Jamarbër Malltezi kallëzon në SPAK për “dëshmi të rreme” deputetin Taulant Balla.
Malltezi pretendon se Balla ka bërë pohime të pavërteta gjatë dëshmisë së tij në çështjen “Partizani”.
Jamarbër Malltezi kallëzon në SPAK për “dëshmi të rreme” deputetin Taulant Balla.
Malltezi pretendon se Balla ka bërë pohime të pavërteta gjatë dëshmisë së tij në çështjen “Partizani”.
Tirana është zgjuar sot me protesta kundër qeverisë Rama. Me thirrjet me megafon ‘Rama jepe dorëheqjen’ dhe një grup protestuesish kanë marshuar nëpër rrugët kryesore të Tiranës. Ata i kanë bërë thirrje gjimnazistëve të gjimnazit ‘Qemal Stafa’ të bashkohen me ta në protestë.
Policia ka ndërhyrë për të liruar qarkullimin, ndërsa ka shoqëruar edhe disa persona në komisariatin nr 3.
Kujtojmë që në Tiranë prej 107 ditësh qytetarët dalin cdo ditë në shesh dhe protestojnë kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Këtë të hënë ka startuar viti i ri shkollor 2026-2027 në arsimin para universitar. Më shumë se 340 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës, ku rreth 25 mijë prej tyre, nisin klasën e parë.
Kreu i shtetit, Bajram Begaj ka ndarë një urim në rrjetet sociale për nxënësit për këtë vit të ri shkollor.
“Sot nis viti i ri shkollor për mijëra nxënës në të gjithë vendin. Çdo vit, çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar, por edhe për të ëndërruar.
Shkolla nuk është thjesht një vend ku marrim dije. Është vendi ku përgatitemi të marrim përgjegjësi, ku mësojmë të njohim botën, të njohim vendin tonë, të kuptojmë historinë e tij, të çmojmë kulturën dhe vlerat e të kuptojmë misionin që kemi për të ardhmen e tij.
Uroj të gjithë nxënësit, veçanërisht ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, të kenë një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të bukur!
Një urim i veçantë për mësuesit, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, për të cilën e gjithë shoqëria jonë u është thellësisht mirënjohëse!
Të dashur nxënës, Besoni te vetja, besoni tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja. Ajo do të jetë më e mirë dhe është në duart tuaja!”, shkruan Presidenti Begaj.
Me fotot e disa prej shkollave, edhe kryeministri Rama uron nxënësit për vitin e ri shkollor 2026-2027.
“Me urimin për një vit të mbarë shkollor nxënësve, mësuesve, drejtuesve të shkollave, e padyshim edhe vetë prindërve që sot nisin fëmijët në shkollë, ju uroj të gjithëve një javë sa më të mirë”, shkruan Rama.
Ky vit shkollor sjell edhe një sërë zhvillimesh të rëndësishme për nxënësit, mësuesit dhe familjet.
Me fokusin për sigurinë në shkolla, këtë vit do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara. Paralelisht, është fuqizuar edhe shërbimi psiko-social, me 900 psikologë dhe punonjës socialë që do të jenë të pranishëm në shkollat e vendit gjatë vitit shkollor 2026–2027, për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve. 20 shkolla të Tiranës janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, me kushte të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente.
Një prej risive të këtij viti është programi “Pas Shkolle”, i cili pas fazës pilot në Tiranë gjatë vitit të kaluar, shtrihet tashmë në 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë. Në javët e para të vitit shkollor, nxënësit dhe prindërit do të informohen mbi funksionimin e programit dhe do të kenë mundësinë të zgjedhin klubet ku dëshirojnë të marrin pjesë, nga arti e muzika te teatri, sporti, zejet dhe aktivitete të tjera. Për organizimin e tyre, aktualisht është e hapur edhe thirrja për trajnerët, ku mund të aplikojnë mësues, mësues në pension, artistë, artizanë dhe profesionistë të fushave përkatëse.
Qindra shqiptarë nga diaspora janë nisur nga vende të ndryshme të Europës drejt Shqipërisë, në një udhëtim që, sipas tyre, ka edhe një mesazh të fortë politik.
Të ardhur nga Anglia dhe vende të ndryshme të Bashkimit Europian, ata kanë udhëtuar për tre ditë me radhë, duke formuar një kolonë automjetesh të mbushura me flamuj kuqezi, simbole kombëtare dhe slogane politike.
