Ballina Blog Faqe 45

SPAK publikon email-et e Alban Eftimit që ‘fundosën’ Ballukun për vilën e Palasës

0

Dy email-e të dërguara nga biznesmeni Alban Eftimi në adresë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku janë bërë pjesë e dosjes së SPAK, në kuadër të hetimeve për vilën luksoze në Palasë, për të cilën prokuroria dyshon se është përfituar si ryshfet në këmbim të tenderave publikë.

Sipas SPAK, e-maili i parë tregon komunikimin e drejtpërdrejtë të Eftimit me Ballukun për detaje të projektimit dhe arredimit të vilës, në një kohë kur objekti ishte ende në ndërtim.

Në një email të datës 14 shtator 2020, Eftimi i dërgon Ballukut një sërë detajesh për punimet në vilë, duke përshkruar edhe elementë të veçantë të projektit, nga pishina dhe vaskat hidromasazhi, te materialet e përdorura dhe mënyra e organizimit të ambienteve.

“Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me ‘teak’ për një ‘feeling’ pak më të ngrohtë e pak si jaht”, shkruan Eftimi në email.

Në të njëjtin komunikim ai përmend edhe mundësinë që vila të jepet me qira në të ardhmen, duke diskutuar për mënyrën se si ambientet duhet të krijonin ndjesinë e një hoteli luksoz.
“Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore”, shkruan biznesmeni, ndërsa vijon me detaje për pishinën “infinity”, tavolinën e ngrënies në nivel me ujin dhe hapësirat e parashikuara për vendosjen e gotave e pjatave.

Eftimi përshkruan gjithashtu dy vaska hidromasazhi të vendosura në krahët anësorë të vilave, si dhe përdorimin e materialeve prej “teak” për të krijuar një atmosferë të ngrohtë, të ngjashme me një jaht.

“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënieje në një nivel me ujin që të shijohet në maksimum “infinity pool”. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë.

Në 2 krahët anësore të shtëpive në nivelin e hyrjes dhe suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini). Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek “master bedroom” janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me “teak” për një “feeling” pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të përfundojmë dhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”, thuhet në email.

Katër ditë më vonë, më 18 shtator 2020, Eftimi i dërgon sërish Ballukut një dokument me emërtimin “Vilat binjake Palasë”. Dokumenti përbëhet nga 11 faqe dhe përmban planimetri dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave.

Sipas hetimeve të SPAK, vila me numër 188/1 në Palasë ishte ndërtuar deri në fazën e karabinasë me investimin e ish-futbollistit Igli Tare. Më pas, punimet e tjera të objektit dyshohet se janë marrë përsipër dhe financuar nga biznesmeni Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”.

Kjo kompani, së bashku me operatorë të tjerë ekonomikë, ka fituar tenderin për ndërtimin e lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.

SPAK e konsideron me rëndësi edhe lidhjen familjare mes Abazit dhe Ballukut. Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, Abazi bashkëjeton me një të afërme të ish-zv.kryeministres.

Në kuadër të hetimeve, SPAK ka vendosur sekuestrimin e vilës në Palasë, ndërsa emri i Belinda Ballukut është regjistruar si person nën hetim për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Balluku është gjithashtu e pandehur në një tjetër çështje penale që lidhet me tenderat publikë, konkretisht për procedurat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës.

Hetimi për vilën në Palasë dhe komunikimet e zbuluara tashmë janë pjesë e një tjetër piste të SPAK, duke thelluar hetimet dhe rënduar akuzat ndaj ish-numrit dy të qeverisë Rama.

Banorët e Rrajcës përplasen me deputetët e PS dhe braktisin dëgjesën për Reformën Territoriale

0

​Dëgjesa publike e zhvilluar në Rrajcë për Reformën e Re Territoriale është mbyllur me tensione dhe braktisje nga ana e banorëve. Takimi, i menduar si një tryezë konsultimi mbi të ardhmen administrative të Bashkisë së Prrenjasit, degradoi në debate pasi deputetët e  PS refuzuan të mbajnë një qëndrim.

​Gjatë takimit, banorët e Rrajcës kërkuan me ngulm nga deputetët socialistë të zonës, Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, që të deklaroheshin hapur pro apo kundër planit të ri territorial.

