“Institucionet në 2 javë, shpenzuan 120 mijë euro bileta udhëtimi”/ Sekretari i Përgjithshëm i PL: Pagesat për inceneratorët vijojnë! Qeveria të ndalë…

0
13
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë për mediat deklaroi se qeveria shqiptare duhet të reagojë ndaj kërkesës së Bankës Botërore për shkurtime në sektorë që kanë pamjaftueshmëri në financime.

Sipas Blushit, institucionet shtetërore vetëm në dy javë kanë shpenzuar 120 mijë euro për bileta avioni, ndërkohë që sjell në vëmendje se qeveria vijon të paguajë 80 mijë euro në ditë për inceneratorët. Ndër të tjera, Sekretari i Përgjithshëm i PL i bëri thirrje qeverisë që të ndryshojë fashën e rritjes së energjisë elektrike për familjarët, nga 800Kë në 1200Kë.

Deklarata e Tedi Blushit:

Me përshkallëzimin e krizës së rëndë ekonomike si pasojë e rritjes së pandalshme dhe abuzive të çmimeve, situata pritet të përkeqësohet duke rrezikuar një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë.

Apelet shumë të qarta të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian janë këmbana alarmi, që kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm per heqjen e lakut të varfërisë nga fyti i shqiptarëve, që Qeveria po jua shtrëngon çdo ditë dhe më shumë.

Qeveria duhet të reagojë ndaj kërkesës së Bankës Botërore për shkurtime në sektorë që kanë pamjaftueshmëri në financime dhe në projekte që gjenerojnë detyrime të prapambetura. Shkurtimet në shpenzime buxhetore të tilla si udhëtimet, dietat dhe shpenzime të tjera operative krejtësisht të panevojshme janë sot një domosdoshmëri.

Në kulmin e krizës ekonomike rezulton se vetëm për dy javë institucionet shtetërore kanë shpenzuar dhe pritet të shpenzojnë të paktën 120 mijë euro vetëm për bileta udhëtimi jashtë vendit si dhe rezultojnë të mbyllura të paktën 70 tenderime per bileta për fluturime, me në krye Bashkinë e Tiranës dhe Kryeministrinë.

Ndaj mbështesim plotësisht thirrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar drejtuar Qeverisë për të mbrojtur të varfërit nga kriza e rritjes së çmimeve nëpërmjet mbështetjes së përkohshme fiskale dhe të shenjestruar mirë. Gjithashtu, përsëritim me forcë kërkesën për rritjen e fashës së konsumit të energjisë elektrike, mbi të cilin do të zbatohet pagesa me çmimet e tregut ndërkombëtar për familjarët.

Propozimi për vendosjen e kësaj fashe nga 800Kë në 1200Kë në muaj është plotësisht i drejtë, pasi me të preken në mënyrë të konsiderueshme rreth 90.000 deri në 130.000 familje shqiptare, kryesisht ato të shtresës së mesme. Edi Rama paguan çdo ditë 80.000 euro pronarët në arrati të aferës së tij korruptive të inceneratorëve ndërkohë vazhdon me shantazhet absurde për fëmijët dhe prindërit, që të mos bëjnë shënime në librat e shkollës se do të kenë sanksione.

Thirrjet e tij dhe të ministrave të tij për kursim të energjisë duke “shpikur” shembuj nga Zvicra se si qytetaret futen në burg për ngrohjen me kondicioner tregojnë degradimin e pashpresë të regjimit më të korruptuar në kontinent që shton shpenzimet e luksit dhe aferat korruptive në këto kohë krizash. Shporrja e kësaj bande të korruptuar dhe të inkriminuar është e vetmja rrugë për t’u ndarë pergjithmonë me korrupsionin galopant, varfërinë në rritje dhe përjashtimin social të shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Është koha për të mbështetur familjet shqiptare dhe jo për t’i zhvatur ato, me para që përfundojnë për inceneratorët, koncensionet dhe tenderat sekretë.

Zjarr Tv Ad