“Pedagogët konsiderohen nga Qeveria si birbo e si leshko”- Gjekmarkaj: Universiteti në krizë ekzistencialiste, pagat kanë mbetur si në kohën e Fatos Nanos! Kanë bërë qoftore dhe suxhuktore me…

0
45
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka akuzuar Qeverinë Rama se i ka lënë në harresë Universitetet Publike, ndërkohë që ato sot përballen me krizë ekzistencialiste në aspektin ekonomik.

Në një kohë që pedagogët kanë dalë sot në protestë, Agron Gjekmarkaj nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se pagat profesoratit kanë mbetur si në kohën e Fatos Nanos.

Fjala e plotë e Agron Gjekmarkajt

Njeriu, aq sa di, mundet. Të vërtetën e kësaj fjale të Bekonit e forcon edhe fakti, që ndër disa gjuhë – si në evreishtën, po e zamë – me një fjalë të vetme, shprehet ideja “me mund” dhe ideja “me ditë”, sepse fuqia shkon mbas dijes”-, kumtonte një nga mësuesit themelues të shkollave shqipe, Gjergj Fishta, në Parlamentin e viteve ’20, në një rrekje për t’i bindur kolegët për rëndësinë që kishte shkolla, dija, mësuesi, pedagogu në jetën e një kombi.

Janë një sërë rrethanash politike, ,ekonomike dhe sociologjike prej të cilave arsimi shqiptar e sidomos ai universitar, është goditur në thelbin e ekzistencës së vet, në seriozitet e kredibilitet, dekadë pas dekade, pushtet pas pushteti.

Të shumta kanë qenë ndërhyrjet ligjore, strategjitë, tubimet, premtimet, buja dhe zhurma, tabelat dhe shifrat, të cilat më së shumti kanë synuar ikjen nga e vërteta.

Sot Universiteti shqiptar gjendet në një krizë ekzistenciale si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në atë akademik. Imazhi i ndryshimit të saj është reduktuar për shumë kohë shqyerjen e një derë, rrëzimin e një muri, shkuljen e ca pemëve, tkurrjen e një oborri për të bërë mejhane, qoftore, suxhuktore e akçihane, me emra kumbues.

Ndokush edhe ka bërë para me fondet, me ambientet, me projektet, por masa e pedagogëve shqiptarë ka mbetur thellësisht e varfër dhe e dekurajuar. Pedagogut i mungojnë të ardhurat për të realizuar mbijetesën njerëzore të tij, për të blerë libra të rinj, për të ndjekur aktivitete shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare (një pedagogu te Universitetit të Tiranës i lejohet të aplikojë vetëm një herë në dy vjet për të subvencionuar një konferencë jashtë. Nga këto me së shumti mund të paguhet një honorar qesharak dhe zakonisht nuk mbulohet udhëtimi dhe strehimi me indekset reale të vendit ku do të shojë. Artikujt me scopus nuk subvencionohen.).

Të gjendur në këtë situatë, mbijetesa i shtyn disa prej tyre drejt punëve dytësore e terciare, dhe kjo energji e kohë rëndon mbi profesionin dhe mbi mbi dijen.

Ne shpesh flasim për konceptin e elitave në një shoqëri, por jemi hipokritë. E përdorim atë fjalë si çamçakëzin për të larguar duhmën e erës së keqe nga goja, pasojë e një stomaku që nuk bluan mirë, ose tërheq  më shumë se kapaciteti.

Zor të jetë kush më afër këtij elitarimi, sesa profesorati ynë. Nga njohja ime modeste e politikës shqiptare them se asaj nuk i intereson që kjo trupë intelektuale të jetë e fortë, e pavarur ekonomikisht, e zëshme. Ajo duhet të jetë nën presion e diktat.

Relativizimi i mësimdhënësit, i pedagogut i hap rrugën të fortit, matrahulit, atij që padijen e ka imunitet, aleat, mburojë dhe pafytyrësi dhe që si rekuizitë ka servilizmin e hipokrizinë. Madje edhe kur ndodh, që për imazh reformimi, ndokush nga kjo fashë shoqërore rekrutohet në politikë, u ndodh si inxhinierëve të diplomuar në Evropë, në një fabrikë të viteve ’70, të cilëve Enver Hoxha u tha: “Merrni shembull nga usta Qerimi se si bëhet shkenca jonë socialiste e popullore.”

