Ballina Blog Faqe 6

Rama u kërkon ministrave dorëheqjet e të gjithë drejtorëve të institucioneve. Ja kush preket

0

Edi Rama raportohet se ka kërkuar nga ministrat që të nisin një proces largimi të drejtuesve të institucioneve në varësi të tyre, në një kohë kur qeveria po përballet me protestat në Tiranë.

Rama i ka kontaktuar ministrat nga Budva, duke u kërkuar që të mbledhin drejtuesit e institucioneve që kanë në varësi dhe t’u kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme.

Urdhri i kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive prek disa nga strukturat më të rëndësishme të administratës shtetërore. Nga Tatimet dhe Doganat, te energjetika, infrastruktura, burgjet dhe agjencitë publike, një numër i madh drejtuesish janë përfshirë në kërkesën për largim nga detyra.

Në sektorin e financave publike, kërkesa prek Ilir Binajn, drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, dhe Besmir Bejën, drejtorin e Përgjithshëm të Doganave. Të dy institucionet kanë një rol kyç në mbledhjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Në listë është edhe Etugert Llazi, drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Biznesit institucion që administron regjistrimin dhe të dhënat e bizneseve.

Ndryshimet shtrihen edhe në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, ku përfshihen drejtues të disa prej kompanive më të mëdha publike.

Mes tyre janë Eltar Deda, administrator i Albpetrolit, Ami Kozeli, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Elisian Bici, administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, dhe Viola Haxhiademi, administratore e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Kërkesa për dorëheqje është raportuar edhe për Ergys Verdhon, administratorin e Hekurudhës Shqiptare, si dhe Dritan Isakun, drejtorin e Përgjithshëm të Albcontrol.

Në Ministrinë e Drejtësisë, lista përfshin Besmir Kolën, drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, Ergys Qiricin, drejtorin e Përgjithshëm të Përmbarimit, Valdrin Pjetrin, drejtuesin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, dhe Eduard Merkajn, kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Mes emrave të raportuar është edhe Sadleva Bodo, drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, e cila është emëruar në këtë detyrë vetëm pak ditë më parë, më 14 tetor.

Urdhri prek gjithashtu institucione që mbulojnë prokurimet, dokumentet e identifikimit dhe kontrollin financiar. Në këtë grup përfshihen Silda Anagnosti Çepe, administratore e IdentiTek, Jonaid Myzyri, drejtues i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, dhe Ervin Koçi, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare.

Në listën e publikuar janë edhe tri drejtuese të agjencive shtetërore: Laura Plaku Saro, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Ardita Kuçi, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Marjeta Përlala, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

E megjithatë detaje të reja do të priten në ditët në vijim, teksa më herët Newsbomb.al raportoi se urdhri nga kryeministri ishte dhënë në orën 16:00 dhe të gjithë drejtorët deri në orën 17:00 kishin dorëzuar kërkesat për dorëheqjen e tyre. Madje, një detaj interesant është se zyrat e protokollit kanë qëndruar të hapura deri vonë, në mënyrë që të dorëzoheshin të gjithë dorëheqjet. / Nga “Newsbomb.al“

Pirdeni bëhet ministre me portofol e Administratës Publike

0

Adea Pirdeni do të jetë ministre e Administratës Publike, tashmë me portofol, pasi Presidenti Bajram Begaj ka firmosur dy dekrete për shkarkimin e saj nga detyra e mëparshme dhe emërimin në postin e ri.

Me dekretin nr. 521, të datës 19 tetor 2026, Begaj ka shkarkuar Pirdenin nga detyra e ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Ndërsa me dekretin nr. 522, të së njëjtës datë, Presidenti e ka emëruar atë ministre të Administratës Publike.

Ndryshimi është se Pirdeni nuk do të jetë më ministre Shteti, por ministre me portofol. Të dy dekretet janë nxjerrë me propozim të Kryeministrit dhe parashikojnë hyrjen në fuqi menjëherë.

Dekretet i janë dërguar Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave.

Analiza e DW: Pse u përshkallëzuan protestat studentore në Shqipëri?

0

Dritare të thyera, njolla zjarri nëpër mure: ministria e Arsimit në Tiranë mbart gjurmët e protestave të ditëve të fundit. Megjithatë, studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës janë mbledhur sërish këtu për të protestuar.

