‘Heroina në Has’ gjendet i pajetë turku i shumëkërkuar

0
48
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Tre muaj pas operacionit antidrogë në Has, është gjetur i pajetë në banesë një nga turqit që ishte shpallur në kërkim si person i përfshirë në trafikun e drogës.

Lajmin për gjetjen e tij të vdekur në banesë ka ardhur nga Kosova, ku mesa duket shtetasi turk qëndronte i strehuar që prej datës 2 dhjetor 2018.

Bëhet fjalë për Nejdet Cesuroglu, i cili mësohet se është gjetur i pajetë në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Në banesë me kufomën është gjetur dhe një sasi heroine.

49 vjeçari Nejdet Cesuroglu ishte shpallur në kërkim bashkë me shtetasin tjetër turk Iskënder Sale, 35 vjeç.

Këta shtetas janë të akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, trafikim narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal.

Sipas Prokurorisë, ata janë pritur nga Admir Hoxha (biznesmeni që akuzohet se ngriti laboratorin) në hotelin e tij pranë Rinasit, së bashku me shtetasin kosovar, Xhemal Shala.

Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë kishin sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë.

Sakaq mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dërguar një letërporosi autoriteteve kosovare që të sqarohen rrethanat e ngjarjes.

Dy turqit, Nejdet Cesuroglu dhe Iskander Sale mësohet se kishin një rol kryesor në trafikun e  heroinës që përpunohej në laboratorin e Hasit.

Njëri nga dy turqit rezultoi se ishte larguar nga Shqipëria 15 ditë përpara operacionit ndërsa tjetri më parë.

Shtetasit turq kishin rol kryesor për heroinën të cilën e sillnin nga Afganistani dhe më pas ajo përpunohej në Has për tu trafikuar në vendet e BE.

SI U ZBULUA LABORATORI I HEROINËS

Laboratori i heroinës u zbulua në Brenog të Hasit në kuadër të operacionit “VolVo 4”, gjatë të cilit u goditën 4 grupe kriminale, me 27 të arrestuar, u shpallën në kërkim edhe 17 persona, 4 prej tyre vetëm për laboratorin.

Ideatori i ndërtimit të një objekti të tillë për përpunimin, jo vetëm të heroinës, por edhe të kokainës, është një biznesmen nga Tirana, pronar i hotelit “Ador Resort”, në afërsi të Aeroportit të Rinasit. Nga të dhënat e siguruara nga dosja e Prokurorisë, biznesmeni Admir Hoxha është njeriu që ka udhëhequr ngritjen e këtij laboratori në bashkëpunim me disa anëtarë të arrestuar të grupit kriminal nga Shijaku.

Admir Hoxha ka mbajtur kontakte me shtetasit H. Hoxha dhe Saimir Gjepali nga Shijaku, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Policia ka arrestuar 5 persona për laboratorin e heroinës në Has, dy prej të cilëve u liruan nga Gjykata, që dyshohet se ishin punonjës.

Zjarr Tv Ad