Ballina Blog Faqe 42

Nafta në Shqipëri kushton 2.6 herë më shumë se mesatarja e gjithë Europës

0

Nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në Europë, por për konsumatorin shqiptar kostoja reale është edhe më e lartë kur çmimi i karburantit vihet përballë të ardhurave.

Një litër naftë në Shqipëri kërkon një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave ditore sesa në shumicën e vendeve europiane, duke e bërë furnizimin e një automjeti dukshëm më të kushtueshëm në raport me të ardhurat.

Çmimi i një litri naftë në Shqipëri ka arritur në 229 lekë (2.46 euro), duke e renditur vendin të tretin në Europë, pas Danimarkës me 2.60 euro dhe Norvegjisë me 2.56 euro. Në rajon, në Serbi nafta ka arritur në gati 2 euro, në mal të Zi 1.87 euro, Bosnjë Hercegovinë 1.76, në Mal të Zi 1.87 euro, në Kosovë 1.85 euro dhe më i liri është në Maqedoninë e Veriut, me 1.64 euro.

Mesatarja europiane e çmimit në vendet e përfshira në krahasim është rreth 1.94 euro për litër.

Por çmimi në pompë nuk është treguesi i vetëm që duhet parë. Një litër naftë prej 2.46 eurosh ka peshë krejt të ndryshme për një shqiptar, një danez apo një norvegjez, për shkak të diferencave të mëdha në të ardhura.

Për të matur këtë diferencë, Monitor ka krahasuar çmimin e naftës, bazuar në çmimet e naftës të publikuara nga Global Petrol Prices, me të ardhurat për frymë të publikuara nga FMN për vitin 2026, të matura sipas fuqisë blerëse (PPP).

Ky tregues merr parasysh ndryshimet në nivelet e çmimeve mes vendeve dhe përdoret për të krahasuar më drejt standardin ekonomik dhe atë që mund të blejnë qytetarët me të ardhurat e tyre.

Në Shqipëri, të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse janë rreth 25.2 mijë dollarë ndërkombëtarë në vit. Të ardhurat ditore për frymë janë rreth 69.2 dollarë, ndërsa një litër naftë përfaqëson 3.56% të të ardhurave ditore, më e larta në Europë. (shiko grafikun: Përqindja e të ardhurave ditore që duhet për të blerë një litër naftë).

Një danezi, në vendin ku nafta është më e shtrenjta në vlerë, i duhen 1.06% e të ardhurave ditore për të boerë një litër naftë, teksa të ardhurat ditore për frymë janë 245 dollarë ndërkombëtare, ose gati 10 herë më të larta se një shtetas shqiptar.

Në Norvegji, që është shteti i tretë me të ardhurat më të larta për frymë në Europë, sipas fuqisë blerëse, pas Irlandës dhe Luksemburgut, duhen 0.8% e të ardhurave ditore.

Në të gjitha vendet europiane të marra në analizë, mesatarja e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë është 1.36%. Pra, për një qytetar shqiptar, blerja e një litri naftë përfaqëson rreth 2.6 herë më shumë të ardhura ditore sesa për një qytetar europian mesatar dhe këtu janë përfshirë të gjitha shtetet e Europës.

Nëse krahasimi bëhet vetëm për vendet e Bashkimit Europian, që kanë të ardhura për frymë më të larta se pjesa tjetër, mesatarja është 1.14%, pra një shqiptar duhet të shpenzojë rreth 3.1 herë më shumë nga të ardhurat e tij ditore për të blerë një litër naftë, krahasuar me qytetarin mesatar të BE-së.

Në rajon, në raport me fuqinë blerëse, më e shtrenjtë pas Shqipërisë është në Kosovë, ku duhen 3.1% e të ardhurave ditore të matura sipas fuqisë blerëse, duke u renditur dhe e dyta më e shtrenjtë në Europë. Nafta në Kosovë është më e lirë se në Shqipëri, në 1.85 euro, por Kosova ka të ardhura ditore gati 60 dollarë ndërkombëtare, që janë 14% më të ulëta se në Shqipëri.

