Dy persona janë arrestuar dhe shtatë të tjerë janë proceduar në kaudër të operacionit “Chat Line 4” në Tiranë. Në flagrancë janë arrestuar Anushe Ll., 24 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore e studios “Chat Line Adult VVork”, për shfrytëzimi i prostitucionit dhe Met Tali, 25 vjeç, për lëndë narkotike. Ndërkohë janë proceduar për shfrytëzim prostitucioni A. H., 25 vjeçe, A. L., 31 vjeçe, A. Xh., 22 vjeçe, S. M., 30 vjeçe, A. Sh., 21 vjeçe, A. T., 23 vjeçe dhe E. R., 23 vjeçe. Janë shpallur në kërkim për mbajtje të lokaleve për prostitucion S. B, 33 vjeçe dhe D. G., 29 vjeçe. Nga veprimet hetimore rezulton se Anushe Ll., dyshohet se prej një kohe të gjatë, punësonte vajzat e mësipërme dhe i shfrytëzonte ato për prostitucion virtual, i cili zhvillohej nëpërmjet logimit në faqen “Adult Ëork”, aktivitet i cili kryhej në një apartament në rrugën “Don Bosko”. Në këtë aktivitet Anushe Ll. dyshohet se është futur nëpërmjet D. G., të cilën më herët e ka pasur në administrim, në bashkëpunim me S. B. Gjatë kontrollit të njërit prej apartamenteve ku ushtrohej ky aktivitet i paligjshëm, apartament i cili ishte marë me qera nga shtetasi Met Tali, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 17,4 gr lëndë narkotike e dyshuar “Cannabis Sativa”. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kompiutera dhe pajisje të ndryshme që përdoreshin për kryerjen e aktivitetit.
META I THOTË JO BUSHATIT PËR TË PATUR PLOTFUQI PËR NEGOCIATAT ME GREQINË
Presidenti Ilir Meta ka publikuar letrën e dërguar për Ministrin e Jashtëm pas kërkesës së Bushatit për plotfuqinë për negociatat me Greqinë. Sipas Metës, kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi. “Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek. Përcaktimi i saktë dhe pa asnjë ekuivok i titullit të marrëveshjes dhe objektit të negociatave, në proceset e diskutimeve negociuese ndërkombëtare me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje të kësaj natyre është kushti themelor që duhet të plotësohet, dhe mbi të cilin lëshohet Autorizimi për Plotfuqi nga Presidenti i Republikës. Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij”, ka shkruar Meta. Edhe përbërja e grupit negociator, sipas Presidentit Meta sa i takon institucioneve të përfshira nuk është e plotë. “Së pari, grupi negociator që do të realizojë negociatat, duhet të përfaqësojë ekspertizën më të thelluar dhe më të mirë profesionale në të gjitha fushat në interes të negocimit, me qëllim që niveli i përfaqësimit të Shtetit Shqiptar dhe mbrojtja e interesave të tij të realizohet në lartësinë e kërkuar nga interesat e vendit. Në funksion të realizimit të objektivave të negocimit dhe të ekspertizës, do të duhet të merret në konsideratë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve të tjerë veç atyre të cituar në kërkesë të tilla si Akademisë së Shkencave, Agjencisë së Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), Universitetit të Tiranës, Akademisë së Albanologjisë, Institutit të Arkeologjisë, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës, etj. Së dyti, kërkesa për dhënien e Autorizimit për Plotfuqi, siç rezulton nga kërkesat e Kushtetutës, Vendimit nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, ligjit nr. 43/2016, por edhe nga praktika tashmë e konsoliduar në këtë drejtim, duhet të përcaktojë qartë se cila do të jetë përbërja nominale e grupit negociator, pra jo vetëm me emërtesat e institucioneve, por dhe emrat konkret të personave dhe funksionet dhe profesionet që ata përfaqësojnë”, ka shkruar më tej Meta.
