Ballina Blog Faqe 5

Arrestimi i Agasit, Maks Haxhia: Klienti im s’ka prekur para publike

0

Avokati i Ergys Agasit (të arrestuar dje), Maks Haxhia ka zhvilluar sot më 27 gusht një takim në qeli me klientin e tij.

Pas takimit, Haxhia foli edhe për mediat. Ai u shpreh se pala mbrojtëse do që të njihet me dosjen.

“Zhvillova një takim sot me klientin tim Ergys Agasi. Kuptohet që ne si palë mbrojtëse duam që të njihemi me dosjen. Duam të njihemi me dosjen, se pa e pasur atë, nuk kemi si të ngremë edhe pretendimet.

I mbrojturi prej meje Agasi, pretendon se është jashtë çdo ngarkese juridike. Ai pretendon se nuk ka prekur financat publike, sepse nuk ka pasur funksion të tillë, që të financojë financën publike. Nuk ka marrë pjesë as nëpër tendera. Media e ka zmadhuar problemin”, tha Haxhia.

Gazetarët e pyetën se nëse Ergys Agasi është i pafajshëm, përse nuk është dorëzuar më herët.

“Problemi është që në Shqipëri të fusin në burg, pastaj nisin me akuzat. E di atë historinë, ta presin këmbën e pastaj ta numërojnë që nëse ke apo jo dy këmbë. Duhet të jetë e kundërta, duhet të bëjnë hetime, të gjejnë prova dhe më pas të kërkohet masë e përshtatshme”, u shpreh avokati Haxhia.

Takimi mes Ergys Agasit dhe avokatit të tij Maks Haxhia ka zgjatur rreth 30 minuta në ambientet e brendshme të Bllokut të Sigurisë.

Seanca gjyqësore për konfirmimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Agasin pritet të mbahet në ditët në vijim.

Kujtojmë se Ergys Agasi u arrestua dje në 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës nga Forcat Operacionale të Policisë, teksa ka qenë duke lëvizur me makinë. Pas disa orësh, ai u shoqërua për në Bllokun e Sigurisë “Mine Peza”.

SPAK njoftim zyrtar për arrestimin e Ergys Agasit: Ja akuzat që rëndojnë ndaj tij

0

Prokuroria e Posaçme ka reaguar në orët e vona me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim prej muajsh për aferën e AKSHI-t.

Në njoftimin zyrtar, SPAK e lidh hetimin me një sërë veprash penale, duke nisur nga ndërhyrjet e paligjshme në konkurrencë dhe tendera publikë, deri te korrupsioni, pastrimi i parave dhe aktiviteti kriminal në kuadër të një grupi të strukturuar.

Biznesmeni dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i SPAK:

Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025,  për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi.

Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.

Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit.

Si e braktisën të gjithë Ergys Agasin para arrestimit

0

As një muaj nuk u mbush nga arrestimi i biznesmenit Ermal Beqiri në Francë (28 korrik) nga vënia në pranga e ortakut të tij Ergys Agasi (26 gusht) në zonën e Plepave në Durrës. 

Prangosja e Beqirit, pas një “gabimi” gjatë fluturimit me një avion privat duke u futur në hapësirën e një centrali bërthamor vuri në lëvizje edhe bashkëpunëtorët e tij, si dhe ish-drejtuesit e AKSHI-t.   

LAPSI.al raportoi pak ditë pas arrestimit të Beqirit se njeriu i parë që dukej se kishte ndjerë pasojat ishte Ergys Agasi. Për të ishte thënë vazhdimisht se nuk ishte larguar nga Shqipëria dhe se fshihej jo shumë larg Tiranës.

Pas arrestimit të Beqirit, burimet i thanë lapsi.al se Agasi kishte humbur qetësinë, pasi duhet të lëvizte dhe të gjente një vend tjetër ku të strehohej. Sipas të njëjtave burime, garancia e njerëzve që e kishin mbajtur të fshehur deri në ato momente kishte marrë fund.

Shkak ishte pikërisht “hapi fals” që Ermal Beqiri bëri në Francë. Jo shumë larg, por 24 orë më parë (25 gusht) gjykata franceze e la në burg Beqirin duke i dhënë më shumë shanse ekstradimit të tij. Ardhja e Beqirit në Shqiëpri nuk mund të parashikojë se deri ku mund të shtrihen hetimet, ndaj edhe njerëzit që e strehonin Agasin i kishin lënë afat të gjente një bazë tjetër. 