Renditjen e vijon Bosnjë Hercegovina (2.66%), Serbia (2.09%). Më e lirë në raport me të ardhurat nafta është në Maqedoninë e Veriut, që e ka më të lirën dhe në vlerë si dhe në Mal të Zi, me përkatësisht 1.89% dhe 1.88%.

Taksat rëndojnë çmimin në pompë në Shqipëri

Ndërkohë, Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të karburanteve në rajon për shkak të barrës së lartë fiskale që zë gati 50% të çmimit dhe mungesës së masave fiskale.

Po ashtu në të gjitha vendet e rajonit mbi çmimin bazë të naftës llogaritet vetëm akciza dhe TVSH. Në disa shtete të rajonit akciza është 2% më pak. Në Maqedoninë e Veriut TVSh është 18% për naftën dhe benzinën, por u ul në 10% gjatë periudhës së rritjes së çmimeve.

Në Kosovë gjithashtu zbatohet norma e TVSH-së 18%.

TVSH në Malin e Zi arrin 21%, por ky shtet naftën e ngarkon vetëm me 2 taksa TVSH dhe akcizë, e cila së fundmi është përgjysmuar si masë për amortizimin e çmimeve.

Në Serbi TVSH është 20% ndërsa akciza para nisjes së luftës arrinte 59.5 lekë për litër. Por menjëherë pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, Serbia uli akcizën me 25%. Masa u riaktivizua edhe disa javë më parë.

Në Shqipëri përveç akcizës të lartë prej 39.4 lekë për litër, TVSh-së 20% dhe mungesës së masave fiskale, mbi çmimin e naftës aplikohet edhe dy taksa të tjera shtesë, që nuk aplikohen në vendet e rajonit. Taksa e qarkullimit me vlerë 27 lekë për litër dhe taksa e karbonit 3 lekë për litër.

Shqipëria, pa masa lehtësuese për naftën

Nafta në Shqipëri ka arritur në 229 lekë për litër, ndërsa benzina është ngjitur në 219 lekë, duke shënuar nivele të reja rekord dhe duke rritur presionin mbi konsumatorët dhe bizneset.

Sipas të dhënave të publikuara nga Monitor, rritja e çmimeve të karburanteve po ndodh ndërsa Shqipëria nuk ka ndërmarrë masa të reja për të zbutur ndikimin te qytetarët. Ndërkohë, mekanizmi i parashikuar për uljen e akcizës me 20% mbetet i kufizuar në zbatimin e tij.

Sipas skemës, ulja me 20% e akcizës aktivizohej kur nafta kalonte nivelin 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë për litër, por vendimmarrja për aplikimin e saj lidhej me funksionimin dhe vendimin e Bordit./ Monitor

Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

0

Erion Veliaj do të mbetet në burg. Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO në lidhje me masën e sigurisë.

Vendimi ka qenë unanim. Tre anëtarët e Kolegjit kanë vlerësuar se Veliaj duhet të qëndrojë në burg.

Rigjykimi u bë sot në zbatim të vendimit të Kushtetueses, të majit 2026, që vlerësoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar se përse “arresti në burg” ishte e vetmja masë e përshtatshme dhe as proporcionalitetin e kësaj mase me funksionin e Veliajt si kryebashkiak.

Seanca në Gjykatën e Lartë nisi në orën 09:30 dhe u zhvillua në Dhomë Këshillimi, pa praninë e palëve.

Kujtojmë që kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 dhe po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë.

TV francez “C News”: Shqiptarët po i bëjnë gjyqin modelit politik Rama

0

Televizioni francez me prirje te djathta, pronë e miliarderit Vincent Bolloré i ka kushtuar një reportazh protestave në Shqipëri. «Revolucioni i flamingove rozë» është shndërruar në një mobilizim të qëndrueshëm. Si ka mundur të zgjasë kaq shumë dhe deri ku mund të shkojë më tej? Pyet gazetari Romain Gerand

Një flamingo rozë i fryrë ngrihet mbi turmë, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz mbushin Bulevardin e Dëshmorët e Kombit. Që prej fundit të majit 2026, Shqipëria po përjeton një nga mobilizimet më të gjata qytetare që prej rënies së komunizmit. E lindur në Zvërnec kundër një projekti turistik luksoz të lidhur me Jared Kushner, në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, protesta është shtrirë në Tiranë dhe është shndërruar në një mobilizim të qëndrueshëm kundër modelit të zhvillimit dhe pushtetit të Edi Ramës.

