Murrizi dhe Valteri kallëzojnë në SPAK, tenderin për uniformat e policisë

0
44

Deputetët e opozitës parlamentare Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kanë kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë.

Në një prononcim për mediat, Murrizi deklaroi se ky tender i është dhënë një kompanie gërmimesh, e cila nuk ka lidhje me rrobaqepësinë.

“Sipas deklaratës time në seancën e ditës së mërkurë, për tenderin e folur të uniformave të Policisë së shtetit, i hapur si ofertë që vitin e kaluar, me katër faza për këta vite, i reduktuar në artikuj, rreth 239 mijë artikuj më pak dhe ka ruajtur të njëjtën vlerë. I parë nga ana jonë dhe nga dashamirës të cilat na kanë informuar me informacione dhe dokumentet përkatëse,  erdhëm t’i drejtohem SPAK-ut ta marrë në hetim si çështje dhe të shikojmë nëse është e vërtetë çka kam artikulua unë në parlament apo jo”, tha Murrizi.

Më tej ai tha se kanë mbledhur fakte për këtë shoqëri dhe presin që SPAK-të hetojë për të zbuluar aferat korruptive.

“Patjetër janë të gjitha detajimet, kartat teknologjike, detajet shpallja e parë  për katër vite, numri i artikujve 762  mije, ulja drastike e numrit të artikujve dhe ruajtja e së njëjtës vlerë. Pra, të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që ka komisioni i blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Ka personazhe konkrete sepse Komisioni i Blerjeve të Brendshme ka kryetar, ka anëtar, janë 5 anëtarë. Por besoj se SPAK-u po të hetojë do të gjejë një lidhje të çuditshme dhe interesante me këtë subjekt, që ka objekt të veprimtarisë gremina dheu dhe për çudi në shtetin shqiptar merr tenderët e Ministrisë së Mbrojtjes, tenderat e drejtorisë së Burgjeve dhe së fundmi tenderin e Ministrisë së Brendshme. Vetëm në këtë tender diferenca midis laçimit të parë 706 mijë artikuj dhe heqjes 230 mijë artikuj më pak, është afër 4-5 milion euro. Ftoj SPAK-u që të hetojë me vëmendje aferat dhe lidhjet pse kjo firmë që nuk ka rrobaqepësi, ka objekt gërmime dheu dhe shoqëri tregtare, sfidon një firmë turke, një firmë kroate që kanë enkas rrobaqepësi dhe janë të specializuara për uniformat. Nuk e di. Është një hamendim i imi, por drejtësia besoj do të zbardhi nëse nuk është me karamele në fyt, nëse nuk është e kapur”, përfundoi Myslym Murrizi.