Arrestimi i Agasit u bë jo shumë larg Tiranës. Ai thuhet se u pikas në Elbasan, një qytet ku sipas dosjes së SPAK ai kishte lidhje të forta. Agasi po udhëtonte më pas drejt Durrësit, një tjetër qytet që prej vitesh e kishte pasur një bazë të rëndësishme.       

Sipas të njëjtave burime, Ergys Agasi kishte kërkuar me ngulm të kontaktonte qoftë edhe për pak minuta, me njeriun e tij në qeveri, madje deri te kryeministri, në përpjekje për të siguruar garanci që të mund të ruajë vendstrehimin që e kishte mbajtur deri në arrestimin e Beqirit.

Një tjetër shqetësim për njerëzit që strehonin Agasin janë edhe dy pajisje elektronike që policia franceze i gjeti Ermal Beqirit ku ruheshin komunikimet e tij më të fundit. Nga momenti i largimit nga Shqipëria, muajt e arratisë, jeta në Francë e deri te bisedat me njerëzit më të afërt, të gjitha mesazhet e shkëmbyera me kontaktet në Shqipëri ndodhen tashmë në duart e autoriteteve franceze.

Një detaj të tillë e raportoi edhe media franceze “Journal du Dimanche”, e para që publikoi lajmin për arrestimin e Ermal Beqirit. Mbetet ende për t’u parë nëse autoritetet franceze do t’i zbërthejnë vetë komunikimet e gjetura në këto pajisje elektronike, apo nëse ato do t’u dorëzohen autoriteteve shqiptare në momentin e ekstradimit.

Nëse komunikimet e Ermal Beqirit do të zbardhen nga autoritetet shqiptare, dosja e AKSHI-t mund të hyjë në një fazë të re hetimesh, me pasoja edhe për personat që dyshohet se e kanë ndihmuar gjatë arratisë.

Që prej dhjetorit të vitit 2025 kur u shpall në kërkim, është thënë se Ergys Agasi është fshehur në Shqipëri duke shfrytëzuar lidhjet me grupet kriminale, si shpërblim për favoret e kohës kur ishte pjesë e rrethit më të afërt të Edi Ramës dhe ushtronte ndikim mbi segmentet kryesore të shtetit. Por edhe këto favore duket se e kanë pasur një afat.

Në media ishte raportuar, por pa prova, se Agasi qëndronte i fshehur herë në një resort në periferi të Tiranës, herë në rrethinat e Durrësit pranë miqve të tij Troplinët, e herë në bazën e Suel Çelës në Elbasan.

Miqtë e tij në Durrës, Tiranë apo Elbasan duket se e kishin kuptuar se aventurieri që dikur mburrej me miqësinë me Edi Ramën dhe lëvizte së bashku me eskortën e kryeministrit, tashmë ishte kthyer në një barrë. ©LAPSI.al

E rëndë në Greqi, shqiptari godet për vdekje me thikë bashkëshorten, tenton të vetëvritet duke pirë naftë

0

 Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Rodope të Greqisë ku një burrë me origjinë nga Shqipëria ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij, gjithashtu shqiptare. Mandej, 44-vjeçari ka tentuar të vrasë dhe veten duke pirë naftë.

Çifti i bashkëshortëve janë prindër të 3 fëmijëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda në shtëpi dhe ka qenë një prej fëmjëve që ka telefonuar policinë. Policia ka gjetur dy thika në vendngjarje, të cilat do të ekzaminohen si pjesë e hetimit. Shkaqet e konfliktit mes çiftit janë ende të paqarta ashtu dhe rrethanat.

44-vjeçari është dërguar në spital ku po merr përkujdes mjekësor ndërsa mediat greke raportojnë se ky nuk ishte i vetmi incident i ndodhur mes çiftit. Në vitin 2022 një konflikt kishte ndodhur mes tyre në Kretë ku më pas gruaja e kishte paditur bashkëshortin për kërcënime.