Vendasit ngritën argumentin se çdo plan për shkrirjen apo riorganizimin e mëtejshëm të njësisë së tyre do të thellonte izolimin e zonës, do të largonte shërbimet bazë administrative nga qytetarët dhe do të dëmtonte përfaqësimin e komunitetit në vendimmarrje.

Për banorët, ruajtja e autonomisë vendore dhe e identitetit gjeografik e ekonomik të Rrajcës është e rëndësishme.

​Përballë kërkesës së drejtpërdrejtë për të mbajtur qëndrim, deputetët Muzhaqi dhe Komici zgjodhën të shmangnin një përgjigje përfundimtare pro ose kundër.

Kjo heshtje u interpretua nga të pranishmit si një përpjekje për ta kaluar takimin si një procedurë thjesht formale burokratike, pa marrë asnjë zotim politik përpara banorëve që i kanë votuar.

​Në krah të komunitetit u rreshtuan deputetët e Partisë Demokratike të pranishëm në takim, të cilët dolën hapur kundër çdo varianti që parashikon shkrirjen e bashkisë.

​Të zhgënjyer nga mungesa e transparencës dhe refuzimi i deputetëve të maxhorancës për t’u pozicionuar, banorët e Rrajcës e cilësuan takimin të pavlefshëm dhe e braktisën.

Gjyqtarët kallëzojnë Ministrin e Financave për pagat, reagon Edi Rama

0

Pas kallëzimit penal në SPAK ndaj Ministrit të Financave, Petrit Malaj, për moslejimin e rritjes së pagave të gjyqtarëve, kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X. Rama e cilëson qëndrimin e ministrit si të mbështetur në ligj dhe Kushtetutë, duke theksuar se vendimi për rritjen e pagave i takon Kuvendit të Shqipërisë.

Reagimi i Ramës në “X”:

“Kallzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë. Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”

Pagat e magjistrateve, kallëzohet në SPAK ministri i financave Petrit Malaj

0

Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kallëzuar në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, sekretarin e përgjithshëm të kësaj ministrie, si dhe drejtuesit e degëve të Thesarit në rrethe.

Kallëzimi lidhet me çështjen e pagave të magjistratëve ku pretendohet moszbatimi i vendimeve gjyqësore që lidhen me trajtimin e tyre financiar.

Sipas shoqatave personat e kallëzuar dyshohen për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Pengimit për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “Mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.

Lutfi Dervishi paralajmëron: Tetori mund të jetë muaji i kulmit të protestës

0

Lufti Dervishi ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si qeveria po përpiqet t’i përgjigjet protestës qytetare, duke e marrë si shembull nismën “Prania Besnike”, përmes së cilës deputetët zhvillojnë takime me qytetarët.

Në emisionin “Off the Record” në A2CNN, gazetari tha se mazhoranca duket se po përpiqet të krijojë një imazh dialogu me qytetarët, ndërsa ajo që mungon, sipas tij, janë vendimet që prodhojnë ndryshim real.

Dervishi e cilësoi këtë qasje si populiste dhe ironizoi takimet e deputetëve, duke vënë në dyshim efektin e tyre në një kohë kur protesta po vijon.

Sipas tij, nuk mjafton që zyrtarët të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve dhe më pas të largohen nga takimi me një fotografi. Për gazetarin, një reagim i vërtetë i qeverisë do të duhej të shoqërohej me masa dhe akte konkrete.

Ai solli në vëmendje edhe ndryshimin mes përballjes së qeverisë me opozitën dhe situatës aktuale, duke argumentuar se mazhoranca është mësuar të ketë një kundërshtar politik përballë, ndërsa protesta qytetare paraqet një tjetër lloj sfide.

“Po i dëgjojmë fjalët, por po i shohim edhe veprimet. Ka një mospërputhje mes asaj çka thuhet dhe asaj çka bëhet. Populizmi është lideri mbi institucionin. Populizëm është që ta kthesh shtetin në whatsapp, apo portal. Populizëm është që për problemet më të mëdha të bësh sikur po bën zgjidhje. Populizëm është që të rreshtohesh me popullin, por të thuash burokracia, administrata, ju deputetë që na keni nxirë faqen, me vende pune, ky është populizëm. Reflektimi është me akte konkrete. Deri tani kemi parë parodi. Ka një lloj hutimi. Qeveria është mësuar me armikun, kundërshtarin prej vitesh, dhe e di si do ta përballojë, por s’e ka të qartë që s’është opozita përballë, dhe ka kaluar në veprime teatrore. Më duket pak qesharake, takimi i së premtes, i xhumasë pasdite, po dëgjojmë halle, po bëjmë edhe një foto. Çfarë është kjo?! Edhe Estrada e Ushtarit ka pasur pak më shumë cilësi. Pak më shumë përmbajtje. Kush është ideja, propagandë dhe më shumë propagandë. E shëmtuar!”, u shpreh Dervishi.

