Jurgen Klopp sqaron pse nuk po luan Xherdan Shaqiri

0
12

Edhe në Ligën e Kampionëve, trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp nuk kishte një vend të rezervuar për Xherdan Shaqirin. Trajneri gjerman nuk dëshiron të flasë për këtë situatë, por se e ka pranuar që është i lumtur që e ka mesfushorin nga Kosova në skuadrën e tij.

Liverpooli zhvilloi mbrëmë çerekfinalen e dytë kundër Portos në Ligën e Kampionëve në “Estadio do Drago”, ku fitoi me rezultat 4:1 për t’u kualifikuar tutje.

Ndërkaq, Klopp kishte bërë rotacion në formacion, ku kishte pushuar Naby Keita, Jordan Henderson dhe Roberto Firminon. Pavarsisht kësaj, Klopp nuk vendosi të startojë me Shaqirin, madje nuk e inkuadroi gjilanasin as nga pjesa e dytë. Por, pas ndeshjes, mediumi zviceran “SRF” e kishte pyetur Kloppin se pse Shaqiri nuk është duke luajtur mjaftueshëm.

“Jo, jo, gjithçka është në rregull”, tha ‘timonieri’ i Liverpoolit.

“Si trajner, nuk dua të flas për këtë, por asgjë nuk ka ndodhur mes nesh. Ne kemi lojtarë cilësor këtu”, vlerësoi trajneri gjerman.

Që prej mesit të muajit shkurt, 27-vjeçari nuk ka startuar, duke luajtur pak minuta në disa ndeshje vetëm nga pjesa e dytë.

Por, Klopp është tejet i lumtur që e ka Shaqirin në skuadër.

“Shaqiri ka pasur disa probleme me lëndimet, por tani ai është në top-formë. Ai na ka ndihmuar shumë neve dhe ne do ta ndihmojmë, gjithashtu. Jam i kënaqur që e kam atë në skuadër”, tha Jurgen Klopp në mes të tjerash.