Ballina Blog Faqe 9516

Nis rikonstruksioni i kopshtit Nr.17, Veliaj: Kushte komode, përfitojnë 120 fëmijë

0

Pas dy vitesh pezullim, Bashkia e Tiranës ka rinisur punimet për rikonstruksionin e plotë të godinës së kopshtit nr. 17 në Njësinë 7, i cili shumë shpejt do të ofrojë kushte bashkëkohore për më të vegjlit e qytetit. Punimet që po kryhen në këtë kopsht u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se viti 2017 do jetë një vit më i mirë edhe se viti që lamë pas, sidomos në punët që i shërbejnë fëmijëve.

“2016-ta ka qenë një vit fantastik! Tani nuk krahasohemi me atë që gjetëm, por me atë që bëmë në vitin tonë të parë. Ndaj, edhe këtë vit të dytë e fillojmë me një kopësht të ri. Një lajm i mirë për 120 fëmijë, të cilët janë edhe 120 qytetarë të ardhshëm të Tiranës, që do të rriten në kushte më komode”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ky kopësht do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër dhe do të ofrojë kushtet dhe standardet më të mira për fëmijët.

“Po sigurohemi që ky kopësht t’i ketë të gjitha kushtet e nevojshme për fëmijët, të ketë komoditet, një kënd lodrash, ngrohje etj. Siç e dini, Tirana që trashëguam ishte një Tiranë ku mbi kabinën elektrike ngrihej pallat pa leje, i cili legalizohej nga ata që në 2013 bënë kërdinë në tranzicion, prandaj na duhet të gjejmë një vend për një kabinë të re, për një kaldajë të re, për instalime të reja”, theksoi kryebashkiaku.

Veliaj falenderoi të gjithë prindërit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që treguan edhe gjatë ditës së hënë, kur edhe rinisën aktivitetin çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Kopshti nr. 17 do të akomodojë 120 fëmijë të ndarë në 4 grupe. Ai ka pësuar një zgjerim nga ana funksionale të hapësirave dhe do të ketë një hyrje të re.

Po ashtu, janë riorganizuar hapësirat e fjetjes, ngrënies dhe tualeteve. Falë këtij investimi do të instalohet sistemi i ngrohjes në të gjitha ambientet e kopshtit. Gjithashtu, do të kryhen edhe punime hidraulike dhe elektrike. Ndryshime do të pësojë edhe oborri ku do të krijohen edhe 2-3 kënde lojërash për fëmijët.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Mediu në Athinë: Votim elektronik edhe për emigrantët

0

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu mblodhi në një takim në Athinë anëtarët e degës së PR në kryeqytetin grek.

Mediu bëri një pasqyrë të gjendjes, ku siç tha ai është zhytur sot Shqipëria, si pasojë e keqqeverisjes Rama-Meta.

Në fjalën e tij kreu i PR, u shpreh se qeveria tashmë ka degraduar në çdo aspekt të saj, duke e çuar vendin drejt korrupsionit, krimit dhe kanabisit, ndërkohë që qytetarët sa vijnë e varfërohen çdo ditë e më shumë.

“Çdo njeri ka të drejtë të ndërtojë dhe të punojë për lumturinë e tij, por ne nuk mund t’i lemë peng ato në dorë të Ramës dhe Metës, të cilët tashmë kanë futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë, duke favorizuar bandat dhe kriminelët, me qëllimin e vetëm për të kapur shtetin, drejtësinë, zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Mediu.

Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme, ai u shpreh se Partia Republikane ka kërkuar prej kohësh një reformë zgjedhore, për të garantuar proces të drejtë dhe transparent, për të kthyer pushtetin ne duart e qytetarëve me anë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Kemi kërkuar votim elektronik në radhë të parë që të mund të votoni edhe ju (emigrantët) në mënyrë të rregullt. Kemi kërkuar votim elektronik, në mënyrë që qytetarëve të mos u merren më kartat e identitetit, të mos u bllokohet rruga përfaqësuesve të BE dhe SHBA, siç ndodhi për zgjedhjet lokale, të mos trafikohet vota. Gjithashtu kemi kërkuar edhe votim me lista të hapura, në mënyrë që të jenë qytetarët ata që mund të zgjedhin se për kë duan të votojnë dhe të mos jenë kryetarët e partive që të përcaktojnë se kush do përfaqësojë qytetarët”, u shpreh Mediu.