Narta, pikënisja e një zemërimi që u bë kombëtar

Në fund të majit 2026, banorë dhe aktivistë u mblodhen në Zvërnec, pranë lagunës së Nartës. Gardhe me tela me gjemba dhe mjete të rënda kishin pushtuar një plazh të rrallë, në zemër të peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë. Zona strehon dhjetëra lloje gjallesash, ndër të cilat flamingot rozë, pelikanët dhe zona shumimi për ta.

Projekti parashikon një kompleks të madh turistik luksoz në bregdet dhe në ishullin e pabanuar të Sazanit, i mbështetur veçanërisht nga Affinity Partners, kompania e investimeve e Jared Kushner.

Kjo zonë është një nga hapësirat e fundit të mëdha natyrore relativisht të paprekura të bregdetit Adriatik shqiptar. Prej vitesh, shoqatat dhe banorët paralajmërojnë për presionin e ndërtimeve dhe turizmit. Shfaqja e papritur e punimeve përgatitore, pa një konsultim të gjerë publik, çoi në pikën e shpërthimit një zemërim që ekzistonte prej kohësh. Shumë njerëz e shohin këtë si simbol të një modeli zhvillimi ku vendimet merren larg qytetarëve dhe në favor të projekteve të mëdha.

Më 30 maj qarkulloi një video: një punonjës i maskuar i sigurisë private sulmoi një protestues, nën vështrimin pasiv të policisë. Pamjet u bënë virale. Që të nesërmen, protesta u përhap në Tiranë. Demonstratat e përditshme u vendosen përpara selisë së qeverisë. Flamingot rozë prej kartoni dhe flamingot rozë të fryra u bënë simboli i protestës. Lëvizja mori emrin «revolucioni i flamingove rozë».

Lutfi Dervishi, gazetar, akademik, drejtor ekzekutiv i Transparency International Albania dhe pedagog në Universitetin e Tiranës, i shpjegoi CNEWS-it: «Kthesa erdhi shumë shpejt, kur ajo që në fillim dukej si një konflikt lokal mjedisor u shndërrua në një çështje që lidhej me mënyrën se si ushtrohet pushteti në Shqipëri. Mbrojtja e mjedisit ishte shkëndija, por karburanti ishte një pakënaqësi e akumuluar ndaj qeverisjes, mungesës së përgjegjshmërisë dhe përqendrimit të pushtetit.»

Nga Vjosë-Narta në Tiranë: protesta ndryshon përmasë

Përplasjet në Zvërnec përbënë pikën e kthesës. Punonjësit e sigurisë private u ndoqen penalisht dhe licencat e disa kompanive të sigurisë u revokuan. Zemërimi mori një tjetër drejtim: nuk bëhej më fjalë vetëm për lagunën, por për mënyrën se si merren dhe zbatohen vendimet.

Nga qershori, protestat në Tiranë u zgjeruan Të rinj, familje, diaspora dhe shoqëria civile u mblodhen së bashku. Edhe sloganet ndryshuan: «Shqipëria nuk është në shitje», thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës, kritika ndaj korrupsionit dhe mungesës së transparencës.

Më 20 qershor, një nga protestat më të mëdha mblodhi më shumë se 150 mijë persona, sipas mediave shqiptare. Tubime paralele u zhvilluan edhe në qytete të tjera dhe jashtë vendit.

Por lëvizja mbeti e decentralizuar, pa një udhëheqje të vetme partiake. Për Lutfi Dervishin, kjo është njëkohësisht forca dhe dobësia e saj: «Ajo nuk ka një drejtim politik tradicional dhe nuk organizohet nga një parti opozitare. Njerëz që nuk do të merrnin kurrë pjesë në një tubim politik mund të marrin pjesë pa pasur ndjesinë se po mbështesin një establishment tjetër politik.»

