Ballina Blog Faqe 5

Dita e 12-të e protestës/ Në Tiranë bashkohen pedagogë, mjekë, artistë dhe studentë nga rrethet

0

Protesta e studentëve shënon sot ditën e 12-të, ndërsa vijojnë përgatitjet për tubimin kombëtar të paralajmëruar në kryeqytet. Me protestën janë solidarizuar pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa pjesëmarrje pritet edhe nga studentët e rretheve.

Pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik.

Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës kombëtare të 24 tetorit, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët. Përmes një thirrjeje publike, sindikata fton anëtarët e saj, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen nesër në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Në njoftim theksohet se pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit, por edhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Ndërkohë, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që në orën 12:00 të dalin në mbështetje të protestës së studentëve.

Në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë.

Mobilizimi për protestën kombëtare po zhvillohet edhe jashtë Tiranës. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë protestuar në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre, pritet të udhëtojnë nesër drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit.

Grupet studentore të Tiranës janë në komunikim me studentët e qyteteve të tjera për të koordinuar pjesëmarrjen në protestën përpara Kryeministrisë.

120 profesionistë të shëndetësisë i bashkohen studentëve, Pashaj: Kërkojmë dorëheqjen e Ramës

0

Mjeku Ermal Pashaj ka bërë thirrje për bashkim dhe solidaritet me studentët, teksa i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen si akt i parë i përgjegjësisë për krizën që ka përfshirë vendin dhe më pas krijimin e një qeverie tranzitore.

Nga sheshi para kryeministrisë, mjeku Ermal Pashaj lexoi deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga 120 profesionistë të shëndetësisë, ku kërkohet gjithashtu që Policia të garantojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, të mbrojë pronën publike dhe private, si dhe të shmangë përdorimin e gazit lotsjellës në përmasa që rrezikojnë banorët, fëmijët dhe të moshuarit.

Mjekët kërkojnë gjithashtu që asnjë person i lënduar të mos lihet pa ndihmë dhe që çdo denoncim për abuzim policor të hetohet në mënyrë të pavarur, të plotë dhe transparente.

Në deklaratë u bëhet thirrje edhe përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të ndjekin nga afër situatën dhe të kërkojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Deklarata e mjekut Ermal Pashaj

Ne nënshkruesit e kësaj deklarate, mjekë, stomatologë, farmacitë dhe punonjës të tjerë, i bashkohemi protestës së studentëve në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe të ardhmes së Shqipërisë, misioni ynë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin dhe lehtësuar vuajtjen na ngarkon me përgjegjësinë të reagojmë kur cenohet integriteti dhe dinjiteti njerëzor. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur përballë dhunës ndaj të rinjve dhe cenimit të së drejtës së tyre për protestë paqësore.

Arsimimi cilësor, mundësitë e ndershme dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre janë çështje që na përkasin të gjithëve. Në kushtet e krijuara për mbrojtjen e jetës, kërkojmë veprime konkrete të menjëhershme. Ky grupim kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si akt të marrjes si përgjegjësisë politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj dhe krijimin e një qeverie tranzitore me përbërje teknike që të mundësojë daljen paqësore nga kjo situatë.

Funksionimin e institucioneve dhe rikthimin e besimit qytetar dhe respektimin e vullnetit të tyre. Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe atyre që janë angazhuar për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarve.

U bëjmë thirrje punonjësve të policisë së shtetit të garantojnë mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të qytetarëve si dhe paprekshmërinë e pronës publike dhe private duke vepruar në çdo rast në përputhje me ligjin. Kërkojmë që ndërhyrjet policore të mbrojnë dhe banorët dhe kalimtarët gjithashtu dhe personat që nuk marrin pjesë në protestë. Përdorimi në përmasa të mëdha i gazit lotësjellës në qendër të qytetit dhe zona të banuara mund të ekspozojë pa dallim qytetarët në çdo moshë, përfshirë këtu fëmijët dhe të moshuarit.

Si profesionistë të shëndetësisë e konsiderojmë të papranueshme lënien pa ndihmë të personave të lënduar, veçanërisht kur ata janë pa ndjenja dhe në pamundësi për të kërkuar ndihmë. Kërkojmë hetim të shpejtë, të pavarur, të plotë dhe transparent të çdo denoncimi për abuzim, përfshirë çdo veprim apo mosveprim të shkaktuar që ka shkaktuar dëmtime, ka rrezikuar jetën ose ka penguar apo vonuar dhënien e ndihmës shëndetësore.

U bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare të ndjekin nga afër zhvillimet, të mbajnë qëndrime publike të qarta në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore dhe të këmbëngulin në hetime të pavarura për çfarëdo lloj shkelje. Mbrojtja e jetës dhe e protestës paqësore kërkon vëmendje të veçantë dhe angazhim të vazhdueshëm.

U bëjmë gjithashtu thirrje protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të protestës, të mos bien pre e provokimeve dhe të mbrojnë njëri tjetrin, të shmangin veprime që rrezikojnë jetën ose cenojnë sigurinë e saj. Protesta e qytetarëve ruan forcën e saj duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe qëllimin e përbashkët të kësaj përpjekje.

U bëjmë thirrje kolegëve tanë në të gjitha profesionet e shëndetësisë si dhe qytetarët t’u bashkohen studentëve. me praninë, zërin dhe solidaritetin e tyre. Angazhimi ynë duhet të garantojë njëkohësisht vazhdimësinë e shërbimeve shëndetësore dhe kujdesin e pandërprerë për këdo që është pacient bashkë me studentët për jetën, për dinjitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Berisha: Rama kërkon të provokojë konflikt civil

0

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbajti konferencë për mediat sot më 23 tetor.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama gjatë ditës së sotme doli si zëdhënës i Prokurorisë së kohës së shkuar.

“Edi Rama doli dhe nxorri një galeri emrash, si zëdhënës i Prokurorisë së kohës së shkuar. Përmendi akuza të rënda. Harroi se të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit nuk është mençuri, se vetë ka dosje nga vitet 96-97′. Ai tha se në asnjë vend të Europës nuk ka ndodhur që të ketë më shumë policë të plagosur sesa protestues. Është gënjeshtar, i pafytyrë dhe i pa nder.

Shqiptarët panë gjatë këtyre ditëve plumba mbi trupat e tyre, panë si asnjëherë më parë dhunë të tmerrshme. Panë bisha, kafshë të vërteta me uniformë, që ushtronin dhunë mbi protestuesit, panë barbari ndaj të miturve”, tha Berisha.

Shtoi se të miturit kanë bërë, bëjnë dhe do të bëjnë histori. Sipas tij, Rama kërkon që të provokojë konflikt civil. Berisha theksoi se kryeministri qëndron në krye të një bande kriminale. I nxorri foto të bashkëpunëtorëve, duke u shprehur se kriminelët e vërtetë të Shqipërisë janë pranë kryeministrit.

“Të miturit kanë bërë, bëjnë dhe do të bëjnë histori. Ata kanë një guxim të paparë, sepse janë të parët që ndjejnë aromën e diktaturës dhe të dhunës. Edi Rama kërkon me çdo kusht të provokojë konflikt civil. Ky konflikt i studentëve me Edi Ramën mund të çojë në konflikt civil. Nuk do pranojmë kurrë këtë dhunë, që ushtron ai mbi protestues dhe adoleshentë. Shqiptarët janë gati t’i përgjigjen këtij krimineli, siç e meriton.

E patë sesi Rama thotë se ky person është kështu e ky ashtu dhe përgjigjen e merituar ia dha studenti, që ishte me të gjitha 10-ta. Por ai ka pasur dhe ka në qeveri njerëz të inkriminuar në mënyrë të tmerrshme. Këta janë pjesë e organizatës kriminale të Edi Ramës. Ke fytyrë ti të dalësh e të përmendësh emra, kur je kreu i krimit. Anëtarët e tu në qeveri janë më të zinj se oxhaku, ata kanë vjedhur miliardat dhe kanë degdisur qytetarët në gjendje të rëndë financiare”, u shpreh Berisha.

Më tej, nënvizoi se PD ka qenë dhe do jetë e pranishme në çdo protestë kundër kryeministrit Edi Rama. Bëri thirrje që nesër në protestën e studentëve të ketë pjesëmarrje të lartë.

