Pasditen e djeshme u zhvillua një mbledhje në Njësinë nr.2 në Tiranë, e thirrur nga sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa u prezantuan edhe dy të deleguarit e Njësisë 2.
Në këtë njësi, Partia Socialiste ka vendosur ekipin e ri drejtues politik, që përbëhet nga Gent Gazheli, Olta Manjani, Delina Ibrahimaj dhe Blendi Klosi, të cilët do të punojnë së bashku për të realizuar objektivat e kryeministrit Rama.
Takimi vjen një javë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku u bënë ndryshime të shumta në drejtuesit politikë në qarqe, dhe pas një serie takimesh të kryeministrit dhe ministrave të kabinetit.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar sot datën e protestës së re kombëtare të opozitës, duke thirrur qytetarët nga e gjithë Shqipëria që të bashkohen në Tiranë.
Berisha deklaroi se protesta do të zhvillohet më 17 prill dhe shtoi se qeveria në krye me Edi Ramën ka vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë.
Ai tha se kryeministri Rama dhe “organizata e tij e Ballukëve kriminalë”, nuk do ketë kurrë paqe dhe stabilitet.
“Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë. Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës. Mos mendo se nuk do gjesh paqe kurrë, nuk do ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde të Ballukëve kriminelë dhe kartelet e drogës në Shqipëri. Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj,” u shpreh Berisha.
Nga nesër akrepat do të shkojnë 1 orë përpara. Mbrëmjen mes të shtunës 28 dhe të dielës 29 mars 2026, do bëhet kalimi nga ora dimërore në atë verore.
Ky ndryshim i orës ndodh në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës së fundit të muajit mars, kur akrepat zhvendosen dhe ora shënon 04:00. Ndryshimi i orës verore, do t’u japë mundësi të gjithë njerëzve të shijojnë më shumë ditën dhe rrezet e diellit.
Megjithatë për ndryshimin e orës verore, çdo vit ka pasur debate të vazhdueshme. Disa shtete mbështesin idenë për heqjen një herë e mirë të praktikës së ndryshimit të orës dhe mbajtjen e një orari të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Ka vende si Kina, Kanadaja, Rusia, Argjentina, India, Afrika dhe disa vende të tjera të cilat e kanë hequr këtë praktikë prej kohësh.
Por, në Europë dhe në Amerikën e Veriut ora verore vazhdon që të aplikohet. Gjithashtu ka pasur disa vende si Azia të cilat nuk e kanë aplikuar kurrë ndryshimin e orës
Ndryshimi i orës në Evropë u vendos si ligj evropian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma evropiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ato shkojnë një orë pas.
Një konflikt i dhunshëm është regjistruar mëngjesin e sotëm në Korçë, ku katër persona janë përfshirë në një sherr në ambientet e një servisi makinash.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka degraduar në përdorimin e mjeteve prerëse, duke lënë të plagosur tre prej personave të përfshirë. Njëri prej tyre është qëlluar me gërshërë dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
I plagosuri është identifikuar si Renaldo Xhixho, ndërsa burime zyrtare bëjnë me dije se të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shoqëruar një person në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Pas 1 dite rënie, shtrenjtohet sërish çmimi i naftës.
Në mbledhjen që u mbaj mëngjesin e sotëm Bordi i Transparencës të Hidrokarbureve ka vendosur rritjen e çmimit të naftës me 15 lekë dhe të benzinës me 6 lekë për tregun e pakicës.
Nga 203 lekë çmimi i naftës u rrit në 218 lekë për litër. Benzina nga 175 lekë arriti në 181 lekë për litër.
Në mbledhjen e parë, të zhvilluar këtë të enjte, Bordi i Transparencës vendosi që çmimi tavan i naftës të jetë 203 lekë për litër në të gjitha pikat e shitjes me pakicë, ndërsa benzina do të tregohet jo më shumë se 175 lekë për litër.
Vendimi hyri në fuqi prej orës 18.30 dhe duhet të zbatohet nga të gjitha bizneset e tregtimit të hidrokarbureve, deri në mbledhjen e radhës të Bordit të Transparencës.
Prej disa ditësh, në të gjitha pikat me pakicë të karburanteve, në Tiranë dhe qytetet e tjera, nafta tregtohej me 214 lekë për litër, ndërsa pati edhe raste kur u shit me 217 lekë/litri.
Çmimi i hidrokarbureve në vend u rrit si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, që solli mbylljen e ngushticës së Hormuzit nga iranianët, duke shkaktuar krizë në tregjet globale.
Lufta e SHBA-Izraelit me Iranin solli rritjen e çmimit të naftës së papërpunuar, e njohur si Brent, duke ndikuar në mbarë botën, përfshirë vendin tonë.