“Shqipëria e shqiptarëve” është një prej mesazheve që shoqëron automjetet e tyre gjatë rrugëtimit drejt Shqipërisë.
Pjesëmarrësit shprehen se janë nisur drejt vendit për të protestuar dhe për të përcjellë një mesazh politik, duke kërkuar ndryshim dhe largimin e qeverisë aktuale. Udhëtimi, megjithatë, nuk ka qenë pa vështirësi. Shqiptarët e diasporës thonë se pengesat më të mëdha i kanë hasur gjatë kalimit në kufirin me Malin e Zi.
“Kemi tre ditë që udhëtojmë drejt Shqipërisë dhe pengesat më të mëdha i kemi hasur në kufirin me Malin e Zi”, kanë deklaruar disa prej pjesëmarrësve. Pavarësisht problemeve të hasura gjatë rrugës, kolona ka vijuar udhëtimin dhe tashmë ka mbërritur në pikën kufitare të Morinit, në hyrje të Shqipërisë.
Protestat që prej më shumë se tre muajsh po zhvillohen në Shqipëri për largimin e kryeministrit Edi Rama vijojnë të tërheqin vëmendjen e mediave prestigjioze ndërkombëtare.
Gazeta e njohur britanike, “The Observer” i ka kushtuar një reportazh të gjatë situatës në vend, duke sjellë nga afër atmosferën e protestave, dëshmitë e qytetarëve dhe akuzat e forta për korrupsion që shoqërojnë qeverisjen e Ramës.
Në fokus të shkrimit janë edhe lidhjet e debatueshme mes politikës, ndërtimit, parave të dyshuara të drogës dhe historisë komuniste të Shqipërisë.
Gazetari Andrew Anthony, i pranishëm në një prej protestave në Tiranë, përcjell zërat e protestuesve dhe përgjigjet e kryeministrit ndaj akuzave, ndërsa një prej pretendimeve më të forta të raportimit është se vendi “noton në paratë e pastruara të narkotikëve”.
Në një mbrëmje të nxehtë e të lagësht muajin e kaluar, iu bashkova protestuesve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pak në jug të Sheshit Skënderbej, sheshit të madh qendror të Tiranës, i cili është një trashëgimi e pushtimeve austro-hungareze dhe italiane.
Gjatë viteve të komunizmit, kjo lagje ishte një sektor i ruajtur rreptësisht, i rezervuar për zyrtarët elitarë të partisë. I njohur si Blloku, ai kishte akses në dyqane që kishin ushqime dhe llojin e mallrave të konsumit për të cilat pjesa tjetër e vendit vetëm mund të ëndërronte.
Tani ai është pushtuar nga qytetarët. Çdo mbrëmje, përmes një sistemi amplifikimi, mbahen një sërë fjalimesh. Sonte, folësja më e apasionuar është një grua e moshuar e veshur me të zeza. Emri i saj është Lavdije Nela, një ish-e burgosur gjatë diktaturës komuniste. Ajo është gjithashtu e veja e Havzi Nelës, një poet dhe kritik i atij regjimi, i cili u ekzekutua publikisht 38 vjet më parë, pikërisht në këtë ditë. Krimi i tij, në thelb, ishte se donte të ishte i lirë.
E veja e tij i thotë turmës se diktatori Ramiz Alia, i cili pasoi Hoxhën pas vdekjes së tij në vitin 1985, kishte firmosur refuzimin e kërkesës për falje të bashkëshortit të saj – në fakt, urdhrin e tij të vdekjes. Alia e konsideronte veten të hapur ndaj ndryshimit. Ai i lehtësoi rregullat në mënyrë që fermerët të mund të kishin dy dele – për sa kohë që ato ishin të së njëjtës gjini, sepse shumimi ishte rreptësisht i ndaluar. Por ai ende kishte prirjen për të ekzekutuar disidentët.
Një tjetër firmë në refuzimin e kërkesës për falje i përkiste një skulptori të quajtur Kristaq Rama, i cili ishte anëtar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Siç e di turma, Rama ishte babai i kryeministrit 62-vjeçar, i cili e ka drejtuar vendin që nga viti 2013.
“Ndërsa trupi i tij lëkundej në litarin e trekëmbëshit,” thotë gruaja e moshuar mes lotësh, “partia e drejtuar nga Edi Rama po vallëzonte.”
