Ballina Blog Faqe 43

Aksidenti tragjik në Durrës me dy fëmijë të vdekur, policia jep detaje: Nikoll Radaçi njeri problematik

0

Policia ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin e ndodhur ditën e djeshme në Durrës, ku dy të mitur humbën jetë dhe një i tretë u plagos rëndë dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës.

Policia njofton se drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në komisariat ku më pas edhe është arrestuar.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Njoftimi:

Durrës/Informacion përfundimtar për aksidentin rrugor shumë të rëndë të ndodhur më datë 03.05.2026, rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, lagjja nr. 15, në qytetin e Durrësit.

Oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.

Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Policia e Shtetit iu shpreh familjarëve të të miturve që humbën jetën, ngushëllimet më të ndjera, dhe i uron vogëlushit 8-vjeçar, shërim sa më të shpejtë.

Gjithashtu, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për të parandaluar aksidentet rrugore, duke evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave që sjellin pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Krisja mes SHBA dhe BE/ Ç’tregojnë akrobacitë e Edi Ramës brenda aleancës

0

Nëse lexohet me kujdes sjellja e kryeministrit Edi Rama kohët e fundit duket sikur është zbehur tek ai, zelli me të cilin nxitonte të afrohej me Bashkimin Europian. Edhe vizitën e fundit në Spanjë, Rama e përcolli ftohtë pa një mesazh të qartë për takimet që kreu. Përkundrazi, në deklaratat që ka lëshuar për mediat e huaja këtë periudhë, Rama i është rikthyer një retorike shpërfillëse, gati arrogante ndaj Bashkimit Europian, një pozicion i ngjashëm me atë kur propagandonte Ballkanin e Hapur bashkë me Vuçiçin.

Kjo retorikë e kalkuluar, i ka dhënë formë një Edi Rame prepotent, aspak në staturën e një kryeministri të një vendi të vogël aspirant për t’u integruar në Bashkimin Europian. Dallohet lehtë se si Rama nuk kujdeset më për të lëshuar thagma mbi “gabimet” e Bashkimit Europian; se si jep leksione për sjelljen e europianëve me faktorët e tjerë globalë, apo kur relativizon vendimet e politikanëve të huaj me një superioritet të pajustifikuar.

Deklaratat se “Shqipëria nuk mund të bëhet kurrë Gjermani” apo se Europa vuan nga probleme neurotike, tregojnë pikërisht këtë qasje të re. Madje nën sfondin e pikturave të tij të ekspozuara në Berlin, ai lëshoi edhe shashkën e radhës, kur tha se Bashkimi Europian ka ndryshuar pas luftës në Ukrainë, sepse ka kuptuar se “vendet mund te humben”.

Pyetja që ngrihet pas këtij pohimi është se si mund ta humbasë Bashkimi Europian Shqiperinë, që prej dekadash aspiron integrimin europian? Në ç’drejtim tjetër mund të fokusohet politika jonë e jashtme, që BE ta konsiderojë të humbur?

Leximi më realist është se kryeministri i referohet me “humbje” të shteteve nga BE, afrimin e Shqipwrisw me SHBA, në një kontekst krize në aleancën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Çarja e aleancës është e shumëfishtë, që nga politikat për emigracionin, tek përplasjet ekonomike dhe se fundmi ndarja ushtarake, kur vendet europiane refuzuan sulmet ndaj Iranit, ndërsa Trump po tërheq një pjesë të trupave amerikane nga Gjermania.

Kjo skizmë transatlanttike ka krijuar një moment të ri për vendet e Ballkanit Perëndimor që deri dje nuk kanë pasur shumë alternativa. Madje, duke parë këtë hapësirë të re të krijuar nga kriza e të mëdhenjve, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, dy autokratë që përballen rregullisht me refuzimet e Brukselit, arritën kulmin e arrogancës me letrën, ku kërkonin në mënyrë të pacipë të bëheshin pjesë e tregut të përbashkët të unionit dhe zonës shengen, duke pranuar hapur se nuk kishin ndërmend të plotësonin kushtet politike, që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, liritë dhe të drejtat e njeriut etj.

Por përtej kësaj sfide ndaj Brukselit që u harrua shpejt, janë disa episode konkrete që tregojnë se Edi Rama po bën çmos ta orientojë qeverinë drejt sqetullës së Trump, duke marrë kosto në raport me Bashkimin Europian që sapo ka eleminuar brenda tij një trumpist të thekur si Viktor Orban.

1) Vizita në Izrael, takimi me Netanjahun

Vizita e Edi Ramës në Izrael në fillim të këtij viti dhe takimi me Benjamin Netanjahun në kulmin e masakrave në Gaza ishte një dorashkë sfide për Bashkimin Europian. Për kryeministrin e Izraelit ka një mandat arresti nga gjykata ndërkombëtare e Hagës për genocidin në Gaza dhe përdorimin e urisë si mjet lufte ndaj popullsisë civile. Si akt diplomtik, kjo vizitë ishte në drejtim të kundërt me qëndrimin e Bashkimit Europian.

Si të mos mjaftonte kjo, Rama mori pjesë edhe në një konferencë ku ishin përfaqësuesit më radikalë të së djathtës europiane, një pjesë e tyre në zgrip të ligjit për shkak të retorikës raciste, ksenofobe dhe islamofobe.

Por duhet theksuar se si Benjamin Netanjahu, ashtu edhe nacionalistët europianë që takoi Rama në Izrael shihen me simpati nga Donald Trump dhe lëvizja e tij, MAGA.