Për rreth pesë muaj, protestat kundër qeverisë në Shqipëri kanë qenë paqësore. Ato nisën fillimisht kundër ndërtimit të kompleksit hotelier luksoz nga dhëndri i Trump, Jared Kushner, brenda rezervatit natyror të Zvërnecit.

Që atëherë, protestat kanë vazhduar të përhapen. Përleshje të dhunshme midis studentëve dhe nxënësve të gjimnazeve nga njëra anë, dhe policisë nga ana tjetër, ndodhin çdo ditë.

Më 13 tetor, situata u përshkallëzua. Demonstruesit denoncojnë korrupsionin, kushtet e mjerueshme në universitete dhe rritjen e kostove të arsimit. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili është në pushtet që nga viti 2013.

Një vajzë e re e veshur me të zeza dhe me një xhaketë me kapuç qëndron në turmë. Kur e pyesim pse po merr pjesë në protesta, ajo mbulon gojën me një maskë me ngjyra. “Ju lutem prisni një moment, do të doja ta mbuloja fytyrën” – thotë Sara* (emri i ndryshuar nga redaksia). Ajo preferon të mbetet anonime.

Sara thotë se ka shkuar rregullisht në protesta, që prej nisjes së tyre. Ajo koordinohet me studentët e tjerë nëpërmjet telefonit. “Ne komunikojmë vetëm nëpërmjet mesazheve ” – thotë ajo. Pastaj duhet ta ndërpresim bisedën me të. Demonstruesit po hedhin përsëri gurë drejt ministrisë së Arsimit dhe policia po i shtyn demonstruesit dhe gazetarët jashtë kordonit të vendosur, duke përdorur ujë për të shpërndarë turmën.

Organizim i decentralizuar, horizontal

“Rrjetet sociale janë sot ‘sheshi’ i parë publik, para se të mbushet sheshi fizik” – thotë Besmir Semanaj, ekspert i sigurisë kibernetike.

“Të rinjtë nuk organizohen më nëpërmjet strukturave klasike: partive, shoqatave apo njoftimeve publike. Ata organizohen aty ku jetojnë çdo ditë, në telefon”.

Sipas Semanaj, kanalet kryesore të komunikimit janë grupet në Instagram, si story-t dhe mesazhet direkte, grupet në WhatsApp sipas klasave, fakulteteve dhe konvikteve, kanalet në Telegram për njoftime masive, dhe TikTok-u për shpërndarjen e videove. „Signal-i përdoret nga ata që janë më të vetëdijshëm për sigurinë”.

„Ky është një model organizimi horizontal, pa udhëheqës të vetëm dhe pa qendër komande. Pikërisht për këtë arsye pushteti e ka kaq të vështirë ta kuptojë dhe ta kontrollojë” – i tha ai DW.

Kryeministri Edi Rama: “Luftë hibride”

Semanaj thekson se shërbimi i mesazheve në Telegram ofron disa funksione të dobishme në situatën aktuale: „Kanalet mund të arrijnë dhjetëra mijëra njerëz njëkohësisht, njoftimi shpërndahet në sekonda dhe kontrolli nga jashtë është më i vështirë se në platformat tradicionale”.

Kryeministri Edi Rama – i njohur për përdorimin e mediave sociale – fajëson algoritmet për situatën aktuale. Ai e përshkruan kryengritjen e të rinjve kundër qeverisë së tij si një “luftë hibride”. Në një dalje të kohëve të fundit në media, ai nisi një sulm të ashpër verbal ndaj protestuesve.

“Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Por ata janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka” – tha Rama.

“Të radikalizuar nga Antifa”

Që nga fillimi i protestave fillimisht paqësore kundër qeverisë gati pesë muaj më parë, Rama është përpjekur vazhdimisht të ekspozojë publikisht organizatorët “e vërtetë” pas protestave. Në muajt e fundit, ai ka akuzuar vende si Greqia, Rusia dhe Irani për ndërhyrje në protesta.