Jared Kushner është vetëm fillimi i historisë

Emri i Jared Kushner i dha konfliktit menjëherë një jehonë ndërkombëtare. Projekti, i vlerësuar në disa miliarda dollarë, mbështetet në ndryshime të fundit ligjore që kanë modifikuar statusin e mbrojtur të disa parcelave.

Qeveria shqiptare e paraqeti atë si një investim strategjik që mund të krijojë vende pune dhe ta pozicionojë vendin në turizmin e nivelit të lartë. Edi Rama e ka mbrojtur zhvillimin, duke deklaruar se do të respektohen standardet mjedisore evropiane.

Për protestuesit, çështja ilustron një problem më të gjerë: kushtet e dhënies së projekteve, statusin e investitorit strategjik, çështjet e pronësisë mbi tokën dhe ndjesinë se një akses i privilegjuar te pushteti hap dyer që qytetari i zakonshëm nuk mund t’i hapë.

Janë hapur hetime gjyqësore për disa aspekte që lidhen me pronësinë e tokës. Autoritetet dhe zhvilluesit e mohojnë çdo paligjshmëri.

Lutfi Dervishi e përmbledh qartë: «Jared Kushner ka rëndësi, por lëvizja në thelb nuk ka të bëjë me Jared Kushner. Nëse ai do të largohej nesër nga projekti, pyetjet do të mbeteshin po ato: Si miratohen investimet strategjike? Si trajtohen zonat e mbrojtura? Kushner është shndërruar në një simbol, por ai nuk éshtë shkaku. Polemika mban një emër amerikan, por pyetjet që ngre janë thellësisht shqiptare.»

Pas flamingove rozë, gjyqi ndaj modelit Rama

Edi Rama, në pushtet që prej vitit 2013 dhe i rizgjedhur në vitin 2025 për një mandat të katërt, tashmë mishëron establishmentin për një pjesë të popullsisë, veçanërisht për të rinjtë.

«Pas trembëdhjetë vitesh, njerëzit kanë filluar t’i krahasojnë premtimet jo më me qeverinë e mëparshme, por me bilancin e vetë qeverisë», analizon Lutfi Dervishi. «Edi Rama erdhi në pushtet duke mishëruar ndryshimin. Sot ai mishëron establishmentin.

Për korrupsionin dhe marrëdhëniet mes pushtetit dhe interesave ekonomike, ai shton: «Bëhet fjalë për perceptimin se aksesi te pushteti politik mund të përcaktojë aksesin te tokat, pasuritë publike, statusin e investitorit strategjik dhe vendimet në favor të dikujt. Njerëzit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë korrupsionin si kapje të vendimmarrjes publike nga interesa private.»

Shqipëria po përparon në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kapitulli mjedisor dhe kërkesat për shtetin e së drejtës e bëjnë tensionin veçanërisht të dukshëm.

«Nuk mund të bëhesh evropian vetëm në tryezën e negociatave në Bruksel», vlerëson Dervishi. «Duhet të bëhesh evropian në mënyrën se si merren vendimet në Tiranë dhe në atë që ndodh në terren, në Vjosë-Nartë.»

Deri ku mund të shkojë «revolucioni i flamingove rozë»?

Pas më shumë se njëqind ditësh, lëvizja tashmë ka arritur diçka që pak njerëz e imagjinonin të mundur. Ajo ka detyruar hapjen e një debati publik dhe ka tronditur një imazh ndërkombëtar të ndërtuar nga Rama me shumë kujdes.

Por, pa një strukturë të qëndrueshme dhe pa një program të qartë politik, ajo ende nuk ka provuar se mund të shndërrohet në një alternativë që të jetë në gjendje të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme.

A mund të sigurojë lëshime konkrete për Zvërnecin dhe Sazanin? A mund ta zgjerojë në mënyrë të qëndrueshme bazën e saj? Apo do të humbasë gradualisht fuqinë?

Përgjigjja nuk është shkruar ende.

Ajo që tashmë është e qartë është se flamingot rozë kanë pushuar së qeni vetëm zogj. Ata janë shndërruar në pasqyrën e një Shqipërie që heziton mes një modeli zhvillimi të mbështetur te projektet e mëdha dhe një shoqërie civile që tashmë kërkon të dijë, konkretisht, në favor të kujt merren vendimet.