2) Pjesëmarrja aktive në Bordin e Paqes

Në të njëjtën linjë ishte pjesëmarrja e Ramës në Bordin e Paqes. Që kryeministri i Shqipërisë do t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së presidentit të SHBA, kjo ishte mëse e pritshme. Por Rama shkoi akoma më tej? Ai bëri çmos të fusë ushtrinë shqiptare si pjesë e forcës paqeruajtëse në Gaza si një nga 5 vendet me shumicë myslimane që u bënë pjesë e këtij projekti.

Sërish ky angazhim ushtarak në një projekt si ai i Gazës binte ndesh me qëndrimin e Bashkimit Europian. Disa kryeministra europianë e kishin refuzuar me takt ftesën e Ramës, pasi unioni e refuzoi njëzëri planin e Trump në menaxhimin e Gazës. I vetmi që ishte në bord, Viktor Orban i Hungarisë.

Në termat e politikës së jashtme, zgjedhja pro SHBA ishte e qartë, por në anën tjetër ishin shkallmuar plotësisht pritshmëritë e Bashkimit Europian për një vend aspirant.

3) Kritikat ndaj BE për Rusinë

Një tjetër element që e thellon diferencën me politikën e jashtëme të Bashkimit Europian është qasja ndaj Rusisë. Në një intervistë për Politico, disa ditë më parë Rama deklaroi: “Europa ka bërë një gabim të madh strategjik duke ndërprerë çdo kanal me Rusinë. Europa duhet të jetë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë në komunikim me të gjithë.” Në shashkat që Rama tani nuk i kursen për mediat europiane, lexohen qëndrimet e një politikani që nuk e bashkon asgjë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Rama në fakt duket sikur përpiqet të japë një mesazh krejt të kundërt me politikat e BE.

“Sa më shumë ta shtyjmë këtë [dialogun me Rusinë], aq më pak do të kemi ndikim në fund, sepse Rusia, sido që të përfundojë kjo luftë, nuk do të zhduket,” vazhdon ai.

Edhe gazetarët e Politico e dallojnë kontrastin. Ata shkruajtën se deklaratat e Ramës bien ndesh me qasjen e zyrtarëve të lartë të BE-së si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, të cilat kanë shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me udhëheqësit rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, duke argumentuar se bisedimet janë të pakuptimta nëse Moska vazhdon luftën.

Por duhet thënë, ky është një pragmatizëm që ngjason shumë me qasjen e Donald Trump për luftën në Ukrainë. Presidenti i SHBA bëri çmos të përmirësojë marrëdhënien me presidentin Putin, duke e vënë theksin në dialogun e përbashkët.

4) Oferta: SHBA mund ta sulmojë Iranin nga Shqipëria

Kulmi i pozicionimit të Shqipërisë jashtë vijave të Bashkimit Europian është oferta për përdorimin e territorit shqiptar për operacionet e ushtrisë amerikane kundër Iranit. Në të njëjtën intervistë, në Politico, Rama deklaroi se do ta miratonte sulmin e amerikanëve nga territori shqiptar drejt Iranit me kusht që SHBA të siguronte “mbrojtje ajrore, të cilën ne nuk e kemi në vend.” Dhe më tej: “Nuk na takon ne [Shqipërisë] të vendosim si të trajtohet Irani në skenën globale, por na takon të mbështesim çdo përpjekje për të dobësuar dhe ndoshta për të rrëzuar atë regjim”.

Deklarata erdhi pasi disa vende të BE-së refuzuan kërkesa të ngjashme dhe ky pohim e vendos Shqipërinë në përputhje me linjën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aspak në atë të Bashkimit Europian.

Episodet e rreshtuar njëri pas tjetrit zbulojnë një përpjekje të ethshme të kryeministrit shqiptar për të qenë sa më i qartë, si me amerikanët, ashtu dhe me europianët se në këtë përplasje brenda aleancës, Rama e ka bërë zgjedhjen e tij.

Dhe këtu merr shpjegim edhe kjo çartje e kohëve të fundit të kryeministrit që integrimin në Bashkimin Europian po e trajton si një proces rutinë, që do të ndodhë, por edhe mund të shtyhet, po edhe mund të relativizohet, po edhe mund të sfidohet. Në fund të fundit, për aq kohë sa gjendja brenda (ish) aleancës perëndimore i ngjan një cirku, edhe Rama po bën akrobacitë që mendon se e mbajnë më gjatë në skenë./Lapsi.al

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja për karburantet

0

Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të shtunë çmimet e reja për karburantet në vend.

Çmimi i shitjes me pakicë i naftës është vendosur të jetë jo më shumë se 206 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës është vendosur të jetë jo më shumë se 184 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 172 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi nga kjo e shtunë, ora 16:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Muzikë e festë pas hekurave, ja çfarë bëhet në qelitë e të burgosurve VIP

0

Një atmosferë e mbushur me alegri e energji që vjen jo nga një shtëpi, sallë festash apo klub, por nga një qeli burgu. Pamje të paprecedenta që vijnë nga burgu i Peqinit ku janë disa prej emrave më të njohur prej drejtësisë shqiptare dhe që do duhet të ishin në regjim të rreptë sigurie, por me sa duket fama jashtë në dritën e diellit, vijon edhe brenda 4 mureve të burgut duke iu siguruar një qëndrim me 5 yje pas hekurave.

E kush i sheh këto pamje, mendon se nuk qenka aq keq në burgje. Siç shihet nga video e siguruar dhe publikuar nga “Ma shqip”, të burgosur si Lul Berisha apo Fehmi Mziu, Astrit Avdulaj, Islam Kasa etj. janë të lirë të festojnë në burg me alkool, muzikë, televizor dhe aheng siç u do zemra. Mes tyre duket dhe një i dënuar në moshë shumë të re. E me sa duket shprehja “burgu për burra është” ka marrë një tjetër dimension.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“U shit në burg”, Berisha akuza të forta për Salianjin: Ha dreka e darka me kriminelë

0

Kryetari i PD-së Sali Berisha po zhvillon sot në 2 maj një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.

