Ballina Blog Faqe 47

Gjekmarkaj ironi me ‘Besën’ dhe ‘Pasqyrën’: Pse s’i bëni ligje? Njërin ta konceptojë Gysi, tjetrin Ron Yeffeti

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka ironizuar nismat e qeverisë së Edi Ramës, “Besën” dhe “PasqyrAlbania”, gjatë mbledhjes së sotme me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve.

Ai ironizon Kryeministrin Edi Rama teksa thotë se iu deshën 13 vite në pushtet për të kuptuar se “Shqipërisë i kishte munguar pasqyra”.

“Zoti kryetar, kolegët e mi ikën thelbit në diskutimet e veta, kush për pasion, kush për bindje dhe kush për informacion. Unë besoj që vera që lamë pas ishte bizarre, tejet interesante. Unë kam medituar shumë, kam sqaruar vetveten pse për 13-14 vjet kam jetuar në ankth të trazuar, djersitesha natën. Kisha jetuar në pabesi, e kuptoni ju më kishte munguar “Besa”…ec e ec rrugës u shfaq edhe “Prania Besnike” ku ka më mirë. Pastaj pamë veten në pasqyrë dhe pashë që isha thinjur që Shqipërisë i kishte munguar pasqyra”, tha ai.

Më tej, ai ironizon duke thënë se këto nisma duhet t’i kthejnë në ligje dhe madje të konceptohen nga Ergys Agasi, Ron Yeffet dhe të tjerë.

“Por jemi treguar të papërgjegjshëm që nuk i keni futur në kalendar për t’i bërë ligje. Ligji “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyra”. Kam një propozim që ligjin e parë ta konceptojë Gysi, të dytin Ron Yeffeti, marifeti, ndërsa pasqyrën le të na e sjellë ai Beqiraj stil rokoko nga ato të kështjellave. Na e sjell me balon dhe shiheni si zotërinj.

Më vjen keq që një politikane me kaq përvojë si zonja Tabaku kërkon të kenë prioritet ligjet e integrimit, madje do edhe informacion, e çfarë i duhen Shqipërisë ligjet e integrimit para  “Besës” , “Pranisë besnike” dhe Pasqyrës. Ato janë pesë me hiç, para këtyre koncepteve të epërme, për të cilat duhet t vrapojmë t’i bëjmë ligje.

Dhe e fundit. Zoti Bardhi “bëri gabim” kur anuloi se qeveria dhe kryeministri imponohen orë çaste duke cenuar pavarësinë e parlamentit. E ke gabim Gazment, këta ja bëjnë tetë me dy siç e ke parë atij dhe qeverisë, Ramës i fërgëllojnë poturet si perdet nga era kur dritarja rri hapur, kur kalon para këtyre zonjave dhe zotrinjve. Këta e kanë aq për zemër parlamentarizmin që ja i bëjnë tërbimet pa gajle Kryeministr dhe aradhen e tij”, tha Gjekmarkaj.

Tragjike në Tropojë, 4 punonjës të bashkisë i zë korrenti, dy humbin jetën dhe 2 në gjendje të rëndë

0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në Tropojë, ku katër punonjës të Bashkisë dyshohet se kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike gjatë punës në rrugën e Dubravës.

Sipas informacioneve paraprake, dy prej punonjësve, dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa 2 punonjësit e tjerë raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur gjatë punimeve pranë linjave elektrike, në një zonë ku vetëm pak ditë më parë qytetarët kishin ngritur shqetësime për prerjen e pemëve dhe rrezikun që mund të shkaktonin punimet pranë rrjetit të energjisë.

Pagat e gjyqtarëve, sherr në Konferencën e Kryetarëve mes Gaz Bardhit dhe Niko Peleshit

0

Debate dhe akuza të forta gjatë mbledhjes së sotme (8 shtator) të Konferencës së Kryetarëve.

Krizës së pagave në sistemin e drejtësisë i është referuar edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë mbledhjes, duke u përplasur me kryeparlamentarin Niko Peleshi.

Bardhi i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve.

“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën”, mësohet të ketë deklaruar Bardhi.

Ai ka theksuar se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese lidhur me pagat e gjyqtarëve, ndërsa sipas tij Kuvendi nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e tij.

Bardhi ka përmendur gjithashtu një vendim të Këshillit të Legjislacionit për zbatimin e vendimit të Kushtetueses, duke akuzuar mazhorancën se nuk po vepron.

Sipas tij, situata ka sjellë pasoja konkrete në sistemin e drejtësisë, me gjyqtarët që ende nuk kanë marrë pagat dhe me gjykatat që ndodhen në një situatë krize.

“Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, mësohet të ketë deklaruar Bardhi gjatë mbledhjes.

“Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën.

Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën.

E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese. Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin dje. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën”, ka shtuar Bardhi.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur administrata e Gjykatës së Tiranës, përfshirë sekretarët gjyqësorë, Dhomën Civile dhe Dhomën Penale, është në bojkot për shkak të ngërçit me pagat e muajit gusht.

“Ngërçi” me pagat e magjistratëve, Gjykata e Tiranës bojkoton punën

0

Administrata e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës ka nisur bojkot për shkak të çështjes së pagave.

Edhe administrata e Dhomës Penale e ka bojkotuar punën ditën e sotme.

Ditën e djeshme, gati shtatë muaj pasi u shpreh me vendim për pagat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, Kushtetuesja u detyrua të flasë edhe njëherë për çështjen, për shkak të situatës së krijuar më bllokimin e pagesës së  magjistratëve. Këtë herë, jo përmes një vendimi, por mes një reagimi për median.

Pa përmendur Kuvendin e Republikës por vetëm ata që i quan si autoritete përgjegjës, Kushtetuesja kujton se vendimi i saj i datës 17 shkurt 2026, ka përcaktuar standardin kushtetues të zbatueshëm dhe se ka evidentuar edhe detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse.

Kushtetuesja, theksonte më tej se arsyetimi i vendimit përbënte qëndrimin zyrtar të gjykatës për çështjen, se vendimet e saj janë përfundimtare të zbatueshme dhe kërkesë e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues. Por teksa diskutimi publik për pagat e magjistratëve ka përfshirë ministra dhe kreun e qeverisë, Edi Rama, vetë Kushtetuesja dhe administrata e saj është paguar, sipas listëpagesave të vjetra, pas shtesë në pagë.

Në këtë kuadër, në reagimin për media, Kushtetuesja theksonte se përllogaritja dhe ekzekutimi i pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të buxhetit në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit të shkurtit 2026 dhe as për detyrimet që vendimi sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij.

Alibeaj: Berisha nuk është lider i të gjithë opozitës

0

Ish-deputeti dhe themeluesi i “Djathtas 1912”, Enkelejd Alibeaj, tha se Sali Berisha me vizitën në SHBA ka fituar vetëm bastin dhe sfidën e tij për të shkelur territorin amerikan, por sipas tij pyetja e madhe është me çfarë kosto e ka bërë këtë.

Sipas Alibeajt, Berisha drejton një parti të përçarë e të gjymtuar, që s’ka forcë të influencojë axhendën politike. Alibeaj u shpreh për  “Off the Record” se Berisha është kreu i PD dhe nuk mund të konsiderohet si lideri i të gjithë opozitës.

“Berisha është kryetar, lider, i PD-së. Ka shumë parti në Parlament që s’e njohin as për lider, as për aleat. Është lider i partisë më të madhe, por jo i opozitës. Opozita janë disa. Është si të pomposh diçka që është në vdekje klinike. Po ka diçka, që bastin e vet, sfidën e vet, për të shkelur në territorin amerikan, e ka fituar. Pyetja e madhe është me çfarë kosto.

Çështja e non gratës së tij ishte ‘çështje personale dhe tha që s’përfshij PD-në’. Ditën tjetër tha, ‘një parti që s’më mbron nuk meriton të ekzistojë’. Historia tashmë është e ditur, një parti e përçarë, e gjymtuar, që s’ka forcë fare të influencojë axhendën politike. Një parti politike private që ekzistencën e vet e ka të lidhur me interesat dhe me kurimin e interesave të Ramës”, tha Alibeaj.

Banorët në Patos-Marinzë protestë ndaj ‘Bankers Petroleum’, paralajmërojnë bllokimin e puseve të naftës

0

Banorët e fshatrave të zonës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës janë ngritur sërish në protestë të fuqishme gjatë ditës së sotme, duke braktisur zyrat e Fierit dhe duke rrethuar drejtpërdrejt zyrat e kompanisë “Bankers Petroleum” në vendburim. Qytetarët denoncojnë mospagesën e qirasë së tokave dhe tentativat e kompanisë për të ulur njëanshmërisht vlerën e kontratave, duke paralajmëruar përshkallëzim të menjëhershëm të përballjes.

