Join our community of SUBSCRIBERS and be part of the conversation.
To subscribe, simply enter your email address on our website or click the subscribe button below. Don't worry, we respect your privacy and won't spam your inbox. Your information is safe with us.
Protesta para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar, ndërsa Policia ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.
Pas ndërhyrjes së forcave të Policisë, të rinjtë janë larguar nga Rruga e Durrësit dhe kanë nisur marshimin në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Fillimisht, disa të rinj dogjën koshat e mbeturinave dhe nisën të hedhin gurë në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit. Më pas, Policia ndërhyri me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë, duke i drejtuar protestuesit drejt qendrës.
Studentët dhe të rinjtë u ndanë në disa drejtime: një pjesë u drejtua drejt qendrës dhe Sheshit “Skënderbej”, ndërsa të tjerë marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Protestuesit te Ministria e Arsimit kanë nisur përplasjet me efektivët duke u hedhur gurë e kapsollë. Policia u kundërpërgjigj duke hedhur ujë me presion, por ende s’është përdorur gaz lotsjellës.
Po ashtu, disa kosha mbeturinash janë përfshirë nga flakët.
Policia u kundërpërgjigj duke hedhur ujë me presion, por ende s’është përdorur gaz lotsjellës.
Ngjarja shënon një tjetër episod tensioni në ditën e 12-të të protestave në Tiranë.
Skenarë të ngjashëm janë parë edhe në ditët e mëparshme të tubimeve, ku nuk kanë munguar momentet e tensionit.
Protestuesit e Partisë Demokratike u mblodhën sot për rreth 1 orë e gjysmë para Kryeministrisë aty ku dogjën edhe jastëkët e vendosur nga kryeministri Edi Rama si ftesë dialogu për studentët.
Ata nisën marshimin drejt Ministrisë së Arsimit aty ku është lajmëruar një protestë, në mbështetje të së cilës janë shprehur edhe pedagogët.
Ndërkohë, para Ministrisë së Arsimit, deri në orën 14:00 nuk ka pasur asnjë grumbullim studentësh.
Analisti Fatos Lubonja, në një prononcim për News24 teksa ka nisur protesta kombëtare në Tiranë, është shprehur se situata aktuale kërkon reflektim nga Partia Demokratike dhe të gjithë aktorët politikë që kërkojnë largimin e qeverisë së Edi Ramës.
Sipas Lubonjës, opozita duhet të gjejë mënyrën më të mirë për të rritur pjesëmarrjen në protestë dhe për të siguruar mbështetjen më të madhe të mundshme në zgjedhjet e ardhshme, nëse kryeministri vijon të refuzojë largimin nga pushteti.
“Ky është një moment që duhet të reflektojnë të gjithë. PD-ja dhe të gjithë aktorët e tjerë politikë që kërkojnë dorëzimin e kësaj qeverie, për të gjetur zgjidhjen optimale se si të arrihet numri më i madh i njerëzve në protestë dhe si të arrihet numri më i madh i votuesve në zgjedhjet që mund të vijnë”, u shpreh Lubonja.
Analisti tha se, sipas tij, Rama ka ndërmend të qëndrojë në pushtet, duke e cilësuar këtë si një gabim si për kryeministrin dhe partinë e tij, ashtu edhe për Shqipërinë.
Prej pesë ditësh, ndër videot e para që shqiptarëve u shfaqen në rrjetet sociale janë ato të kryeministrit Edi Rama, i cili fton të rinjtë protestues për dialog. Çdo mëngjes, karriget që kujdeset t’i vendosë vetë presin të rinjtë që protestojnë në rrugët e Tiranës, ndërsa ftesat për t’u ulur në tryezë shoqërohen me mesazhe mirëkuptimi dhe gatishmërie për të dëgjuar kërkesat e tyre.
Por vetëm dy orë pas publikimit të një prej këtyre videove, kryeministri zgjodhi një gjuhë krejt tjetër për protestuesit që më parë i kishte ftuar në bisedime.
Të premten, më 23 tetor, nga ekrani i Facebook-ut, Rama nisi të shfaqte një nga një fotografitë e 45 personave, të shoqëruara me iniciale, mosha dhe pretendime për precedentë penalë. Sipas kryeministrit, ata ishin fytyrat e vërteta të një proteste që prej ditësh ishte përshkallëzuar në përplasje me policinë, dëmtime institucionesh dhe arrestime.