Marre nga C News. Përgatiti T Çela, Lapsi.al

Zbulohen përgjimet e reja të Arben Ahmetajt për Ron Yeffet: Shkoni në Vlorë dhe bëni çfarë të doni!

0

Një tjetër audiopërgjim që lidhet me biznesmenin izraelit Roni Yeffet është publikuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Çim Peka LIVE” në “SYRI TV”, ku diskutohet për puset e gazit në Vlorë dhe mënyrën se si do të sigurohej informacioni për to.

Sipas materialit audio, i siguruar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe pjesë e një dosjeje prej më shumë se tre orësh përgjimesh të realizuara në janar të vitit 2026, Yeffet zhvillon bisedë me tre shtetas të huaj, mes tyre një ukrainas, një rus dhe një grua e identifikuar si Tatiana, e cila shërben si përkthyese.

Në bisedë, Tatiana propozon që t’i dërgohet një letër zyrtare Ministrisë së Energjisë për të marrë informacion mbi gazin në Vlorë, por Yeffet e kundërshton menjëherë.

 “Jo, jo, asnjë letër zyrtare. Jo! Shikoni, shikoni, shkoni në Vlorë dhe shikoni, bëni çfarë të doni, më pas do të merrem unë me ta. Nuk do të dërgoni asnjë letër, nuk do të dërgoni asgjë”, thotë ai.

Ai u kërkon bashkëbiseduesve të shkojnë në Vlorë, të marrin informacion në terren dhe më pas shprehet se me Ministrinë e Energjisë do të merret vetë.

“Mos e përmendni emrin tim në Vlorë”, dëgjohet të thotë Yeffet në audiopërgjim, ndërsa Tatianës i kërkon që të paraqiten si përfaqësuese të një kompanie amerikane.

Pjesë nga përgjimi:

Tatiana: Do të përgatisim një letër zyrtare për Ministrinë e Energjisë, që të arrijmë informacion për gazin në Vlorë. Një letër zyrtare.

Ron Yeffet: Përse? Jo, jo, asnjë letër zyrtare. Jo! Shikoni, shikoni, shkoni në Vlorë dhe shikoni, bëni çfarë të doni, më pas do të merrem unë me ta. Nuk do të dërgoni asnjë letër, nuk do të dërgoni asgjë. Informacioni është për ne, jo për ministrinë.

Tatiana: Dakord. Çështja është thelbësore, ajo që na tha ajo është thelbësore. Të bazohemi vetëm në një vizitë në vend do të ishte joeficiente, e pamjaftueshme. Një inspektim fizik, kompania nuk do të kuptonte asgjë.

Ron Yeffet: Mbështetuni te unë për Ministrinë e Energjisë. Do të shkojmë në Ministrinë e Energjisë, do të flasim me ta për çdo gjë, por mos e përmendni emrin tim në Vlorë.

Tatiana: Dakord.

Ron Yeffet: Dakord. Ju do të përfaqësoni një kompani amerikane.

Tatiana: Dakord.

Ron Yeffet: Do të kontrolloni, do të pyesni për çdo gjë dhe ata do të bashkëpunojnë. I thashë asaj të vijë të hënën, të qëndrojë këtu. Do të shkoni në ministri një, dy, tre herë.

Tatiana: Mendoj se ajo do të vijë të mërkurën.

Ron Yeffet: Nëse ajo vjen të hënën dhe qëndron, sepse ajo nuk do të jetë të mërkurën dhe të premten, askush nuk punon këtu. Nuk është eficiente, të jemi më eficientë.

Tatiana: Dakord.

Ron Yeffet: Nëse jo të mërkurën, ata vijnë të premten, asgjë nuk ndodh dhe ajo duhet të qëndrojë këtu derisa të përfundojmë. Unë dua ta përfundojmë, ju duhet të kuptoni, kam nevojë të filloj. Ne duhet të mbyllim marrëveshje.

Tatiana: Ai po vjen nga Johannesburg. Të hënën do të jetë këtu, nga e marta në mëngjes.

Ron Yeffet: Por ai nuk largohet deri në fundjavë.

