38-vjeçarja Olesia Duka, stomatologe e njohur në Tiranë ka dalë këtë të mërkurë para gjykatës me akuzën e mashtrimit. Por, ajo i mohoi akuzat, madje pretendon se biznesmeni Idlir Hoxha dhe i vëllai i tij e kanë gjobitur. “Më lini kohë që të paraqes provat e mia, pasi e gjithë kjo më ka shkatërruar karrierën dhe imazhin. Çdo detyrim e kam bërë me bankë, e jo me çantë. Idlir Hoxha dhe i vëllai më kanë vënë gjobë. Më kanë bërë presion në qershor 2017, pasi bëra një festë për fëmijët të Porti në bashkëpunim me Vangjush Dakon. Të zbardhet e gjithë historia dhe pse unë i mora”, deklaroi ajo. Duka është arrestuar nga policia me vendim gjykate pas dyshimeve se, përmes mashtrimit, stomatologja i ka marrë një biznesmeni shumën prej 900 mijë eurosh. Prokuroria ka nxjerrë një njoftim zyrtar për këtë rast, ku pretendon se stomatologia Olesia Duka i ka përvetësuar shumën prej 900 mijë eurosh biznesmenit përmes gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit. Sipas prokurorisë, kallëzuesi, i cili është pronar i një zyre këmbimi valutor dhe agjencie udhëtimi është njohur me stomatologen në nëntor të vitit 2016. Prokuroria thotë se 38-vjeçarja i ka kërkuar fillimisht një shumë të vogël për të blerë pajisje denature, duke u treguar korrekte në fillim në kthimin në kohë të shumave të marra. Por, siç thotë prokuroria, stomalogia ka kërkuar më shumë para’, duke shtyrë muaj pas muaji afatin e kthimit. Në fund, sipas prokurorisë, me këtë skemë, biznesmenit i është shkaktuar në total një dëm prej 900 mijë eurosh. Prokuroria ka dyshime se në të njëjtën mënyrë janë mashtruar edhe disa persona të tjerë.
Kokaina e sekuestruar me vlerë 180 milionë euro. Emrat e të arrestuarve
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka dhënë detaje lidhur me kapjen e sasisë së konsiderueshme të kokainës. Veliu tha se droga ishte nisur nga Kolumbia, tranzit në Itali dhe Maltë për të mbërritur në portin e Durrësit. Dy persona janë arrestuar, teksa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë që kishte kontenierin me banane ku ishte fshehur droga. “Mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizën e riskut, pas një pune të mirë, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Know”. Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja e një sasie rekord prej 613 kg lëndë narkotike kokainë, me vlerë tregu mbi 180 mln euro” tha drejtori i përgjithshëm i policisë. Veliu tha se kokaina ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit të ngarkuar me banane. “Në momentin që nga ngarkesa e ligjshme me banane u mor në dorëzim nga “Arbi Garden”, me pronar A. Ç. Sasia e drogës ishte në 528 pako me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët. Kontenieri u mbajt në vëzhgim derisa mbërriti në magazinën e firmës nga strukturat e policisë”, tha Veliu. Në pranga kanë rënë dy 25 vjeçarë, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, ndërsa pronari i kompanisë, A. Ç është shpallur në kërkim. Sasia e drogës zbulon një rrjet trafiku narkotikësh që nis nga Kolumbia përmes organizatave të krimit të organizuar shqiptar përfundon në tregun europian. Drejtoria vendore e policisë së Durrësit nuk ka informacion për ngjarjen, teksa mendohet se operacioni është organizuar nga Krimet e Rënda, nga informacione të siguruara më parë.
PENTAGONI JEP ALARMIN: RUSIA MUND TË PËRDORË ARMË BËRTHAMORE
Pengatoni ka dhënë alarmin se Rusia mund të përdorë armë bërthamore. Për të evituar fillimin e një lufte nukleare, Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar strategji. Rusia po përgatitet për përdorimin e limituar të armëve bërthamore në rast të një konflikti, dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar strategjinë e tyre nukleare pikërisht për të parandaluar këtë rrezik. Alarmi është dhënë nga zëvendësnënsekretari për mbrojtjen, David Trachtenberg, i cili është ngarkuar në menaxhimin e zgjedhjeve të politikave të Pentagonit. “Ne jemi shumë të shqetësuar për atë që kemi parë si evolucioni i politikës ushtarake ruse, sa i përket përdorimit të mundshëm të armëve kimike”, u shpreh zyrtari i administratës së presidentit amerikan Donald Trump. Më tej ai ka dhënë detaje lidhur me alarmin. Doktrina bërthamore e Moskës duket se konsideron në mënyrë active mundësinë e një përdorimi të limituar të këtyre armëve. Në raste të tilla, ushtrimet e fundit ushtarake ruse kanë përfshirë një nivel aktiviteti të forcave bërthamore, ashtu siç nuk ishte parë që prej epokës së Luftës së Ftohtë. Disa operacione kanë përfshirë edhe përdorimin e armëve bërthamore, në sajë të strategjisë për të ndaluar një përplasje të mundshme. Zbulimet e drejtuesit të Pentagonit është shumë i detajuar: rusët e konsiderojnë realiste mundësinë e përdorimit të arsenalit të tyre nuclear, dhe janë përgatitur ta bëjnë këtë, duke simuluar një situatë lufte. Kjo ka shtyrë Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë strategjinë e tyre, përmes rishikimit të “Nuclear Posture Revieë”, të sapopublikuar nga Pentagoni. Dokumenti rivlerëson rolin e armëve bërthamore, duke nënvizuar në veçanti zhvillimin e kokave të vogla nukleare për përdorim më të shpejtë. Megjithatë në fillim kjo strategji shkaktoi shumë polemika, të cila Trachtenberg u përpoq t’i shuante. “Qëllimi I rekomandimeve tona është për të ndaluar një luftë jo për të luftuar në të”, u shpreh ai. Gjithashtu shton se zhvillimi i kokave të vogla nukleare bëhet për të qëndruar në të njëjtin nivel me Rusinë dhe Kinën por edhe me Korenë e Veriut që kanë përparuar në arsenalin bërthamor.