Në fund, gazetari paralajmëroi se protesta mund të arrijë një pikë kulmore në muajin tetor. Ai paralajmëroi se tensioni mund të rritet pavarësisht zhvillimeve të tjera dhe nënvizoi se qeveria nuk mund ta mbështesë komunikimin me qytetarët vetëm te rrjetet sociale.

“Nuk jeton dot online, me like, komente dhe emocione. Muaji tetor mund të jetë edhe muaji i kulmit. Janë disa akrepa të orës që mbivendosen me njëra-tjetrën dhe shikohet çfarë efekti mund të japë. Temperatura, pavarësisht reshjeve që priten, do të mbetet e lartë“, tha Dervishi.

Erion Veliaj me “një këmbë” jashtë burgut? Artan Hoxha “zbërthen” përpjekjet e kryebashkiakut

0

Gazetari Artan Hoxha i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me çështjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Sipas Hoxhës, të gjitha lëvizjet e fundit administrative dhe politike brenda Bashkisë së Tiranës po bëhen me qëllim që Veliaj t’i tregojë gjykatës se meriton një masë më të lehtë sigurie. Ai shtoi se koha se kur po ndërmerren këto veprime tregon qartë synimin e ekipit mbrojtës të Veliajt përpara seancës gjyqësore.

“Veliaj për çfarë akuze është? Është për incenatorët, jo s’është për incenatorët. Tani kur ti nuk e ke për çështjet madhore, përse për këto çështjet e tjera ti merr një masë kaq ekstreme? E dyta, ti Veliajn mund ta çosh në arrest shtëpie. Arresti i shtëpisë është një masë ekuivalente me arrestin me burg. I le dhe një polic te dera, vetëm thjesht e rri në shtëpi. Shiko ajo që konsistoj unë sot dhe po këmbëngul nuk është fakti që pse mbahet në burg Erjon Veliaj. Po pse Erjon Veliajt nuk janë vënë akuzat e duhura që të justifikonin mbajtjen në burg.

Veliaj po bën të gjitha përpjekjet. E nisi si e nisi, e mbani mend në fillim edhe me goditje poshtë brezit, sepse ai ashtu e perceptoi atë. Mori atë që mori, ndryshoi taktikën, ra në qetësi, e mbani mend nisi atëhere sulm prokurorit, ndaj tjetrit, tjetrit. Sot jemi në një fazë tjetër. Tani Veliaj po bën një përpjekje tjetër.

Kjo që ai bëri, pra lëvizja kryesisht administrative dhe politike në bashkinë e Tiranës, kur ai i mori frenat e bashkisë, ai mund ta bënte edhe më përpara këtë. Pse s’e ka bërë më përpara, mund ta hiqte atë Ristanin dhe më përpara.

Pra Veliaj është përpjekur dhe gjithë lëvizjet e fundit pra duke marrë në kontroll drejtimin e bashkisë, e ka bërë për t’i treguar gjykatës.  Kjo po bëhet fiks para gjyqit. Thashë ai mund ta bënte para gjashtë muajsh. Ndërkohë kur bëhet kaq afër datës së gjyqit të gjitha lëvizjet, presioni i avokatëve ndërkombëtarë, lëvizjet politike që po bën, lëvizjet administrative që ai po bën, të gjitha tregojnë që ai po bën të gjitha përpjekjet për të marrë një masë sigurie më të butë.

Në ç’nivel do jetë masa e sigurisë? Do ta shohim por ai kërkon të shpëtojë nga arresti me burg. Pra të marri një masë më të zbutur dhe nga aty pastaj ai mund të fillojë një strategji tjetër e cila mund t’i lejojë atij të ndjeki një betejë tjetër ligjore”, tha ai.