Në vitin 1991, komunistët, të cilët quheshin Partia e Punës e Shqipërisë, ndryshuan emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë. Rama nuk e ka dënuar kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë të atin, i cili vdiq në vitin 1998, megjithëse ka vënë në pikëpyetje nëse firma e tij është autentike. Ai e përshkroi ekzekutimin e Havzi Nelës si “një rast shumë të trishtueshëm”, por nuk ka shkuar deri te kërkimi i faljes për të, as si udhëheqës i vendit, as si bir i Kristaqit.
“Vetëm në Shqipëri ndodh që djali i një xhelati bëhet kryeministër,” u thotë Lavdije Nela protestuesve.
Kur i përmend Ramës komentin e Nelës, ai vetëm thotë: “E kuptoj pse kjo histori mund t’u duket dramatike lexuesve tuaj, por ajo nuk ka vend në këtë diskutim, jo më pak sepse faktet nuk janë ashtu siç paraqiten zakonisht.”
Ish-basketbollist profesionist dhe artist i trajnuar, Rama është një figurë me përmasa të mëdha që ka luajtur një rol kryesor në politikën shqiptare për pothuajse tre dekada. Fillimisht, si kryetar i Bashkisë së Tiranës nga viti 2000 deri në vitin 2011, dhe më pas si kryeministër, ai ishte vendimtar në transformimin e qendrës së kryeqytetit, ku një sërë kullash shumëngjyrëshe, të projektuara nga arkitektë të huaj të njohur, kanë riformësuar siluetën e qytetit dhe kanë marrë vlerësime pozitive nga kritikët për projektimet e tyre.
Shumë shqiptarë nuk impresionohen. Flavia Osmani, një inxhiniere kompjuterike 26-vjeçare dhe protestuese e Flamingove, i sheh ndërtesat shumëkatëshe si simbole të egos së Ramës dhe të një ekonomie të narkotikëve. “Burimi kryesor i këtyre investimeve janë paratë e drogës,” pretendon ajo.
Ekziston një besim i përhapur se Shqipëria, e cila ende kryen një pjesë të madhe të aktiviteteve të saj tregtare me para në dorë, noton në paratë e pastruara të narkotikëve, që vijnë nga kriminelë të diasporës. E vërteta nuk është e lehtë të përcaktohet, por një raport i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike vlerëson se 50% e financimit të ndërtimit në vend vjen përmes “kanaleve informale”.
“Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë,” thotë Vladimir Karaj, një gazetar me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri, “vetëm në Tiranë ka 40.000 apartamente bosh [një qytet me një popullsi prej rreth 600.000 banorësh]. Në të njëjtën kohë, çmimet e pronave janë rritur në mënyrë dramatike.”
Përveç ndërtesave të pabanuara në Tiranë, zona të mëdha të bregdetit kanë blloqe apartamentesh të pabanuara, ndërsa përgjatë autostradave kryesore ka një varg të pafund pikash karburanti, pothuajse një çdo 800 metra. Shumë shqiptarë besojnë se funksioni i tyre kryesor është pastrimi i parave. Rama është shpërfillës ndaj këtij lloj mendimi.
“Shumë besime të përhapura gjerësisht po shkëputen gjithnjë e më shumë nga e vërteta, faktet, shkenca dhe madje edhe nga aritmetika bazë,” thotë ai. “Ky është një prej tyre. Shifrat thjesht nuk e mbështesin këtë pretendim.”
Çmimi i naftës dhe benzinës në tregun vendas arrin afër niveleve rekord të shënuara gjatë luftës në Ukrainë.
Sipas një vëzhgimi të Monitor, ditën e sotme në pikat me pakicë nafta është tregtuar me çmim 226 deri 229 lekë për litër, nga 219 lekë për litër që ishte çmimi i mëparshëm. Nafta është rritur nga 7 lekë deri 10 lekë për rritur.
Shtrenjtim të çmimeve është shënuar edhe për benzinën. Nga 205 lekë që ishte çmimi i mëparshëm sot ka nisur të tregtohet me 216 dhe 219 lekë për litër. Benzina është rritur nga 11 deri 14 lekë për litër.
Pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, duke u luhatur në nivelet 219-224 lekë për litër, nga rreth 175 lekë për litër para nisjes së konfliktit.
Por kjo është rritja më e lartë e çmimit të karburanteve prej vitit 2022 kur nisi agresioni rus në Ukrainë.
Në muajin mars 2022 çmimi i naftës arriti nivelin rekord vetëm për 1 ditë në vlerën e 265 lekë për litër. Teksa për disa ditë rresht nafta u tregtua 230 deri 235 lekë për litër.
Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas erdhi , pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet e huaja më 10 Shtator.
Dy ditë më parë nafta “brent crude” arriti në nivelet maksimale prej 110 USD për fuçi nga 100 USD që tregtohej më parë. Ditën e sotme në bursa nafta po tregtohet me çmim 104 USD për fuçi.
Shtrenjtim i lartë u shënua edhe te çmimi Platts, që përdoret si referencë për zhdoganimin e importeve.
Çmimi final i Platts arriti 1,619 USD për ton me rritje prej 165 USD për ton nga çmimi i mëparshëm. (Më 10 shtator 2026, çmimi i naftës Platts HCIF arriti 1,571.5 USD për ton, ndërsa së bashku me premium prej 30 USD për ton dhe përllogaritjen përkatëse, çmimi final arrinte në rreth 1,619.13 dollarë/ton.)
Rritja e menjëhershme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare u ndikua nga situata e konfliktit në Jemen, që solli rënie të trafikut të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, ku transportohet 20% e prodhimit botëror dhe vështirësive të kalimit përmes Detit të Kuq.
Operatorët: Situata më e rëndë se kurrë, rrezikohet furnizimi global me naftë
Operatorët e tregut pohojnë se me bllokimin e Tubacionit kryesor në Arabinë Saudite dhe Detin e Kuq nga huthet, të hënën rrezikon qe çmimet të kapin nivele të pa para në histori. Ata shtojnë se së bashku me situatën në Ukrainë, situata është më e rënda në histori. Kjo rrezikon që si kurrë në histori të mos ketë fare produkt në treg, pasi prodhuesit globale po bëjnë plane të bllokojnë totalisht eksportin, teksa gjatë këtyre shtatë muajve rezervat komerciale dhe strategjike kanë shkuar afër zeros.
Operatorët shtojnë se në këtë situatë, qeveria duhet të reflektojë seriozisht dhe dhe të shohë realitetin, pasi kjo situatë nuk mund të zgjidhet me borde dhe as ndërhyrje populsite me faqe që publikojnë çmimet. Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon, që nuk ka marrë masa lehtësuese për uljen e barrës fiskale, që është dhe më e larta në rajon, përkundrazi ka përfituar duke arkëtuar më shumë të ardhura në buxhet nga nafta më e shtrenjtë.
Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në rrugën “Bardhyl” në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i një automjeti, i cili dyshohet se po lëvizte me shpejtësi, është përplasur me një urban.
Pas përplasjes, urbani ka goditur edhe një motor që ishte i parkuar në anë të rrugës.
Përplasja ka shkaktuar dëme materiale, ndërsa rrethanat e sakta të aksidentit mbeten ende për t’u sqaruar.
Familjarë dhe demokratë kanë zhvilluar sot homazhe në 28-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit.
Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se Hajdari mbetet frymëzim për demokratët dhe për shqiptarët që besojnë te liria dhe demokracia.
Duke iu referuar situatës politike, Noka e cilësoi qeverisjen e Edi Ramës si “narko-regjim” dhe tha se modeli i Hajdarit duhet të shërbejë si shembull për përballjen politike me qeverinë.
Deklarata e Flamur Nokes
Kjo është një ditë ku ne nderojmë, kujtojmë, Azem Hajdarin, këtë tribun liberator që i priu me guxim dhe kurajo protestave studentore për të përmbysur regjimin më gjakatar që ka njohur historia e Shqipërisë.
Sot pas 28 vitesh, Azem Hajdari për çdo demokrat, për çdo shqiptar që i thotë lirisë liri dhe demokracisë demokraci është frymëzim. Më shumë se kurrë është motiv, është motiv për t’u përballur me një regjim që tashmë është regjimi i krimit dhe i korrupsionit, me narko-regjimin e Edi Ramës.
Azem Hajdari sot bën apel, që ka vetëm një rrugë për të rrëzuar këtë regjim. Dhe ajo rrugë është përballja, qëndresa, beteja me ta, kryengritja, është rruga e vetme për të rrëzuar regjimin. Ndaj në këtë ditë, krahas nderimit dhe mirënjohjes që Partia Demokratike ka për këtë tribun liberator, ne i bëjmë apel çdo shqiptari.
Kjo ditë duhet të jetë dita që simbolizon betejën, kryengritjen, duhet të jetë apel për çdo shqiptar. Të mbështesim çdo protestë, të ngrihemi të gjithë.
