Kosova, taksa shtesë për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës

0
16
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Dogana e Kosovës ka filluar aplikimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, për vënien e taksës prej 10 për qind në import të produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Dogana ka filluar implementimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, për produktet të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina,”-ka thënë Stavileci.

Sipas tij, volumi i mallrave të importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është me vlera milionësh brenda vitit.

“Duhet ta kemi parasysh se ka volum të madh të importit nga Serbia, pasi brenda një viti importojmë rreth 400 milionë euro vlerë të produkteve. Derisa nga Bosnja e Hercegovina kemi importe të mallrave në vlerë prej rreth 80 milionë euro brenda një viti,”-tha zëdhënësi Adriatik Stavileci.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, ka thënë se vendimi synon mbrojtjen e prodhimeve vendore.

“Qeveria ka miratuar vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Masa mbrojtëse nënkupton taksën prej dhjetë për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Republikën e Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën. Përjashtim nga kjo masë do të bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende,”-është thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit Ramush Haradinaj të martën.

Vendimin e Qeverisë për vënien e taksës prej 10 për qind në import të produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e kanë mbështetur të gjitha asociacionet e bizneseve në vend, vetëm se ka pas dyshime sesa gjatë do t’i qëndrohet këtij vendimi.

 

Zjarr Tv Ad