Në një komunikim ku nuk munguan as “duart e zeza”, financimet nga krimi i organizuar, agjenturat e huaja dhe rrjeti “Antifa”, Rama u përpoq të argumentonte se pas protestës nuk qëndronin studentët, por individë me të shkuar kriminale. Mes fotografive të publikuara ishte edhe ajo e një studenti 20-vjeçar të Mjekësisë Dentare, të cilin kryeministri e paraqiti si person pa lidhje me universitetin dhe me precedent penal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Por ndërsa 45 qytetarë shihnin fotografitë dhe të kaluarën e tyre të pretenduar penale në ekranin e kryeministrit, vetëm pak javë më parë prezumimi i pafajësisë kishte zënë një vend të rëndësishëm në qëndrimet publike të Ramës, teksa hetimet e SPAK-ut kishin prekur figura të rëndësishme të mazhorancës.
Gjyqet mediatike, ekspozimi publik dhe trajtimi i njerëzve si fajtorë përpara se drejtësia të shprehej ishin kthyer në shqetësime të përsëritura të kryeministrit. Por më 23 tetor, ai publikoi fotografitë dhe të dhënat e pretenduara penale të protestuesve, pa bërë të qartë në çdo rast nëse bëhej fjalë për dyshime, procedime apo dënime gjyqësore.
Megjithatë, në fjalimin 24-minutësh, pamjet e të rinjve të plagosur, denoncimet për dhunë policore, 27 raportimet për pengimin e gazetarëve dhe shoqërimet e mbi 200 të miturve ishin lënë jashtë këtij rrëfimi.
Komunikimi i Ramës, i përqendruar te ekspozimi i asaj që e quajti eksponent kriminal i protestës, risolli në vëmendje pikërisht atë praktikë që vetë kryeministri e kishte kundërshtuar me aq këmbëngulje kur kryefjala ishin zyrtarët e lartë të qeverisë: gjyqin publik dhe mediatik.
Standardi i dyfishtë i gjyqit publik
“Të drejtat nuk kanë biografi, nuk kanë parti, nuk kanë profesion dhe nuk kanë as popullaritet”, deklaronte kryeministri Edi Rama më 30 shtator, gjatë prezantimit të ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale.
Prej muajsh, Rama kishte kundërshtuar “gjyqet mediatike”, publikimin e materialeve hetimore dhe trajtimin si fajtorë të personave për të cilët drejtësia ende nuk kishte dhënë një vendim. Mbrojtja e prezumimit të pafajësisë ishte kthyer në një nga argumentet e tij të përsëritura, duke e përfshirë edhe në përplasje publike me SPAK-un, veçanërisht pas hetimeve ndaj figurave të rëndësishme të mazhorancës, përfshirë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Rama kishte kritikuar mënyrën e zhvillimit të hetimeve, duke iu referuar “grupeve hetimore të stacionit të trenit”, që, sipas tij, kishin bërë zakon t’i njoftonin akuzat në “rrugë të shtrembër”.
Por më 23 tetor, në rrjetet sociale të vetë kryeministrit, prezumimi i pafajësisë dukej se kishte humbur vendin që i ishte rezervuar në diskursin e tij. Rama publikoi fotografitë dhe të dhënat që ai i paraqiti si precedentë penalë të 45 protestuesve, duke i vendosur brenda një rrëfimi për kriminalitetin, financimet e huaja dhe organizimin e dhunës.
Mes tyre kishte persona për të cilët përmendeshin dënime të mëparshme, por edhe të tjerë për të cilët nuk sqarohej nëse bëhej fjalë për dyshime, procedime apo vendime gjyqësore. Ndërkohë, pretendimet për financimin e protestës nga krimi i organizuar dhe forca të huaja nuk u shoqëruan gjatë komunikimit me prova të verifikueshme publikisht.
Megjithatë, ky komunikim nuk ishte hera e parë që kryeministri përdorte rrjetet e tij sociale për të ekspozuar pjesëmarrësit në protestë.
Që në javët e para të tubimeve, në fillim të qershorit, fotografi bardhezi të pjesëmarrësve në protestë shfaqeshin në profilin e tij në Instagram, të shoqëruara me komente për veprimet apo të shkuarën e tyre. Në ditën e 21-të të protestës, Rama publikoi fotografinë e Entela Spahivoglit, të cilën e akuzoi se kishte ndërtuar pa leje, ndërkohë që protestonte kundër qeverisë. Tri ditë më vonë, në profilin e kryeministrit u shfaq fotografia e një tjetër protestuesi, Erlis Sina, i cili reagoi publikisht duke kundërshtuar mënyrën se si ishte paraqitur.
Pas më shumë se 140 ditësh protestë, Rama nuk ka ndryshuar as mënyrën e ekspozimit të protestuesve, as pretendimet për “duart e zeza” që fshihen pas tyre. Por, tashmë, kryeministri duket i vendosur të provojë se në shesh nuk ka vetëm studentë, duke anashkaluar atë që pjesëmarrësit e kanë përsëritur prej fillimit: kjo nuk është një protestë vetëm e studentëve, por edhe e qytetarëve të pakënaqur me qeverinë dhe, në fund të fundit, e drejta për të protestuar nuk kërkon diplomë universitare.