Shoqata “Çamëria” proteston ditën e shtunë
Shoqata “Çamëria” ka ftuar shqiptarët të bashkohen në protestën e të shtunës para Ambasadës greke. Protesta do të nisë në orën 12:00, përpara Rrugës së Ambasadave në Tiranë. Nënkryetari i kësaj shoqate, Dritan Sejko, deklaroi se çështja Çame, marrëveshja e detit, varrezat e shqiptarëve që kanë rënë prej genocidit në Greqi dhe ruajtja e identitetit tonë kombëtar, shpikja e minoritetit në zonat thelbësisht shqiptare si Himara, duhet t’i bashkojnë të gjithë shqiptarët, pavarësisht qëndrimeve të klasës politike.“Shqiptarët e Çamërisë janë pjesë krenare e kombit dhe si të pandashëm duhet të kthejmë përgjigje.Ne jemi për një marrëveshje të drejtë e që zgjidhin e qetësojnë problemet, e jo që krijon probleme më të mëdha.Turpi do ti mbulojë ata që mendojnë se mund të bëjnë marrëveshje për emrin e Çamërisë, apo që mendojnë se mund të bëjnë një marrëveshje pa reciprocitet, duke cënuar interesat kombëtare me marrëveshjen e Detit, për Kufijtë tokësorë, për ligjin e luftës, siç bën me ligjin për toponimet, me ligjin për minoritetet, apo me marrëveshjen e turpshme për varrezat, duke harruar që të paktën për palën shqiptare të vdekurit në tokën e tyre në Çamëri të kishin të njëjtën vlerë si ushtarët pushtues grekë”.Sejko deklaroi më tej se “Çamëria nuk negociohet as nga ju e as nga shtetarët e përkohshëm sepse Çamërinë , Detin, Tokën, Varret, Kufijtë dhe Shqipëria, nuk janë pronë asnjë qeverie. Ato janë amanet, janë identiteti ynë, e ne me dinjitet kemi veç një mundësi t’ia lemë brezave .Ne kemi vec nje Atdhe!Çështja Çame është e gjallë dhe më e fortë se kurrë. Ajo mund të shuhet, vetëm kur të zgjidhet njëherë e mirë me kthimin tonë, të gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar, në trevat e përçunduara nga zervistët dhe neofashistët e vendit fqinj”.Sejko theksoi se fyerjet e vazhdueshme të elitës politike dhe shtetërore greke kundër shqiptarëve nuk mund të lejohen më.“Ne sot i bëjmë thirrje çdo shqiptari, nga të gjitha trevat, shoqërisë civile ti bashkohen protestës tonë, ditën e shtunë, në orën 12.00, pranë memorialit të Adem Jasharit, heroit legjendar të trevave tona veriore, që për krenarinë, për ruajtjen e vlerave të identitetit kombëtar, të jemi me një zë të fortë kundër të gjithë atyre, që duan të na nëpërkëmbin, për të treguar që ky vend ka Zot dhe t’i japim një mesazh të qartë kujtdo që mendon se mund të na heshtë, në të drejtat tona kombëtare në trevat tona jugore! Ne kemi veç një Atdhe!Rroftë Çamëria”.
Sokol Dervishaj thirret në Prokurori
Ish ministri i Transporteve Sokol Dervishaj thirret për të dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të rënda lidhur me abuzimet me ndërtimin e rrugës “Tiranë-Elbasan” Ish ministri pritet të paraqitet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda sot në orën 13:00. Dervishaj mbajti postin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës nga data 9 shtator 2016 deri në fund të qeverisjes PS-LSI, 2017. Dje ish- ministri i Transporteve, aktualisht deputet i LSI, Edmond Haxhinasto iu përgjigj thirrjes së Prokurorisë së Krimeve të rënda,për të dhënë shpjegime në lidhje projektin e rrugës Elbasan- Tiranë. Haxhinasto dha informacion mbi rolin politik që ka ministri në mbarëvajtjen e projekteve, ku peshën kryesore e ka perfomanca e kompanisë së përzgjedhur dhe superviziori. Kontrata në fjalë nuk është bërë në kohën kur Haxhinasto ka qenë ministër, por ka nisur më herët që në vitin 2011. Pas daljes nga prokuroria, ish-ministri tha se ishte pyetur ne cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen në lidhje me ato gjëra që kane të bëjnë si ish-drejtues politik. Për dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan dy javë me parë me urdher të prokurorisë është arrestuar ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika, si dhe drejtori dhe ish drejtori i njësisë së menazhmit të projektit. Hetimet nga prokuroria nisën pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me vlerë 54 mln euro për abuzime në rrugën Tiranë-Elbasan, por që janë ripërsëritura në një kallëzim të dyte të ministrit Gjiknuri në 2017.