“Partia Demokratike ka qenë, është dhe do jetë në çdo protestë kundër teje. Kjo, sepse ti je narko-diktator. E ke shkatërruar Shqipërinë më shumë se çdo pushtues tjetër. Anëtarët e Forumit Rinor të PD të universiteteve e shkollave kanë qenë dhe do jenë deri në ditën e fundit.

Në këtë protestë do jenë të gjithë demokratët në mbrojtje të studentëve nga ata banditë që hidhen si kafshë mbi ta, nga ata që i ndjekin rrugëve, në mbrojtje të studentëve përpara opinionit publik vendor dhe ndërkombëtar. PD nuk është tinzare, është ballë për ballë dhe do të jetë. Nesër është thirrur protestë kombëtare e studentëve. Unë i them Ramës të heqë dorë nga dhuna mbi studentët, sepse PD do të jetë aty në mbrojtje të studentëve e të miturve. Dhuna mbi studentët nuk do të tolerohet, mund të shkaktojë edhe konflikt civil. Kjo dhunë nuk justifikohet nga asnjë qytetar shqiptar”, deklaroi kryedemokrati.

Sipas Berishës, Rama duhet të qëndrojë larg dhunës e të mos provokojë konfliktin civil, që nuk i duhet Shqipërisë. Në fund, vlerësoi se revolta studentore do triumfojë.

DW: Nga Rusia te Antifa, si përpiqet Rama të delegjitimojë protestën studentore

0

Xhamat janë thyer, ndërsa nëpër mure shihen gjurmë të zeza bloze. Pasojat e protestave të ditëve të fundit janë të dukshme në godinën e Ministrisë së Arsimit në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

Edhe këtë të martë, në mesin e tetorit, studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës janë mbledhur sërish për të protestuar.

Për gati pesë muaj, protestat kundër qeverisë në Shqipëri mbetën paqësore. Demonstratat fillimisht u nxitën nga projekti për ndërtimin e një kompleksi hotelier luksoz nga dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner, në një rezervat natyror.

Ministria e Arsimit goditet me gurë

Që atëherë, protestat janë përhapur gjithnjë e më shumë. Përplasjet e dhunshme mes studentëve dhe nxënësve, nga njëra anë, dhe policisë, nga ana tjetër, ndodhin çdo ditë. Më 13 tetor, situata u përshkallëzua.

Protestuesit denoncojnë korrupsionin, problemet në universitete dhe rritjen e kostove të arsimit. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili është në pushtet që prej vitit 2013.

Një vajzë e re, e veshur me të zeza dhe me një xhaketë me kapuç, qëndron mes turmës. Kur e pyesin përse merr pjesë në protesta, ajo mbulon gojën me një copë pëlhure.

“Ju lutem, prisni një moment, dua të mbuloj fytyrën”, thotë Sara* (emër i ndryshuar nga redaksia). Ajo preferon të mbetet anonime.

Sara tregon se ka marrë pjesë rregullisht në protesta gjatë nëntë ditëve të fundit. Ajo koordinohet me studentët e tjerë përmes telefonit.

“Ne komunikojmë vetëm përmes mesazheve me shkrim”, thotë ajo.

Më pas, detyrohet ta ndërpresë bisedën. Demonstruesit hedhin sërish gurë drejt Ministrisë së Arsimit. Policia i largon me forcë protestuesit dhe gazetarët nga zona dhe përdor autobotët me ujë për të shpërndarë turmën.

Organizim i decentralizuar dhe horizontal

“Rrjetet sociale janë sot hapësira publike më e rëndësishme, shumë kohë përpara se të mbushen hapësirat fizike”, thotë eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj.

“Të rinjtë shqiptarë nuk organizohen më përmes strukturave tradicionale, si partitë politike, shoqatat apo thirrjet publike. Ata organizohen aty ku kalojnë jetën e tyre të përditshme: në telefonat celularë.”

Kanalet më të rëndësishme të komunikimit përfshijnë Instagramin, grupet e WhatsApp-it sipas viteve të studimit, fakulteteve apo konvikteve, kanalet e Telegramit për njoftime të përgjithshme dhe TikTok-un për shpërndarjen e videove. Ata që janë më të shqetësuar për sigurinë përdorin aplikacionin Signal.

“Kjo është një strukturë organizimi horizontale, pa drejtues të identifikueshëm individualisht dhe pa një strukturë qendrore komanduese. Pikërisht për këtë arsye, qeveria e ka kaq të vështirë të kuptojë dhe të kontrollojë dinamikën e saj”, tha Semanaj për DW.

