Qetësia ka rënë mbi enklavën rebele siriane të Ghoutas, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të përkohshëm që synon t’i lejojë civilëve largimin nga rajoni i shënjestruar prej një ofensive të egër të ushtrisë siriane me mbështetjen e Moskës. Urdhrin e pauzës humanitare e dha Vladimir Putin, duke krijuar kështu mundësinë e një të ashtëquajture “dritare 5-orëshe”, çka i jep kështu një frymëmarrje banorëve të traumatizuar të zonës ku vetëm përgjatë javës së kaluar janë vrarë mbi 500 vetë. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu e kishte shpjeguar se duke nisur nga e marta, pushimi i zjarrit i forcave ruse do të fillonte nga ora 9 paradite, deri në 14:00. Urdhri i shefit të Kremlinit erdhi dy ditë pas fillimit të një armëpushimi të paqëndrueshëm 30-ditor në mbarë Sirinë, i kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Në Ghouta, luftimet nuk kanë ndalur prej ditësh dhe vetëm të hënën, nga bombardimet gjetën vdekjen të paktën 10 vetë. Brenda enklavës, rreth 400 000 persona janë nën rrethim, ndërsa ofensiva tashmë ka hyrë në javën e dytë. Gjatë gjithë konfliktit sirian, që filloi në vitin 2011, ka pasur disa propozime në Këshillin e Sigurimit për të mbajtur përgjegjës shkelësit e të drejtave të njeriut në Siri, por këto rezoluta janë bllokuar nga Rusia dhe Kina përmes forcës së vetos.
Skandali në Fier, u deklarua vdekje natyrale, policia: E vrau burri
Zbardhet vrasja e një shtetaseje nga bashkëshorti i saj në Janar të vitit 2017. Policia ndalon autorin e dyshuar të ngjarjes. Procedohet penalisht edhe mjeku i Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë rifilluar hetimet për një ngjarje të ndodhur në Janar të 2017 ku ka humbur jetën shtetasja V.V, vdekja e së cilës është trajtuar si vdekje natyrale. Pas një pune hetimore disa mujore nga Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, është arritur të sigurohen prova dhe të meret masa e ndalimit ndaj autorit të dyshuar të vdekjes së shtetases V.V, bashkëshortit të saj, shtetasit: -Namik Velaj, 75 vjeç, banues në Patos. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 23.02.2018, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në Burg” për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” parashikuar nga Neni 79/c i Kodit Penal. Gjithashtu është marrë masa e heqjes së të drejtës së ushtrimit të profesionit për mjekun e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, shtetasin I.T si edhe ka filluar procedimi penal për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” në Policinë Gjyqësore. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Qeveria në 2018 më shumë fonde për pajisje zyre se sa për ndihmën ekonomike
Qeveria Rama duket se është e lidhur fort me pjesën e imazhit. Këtë gjë e tregon edhe shpenzimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2018, ku kjo qeveri ka parashikuar që të shpenzojë rreth 4.8 miliardë lekë për ndihmën ekonomike, ndërsa për rikonstruksionin e godinave të ministrive, blerje makinash dhe pajisje për zyra, parashikohen mbi 1 miliardë lekë. Kështu buxheti i miratuar në Kuvend me diskutime, që kap shifrën prej 497 miliardë lekësh, parashikon sërish shpenzime shumë të larta për për rikonstruksionin e godinave të ministrive dhe pajisje për zyra. Në buxhetin për vitin 2018 kryeministria ka fondin më të lartë prej 224 milionë lekësh, i cili parashikohet për