Fjalën e tij, Berisha e nisi me faktin se ishte në forumin e IDU-së në Kroaci. Ai foli dhe për rezolutën për Shqipërinë, që u firmos në Forum.

“Ne informuam për regjimin e krijuar në Shqipëri. Edhe ndërkombëtarët janë duke u ndërgjegjësuar se në vendin tonë është një regjim i rrezikshëm, që është problem jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për rajonin dhe Europën. Mund t’ju them se punimet e IDU-së u çelën me rezolutën për Shqipërinë. Ishte Shqipëria, sepse është vendi i farsës elektorale, është vendi i karteleve të drogës, shteti ku mbrohet korrupsioni qeveritar nga kryeministri. Ishte Shqipëria, sepse është vendi me të burgosur politik dhe persekutime politike. Rama njësoj si Enver Hoxha dhe babai i tij, sjell kundërshtarin e tij politik në kafaz qelqi në gjykatë, njësoj siç bënte Enveri 45 vite më parë”, tha Berisha.

Solli detaje nga rezoluta për Shqipërinë, e miratuar nga IDU.

“Rezoluta mbështet qeverinë teknike, për organizimin e zgjedhjeve. Pra, mbështet qeveri pa Edi Ramën. Mbështet zgjedhje të lira e të ndershme. Po ashtu ngrihet shqetësimi se në vend ka shumë çështje penale me motive politike. Rezoluta dënon drejtësinë selektive, sidomos çështjet që lidhen me Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun. IDU dënon reformën territoriale, që kërkon kontroll politik. IDU kërkon që të mbrohet rruga euro-atlantike e Shqipërisë”, deklaroi Berisha.

U pyet dhe për garën në PD, ku Berisha garon i vetëm.  Thumboi dhe Salianjin, duke thënë se hante dreka e darka me kriminelë.

“Mos bini pre e propagandës të atyre, që prej 2009 nuk bëjnë zgjedhje në parti. Partia Demokratike e zgjedh kryetarin direkt me votën e anëtarësisë. Në garë në këtë parti pranohen të gjithë demokratët, që plotësojnë kriteret në rregullore, për të marrë pjesë në këtë garë. Në garën e PD-së nuk mund të marrin pjesë kandidatët e Ramës. Kandidatë, që punuan në fushatë me parti tjetër, këta në çdo parti politike në botë, përjashtohen për tradhtinë që kanë bërë ndaj partisë së tyre në fushë-betejë. Çdo njeri që plotëson kriteret nuk është refuzuar. Nuk mund të kandidojë ai që shtronte dreka e darka me kriminelë, kur ne e bëmë hero”, u shpreh ai.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Mereme Sela: Zgjedhjet në PD po manipulohen, do i drejtohem SPAK

0

Pas skualifikimit nga gara në PD, kandidatja Mereme Sala ka reaguar përmes një deklarate ku e quan këtë vendim të padrejtë.

Ndër të tjera ajo thotë se do t’i drejtohet SPAK-ut dhe ndërkombëtarëve.

Po ashtu ajo ngre alaramin se zgjedhjet në PD po manipulohen. 

Kujtojmë që as kandidaturat e Salianjit, Kokalarit dhe Balliut nuk u pranuan. 

Deklaratë për shtyp

Unë, Mereme Sela, kandidate për kryetare e Partisë Demokratike të Shqipërisë, njoftoj opinionin publik se zgjedhjet për kryetar dhe procedurat përkatëse po manipulohen.

Për këto arsye, vendosa:

1. T’i drejtohem Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për pezullimin e procesit zgjedhor, si të paligjshëm, të padrejtë, të pabarabartë dhe në kundërshtim me statutin e PD-së, të miratuar nga Kuvendi dhe të njohur nga gjykata.
2. Ti drejtohem SPAK për hetimin e proçesit të korruptuar zgjedhor në Partinë Demokratike nga i pandehuri Sali Berisha i cili është në akuzë edhe për vepra të tjera penale.
3. T’u drejtohem Ambasadës së SHBA-së, Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe misionit të BE-së për t’i informuar dhe për t’u kërkuar ndihmë, pasi ish-kryetari Sali Berisha ka marrë peng partinë dhe nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
4. T’u drejtohem mediave për të na ndihmuar që Partia Demokratike të mos shkatërrohet, por të demokratizohet. Eliminimi ynë, si pesë rivalë në garë – Evi Kokalari, Alesia Balliu, Ervin Salianji dhe Vladimir Mula – përbën një atentat kundër demokracisë brenda partisë.
5. I vetmi person që nuk përmbush kriteret e statutit është ish-kryetari Sali Berisha, i cili ka humbur zgjedhjet e vitit 2025 dhe nuk i lejohet ligjërisht sipas statutit të partisë të garojë për funksionin e kryetarit.

Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet me një lider “non grata” në Uashington dhe Londër.

Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, çka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar. Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi do të ishte z. Berisha.

Për këtë arsye, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqes ankesën time zyrtare. Megjithatë, bazuar në përvojat e mëparshme, nuk pres një reagim apo përgjigje serioze nga Partia Demokratike, pasi kjo ka qenë një praktikë e përsëritur ndër vite.

Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot.

Duke ju falënderuar për mbështetjen!

Me respekt,
Dr. Mereme Sela
Kandidate për Kryetare e Partisë Demokratike

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ervin Salianji: Berisha u legenos për një kolltuk!