Tatiana: Dakord.

Erion Veliaj kërkon lirimin nga burgu, Gjykata e Lartë shqyrton sot masën e sigurisë

0

Gjykata e Lartë shqyrton sot çështjen që lidhet me masën e sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Seanca zhvillohet në Dhomë Këshillimi në orën 9:30 dhe në qendër të shqyrtimit është masa “arrest me burg” e caktuar ndaj Veliajt. Çështja është rikthyer për shqyrtim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka kërkuar rishikimin e proporcionalitetit të masës së sigurisë.

Gjykata e Lartë do të vlerësojë argumentet e palëve dhe rrethanat e çështjes, për të përcaktuar nëse masa e arrestit duhet të vijojë apo të ndryshohet.

Erion Veliaj ndodhet prej muajsh nën masën “arrest me burg”, në kuadër të hetimeve të SPAK.

Rregullorja e re e GJKKO, gazetarët padi në Kushtetuese: Do kërkojmë shfuqizimin!

0

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që kundërshton rregulloren e brendshme të GJKKO-së e konsideruar gjerësisht si censuruese ndaj medias dhe gazetarëve.

AGSH kërkon fillimisht pezullimin e rregullores dhe më pas shfuqizimin e saj si të papajtueshme me kushtetutën për pjesën që i takon medias dhe gazetarëve.

“Kemi paraqitur kërkesën për të pezulluar rregulloren e GJKKO, dhe më pas për ta shpallur atë antikushtetuese. Jemi të bindur që ajo rregullore cenon lirën e medias dhe të drejtën e gazetarëve për ti përcjellë publikut atë çfarë ndodh brenda GJKKO. Rregullore censuruese ndaj mediave. Shpreh zhgënjimin ndaj GJKKO, ku pavarësisht thirrjeve tona për një dialog, tryezë diskutimi, GJKKO nuk ka marrë mundimin të kontaktoje gazetarët ose të krijojë ura komunikimi që kjo rregullore të bëhet më e  mirë për lirinë e shprehjes.

Ankimi duhet bazuar në kushtetutën e republikës. Pika kryesore që kemi ngritur është prekja e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, janë dy nga shtyllat kryesore të demokracisë. Ne kemi saktësuar në padinë prej 127 faqëshe të gjitha shqetësimet tona, përfshirë aksesin në drejtësi të medias dhe qytetarëve. formularët për të aksesuar një grup ËhatsApp janë absurde dhe të pakuptimta. Është në dorën e 8 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse ka shkelje kushtetuese dhe deri ku shkon”, tha Isa Myzyraj, kreu i AGSH.

Rregullorja e GJKKO-së ka hyrë në fuqi me 1 shtator ndërsa ajo u publikua në fund të muajit korrik, kur institucionet kishin nisur tanimë pushimet verore.Gazetarët, organizatat e mediave brenda dhe jashtë vendit e kundërshtuan atë ndërsa i bënë fillimisht thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi dhe që paraprakisht të bëhen konsultime me gazetarët! Por me 1 shtator GJKKO i shpërfilli të gjithë brenda dhe jashtë vendit, kur njoftoi hyrjen në fuqi të rregullores, ndërsa një ditë më parë mbylli dhe grupin në Ëhatsapp, me te gjithë gazetarët, ku shpërndaheshin njoftimet zyrtare të kësaj gjykate. Një grup i ri është njoftuar s do të hapet, por vetëm me gazetarët e akredituar.

Përmes rregullores së re GJKKO ndalon praninë e gazetarëve në seanca gjyqësore me celularët e tyre, një mjet i domosdoshëm për komunikime në kohë reale me redaksitë e tyre. Praktikisht gazetarët kufizohen të mbajnë shënim vetëm me laps e letër. Atyre nuk u lejohet as rregjistrimi audio i seancës, ndërsa vetë Gjykata refuzon t’ua japë. Prania e kamerave thuajse përjashtohet, në kundërshtim të hapur dhe me një udhëzim të posaçëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas arrestimeve për abuzim me fondet, ish-deputeti Alban Xhelili emërohet drejtor i Postës Shqiptare në Durrës

0

Alban Xhelili, ish-deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit është emëruar në krye të filialit të Postës Shqiptare në Durrës. Ai pritet të prezantohet zyrtarisht para stafit në Durrës. Ky emërim vjen në një moment delikat dhe plot sfida për këtë filial.