Në emisionin “Now” të Euronews Albania u zhvillua një debat i fortë mes analistit Dritan Hila dhe Albatros Rexhaj, lidhur me fenomenin e korrupsionit dhe kulturën politike në rajon.
Diskutimi nisi kur Hila solli një qasje historike mbi konceptin e “Lindjes së Afërt” dhe kulturën e ryshfetit, duke e lidhur me realitetin shqiptar dhe rajonin ballkanik. Ai argumentoi se korrupsioni është pjesë e një kulture lindore që ka rrënjë të hershme, duke e krahasuar me vendet e Mesdheut Lindor dhe Ballkanit.
Rexhaj kundërshtoi duke thënë se kroatët dhe sllovenët kanë kulturë të ngjashme me shqiptarët, duke e parë fenomenin si më të përhapur në rajon. Në këtë pikë, debati u tensionua. Hila e akuzoi Rexhajn për injorancë në histori, ndërsa Rexhaj iu kundërpërgjigj duke thënë se ka jetuar në ish-Jugosllavi dhe e njeh mirë realitetin e atyre vendeve.
Hila: Kur je injorant në këtë punë, mos u fut fare. Ti nuk e njeh fare historinë, nuk e di për çfarë po flet.
Rexhaj: Nëse unë jam injorant, atëherë ti je më shumë se injorant. Unë kam jetuar në Jugosllavi, ti nuk i njeh fare ata.
Pas këtij shkëmbimi të ashpër, Dritan Hila u irritua dhe u largua nga emisioni, duke e lënë panelin në mes të debatit.
Ditën e djeshme, Belinda Balluku duke sfiduar drejtësinë u shfaq nga Fieri, si drejtuese politike e këtij qarku, duke ndezur motorët për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Për këto takime të Ballukut në Fier ka reaguar edhe kreu i PD-së, Sali Berisha.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Fierit që ta gjuajnë me vezë dhe domate sa herë ta shikojnë.
“U bëj thirrje qytetarëve të Fierit në çdo hap që ta shohin ta gjuajnë me vezë dhe domate hajduten. Gjuajeni me vezë dhe domate se kjo është përgjigje që i bëni jo vetëm për dinjitetin tuaj, por për të gjithë shqiptarët”, deklaroi Berisha.
Po ashtu Berisha tha gjatë konferencës me gazetaret se Balluku po kërkon të blejë shtetësi në vende të tjera, përfshi Serbinë, ndërsa bëri thirrje që asnjë vend të mos pranojë kërkesën e saj.
“Ajo çka mund të informoj unë, të dhëna nga qytetarë digjitalë më pohojnë se Balluku, Lubia është në kërkim të blerjes së shtetësisë dhe pasaportave jo në një, por në disa vende. Përpjekjet e fundit të saj kanë qenë për të blerë pasaportë me investim në Serbi. Thuhet se ato përpjekje nuk janë kurorëzuar me sukses pas disa përpjekjeve që ajo bëri në vendet e Gjirit Persik. Pra, Lubi Balluku po përgatitet të blejë shtetësi për të shpëtuar në mënyrë përfundimtare përgjegjësisë para ligjit, pasi ajo ka vjedhur në Shqipëri dhe shpërdoruar miliarda e miliarda euro. Gjatë periudhës së saj, ajo ka administruar 12 miliardë euro. Më shumë se kushdo tjetër në historinë tonë kombëtare”, u shpreh Kreu i PD.
Ish-deputetja e PD-së, Flutura Açka, ka reaguar ashpër ndaj lidershipit të PD-së, të cilëve u ka kujtuar luftën e brendshme në parti dhe përjashtimin e një pjese të madhe të demokratëve, për shkak se mbështesnin Lulzim Bashën.
Postimi i plotë:
Të paktën po vini, prapë vjedhurazi, te fjalët tona!
Nuk do t’ju mjaftojë kjo jetë, as ajo tjetra për ndjesën ndaj nesh:
– Që na penguat
– Që na luftuat
– Që na përjashtuat!
Nuk keni as dukë, as oratori, as besnikëri, as moral, as fuqi mentale, as ide politike. Hilera po.
Ju i dhatë Edi Ramës 83 mandate më 27 korrik 2024, që t’jua kujtoj, është ajo dita që votuat të përjashtoni një shkrimtare!
Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me një kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Sipas raportimeve, shkak për këtë kërkesë është shtatzënia e saj, si dhe disa komplikacione shëndetësore që thuhet se ka shfaqur së fundmi.
Kërkesa është depozituar në gjykatë dhe pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, e cila është gjyqtare themeli edhe në procesin ndaj Erion Veliaj.
Xoxa është në hetim nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim të parave e fshehje të pasurisë dhe po hetohet nën masën detyrim paraqitje, ndërsa kërkesa e saj për ndryshim të kësaj mase është në pritje të shqyrtimit nga gjykata./boldnews.al