Kjo ngjarje pason një tjetër të ndodhur më 23 gusht, ku shqiptari Altin Allmuça qëllon për vdekje me armë zjarri 45-vjeçaren Julieta Obzova e më pas veten e tij. Dy trupat e pajetë u gjetën në hyrjen e një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonion 3” ku 45-vjeçarja banonte së bashku me të bijën 16-vjeçare.

Të enjten KAS jep vendimin për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi: Karrigia e grabitur nuk gëzohet!

0

Lefter Maliqi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, një ditë para se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) të marrë vendimin përfundimtar lidhur me çështjen e Bashkisë Kuçovë.

Maliqi njofton se seanca do të zhvillohet nesër, më 27 gusht, në orën 11:00, në ambientet e KQZ-së. Ai shprehet se pret që KAS të japë një vendim në përputhje me ligjin e dekriminalizimit, ndërsa ngre akuza ndaj kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari.

Ai e krahason situatën me rastin e ish-kryetarit të Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, duke pretenduar se edhe në rastin e Kuçovës duhet të zbatohet ligji i dekriminalizimit.

Reagimi: 

Gjyq publik! Njoftim!

Nesër, më 27 gusht, ora 11:00, në KQZ, KAS do të marrë vendimin përfundimtar për çështjen e të dënuarit, të paaftit dhe abuzuesit Hajdari, në krye të Bashkisë së grabitur të Kuçovës.

Megjithëse disa vendime KAS-i i ka marrë të drejta, nuk duhet ta paragjykoj vendimin. Por jam i bindur se do të japin një vendim në kundërshtim me ligjin e dekriminalizimit, ku Hajdari po mbyll mandatin në shkelje flagrante të ligjit. Rasti i tij është i njëjtë me atë të Kajmakut të Bashkisë Vorë, ku mandati i tij si kryetar bashkie u shpall i pavlefshëm.

U bënë pothuajse 4 vjet me ankime, kallëzime e padi kudo: në KQZ, KAS, Kolegjin Zgjedhor, SPAK, GJKKO, Gjykatën Administrative, Gjykatën e Beratit, Gjykatën e Lartë, me disa rikthime: 5 herë në KAS, 4 herë në KQZ, 3 herë në Kolegjin Zgjedhor etj.

Dhe Hajdari, me mbështetje politike, oligarkike, lobime, me taksat e qytetarëve, me ish-Prokurorin e Përgjithshëm si mbrojtës etj., vazhdon detyrën; mbrohet për tenderat korruptivë, për interesat klienteliste të Rilindjes dhe firmave të ndërtimit.

Ftoj përfaqësitë diplomatike të akredituara në Shqipëri, të cilat kanë financuar dhe kanë interes të lartë për shtetin e së drejtës, si dhe organizatat vendase apo të huaja, si OSBE-ODIHR, që monitorojnë zgjedhjet dhe proceset që kanë lidhje me zgjedhjet dhe KQZ-në, të vijnë dhe të vëzhgojnë me vëmendje punën e KAS-it.

Pavarësisht vendimit të nesërm në KAS, ju siguroj se betejën ligjore, morale dhe politike do ta vazhdoj deri në fund.

Bashkinë e grabitur të Kuçovës do ta fitojmë, do t’ua kthejmë qytetarëve dhe do ta kthejmë në një kantier ndërtimi, shembull në vend.

Hajdari, si të bjerë nga detyra, do të përgjigjet dhe, sa të bjerë, të gjithë do ta shohin dhe do të dalin në pah abuzimet dhe zhvatjet. Leku i popullit, herët apo vonë, të del nga hundët!

Karrigia e dhuruar dhe e grabitur nuk gëzohet; pasojat e rënda vijnë pas!

Mali i Zi ul sërish akcizën për karburantet, në Shqipëri qeveria s’lëviz as gishtin

0

Qeveria e Malit të Zi uli më tej akcizat për benzinën dhe naftën, në përpjekje për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve globale të karburanteve në tregun vendas, njoftoi të martën.

Nga 25 gushti, akciza për benzinën pa plumb do të ulet në 0.522 euro (0.600 dollarë) për litër, nga norma e zakonshme prej 0.549 euro për litër, ndërsa akciza për naftën do të ulet më tej në 0.352 euro për litër, nga 0.396 euro për litër që ishte vendosur në mesin e gushtit dhe nga norma e zakonshme prej 0.440 euro për litër, bëri të ditur qeveria në një deklaratë.