Atij, si në vitet ’40, në gjyqet komuniste, i vihet përballë besniku i liderit, që i nxjerr sytë në emër të bazës, terrenit, urtësisë së tabanit përballë dënglave të librit. Kësisoj, profesorati e përbuz politikën dhe si rrjedhojë, politika në vetvete bëhet më e shëmtuar dhe e dëmshme. Ajo mbetet pa pasqyrë.

Në politikën tonë janë përfshirë pedagogë  me poste të larta vendimarrëse të cilët kanë harruar që kanë qenë të tillë. Ndoca e kanë tradhtuar universitetin dhe kolegët e një kohe; ca të tjerë janë pasuruar nga mexhidet e rryshfetit dhe fëmijët e tyre nuk ua kanë besuar një shkolle shqiptare, e cila më shume prodhon kartona, se vende pune. Ata, të vetët i strehuan në kolegjet e Amerikës, Evropës e ku e kanë gjykuar më mirë e më ëmbël.

Ata e shohin universitetin dhe dijen si armiq, sepse u intereson dekulturimi i shoqërisë si mundësi më e madhe që propaganda të zërë vend dhe kulti tribal i liderit të duket mbi kodër si mullar.

Sot bie në sy me shqetësim  shpërfillja e autonomisë universitare në vendimmarrjen qeveritare për çështje që i takojnë arsimit të lartë, vizionit për të, hartimit të ligjeve, akteve ligjore e nënligjore, të cilat shpesh bien ne kundërshtim me vetë ligjin për arsimin e lartë.  Po kaq edhe me thelbin e autonomisë universitare etj.

Shpërfillja e ekspertizës universitare, gjithashtu, nga ana e shtetit për shërbime të natyrës studimore e kërkimore, të cilat do të duhej t’i zhvillonin universitetet dhe jo grupe anonime të caktuara nga burokracia shtetërore me procedura aspak transparente ulëret dhe thërret me piskamë: “Pse, o pushtet,   zgjedh dudumin apo pse dija, kanga, historia, thirren dokrra kah Shqipnija?”.

Mungesa e mbështetjes serioze të kërkimit shkencor – si në kërkim, ashtu dhe në mobilitete e pjesëmarrje në botime dhe konferenca ndërkombëtare  shfaqet si fytyra e Gynplanit, njeriut që qesh të Viktor Hygosë.

Prej shumë motesh,  kërkimi shkencor nuk kuptohet si angazhimi më i lartë intelektual në dobi të dijes e të shoqërisë, nuk vlerësohet si procesi më intensiv e thellues në zotërimin e njohurive dhe aplikimin krijues të tyre, por shihet me mendjelehtësinë më të madhe nga burokratët vendimmarrës.

Ai gjykohet si “kohë e lirë” e pedagogut, si “qejf e trill” kalimtar, e si pasojë mbetet ose i papaguar ose i paguar në mënyrën më qesharake të mundshme, e për më tepër edhe i taksueshëm me taksën famëkeqe të 23%, duke e shndërruar shpërblimin e punës kërkimore-shkencore në tallje shkurajuese e depersonalizuese.

Shakaxhinjtë e perfarimit kësisoj ndërtojnë fizionominë e vet publike të patrazuar.

-Një pedagogu i duhet më së shumti ta paguajë vetë udhëtimin, qëndrimin dhe pjesëmarrjen në një konferencë shkencore e të shpenzojë jo me pak se 1000 euro për një konference 3-ditore në një vend të BE-së, shifër kjo që e tejkalon ku e ku rrogën mesatare të një pedagogu sot në Shqipëri.

– Profesorati shqiptar është lënë në mëshirë të fatit, ai është thjesht i varfër, me rroga mujore të paindeksuara as edhe një qindarkë që prej kohës “arkeologjike” të Fatos Nanos. Rroga e tij është shumë afër asaj të një mësuesi të thjeshtë.