Zbardhen të tjera detaje nga sekuestrimi i gjysëm ton kokaine në Durrës
Të tjera detaje janë zbuluar nga operacioni i mbrëmshëm në portin e Durrësit, ku u sekuestrua një sasi prej 613 kg lëndë narkotike, e llojit kokainë. Mësohet se lënda narkotike u gjet e fshehur në një kamion që ishte nisur drejt vendit fqinj, Italisë. Dyshohet se lënda narkotike kishte ardhur nga Kolumbia, ndërsa ishte futur në territorin shqiptar rreth tre ditë më parë. Polica shqiptare ishte vënë në dijeni nga agjencitë partnerë jashtë vendit, nga Spanja, Gjermania dhe Holanda, që një sasi e madhe droge do të hynte në Shqipëri. Lidhur me këtë rast ishte vënë në dijeni edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërkohë mbrëmë në darkë është bërë e mundur kontrolli i kamionit, ku transportohej kokaina, ndërsa gjatë natës u peshua sasia e drogës, procedurë që u mbikëqyr edhe nga një prokuror i Krimeve të Rënda. Ndërkohë policia ka shoqëruar disa persona, të cilët po merren në pyetje nga policia lidhur me ngarkesën në fjalë.
Sllovaki, 1 milion euro për informacione mbi vrasjen e gazetarit
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico ofroi një shpërblim prej 1 milion eurosh për këdo që ka informacione për vrasjen e një gazetari investigativ në vend. Gazetari 27-vjeçar Jan Kuciak dhe partnerja e tij Kusnirova u ekzekutuan në shtëpinë e tyre të dielën me një nga plumb në kokë. Mediat raportojnë se Kuciak do të publikonte një hetim që lidhte mafian italiane me korrupsionin në nivele të larta politike. Gjatë konferencës për shtyp, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm dhe shefi i policisë, kryeministri Fico, duke qëndruar pranë grumbullit me kartëmonedha, tha se qeveria do të bëjë gjithçka që mundet për të nxjerrë fajtorët para drejtësisë. Media vendase raportojnë se në shënjestër të gazetarit Kuciak ishin edhe zyrtarë të kabinetit të kryeministrit, por ky i fundit tha se nuk duhet fajësuar askush pa prova, sidomos pasi opozita fajësoi drejtpërdrejtë partinë qeverisëse SMER për vrasjet. Ndërkohë, shefi i policisë sllovake Tibor Gaspar tha se ka shumë mundësi që vrasja të ketë lidhje me hetimet që gazetari po kryente. Sipas mediave, Kuciak po hetonte devijimin e fondeve të BE-së në pagesa të rremë për një skemë taksash mes Sllovakisë dhe shtetasve italianë që kanë lidhje me Ndrangheta. Vrasja e tij shkaktoi një reagim të ashpër publik dhe nisjen e organizimeve për protestë antikorrupsion. Analistët thonë se vrasja e Kuciak është një këmbanë alarmi edhe për vetë BE-në, pasi vetëm pak muaj më parë, në një tjetër vend të unionit pikërisht në Maltë, u vra gazetarja Daphne Caruana Galizia, e cila gjithashtu hetonte korrupsionin në nivele të larta politike dhe qeveritare.