blerje të pajisjeve elektronike dhe rikonstruksion të godinës. Më pas renditet ministria e Ekonomisë dhe financave për të cilën parashikohet një fond prej 218 milion lekësh vetëm për blerje të pajisjeve elektronike dhe sistemeve elektronike. Ndërkohë për Ministrinë e Drejtësisë është parashikuar që të shpenzohen 125.5 milion lekë ku pjesa më e madhe parashikohet për rikonstruksion të godinës dhe krijimin e një sistemi elektronik për arkivin gjyqësor. Gjatë vitit të ardhshëm qeveria ka parashikuar në projektbuxhet edhe një fond për rikonstruksionin e ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme. Nga ana tjetër, në buxhetin e vitit 2018 parashikohet që shpenzimet për argëtim, kulturën dhe çështjen fetare pritet të shkojë dikur tek 3.4 miliardë lekë. Këto shpenzime janë rritur me 10 % krahasuar me 2014 dhe 35 % krahasuar me 2012. Këto shpenzime për vitin 2018 janë një ripërsëritje e shpenzimeve të viti 2016, ku qeveria sërish shpenzoi rreth 1 milion dollarë në rikonstruksionin e fasadave të institucioneve, ambienteve të brendshme apo mobilimin e zyrave. Ndërkohë, shpenzimet për shëndetësinë kanë pësuar rënie me 3.6 % në raport me vitin e shkuar dhe ato për arsimin po ashtu pësuan rënie me 1 %. Sikur të mos mjaftojnë këto, qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë taksën e banesës, tarifën ujit të pijshëm në Tiranë dhe gazin. Kështu, qeveria ka menduar që në total të shpenzojë më shumë në fasada, rimobilime zyrash dhe argëtim, se sa në ndihmë ekonomike, skemë nga e cila janë përjashtuar rreth 19700 persona. Rama është mundur t’ia vërë fajin njerëzve që nuk duan të punojnë apo edhe sistemit për skualifikimin e personave nga ndihma ekonomike, sistem ku që bazohet në pikësim, por që kurrë nuk është bërë publik konkretiksht ky sistem pikësimi. Po ashtu ai ka pranuar se ky sistem ka gabime marzhi, që mund të ketë rezultuar në përjashtime të padrejta. “Ka një pjesë minimale, që është marzhi i gabimit të sistemit, që ne po e verifikojmë dhe të gjithë ata që pas verifikimit do të rezultojnë të përjashuar jo për shkak të abuzimit, por të sistemit, do të riintegrohen”, – u shpreh Rama. Kështu qeveria Rama mund të jetë dorështrënguar në rritje pagash, pensionesh, shpërblime, apo për familjet në nevojë, por kurrë nuk tregohet dorështrënguar në shpenzime për rikonstruksionin e fasadave të institucioneve, mobilim e zyrash apo argëtim. Kjo pasi shkëlqimi i fasadave mund ta largojë vëmendjen për disa çaste nga gjendja reale ekonomisë, mirëqenia e qytetareve, taksat dhe shpenzime i parave publike në luks qeveritar.
Alarm për bombë në Londër evakuohet “The Royal Opera House”
Godina e “The Royal Opera House”, (Shpëtia e Operas Mbretërore) në Londër është evakuar pas një alarmi për bombë. Policia ka rrethuar zonën pasi dikush raportoi për një pako të dyshimtë. Videot e postuara në rrjete sociale tregojnë se rrugët janë bosh ndërsa policia ka vendosur kordona të ruajtjes së sigurisë. Në skenë ka dhe qenë antieksploziv
KONFLIKTI NË SIRI: GRATË SHFRYTËZOHEN SEKSUALISHT NË KËMBIM TË NDIHMËS
