Meta i jep titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’ ambasadores kroate

0
2

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ambasadoren e Republikës së Kroacisë, Sanja Bujas-Juraga, gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit.

Titulli i lartë ka motivacionin:“Për veprimtarinë e spikatur diplomatike dhe kontributin thelbësor në funksion të marrëdhënieve të shkëlqyera, tashmë të një partneriteti strategjik, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, në pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore e historike ndërmjet dy popujve tanë, si dhe për mbështetjen e çmuar ndaj procesit të integrimit evropian të vendit tonë.”

Presidenti Meta vlerësoi rolin e ambasadores.

Ilir Meta: Gjatë mandatit të saj si Ambasadore këtu, ajo u dallua për veprimtarinëdinamike diplomatike dhe kontributin e vyer në përparimin e përgjithshëm dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Dëshmi e qartë është nënshkrimi i Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, që do t’ijapë një përmbajtje më të fortë bashkëpunimit tonë në të ardhmen. Ne i jemi mirënjohës Kroacisë dhe Ambasadores Juraga për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të sinqertë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për t’u përmendur gjithashtu se vëmendja jonë ndaj Arbanasve të Zarës u rrit si kurrë më parë.”

Nga ana e saj ambasadorja kroate, Sanja Bujas-Juraga, vleresoi: Shqipëria është në një moment kyç dhe pret çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe dua t’ju siguroj se Kroacia do të jetë një partner i fuqishëm dhe i besueshëm, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen kur negociatat të hapen dhe ne do të ofrojmë me kënaqësi ekspertizën tonë më të mirë”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, familjarëve dhe personalitete të fushave të ndryshme.