Protesta e 9/Opozita sërish në rrugë për të “sfiduar” 30 qershorin

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Opozita e bashkuar pritet të nisë në orën 20:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestën e nëntë kombëtare me të njëjtën kërkesë, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Kjo e sotmja është protesta e 9-të e madhe e opozitës, ndërsa “beteja” mes qeverisë, Presidentit dhe opozitës për zgjedhjet e 30 qershorit, vijon të jetë tejet e ndezur.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar dhe përsëritur për të disatën herë se nuk mund të ketë zgjedhje demokratike pa pjesëmarrjen e opozitës, ndërsa nuk ka munguar apeli i tij drejtuar të gjitha palëve, që të punojnë intensivisht për të tejkaluar ngërçin e krijuar.  Përgjimet e publikuara të gazetës gjermane “Bild” zbuluan biseda të ndryshme të zyrtarëve të Partisë Socialiste, mes tyre dhe kryeministri Edi Rama.  Në materialet audiopërgjuese ata shfaqeshin duke biseduar për pazare elektorale në Durrës dhe në Dibër, ndërsa nuk mungonin presionet dhe shantazhet ndaj votuesve.

Ky zhvillim i ri ka acaruar edhe më tej opozitën, e cila është shprehur se gazeta gjermane ka faktuar tashmë pretendimet dhe denoncimet e saj se kryeministri, Edi Rama, ka blerë zgjedhjet dhe ka bashkëpunuar me bandat. Drejtuesit e opozitës kanë deklaruar se protesta e sotme do të jetë paqësore.

Kryedemokrati, Lulzim Basha ftoi qytetarët që të dalin sot në shesh së bashku me familjet e tyre për të protestuar kundër keqqeverisjes së vendit.  Një ditë më parë, ambasada e Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Tiranë bëri thirrje për protestë paqësore, ndërsa theksoi se do të dalë në mbrojtje të procesit zgjedhor. Në tre ditët e fundit militantët e opozitës janë përplasur me Policinë e Shtetit në disa KZAZ, situatë kjo që u pasua edhe me arrestimin e disa qytetarëve, mes tyre zyrtarë të bashkive të djathta.

Mbështetësit mblidhen në selinë e PD

Ora 19:00- Mbështetës të Partisë Demokratike janë mbledhur në selinë e PD rreth një orë para nisjes së protestës së nëntë kombëtare të opozitës së bashkuar. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se kryetari Lulzim Basha ndodhet në zyrën e tij në momentet e fundit para nisjes zyrtare të protestës.

Nisen nga Fieri protestuesit, Baçi: Jo një 30 qershor farsë

Ora 17:55- Qindra protestues janë nisur nga Fier me autobusë dhe mjete private për të marrë pjesë në protestën e opozitës në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Kreu i PD-së Fier, Luan Baçi tha për gazetarin Ervis Kuçi se kjo protestë e radhës synon largimin e qeverisë Rama, garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Tashmë u bë e zakonshme që të jemi në protesta dhe Rama me kokëfortësi po vete drejt 30 qershorit. Edhe qytetarët e kanë kuptuar që nuk ka zgjedhje në 30 qershor, edhe socialistët e ndershëm e nuk pranojnë të venë në 30 qershor jo më demokratët dhe opozita. Nuk do lejohet një 30 qershor farës ku Rama të shpall si një lider i padiskutuar dhe i pavotuar.
Protestat janë pa direktiva. Zoti Basha ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore, e qëndrueshme dhe pa asnjë hap pas”, theksoi Luan Baçi.

Me autobusë e mjete private, protestuesit nisen nga Berati

Ora 16:13- Rreth 1 200 protestues nga opozita janë nisur nga Berati drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së radhës së opozitës që është vendosur të zhvillohet përpara Kryeministrisë në orën 20:00.
Protestuesit e Partisë Demokratike të Beratit janë grumbulluar si gjithmonë përpara selisë së PD-së së qytetit, ku u nisën me autobusë dhe automjeteve private drejt Tiranës, ndërkohë që protestuesit e LSI-së u nisën me automjete private nga sheshi qendror i qytetit.

Nga selia e Partisë Demokratike janë nisur drejt Tiranës autobusë dhe automjete të vogla, ndërkohë që 2 autobusë të tjerë me mbështetës të PD-së janë nisur nga fshatrat Lapardha dhe Velabisht.
Kryetari i degës së PD-së Berat, Gazmend Azizi ka deklaruar se nga selia e Partisë Demokratike u nisën drejt protestës së Tiranës rreth 800 protestues, ndërkohë që nga LSI-ja konfirmohet një numër prej rreth 400 protestuesish të nisur me automjete private drejt protestës së madhe të opozitës së bashkuar.

 

Zjarr Tv Ad