Protestuesit theksojnë se përpjekjet e deritanishme për të kërkuar të drejtat e tyre kanë ndeshur në arrogancë dhe mbyllje dyresh nga ana e drejtuesve të kompanisë. Banorët e cilësojnë këtë situatë si një abuzim të papranueshëm me pasurinë dhe pronën e tyre, duke nënvizuar disbalancën ulëritëse financiare ku paga e një punonjësi të huaj kinez barazohet me qiranë e 10 tokave të marra nga komuniteti vendas. Ata janë shprehur të vendosur se nëse marrëveshja fillestare nuk respektohet pikë për pikë, do të kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të tokave në gjendjen e tyre fillestare.

Pas një takimi të shkurtër 10-minutësh mes përfaqësisë së komunitetit dhe drejtuesve të kompanisë, banorët nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete për kërkesat e tyre legjitime. Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi Aleksandër Profka konfirmoi se “Bankers Petroleum” u justifikua me pretendimin e papranueshëm se po përballet me “shpenzime të mëdha operative”.Të gjendur përballë këtij shpërfilljeje zyrtare, banorët lajmëruan kalimin në një fazë të re rezistence: bllokimin e plotë të aktivitetit nxjerrës në disa nga sheshet kryesore të vendburimit në të gjithë zonën.

Ahmetaj: Belinda Balluku emëron ministra dhe kërcënon Ramën

0

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i ftuar në Çim Peka Live bëri deklaratën e fortë se Belinda Balluku emëron ministra.

Ahmetaj theksoi se Balluku e kërcënon Ramën, nëse ia prek të emëruarit.

Ahmetaj shtoi se e masakruan ish-ministrin e Shëndetësisë për një ligj, që do të bëjë Rama, një kartel të vetin. Sipas tij, protesta është shpëtimi i Shqipërisë.

“Nuk ka zgjedhje me këtë, sepse ka vjedhur rregullat e lojës. Paratë e kanë zhdukur fushën. Struktura e Belinda Ballukut dhe e kreut të organizatës dhe në AKSH, dhe në energji dhe në Kadastër është e fortë e vazhdon. Struktura nuk është cenuar. Struktura është më e fortë se kurrë.

Belinda Balluku emëron ministra dhe e kërcënon Ramën nëse ia prek ministrat. E masakruan ish-ministrin e Shëndetësisë, për një ligj, që do të bëjë ky një kartel të vetin. Protesta është shpëtimi i Shqipërisë”, tha Ahmetaj.

Shkodër/ I riu qëllon me armë zjarri babë e bir pas një sherri, vdes 24-vjeçari

0

Një konflikt i dhunshëm i regjistruar mëngjesin e sotëm në 8 shtator në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër ka përfunduar me vdekjen e një 24-vjeçari dhe plagosjen e dy personave të tjerë.

Sipas informacionit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30. Dyshohet se A.V, 25 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri ndaj Q.L, 63 vjeç, dhe djalit të tij, Ylber Lulit, 24 vjeç.

Gjatë konfliktit, babë e bir dyshohet se i janë kundërpërgjigjur 25-vjeçarit, duke e plagosur atë me thikë. Të tre personat kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore. Ylber Luli, 24 vjeç, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.

Burime bëjnë me dije se konflikti ka nisur gjatë mbrëmjes në një lokal në zonën e Gjuhadolit, ndërsa autori i dyshuar rreth orës 5:00 të mëngjesit ka shkuar në banesën e viktimës me idenë për t’u sqaruar.

Me vete i dyshuari i vrasjes kishte edhe një pistoletë. Në bisedë e sipër, viktima dhe autori janë përleshur me njëri tjetrin fizikisht ndërsa në këtë përleshje është përfshirë edhe babai i viktimës Qamil Luli.

Sipas policisë së Shkodrës, babë e bir kanë plagosur me thikë shtetasin Andri Vulaj. Ky i fundit në konflikt e sipër ka nxjerrë armën, një pistoletë që kishte me vete duke qëlluar në drejtim të 24 vjeçarit i cili humbi jetën. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet.

Fillimisht efektivët bënë ndalimin e autorit të dyshuar Andri Vulaj si dhe sekuestruan armën e dyshuar të vrasjes pistoletë me të cilën dyshohet se autori qëlloi viktimën.

Viktima Ylber Luli është parë duke qëndruar deri në orët e vona jashtë banesës brenda makinës së tij bashkë me një person tjetër ndërsa rreth orës 2 pas mesnate është futur në banesë.

Tri orë më pas, Andri Vulaj shkoi në shtëpinë e viktimës duke qëlluar ndaj Ylber Lulit pas përleshjes fizike dhe plagosjes me thikë mes tyre. Policia vendore e Shkodrës është duke hetuar për të bërë të mundir zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.