Akcizat e reja do të mbeten në fuqi deri më 5 shtator.

Ministria e Energjisë njoftoi në një deklaratë të veçantë të hënën se, pas ndërhyrjes së qeverisë për uljen e akcizës me 5% për benzinën pa plumb dhe me 20% për naftën, çmimi me pakicë i naftës do të ulet me 0.01 euro brenda javës, në 1.87 euro për litër nga 25 gushti.

Në të njëjtën kohë, çmimi me pakicë i benzinës Eurosuper 98 do të ulet gjithashtu me 0.01 euro, në 1.79 euro për litër, ndërsa çmimi i Eurosuper 95 do të mbetet i pandryshuar në 1.76 euro për litër.

Këto tarifa do të mbeten në fuqi gjatë javës 25-31 gusht. Ministria e Energjisë do të përcaktojë çmimet për javën që nis më 1 shtator, bazuar në kuotimet e bursave të mallrave për një periudhë shtatëditore dhe në kursin e këmbimit dollar amerikan-euro.

Qeveria malazeze uli për herë të parë përkohësisht akcizat për karburantet në fund të marsit, me qëllim zbutjen e ndikimit të rritjes së fortë të kostove globale të naftës pas shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit.

Që atëherë, qeveria i ka rishikuar disa herë akcizat për naftën dhe benzinën, duke u përpjekur të përshtatet me luhatjet e tregut global të naftës.

Në mars, qeveria vendosi gjithashtu të ndryshojë mënyrën e rregullimit të çmimeve me pakicë të karburanteve, duke e shkurtuar përkohësisht periudhën e përcaktimit të çmimeve nga 14 ditë në shtatë ditë, për të mundësuar përshtatjen më të shpejtë të çmimeve vendase me kostot e naftës në tregun global./ See News

Do të ketë komuniteti Bektashi një shtet sovran në Tiranë? I dërguari special i projektit nga Amerika: Nuk kemi qenë kurrë kaq afër

0

Projekti për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë vijon të mbetet një nga nismat më të pazakonta politike dhe fetare në Evropë.

Dy vjet pas shpalljes së planit nga kryeministri Edi Rama, ideja për një enklavë të modeluar sipas Vatikanit ende nuk ka marrë formë konkrete, ndërsa mbështetësit e saj këmbëngulin se projekti do të realizohet.

Shteti i propozuar do të shtrihej në një territor prej rreth 11 hektarësh në Tiranë dhe do të kishte administratë, kufij dhe pasaporta të veçanta. Synimi, sipas autoriteteve shqiptare, është krijimi i një qendre sovrane për komunitetin Bektashi dhe promovimi i tolerancës fetare.

Bektashinjtë janë një urdhër sufi brenda Islamit, me një histori prej rreth tetë shekujsh në Evropë. Urdhri u themelua në Perandorinë Osmane dhe, pas ndalimit të veprimtarisë së tij në Turqi në vitet 1920, qendra e tij botërore u zhvendos në Tiranë në vitin 1929.

Numri i ndjekësve nuk është i përcaktuar saktësisht. Vlerësimet variojnë nga 7 deri në 20 milionë, kryesisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Greqi dhe Turqi. Në Shqipëri, rreth 150 mijë persona konsiderohen praktikues aktivë, ndërsa qindra mijëra të tjerë identifikohen si bektashinj.

Në përpjekje për ta çuar përpara projektin, në Tiranë është angazhuar amerikani Christopher Hyland, ish-këshilltar i presidentit amerikan Bill Clinton dhe një prej personave të përfshirë në procese të ndryshme diplomatike, përfshirë çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe bisedimet e paqes në Irlandën e Veriut.

Hyland vepron si “i dërguar special” për projektin e shtetit Bektashi në Shtetet e Bashkuara, ndërsa sipërmarrësi shqiptar Hazis Vardar ka një rol të ngjashëm në Evropë.

“Unë nuk paguhem për këtë dhe nuk kam asnjë interes biznesi. Bëhet fjalë për dhënien e një kontributi në histori”, është shprehur ai.

Sipas tij, takimi me kreun botëror të bektashinjve, Baba Mondin, rreth tre vite më parë, ishte vendimtar për përfshirjen e tij në këtë nismë.