Punonjëset e ndihmës thanë se burrat shkëmbenin ushqimet me favoret seksuale. Perveç paralajmërimeve rreth 3 vjet më parë, një raport i ri tregon se kjo gjë po vazhdon të ndodhë në jug të vendit. Agjensitë e UN dhe organizatave të bamirësisë thanë se do të ketë zero tolerancë ndaj shfrytëzimit dhe se nuk kanë qenë në dijeni të abuzimeve nga kolegët e tyre në rajon. Punonjësja e ndihmës tha për BBC se shfrytëzimi është aq i përhapur sa disa nga gratë siriane refuzojnë të shkojnë nëpër qendrat e shpërndarjes, pasi njerëzit mund të aludonin se ato kanë ofruar trupin e tyre në këmbim të ndihmës që kanë sjellë në shtëpi. Një punonjëse deklaroi se disa agjensi humanitare mbyllnin njërin sy ndaj shfrytëzimit, pasi duke përdorur palët e treta dhe zyrtarët lokalë ishte e vetmja mënyrë për të marrë ndihmat në pjesët e rrezikshme të Sirisë, ku stafi ndërkombëtar nuk hynte dot. Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) hartoi një vlerësim të gjinisë bazuar në dhunën e rajonit vitin e shkuar dhe konkludoi që asistenca humanitare po shkëmbehej me favore seksuale në njësi të ndryshme administrative në Siri. Raporti i titulluar “Zëra nga Siria 2018” thotë: “Shembujt janë nga gra apo vajza që martoheshin për periudha të shkurtra me zyrtarët për “shërbime seksuale në këmbim të vakteve” ; shpërndarës që kërkonin numrat e grave dhe vajzave, duke i shoqëruar me makinë për në shtëpi për të “marrë diçka në këmbim”; apo shkëmbim shërbimesh për të kaluar një natë me ta”. Raporti shton: “Gratë dhe vajzat që nuk kishin një mbrojtje mashkullore, si: vejushat dhe gratë e divorcuara si dhe gratë e zhvendosura nga qytete të ndryshme të Sirisë, ishin veçanërisht të ekspozuara ndaj shfrytëzimeve seksuale. Ky lloj shfrytëzimi është raportuar qe 3 vite përpara.
Kinë, gjendje alarmante si pasojë e ndotjes së ajrit
Për shkak të ndotjes së madhe të ajrit në Kinë, në Pekin është dhënë alarm i verdhë ndërsa në rajonet jugore dhe lindore të shtetit alarm portokalli, transmeton Anadolu Agency. Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës njoftoi se përveç Pekinit, edhe në rajonet jugore dhe lindore të vendit është dhënë alarm për shkak të ajrit të ndotur. Njoftohet se ndotja e ajrit do të ndikojë në kryeqytet dhe në provincat Anhui, Hubei, Xhiangsu, Xhiangxi dhe Guizhou dhe se shikueshmëria do të zvogëlohet nën 200 metra. Për shkak të zhvillimit dhe industrializimit të shpejtë, shumica e metropoleve në Kinë janë në mesin e qyteteve më të ndotura në botë. Kina sidomos nga viti 2014 e deri më tani po përpiqet që të luftojë kundër ndotjes së ajrit dhe të ambientit. Në Kinë, e cila ka 1.34 miliardë banorë ka popullsinë më të madhe në botë çdo vit rreth 1.6 milionë njerëz humbin jetën nga sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive, të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Sistemi i alarmit në Kinë i cili tregon nivelin e ndotjes së ajrit përbëhet nga 4 faza, e kaltër, e verdhë, portokalli dhe e kuqe.
PSG ZYRTARIZON NEYMAR MUND TË MUNGOJË NDAJ REALIT
PSG ka njoftuar me anë të një komunikate zyrtare mbrëmjen e së hënës se Neymar ka ndrydhur kaviljen e këmbës së djathtë në ndeshjen e së dielës kundër Marseille. Nuk dihet ende se sa do të mungojë sulmuesi brazilian, por, sipas mediave sportive spanjolle, duket se do të jetë e vështirë që të luajë kundër Realit të Madridit, në kthimin e 1/8-ve të Champions League, ndeshje që do të luhet javën e ardhshme. Duke nisur nga eksperiencat e mëparshme të futbollistëve të tjerë, vështirë që Neymar të rekuperohet në kohë për këtë supersfidë. E sigurtë është që braziliani do të mungojë sërish ndaj Marseille në mesjavë, në Kupën e Francës, ashtu si edhe në fundjavë, ndaj Troyes.