Narko-regjimi sot përveçse ka futur Shqipërinë në varfëri, përveçse po vjedh dhe po rrënon gjithçka, përveçse po shpopullon, ai ka një synim antikombëtar, ta shkatërrojë Shqipërinë.
Ndaj rruga e vetme është ajo që na ka mësuar dhe na ka lënë amanet Azem Hajdari, të organizohemi, të ngrihemi, të rrëzojmë narko-regjimin.
Largimi i Besfort Lamallarit nga Ministria e Brendshme, vetëm pak muaj pas emërimit ka të bëjë me nevojën e Edi Ramës për të rivendosur kontrollin e drejtpërdrejtë mbi policinë, një sektor me të cilin kryqëzohen interesat e krimit, por që ndonjëherë edhe dikton balancat e pushtetit, sidomos në qarqet ku krimi u përdor për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.
Kryeministri njoftoi të premten largimin e Lamallarit, pa dhënë një arsye konkrete. Ministria e Brendshme iu besua Ervin Demos, deri tani ministër i Pushtetit Vendor, ndërsa dy dikasteret do të bashkohen në një strukturë të vetme.
Rama e përcolli ministrin me vlerësime për punën dhe integritetin e tij, por me shpjegimin se “nevojat e skuadrës janë mbi të gjithë individët”. Lamallari, nga ana tjetër, u largua pa asnjë notë pakënaqësie. E quajti privilegj detyrën dhe falënderoi kryeministrin për besimin: “Jam munduar të mos ju zhgënjej kurrë”, i tha ai Ramës.
Por përtej ceremonisë së përcjelljes, mbetet pyetja se përse Rama e ndërroi ministrin e Brendshëm vetëm pak muaj pasi e kishte vendosur në atë post. Arsyet për largimin e Lamallarit mund të kërkohen te tri zhvillime paralele: mungesa e autoritetit të tij mbi policinë, operacioni që çoi në arrestimin e Ergys Agasit dhe sfumimi gradual peshës politike të Belinda Ballukut.
Rreth një vit më parë, kur Lamallari u katapultua në qeveri si ministër i Drejtësisë, Rama ia hapi dyert e kabinetit duke i bërë elozhe. “Funksionar shembullor i shtetit në çdo drejtim, profesionist i përkushtuar, drejtues i mençur sa herë i kërkohet që të shkojë të zgjidhë një punë që të tjerët nuk e zgjidhin”, e quante kryeministri në mbledhjen e asamblesë së PS.
Por ndërsa këto fjalë dëgjoheshin në sfond, kamerat fiksuan një pamje qesharake. Lamallari u shfaq i shokuar nga emërimi dhe liroi kollaren nga sikleti, duke u gëlltitur. Me sa dukej, nuk ia kishte marrë mendja se do të zëvendësonte Ulsi Manjën, i cili u largua nga qeveria sapo bashkëpatrioti i tij nga Dibra, Altin Dumani, la drejtimin e SPAK-ut.
Katapultimi i mëvonshëm në Ministrinë e Brendshme ishte një barrë edhe më e rëndë për shpatullat e Lamallarit. Kur largoi Albana Koçiun nga ky post, Rama kërkonte një ministër më aktiv, me më shumë autoritet dhe kontroll mbi policinë. Lamallari nuk arriti ta krijonte rolin e fortë që i duhej Ramës, as nuk e kishte peshën e nevojshme tek strukturat e policisë dhe, sidomos, komunikimin e drejtpërdrejtë me drejtuesit në terren.
Pakënaqësia e Ramës doli hapur në mbledhjen e fundit në Pogradec, ku kryeministri e kritikoi duke i thënë: “Ti nuk e ke idenë çfarë ndodh në terren”, duke pasur parasysh pikërisht mungesën e komunikimit me drejtorët e policive. Për një ministër të Brendshëm, ky nuk ishte një qortim i vogël.
Një tjetër moment që duket se shenjoi fatin e Besfort Lamallarit në qeveri ishte operacioni për arrestimin e Ergys Agasit.
Mik i afërt me Ramën dhe pjesë e enturazhit të tij të ngushtë, Agasi u telendis publikisht pas arrestimit. Policët që i vunë prangat fillimisht e fotografuan të tromaksur në furgonin e policisë. Pamjet bënë xhiron e rrjetit brenda pak sekondash. Në vend të “Ergysit të tmerrshëm” që hante e pinte me bandat, u pa një hallexhi me shapka dhe pantallona të shkurtra, që nuk dinte ku po e çonin. Fotot e policëve vazhduan edhe më tej, duke e fotografuar Agasin teksa jepte shpjegimet e fundit në zyrat e policisë, përpara se ta shoqëronin drejt burgut.
