Platforma/ Rama-qytetarëve: Na ndihmoni të gjejmë grabitqarët

0
24
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në takimin e përjavshëm të kryeministrit, Edi Rama me qytetarët në kuadër të programit “Shqipëria që duam”  tha se platforma ka shërbyer për qytetarët si instrument për zgjidhjen e problemeve.

Ai ftoi të gjithë qytetarët që t’i drejtohen platformës me qëllim që të denoncohen grabitqarët dhe parazitët, që nuk i shërbejnë shqetësimeve dhe halleve të tyre.

Shefi i qeverisë shtoi se deri në këto momente janë ndëshkuar mbi 600 individë, të cilët sipas tij, kanë neglizhuar shërbimin ndaj qytetarëve.

“Ne e kemi vendosur një bazë të re në punë e zyrave që merren me pronën dhe sot sikundër ju e dini, por mbase dikush ende nuk e ka informacionin se tashmë nuk kemi një zyrë ALUIZNI dhe një Hipoteke, por një zyrë Kadastre. Kjo agjenci sapo është krijuar, por natyrisht kërkon kohën e duhur për t’u harmonizuar. Do të kemi shumë më pak pengesa mes dy strukturave dhe hendeku tashmë nuk ekziston.

Shumë njerëz që janë në vijën e parë me qytetarët sillen në mënyrë të padenjë dhe një nga vlerat e këtij procesi është ky, që rasti pasi trajtohet dhe zgjidhen vazhdon një hetim për vonesat dhe personat përgjegjës marrin ndëshkimin e duhur. Janë mbi 600 individë, që nga nëpunës të nivelit të zyrave të kontakteve me qytetarët e deri tek drejtuesit janë larguar, sepse nuk kanë qenë të denjë për shërbimin ndaj qytetarëve.

Falë platformës, zërin tuaj sot e çoni në kryeministri. Sot ju dhe asnjë qytetar nuk është më viktimë. Zëri i qytetarit sot ka vlerë dhe dëgjohet”-tha Rama.

Ndërkohë Rama bëri publike edhe numrin e rasteve të qytetarëve të cilët i janë adresuar platformës, ndërsa theksoi se deri tani janë zgjidhur afro 30 mijë ankesa.

“Është qeveria miku më i madh i çdo qytetari. Nuk ka mik më të madh dhe më efikas se qeveria, pasi ajo mund ta bëj për secilin qytetar. Grabitqarët dhe parazitët nuk mund t’i idetifikojmë pa ndihmën tuaj. Është koha që të ndajmë të thatin nga i njomi. Më vjen mirë të them se numri total i ankesave në platformë, ka kaluar 41 mijë dhe po afrohen në 30 mijë rastet e zgjidhura. Kjo tregon se ku e kemi çuar komunikimin me njerëzit. Komunikim të drejtpërdrejtë  me njerëzit që nuk jetojnë në kazan, me njerëzit që nuk rrinë kafeve dhe nuk bëjnë llogje. Ne vërtetë kemi marrë votën e tyre, por qëndrojmë 24 me ta dhe në çdo  sekondë që ata na kërkojnë”-shtoi ai.

Zjarr Tv Ad