Kohët e fundit, ai shpalli një fajtor të ri: Antifa-n, lëvizje botërore, e decentralizuar e së majtës radikale, e cila nuk ka udhëheqës. “Janë të rinj e të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar, nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuarae ka shpallur organizatë terroriste, Antifa-n” – deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Redion Qirjazi, ekspert për çështjet e sigurisë dhe radikalizmin, nuk është dakord. “Kjo është një akuzë serioze, e cila kërkon prova po aq serioze. Deri më sot, nuk janë paraqitur publikisht prova të verifikueshme që dokumentojnë ekzistencën e një strukture të organizuar Antifa në Shqipëri, aq më pak përfshirjen e saj në koordinimin e protestave” – analizon Qirjazi.

“Struktura terroriste?”

Referenca e Ramës ndaj vendimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për ta klasifikuar Antifën si një organizatë terroriste është gjithashtu problematike, sipas ekspertit Qirjazi. “Antifa nuk është një organizatë e vetme ndërkombëtare me strukturë dhe komande të centralizuar, por një emër që përfshin lëvizje dhe grupe të ndryshme, në thelb antifashiste”.

Studentja Sara gjithashtu e hedh poshtë me vendosmëri akuzën për struktura “terroriste”. “Ka grupe që përdorin dhunë, kjo është e vërtetë, por unë nuk kam të bëj fare me ta. Sapo shoh dhunë, largohem. Jam kundër saj” – tha ajo për DW.

Arlind Qori, kryetar i partisë së re opozitare “Lëvizja Bashkë”, e cila ka qenë aktive kundër qeverisë që nga fillimi i protestave kundër resortit luksoz në Zvërnec, i konsideron pretendimet e Ramës “të pakuptimta”.

Dorëheqje në vend të revolucionit

“Të rinjtë janë të mllefosur nga kushtet social-ekonomike: nga varfëria, nga fakti që shumë prej tyre i kanë prindërit në emigracion sepse nuk kanë mundësi të mbajnë familjen, nga degradimi i shkollës, nga mungesa e mundësive ekonomike pas shkollimit që të punojnë në profesionin e tyre” – tha Qori.

Këta faktorë, shpjegoi ai, i kanë shtyrë të rinjtë në rrugë dhe jo ndonjë ideologji tjetër, e çfarëdo lloji. Duhet gjithashtu të theksohet se kërkesa kryesore e studentëve është dorëheqja e Ramës, “jo një revolucion socialist”.

Qori vazhdoi: “Njerëzit nuk po kërkojnë asgjë radikale, por vetëm dorëheqjen e kreut të korruptuar të qeverisë, një kërkesë themelore dhe e moderuar. Megjithatë, Edi Rama vazhdon të përgjigjet me dhunë policore dhe arrogancë” – i tha ai DW.

Kush po i “lëviz” fijet?

Eksperti i sigurisë Qirjazi thotë se duhet analizuar edhe koha në të cilën bëhen këto deklarata. “Kur një qeveri përballet me protesta dhe pakënaqësi qytetare, lidhja e protestuesve me ekstremizmin dhe ndikimet e huaja mund të shërbejë për ta zhvendosur vëmendjen nga shkaqet e protestave drejt një narrative të sigurisë kombëtare” – beson ai.

“Kjo mund të shërbejë për disa qëllime politike: të delegjitimojë protestuesit, të dobësojë mbështetjen publike ndaj tyre dhe të justifikojë një qasje më të ashpër në emër të rendit dhe sigurisë.”

Eksperti i sigurisë kibernetike Semanaj e njeh këtë model nga kriza të tjera. “Protesta paraqitet si dhunë, të rinjtë si të manipuluar dhe kërkesat e tyre legjitime – kushtet në universitete, tarifat, korrupsioni, mungesa e perspektivës – zhduken nga narrativa.”

Në vend që të diskutohet pse mijëra të rinj dolën në rrugë, fokusi zhvendoset te kush i “dërgoi” ata atje. Semanaj beson se kjo nuk është rastësi, por më tepër një fushatë e orkestruar komunikimi.

“Synon të krijojë një narrativë specifike: se protesta është sinonim i dhunës, se të rinjtë manipulohen dhe se dikush tjetër po i tërheq fijet” – thotë Semanaj. /DW

Protestuesit zhvendosen drejt Kryeministrisë, largojnë stolat e gurit me ftesat e Ramës për dialog

0

Protestuesit kanë vijuar marshimin drejt Kryeministrisë pasi qëndruan disa orë përpara Kuvendit.