A i duhej Ramës degjenerimi i një njeriu që dinte aq shumë për të? Provokimet ndaj Ergys Agasit mund ta degradonin situatën drejt një loje të rrezikshme. Aq më tepër që bëhej fjalë për një “koordinatorin e krimit”, i akuzuar se shërbente si nyje lidhëse mes Ramës dhe bandave në disa prej qyteteve kryesore të vendit.
Me ardhjen e Skënder Hitës në drejtimin e Policisë së Shtetit duket se brenda policisë ishte krijuar një rrymë e re. Larg ndikimit të Ergys Agasit, por edh
e larg ndikimit të Ramës. Arrestimi dhe, sidomos, ekspozimi publik i Agasit mund të kenë qenë sinjali se një pjesë e këtij mekanizmi i kishte dalë Ramës nga kontrolli.
Nëse kjo është ajo që ka ndodhur, nuk mjaftonte më Lamallari korrekt dhe i bindur. Duhej dikush tjetër, që Rama t’i mësojë lajmet përpara se fotografitë që qarkullojnë në rrjet.
Besfort Lamallari hyri në qeveri si një njeri i besuar i Belinda Ballukut, bashkë me Ermal Nufin dhe Enea Karakaçin. Edhe emërimi në Ministrinë e Brendshme erdhi në një moment politik domethënës: Rama po firmoste largimin e Ballukut nga qeveria pas vendimit të Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Për t’i treguar Ballukut se marrëdhënia mes tyre ishte njësoj si më parë, Rama i la asaj një pjesë të territorit politik që ajo kishte krijuar ndër vite. Në këtë logjikë mund të lexohej edhe emërimi i Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit.
Por që prej fillimit të vitit, situata për ish-zëvendëskryeministren është përkeqësuar ndjeshëm. Prokurorët e SPAK-ut kanë zbuluar disa vila të saj në jug të vendit, të cilat dyshohet se janë përfituar si shpërblim për tenderat e rrugëve dhe të Albcontrol. Ballukut i janë shtuar akuzat për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.
Largimi i Lamallarit duket si një hap pas i Ramës. Një lëvizje për t’ia ngushtuar territorin politik ish-zëvendëskryeministres, por duke vepruar, si zakonisht në raste të tilla, me kujdesin që kërkon çmontimi i një ekuilibri të vjetër pa krijuar një konflikt të ri.
Këtë hipotezë e ushqen edhe zgjedhja e pasardhësit. Në krye të Ministrisë së Brendshme Rama vendosi Ervin Demon, një prurje politike nga Berati, nga i njëjti qark prej nga vjen edhe drejtuesi i ri i SPAK-ut, Klodian Braho. Mund të jetë rastësi. Por kur bëhet fjalë për Ministrinë e Brendshme, policinë dhe SPAK-un, rastësitë duhen mbajtur shënim./Lapsi.al
Në Prishtinë do të zhvillohet sot “Marshi për Liri”, një tubim në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Aktiviteti do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më 16 shtator pritet të merret vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Marshi organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, e cila ka bërë të ditur se aktivitetet në mbështetje të tyre do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme në qytete të ndryshme të Kosovës dhe në diasporë.
Në shesh janë vendosur postera me fotografitë e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit me mesazhet “Kosova po pret” dhe “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”.
Në aktivitet pritet të marrë pjesë edhe Taulant Balla, i cili ka bërë thirrje për mbështetje të marshimit. Ndërkohë, më 15 dhe 16 shtator pritet të zhvillohet edhe “Nata e Pritjes” në Hagë. Rreth 50 veteranë të UÇK-së kanë paralajmëruar udhëtimin drejt Holandës për të qenë pranë ish-komandantëve gjatë këtyre ditëve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar.
Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023. Në paraqitjet e tyre para gjykatës, katër ish-krerët kanë deklaruar se lufta e UÇK-së ishte një luftë për çlirimin e Kosovës dhe kanë mbrojtur pafajësinë e tyre.
Mbrojtja ka kërkuar që ata të shpallen të pafajshëm, ndërsa avokatët kanë kundërshtuar akuzat e prokurorisë, duke argumentuar se ato nuk mbështeten në prova të mjaftueshme. Tashmë, vëmendja është përqendruar te 16 shtatori, kur pritet të bëhet e ditur se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.