Ja pse bien tërmetet në Shqipëri

0
30

Zona e bregdetit shqiptar, ajo Leskovik-Korçë-Pogradec dhe zona e Lushnje-Elbasan-Peshkopi janë më të rrezikuara nga tërmetet në Shqipëri.

Sizmiologu Ervin Kasaj, pas lëkundjeve të tokës një ditë më parë, analizon se në vendin tonë gjithsesi nuk është përjetuar një tërmet i madh, pasi i fundit i këtyre përmasave ka ndodhur më 15 prill 1979 në Shkodër.

Sizmiologu shqiptar në Lajpcig të Gjermanisë, Ervin Kasaj, thotë në një analizë se në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 43-të për rrezikshmërinë nga tërmetet.

Në hartën globale të rrezikut, Shqipëria ndodhet në zonën e kuqe, duke e klasifikuar në mesin e vendeve me risk më të lartë nga tërmetet. Nga dëshmitë që zotërohen deri më sot, rezulton që qysh prej shekullit II para Krishtit deri në ditët tona, Shqipëria është goditur prej 55 tërmetesh të fortë me intensitet deri në 8 ballë.

Sipas sizmiologut Kasaj, ekspertët kanë përgatitur hartat sizmike, duke evidentuar zonat më të rrezikshme të tërmeteve, e për t’u treguar ekspertëve të ndërtimit, se duhen marrë masa konstruktive për bërjen ballë të këtyre fenomeneve natyrore. Shqipëria bën pjesë në brezin alpino-mesdhetar. Zonat më të rrezikuara janë, pikësëpari, ajo e bregdetit shqiptar, zona e dytë që paraqet rrezikshmëri është zona e Leskovik-Korçë-Pogradec, ndërsa zona e tretë mbahet si zona e Lushnje-Elbasan-Peshkopi.

Një shpërndarje e tillë duket se ka të bëjë me ndërtimin gjeologjik dhe tektonik të territorit tonë. Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7 ballë, një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 ballë dhe një herë në 100 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4 ballë.

Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë-Ulqin. “Shumë njerëz në Shqipëri nuk e kanë përjetuar një tërmet të madh, pasi i fundit i këtyre përmasave ka ndodhur më 15 prill 1979 në Shkodër, shprehet sizmiologu Kasaj.