Pas SHBA-së, edhe BE presion Pekinit

0
22
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas bisedimeve të javës së kaluar midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, të martën ishte radha e Bashkimit Europian për të shtuar presionin ndaj Pekinit. Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker ranë dakord me kryeministrin kinez Li Keqiang për një marrëdhënie më reciproke tregtare, ndërsa të dy palët po përpiqen të nënshkruajnë një traktat investimesh brenda vitit 2020. Kryeministri kinez Li Keqiang u zotua për një trajtim të barabartë të të kompanive perëndimore dhe u shpreh gati për të trajtuar çështjen e subvencioneve shtetërore. Ai shtoi se Pekini po ndjek të njëjtën qasje edhe në negociatat me Shtetet e Bashkuara.

Duke e quajtur rezultatin e takimit një ‘arritje të madhe’, kryetari i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, mirëpriti faktin se Kina kishte rënë dakord për reforma sipas standardeve të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe çështjen e subvencioneve. Konferenca e shtypit në dukje e qetë, u parapri nga tensione mes delegacioneve, pasi pala europiane kërcënoi të tërhiqej nga bisedimet nëse Kina nuk jepte garanci konkrete për reformat transformuese në një ekonomi tregu dhe kohën për përmbushjen e zotimeve.

Përveç kësaj në Bruksel po ndiqet me vëmendje edhe takimi i radhës i kryeministrit kinez Li me krerët e vendeve të Europës Qendrore e Lindore, mes tyre dhe Shqipëria, që do të zhvillohet në Dubrovnik të Kroacisë.

Brenda këtij mekanizmi bashkëpunimi ka gjithashtu probleme, ku për shembull në Poloni, disa prej investimeve nuk kanë shkuar siç duhet.  Europa druhet se përveç Rusisë, do të duhet të kundërveprojë edhe ndaj ndikimit të Kinës në rajon, sidomos pasi Italia u bë i pari vend i G7-s që iu bashkua nismës “Një Brez, një Rrugë.”

Një tjetër çështje është marrëdhënie e vendeve të BE-së me kompaninë e telekomunikacionit Huawei. Uashingtoni kërkon që BE-ja ta ndalojë firmën e teknologjisë.

 

Zjarr Tv Ad