtë detyrë që prej muajit mars, ndërsa më parë ishte ministër Drejtësie. Ndërkohë Demo deri më tani ka qenë ministër i shtetit për Pushtetin Vendor.

Dorëheqja e Lamallarit vjen pak kohë pas dorëheqjes së ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, post në të cilin u emërua Klodiana Spahiu.

Një vilë në këmbim të tenderit/ Si e fshehu Balluku pronën e dytë në Palasë

0

Më 14 shtator të vitit 2020, në orën 18:49, në adresën elektronike të ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku mbërriti një email nga arkitekti Alban Efthimi.

Në këtë komunikim, arkitekti i propozonte Ballukut zgjidhje estetike për një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë, duke theksuar se projekti ishte rishikuar me idenë që përdoruesit e vilës të ndjeheshin “të llastuar”.

Projekt-ideja përfshinte një pishinë “infinity”, gjelbërim kacavjerrës, një tavolinë ngrënie në të njëjtin nivel me ujin dhe një pistë vrapimi pranë pishinës për seanca të gjata me pamje nga deti.  Për të theksuar luksin e pakompromis, arkitekti sugjeronte vendosjen e dy vaskave hidromasazhi të frymëzuara nga hoteli i famshëm “Roccabella” në Santorini si dhe veshjen e tarracës dhe pishinës me dru “teak” për një ndjesi të ngrohtë të ngjashme me atë të një jahti.

“Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos ta japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen ‘të llastuar’ njësoj si në hotel,” i shkruante ai Ballukut. “Shihe si alternativë kur të përfundojmë edhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi te mermerët blu,” shtonte ai.

Sipas hetimeve të SPAK, këto detaje ekskluzive luksi nuk ishin tekat e një blerësi çfarëdo, por kërkesat e drejtpërdrejta të ministres së atëhershme të Infrastrukturës, Belinda Balluku për një vilë në rivierën shqiptare që dyshohet se është përfituar përmes korrupsionit.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Posaçme për masën e sekuestros, shpenzimet për këto kërkesa të arkitekturës variojnë nga rreth 290 deri në 410 mijë euro dhe u paguan nga kompania “Alko Impex General Construction”, e cila po shpërblehej në të njëjtën kohë me një tender prej 2.2 miliardë lekësh [rreth 23.9 milionë euro] për Unazën e Madhe të Tiranës.

Prokuroria e Posaçme pretendon se vila në Palasë është produkt i korrupsionit dhe i pastrimit të parave.

Afera me vilën në Palasë, e dyta e sekuestruar pas një tjetre po në zonën e Dhërmiut, ka rënduar situatën penale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendera” të kryer në bashkëpunim, “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”, më shumë se një herë. Bashkë me të në këtë aferë akuzohet biznesmeni Arbër Abazi dhe kompania e tij “Alko Impex General Construction” si dhe ish-futbollisti Igli Tare, pronari në letra i vilës, i cili akuzohet për pastrim parash.

Në total, numri i të akuzuarve individë dhe kompani në dosjen “Balluku” është 24, përfshirë një duzinë me vartës të saj dhe biznesmenë që akuzohen se paguan ryshfet pas përfitimeve të paligjshme të tenderave për infrastrukturën. Në çështjen “Balluku”, SPAK ka bërë bashkë pesë procedime të ndryshme penale.

Ish-zëvendëskryeministrja i ka mohuar akuzat, ndërkohë që kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca socialiste i ofruan asaj mbrojtje në pranverë të këtij viti ndaj një kërkese për masë të SPAK.

Si u fsheh vila në Palasë

Balluku u mor e pandehur një vit më parë, fillimisht për abuzimet me tenderin për tunelin e Llogarasë, ndërsa më pas asaj iu shtuan akuzat për një sërë tenderash në infrastrukturë, përfshirë ato për Unazën e Madhe të Tiranës. Prokuroria dyshon se për manipulimin e Lotit 7 të Unazës, Balluku përfitoi punimet luksoze në vilën e Palasës, e cila ishte blerë nga ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare.

Mekanizmi i detajuar për të mbajtur të fshehur këtë përfitim të dyshuar të korrupsionit u ndërtua përmes përdorimit të emrave të tretë dhe faturimeve fiktive. Zyrtarisht, “Vila familjare 2F nr.188/1” u porosit fillimisht nga Igli Tare me një kontratë sipërmarrjeje të datës 26 nëntor 2020, me çmim prej 250,000 eurosh, dhe u finalizua formalisht në emër të tij me një kontratë shitjeje më 12 shtator 2025.

Sidoqoftë, SPAK thotë se ka provuar se pagesat e Tares mbuluan vetëm vlerën e punimeve deri në fazën e karabinasë. Prokuroria lë të kuptohet se pagesa prej 250 mijë eurosh është një përfitim tjetër i fshehur i Ballukut, pasi kompania e Tares kishte marrë nga Këshillit Kombëtar të Territorit, ku Balluku bënte pjesë, një leje ndërtimi për një kullë pranë Zogut të Zi.

“Vendimi i mësipërm i Këshillit Kombëtar të Territorit, ndër të tjera, është nënshkruar edhe nga shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë (Ministër i linjës)”, thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës. Po aty shtohet se “Balluku ka në pronësi indirekte pasurinë e regjistruar në emër të personit nën hetim, Igli Tare, objektin ‘Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27’, në kompleksin ‘Green Coast’, Palasë”.

Sipas Prokurorisë, po ashtu është provuar se ishte Balluku ajo që ka kërkuar dhe marrë si përfitim vlerën e investimit për punimet e tjera të ndërtimit të vilës dhe pishinës së saj. Këto të fundit u morën përsipër nga Arbër Abazi, administrator i “Alko Impex”, për llogari të saj, ndërkohë që menaxhimi i punimeve në terren u krye nga partnerja e Abazit, Lorela Reçi, njëherazi lidhje familjare e Ballukut.