Ndërkohë, protesta e të rinjve ka vijuar e qetë dhe, deri në këto momente, nuk ka pasur përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Pasi mbërritën para Kryeministrisë, protestuesit larguan stolat prej guri, mbi të cilët kryeministri Edi Rama kishte vendosur këtë të enjte ftesat për dialog.

Ergys Agasi kërkesë në GJKKO për kthimin e sendeve të sekuestruara

0

Ergys Agasi i është drejtuar Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke kërkuar kthimin e sendeve të sekuestruara gjatë kontrolleve të kryera në zyrën e tij.

Sipas gazetares Klodiana Lala, kërkesa është depozituar më 14 tetor, ndërsa Agasi kërkon konkretisht kthimin e një kamere të sekuestruar në ambientet e zyrës.

Pritet që GJKKO të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë nëse kamera do t’i kthehet apo do të vijojë të mbahet e sekuestruar.

Gjyqtarja që do të shqyrtojë çështjen është Flojera Davidhi.

“Pedagogët u kërcënuan me mesazhe, ka dorëheqje masive”, reagon Policia e Shtetit

0

Policia e Shtetit ka bërë me dije sot më 22 tetor se prej ditës së djeshme po qarkullojnë në rrjetet sociale informacione të pavërteta, sipas të cilave mësuesit e pedagogët që morën pjesë në protestë janë kërcënuar përmes mesazheve të dërguara në emër të policisë.

Uniformat blu i kanë cilësuar këto mesazhe si përpjekje për të dëmtuar imazhin e institucionit dhe për të përhapur panik te qytetarët. Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, ka sqaruar se nga Rinasi po transportohen shtetas të huaj për në Gjadër dhe se nuk ka tjetër skenar, që mund të ndodhë në aeroport, siç është aluduar.

Policia ka mohuar gjithashtu lajmet për dorëheqje masive nga radhët e saj, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Në reagim theksohet se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë protestave dhe se e drejta për tubim paqësor është e drejtë kushtetuese.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë besimin te institucioni dhe misionin e tij ligjor.

Drejtues Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, deklaratë për median

Përshëndetje,

Ditët e fundit, në rrjete sociale po publikohen lajme të rreme që synojnë të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit, të cenojnë rendin dhe sigurinë, si dhe të vënë në dyshim respektimin e të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore.

Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t’u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta. Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t’u komunikuar akuza.

Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia.

Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t’u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe garantojë atë.

Në të gjitha njoftimet dhe daljet publike të përfaqësuesve të Policisë së Shtetit është bërë e qartë se kjo e drejtë respektohet dhe garantohet. Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dashakeq.

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se lajmet e publikuara për dorëheqje masive nga radhët e Policisë së Shtetit, janë të pavërteta.

Po ashtu, sigurojmë qytetarët se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit.

Të nderuar qytetarë,

Policia e Shtetit është në shërbimin tuaj, në zbatim të ligjit, për garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave tuaja. Ju bëjmë thirrje të mos bini pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë misionin ligjor të Policisë së Shtetit dhe besimin tuaj tek ajo.

Berisha: Të shtunën protesta më e madhe kombëtare në mbështetje të studentëve

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se të shtunën do të mbahet protesta më e madhe kombëtare, në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që protestojnë.

“E shtuna është dita e protestës më të madhe kombëtare, e thirrur në mbështetje të protestës studentore dhe gjimnazistëve”, deklaroi Berisha.

I pyetur nga gazetarët nëse përfshirja e PD-së mund ta dëmtojë protestën, Berisha e hodhi poshtë këtë pretendim dhe theksoi se opozita po e mbështet lëvizjen studentore.

“Këta njerëz që mendojnë janë puthadorë të Edi Ramës. Këta janë puthadorë të Edi Ramës. Këta krahasojnë të pakrahasueshmet. Dhe të krahasosh pushtetin ekzekutiv me pushtetin moral të opozitës, je një idiot politik, më së shumti je një puthador dhe skllav i qeverisë. S’krahasohen të pakrahasueshmet”.

Ai i cilësoi zgjedhjet e fundit si “farsë elektorale” teksa akuzoi qeverinë për korrupsion dhe kundërshtoi pretendimet se opozita i ka humbur zgjedhjet.