Roger Federer shpallet sportisti i vitit 2017
Në një ceremoni të zhvilluar në Monaco janë bërë ndarja e çmimeve Laureus, që i akordohen sportistëve më të mirë të sezonit. Roger Federer është shpallur ‘Sportisti i vitit’ falë rikthimit të tij në krye të tenisit botëror. Zvicerani fitoi edhe në “Wimbledon” edhe në “Australian Open” në vitin 2017 që ishin titujt e tij të parë të mëdhenj që nga lëndimi serioz i gjurit dhe ndërhyrja kirurgjike që e mbajti jashtë sportit për gjashtë muaj. Ai fitoi në Australi sërish këtë vit duke u bërë tenisti i parë që fiton 20 tituj Grand Slam dhe ka rimarrë kreun e renditjes në moshën 36 vjeçare. Gjithashtu Federer fitoi edhe çmimin ‘Rikthimi i vitit’ duke arritur kështu një total prej gjashtë çmimesh Laureus. Serena Williams u shpall ‘Sportistja e vitit 2017’, Sergio Garcia fitoi çmimin ‘Depërtimi i vitit’ pas suksesit në US Masters. Skuderia Mercedes-AMG Petronas mposhtën konkurrencën e Real Madridit dhe Golden State Warriors, për të fituar çmimin ‘Ekipi i vitit’, falë dominimit të tyre në Formula 1. Një çmim i veçantë iu nda edhe ish-futbollistit të kombëtares italiane, Francesco Totti, për të nderuar karrierën e tij 22-vjeçare te Roma. Ekipi brazilian i futbollit Chapecoense u nderua me çmimin më të mirë Laureus “Momenti i Vitit”. Rrjeti i Komuniteteve Aktive, një sport ndërkombëtar për organizimin e zhvillimit që punon në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Afrikë të Jugut, mori Sportin Laureus për një çmim të mirë për punën e tyre të ndryshimit të jetës në përdorimin e sportit për të ndihmuar të rinjtë të bëjnë zgjedhje pozitive të jetesës duke mësuar aftësitë jetësore dhe duke përparuar në programet e arsimit, trajnimit dhe punësimit.
Komenti i Xhafës për sekuestrimin e sasisë rekord të kokainës në Durrës
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj komenton superaksionin ku u sekuestrua sasia rekord e kokainës e kapur ndonjëherë në Shqipëri: 613 kg kokainë. Duke paralajmëruar konferencën e drejtorit të policisë së Shtetit, në një postim në twitter, Xhafaj thotë se hetimi vazhdon. “Një superaksion i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja.Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës!Hetimi vazhdon!Forca e Ligjit, forca e shtetit po vepron. Pas pak detajet nga policia e shtetit në një konferencë për shtyp.”
Bushati përgenjështron Metën
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se Presidenti Meta ka qenë në dijeni të negociatave me Greqinë që kur ai ishte në krye të Kuvendit. Bushati: Pas takimit të kryeministrit Rama dhe Tsipras në samitin e NATO-s u ra dakord që krahas mekanizmit diplomatik dy ministrat e jashtëm sëbashku me ekipe nga institucione të ndryshme të shteteve në fjalë të uleshin dhe të diskutonin në një mënyrë edhe më intenisve sic ishin takimet e Kretës dhe Korcës. Frytet e këtyre diskutimeve ne kemi mundësi sot për sot ti prekim, ne kemi mundësi sot për sot ti demonstrojmë dhe kemi mundësi që krahas kësaj pakete dhe lajme pozitive do të ketë edhe në ditët në vijim, të kishim mundësi që të fillonim nga puna për një marrëveshje të re për delimitimin e zonave detare. Sikundër Presidenti i republikës ka qenë kryetari i Kuvendit dhe është zgjedhur me votat e mazhotrancës së kaluar dhe ka qenë në dijeni të këtyre zhvillimeve që janë bërë me palën greke dhe shpresoj që në të njëjtën kohë kanë qenë edhe pjesë e vizionit të qeverisë, të reflektuar në programin 2013-2017 dhe në vijm të programit që kjo qeveri ka prezantuar për politikën e jashtme.
Modelja braziliane ngreh temperaturat
Ajo quhet Lilian Leite dhe është mjaft e njohur në Brazil e Portugali, për faktin se ka pushtuar disa herë kopertinat e revistës Play Boy, në këto shtete. Por, duket se synimi i 33-vjeçares është që të rritë famën e saj në Itali, ku së fundi po angazhohet në disa media rozë. Lilian ka treguar se është një fanse e madhe e futbollit dhe ashtu si futbollistët brazilianë, shikon pikërisht Italinë si trampolinë për të rritur më shumë famën e saj. Pjesë e turit të saj në Itali, është edhe prezenca në disa studio sportive, ndërsa mund të ndjekë edhe disa ndeshje të Serisë A.
Qarku i Korçës temperaturat deri në -10 gradë
Pas reshjeve të dëborës qarkun e Korçës e kanë mbërthyer ngricat. Temperaturat në këtë zonë kanë arritur deri në -10 gradë, duke bërë që të gjitha akset të jenë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Fshati turistik i Dardhës vijon të mbetet problematik, po ashtu vështirësi ka edhe në Voskopojë dhe në Qafën e Qarrit, ku ka prezencë akulli në rrugë. Problematike është edhe aksi rrugor Korçë- Kapshticë dhe Korçë- Pogradec. Reshjet gjate natës kanë sjellë akull dhe ngrica ne gjithe qarkun si pasoje e temperaturave nën zero grade.





