Ishte objektivi më I madh në merkato dhe Inter ia doli ta realizojë me sukses, duke mundur në garën e fortë rivalët e përjetshëm të Juventusit. Romelu Lukaku zbriti mbrëmjen e së mërkurës në “Malpensa” dhe shijoi menjëherë pritjen e ngrohtë të tifozëve zikaltër. Qindra prej tyre u grumbulluan në aeroport, duke konfirmuar pritshmëritë e mëdha që kanë në drejtim të sulmuesit belg.
Romelu Lukaku është sulmuesi i kërkuar me ngulm nga Antonio Conte dhe klubi interist ia realizoi dëshirën teknikut duke paguar kartonin e tij te Manchester United për 65 milion euro plus 10 milion euro në formë bunusi. Shifra të rëndësishme, ashtu si edhe ato që do të lidhin futbollistin 26-vjeçar me ngjyrat zikaltër. Lukaku kaloi me sukses testet mjekësore gjatë mëngjesit të së enjtes dhe do të firmosë një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të fitojë 7.5 milion euro në sezon.