Pavarësisht deklaratave të mbështetësve, deri tani janë ndërmarrë pak hapa konkretë drejt krijimit të shtetit të ri. Ndryshimi i kuadrit kushtetues shqiptar, njohja ndërkombëtare dhe nënshkrimi i traktateve do të ishin ndër proceset e nevojshme për realizimin e projektit.

Kryeministri Edi Rama e ka paraqitur shtetin e ardhshëm Bektashi si një simbol të tolerancës fetare, një vlerë me të cilën Shqipëria synon të identifikohet ndërkombëtarisht.

Gjatë regjimit komunist, feja u ndalua në Shqipëri dhe të gjitha komunitetet fetare u shtypën. Pas vitit 1991, myslimanët sunitë, katolikët, ortodoksët dhe bektashinjtë kanë bashkëjetuar në vend.

Mbështetësit e projektit argumentojnë se një shtet sovran Bektashi do ta forconte këtë imazh të Shqipërisë dhe do t’i jepte vendit një rol të veçantë në promovimin e dialogut ndërfetar.

Hazis Vardar, i cili e përfaqëson projektin në Evropë, e konsideron bektashizmin një shembull të tolerancës dhe bashkëjetesës.

“Bektashinjtë përfaqësojnë tolerancën, dashurinë dhe miqësinë me fetë e tjera”, shprehet ai.

Dy vjet pas njoftimit të projektit, megjithatë, shteti Bektashi mbetet ende në fazën e planifikimit. Kompleksi aktual i bektashinjve në Tiranë përfshin mauzoleun, muzeun dhe hapësirat e lutjes, ndërsa ideja është që në vitet e ardhshme zona të shndërrohet në territorin e shtetit të ri.

Nëse realizohet, shteti i Urdhrit Bektashi do të ishte më i vogël se Vatikani dhe do të përfaqësonte një nga eksperimentet më të pazakonta të sovranitetit në Evropë.

Për kritikët, mungesa e hapave konkretë ngre pikëpyetje mbi seriozitetin dhe realizueshmërinë e projektit. Për mbështetësit, procesi kërkon kohë dhe nisma të tilla nuk krijohen brenda natës.

“Sa shpesh e kanë parë këta kritikë një vend të krijuar? Kurrë. Nuk kemi qenë kurrë kaq afër. Dhe nesër do të jemi një hap më afër”, deklaron Hyland.

https://www.nrc.nl/nieuws/2026/08/23/komt-er-een-eigen-staatje-voor-de-soefistische-bektashi-gemeenschap-in-de-albanese-hoofdstad-tirana-we-zijn-er-nog-nooit-zo-dichtbij-geweest-a4933042

Pas takimeve në Pogradec, Rama mbledh të premten ministrat në selinë e PS

0

Vetëm pak ditë pas takimeve dyditore në Pogradec, kryeministri Edi Rama rikthen në selinë e Partisë Socialiste drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Mbledhja do të zhvillohet të premten.

Takimi vjen në vijim të diskutimeve të zhvilluara në Pogradec, ku Rama vendosi në qendër të vëmendjes nevojën për një qasje të re të qeverisë dhe Partisë Socialiste ndaj problematikave të qytetarëve.

Kryeministri u ka kërkuar ministrave që të ndjekin çdo muaj punën e drejtorive në varësi, ndërsa drejtuesve politikë u ka kërkuar një prani më të madhe në terren dhe kontakt më të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Kjo qasje është konkretizuar edhe përmes dy dokumenteve të prezantuara nga Partia Socialiste, “Besa” dhe “Prania Besnike”.

Një tjetër element i diskutimeve në Pogradec ishte platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë, monitorojë dhe ndjekë ankesat e qytetarëve. Sipas projektit, problematikat duhet të marrin përgjigje brenda dy javësh, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale se në cilin institucion ndodhet kërkesa e tyre.

Platforma parashikon funksionimin përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, që do të shërbejë për mbledhjen e ankesave dhe shqetësimeve, dhe “Radar”, për gjurmimin e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.

Fatura e ‘kripur’ që la pas ish-zyrtari i akuzuar për korrupsion

0

Para se emri i tij të bëhej i njohur në disa prej dosjeve më të bujshme kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në Shqipëri, nga afera e inceneratorëve te skandali i tenderave i njohur si “5D”, Taulant Tusha kishte lënë një tjetër gjurmë të mbresëlënëse në zyrat e shtetit.