Marrja e postit të drejtorit të filialit nga ana e Xhelilit vjen pas një periudhe të trazuar për këtë institucion. Filiali i Postës në Durrës u përfshi së fundmi nga një skandal financiar, ku dy ish-drejtuesett e filialit dhe financës u ndaluan nën akuzat për abuzim dhe vjedhje të fondeve.

Emërimi i tij shihet si një lëvizje për të rikthyer normalitetin, kontrollin financiar dhe besimin e qytetarëve tek shërbimet postare në Durrës, Shijak dhe Krujë.

Berisha kthehet nga SHBA: Kërkova ndihmë për rrëzimin e diktaturës së krimit dhe drogës

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një konferencë për mediat pas rikthimit nga vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Konventën e Partisë Republikane.

Berisha e paralelizoi këtë udhëtim me vizitën e tij historike të 35 viteve më parë, duke theksuar se misioni i tij qendror mbetet përmbysja e regjimit autoritar që ka kapur Shqipërinë.

Më tej, kreu i opozitës zbardhi ngjashmëritë thelbësore midis këtij udhëtimi dhe atij të vitit 1991, duke u shprehur: “Në mënyrë të çuditshme ky udhëtim sado që është 35 vite larg, dhe po të doni thoni vite dritë larg udhëtimit tim të parë, i kishte tre ngjashmëri me të.

Së pari, në udhëtimin tim të parë dhe në këtë udhëtim, unë shkoja në SHBA si kryetar i opozitës apo partisë më të madhe opozitare në vend.

Së dyti, në atë udhëtim dhe në këtë udhëtim unë shkova me një qëllim kryesor, të kërkoj mbështetjen e administratës së SHBA dhe të diasporës sonë, atëherë për përmbysjen e diktaturës totalitare komuniste, dhe kësaj here të diktaturës autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.”

Berisha denoncoi gjithashtu sulmet e asaj që e quajti si makineria mediatike e pushtetit, duke i krahasuar ato me goditjet që merrte vite më parë bashkë me Gramoz Pashkon gjatë rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Uashingtonin, ndërsa nënvizoi panikun që ka kapluar kryeministrin Rama.

“Në atë udhëtim ku unë me mikun tim të ndjerë, Gramoz Pashko, shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë, thashethemi dhe i tërë establishmenti i thashethemit u tërbuan kundër nesh.

Ata lëshuan ndaj meje e Gramoz Pashkos të gjitha epitetet e tradhtisë, agjenturës etj., por kësaj radhe nuk ishin më të pakta. E vërteta është se në makondën e kolonel Buendias, për shkak të shumëllojshmërisë së mediave ishin edhe më të shumta.

Edi Rama u tmerrua! Atij iu shndërruan sarajet e Surrelit në një bunker terrorizues! Dhe non stop lëshonte porosi tek puthadorët e tij, por unë nuk do ndalem në këtë kapitull sepse kjo do të jetë subjekt i një vepre satirike, kam filluar ta shkruaj”, u shpreh prerazi Berisha.

Plagosi ish-vjehrrin me drapër, arrestohet daja i Zegjine Çaushit

0

Ka rënë në prangat e policisë daja i deputetes Zegjine Çaushi, pas plagosjes së ish-vjehrrit të tij. Sipas njoftimit të bërë nga policia, daja i Çaushit, i identifikuar me inicialet B.B ka përdorur një mjet prerës, drapër, për të plagosur ish-vjehrrin e tij.

52-vjeçari mësohet se kishte thyer urdhrin e mbrojtjes që gjykata i kishte caktuar ish-bashkejtueses së tij, duke shkuar në banesën e saj dhe duke u konflktuar me ish-vjerrin, e më pas e ka lënë atë të plagosur me drapër në këmbë. Ky i fundit fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.