0

Komisioni i Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike nuk pranoi kandidaturën e Ervin Salianjit për kryetar të PD, por kjo nuk e pengon ish-deputetin që të vijojë betejën.

Në një intervistë në A2 CNN, Salianji akuzon Sali Berishën si uzurpator të Partisë Demokratike dhe thotë se beteja e tij për votën brenda selisë blu do të vijojë. Ish-deputeti mohon që do të vijojë një betejë në gjykatë me Berishën për të shpallur zgjedhje të jashtëligjshme, por thotë se do të njoftojë ndërkombëtarë dhe PPE për atë që ai e quan farsë brenda PD.

Zoti Salianji, të premten, Partia Demokratike vendosi që ju të mos ishit kandidat, por ngjashëm me ju edhe ata aspirantë të tjerë për të garuar kundër zotit Berisha. Edhe zonja Kokalari, zonja Balliu, por edhe dy kandidatët surprizë, zonja Mereme Sela dhe Vladimir Sulaj, të dy nuk u pranuan për arsye të ndryshme. Personalisht për ju, a e prisnit këtë vendim të Partisë Demokratike?

Salianji: Nuk ka asnjë diskutim. Unë e unë e kam ekspozuar atë që është një narrativë e gënjeshtër e Sali Berishës, që Partia Demokratike ka garë, që ka demokraci, që intereson fitorja përballë Edi Ramës. Pra, në 5 muaj unë kam ekspozuar rrënimin dhe kalbëzimin organizativ të Sali Berishës, rrënimin dhe rrëzimin moral të tij dhe pa diskutim pastaj edhe të gjithë po themi gënjeshtrat që ka thënë katërvjeçaren e mandatit të tij, që do rrëzojë Edi Ramën, që do rregullojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët, që do heq “non grata”-n gradën, që do fitojë zgjedhjet lokale, që deputetët do t’i zgjedhë anëtarësia dhe kështu me radhë. Sot u rrëzua dhe u ekspozua dhe një element tjetër që nuk ka garë, por ka një uzurpim të funksionit të kryetarit të Partisë Demokratike për interes personal të Sali Berishës dhe të një grupi të ngushtë njerëzish. Kështu që kur nuk ka garë nuk jam e shqetësuar që pse nuk jam në garë. I shqetësuar jam që Partia Demokratike nuk po bëhet parti fituese, siç duhet të jetë dhe nuk është një Parti Demokratike dhe një aset publik, por po trajtohet si një pronë private.

Kur ju e dini që nuk do të kishte garë, përse ndërmorët hapin që në limitet e afateve të dorëzonit një kandidaturë për të garuar kundër zotit Berisha?

Salianji: Për të rrëzuar çdo argument që do të thuhej që pati frikë të dorëzonte dokumentacionin, nuk u dorëzua. Unë i kam ndjekur të gjithë hapat. Kam pesë muaj që po bëj takime me qytetarët. Po tregoj që kam më shumë njerëz në salla se Sali Berisha. Po tregoj dhe depozitova dhe një platformë se si Partia Demokratike ringrihet dhe bëhet fituese dhe hoqa dhe këtë argumentin e fundit do të thoshin që po flet nëpër media po nuk i solli në parti edhe kështu me radhë. Pra i ra dhe ky argumenti që do ta kishin si kështjellë të fundit. Pra qartësisht, populli, se po ma thonë gjithandej, u legenos për një kolltuk.

A është më e ndershme e zotit Berisha dhe të gjithë lidershipit që, kur ata e dinin që zoti Berisha do të ishte fitues, siç e thonë brenda radhëve të Partisë Demokratike, që të mos kishte më garë, por të ishte kështu siç ndodhi një zgjedhje e pa rivalë.

Salianji: Debati publik edhe narrativa që me të drejtë ju e sillni sepse është bërë gjithandej është ky: Që po, mund t’i bihej shkurt edhe mund të thuaj që po ky është një lloj mbretërimi brenda partisë edhe qëndrojmë. Po politika ka disa parime, demokracia ka disa parime dhe në demokraci duhet të kishte mbajtje të premtimit për shkak të humbjes së zgjedhjeve dhe duhet të kishte po ashtu edhe qartësisht garë edhe votë. Nuk e bënë ashtu, për shkak se ka dhe mbrojtjen e Ramës, sepse ne sot jemi qartësisht në regjimin Rama-Berisha. Pra, Sali Berisha është këmbaleci i Edi Ramës për ta mbajtur në pushtet sa më gjatë. Edi Rama mban pushtet politik, kontrollin e institucioneve. Besoj kanë një ndarje të qartë tek elementi që ka të bëjë me përfitimet ekonomike të njëri-tjetrit dhe për ndarjen e sektorëve të caktuar dhe bëhet gjasme sikur ka demokraci. Pra ky regjim që është kaq i egër për me të drejtë për qytetarët dhe ka çuar me mijëra në burg për shkak të ndërtimeve të pa leje, për shkak të energjisë apo edhe për shkak të fjalës siç ishte rasti im, nuk ka sjellë asnjë pasojë për asnjë prej drejtuesve të Partisë Demokratike, pavarësisht se kanë qenë ministra, pavarësisht se kanë qenë drejtorë. Nuk duhet harruar që i vetmi njeri i dënuar nga regjimi jam unë. Të gjithë të tjerët kanë luftë me fjalë.

Kur e kuptuat juve që Rama dhe Berisha janë një? Pse nuk e keni artikuluar më përpara, por tani që kishe ambicie?