Vetëm se këtë herë nuk bëhej fjalë për miliona euro të prokurimeve publike apo kontrata të fshehta ndërtimi, por për diçka në dukje të thjeshtë, e megjithatë thellësisht absurde – 8 fatura telefoni për një total prej mbi 20 mijë eurosh.

Rasti u ekspozua pasi një kompani për mbledhjen e borxheve të këqija e mendoi si një fitim të sigurt arkëtimin e faturës që la pas ish-zyrtari i akuzuar për korrupsion, duke paditur për këtë kosto Ministrinë e Shëndetësisë, e cila e trashëgoi borxhin nga ish-Ministria e Mirëqenies Sociale, në të cilën Tusha shërbeu për një periudhë kohe si Drejtor i Shërbimeve Mbështetëse, emri i së cilës rezultonte në krye të faturës bashkë me atë të ish-drejtorit.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i datës 1 korrik 2026, ka nxjerrë në dritë kërkesën e pazakontë, ku kompania “D&Fin Partner” për mbledhjen e borxheve të këqija kërkoi që buxheti i shtetit të paguante afro 20 mijë euro për faturat e papaguara të celularit të Tushës.

Gjyqtari Ardit Kuka e rrëzoi padinë, duke vënë në dukje se kontrata ishte nënshkruar jashtë çdo tagri zyrtar dhe duke qartësuar se abuzimet me shpenzimet telefonike jashtë limiteve të lejuara ligjore të zyrtarëve janë përgjegjësi vetjake e tyre dhe jo barrë e taksapaguesve.

“Eventualisht edhe nëse do të pranohej padia, detyrimi që do të mbulonte ministria do të ishte deri në vlerën maksimale 80,000 (tetëdhjetë mijë) lekë për të gjitha faturat objekt gjykimi. Për pjesën tjetër detyrimi do të duhet t’i kërkohej personalisht përdoruesit të numrit të telefonit”, arsyetoi Kuka.

I pyetur nga BIRN, Taulant Tusha tha në telefon se nuk i kujtohej ky numër telefoni.

“Nuk mbaj mend ta kem pasur këtë numër”, tha Tusha. Ai tha se nuk kishte dijeni për çështjen dhe as ishte thirrur, as ishte njoftuar.

Kompania “D&Fin Partner” i tha BIRN se u ishte referuar faturave ku përmendej ministria për padinë.

“Kompania, e cila ka blerë borxhin e kompanisë celulare, ka paditur subjektin Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, duke u bazuar te të dhënat e faturimit të faturave të palikuiduara, subjekt i padisë”, tha një zyrtar i kompanisë.

Ai shtoi se ende nuk ishte vendosur nëse çështja do të apelohej.

Vendimi i gjykatës dhe përballja me drejtësinë

Taulant Tusha është një nga ish-zyrtarët më të lartë dhe më jetëgjatë të Bashkisë së Tiranës, i cili, para se të shërbente si Drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, kishte mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Rënia e tij nga një prej drejtuesve më me ndikim të bashkisë në një të pandehur të drejtësisë nisi në dhjetor të vitit 2023, kur ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, i akuzuar për përfshirjen në aferën e inceneratorit të Tiranës, një prej dosjeve më të bujshme të korrupsionit dhe abuzimit me detyrën të hetuara vitet e fundit në Shqipëri, që u ka kushtuar taksapaguesve dhjetëra miliona euro. Tusha është gjetur fajtor dhe dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 2 vjet burg.

Përveç kësaj akuze, Tusha u bë subjekt i një hetimi të dytë nga SPAK për dosjen e njohur si “5D”, një skemë e dyshuar korrupsioni brenda Bashkisë së Tiranës. Referuar akuzave, SPAK thotë se është provuar fakti që Tusha, në cilësinë e drejtorit të Punëve Publike dhe si anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, KVO, favorizoi në mënyrë të paligjshme shoqërinë “5D Konstruksion” – e zotëruar de facto nga ish-drejtorët e tjerë të bashkisë, Redi Molla dhe Mariglen Qato.