Çdo kërkesë e universiteteve ka hasur në përbuzjen dhe ndoshta edhe urrejtjen patologjike për lirinë e botës universitare si hapësira e fundit e mendimit të lirë në këtë vend.

Pedagogët janë konsideruar si birbo, si leshko që  kërkojnë qiqra në hell, kur vatani ka maraze.

Të varfërosh profesoratin, do të thotë ta flakësh elitën e inteligjencies në luftën e përditshme të mbijetesës e të fashisësh çdo potencial njerëzor, kërkimor, profesional në dobi të individit e të shoqërisë.

– Kampusi universitar ka mbetur një ëndërr në sirtaret e premtimeve elektorale.

– Në përgjithësi regjistrimet kanë pësuar rënie.

Le të bëjmë një krahasim për rrogat neto në universitetet e Kosovës dhe të Shqipërisë:

Kosovë, Shqipëri

Profesori i rregullt i Kosoves 1400 Euro, ndërsa ​​Profesor doktori i Tiranës – 950 mijë

lekë në muaj.

Profesori i asociuar i Prishtinës 1290  Euro , Profesor i asociuar i  Shqipërisë 850

mijë lekë.

Doktori i shkencave andej 900 euro, këtej 750 mijë lekë.

Unë e kam të vështirë të bëj akuza kur nuk kam mundësinë e plotë t’i vërtetoj ato, por në Shqipëri ka një perceptim për korrupsionin. Në shtëpitë e këtij vendi, në tryeza dhe ambiente me debate darke flitet për të, me emra me shifra, me prona dhe me offshore. Ndoshta vetëm gjysma e tyre janë të vërteta. Por jam i sigurtë që gjysma e gjysmës, nëse do t’u hiqej nga dora agresorëve të pronës dhe parasë publike në 32 vite, universiteti shqiptar, studenti dhe pedagogu  do të  ishin të kuotuar e të integruar në BE, dinjitoz në dije e punë në vendin e tyre.

Studentët po ikin, një pjesë për të studiuar jashtë e nuk kthehen, një pjesë sapo mbarojnë studimet këtu të gatshëm për çdo punë si emigrant.

Shumë degë mbyllen. Arsimi kërkon një pakt kombëtar, kërkon kontributin e gjithsecilit në ketë sallë që rrogat e profesoratit të rriten, por të deputetëve pedagogë shumë më tepër. “Transformimi i shtetasve në qytetarë është një mrekulli që vetëm dija dhe shkolla mund ta kryejnë” nëse kjo na intereson. Pedagogët kanë paralajmeruar grevë ! Janë në të drejtën e tyre sublime ta bëjnë atë, sepse kur arsyeja humbet para forcës kërkohet forcë që arsyeja të rikthehet. PD, duke ju kërkuar falje për çfarë ka bërë keq e çfarë s’e ka bërë  hiç ju lyp atyre ndjesë dhe i mbështet pa ndoshta e sikur.

“Rilindja” që na qeveris i ka qejf postulatet si nyja të ligjërimit publik!

Ndonëse e pakërkuar, po jua ofroj unë një “Çfarë ka qenë shkolla këto vite është Shqipëria sot në çdo gjë të vetën në vese e virtyte dhe çfarë është shkolla sot do të jetë Shqipëria nesër”.

Dhe së fundmi një kërkesë për ministren Margariti. Pak ditë më parë kam takuar dy artistë, çiftin  Shundi. Ata kanë ndërtuar një teatër në shtëpinë e tyre të quajtur “Bujtina e Zonjës”, një margaritar i zhanrit, një risi që duhet mbështetur në mënyrë që të tillë të ketë më shumë në Tiranë në Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Fier. Dhe nëse duhen ndryshime ligjore që t’u hiqen taksat apo për subvencionim, qoftë edhe modest nga shteti, mos hezitoni. “Ligjet tona” nuk na penguan për të shembur kisha e xhami e s’ka arsye të na pengojnë për të ndërtuar teatro, se në fund të fundit  “teatri nuk është asgjë tjetër veçse përpjekja e dëshpëruar e njeriut për t’i dhënë një kuptim jetës së tij”.

Zjarr Tv Ad