Salianji: Unë e kam artikuluar që në vitin 2021, Sali Berisha nuk është zgjidhje. Në mars të vitit 2021 për shkak të votës së demokratëve, sepse partitë kanë disa rregulla se si funksionojnë, kam thënë “shumica e demokratëve mendojnë që Sali Berisha na sjell në fitore. Unë nuk mendoj kështu, por po i bashkohem”. Doli siç thashë unë. Ndërkohë unë sot po kërkoj fiks të njëjtën gjë. Të shkojmë te demokratët dhe ta vendosin ata se kush është drejtuesi i tyre. Por sjellja e tij tani më ka bërë qartësisht që të kuptoj që nuk i intereson të fitojë dhe që është këmbalec i Edi Ramës. Tani e kam kuptuar, tani po e them, sepse përjashton, se degët e Partisë Demokratike i ka bërë fërtele, sepse nuk po nuk po përpiqet ta sjellë Partinë Demokratike në pushtet, por të çimentojë veten e vet dhe të mbajë interesin e vet. Çfarë po bën Partia Demokratike për të fituar zgjedhjet? Keni parë ju që kanë filluar të dalin edhe hapur tani? Pra ai nuk ulet edhe nuk bën garën me ne që jemi demokratë, por ndërkohë bën ture takimesh me përfaqësuesit e Edi Ramës për reformën territoriale. Ulet me Damian Gjiknurin për reformën zgjedhore dhe me Edi Ramën. Pra ulet me Edi Ramën, por nuk ulet me demokratët. Kjo është e qartë. Si ta kuptoj këtë?

Përveç jush, u përjashtuan dhe disa kandidatë të tjerë. Përse mendoni ju që nuk u lejuan as ata kandidatë të jenë përballë zotit Berisha? Është shenjë frike?

Salianji: Besoj që kjo është për shkak për shkakun tim edhe nuk kam pranuar dhe të tjerët për të dhënë një lloj logjike që ky është i vetëm. Së dyti pa diskutim që ka frikë dhe frika që i buron kryesore është për shkak të ligjit. Pra, nëse do të legjitimohej një kandidat, ai mendon që do ta do ta padiste në gjykatë. Një gjë që unë nuk e bëj për shkak se një regjim që kontrollohet nga Rama dhe Berisha, e njëjta trup gjykuese që i dha të drejtë Sali Berishës më dënoi mua.

Ju si do ta vijoni betejën tashmë që nuk u pranua të jeni kandidat.

Salianji: Do të lajmëroj të gjithë faktorin ndërkombëtar për uzurpimin e funksionit të kryetarit të Partisë Demokratike. Do të lajmëroj Partitë Popullore në të cilën Partia Demokratike aderon dhe do të vazhdoj takimet me demokratët dhe do të bëjë betejë duke i thënë të vërtetat derisa ta çmontoj.

Po ju do t’ju çojë kjo betejë?

Salianji: Do të më çojë tek mbështetja masive dhe tek çmontimi i Sali Berishës dhe Edi Ramës më pas.

Si? Me një protestë masive te zyrat e PD-së për të larguar zoti Berisha?

Salianji: Nuk përjashtoj asnjë opsion, por unë i besoj procesit politik. Pra gjithçka do shkojë tek vota në fund.

Po për ta goditur në gjykatë zgjedhjen e zotit Berisha kur kemi një nen, nenin “Basha” që nuk lejon rikandidimin e tij, a do të ndërmerrni ju një hap në gjykata?

Salianji: Nuk do ta bëj. Por e ka bërë një prej kandidatëve në garë, e ka nisur procesin administrativ dhe besoj që gjykata do të do ta marrë në shqyrtim kur t’i vijë momenti, por unë personalisht nuk dua t’i jap asnjë argument Edi Ramës për ta mbajtur Partinë Demokratike në një tjetër ngërç ligjor. Do të doja që t’i jepnim një zgjidhje politike këtij ngërçi.

Në bazë të statutit lejohen edhe fraksionet brenda Partisë Demokratike dhe fraksionet krijohen pas zgjedhjeve të brendshme. Ju a do të ndërmerrni ndonjë hap pas zgjedhjes së të gjithë sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Ri i Kryesisë për të krijuar një fraksion brenda Partisë Demokratike?

Salianji: Fraksioni ka kuptim kur dihet kush është shumicë, kush është pakicë. Ne nuk e dimë sot kush është shumicë në Partinë Demokratike. Unë po kërkoj garë, një gjë më të thjeshtë, ta provojmë me votë kush ka shumicën në Partinë Demokratike dhe nëse shumica do të ishte diku për shembull mund të krijonte fraksion Berisha, nëse unë fitoja garën. Pra nuk ka kuptim tani asnjë gjë sepse ka rënë vota.

Partia Demokratike vijon me aksionin e saj që sipas tyre është vijimi i protestave për të rrëzuar atë që e quajnë regjimin e Edi Ramës. Ju i jeni bashkuar disa protestave, më pas jeni larguar prej tyre, distancuar, duke mos marrë pjesë në këto tubime. Si e shikoni këtë aksion? Si do të përfundojë ky aksion i Partisë Demokratike?

Salianji: Protestat janë protesta për mosndryshim, për të mbajtur peng Partinë Demokratike. Nuk janë kundër Ramës. Pa diskutim që i vlerësoj të gjithë ata që protestojnë për një qeverisje më të mirë, kundër korrupsionit, kundër abuzimeve, por shpërdorimi që i bën Sali Berisha është i paimagjinueshëm. Pra çfarë proteste është kjo ku çdo javë “Do ta rrëzojmë Ramën”, cili është qëllimi? “Do ta rrëzojmë këtë javë. Po këtë javë u rrëzua. Po hajde se do ta rrëzojmë javën tjetër”. Se kam edhe një sedër publike dhe një përgjegjësi para demokratëve. Kur më takojnë, për protestën e fundit më takoi një qytetar në rrugë më tha “bëra një festa për synetllikun e çunit, kisha më shumë njerëz se ju në protestë”. Nuk ka Partia Demokratike aq pak njerëz. Janë të zhgënjyer nga drejtimi i Partisë Demokratike që dalin aq pak njerëz në protestë.