“Ky është korrupsioni i gjuhës. Ky është rasti më tipik i korrupsionit të gjuhës. Kur thua po… po thua… zgjedhjet i humbi opozita. Opozita nuk humbi zgjedhje, ishin farsë, ishin farsë. Dhe ti për të lehtësuar qeverinë, u thua qytetarëve që kishte zgjedhje dhe i humbi opozita. Pra, korrupton gjuhën, korrupton dhe mendimin. Edhe kjo, opozita njësoj. Si qenka njësoj 13 vite në opozitë me 13 vite në pushtet?  Duhet të kesh humbur mendjen dhe çdo gjë të flasësh në këtë mënyrë”, tha ai.

Tensionet në Kuvend, Balla: Urdhrat e dhunës i jep Berisha

0

Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar Sali Berishën si personin që jep urdhra për dhunë, duke e lidhur këtë me tensionet në seancën e sotme dhe përplasjet që shoqërojnë protestën.

Balla theksoi se mazhoranca është e vendosur të mos humbasë më asnjë seancë parlamentare dhe do të vijojë me votimin e ligjeve që lidhen me agjendën evropiane, me synimin për të përmbyllur procesin e negociatave me BE-në.

“Besoj e patë se kush i jep urdhrat e dhunës në bulevard. Ajo që patë sot në Kuvend është një shprehje kuptimplotë e faktit se të gjithë urdhrat jepen nga një person dhe ai është Sali Berisha.

Në emër të grupit parlamentar të PS-së, për më shumë se një orë, Kuvendi duhej të votonte një sërë ligjesh. Kishim disa ligje që lidheshin me agjendën tonë evropiane. Ky është arsyetimi dhe përgjigjja ndaj të gjithë atyre që mendojnë se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të humbasë asnjë seancë tjetër për vendime të tjera, me përjashtim të votimit të ligjeve që lidhen me rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE.

Kalendari ynë përcakton si afat vitin 2027, kur synojmë të përmbyllim procesin e negociatave. Negociatat janë të lidhura me punën që bën Kuvendi.

Shqiptarët kanë votuar më 11 maj 2025 për Edi Ramën si kryeministër. Kontrata e Edi Ramës me shqiptarët është katërvjeçare. Vitin tjetër janë zgjedhjet vendore. Kushdo mund të marrë pjesë në zgjedhje.

Zgjedhjet i cakton Kushtetuta. Partitë nuk mund të përcaktojnë nëse do të mbahen apo jo”, u shpreh Balla.

Protesta para Kuvendit, pedagogu përplaset me policinë: Po na vjedhin, boll më! Do t’ju vijë turp nga historia

0

Studentët dhe Pedagogët janë mbledhur tashmë në protestën e 10-të studentore para Kuvendit ndërsa një prej pedagogëve pjesëmarrës ka mbajtur një fjalim të fortë drejtuar efektivëve të policisë, duke u bërë thirrje të reflektojnë dhe të mos qëndrojnë përballë studentëve që kërkojnë ndryshim.

Ai kritikoi situatën politike në vend dhe akuzoi pushtetin për vjedhje, ndërsa theksoi se protesta nuk bëhet për interesa personale, por për të ardhmen e të gjithë qytetarëve.

Pedagogu ngriti gjithashtu shqetësimin për pabarazinë ekonomike, duke iu referuar pasurisë së personave të lidhur me pushtetin dhe vështirësive ekonomike me të cilat, sipas tij, përballen qytetarët.

“Ai nuk e mban më, ai ka ikur. Por ju do t’ju vijë turpi , në anën e turpit të historisë. Nuk ju bëjmë gjë ne, as me të nuk merremi, por ka ardhur koha të ndryshojmë jetët tona. Të gjithë bashkë, ne po luftojmë dhe për ju. Unë nuk kam asnjë hall, fëmijët e mi janë në punët e tyre. Por nuk shkon më kështu, po na vjedhin o miq. Boll më. Ka miliona ajo Bela, ju dhe të tjerë nuk keni bukë në shtëpi. Çfarë bëni, ku e gjeni këtë urrejtje o miq? Kam 40 vite…gjysmën tuaj e kam bërë me diplomë”, u shpreh një prej pedagogëve drejtuar efektivëve të policisë.

