OFL dërgon 243 kërkesa për sekuestro: SPAK pranon 102 pasuri, kthen 80 si të paligjshme

0
19

Në 5 muaj punë nga nisja e operacionit Forca e Ligjit, policia e shtetit ka dërguar në SPAK sekuestrimin e 243 pasurive, ku 102 prej tyre janë pranuar, ndërsa 80 të tjera konsiderohen si në kundërshtim me aktin normativ. Sipas drekuesit të SPAK, Arben Kraja, në qershor u dërguan për konfiskim 25 pasuri të dyshuara se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Policia e Shtetit në 5 muaj punë nga nisja e operacionit Forca e Ligjit, ka dërguar në SPAK 92 raste sekuestroje për 243 pasuri, të cilat janë përkatësisht 137 automjete dhe 106 janë pasuri të paluajtshme (truall dhe objekte). Nga këto pasuri janë pranuar vetëm 102 prej tyre duke u cilësuar si sekuestro të ligjshme, ndërsa për 80 të tjera SPAK ka refuzuar duke i quajtur sekuestro në kundërshtim me aktin normativ. Vetëm gjatë muajit të shkuar, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 25 kërkesa konfiskimi. ”Janë paraqitur 25 kërkesa për konfiskim nga ana jonë në gjykatë për 37 pasuri, nga të cilat 8 pasuri janë të paluajtshme, dhe pjesa tjetër janë pasuri të luajtshme, pra automjete.” Për pasuritë e cilësuara si sekuestro në kundërshtim me aktin normativ, SPAK i ka kthyer materialet policisë së shtetit, ndërsa shprehet që për kërkesat e tjera vijon shqyrtimi. Nga ana e policisë së shtetit vijon dërgimi i formularëve të vetë-deklarimit të pasurisë, ku që nga nisja e procesit janë dërguar 189 të tillë. Në disa raste formulari është refuzuar të plotësohet nga subjektet pasi sipas tyre nuk janë subjekt i ligjit.