Bombardimet qeveritare në Siri, mbi 98 të vrarë, mes tyre 20 fëmijë
Bombardimet nga forcat qeveritare siriane i kanë marrë jetën dhjetëra civilëve në zonën e kontrolluar nga rebelët, Ghouta-n lindore, pranë Damaskut.Të paktën 98 civilë, mes të cilëve 20 fëmijë u vranë në një sulm ajror të hënën. Ushtria besohet se po përgatitet tani për një ofensivë tokësore. Duke kërkuar ndalimin e bombardimeve, një zyrtar i OKB tha se situata po dilte jashtë kontrollit. Rreth 400 mijë njerëz jetojnë në Ghoutan lindore që është nën rrethim që nga 2013. Kjo është enklava e fundit që mbetet në duart e opozitës afër kryeqytetit Damask. Forcat siriane kanë intensifikuar fushatën për të rimarrë nën kontroll zonën më herët këtë muaj me qindra persona të vrarë dhe akoma më shumë të plagosur.U arrit madje edhe një marrëveshje armëpushimi për t’i dërguar civilëve të bllokuar në zonën e konfliktit ndihma pasi në dhjetor, organizatat ndërkombëtare të ndihmave paralajmëruan se kushtet në zonë kishin arritur në një pikë kritike për shkak të mungesës së ushqimit, karburantit dhe ilaçeve. Muajin e ardhshëm shënohen plotë shtatë vite konflikt civil në Siri. Me qindra e mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 5 milionë persona janë larguar nga vendi.
Vrasësi grek i Devi Kasmit dhe 3 të tjerët kërkojnë lirinë në apel
Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda shtyrë për në datën 22 shkurt vendimin për 4 personat e arrestuar si të dyshuar për vrasjen e Devi Kasmit pasi, sic u tha, kishte bërë gabim njoftimet. Elton Hoxhallari, Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Efthymious Efthimiou kërkuan nga gjykata e Apelit lirimin nga burgu, duke pretenduar se nuk kanë lidhje me krimin. Efthymios Efthimiou dyshohet të jetë ekzekutori i 42 vjeçarit Kasmi. Sipas hetimeve të deritanishme ai mund të jetë vrasës me pagesë, i porositur nga një tjetër shqiptar i botës së krimit për të kryer vrasjen e Devi Kasmit në 29 janar në Tiranë. Ndërsa 3 personat e tjerë te arrestuar akuzohen si bashkëpunëtorë të ish-policit grek Efthimiou.
Pse i besoj vendimit të zotit Tillerson?
Akti i nxjerre per ta shpallur non grata Prokurorin Llalla nga Sekretati i Shtetit Rex TILLERSON ka ngritur dallge te medha ne opinioni politik, publik, dhe media. Siç duket ende nuk njihet forca investiguese e ketij shteti leader ne arenën botrore. Përballe ketij naivitet ndeshemi me “argumentet” e paleve qe nuk besojne ne inkriminin e zotit Llalla. Jane ngritur mjaft pyetje ne media qe kerkojne me shume info se çka bere Prokurori i Pergjithshem, etj.
Duhet ta them pa rezerva. Edhe Une, si pjese e medias nuk do i besoja qorrazi e aq me shume nuk dua te bej dashakeqin per kerkend. Por kur rikthehem ne pozicionin e ishshtetarit te Rendit, kam bindjen e provuar se sherbimet amerikane e kane te provuar akuzen, e me pas kane vepruar deri ne vendimarjen per ndalimi e hyrjes ne SHBA te Zotit Llalla.
Po e argumentoj me nje episod te jetuar, paçka se kritika serisht mund te jete skeptike e te më thote: shembulli nuk përgjitheson, apo nuk eshte prove!