Kush janë mercenarët me maska që po përdoren nga një kufomë politike

0

Kur një kufomë politike arrin të shohë qartë fundin e tij, atëherë do të bëjë gjithçka, me shpresën e pashpresë, se do ta shmangë atë. Për herë të parë në 35 vjet, Edi Rama ka regjistruar në historinë tonë politike terrorin më të madh policor kundër të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë. E nëse dhuna shtetërore është treguesi i parë i kapitullimit të sigurtë të një regjimi, tentativat për të çuar vendin në luftë civile përfundojnë me tërheqjen zvarrë të tij.

Burime të lapsi.al kanë mësuar se përveç mercenarëve me uniformë, regjimi po përdor metoda të juntave më të egra, duke mobilizuar civilë të maskuar për të mbjellë terror, ushtruar dhunë si dhe për të bërë diversion mes protestuesve. 

Banda e gangsterëve me maska në selinë e Partisë Socialiste, që ditën sillen si protestues dhe natën dalin për të goditur pas shpine të rinjtë, është tashmë një fakt i dokumentuar i përdorimit të civilëve, që nuk janë pjesë e trupës policore, për të ushtruar terror në emër të Edi Ramës. Se ata po përdoren nga kryeministri, për të shmangur kalljen e tij në varrezën politike të satrapëve, këtë e vërteton si mosveprimi i prokurorëve të Tiranës, ashtu edhe heshtja e turpshme e zhvatësve mediatikë që vegjetojnë nën këmbët e Ramës.

Në të gjithë propagandën e fundregjimit flitet për studentët që mbajnë maska, për agjentët e Iranit e flamurët e Vatikanit, por a keni parë dikë që të ngrejë alarmin se kur civilët maskohen e armatosen për të goditur qytetarët, a po shkon vendi në luftë civile për interesin e Ramës? Ky shqetësim, i vetmi që kërcënon sot me gjakderdhje, nuk përmendet sepse rrëzon totalisht arsyetimin mbi të cilin po ushtohet terrrori shtetëror.

Televizioni News24 transmetoi pamje të një tjetër bande civilësh të maskuar që dilnin nga ministria e Brendshme dhe më pas si hije të zeza depërtonin nëpër grupe protestuesish duke u shtirur si pjesë e tyre.

Sipas informacioneve që Lapsi.al ka mundur të mbledhë nga grupe të ndryshme protestuesish, këta civilë janë kryesisht punonjës të administratës publike por edhe banditë ordinerë, që në pushtetin e Edi Ramës, njësoj si një pjesë e mercenarëve me uniformë, kanë kryer lirisht aktivitet kriminal në këmbim të votave për rilindjen. Këta civilë synojnë të afrohen me grupe të ndryshme protestuesish, të zbulojnë organizimin e tyre dhe më pas t’i godasin pas shpine. Në shumë raste raportohet se dalin edhe hapur, herë duke kërcënuar me forcën e banditit e herë duke ofruar para dhe vende pune në emër të pushtetit të kryebanditit.

Këta mercenarë, një pjesë e të cilëve janë identifikuar e regjistruar nga të rinjtë, po veprojnë nën shembullin e kryeministrit të pakallur. Në të njëjtën mënyrë Rama josh me para policët dhe bën diversion tek studentët, kërcënon se do ndalojë lëvizjen e lirë, do i heqë nga puna e nga shkolla, do i përndjekë e persekutojë. Në thelb është e njëjta tentativë dëshpëruese për të shmnagur fundin e sigurtë që tashmë është shndërruar në tërheqje zvarrë.

Studentët dhe qyetarët shqiptarë e kanë të qartë kauzën e tyre: Dorëheqjen e Edi Ramës. Dhuna e terrori, propaganda me Antifa e ajatollahë, shndërrimi i policisë në mercenare me pagesë dhe përdorimi i civilëve kundër të rinjve, vetëm rrit koston e largimit të tij. Kryeministri vetë mund të mbrohet me gardë, policë, ushtri e banda, por ata që sot ushtrojnë dhunë apo heshtin kur shohin fëmijë që u thyhen gjymtyrët apo më keq akoma e justifikojnë atë, duhet të mendojnë se në cilat shkolla do t’i çojnë fëmijët e tyre nesër. Zgjatja e agonisë së Edi Ramës nuk është shpëtim për ta, por kërcënim për përplasje mes shqiptarëve. Sa më e egër dhuna, aq më i sigurtë është fundi./Lapsi.al