Kryeministri Edi Rama: “Luftë hibride”

Semanaj thekson se shërbimi i mesazheve Telegram ofron disa funksione të dobishme në situatën aktuale.

“Dhjetëra mijëra njerëz mund të kontaktohen njëkohësisht përmes kanaleve, njoftimet dërgohen brenda pak sekondash dhe kontrolli nga jashtë është më i vështirë sesa në platformat klasike.”

Kryeministri Edi Rama, i njohur zakonisht për aftësinë e tij në përdorimin e rrjeteve sociale, fajëson algoritmet për situatën aktuale. Ai e përshkruan revoltën e të rinjve kundër qeverisë së tij si një “luftë hibride”.

Në një dalje të fundit mediatike, ai ndërmori një sulm të ashpër verbal ndaj protestuesve.

Të rinjtë dhe të rejat që sot besojnë se mund ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë “me TikTok dhe pa qenë në gjendje të thonë as shtatë fjalë në mënyrë koherente”, nuk janë të gjithë terroristë.

“Por ata janë pengje të një fryme të caktuar, të një ideologjie të re që ka vetëm një qëllim: të shkatërrojë, të përmbysë gjithçka, të rrafshojë gjithçka”, tha Rama.

“Të radikalizuar nga Antifa”

Që prej fillimit të protestave fillimisht paqësore kundër qeverisë, gati pesë muaj më parë, Rama është përpjekur vazhdimisht të zbulojë publikisht organizatorët e “vërtetë” që qëndrojnë pas tyre.

Gjatë muajve të fundit, ai ka akuzuar vende si Greqia, Rusia dhe Irani për ndërhyrje në protesta.

Së fundmi, ai identifikoi një fajtor të ri: Antifën, një lëvizje të majtë globale, të decentralizuar dhe pa drejtues.

“Këta janë të rinj që janë radikalizuar dhe indoktrinuar ideologjikisht, që veprojnë nën presionin ose ndikimin e një force të re, të errët, e cila është shfaqur në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, një forcë që Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste: Antifa”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Redion Qirjazi, ekspert për çështjet e sigurisë dhe radikalizimit, nuk është dakord.

“Kjo është një akuzë serioze, që kërkon prova po aq të forta. Deri më sot, nuk është paraqitur asnjë provë e verifikueshme që të dëshmojë ekzistencën e një strukture të organizuar të Antifës në Shqipëri, e aq më pak përfshirjen e saj në koordinimin e protestave”, paralajmëron Qirjazi.

“Struktura terroriste”?

Edhe referimi i Ramës ndaj vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për ta klasifikuar Antifën si organizatë terroriste është problematik.

“Antifa nuk është një organizatë ndërkombëtare e unifikuar, me strukturë dhe udhëheqje qendrore, por më tepër një term përmbledhës për lëvizje dhe grupe të ndryshme, të bashkuara nga qëndrimi i tyre themelor antifashist.”

Edhe studentja Sara e kundërshton me vendosmëri akuzën për ekzistencën e strukturave “terroriste”.

“Ka grupe që janë të gatshme të përdorin dhunë, kjo është e vërtetë, por unë nuk kam asnjë lidhje me ta. Sapo shoh dhunë, largohem. Jam kundër saj”, tha ajo për DW.

Arlind Qori, kryetar i partisë së vogël opozitare Lëvizja Bashkë, e cila ka zhvilluar fushatë kundër qeverisë që prej fillimit të protestave kundër resortit luksoz në Zvërnec, i konsideron pretendimet e Ramës “marrëzira”.

Dorëheqje në vend të revolucionit

“Të rinjtë shqiptarë janë të revoltuar nga kushtet aktuale socio-ekonomike: nga varfëria, nga fakti që shumë prej prindërve të tyre kanë emigruar sepse nuk mund të ushqenin familjet, nga rënia e sistemit arsimor dhe nga mungesa e perspektivës pas diplomimit”, tha Qori.

Janë këta faktorë që i kanë nxjerrë të rinjtë në rrugë dhe jo ndonjë lloj ideologjie.

Gjithashtu, nuk duhet harruar se kërkesa kryesore e studentëve ishte dorëheqja e Ramës, “jo një revolucion socialist”.