Por ndërsa këto raste janë gjykuar apo janë në gjykim, faturat e shpenzimeve telefonike të viteve 2015-2016 ishin harruar derisa kompania që blen kreditë e këqija mori përsipër vjeljen e tyre.

Në vitin 2025, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kompania “D&Fin Partner”, e cila kishte blerë borxhin nga operatori telefonik Albtelecom (One Albania), i kërkoi gjykatës t’i njihte të drejtën e arkëtimit nga thesari i shtetit. Në kërkesën e saj, paditësi pretendoi se “Detyrimi ka lindur nga marrëdhënia kontraktore… Kontrata është lidhur në emër të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë… prandaj debitori është personi juridik”.

Përballë kësaj kërkese, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u mbrojt duke argumentuar se institucioni nuk kishte asnjë lidhje me këto shpenzime. Përmes Deklaratës së Mbrojtjes, institucioni prapësoi duke theksuar se “Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nuk gëzon legjitimim pasiv në këtë proces, sepse nuk është palë në marrëdhënien kontraktore” dhe se “Kontratat e lidhura midis shoqërisë dhe ministrisë përgjegjëse janë absolutisht të pavlefshme, pasi vijnë në kundërshtim me ligjin”.

Në analizën e tij, gjyqtari Ardit Kuka e gjeti të pabazuar kërkesën e kompanisë mbledhëse të borxheve, duke i dhënë të drejtë ministrisë. Gjykata theksoi defektet thelbësore formale dhe ligjore të kontratës origjinale të pajtimit të vitit 2015. Vendimi arsyeton se “Nuk rezulton që të jetë lëshuar prokurë nga titullari i institucionit në formë noteriale apo autorizim me shkrim… që do t’i jepte tagër Z. Taulant Tusha për të lidhur kontrata të shërbimit telefonik në emër dhe për llogari të ministrisë”.

Për rrjedhojë, gjykata rrëzoi padinë, duke konkluduar se kërkimi “nuk mund t’i kundrejtohet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, sepse nuk ishte palë në marrëdhënien kontraktore, por duhet t’i drejtohej Taulant Tushës.

Faturat e çmendura

Të dhënat e administruara nga trupa gjykuese tregojnë se në 8 muaj – tetor, dhjetor 2015 dhe janar-qershor 2016 – faturat mujore të lëshuara nga operatori AMC, sot One Albania, përmbanin zëra të detajuar për telefonata, internet dhe shërbime roaming me shifra anormale. Vetëm për muajin tetor 2015, fatura e celularit kapi vlerën marramendëse të 983,948 lekëve me TVSH.

Megjithatë, jo të gjitha faturat ishin njëlloj stratosferike. Në disa raste vihet re një rënie e madhe në shpenzime; kështu, nga fatura prej gati 1 milion lekësh të reja në tetor, në dhjetor 2015 fatura shënoi vetëm 7,456 lekë, sërish mjaft më shumë sesa kontrata që parashikonte një abonim mujor prej 5 mijë lekësh.

Ndërkohë, trendi i përdorimit ekstrem u rikthye sërish në janar 2016, kur fatura arriti në 101,805 lekë, ndërsa në shkurt 2016 vlera kërceu sërish në 428,764 lekë me TVSH. Një tjetër shifër e lartë u shënua në prill 2016, kur fatura ishte 203,862 lekë, për të zbritur në qershor 2016 në një vlerë mjaft modeste, krahasuar me faturat e mëparshme, prej rreth 2,370 lekësh.

Në vendim, gjykata i gjeti këto shpenzime të paarsyeshme, duke sqaruar se, ndërsa ishte normale që të mbuloheshin shpenzimet telefonike për një zyrtar të lartë të administratës publike, ato nuk ishin pa limit dhe ishin të përcaktuara qartë nga legjislacioni me një tavan të pakalueshëm.

Kuadri ligjor në fuqi, që citohet në vendim, bën të qartë se vetëm 5 zyrtarët më të lartë të shtetit – Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurori i Përgjithshëm – kishin shpenzime pa limit.

Ndërkohë, legjislacioni nuk i lejon zyrtarët e nivelit ku ishte i punësuar Tusha të shpenzonin pa limit. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 864, të vitit 2010, që citohet në vendimin e Gjykatës, për kategorinë ku bënte pjesë Tusha, buxheti i shtetit mbulonte shpenzimet për shërbimin telefonik vetëm deri në limitin e 10,000 lekëve në muaj.