Reçi mori në dorëzim vilën dhe autorizoi hyrjen e kontraktorëve të rinj, por emrat e ndryshëm në kontrata e letërkëmbime, që sipas prokurorisë po përdoreshin për të fshehur pronësinë, futën në konfuzion punonjësit dhe drejtuesit e kompanisë Balfin dhe Mane TCI.

Fillimisht në 2022, një prej anëtarëve të stafit u shkroi kolegëve se dhënia e vilës 188 në dorëzim Reçit i dukej gabim. “Hi… Lorela Reçi ka 187/2, jo 188/1… Mos është lapsus?”, citohet nga prokuroria. Një vit më vonë, në një email të ri drejtuar stafit, një zyrtar i kompanisë shkruante i habitur se “njëra nga 188-at (vilat) i është dorëzuar një tjetër klienti të ndryshëm nga porositësi… Mbi ç’bazë dhe konfirmim?”.

Misteri duket se zgjidhet sipas prokurorisë në emailet dhe bisedat që pasuan dhe që kishin të bënin me punimet e brendshme të vilës. Dhjetëra emaile mes arkitektësh e inxhinierësh tregojnë se kësaj të fundit iu kushtua vëmendje e veçantë, madje në një rast lihet të kuptohet se muret u rrëzuan për së dyti për t’iu përshtatur kërkesave të klientit.

Balluku nuk përmendet në shumicën e emaileve që tregon kujdesin e personave të përfshirë, por pakujdesitë digjitale dhe kontabiliteti i furnitorëve të jashtëm zbuluan “sekretin”. Një tabelë e sekuestruar nga sistemi informatik i kompanisë që ndërtoi pishinën për vilën, e kishte regjistruar porosinë pa doreza me gërma kapitale: “PISHINA ARBER ABAZI (DHËRMI) + BELINDA” me një kosto prej 25,000 eurosh.

Zbulimi i dytë erdhi në komunikimet e vazhdueshme mes arkitektit Alban Efthimi, stafit të “Mane TCI” dhe Belinda Ballukut, përfshirë dy emaile që Efthimi i drejtoi direkt Ballukut dhe që duken thelbësore në dokumentimin e pasurisë së fshehur. Në dosje nuk thuhet nëse Balluku është përgjigjur. Por pavarësisht se ishte e qartë se nga vinin porositë, punimet e brendshme nuk iu faturuan as Ballukut dhe as Tares, por kompanisë “Alko Impex Construction”. Kjo e fundit në letra nuk kishte asnjë lidhje me vilën, por sipas preventivave të zbuluara në kompjuterët e studios “Atelier 4”, rezulton të ketë paguar mes 288,616 euro deri në 410,526 euro për punimet e luksit.

Manipulimi i tenderit

Hetimet e SPAK ndaj Belinda Ballukut tregojnë se pagesat për ndërtimin e vilës nga “Alko Impex Construction” nuk ishin falas.

Sipas vendimit të gjykatës, ato u përfituan si shpërblim për një nga procedurat e prokurimit të drejtuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, tenderin “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2.2 miliardë lekë. Sipas prokurorisë, ky tender dhe të tjerë u manipuluan nën udhëzimet e Ballukut për ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, dhe vartësit e tij.

Në vendim vihet në dukje se procedura nisi në shkelje të plotë më 9 gusht 2021 nga zv.drejtori Gentian Gjyli pa marrë ende miratimin e Ministrisë, i cili erdhi një ditë më vonë. Afatet për kompanitë u kufizuan në kundërshtim me ligjin, ndërsa procesi kontrollohej nga celulari i Evis Berberit përmes aplikacionit “Signal”, ku ky merrte urdhrat nga Balluku dhe vinte në lëvizje vartësit.

SPAK citon disa biseda të kapura në celularin e Berberit në të cilat ky kërkon udhëzime nga Balluku për tenderat. Kështu, në 1 tetor në orën 10:50, Evis Berberi i shkruan ministres të pyesë nëse kishte ndryshime planesh. “Ok, po pres, po më duhen 3 orë kohë nëse ka ndryshime”, thotë ai. Dy minuta më vonë Balluku përgjigjet lakonike: “Asnjë ndryshim”.

Një javë më vonë, në datën 7 tetor 2021, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli fitues bashkëpunimin mes kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe “2T” sh.p.k, me ofertë ekonomike 2.2 miliardë lekë. Pavarësisht vlerës së tenderit dhe rëndësisë së objektit, fituesi ishte në fakt garues i vetëm, pasi të gjitha kompanitë e tjera u përjashtuan më parë nga gara.

Prokuroria thotë se pavarësisht se u shpall fitues, bashkimi i operatorëve kishte një sërë problemesh dhe ndër të tjera dyshohet se kishte gënjyer për mjetet dhe stafin, duke i deklaruar ato si ekskluzive për projektin, ndërkohë që i kishte të angazhuar në punë të tjera. Prokuroria konstaton se ky ishte një falsifikim masiv kapacitetesh, pasi dy kompanitë fituese kishin deklaruar staf dhe mjete që ishin plotësisht të zëna në dhjetë kontrata të tjera paralele me ARRSH-në. Kompania “2T” ishte angazhuar në 4 kontrata të tjera me dhjetëra kamionë e inxhinierë, ndërsa “Alko Impex” kishte deklaruar staf teknik fiktiv që në fakt operonte në 6 kontrata të tjera të mirëmbajtjes së rrugëve. /BIRN