Qori: “Njerëzit nuk po kërkojnë asgjë radikale, por dorëheqjen e një kreu qeverie të korruptuar, një kërkesë themelore dhe e moderuar. Por Edi Rama vazhdon të përgjigjet me dhunë policore dhe arrogancë”, tha Qori për DW.

Kush i tërheq fijet?

Eksperti i sigurisë Qirjazi sheh një strategji pas këtyre akuzave.

“Kur një qeveri përballet me protesta dhe pakënaqësi publike, lidhja e demonstruesve me ekstremizmin dhe ndikimin e huaj mund të shërbejë për ta zhvendosur vëmendjen nga shkaqet reale të protestave drejt një argumenti që lidhet me sigurinë kombëtare”, mendon ai.

“Kjo mund t’u shërbejë disa qëllimeve politike: të delegjitimojë protestuesit, të dobësojë mbështetjen e tyre në popullsi dhe të justifikojë një qasje më të ashpër në emër të ligjit dhe rendit.”

Edhe eksperti i sigurisë kibernetike Semanaj e njeh këtë model nga kriza të tjera.

“Protestat paraqiten si dhunë, të rinjtë si të manipuluar dhe shqetësimet e tyre legjitime, kushtet në universitete, tarifat e studimit, korrupsioni dhe mungesa e perspektivës, zhduken nga mbulimi mediatik.”

Në vend që të diskutohet përse mijëra të rinj kanë dalë në rrugë, vëmendja është zhvendosur te pyetja se kush i ka “dërguar” ata atje.

Semanaj beson se kjo nuk është rastësi, por një fushatë komunikimi e orkestruar.

“Ajo synon të imponojë një narrativë të caktuar: se protesta është sinonim i dhunës, se të rinjtë po manipulohen dhe se dikush tjetër po i tërheq fijet”, thotë Semanaj.

Përkthimi ruan strukturën, përmbajtjen dhe citimet e tekstit origjinal të DW-së, pa shtuar interpretime apo informacione të tjera./ Deutche Welle

Zgjidhja e krizës sipas LZHK: Qeveri teknike dhe ndryshim i Kodit Zgjedhor

0

Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka parashtruar këndvështrimin e saj mbi zgjidhjen e situatës ku ndodhet vendi pas protestave të studentëve.

Kreu i kësaj partie, Dash Shehi, ka mbështetur krijimin e një qeverie teknike, duke nënvizuar edhe pikat imediate ku ajo qeveri duhet të fokusohet.

“Qeveria duhet të jetë me bazë të gjerë që të marrë përsipër këto ligje. Njëherë të bllokojë këto katër ligjet korruptive të cilët kanë prodhuar korrupsion, babëzi ekonomike, dëm të madh ekonomik. Këto e kanë rebeluar popullin që ka dalë në rrugë. Kjo lloj padrejtësie, kjo lloj hajnie e pandalur dhe këtë mund ta bëjë një qeveri që është e përbashkët. Nuk mund ta bëjnë një grup i vetëm. Ne mendojmë që ka ardhur dita që nëqoftëse duan t’i hapin rrugë politikisht këtyre grupeve të reja që kanë dalë, nuk bëhen më me ligjin e vjetër. Ligji i vjetër zgjedhor është ndërtuar për dy parti, për dy persona. Edhe kjo bëhet vetëm me konsensus me të dyja palët që janë brenda. Sigurisht, mund të bëhen ndryshime edhe të tjera, por këto katër ligjet, ligji për zgjedhjet lokale që janë pas tetë muajve, për zgjedhjet politike që vijnë pas tyre, atje do bërë me shpejtësi dhe është shumë e mundur të bëhet. Këto janë pikat që ne mendojmë që i puqin të gjithë palët e politikës, krijojnë stabilitet, eleminohet ky tension permanent që është këtu. Nuk mund të vazhdojë vendi gjithnjë me frikën, me rrezikun, me hijen që po kthehen kohët e vjetra”, tha Shehi.

Studentët refuzojnë dialogun me Ramën, largojnë stolat para Kryeministrisë dhe u vënë flakën shilteve

0

Studentët protestues kanë refuzuar sërish ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke larguar nga vendi stolat prej guri të vendosur përpara godinës së Kryeministrisë dhe iu kanë vënë zjarrin shilteve.