Nga ana tjetër nga zyrtarët të Partisë Demokratike, konkretisht zoti Berisha dhe zoti Noka, vijnë akuza në drejtimin tuaj, si i lidhur me eksponentë të krimit duke përmendur Suel Çelën, më pas Ergys Agasin, por dhe banda të tjera në qytete të tjera që juve ju mbushin sallat. Si i përgjigjeni këtyre akuzave? A jeni ju i lidhur me bandat siç thotë zoti Berisha?

Salianji: S’kam nevojë për ta se kam Cosa Nostra-n dhe i kontrolloj nëpërmjet atyre. Këto janë gomarllëqe që vetëm njeri me inteligjencë, ku di unë, as rutinore mund t’i thotë edhe të na falë gomari që e krahasojmë me këtë. Së pari njëherë unë i kam denoncuar të gjithë këta me emër me mbiemër. Së dyti, pse nuk e përmendin, kur përmendin Ergys Agasin, Ermal Beqirin? Pse nuk e përmendin atë që e ka involvuar në politikë, klanin e “Troplinëve” në Durrës? Pse nuk i përmendin në Elbasan klanin e “Çapjave” dhe të “Çopjave”, ashtu si dhe Suel Çelën. Mbase publiku i harron. Këta janë “non grata” për shkak të lidhjeve me krimin të dy. Pyeteni njëherë, e kalon dot detin andej matanë?. Pyeteni njëherë se kur jo vetëm institucionet më të certifikuara në Shqipëri, por në botë thonë këtë, tani çfarë mund t’i marrësh seriozisht ata? Pastaj kur isha e lidhur me krimin unë pse më emëroj drejtues në Elbasan për shkak të lidhjeve me ta? Dhe për ta mbyllur, se këto janë akuza për të shmangur thelbin e problemit. Çdo takim që unë kam bërë, deri në momentin që kam nisur këtë lëvizje, ka qenë me porosi të Sali Berishës dhe për interesa të Partisë Demokratike, sepse ai ka qenë kryetar. Kështu që tani e mbrapa hajde të diskutojmë për çdo gjë. Po çdo takim e kam bërë me porosi të tij. Po të dojë t’i them edhe ku edhe si. Pyeteni ndonjë ditë.

Ai thotë keni pasur një agjendë personale.

Salianji: Agjendën personale thotë tani që kam dalë, po kërkoj që Partia Demokratike të bëhet fituese. Deri në momentin që kam heroi, çdo takim që kam bërë e kam bërë me porosi të tij dhe për llogari të tij si kryetar i Partisë Demokratike. Kështu që po që t’i dojë i diskutojmë i diskutojmë edhe ato. Por lidhja me krimin, unë kam bërë burg për shkak të denoncimit ndaj bandave kriminale. Nuk ngjit kjo. Është më mirë të kishte thënë ato akuzat që ka bërë ndaj të tjerëve në të kaluarën për lidhje me Ramiz Alinë.

Ka nisur puna për ndryshime statutore, a do të propozoni ndryshime statutore te grupi i punës?

Salianji: Kur ka uzurpim nuk ka statut, as nuk i jepet legjitimitet një narrative që është e pacipë. Ka uzurpim të funksioneve të Partisë Demokratike që do bëhen. Ju ra edhe maska që e mbanin deri tani që do ketë garë. Nuk ka garë, nuk ka ndryshime, ka vetëm një njeri që e përdor për interesa personale. Pra kjo është tani më evidente dhe e qartë për çdo për çdo qytetar.

Në 23 maj demokratët do të shkojnë të votojnë vetëm për emrin e Berishës. Ju do të shkoni në votim në 23 për të votuar kundër emrit të Berishës?

Salianji: Nuk ka garë, nuk ka votime. Është një proces farsë. Nëse Edi Rama bën zgjedhje me probleme të rënda dhe të theksuara në zgjedhjet e përgjithshme, ky këmbaleci tjetër i regjimit Rama-Berisha po e bën haptazi uzurpimin. Pra as po krijon epërsi morale, as po krijon diferencë, po bën të njëjtën gjë siç bën Rama, po shumë keq.

Në 30 maj do të mbahet dhe Kuvendi Kombëtar. A do të shkoni në këtë kuvend për t’ua thënë në sy të gjithë delegatëve të Kuvendit Kombëtar të gjitha problemet?

Salianji: Nuk njoh, tani e mbrapa, asnjë proces të thirrur nga Sali Berisha që është uzurpatori i Partisë Demokratike. Sali Berisha është uzurpatori i Partisë Demokratike dhe do të trajtohet si i tillë. Unë do të takoj demokratët në çdo cep. Do të vazhdoj takimet, do të vazhdoj t’i them të vërtetat e mia. Do vazhdoj të them se si Partia Demokratike bëhet fituese dhe do të vendos gishtin në çdo plagë që ka shoqëria për shkak të regjimit Rama Berisha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Kritika e Elisa Spiropalit ndaj socialistëve në pushtet: Një pikë kthese në Shqipëri?

0

Elisa Spiropali ka qenë për një kohë të gjatë e përkushtuar dhe shumë vokale në mbështetje të Partisë Socialiste në pushtet – veçanërisht të liderit të saj, kryeministrit Edi Rama, të cilin ajo dikur e krahasoi me heroin kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeun.

“Në duam Shqipërinë që ëndërroi ky burri këtu, Skënderbeu. Ka vetëm një njeri që mund ta realizojë këtë, ai është Edi Rama,” tha ajo në një tubim në vitin 2019, duke iu referuar Ramës. Për vite me radhë, kjo fjali e ka shoqëruar, pothuajse duke u bërë pjesë e identitetit të saj politik.

Ndërsa Partia Socialiste fitonte zgjedhje pas zgjedhjesh që nga viti 2013, pozicioni i saj mbeti i palëkundur – deri në mars të këtij viti, kur partia u përgatit të votonte për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila akuzohet nga prokurorët për ndërhyrje në prokurimet publike.

Çështja u zvarrit për muaj të tërë, pasi SPAK-u i kërkoi parlamentit t’i hiqte imunitetin për të lejuar arrestimin e saj, ndërsa Partia Socialiste refuzoi ta bënte këtë – një vendim që tërhoqi shumë kritika.

Sipas raportimeve, një ditë para votimit parlamentar për imunitetin e Ballukut, Rama mblodhi të gjithë deputetët dhe u urdhëroi të votonin kundër kërkesës së prokurorisë.

Megjithatë, ditën tjetër, Spiropali nuk mori pjesë në votim. Disa ditë më parë, më 26 shkurt, ajo ishte shkarkuar nga posti i Ministres së Jashtme, pa një arsye të qartë.

Këto përplasje u interpretuan gjerësisht si dëshmi e një konflikti të mundshëm brenda partisë. Por, duke qenë se partia zakonisht është hermetike për çështjet e saj të brendshme, askush nuk priste që Spiropali, e njohur si një aleate e afërt e Ramës, të fliste publikisht.

Megjithatë, më 17 prill, Spiropali bëri një postim të gjatë në Facebook, ku shpreh kritika të ashpra ndaj modelit të qeverisjes së Ramës. “Po më këshillojnë të hesht,” shkroi ajo.

Por, vazhdoi: “Vjen koha kur në një moment, institucionet fillojnë të funksionojnë si zgjatime të vullnetit të pak njerëzve. Disa ministri dhe agjenci shtetërore nuk reagojnë më ndaj ligjit dhe detyrës, por ndaj urdhrit.”

“Nuk i përgjigjen procedurës, por klanit. Dhe në këtë pikë, çdo biznes, çdo media, çdo individ e kupton se nuk është më përballë një shteti, por përballë një makinerie të pashpirt që mund të përdoret kundër tij,” vijoi ajo.

Dhjetë ditë më vonë, në një mbledhje të partisë, Rama thuhet se e kërcënoi me përjashtim nga partia për mos pjesëmarrjen në votimin për imunitetin e Ballukut – dhe për postimin e saj në Facebook.

“Ose je me ne, ose kundër nesh,” thuhet se paralajmëroi Rama.

Spiropali iu kundërpërgjigj me një tjetër postim në Facebook.

“Më përjashto,” shkroi ajo.

“Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto,” shkroi ajo.

“Nëse në një forcë politike që ka lindur si projekt emancipimi kombëtar, kritika trajtohet si devijim, atëherë problemi është më i thellë se çdo debat. Është krizë kulture politike,” shtoi ajo.

Shumë shqiptarë, përfshirë edhe mbështetës të Partisë Demokratike në opozitë, e mirëpritën kritikën e saj.

Të tjerë shprehin kujdes, duke pritur të shohin nëse kjo kritikë do të materializohet në diçka më shumë, do të intensifikohet apo do të shuhet.

Disa vënë në pikëpyetje kohën e kësaj kritike, duke qenë se ajo po kritikon një model qeverisjeje në të cilin vetë ka kontribuar për më shumë se 10 vjet, për të ndryshuar qëndrim vetëm kur u prek personalisht prej tij.

Megjithatë, një gjë është e qartë: ky konflikt ka nxjerrë në pah mungesën e demokracisë brenda partisë dhe kulturën e heshtjes, ku kritika nuk tolerohet dhe konsiderohet një gabim i rëndë.

Çfarë vjen më pas? Koha do ta tregojë

Fjorela Beleshi, gazetare politike në Tiranë që ka mbuluar qeverinë për më shumë se disa vite, tha se “për herë të parë pas kaq shumë vitesh në Partinë Socialiste ka një situatë konkrete; akuzat që deri tani janë bërë nga opozita po artikulohen publikisht nga një deputete brenda grupit parlamentar të së majtës.

“Deputetja socialiste Elisa Spiropali po kritikon drejtpërdrejt liderin e partisë, Edi Rama, për modelin censurues ndaj mendimit kritik brenda shumicës në pushtet,” tha Beleshi për BIRN.

Megjithatë, Beleshi vuri në pikëpyetje kohën e kësaj kritike dhe faktin që Spiropali po përdor platformat online për ta bërë atë, jo mediat tradicionale.

“Ajo nuk po angazhohet drejtpërdrejt me mediat, nuk po jep intervista për të kritikuar shefin e saj,” vuri në dukje ajo.

Pyetja është nëse deputetë të tjerë socialistë do t’i bashkohen kritikës, pasi në rastin e Spiropalit, Rama ka dërguar një mesazh të qartë se kritika publike nuk tolerohet nga askush që është aktiv në parti.

Spiropali ka studiuar në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara dhe iu bashkua Partisë Socialiste në vitin 2009, kur ajo ishte në opozitë. Që atëherë, ajo ka qenë një zë i fortë brenda partisë, shpesh e pranishme në media dhe e angazhuar në debate publike.

