“Me Bashën kam miqësi, por…”/ Bardhi flet për bisedimet brenda PD-së për zgjedhjet lokale.Ja si mundet Edi Rama

0
51
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Teksa vijojnë bisedimet brenda Partisë Demokratike për të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet e ardhshme lokale, deputeti Gazment Bardhi ka mohuar se në vendimmarrjet e grupit parlamentar ka pasur ndikim ish-kryetari Lulzim Basha.

Në një intervistë për emisionin “Pa censurë”, Bardhi tregoi se ka miqësi të mirë me Bashën, por kjo nuk ka ndikuar tek vendimet e tij politike.
Deputeti demokrat tha se Basha nuk ka qenë as në mbledhjet e grupit parlamentar, kur janë bërë diskutimet për aksionin opozitar.

Pyetje: Është një përceptim i drejtë apo i gabuar që ju jeni një bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Basha?

Bardhi: Unë jam bashkëpunëtor me secilin prej kolegëve brenda PD. Nuk mohoj dhe nuk do ta mohoj kurrë, sepse nuk do të ishte normale as nga pikëpamja ligjore, jo më politike, që unë kam një miqësi me zotin Basha. Nuk do ta mohoj kurrë këtë. Nuk bëj pjesë në kategorinë e njerëzve që, kur dikush është mirë dhe është në majë, duhet t‘i qendrojë afër dhe të dalë krah tij në tv për të dhënë perceptimin që jam afër liderit, ndërsa kur ai nuk është më në krye të partisë, t‘i kthej kurrizin dhe të bëj sikur nuk e njoh. Nëse këtë e bëj me një bashkëpunëtor brenda partisë, këtë model do të ndiqja me qytetarët. Kjo as ka ndodhur, as ka për të ndodhur. Unë kam miqësi me zotin Basha dhe nuk kam asnjë problem ta pohoj diçka të tillë.

Pyetje: A i ndikon zoti Basha vendimet tuaja?

Gazment Bardhi: Ju garantoj nuk e ka bërë as kur ka qenë kryetar partie. Kam patur lirinë të them atë qe mendoj dhe besoj. Ka qenë një marrëveshje që ditën e parë, kur pranova funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD. Zotit Basha i kam thënë gjithmonë atë që mendoj dhe besoj.

Pyetje: Pra, ju tani nuk veproni në emër apo për llogari të zotit Basha?

Bardhi: Kurrësesi! Zoti Basha është tërhequr nga drejtimi i PD. Nuk ka marrë pjesë në asnjë prej mbledhje të grupit. Çdo vendim politik timin apo të gjithë kolegëve ne e kemi diskutuar vetëm në grupin parlamentar. As nuk jam konsultuar ndonjëherë se çfarë do të them apo çfarë qendrim do të mbaj dhe as kam për ta bërë. Sikundër, edhe zoti Basha nuk është konsultuar dhe nuk konsultohet me mua për qendrimet e veta politike që mban këtë periudhë. Nuk ka asnjë arsye pse ta bëjë një gjë të tillë.

Përsa i përket bisedimeve me grupin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Bardhi tha se këtu nuk duhet të lejohet që ndasitë personale të ndikojnë në frymën e bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme.

Duke u ndalur tek problemi i njohjes së statutit të PD-së, Bardhi tha se kjo është një çështje që momentalisht duhet lënë mënjëanë, dhe duhet të fokusohen në mënyrën se si të fitojnë përballë kryeministrit Edi Rama në zgjedhje.

Pyetje: Zoti Berisha nuk heq dorë nga primaret, ju nuk hiqni dorë nga padia. Çfarë negociatash janë këto?

Bardhi: E kam thënë më parë, edhe zoti Berisha e tha, që ne hyjmë në këto negociata pa kushte. Nëse do të vendosim kushte dhe do të qëndrojmë peng i konflikteve apo debateve, mendimeve të ndryshme që kemi patur gjatë këtij viti, e sigurt është që nuk do të gjejmë dot një rrugë që na bashkon, një rrugë që na siguron bashkëpunim të sinqertë të demokratëve në njësitë vendore për të qenë konkurrues dhe për të fituar zgjedhjet. Zoti Berisha nuk ka vendosur kushte, nuk ka pranuar kushte, mesa ka pohuar publikisht. E njëjtë ka qenë edhe qasja jonë, nuk vendosim dhe nuk pranojmë kushte. E rëndësishme në këtë proces është që bisedimet të jenë të sinqerta, të kenë si qëllim vetëm mundësinë që demokratët të fitojnë zgjedhjet lokale, pa e ngatërruar me çështje të tjera që na ndajnë prej kohësh. Nuk ka ndodhur asgjë që secila palë të ndryshojë qëndrim për çështje të caktuara.

Pyetje: Retorikën tuaj e kuptoj, edhe atë të zotit Berisha, por realiteti është ndryshe. PD e zotit Berisha ka një statut të vetin. Ju keni një statut tuajin. Atëherë a nuk janë të dështuara negociatat ende pa nisur? Ju nuk hiqni dorë nga statutet përkatëse.

Bardhi: Ne nuk do të negociojmë mbi baza statuti, por mbi mundësinë sesi demokratët në bazë të bëhen bashkë për të mundur Edi Ramën. Ky nuk është një rregull i shkruar në statut.

Pyetje: Por pala tjetër ka primare në statut.

Bardhi: Edhe pala tjetër ka Këshill Kombëtar, kryesi. Këto çështje nuk i kemi zgjidhur për një vit. Do të qëndrojmë peng i këtij debati apo do t’i japim zgjidhje demokratëve që ata të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën. Mendoj se interesi i PD dhe i demokratëve nuk është se cili është statuti në fuqi. Edi Rama nuk mundet me statut, por me bashkim të çdo zëri opozitar, kudo që të jetë pozicionuar ai dhe cilido qoftë statuti që ai njeh. Nëse ne qëndrojmë peng se cili është statuti, cilat janë organet e partisë ne qendër, si zgjidhen, e sigurt është që këto bisedime do të dështojnë. Unë nuk hyj me këtë paragjykim. Kam kuptuar që edhe kolegët e tjerë nuk hyjnë me paragjykim, por për hallin tonë të përbashkët, si mundet Edi Rama. Pastaj, hallet personale të secilit prej nesh nuk kanë asnjë rëndësi për demokratët që duan të shohin fituese PD në zgjedhjet lokale. Hyj në këto bisedime me këtë qëllim, me këtë mision. Uroj shumë që edhe kolegët të hyjnë me këtë qëllim, me ketë mision.

Përsa i përket angazhimit të Sali Berishës, Bardhi tha se ai ka përdorur retorikë boshe.

Bardhi: Nuk do të na shikoni duke bërë rivalitet strukturash, sepse kjo e dëmton PD. Kemi bërë përpjekje që PD të mos përçahet. Nuk i kemi fryrë zjarrit të përçarjes. Kemi qenë gjatë gjithë kohës nën sulmin dhe baltën e padrejtë të shpifjes të një pjese të kolegëve. Nuk kemi nxitur asnjëherë gjuhën e urrejtjes dhe fyerjes mes demokratëve. Kemi qenë pjesë e aksionit opozitar. Mund të mos kemi qenë pjesë e retorikës boshe që vetëm bërtet dhe nuk ofron asgjë, por në fakt grupi parlamentar i PD ka qenë i foksuar në beteja në interestë qytetarëve. Ne themi ka një problem të madh me çmimin e naftës, e thonë të dy pjesët brenda PD, por grupi ynë bën një akt konkret. Ka një bord të ngritur me 3-4 oligarkë që bëjnë sikur kontrollojnë çmimin, por sigurojnë fitime të majme për vete. Kemi kërkuar shfuqizimin e bordit në Gjykatën Kushtetuese. Mund të bërtasim jemi kundër oligarkëve, por të rrimë gjithë ditën me ta, mund të bëjmë sikur bëjmë betejë për uljen e çmimit të naftës për të përfituar poiltikisht, por nuk bëjmë asnjë hap për të marrë vendime që i japin zgjidhje problemit.

Pyetje: Gjykoni se opozita e zotit Berisha ka më shumë retorikë sesa aksion opozitar?

Bardhi: Ne kemi qenë të hapur për të bashkëpunuar për këto çështje. Ne kërkuam hetim parlamentar për investimet strategjike dhe denoncimin për aferat që po bëhen me statusin e investitorit strategjik. U bëmë thirrje të sinqertë kolegëve që përkahin zotin Berisha, që të ishin krah kësaj nisme dhe jemi refuzuar.

Pyetje: Teza e PD e zotit Berisha është se ju jeni një opozitë fake, ndësa ata janë një opozitë e vërtetë.

Bardhi: Këtë e tregojnë aktet. Të jesh fake dmth të dalësh dhe të kundërshtosh rritjen e çmimit të naftës dhe të mos kesh guxim të përmendësh 3 oligarkët që janë pjesë e Bordit që përcakton çmimin e naftës. Nëse thua që po bëhet nami me kullat në Tiranë, por kur kulla ndërtohen nga oligarkë që njihen prej një pjese të kolegëve, ti nuk ke guximin t’i denoncosh, dmth që ti je thjesht në retorikë dhe nuk je i vërtetë. Megjthatë nuk e ndaj kurrë opozitën në „këta janë fake dhe ne jemi të vërtetë“, sepse aktet janë aty, ngelen.

Zjarr Tv Ad