Siç shihet edhe nga pamjet, të rinjtë kanë hequr stolat, duke dhënë një mesazh të qartë se nuk pranojnë të ulen në një tryezë bisedimesh me kreun e qeverisë.

Veprimi i tyre vjen pasi Rama ka përsëritur ftesën për dialog me protestuesit, ndërsa këta të fundit vijojnë të këmbëngulin në kërkesën për dorëheqjen e tij.

Protesta ka nisur që prej orës 10:00 të mëngjesit, ndërsa studentëve u janë bashkuar pedagogë, qytetarë dhe mjekë, të cilët kanë dalë në mbështetje të kërkesave të të rinjve.

Të grumbulluar përpara Kryeministrisë, protestuesit vijojnë thirrjet kundër qeverisë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Rama e akuzoi për shitje droge, studenti i përgjigjet nga protesta: Jam me mesatare 10! Përpjekjet e fundit të diktatorit!

0

Kryeministri Edi Rama doli sot për t’i bëri gjyqin publik disa personave, që janë arrestuar për protestat e studenteve dhe sipas tij nuk janë studentë.

Por njëri prej tyre, Jon Suloymeri, i cili e pa veten në fotot dhe skedën që publikoi Rama, doli para kryeministrisë, për ti thënë se “ai është student i Mjekësisë me mesatare 10”.

Sipas studentit, ato që deklaron Rama janë mashtrime dhe përpjekjet e fundit të një diktatori.

“Zoti kryeministër ka dalë sot dhe më akuzuar për veprën penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Unë jam student i Mjekësisë dhe ky shpik legjenda me mbret. Dua të tregoj të gjitha notat që kam marrë me mesatare 10.0. Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra. Këto janë përpjekjet e fundit të një diktatori.

Kam qenë të martën e kaluar i shoqëruar. Më mbajtën 7 orë e gjysmë dhe pastaj më lëshuan. Nuk e di nëse do ta denoncoj, se nuk kam kohë për denoncime të kota. Nuk kam besim te asgjë”, tha Jon Suloymeri.

Tensionet në Kuvend/ Sekretariati i Etikës përjashton me 60 ditë nga seancat 6 deputetë të PD

0

Sekretariati i Etikës ka përjashtuar me 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare, 6 deputetët e PD Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri.

Për 14 deputetët e tjerë të PD-së, për të cilët u kërkua 10 ditë përjashtim, nuk është marrë asnjë masë. Janë falur.

Bëhet fjalë për deputetët Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.

Një ditë më parë PS kërkoi PS kërkuar përjashtimin nga punimet me 60 ditë për deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi, të cilët u përplasën verbalisht dhe fizikisht me deputetët socialistë.

Ndërsa për 14 deputetë të tjerë të PD-së; Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi kërkoi përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Studentët e Mjekësisë në protestë, dita e 11-të e bojkotit! Bashkohen dhe mjekët

0

Studentët e Mjekësisë dhe mjekët specializantë janë mbledhur këtë të premte në protestë, në ditën e 11-të të bojkotit të zhvilluar në universitete.

Mjekët specializantë i janë bashkuar studentëve në tubimin e zhvilluar përpara Kryeministrisë.

Bojkoti i studentëve vijon prej 11 ditësh, ndërsa kësaj here protestës i janë bashkuar edhe mjekët specializantë.

Të dielën nis ora dimërore, akrepat kthehen 60 minuta prapa

0

Të dielën e fundit të tetorit akrepat e orës do të zhvendosen pas për 60 minuta, duke na rikthyer në orën dimërore.

Në orën 03.00 të mëngjesit, ora do të shkojë automatikisht 2.

Kjo do të thotë zgjim më i vonë në mëngjes, dhe më pak orë me dritë!

Për disa prej qytetarëve ndryshimi i orës ndikon për mirë, ndërsa për të tjerë, ky ndryshim shkakton probleme në organizimin e ditës dhe aktiviteteve të tyre.

Çdo vit, në të dielën e fundit të tetorit dhe të dielën e fundit të prillit ndryshon ora dhe fillon llogaritja e kohës dimërore ose verore.

Ky sistem është në fuqi që prej vitit 1981, ndërsa në mënyrë të vazhdueshme është hedhur ideja për ta shfuqizuar.