Daja i Zegjine Çaushit akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, kujtojmë se ai u shpall fillimisht në kërkim nga policia pasi pas plagosjes u largua nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Roskovec/ Plagosi me mjet prerës (drapër), një 67-vjeçar, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin B. B., 52 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, në fshatin Suk, Roskovec, shtetasi B. B., 52 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin E. G., 67 vjeç, në banesën e tij, e ka goditur atë me mjet prerës (drapër), në këmbë.  

Shtetasi B. B. ka thyer urdhrin e mbrojtjes që i ka caktuar Gjykata, ish-bashkëjetueses së tij (vajza e 67-vjeçarit), duke shkuar në banesën e tyre, ku më pas ka ndodhur konflikti.

Autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi B. B., u kap pas 30 minutash, afër banesës së tij, në fshatin Mbërsh, Roskovec.  

Shtetasi E. G. po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Del nga burgu me leje në Greqi, Alket Rizai përfshihet në konflikt me armë dhe i ikën policisë

0

Alket Rizai, shqiptari i njohur në Greqi për arratisjet spektakolare nga burgu dhe lidhjen e tij të mëparshme me të shumëkërkuarin grek Vasilis Paleokostas, është identifikuar nga policia greke si një prej personave të përfshirë në një incident me armë zjarri në një bar plazhi në Anavyssos.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 05:15 të mëngjesit, kur policia mori një telefonatë për të shtëna me armë. Në momentin e mbërritjes, efektivët nuk gjetën personat e përfshirë në konflikt, por në vendngjarje u konstatuan dy gëzhoja dhe gjurmë gjaku.

Identifikimi i Rizait u bë pas këqyrjes së kamerave të sigurisë. Sipas raportimeve të mediave greke, ai ndodhej në leje nga burgu i Domokosit dhe duhet të rikthehet atje mëngjesin e së hënës. Nëse nuk paraqitet brenda afatit, ai do të konsiderohet i arratisur dhe policia do të intensifikojë kërkimet për lokalizimin e tij.

Si nisi konflikti

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, përplasja ka nisur pasi lokali po mbyllte aktivitetin dhe numri i klientëve ishte zvogëluar ndjeshëm. Rizai, i cili ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë, doli në parking dhe vendosi muzikë me volum të lartë nga automjeti i tij.

Pronari i biznesit i kërkoi që ta ulte zërin, duke i shpjeguar se zhurma mund të sillte ndërhyrjen e policisë. Debati më pas u përshkallëzua dhe në konflikt u përfshinë edhe persona të tjerë që ndodheshin në ambientet e lokalit.

Hetuesit dyshojnë se gjatë përplasjes Rizai ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar në ajër. Pas tij, edhe një shtetas afgan, i dyshuar se punonte në sigurinë e biznesit, ka hapur zjarr.

Të shtënat dyshohet se kanë shkaktuar rikoshet, duke plagosur dy punonjës të lokalit.

Dy të plagosur, dëshmitë ngrenë dyshime

Pak pas incidentit, dy persona u paraqitën në Qendrën Shëndetësore të Kalivias. Njëri prej tyre, një 20-vjeçar grek, kishte marrë dëmtime në kyçin e këmbës nga copëzat e xhamit, ndërsa një 41-vjeçar pakistanez kishte pësuar plagë plumbi në pulpë.

Të dy janë identifikuar si punonjës të biznesit dhe janë marrë në pyetje nga policia. Megjithatë, autoritetet kanë konstatuar mospërputhje në dëshmitë e tyre. Edhe pronari i lokalit ka dhënë një version që, sipas hetuesve, nuk përputhet me provat e mbledhura deri tani.

Pas përplasjes, Rizai dhe dy personat që e shoqëronin u larguan me automjet nga zona. Edhe shtetasi afgan është larguar dhe aktualisht ndodhet në kërkim nga policia greke.

Deri tani, në pranga ka përfunduar pronari i biznesit, i dyshuar se ka dhënë deklaratë të rreme për rrethanat e incidentit.

Policia greke vijon hetimet dhe kërkimet për personat e përfshirë, ndërsa vëmendja e autoriteteve është përqendruar edhe te Alket Rizai, për shkak se ai ndodhet në ditët e fundit të lejes së dhënë nga burgu i Domokosit.