Protesta në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinëz nis me tensione, banorët hyjnë në ambientet e Bankers Petroleum

0

Ka nisur me tensione protesta e paralajmëruar prej dy ditësh nga banorët e zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz.

Protestuesit kanë hapur me forcë portën e një prej sektorëve të kompanisë Bankers Petroleum dhe janë futur në ambientet e saj. Banorët kanë kërkuar largimin e punonjësve nga zona, ndërsa situata është tensionuar. Protesta zhvillohet në vijim të kërkesave të banorëve për respektimin e kontratave dhe pagesat për tokat e dhëna me qira kompanisë. Një nga banorët shprehet “Është prona ime, jo e jotja. Kemi bërë një kontratë bashkë, por nuk po e zbaton, nuk po më jep lekët”.

Përballë kësaj situate, banorët i shprehën njëzëri për të vijuar protestën e tyre me bllokimin e shesheve. Ata u shprehën njëzëri se nuk do të lejojnë që të përgjysmohet vlera e qirasë së tokës nga 4 milionë për dynym në dy milionë. Protestuesit ndodhen tashmë brenda ambienteve të sheshit satelit tre, në përpjekje për të bllokuar punën.

Shpërthimi te karburanti “Eida”, dëshmitë e punonjësve zbardhin çastet para incidentit, 3 pista nën hetim

0

Hetuesit e ngjarjes së ndodhur në stacionin e karburantit “EIDA” në zonën e Brrylit në Tiranë nuk kanë ende një konkluzion të qartë mbi shkakun kryesor që solli shpërthimin dhe shembjen e pjesshme të godinës.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje tre punonjësit e lënduar nga incidenti, dëshmitë e të cilëve kanë ndihmuar në ngritjen e tre pistave kryesore të verifikimit.

Sipas burimeve nga grupi i hetimit, tre punonjësit e dëmtuar kanë deklaruar se në momentin e shpërthimit ishin duke furnizuar me gaz një automjet në sheshin e pikës së karburantit.

Ata kanë pohuar se nuk e kanë të qartë se si ka nisur incidenti, pasi gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave.

Megjithatë, ekspertët kanë fiksuar se pranë godinës që u dëmtua rëndë ndodhej edhe një bombol gazi, çka ka shtuar dyshimet për një rrjedhje potenciale ose defekt të pajisjeve ndihmëse.

Aktualisht, hetimet po përqendrohen në tri pista konkrete teknike për të përcaktuar origjinën e zjarrit dhe të shpërthimit.

E para lidhet me vetë automjetin që po furnizohej në ato momente, për të parë nëse ka pasur një defekt shpërthyes në sistemin e tij të gazit.

E dytë ka të bëjë me një avari të mundshme në vetë pompën e furnizimit të stacionit “EIDA”.

Pista e tretë përfshin verifikimin e bombolës së gazit të vendosur pranë godinës, për të zbuluar nëse ka pasur rrjedhje të gazit në mjedis që mund të jetë ndezur nga ndonjë shkëndijë elektrike apo burim tjetër nxehtësie.

Arjan Konomi: Pas sherrit me Lindën dhe Edin, Top Channel më hoqi nga puna

0

Pas përpasjes me eskortën e Edi Ramës në Vuno të Vlorës dhe ofendimeve nga Linda Rama, gazetari dhe publicisti Arjan Konomi është hequr nga puna si opinionist në Top Channel.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Konomi në një video në rrjete sociale. Ai thotë se tashmë të gjithë e dinin se ai do ishte opinionist në emision “Për’puthen” në Top Channel pasi autorët dhe drejtuesit e televizionit kishin këmbëngulur shumë për ta pasur në reality show, por edhe pse nuk kishte shumë dëshirë pranoi edhe pse me një pagë sa gjysma që ai kishte marrë vite më parë.

Por pak pas sherrit me Edi dhe Linda Ramën, gjithçka ndryshoi pasi ka marrë një telefonatë nga zv.CEO e televizionit ku i është drejtuar me gjuhë të ashpër dhe i ka bërë të ditur se e kanë larguar nga puna. Po ashtu, ai shton se e kanë kërcënuar që të mos flasë për këtë temë.