Dhuna që nuk hyn në statistika
Në monologun e kryeministrit, nuk mungoi as krahasimi me vendet e BE-së, që kësaj radhe linte vend edhe për meritë.
Dhuna e ditëve të fundit kishte edhe një bilanc që, sipas tij, e dallonte Shqipërinë nga çdo vend tjetër europian: më shumë se dy policë të plagosur për çdo protestues apo kalimtar të lënduar.
Të rinj që ndiqeshin këmbë-këmbës në rrugët e kryeqytetit, të tjerë të shtrirë përtokë, të neutralizuar, që në vend të prangosjes dhe shoqërimit goditeshin me shkopinj gome nga efektivët. Denoncime për dhunë ndaj të miturve, pamje të të rinjve me gjymtyrë të dëmtuara dhe plagë që, sipas raportimeve, ishin shkaktuar nga plumbat e gomës.
Krahas tyre, edhe rastet e pengimit të gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Kjo ishte një panoramë tjetër e përplasjeve në rrugicat e qendrës së Tiranës, që u përjetua, por nuk gjeti vend në raportin numerik të kryeministrit.
Protestat, që prej 12 ditësh kanë përshkallëzuar në akte të dhunshme, kanë lënë pas institucione të dëmtuara, policë të plagosur dhe qytetarë të arrestuar, por edhe një numër të konsiderueshëm denoncimesh për dhunë nga ata që kishin detyrimin të garantonin rendin.
Gjithsej 204 të mitur ishin arrestuar ose proceduar penalisht, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut kishin mbledhur dëshmi për dhunë fizike dhe verbale gjatë ndërhyrjeve policore.
Pak orë pas komunikimit të kryeministrit, zëvendësministrja e Brendshme Silva Caka deklaroi se shtatë efektivë policie ishin pezulluar nga detyra, katër të tjerë po hetoheshin nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa 55 qytetarë kishin paraqitur ankesa për sjelljen e policisë.
Ndërsa ditën e sotme, përtej dhunës fizike, ekspozimi publik i protestuesve ngriti edhe çështjen e dëmtimit të reputacionit të tyre, si një tjetër formë dhune. Joni Sinoimeri kundërshtoi pretendimet e Ramës se nuk ishte student dhe kishte precedentë për narkotikë, ndërsa Sardi Xibri doli përpara kamerave me dëshminë e penalitetit, ku rezultonte i padënuar. Të dy u detyruan të kundërshtonin publikisht informacionet që kryeministri kishte shpërndarë për ta, mbase pa llogaritur kostot mbi dy të rinjtë.
E drejta për të protestuar nuk justifikon dhunën ndaj policisë e as dëmtimin e pronës private, por përgjegjësia për këto akte nuk mund të përcaktohet nga shkopinjtë e gomës dhe përdorimi i precedentëve penalë apo statusi i protestuesve nuk mund të përdoret për legjitimimin e dhunës policore.
Komunikimi i 23 tetorit të numrit një të qeverisë nuk la pas vetëm një listë të protestuesve me precedentë penalë, por edhe ngriti pikëpyetje mbi kufirin e hollë të detyrës së një kryeministri për informimin e publikut dhe përdorimit të pushtetit të tij për të ekspozuar qytetarët që kundërshtojnë qeverinë./ Xhesika Tollia, Shteg.org
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kanë dalë këtë të shtunë në një deklaratë të përbashkët për media lidhur me protestat në kryeqytet.
Rama deklaroi se këmbëngulja për të protestuar pa pranuar dialogun është e pakuptimtë, ndërsa nëvizoi se protestuesit kanë frikë të ulen në dialog se i quajnë tradhtarë.
“Kur u themi që jemi gati të dialogojmë, atëherë këmbëngulja në protestë është e pakuptimtë. Liria për të protestuar është e drejtë, ndërsa dhuna është një krim.
Prandaj jemi këtu për të adresuar ato që i shohim si të rëndësishme. Po marrim masa kundër dhunuesve, kundër anarkisë dhe për ruajtjen e rendit.
Në anën e sigurisë, në anën e garantimit të të drejtave, në bashkëpunim me partnerët tanë, me hapat që hodhëm, do të dalim shumë shpejt me propozime dhe masa konkrete.
Kush thotë që deri më sot kam qenë indiferent ndaj atyre që kanë bërtitur poshtë dritares sime, në fakt, për katër muaj unë kam dëgjuar më shumë se kushdo tjetër, më shumë sesa ata kanë dëgjuar njëri-tjetrin, ku kanë sharë, kërcënuar pa thënë asgjë konkrete dhe duke refuzuar në vazhdimësi që të ulen dhe të bisedojnë.