PD kërkon shkarkimin e Arta Markut, mazhoranca rrëzon kërkesën
Këshilli i Legjislacionit nuk e kaloi propozimin e Partisë Demokratike për ndryshime kushtetuese për çështjen e prokurorit. Propozimi u rrëzua me 6 vota pro dhe 8 kundër. Tashmë çështja do t’i kalojë seancës plenare, ku do të paraqiten raportet e relatorëve, përfshi dhe mendimin e pakicës. Amendimet e Partisë Demokratike mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, propozojnë shkarkimin e menjëhershëm të Arta Markut, që opozita thotë se është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese dhe pa kaluar procesin e vettingut. “Duhet t’i ndërpresim mandatin kryeprokurores. Askush nuk e di nëse kryeprokurorja aktuale e kalon vettingun”, deklaroi Bylykbashi. Zgjidhja, sipas deputetit demokrat është ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më pas zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm, pasi të ketë kaluar vettingun. “Ky është një test për mazhorancën nëse e do drejtësinë të pavarur apo jo”, vijoi Oerd Btlykbashi. Ulsi Manja nga socialistët foli për një vakancë të Kushtetutës sa i takon dispozitave tranzitore në rastin e zgjedhjes së kryeprokurorit. “Shqipëria sot ka Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas Kushtetutës, që ushtron detyrën deri në zgjedhjen e prokurorit të ri konform Kushtetutës. Nuk jemi në konflikt me Kushtetutën. Kuvendi është në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit. Dispozita tranzitore e Kushtetutës nuk e ka zgjidhur rastin e vakancës së krijuar në mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, siç e ka zgjidhur për organet e tjera kushtetuese. Këtë e ka bërë ligji numër 97, 2016 për prokurorinë”, u shpreh ai.
NAPOLI LIKUJDON CAGLIARIN DHE KONFIRMOHET NË KRYE
Napoli hedh pas krahëve eliminimin nga Europa League me një fitore 5 me 0 në transfertën e Cagliari-t. Të besuarit e Maurisio Sarri-t dominuan gjatë gjithë takimit, duke mos vënë për asnjë çast në dyshim 3 pikëshin. Zhbllokimi i takimit, erdhi nga këmbët e Jose Callejon. Pasi mori një top nga mesfushori Allan, spanjolli lëshoi një të djathtë të hidhur, me topin që u ndal vetëm nga rrjeta. Dyfishimi erdhi nga Dries Mertens, me belgun që realizoi 3 minuta përpara se skuadrat t’i drejtoheshin dhomave të zhveshjeve. Edhe fraksioni i dytë kishte të njëjtën panoramë, me Napolin që nuk e hoqi këmbën nga gazi, duke shënuar dhe tre herë të tjera. Fillimisht ishte kapiteni Marek Hamshik që realizoi në minutën e 61, ndërsa Lorenso Insigne nga 11 metra plotësoi “pokerin”. Llogaritë i mbylli portugezi Mario Rui që ekzekutoi bukur një goditje dënimi. Përfundimisht 5-0 dhe Napoli thellon kryesimin në +4 pikë nga Juventusi që ka një takim të prapambetur, pikërisht atë ndaj Atalantës.
Tupac shfaqet i gjallë
Tupac Shakur është ‘parë’ në Somali, 20 vjet pas ‘vdekjes’ së tij. Vrasja e Tupac është një prej vrasjeve që ka bërë më së shumti bujë në botë pasi asnjëherë nuk është zbuluar se si ka ndodhur vrasja. Tani, një teori tjetër e konspiracionit thotë se Tupac mund të jetë i fshehur në Afrikën Lindore. Një person ka shkruar në rrjetet sociale se e ka parë Tupac bashkë me themeluesin e grupit Hip-Hop, Yaki Kadafi në Somali. Tupac thuhet se është vrarë në natën e 7 shtatorit të vitit 1996, me plumb në gjoks.