Ai shtoi se është kërkuar edhe transparencë në financimin e fushatave, pasi në Shqipëri siç tha ai, po bëhen fushata më luksoze se në Amerikë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Tre të rinj vjedhin me dhunë një person në Shkodër

0

Një burrë në Shkodër është dhunuar egërsisht nga tre të rinj të cilët e kanë vjedhur.

Të dyshuarit janë Kristjan Volaj, 26 vjec, banues në Malësi të Madhe, Vuksan Kulla, 29 vjeç, banues në Shkodër dhe Edison Malgjoni, 27 vjeç, banues në Pukë.

Tre të rinjtë u arrestuan pas ngjarjes, së ndodhur në në lagjen “Naim Gjylbegu”, Shkodër, përballë stadiumit “Loro Boriçi”.

Pasditen e djeshme Volaj, Kulla dhe Malgjoni i kanë bërë pritë 50 vjeçarit PQ., me banim në Malësi të Madhe, të cilin e kanë dhunuar fizikisht, shtetasin P.Q, 50 vjeç, banues në Malësi të Madhe, dhe i kanë marrë me dhunë telefonin celular të markës “Samsung S4”.

Ndaj të dyshuarve vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Pacienti i psikiatrikut në Elbasan, bën për spital kujdestarin e pavionit

0

Një pacient i shtruar në Spitalin Psikiatrik në Elbasan, ka bërë për në spital kujdestarin e pavionit.

I dyshuari është Emiljan Ziu, 25 vjeç, banues në fshatin Kuqan, i cili ka qenë i shtruar me mjekim të detyrueshëm në Spitalin Psikiatrik.

I riu akuzohet se në ambientet e spitalit gjatë ditës së djeshme, ka goditur me sende të forta kujdestarin e pavionit, H.P, 65 vjeç, banues në Elbasan.

I dëmtuari u dërgua menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e Elbasanit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë 25- vjeçari u vu në prangat e policisë nën akuzën e veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Basha: Mazhoranca të tregojë pse s’e do votimin elektronik, kohë ka

0

Kryedemokrati Lulzim Basha, ashtu si prej disa ditësh insiston për votim dhe numërim elektronik, edhe ditën e sotme insistoi për realizimin e zgjedhjeve të tilla më 18 qershor.

Në një takim me drejtuesit e degëve të PD në selinë blu paraditen e sotme, ai informoi lidhur me takimin e mbajtur ditën e djeshme me aleatët opozitarë, duke thënë se koalicioni opozitar ka vendosur njëzëri paketën e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai tha se kushti thelbësor për zgjedhje të lira e të ndershme votimi elektronik.

“Është e pakundërshtueshme që në 26 vite kontestimi i zgjedhjeve ka shoqëruar çdo proces zgjedhor. Votimi dhe numërimi elektronik është kundër manipulimit të votës apo futjes së duarve në kutitë e votimit, sepse me votimin elektronik çdo shqiptar e ka të garantuar votën e tij, sepse nuk ia cenon askush”, u shpreh ai.

Në vijim shtoi se votimi elektronik do të thotë që çdo shqiptar të votojë dhe askush nuk voton dot për të dhe se votim elektronik do të thotë edhe numërim elektronik dhe se merr fund prania e partiakëve që tjetërson vullnetin e qytetarëve.

Në këtë linjë shtoi, se me votimin edhe numërimin elektronik, shqiptarët do kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Lidhur me deklaratën e bërë ditën e djeshme në Kuvend nga kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, se nuk ka kohë për votim elektronik, ai tha “Kush do e gjen kohën. Ajo që nuk kanë kohë shqiptarët dhe Shqipëria, është të tjera zgjedhje të vjedhura. Koha për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mbaron kurrë”.

Ai kërkoi që mazhoranca të lërë broçkullat dhe se qeveria nuk duhet të fshihet pas një gjethe fiku, por duhet t’u thotë sot shqiptarëve se pse nuk e pranon votimin elektronik dhe nëse nuk e pranon, çfarë alternative u ofron shqiptarëve.

Sipas tij, kapja e zgjedhjeve dhe futja e kriminelëve në zgjedhje, është vepër e qeverisë aktuale.

Ai informoi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kjo është fushata me të cilën do punojë PD dhe opozita, përmes një kontakti intensiv me qytetarët, për një aksion për të garantuar zgjedhke të lira dhe të ndershme.

Basha deklaroi se Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhje dhe zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme.

Ai bëri më dije se kandidatët për deputetë do i nënshtrohen kontrollit për integritetin e figurës në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. “Çdo kandidat për deputet i Partisë Demokratike do t’i nënshtrohet një procesi kontrolli të imtësishëm të integritetit të figurës. Ne kemi ngritur strukturat e posaçme për këtë si parti. Jemi e para parti që kemi ngritur komisionin tonë të integritetit dhe të etikës i cili tashmë është i pajisur me ekspertizën më të mirë, me njerëzit më të ndershëm, me mbështetjen ndërkombëtare”, tha ai.

Kreu u opozitës siguroi drejtuesit lokalë të partisë, se Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet e ardhshme me një proces të lirë e të ndershëm.

“Qeveria dhe mjetet e saj të propagandës janë lëshuar me klishetë: merr pjesë nuk merr pjesë Partia Demokratike në zgjedhje. Partia Demokratike merr pjesë në zgjedhje dhe zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Nuk ka asnjë skenar tjetër. Ne do të luftojmë për zgjedhje të lira e të ndershme, ne do të përballemi për zgjedhje të lira e të ndershme, ne do të fitojmë me  zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Basha.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shkon në 5 numri i viktimave prej gripit, humb jetën fëmija 3 vjeç

0

Shkon në pesë numri i viktimave të prekur nga virusi i gripit stinor.

Viktima e fundit është një fëmijë i cili nuk i kishte mbushur ende 3 vjeç, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spital.

Ministria e Shëndetësisë informon se vogëlushi B. Z., i lindur më 6 maj të vitit 2014, në Shënkoll të Lezhës, i vaksinuar rregullisht, ka patur prej një jave klinikë me temperaturë, ethe, kollë.

Pasi është paraqitur disa herë në urgjencën e spitalit Lezhë, djali i vogël më 14 janar, është shtruar në spitalin e Lezhës me diagnozën “Infeksion viral me insufiçiencë respiratore”, ku edhe pas trajtimit spitalor gjendja mbetej e njëjtë.

Më 15 janar, ai është transferuar në Tiranë dhe shtrohet në Reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, ku ka patur edhe shenja të tjera klinike si, mosreagim ndaj dhimbjes, hipotoni muskulare, gjendje prekome, vështirësi në frymëmarrje dhe frymëmarrje të zhurmshme.

MSh thotë se pacienti është konfirmuar me diagnozën: “Encephalomielit”.

Gjatë të njëjtës javë, familjarët me të cilët jeton, nëna, babai, gjyshja dhe gjyshi kanë kaluar sëmundje respiratore të ngjashme me gripin.

Mostrat e marra për ekzaminim nga ISHP-ja konfirmojnë që pacienti ishte i prekur nga virusi i gripit stinor A.

Edhe pas trajtimit në reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, vogëlushi ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, e martë.

Ky është rasti i pestë i konfirmuar, pas dy rasteve të raportuara në 5 janar, atij të datës 11 janar dhe rastit të datës 13 janar nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës A

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Shpallet në kërkim grupi i hajdutëve të mitur në Ballsh, rastet për të cilat akuzohen

0

Identifikohet një grup adoleshentësh, të dyshuar për një sërë vjedhjesh në qytetin e Ballshit.

Të dyshuarit, e shpallur në kërkim që nga dita e djeshme, janë M.M., 15 vjeç, D.V., 16 vjeç, banues në lagjen ‘28 Nëntori’, Ballsh dhe F.V., 16 vjeç, banues në lagjen ‘5 Shkurti’, Ballsh.

Shpallja e tyre në kërkim u bë pasi nga hetimet e kryera kryera, akuzohen se bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vjedhur lokalin e shtetasit D.Ç., më 29 nëntor, lokalin e shtetasit Q.Xh., më 15 janar, lokalin e shtetasit A.J., më 16 janar, si dhe kanë thyer xhamin e derës së kompanisë ‘Sigal’ më 15 janar.

Për shkak të rasteve të përsëritura dhe informacioneve të mbledhura nga policia, u bë identifikimi i tyre, ndërkohë që vijon puna për zbulimin e rasteve të tjera ku mund të jenë të përfshirë.

Ndaj tyre materialet i’u referuan Prokurorisë së Vlorës, seksioni i të miturve për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Shkatërrimi i pronës e kryer në bashkëpunim”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Ballsh, plagosen me kaçavidë tre persona

0

Tre persona janë plagosur me kaçavidë në Ballsh, nga një i ri.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, ku i dyshuari ëshjtë Reni Hasanaj, 29 vjeç, banues në lagjen “8 Shkurti”, Ballsh, i dënuar më parë për vjedhje.

Ai akuzohet se në afërsi të spitalit të qytetit, ka plagosur rëndë me kaçavidë 20- vjeçarin K.K., banues në Ballsh, i cili ndodhet në spitalin e Fierit jashtë rrezikut për jetën, si dhe ka plagosur lehtë vëllezërit A.A., 25 vjeç, dhe K.A., 23 vjeç , banues në fshatin Belishovë, Mallakastër.

Dy vëllezërit pas marrjes së mjekimit në spital, u larguan për në banesë. Ndërkohë i dyshuari, u vu në prangat e policisë i akuzuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Policia po heton për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Me PS në zgjedhje? Ministri i LSI: Nuk trembemi të dalim vetëm

0

– Ndërsa prej kohësh Partia Socialiste është shprehur e gatshme për të dalë në zgjedhje me aleaten aktuale bashkëqeverisëse, Lëvizjen Socialiste për Integrim, kjo e fundit nuk ka ende një qëndrim konkret.

E ndërsa zgjedhjet po afrojnë, ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, i ardhur nga radhët e LSI, thotë se partia nga e cila vjen nuk trembet të dalë e vetme në zgjedhje.

Sipas tij, Lëvizja Socialiste për Integrim po analizon të gjitha opsionet për garimin në zgjedhjet parlamentare të qershorit, qoftë edhe duke dalë e vetme.

Deklarata e tij u bë në një intervistë të mbrëmjes së djeshme për “Tonight Ilva Tare”.

Pjesë nga intervista

Koalicioni si po shkon?

Në mënyrë shumë optimale drejt përfundimit të mandatit dhe padyshim me përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë për të bërë një vlerësim të punëve që ka bërë gjatë këtyre 3 vite e gjysëm.

Si ka qenë bashkëpunimi?

Mendoj që koalicioni ka pasur prioritetet e tij, problematikat e tij.Jo bvrenda një koalicioni, por sikur edhe një parti të qeverisë vetëm do ketë divergjenca të ndryshme, prioritete të ndryshme. Nëse më pyesni mua do them që prioritet është infrastruktura, nëse do pyesni një koleg timin, Panariti, do thoshte bujqësia. Është shumë e rëndësishme sesi koalicioni dhe marrëdhëniet politike prioritarizon prioritetet më të rëndësishme të këtij vendi. Gjatë 3 vite e gjysëm ka pasur shumë suksese, janë përmbushur shumë nga objektivat e vendosura në platformën e këtij koalicioni. Sikurse kudo që punohet ka vend për përmirësim, reflektim, ka vend dhe për korrigjim, për të kërkuar dhe falje për ato gjëra që duhet të ishin bërë më mirë. Edhe ndjesa kur është e ndjerë është e mirëpritur.

Ndaj qytetarëve apo aleatëve me njëri-tjetrin?

Qytetarët, i kemi përmbushur pritshmëritë e tyre apo jo? Pasi, a kanë përmbushur partitë pritshmëritë më njëra-tjetrën është një çështje që nuk i intereson shumë qytetarëve. Kjo është për bisedë kafesh për të kaluar kohën, si kalon çifti në koalicion.

Si ju del bilanci?

Mendoj se ka gjëra që mund ti kishim bërë shumë më mirë.

PS apo dhe vetë LSI?

Besoj që ka vend për reflektim tek të gjitha palët, padyshim që më i madhi ka nevojë të reflektojë më shumë, por edhe i vogli duhet të reflektojë që të bëhet më i madh.

Ka filluar ky proces reflektimi brenda në koalicion?

Të gjitha palët në diskutimet e tyre të brendshme e bëjnë këtë debat dhe përpiqen të kuptojnë atë që kanë bërë si duhet dhe sesi do të ballafaqohen me katër muajt në vijim dhe më pas me fushatën zgjedhore. Por të jemi të sinqertë ka pasur arritje, divergjenca dhe këndvështrime të ndryshme për të arritur të njëjtin objektiv. Gjithsesi t’ia lëmë kohës për të parë deri në fund përmbushjen e objektivave në raport me qytetarët.

Si duhet të dalë LSI në këto zgjedhje, e vetme apo me PS?

Unë besoj se LSI ka një përgjegjësi të madhe që e ka ushtruar gjatë gjithë kohës dhe do ta ushtrojë po me kaq përgjegjshmëri në muajt që vinë. Sa kohë jemi ende në përmbushje të këtyre përgjegjësive jemi dhe në kohë e përshtatshme për të reflektuar. A kanë marrë qytetarët mbrapsht të gjithë angazhimin tonë? Duhet të jetë një analizë e thellë për të kuptuar të gjithë elementët që do bënin të mundur të shikonim akoma më përpara.

A është e gatshme LSI të marrë këtë përgjegjësi?

LSI ka garuar e vetme në 2005. Në zgjedhjet e 2009. LSI është parti mbijetuese dhe mbijeton duke u rritur. Ka aftësi të mësojë nga historia e saj dhe e tjerëve dhe të reflektojë. LSI nuk i trembet asnjë sfide.

As të dalë e vetme në qershor?

Absolutisht jo. Nuk i trembet. Por a është ky vendimi që do marrë LSI? Jemi në koalicion praktikisht, kemi ende kohë për të ushtruar përgjegjësitë tona në përfundim të mandatit. Kemi kohë të mjaftueshme për të parë si do ecim tutje. Kur hyjmë në një koalicion, eksperienca e këtij koalicioni apo ndonjë koalicioni të mëparshëm na ka mësuar që në koalicione nuk hyhet thjesht për të krijuar ekuilibrat, numrat. Është me rëndësi të ndajmë projektet politike, prioritetet, të negociojmë për ato që janë qëllime madhore të koalicionit. Shpesh jemi bashkuar pa i diskutuar këto, hajt se i flasim rrugës.

Më 1 prill jeni bashkuar për një marrëveshje 8 vjeçare.

Patjetër që po. Marrëveshja 8 vjeçare ka objektivat e  saj. Të shikojmë si janë vendosur objektivat e 50% që të vendosim objektivat e katër viteve të ardhshëm.

Koalicionin me PD e përjashtoni?

PD e ka përjashtuar koalicionin me LSI-në.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Breshëri automatiku në Peqin, tentohen të vriten dy persona

0

Një tentativë vrasje ka ndodhur në Peqin, ku në shënjestër të tij janë vënë dy persona.

I dyshuari është Albi Bashaliu, 28 vjeç, banues në fshatin Gjocaj, i cili gjatë një konflikti mbrëmjen e djeshme dyshohet të ketë qëlluar me automatik në drejtim të bashkëfshatarit të tij V.Sh., 57 vjeç, banues në fshatin Gjocaj dhe A.B. 38 vjeç, banues në Peqin.

Si pasojë e të shtënave, nuk ka patur të dëmtuar. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale i sekuestruan 8 gëzhoja armë zjarri model 56 të kalibrit 7.62 mm, një fishekë i pa plasur model 56 të kalibrit 7.62 mm dhe automjeti tip Volkswagen me targa AA 226 ES në pronësi të 38- vjeçarit A.B.

Bashaliu u vu në prangat e policisë pas ngjarjes, ndërkohë që policia vazhdon punën për gjetjen e armës së zjarrit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të saj.

Lidhur me këtë rast vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Vrasja me dashje mbetur në tentativë” “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx