Misionarja e bamirësisë, portreti familjar i Shenjte Terezës.

0
53
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Me rastin e 25-vjetorit të kalimit në amshim të Shenjtes Nënë Terezë, Drejtoria e Arkivit në Maqedoninë e Veriut në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), paraqitën ekspozitën e titulluar “Misionarja e bamirësisë”.

Në këtë aktivitet, të zhvilluar në orën 14:00, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar (MHK), qenë të pranishëm zëvendësdrejtori i Arkivit fqinj, Muzafer Bislimi, kreu i DPA-së, Ardit Bido, drejtuesi i MHK-së, Dorian Koçi, si edhe qytetarë të shumtë të interesuar. Fjala hapësë u mbajt nga Koçi, i cili vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe nënvizoi se kjo ekspozitë ka karakter përplotësues, pasi sjell aspekte të rëndësishme mbi Nënë Terezën dhe mbi aktivitetin e saj.

Në fjalën e tij, Bislimi iu referua dokumenteve të ekspozuara për herë të parë për publikun, të cilat iu dhuran DPA-së në format CD, në shenjë vlerësimi të ndërveprimit dhe të një premise të mëtejshme bashkëpunimi. “Paraqiten dëftesa nga koha kur Nënë Tereza ishte gjimnaziste në Shkup. Dokumenti më i rëndësishëm i përket vitit 1931, kur në regjistrimin e popullsisë, familja Bojaxhiu njihet për origjinën shqiptare, gjuhën amtare dhe për përkatësinë në fenë katolike.”- u shpreh Bislimi.

Në daljen e tij për mediat, Bido e cilësoi si përbashkuese figurën e Nënë Terëzës, duke sjellë në vëmendje edhe tri dorëshkrimet e rralla të saj, të bëra publike dy vjet më parë, pas evidentimit të kryer nga DPA-ja gjatë procesit të përpunimit të fondit të Ramiz Alisë. “Është një figurë shumëdimesionale. Në këtë ekspozitë, ku kemi kontribuar me disa dokumente dhe foto, rrëfehet një panoramë e jetës së saj. Nënë Tereza ishte individ përbashkues. Është evidentuese e bashkimit tonë kombëtar. Nuk e mohoi, por e përmendte se ishte shqiptare. Pasazhi në shqip në dorëshkrimet e saj është domethenës. Aty shkruan për besëdhënie, që është karakteristikë e identitetit dhe e krenarisë tonë kombëtare. Po ashtu, shkruan për përçimin e dashurisë në botë, duke marrë kështu përmasa universale.”- tha Bido.

Ekspozita e përgatitur me materiale dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë jetësore të humanistes shqiptare, shpalos të dhëna me rëndësi arkivore rreth familjes Bojaxhiu, fotografi, dokumente e materiale administrative të qytetit të Shkupit për Nënë Terezën. Mbajtja e kësaj ekspozite përkoi edhe me 6-vjetorin e kanonizimit të Nënë Terezës në kalendarin apostolik.

Aktiviteti u përmbyll me shfaqjen e një materiali filmik mbi vizitën e parë në Shkup të Nobelistes së Paqes në vitin 1978. Në radhët e vizitorëve u bënë pjesë edhe një grup fëmijësh të kopshtit “Nënë Tereza”.

Për të përftuar më tepër infomacion lidhur me veprimtarinë apo nismat e ndërmarra dhe të jetësuara nga DPA-ja, vizitoni faqen tonë zyrtare www.arkiva.gov.al.

Zjarr Tv Ad