E hënë, Shtator 14, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Starton viti i ri shkollor, mbi 340 mijë nxënës ulen në bankat...

Starton viti i ri shkollor, mbi 340 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës

0
5

Këtë të hënë ka startuar viti i ri shkollor 2026-2027 në arsimin para universitar. Më shumë se 340 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës, ku rreth 25 mijë prej tyre, nisin klasën e parë.

Kreu i shtetit, Bajram Begaj ka ndarë një urim në rrjetet sociale për nxënësit për këtë vit të ri shkollor.

“Sot nis viti i ri shkollor për mijëra nxënës në të gjithë vendin. Çdo vit, çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar, por edhe për të ëndërruar.

Shkolla nuk është thjesht një vend ku marrim dije. Është vendi ku përgatitemi të marrim përgjegjësi, ku mësojmë të njohim botën, të njohim vendin tonë, të kuptojmë historinë e tij, të çmojmë kulturën dhe vlerat e të kuptojmë misionin që kemi për të ardhmen e tij.

Uroj të gjithë nxënësit, veçanërisht ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, të kenë një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të bukur!

Një urim i veçantë për mësuesit, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, për të cilën e gjithë shoqëria jonë u është thellësisht mirënjohëse!

Të dashur nxënës, Besoni te vetja, besoni tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja. Ajo do të jetë më e mirë dhe është në duart tuaja!”, shkruan Presidenti Begaj.

Me fotot e disa prej shkollave, edhe kryeministri Rama uron nxënësit për vitin e ri shkollor 2026-2027.

“Me urimin për një vit të mbarë shkollor nxënësve, mësuesve, drejtuesve të shkollave, e padyshim edhe vetë prindërve që sot nisin fëmijët në shkollë, ju uroj të gjithëve një javë sa më të mirë”, shkruan Rama.

Ky vit shkollor sjell edhe një sërë zhvillimesh të rëndësishme për nxënësit, mësuesit dhe familjet.

​Me fokusin për sigurinë në shkolla, këtë vit do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara. Paralelisht, është fuqizuar edhe shërbimi psiko-social, me 900 psikologë dhe punonjës socialë që do të jenë të pranishëm në shkollat e vendit gjatë vitit shkollor 2026–2027, për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve. 20 shkolla të Tiranës janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, me kushte të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente.

Një prej risive të këtij viti është programi “Pas Shkolle”, i cili pas fazës pilot në Tiranë gjatë vitit të kaluar, shtrihet tashmë në 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë. Në javët e para të vitit shkollor, nxënësit dhe prindërit do të informohen mbi funksionimin e programit dhe do të kenë mundësinë të zgjedhin klubet ku dëshirojnë të marrin pjesë, nga arti e muzika te teatri, sporti, zejet dhe aktivitete të tjera. Për organizimin e tyre, aktualisht është e hapur edhe thirrja për trajnerët, ku mund të aplikojnë mësues, mësues në pension, artistë, artizanë dhe profesionistë të fushave përkatëse.

Zjarr Tv Ad