Në arsyetimin e tij, gjyqtari Ardit Kuka thekson se edhe në skenarin ku Ministria do të ishte palë legjitime në kontratë, detyrimi maksimal që do të mund t’i ngarkohej thesarit të shtetit për të gjithë këtë periudhë do të ishte jo më shumë se mbledhja e kësaj vlere maksimale.

Vendimi i gjykatës lë të kuptohet se elementi kyç që shërbeu si mburojë për financat publike në këtë përballje gjyqësore ishte forma e nënshkrimit të kontratës origjinale të pajtimit. Ish-drejtori kishte shënuar në hyrje të dokumentit inicialet e institucionit “Taulant Tusha/MMSR”, duke lënë të kuptohej një përfaqësim shtetëror, por gjykata zbuloi se ai nuk kishte asnjë autorizim për të vepruar në emër të shtetit.

Vendimi argumenton se: “Nuk rezulton që të jetë lëshuar prokurë nga titullari i institucionit në formë noteriale apo autorizim me shkrim, si nga ministri i kohës ashtu edhe sekretari i përgjithshëm, që do t’i jepte tagër Z. Taulant Tusha për të lidhur kontrata të shërbimit telefonik…”.

Për më tepër, gjykata nënvizoi defektet formale të dokumentit, duke konstatuar se në fund të kontratës mungonte nënshkrimi me shënimin përfaqësues, si dhe mungonte vula e ministrisë përkatëse. Kjo e zhvlerësoi natyrën zyrtare të dokumentit, duke e kthyer atë në një veprim juridik privat./reporter.al

Flet vajza e shqiptarit që vrau ish-partneren në Greqi: Ai është babai im, por nuk mund ta justifikoj

0

Dëshmi të reja hedhin dritë mbi ditët e fundit para vrasjes së një 45-vjeçareje në Nea Smyrni të Greqisë, duke zbardhur lëvizjet dhe sjelljen e autorit të dyshuar, ish-partnerit të saj, 48-vjeçarit shqiptar A.A.

Sipas dëshmive të publikuara nga mediat greke, 48-vjeçari dyshohet se e kishte ndjekur sistematikisht 45-vjeçaren J.A dhe se kërcënimet ndaj saj ishin shtuar pas përfundimit të marrëdhënies mes tyre.

Sipas të njëjtave dëshmi, 45-vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes pasi mësoi se 48-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një vajzë 19-vjeçare.

Pak ditë para krimit, autori i dyshuar kishte tentuar të takohej me vëllain e viktimës, duke i kërkuar të diskutonin për marrëdhënien me motrën e tij. Gjatë bisedës, ai i kishte thënë: “Nuk do të vrasim njëri-tjetrin, do të pimë një kafe”.

Dëshmitë sugjerojnë gjithashtu se 48-vjeçari mund ta kishte planifikuar krimin. Sipas një miku të tij, pak para se të nisej drejt banesës së viktimës, ai takoi vajzën e tij dhe i tha se e donte shumë, por edhe se mund të mos e shihte më.

Më pas, ai u kthye në shtëpi, zgjoi bashkëshorten dhe i la para, duke i kërkuar që të kujdesej për vajzën e tyre.

Ndërkohë, vajza e 48-vjeçarit, e cila ka folur për MEGA, tha se është e tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe se, megjithëse ka humbur babain, nuk mund ta justifikojë veprimin e tij.

“Jam e tronditur nga e gjithë kjo që ka ndodhur. Nuk mund ta besoj që babai im e bëri këtë. Ai është babai im dhe do të më mungojë, kam humbur babain tim, por nga ana tjetër nuk mund të anashkaloj faktin që ka bërë një të keqe, që u bë vrasës. I mori jetën një njeriu dhe i mori nënën një vajze të moshës sime”, u shpreh ajo.

Vajza tha se ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike dhe se nuk mban përgjegjësi për atë që ka ndodhur.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, pak më vonë 48-vjeçari shkoi pranë pallatit ku jetonte 45-vjeçarja dhe priti daljen e saj. Kur ajo u shfaq, ai dyshohet se e befasoi dhe e detyroi të gjunjëzohej përpara se ta qëllonte./Protothema