Sot Kuvendi çel sesionin e ri, protestuesit paralajmërojnë protestë

0

Kuvendi i Shqipërisë rikthehet këtë të martë në seancë plenare, pas pushimit veror, duke çelur zyrtarisht sesionin e ri parlamentar.

Në orën 17:00, deputetët do të mblidhen në sallë për mbledhjen e parë të sesionit të vjeshtës.

Edhe pse Kushtetuta parashikon që sesioni i vjeshtës të nisë të hënën e parë të shtatorit, këtë vit rikthimi i deputetëve është shtyrë me një ditë për shkak të pushimit zyrtar.

Një prej zhvillimeve që pritet të shoqërojë nisjen e punimeve të Kuvendit lidhet me procedurën për ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.

Sipas raportimeve, dekreti i Presidentit pritet të jetë gati në nisje të punimeve të Kuvendit. Pas procedurave përkatëse, Spahiu mund të bëjë betimin para deputetëve.

Ndërkohë, socialistët pritet të propozojnë një emër të ri për postin e nënkryetarit të Kuvendit, detyrë që më herët mbahej nga Klodiana Spahiu.

Berisha mungon, Rama ende në pikëpyetje

Në seancën e parë të sesionit të ri nuk pritet të jetë i pranishëm kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Konventën e Republikanëve.

Në të njëjtën kohë, mbetet e paqartë nëse Edi Rama do të jetë i pranishëm në sallën e Kuvendit gjatë çeljes së sesionit.

Protesta jashtë Kuvendit

Rikthimi i deputetëve në parlament pritet të shoqërohet edhe me protesta jashtë godinës së Kuvendit.

Qytetarët që prej afro 100 ditësh protestojnë në shesh kanë paralajmëruar se do të rikthehen përpara Kuvendit në ditën e parë të sesionit parlamentar.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit pritet të marrë masa të shtuara sigurie, duke krijuar një perimetër të posaçëm për lëvizjen e deputetëve dhe garantimin e rendit gjatë protestës.

Reforma territoriale

Përtej seancës së hapjes, një prej çështjeve që pritet të dominojë debatin politik gjatë sesionit të ri është reforma territoriale.

Gjatë muajit gusht, socialistët hodhën idenë për ndryshimin e hartës së bashkive, duke propozuar reduktimin e numrit të tyre nga 61 në 46.

Propozimi ka hapur një tjetër front debati mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa puna për reformën vijon ende pa një rezultat konkret.

Në sfond janë edhe zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027, të cilat pritet të ndikojnë gjithnjë e më shumë në agjendën politike të Kuvendit.

Nga Anglia drejt Tiranës, diaspora niset me autokolonë për protestën e 12 shtatorit

0

Komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar ka zhvilluar dje një protestë kundër qeverisë shqiptare, për të denoncuar korrupsionin dhe politikat që, sipas tyre, kanë nxitur largimin e të rinjve nga Shqipëria.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë së Edi Ramës, shqiptarët në Britani kanë shprehur mbështetjen për protestat që vijojnë në Tiranë prej tre muajsh, sio dhe kanë paralajmëruar një mobilizim të drejtpërdrejtë për protestën kombëtare të 12 shtatorit.

Pjesë e këtij mobilizimi është edhe nisja e një autokolone automjetesh nga Anglia drejt Shqipërisë. Automjetet pritet të përshkojnë disa vende europiane përpara se të mbërrijnë në Tiranë, ku pjesëmarrësit do t’i bashkohen protestës së 12 shtatorit.

Mobilizimi i diasporës vjen në një kohe kur protesta në Shqipëri ka hyrë në ditën e 100-të, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimi i 12 shtatorit do të jetë një nga protestat më të mëdha të zhvilluara deri tani. Një prej protestuesve ka deklaruar gjithashtu se synohet një qëndrim 24-orësh para Kryeministrisë.

Për shqiptarët që jetojnë në Britani, udhëtimi drejt Shqipërisë synon të kthejë protestën e diasporës në një pjesëmarrje fizike në rrugët e Tiranës.

Autokolonës pritet t’i bashkohen edhe shqiptarë që jetojnë në vende të tjera europiane, duke e kthyer udhëtimin drejt Tiranës në një mobilizim ndërkombëtar të diasporës shqiptare.

Protesta e 12 shtatorit pritet të zhvillohet ndërsa lëvizja qytetare kundër qeverisë vijon prej 100 ditësh, me kërkesë kryesore dorëheqjen e Edi Ramës.