Kam komunikuar edhe me ta. I kam ftuar, por ata janë karakterizuar nga frika ndaj njëri-tjetrit, se mos cilësoheshin si tradhtarë, që janë një grup antifashistësh të ideologjizuar nga profesori ideologjizues i dhunës dhe që kanë një aftësi dhe kapacitet për të futur të tjerët në terror psikologjik”, tha Rama.
Kryeinspektori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Dashnor Sula, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, protestat dhe kërkesën e kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e mbi 130 drejtuesve të administratës publike. I ftuar në emisionin “Breaking” në Top Neës, përballë gazetares Jetona Koçibelli, Sula u pyet nëse do të pranonte të largohej nga posti në rast se një kërkesë e tillë do t’i drejtohej edhe atij.
Fillimisht, ai shprehu keqardhje për situatën e krijuar në vend, duke u ndalur te incidentet dhe personat e lënduar gjatë protestave. “Si qytetar, si prind dhe si nëpunës i shtetit, shpreh keqardhjen për të gjithë situatën që ndodhet vendi ynë, duke pasur parasysh dhe lëndimet dhe problematikat gjatë protestave. Nuk është normale që të lëndohen protestuesit apo të lëndohen policët që janë në krye të detyrës”, u shpreh Sula.
I pyetur drejtpërdrejt nëse do të jepte dorëheqjen, Kryeinspektori theksoi se ka vetëm shtatë muaj në krye të institucionit dhe se gjatë kësaj periudhe është përballur me problematika të shumta, por ka arritur edhe rezultate konkrete falë mbështetjes së kryeministrit Rama. Sipas tij, institucioni që drejton është në proces përmirësimi, ndërsa po punohet për pajisjen e inspektorëve me kamera inteligjente në trup dhe për realizimin e inspektimeve online në pikat doganore.
“Unë kam 7 muaj në detyrë, i emëruar si Kryeinspektori i Republikës së Shqipërisë, është një detyrë shumë, jashtëzakonisht e vështirë. Kam gjetur problematika mjaft të mëdha dhe bashkë me stafin tim të ngushtë, në sajë të mbështetjes së Kryeministrit, kam pasur dhe rezultate konkrete”, deklaroi ai.
Sula pranoi se problematikat në institucionin që ka rreth 2100 inspektorë janë ende të shumta, por theksoi se integriteti i tij personal dhe profesional mbetet i padiskutueshëm. Ai u shpreh se nuk do të pranonte në asnjë rrethanë të korruptohej për emërime apo masa disiplinore, pavarësisht ndërhyrjeve që, sipas tij, vijnë si nga përfaqësues të së djathtës, ashtu edhe të së majtës.
“Nuk ka shans që një biznesmen apo një person të më korruptojë mua për emërime, masa disiplinore etj. Kam ndërhyrje edhe nga të djathtët e të majtët. Unë kam pasur një mbështetje të fortë nga ana e Kryeministrit”, theksoi Kryeinspektori.
Pavarësisht pyetjeve të përsëritura të gazetares, Sula nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të dorëhiqej në rast se një gjë e tillë do t’i kërkohej nga kreu i qeverisë. Në vend të kësaj, ai vuri në dukje mbështetjen që ka marrë nga Rama, duke theksuar se kryeministri ka mbajtur një qëndrim parimor në raport me problematikat e institucionit që ai drejton.
Kryeministri Edi Rama ka vijuar thirrjet për dialog me protestuesit, duke vendosur këtë të shtunë një tavolinë guri dhe disa ndenjëse përpara godinës së Kryeministrisë.
Tavolina është rrethuar me ndenjëse, ndërsa mbi to janë vendosur fletë me mbishkrimin “Dialog”. Pamjet janë publikuar nga vetë Rama në rrjetet sociale, të shoqëruara me përshëndetjen “Mirëmëngjes”.
Prej dy ditësh janë shtuar kontrollet në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës për shtetasit shqiptarë që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut.
Sipas burimeve policore, në hyrje të pikës kufitare janë angazhuar efektivë të Policisë Kufitare dhe të Policisë së Shtetit, të cilët po ushtrojnë kontrolle të imtësishme në automjete.
Kontrollet, sipas të njëjtave burime, lidhen me dyshimet për transportimin e sendeve të ndaluara, si dhe me mundësinë që grupe të caktuara qytetarësh nga Maqedonia e Veriut të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar.
Burimet shtojnë se policia ka pasur informacione paraprake për lëvizjen e këtyre grupeve drejt kryeqytetit, çka ka sjellë shtimin e masave të kontrollit në këtë pikë kufitare./boldnews.al