Ajo dhe Rama shpesh kanë lavdëruar njëri-tjetrin publikisht. Kjo është arsyeja pse ekspertët thonë se deklaratat e saj të fundit kanë një peshë të tillë në diskursin publik.

Blerjana Bino, eksperte për zhvillimin e shoqërisë civile me bazë në Tiranë, tha: “Pesha e deklaratave të saj lidhet drejtpërdrejt me profilin e saj.”

“Si një figurë që ka qenë në qendër të vendimmarrjes, kritikat e saj nuk perceptohen si të jashtme, por si reflektime nga brenda sistemit, gjë që u jep më shumë vëmendje,” tha Bino për BIRN.

Bino gjithashtu tha se deklaratat e saj nuk duken si reagime spontane, por si një pozicionim i qëllimshëm.

“Duke përdorur postime publike në Facebook, ajo po zgjedh një kanal që i drejtohet drejtpërdrejt publikut, duke e zhvendosur debatin nga brenda partisë në hapësirën publike.”

“Kjo sugjeron se qëllimi nuk është thjesht të ndikojë në vendimmarrjen e brendshme, por të ndërtojë një narrativë më të gjerë mbi mënyrën se si funksionon sistemi,” tha Bino.

Bino dhe të tjerë besojnë se deklaratat e Spiropalit po krijojnë një moment të rëndësishëm dhe të papritur politik – por vetëm koha do të tregojë nëse ky është fillimi i diçkaje më të madhe në politikën shqiptare.

“Është krijuar një moment politik, por mbetet për t’u parë nëse do të ketë një zhvillim politik… që do ta ndryshojë këtë sistem, apo nëse thjesht do të mbetet një zhvendosje e përkohshme e vëmendjes,” tha Bino. /BIRN

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

U dënua për vrasjen e Martin Çeços, rrëfehet Tina Pajollari: Policia më bënte presion të ndryshoja deklaratën

0

Tina Pajollari, 21-vjeçarja nga Korça, e akuzuar për përfshirje në ngjarjen e rëndë të vrasjes së Martin Çeço në vitin 2022, ka mohuar çdo lidhje me krimin dhe ka ngritur akuza të forta ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

Në një intervistë telefonike dhënë autores së emisionit “Me zemër të hapur”, Evis Ahmeti, Pajollari tha se gjatë periudhës 3-vjeçare në burg, është përballur me presione gjatë hetimeve për një çështje penale që lidhet me këtë vrasje, duke kujtuar se është shoqëruar dhe mbajtur për tre ditë në një hotel pranë ambienteve të policies.

“Kam qenë nën presion të vazhdueshëm për të ndryshuar deklarimet e mia. Më kanë thënë se nëse nuk pranoja, do të përfundoja në burg”, tha ajo.

Pajollari pretendon gjithashtu se ka përjetuar trajtim të rëndë dhe kërcënime gjatë kësaj periudhe, përfshirë edhe dhunë fizike, ndërsa shton se këto pretendime i ka paraqitur edhe në gjykatë.

Ajo ka thënë se gjatë qëndrimit në burg ka kontaktuar psikologë dhe ka këmbëngulur se është e pafajshme, duke mohuar çdo përfshirje në ngjarjen kriminale për të cilën është dënuar me 20 vite burg në shkallën e parë.

Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë deklaruar se do ta apelojnë vendimin e gjykatës, duke kërkuar rishikim të çështjes dhe përjashtim të saj nga akuzat për përfshirje në vrasje.

Tina Pajollari: Unë isha e vogël, presionet e vazhdueshme nga policia më bënë të ndryshoj version.

Nuk është e vërtetë që emisioni “Me zemër të hapur” më ka premtuar gjë pas intervistës, as gazetarja e emisionit.

3 vitet e burgut ishte e vështirë, një muaj kisha problem burgun, më pas u ambientova. Më shumë rrija vetëm. Vinin nga jashtë bënin aktivitete në burg por nuk përfshihesha.

Në burg i kam treguar të vërtetën time.

Kam folur me psikologet në burg, i kam thënë se jam e pafajshme dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje, por jam detyruar të jap një tjetër version nga policia.

Jam ndjerë shumë keq, u sëmura pasi dëgjova vendimin për 20 vjet burg.

Avokatët mbrojtës sapo kanë dalë nga salla e gjyqit deklaruan se do ta apelojnë vendimin e gjyqit ku kërkuan të mos përfshihej në vrasjen e Martin Çeços. Në vitin 2022, në emisionin “Me zemër të hapur”, Pajollari tha se s’ka patur njohje fare me viktimën.

Policia kërkoi që unë të pranoja se e kam njohur Martinin.

Policia më ka mbajtur në një hotel pranë policisë 3 ditë dhe më ushtronin presion për të pranuar njohjen me Martin Çeçon.

Më kanë trajtuar shumë keq, më mbanin, më kërcënonin, nëse nuk e pranon do të kalbesh në burg.

Ka patur dhe dhunë fizike ndaj meje, kanë qenë shumë punonjës policie, dy i mbaj mend. Nëse i shoh dhe më kujtohen do ti tregoj emrat.

Këto pretendime i kam thënë dhe në sallën e gjyqit. Gjykata e shkallës së parë nuk mori parasysh asgjë nga fjalët që kam thënë unë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Skualifikohen kandidatët e tjerë, Sali Berisha i vetëm në garë për kryetar partie

0

Sali Berisha është në garë i vetëm për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.

Komisioni zgjedhor në PD ka skualifikuar nga gara mjeken Mereme Sela si dhe Vladimir Mulaj, duke lënë kështu Berishën vetëm, raporton gazetarja e Top Channel Elda Menga.

Një ditë më parë, kandidaturën e ka dorëzuar edhe Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, por nuk u janë pranuar.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx