Ballina Blog Faqe 9528

Vodhën dhomën e një hoteli, tre të arrestuar në Tiranë

0

Tre të rinj të dyshuar për vjedhje në një dhomë hoteli në Tiranë, janë vënë në prangat e policisë.

Erdi Muçllari, 20 vjeç, Ergys Hysejni, 20 vjeç dhe Oktavian Sala, 20 vjeç, banues në Tiranë, u arrestuan nga efektivët e komisariatit nr.3, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kryer vjedhje në një dhome hoteli në Tiranë.

Të dyshuarit pasi kanë parkuar mjetin në parkimin e hotelit kanë shkuar tek një nga dhomat dhe duke ushtruar forcë kanë hapur derën e dhomës, ku në brendësi të saj kanë marrë disa pije nga mini bari dhe disa aksesorë të dhomës, më pas janë larguar me automjetin e tyre.

Në cilësinë e provës materiale nga ana e policisë u bë sekuestrimi i automjetit tip “Mercedes Benz”.

Ndaj tyre vijojnë ende hetimet për zbulimin e rasteve të tjera ku mund të jenë përfshirë, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Vjedhja”.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Mbytja e të miturit në liqenin e Kasharit, motra nuk e shpëtoi dot, nëna përfundon në spital

0

Ndërsa ditëve të fundit moti i keq ka shkaktuar një sërë viktimash, një ngjarje e dhimbshme ndodhi ditën e djeshme në liqenin e Kasharit në periferi të Tiranës, ku një fëmijë u mbyt teksa lozte mbi liqenin e ngrirë.

Thyerja e akullit të liqenit bëri që 12- vjeçari F.Gurakuqi i cili po luante me fëmijë të tjerë të binte brenda.

E alarmuar nga klithmat e fëmijëve, motra e tij 15- vjeçare E.Gurakuqi i erdhi në ndihmë dhe në tentativë për ta nxjerrë rrezikoi edhe vetë jetën. Fatmirësisht ndërhyrja e banorëve të zonës bëri që e mitura të shpëtohet.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:15, liqenin e fshatit Mëzes, por as banorët e zonës nuk mundën të bëjnë gjë për 12-vjeçarin e mbytur.

U desh ndërhyrja e polumbarëve për të nxjerrë trupin e pajetë të vogëlushit, ndërsa motra e tij u dërgua në spital.

Nëna e dy fëmijëve Jolanda Gurakuqi e tronditur nga ngjarja, humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital në gjendje të rënduar, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Dy të vegjlit jetonin vetëm me nënën e tyre pasi babai Fatos Gurakuqi, ndodhet në qeli i dënuar me dhjetë vite burg.

Ai akuzohet për përdhunimin e vajzës së tij 15 vjeçe, e cila ditën e djeshme mundi të mbijetojë nga mbytja.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

“Vajza jonë është zhdukur”, më pas zbulimi shokues

0

U gjet e vdekur pasi prindërit e kishin deklaruar si të zhdukur. Ajo që u zbulua lidhur me fatin e një vajze të vogël vetëm pesë vjeçe vitesh lë pa fjalë.

Vogëlushja me emrin Ashley Zhao, u gjet e pajetë në restorantin kinez të familjes “Ang’s Asian Cuisine” në North Canton, të Ohio (SHBA), pas kërkimeve të vazhdueshme nga policia.

Vajza u vra nga nëna, e cila u sul drejt saj egërsisht duke e goditur deri sa i shkaktoi fraktura në kokë, duke e goditur me grushte në mënyrë të përsëritur në kokë, shkruan “The Sun”.

Policia nisi kërkimet për gjetjen e saj, pasi prindërit e denoncuan të zhdukur gjatë së hënës.

Fillimisht u mendua se e vogla ishte larguar nga restoranti i familjes, duke dalë nga porta e pasme, por pas kërkimeve të imtësishme kufoma e saj u gjet mesditën e kësaj të marte në restorant.

Prindërit e vajzës u arrestuan nga policia. Nëna e Ashley akuzohet për vrasje të shkallës së parë, ndërsa babai si bashkëpunëtor.

Megjithatë mbeten të panjohura shkaqet që e shtynë gruan drejt një veprimi të tillë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Fëmija 12 vjeç peshon sa një foshnje 2 vjeçe, nëna e mbyll në dhomën e torturave

0

Në moshën 12- vjeçare peshon sa një fëmijë 2 vjeç, pasi nëna për dy vite me radhë e ka detyruar të jetojë në kushtet minimale të mbijetesës.

Brandy Kay Jaynes, nëna 36- vjeçare e të voglit, u arrestua nga policia në 10 janar, pasi djali u gjet në gjendje kequshqyerje në një dhomë të mbushur me jashtëqitje, prej nga nuk mund të dilte.

Gjithë ngjarja çnjerëzore u shënua në Toquerville, Utah, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku gruaja jetonte me tre fëmijët e saj.

Djali gjendej në atë situatë prej thuajse dy vitesh, ndërsa dy vëllezërit flisnin me të, ndonjëherë nëpërmjet derës, duke qenë se nëna nuk i linte që të takoheshin.

I mituri siç shkruan “The Sun”, peshonte fare pak dhe u dërgua në një klinikë për trajtim të specializuar.

Ajo në të cilën ishte mbyllur, ishte një dhomë e vërtetë torture, dhe arsyet pse nëna e keqtrajtonte nuk janë të qarta. Dhoma gjithashtu ishte e pajisur me kamera, në mënyrë që nëna ta shikonte se çfarë bënte gjatë ditës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Borë, akull e ngricë, rrugët në qarkun e Fierit ku ka probleme

0

Reshjet e dëborës, akulli dhe ngrica që kanë përfshirë vendin orëve të fundit ka krijuar probleme në qarkullimin në disa segmente rrugore në qarkun e Fierit.

Policia e Fierit thotë se në bashkëpunim me emergjencat civile dhe pushtetin vendor janë të angazhuara për sigurimin e lëvizjeve të mjeteve si pasojë e vështirësive të krijuara nga rënia e dëborës dhe prania e ngricave në rrugë.

Si pasojë e temperaturave të ulëta njoftojmë se disa akse rrugore dhe zona të caktuara si më poshtë ka prezencë të borës dhe akullit në rrugë, më konkretisht:

-Aksi rrugor Fier-Ballsh, ka prani të dëborës dhe kalohet vetëm me zinxhirë.

-Aksi rrugor Fier-Tepelenë ka prani të borës dhe akullit dhe duhet të përdoren zinxhirët.

-Aksi rrugor Çermë-Lushnje-Fier, është i hapur por ka prani të ngricës në asfalt.

-Aksi Fier-Vlorë dhe Lushnje-Berat ka prani të akullit dhe këshillohet të ecet me shpejtësi të ulët në këto akse.

Shërbimet e policisë janë në gatishmëri, ku po monitorojnë lëvizjen e automjeteve duke ju ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve që kanë nevojë për ndihmë.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Floriana Garo: E vërteta e kandidaturës për deputete në listën e PD për Tiranën

0

Moderatorja Floriana Garo, ka mohuar se do të jetë në listën e PD-së, si kandidate për deputete në Tiranë.

E pyetur nga Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” nëse ishte i vërtetë lajmi që po qarkullonte prej ditësh nëpër portale, ku thuhej se me pëlqimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, Floriana do të ishte në listën e Tiranës si kandidaturë e tretë për deputetë?

Një lajm të tillë, Garo e ka mohuar kategorikisht, duke pohuar: “Jo nuk është e vërtetë”.

Vetëm pak ditë më parë, disa portale, publikuan lajmin se Floriana Garo është ftuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha për të qenë kandidate për deputete në listën e Tiranës.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

U skualifikua në garën për kreun KQZ, Meta e merr Lefterije Luzin në Kuvend

0

Pasi u eliminua nga Partia Demokratike nga gara për një mandat të dytë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi (Lleshi) do të kthehet sërish në një funksion në administratën publike.

Ish-kryetarja e KQZ-së do të nisë punë si drejtoreshë në Kuvendin e Shqipërisë. Luzi është parë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ditën e martë.

Luzi ka konfirmuar rikthimin në Kuvendin e Shqipërisë në një detyrë të njëjtë me atë që ka pasur para se të zgjidhej si kryetare e KQZ-së katër vite më parë, e kontaktuar nga “Panorama”.

Lefterije Luzi do të marrë funksionin e drejtoreshës së Shërbimeve të Komisioneve Parlamentare, funksion i cili prej disa muajsh ishte vakant. Ky post është mbajtur për disa vite nga Tomi Kola, ish- drejtor i Qendrës së Regjistrimeve të Biznesit (QKR). Drejtoria e Shërbimeve të Komisioneve Parlamentare është një prej drejtorive të rëndësishme të Kuvendit dhe që bashkëpunon ngushtë me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Lefterije Luzi mbante një nga detyrat e rëndësishme në administratën Jozefina Topalli, atë të drejtoreshës së Shërbimeve Juridike dhe detyrën e anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si përfaqësuese e Kuvendit.

Duke qenë se ky funksion aktualisht është i plotësuar, ajo do të jetë drejtoreshë në shërbimin e komisioneve parlamentare. Rikthimi në detyrën e mëparshme është një e drejtë ligjore që u është njohur anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në nenin 17 të Kodit Zgjedhor, që flet për të drejtat dhe detyrat e anëtarit të KQZ-së, në pikën 5, specifikohet se:

“Pas mbarimit të funksionit, anëtari i KQZ-së rikthehet në funksionin publik të mëparshëm dhe kur kjo nuk është e mundur, në një vend të të njëjtit nivel në organet e administratës publike”. Edhe pse në vendin tonë të drejtat për t’u rikthyer në një funksion janë të përcaktuara në ligj, shpeshherë ato mbeten si vendim i vullnetit politik.

Për 6 muajt e mbetur të mandatit të këtij Parlamenti, Lefterije Luzi do të jetë një ndër bashkëpunëtoret e ngushta të Ilir Metës.

“Shërbimet e Kuvendit kryejnë detyra këshillimore, informuese organizative dhe teknike, në shërbim të veprimtarisë së deputetëve, Kuvendit dhe organeve të tij. Shërbimet e Kuvendit krijojnë mundësi dhe kushte të barabarta që deputetët, Kuvendi dhe organet e tij të kryejnë detyrat kushtetuese dhe ligjore.

Shërbimet e Kuvendit përbëhen nga: a) shërbimet legjislative, në përbërje të të cilave janë shërbimi i seancës plenare, shërbimi juridik, shërbimi i analizës dhe mbikëqyrjes së zbatimit të buxhetit të shtetit dhe shërbimi i komisioneve të Kuvendit”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.

Përjashtimi

Emri i Lefterije Luzit u lakua si një ndër kandidatët favoritë për një mandat të dytë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deri në momentin e fundit, ajo ishte drejt rimandatimit, pasi kishte mbështetjen e PS dhe LSI, por Luzi u përjashtua nga Partia Demokratike si një nga dy kandidatët që duhet të eliminoheshin nga gara.

PD preferoi të lerë në garë dy kandidatët e propozuar nga Partia Socialiste, Denar Bibën, që më pas u zgjodh si kryetar i KQZ-së dhe kandidatin tjetër, Koli Belen, i cili u eliminua gjatë garës.

Kush është Lefterije Luzi

Lefterije Luzi ka lindur në qytetin e Librazhdit. Ajo ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1992. Në vitin 2005 ajo ka marrë licencën si avokate. Ndërsa në vitin 2009 Luzi ka kryer studimet pasuniversitare në Fakultetin e Ekonomisë, “Marketing i Avancuar”. Luzi, nga viti 2009-2012 ka mbajtur postin e anëtares së KLD-së dhe njëkohësisht të drejtoreshës së shërbimeve Juridike në Kuvend.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Texas, ekzekutohet i dënuari me vdekje

0

Ekzekutimi i parë me vdekje për vitin 2017 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u krye natën mes të mërkurës dhe të enjtes në Texas.

Nëpërmjet një injeksioni vdekjeprurës u ekzekutua 48- vjeçari Christopher Wilkins.

Ai u dënua për vrasjen e dy burrave, pasi njëri prej tyre ishte tallur me të për shkak se kishte rënë në një pazar të rremë droge.

Vitin e kaluar në SHBA u ekzekutuan rreth 20 të dënuar, e cila konsiderohet si shifra më e ulur nga 1980 deri më sot.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Reshjet e dëborës, Emergjencat Civile japin informacion mbi situatën në gjithë vendin

0

Për shkak të reshjeve të dëborës dhe akullit që ka shoqëruar vendin orëve të fundit, vendi ynë është shoqëruar me probleme.

Në të gjithë vendin reshjet e dëborës dhe temperaturat poshtë zeros kanë shkaktuar vështirësi sidomos në qarkullimin e automjeteve.

Strukturat e angazhuara me mirëmbajtjen e rrugëve, firmat e kontraktuara kanë vijuar punën e tyre për hapjen e rrugëve nacionale të cilat qanë të qarkullueshme pa zinxhirë në pjesën dërrmuese te tyre.

Shërbimi i Emergjencave Civile duke dhënë informacion thotë se deri paraditen e sotme, mbeten disa akse rurale ende të bllokuara ku po punohet vazhdimisht që të bëhet i mundur qarkullimi i mjeteve.

Si pasojë e reshjeve të dëborës gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë ka pasur vështirësi qarkullimi në disa akse rrugore. Gjatë gjithë kohës ato janë mbajtur në monitorim nga Policia Rrugore ndërsa pushteti vendor ka marrë masa duke hedhur skorje dhe kripë.

Situata në akset rrugore në të gjithë vendin paraqitet si më poshtë

QARKU KUKËS

Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë. Rruga e Kombit është e qarkullueshme pa zinxhirë por në segmente të caktuara duhet të bëhet kujdes si pasojë e ngricave. Po punohet me 4 mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli. Policia Rrugore po monitoron qarkullimin e automjeteve.

Akset Kukës- Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë, Bajram Curri-Valbonë dhe Fushë Dukagjin-Qafë Shllak qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë ndërsa në aksin rrugor Ura e Zapodit- Shishtavec përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm.

Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes pritet të dërgoj ndihma ushqimore në Bashkinë Tropojë gjatë ditës.

QARKU DIBËR

Aksi rrugor Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar. Po punohet me dy fadroma për hapjen e tij.

Aksi rrugor kombëtar, Qafë Bualli-Peshkopi, qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë. Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor. Po punojnë 1 borëpastruese dhe 2 fadroma për mbajtjen të hapur këtë aks rrugor.

Të qarkullueshme me zinxhirë janë akset rrugore Peshkopi-Kala e Dodës, Ura e Çerenecit-Steblevë dhe Peshkopi-Kala e Dodës ndërsa e bllokuar është rruga Burrel-Selishtë. Për hapjen e saj po punohet me 1 fadromë.

Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes pritet të dërgoj ndihma në fshatin Tërnovë e Vogël, Njësia Administrative Zerqan Bashkia Bulqizë

QARKU SHKODËR

Akset rrugore Shkodër-Qafë Thore-Theth, Shkodër- Bregu Lumit, Bardhet-Iballë dhe Bogë- Qafë Thore janë të bllokuara. Po punohet për hapjen e tyre por ka vështirësi për shkak të ngricave.

Akset rrugore Qaf Mali-Fierzë, Fush Arrëz-Qafë Shllak dhe Qafë Çelë-Pukë-Fushë Arrës janë të qarkullueshme me zinxhirë.

Gjatë ditës së sotme një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes pritet të dërgoj ndihma në Njësinë Administrative Bregu i Lumit.

QARKU LEZHË

Aksi rrugor Kurbnesh-Lurë është i qarkullueshëm me zinxhirë.

Akset rrugore Bulshar-Nënshejt-Lajthizë dhe Reps-Gurth-Spaç janë të bllokuara.

QARKU TIRANË

Si rezultat i reshjeve të borës gjatë natë ka pasur probleme në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore si autostradën Tiranë-Durrës, autostradën Durrës-Kavajë dhe aksin rrugor Tiranë-Dajt.

Policia Rrugore ka monitoruar situatën dhe në disa zona ka bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve. Forcat dhe mjetet e bashkisë Tiranë kanë punuar me pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e skorjeve në zonat problematike.

QARKU ELBASAN

Aksi rrugor Librazhd-Stëblevë është i kalueshëm me zinxhirë.

Të gjitha akset e tjera rrugore janë të kalueshme pa probleme.

QARKU KORÇË

Akset rrugore Ersekë-Leskovik-Çarshovë Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Dardhë janë të qarkullueshme me zinxhirë.

Firmat kontraktore po punojnë me mjete dhe forca për të mbajtur të hapur të gjitha akset rrugore.

QARKU VLORË

Në Qafën e Muzinës qarkullimi i mjeteve kryhet pjesërisht me zinxhirë ndërsa firmat kontraktore janë në gatishmëri me mjete për çdo situatë.

Në Qafën e Llogarasë qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë por në pjesë të veçanta do kujdes nga drejtuesit e automjeteve sepse ka prezencë ngricash.

Policia Rrugore po monitoron kalimin e automjeteve në këto segmente rrugore.

QARKU GJIROKASTËR

Të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme pa zinxhirë me përjashtim të aksit rrugor Përmet-Çarshovë.

Akset rrugore që të çojnë në zonat rurale janë të kalueshme pjesërisht me zinxhirë.

QARKU BERAT

Aksi rrugor Potom-Skrapar i kalueshëm me zinxhirë

Ne qarqet e tjera nuk raportohet për probleme.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx

Moti i keq në Tiranë, bashkia pastron rrugët nga dëbora

0

Mëngjesi e gjeti Tiranën të mbuluar tërësisht nga bora e cila ra gjatë orëve të mbrëmjes. Por pavarësisht temperaturave të ulëtave, rreth 1200 punonjës të Bashkisë punuan gjatë orëve të natës për mbajtjen hapur të rrugëve si në zonat brenda qytetit, ashtu edhe në periferi duke pastruar borën dhe hedhur kripë dhe skorje.

Edhe mëngjesin e sotëm, në të gjithë rrugët e kryeqytetit shihje punonjës të ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës të cilët hidhnin kripë duke shpëtuar në këtë mënyrë qindra jetë njerëzish të cilët rrezikohen nga akulli që është krijuar si pasojë e temperaturave të ulëta gjatë natës.

Përmes një postimi në twitter, kryebashkiaku Erion Veliaj u kërkon të gjithë qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në lëvizjet e tyre në rrugë.

“Natë e gjatë pune për kolegët e turnit 3-të në Tiranën e zbardhur. Orët e para të mëngjesit pak më shumë kujdes në rrugë nga të gjithë. Po pastrojmë me mjete të rënda në rrugët kryesore të Tiranës, ushtro kujdes në qarkullim gjatë orëve të natës. Flm për bashkëpunimin”, shkruan Veliaj.

Bashkia bën me dije se të gjitha rrugët janë të kalueshme, si nga ana e këmbësorëve, ashtu edhe nga automjetet.

Zjarr Tv Adsxxxxxxxxxxxxxxxx