E enjte, Tetor 22, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet “Pedagogët u kërcënuan me mesazhe, ka dorëheqje masive”, reagon Policia e Shtetit

“Pedagogët u kërcënuan me mesazhe, ka dorëheqje masive”, reagon Policia e Shtetit

0
81

Policia e Shtetit ka bërë me dije sot më 22 tetor se prej ditës së djeshme po qarkullojnë në rrjetet sociale informacione të pavërteta, sipas të cilave mësuesit e pedagogët që morën pjesë në protestë janë kërcënuar përmes mesazheve të dërguara në emër të policisë.

Uniformat blu i kanë cilësuar këto mesazhe si përpjekje për të dëmtuar imazhin e institucionit dhe për të përhapur panik te qytetarët. Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, ka sqaruar se nga Rinasi po transportohen shtetas të huaj për në Gjadër dhe se nuk ka tjetër skenar, që mund të ndodhë në aeroport, siç është aluduar.

Policia ka mohuar gjithashtu lajmet për dorëheqje masive nga radhët e saj, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Në reagim theksohet se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë protestave dhe se e drejta për tubim paqësor është e drejtë kushtetuese.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë besimin te institucioni dhe misionin e tij ligjor.

Drejtues Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, deklaratë për median

Përshëndetje,

Ditët e fundit, në rrjete sociale po publikohen lajme të rreme që synojnë të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit, të cenojnë rendin dhe sigurinë, si dhe të vënë në dyshim respektimin e të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore.

Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t’u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta. Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t’u komunikuar akuza.

Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia.

Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t’u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe garantojë atë.

Në të gjitha njoftimet dhe daljet publike të përfaqësuesve të Policisë së Shtetit është bërë e qartë se kjo e drejtë respektohet dhe garantohet. Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dashakeq.

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se lajmet e publikuara për dorëheqje masive nga radhët e Policisë së Shtetit, janë të pavërteta.

Po ashtu, sigurojmë qytetarët se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit.

Të nderuar qytetarë,

Policia e Shtetit është në shërbimin tuaj, në zbatim të ligjit, për garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave tuaja. Ju bëjmë thirrje të mos bini pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë misionin ligjor të Policisë së Shtetit dhe besimin tuaj tek ajo.

Zjarr Tv Ad