Prova të reja për Belinda Ballukun/ SPAK: I sekuestrohet vila në Palasë

0

Prokuroria e Posaçme ka bërë publike të dhëna të reja nga hetimi ndaj ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

 Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet kanë nxjerrë në dritë dyshime të reja për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Në qendër të këtyre dyshimeve është një vilë në kompleksin “Green Coast”, në Palasë, e cila sipas prokurorisë rezulton të jetë në pronësi faktike të Ballukut.

 SPAK pretendon se pasuria është mbajtur e fshehur përmes veprimeve dhe dokumenteve fiktive, duke u regjistruar në emër të shtetasit Igli Tare. Hetimi lidhet gjithashtu me procedurën e tenderit për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit mbi 2.3 miliardë lekë pa TVSH.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, për faktet penale në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, për kryerjen e veprave penale:

A- “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (e kryer tetë herë),parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurat e prokurimit me objekt:

1.“Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë).

2.“Plotësimi rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”.

3.“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”.

4.“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”.  5.“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

  1. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”.

7.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”.

8.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”;

B- “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1,  gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.

Nga kryerja e veprimeve hetimore në vijim të hetimeve paraprake, të shoqëruara edhe me metoda speciale të hetimeve, si dhe nga mbledhja e provave dixhitale dhe provave të tjera, kanë rezultuar të dhëna për fakte penale të reja, nëngarkim të të pandehurës Belinda Balluku.

Konkretisht, nga aktet e administruara kanë rezultuar të prova për veprime të kundraligjshme të të pandehura Belinda Balluku, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2 353 597 373.94 (dy miliardë e treqind e pesëdhjetë e tre milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e katër) lekë pa tvsh.

Në lidhje me procedurën e prokurimit të sipërcituar, rezulton se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit  Arbër Troka, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorin ekonomikë fitues të kësaj procedure prokurimit, bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construcion” dhe “2T” sh.p.k, duke vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, nenet 18, 19, 21, 42/2, 56, 76, 77,  80, 92, 95 të tij, me ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, nenin 3 të tij, si dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, nenet 7 (pika 1, 2 dhe 9), 26, 27, 47 (pikat 2, 3, 4), 73, 82, 93, të tij.

Nga hetimi rezulton se e pandehura Belinda Balluku ka në pronësi faktike pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, e cila ka rezultuar se është një pasuri e fshehur.

Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipëmarrjes, datë 26.10.2020, nëshumën 250,000 Euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.

Ndërsa në vijim të ndërtimit të këtij objekti, investimi është marrë përsipër dhe realizuar nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga ana e shtetasit Arbër Abazi, vlera e këtij investimi varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro.

E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, në procedurën e prokurimit të sipërpërmendur, ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve në objektin “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë.

Për të fshehur përfitimin e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025.

E pandehura Belinda Balluku, për shkak të detyrës, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në bazë të neneve 3, pika 2, gërma“a”, neni 7, pika 1, të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar, ka pasur detyrimin ligjor për deklarim të kësaj pasurie, por që nuk e ka bërë, me qëllim fshehjen e saj, nëpërmjet krijimit të dokumentacionit të pronësisë në emër të shtetasit Igli Tare.

Për faktet penale të reja në lidhje me pasurinë e paluajtshme“Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, rezulton se:

-E pandehura Belinda Ballku dyshohet se ka kryer veprat penale“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuara nga nenet 260 dhe 257/a, të Kodit Penal, si dhe për veprën penale“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

-Shtetasi Arbër Abazi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”,  parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.

-Shtetasi Igli Tare dyshohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

-Personi juridik “Alko Impex General Construction” (shoqëri e shtetasit Arbër Abazi) dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”,  parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin  nr.591, datë 09.09.2026, ka vendosur:

-Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”mbi pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, me të dhënat e pasurisë së regjistruar Zona Kadastrale 1739, me numër pasurie 68/87/73, Volumi 9, Faqe 148, me sipërfaqe totale 478 m2, prej të cilave 478 m2 truall dhe 142.6 m2 ndërtesë (me përshkrim të veçantë “ sipërfaqe kati përdhe 142.6m2, sipërfaqe kati i parë 128.6m2, sipërfaqe nën parkim1 20.1m2, sipërfaqe nën parkim2 40.2m2).

Prokuroria e Posaçme vijon që të kryejë veprimet e nevojshme hetimore për këtë procedim penal, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe fakteve penale që janë objekt i këtij hetimi.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.