Ishte fillim vjeshte 2004. Trafiku i qenjeve njerzore vazhdonte ne Adriatik. Nderkohe politika ishte e dyzuar. Nje pale qe mbronte tezen se ka rene ky trafik, e tjera qe vazhdonte akuzat se jemi vend trafiku. Keto informacione shkonin ne zyrat e larta te Qeverise.
Si rregull komoditeti dhe korrupsioni terhiqte nga rehatia: Per te mos “hapur pune”!
Duke e njohur kete klime politike, Sherbimet amerikane partnere ne Ministrine e Rendit muaren vendimin; Te evidentohen me prova dokumentare qe trafiku nga deti vijon pa nderprerje. Dhe, menjehere filluan investigimin, duke perfshire ne grupin e punes dhe dy nepunes te larte te Rendit si deshmitare te pales shtet. Nje prej tyre isha Une. Pa e zgjatur, bashke me sherbimet dolem ne det ne gjirin e Vlores e deri ne ujrat kufitare me Greqine.
Si perfundim. U evidentuan e u fotografuan skafet me gjithe skafistet ne tere teritorin shqiptar. U pergatit dosja dhe iu vu perpara Kryeministrit te kohes. Me tej nuk kishte kerkush argument tjetersues. Ne fund u ndertua Plani Operacional per Punen. Perfundimet e suksesheme te Tij tashme njihen.
Kjo ishte llogjika amerikane. Keto ishin provat.
Kjo besoj eshte edhe sot.
RAMA:SHQIPËRIA MERITON HAPJEN E NEGOCIATAVE
Kryeministri Edi Rama pas takimit në forumin e përbashkët ekonomik Shqipëri-Itali i eshte pergjigjur intersit te medias italiane. Shume prej pjesmarresve ne konference ishin te interesuar te kishin nje kujtim me foto me kryeministrin shqiptar, ku per shkak te axhendes ndonjeri prej tyre nuk arriti qe ta kishte kete kujtim, pasi u ndalua nga garda per arsye sigurie. Dhe ne pas shume insistimesh dhe debatesh me sigurine e kryeministrit arritem te merrnim prononcimin e tij. Shefi i qeverise eshte pyetur ne lidhje me hapjen e negociatave duke u shprehur se:Ne meritoje qe te hapim negociatat dhe shpresojme qe Komisioni te jape nje rekomandim te qarte dhe pozitiv. Me pas do te varet nga vendet anetare ku jo te gjitha vendet jane entuziaste per zgjerimin e Europes, ne besojme dhe kemi arsye per te besuar, u shpreh shefi i qeverise shqiptare. Per here te pare Rama ka folur dhe ne lidhje me patrullimin e ujerave shqiptar nga Frontex ku tha se:Ne nuk kemi ndonje problem per cfardolloj operacioni qe mund te zhvillohet. Italianet duhet te dine se sot ne kemi italiane qe vijne dhe punojne ne Shqiperi, njesoj si shqiptaret qe erdhen per te punuar dhe jetuar ne Itali. Kryeministri Edi Rama ftoi bizneset italiane të investojnë në Shqipëri, me të njëjtat argumenta si edhe më parë: taksa të ulëta dhe fitime të sigurta. Në forumin e përbashkët ekonomik Shqipëri-Itali ishin të pranishme mbi 200 kompani të mëdha italiane, ne një xhiro totale prej 17 miliardë eurosh.
“Tahiri”, hetim parlamentar; Shtyhet kërkesa e PD por PS është dakord
Konferenca e Kryetarëve ka shtyrë kërkesën e opozitës për të ngritur një komision hetimor për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Partia Socialiste ka kërkuar më shumë kohë, ndërsa Partia Demokratike e ka akuzuar se me refuzimin po kërkohet të fshihen provat.
Edmond Spaho: Për fat të keq nuk u arrit të merret vendim për shkak se sipas mendimit tonë mazhoranca po vazhdon në linjën e shtyrjes së çështjes, zvarritjes, fitimit të kohës në mënyrë që sikurse ka ndodhur deri tani të mund të eleminohen provat, të hiqen dëshmitarët si në rastin e ekstradimit të Seitit në Itali apo lirimit të Orest Sotës. Pra për të bërë çfarë është e mundur që kjo çështje të mos hetohet, të mbyllet, të shtyhet në kalandat greke.Kontestimet janë ato shabllonet që objekti i hetimit është i gjerë, këtu ka objekt për 2 apo 3 Komisione hetimore por pa dhënë asnjë argument në secilën prej pikave të cilat ne kemi parqitur si objektiva për të hetuar këtë çështje.
Edi Paloka: Logjika e tyre ishte më se absurde sepse kërkuan kohë që të na propozojnë ne ndryshimet në objekt. Komisionin Hetimor e kërkojmë ne, ndërsa këta kërkojnë kohë që të na ndryshojnë ne objektin e hetimit.Kjo është gjëja më absurde, nuk ka rëndësi sa kohë, ti kërkosh opozitës të ndryshojë objektin e hetimit siç e do mazhoranca.
Taulant Balla: Kërkesa e PD, edhe ata vetë e pranojnë s e dikush ka shkruar kërkesën, dhe dikush tjetër ka shkruar projektvendimin. Lidhur me kërkesën jemi plotësisht dakord. Ai që ka shkruar projektvendimin në emër të opozitës ose nuk ka lexuar kërkesën e vetë opozitës, ose nuk di arsyet. Kërkesa nuk ka të bëjë fare me projektvendimin, çështjet e shtjelluara në projektvendim tejkalojnë kërkesën.
Ndima ekonomike, Basha: Rama ndjek metoda naziste
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, kryetar i PD, Lulzim Basha bëri të ditur se në qendër të diskutimeve ka qenë heqje e dhjetëra familjeve nga ndihma ekonomike. Basha tha se kryeministri Rama po ndjek metida naziste për familjet shqiptare.
Basha: Bëhet fjalë për fjalë për familje që ndodhen në pikën më të ulët të mbijetesës, prindër pa punë fëmijë që ndodhen në gjëndje të mjerueshme të cilat në mënyrë të pashjegueshme dhe në mënyrë kriminale janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike. Kjo është një dramë njerëzore, por edhe një emergjencë kombëtare. Jemi vendi i vetëm në Europë që ka futur në karantinë urie, ka çuar drejt emigracionit me vullnetin e vet të Edi Ramës dhe majonetës së tij në krye të ministrisë së Shëndetësisë një përqindje të madhe të qytetarëve që sot nuk kanë ushqimin e përditshëm apo ilacet. Pra kemi një qeveri dhe një kryeministër që po përdor metoda naziste, metoda genocidale apo spastrimi ndaj popullsisë së vet. Basha tha se ministrija e Shëndetësisë dhe Mirëqenies duhet të çohet për ndjekje penale për shpërdorim detyre: Ministrja e cila duhet të cohet në ndjekje penale për vlerësimin tim, mban të fshehur informacionin se mbi çfarë kriteresh u hoqën këta njerëz nga ndihma ekonomike. Përflitet që kriteri është prania e një frigoriferi apo një televizori, kjo nuk përbën kriter. Kjo përbën shpërdorim detyre.
Ai tha se do të kërkojnë një debat me micion për të vënë para përgjegjësisë kryeministrin Rama: Ne do të formalizojmë nesër kërkesën për një debat me mocion për të vënë Edi Ramën dhe marjonetën e tij para përgjegjësisë dhe për të zbardhur këtë plan nazist. Bëhet fjallë për dhjetëra familje.
Në lidhje me kërkesën e Ramës për një president kombëtar me Kosovën, Basha tha:Hedh gomari një gur në ujë dhe e ndjekin të gjithë pastaj. Unë flas për familje që nuk kanë bukë, unë flas për një shtet të shkatërruar nga korrupsioni dhe krimi dhe përgjegjësi nuk bën gjë tjetër vecse hedh shashka. Nuk i duhet as Kosovës as Shqipërisë një politikan më shumë, një hajdut më shumë. Por i duhet një treg i përbashkët energjie, telekomunikacioni.

