“Rikthehet” Fatos Nano: Berisha, eja punojmë bashkë!

0
3984
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

20 vjet më parë, në marsin e mbrapshtë ’97, lideri socialist Fatos Nano doli nga burgu.

Sot dritare.net ka botuar intervistën që Nano dha për gazetaren Rudina Xhunga në ’97, ndërsa jemi sërish në mars.

Në këto 50 pyetje –përgjigje, mund të zbuloni pak intimitete të fëmijërisë dhe rinisë së Kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano, njohjen e tij me socializmin, për të vazhduar me ditët pas burgut dhe para fushatës.

Refleksiv dhe tolerant, i sulmuar pikërisht për këtë, e njeh mirë hipnozën dhe imponimin, duke krijuar paksa ngjashmëri me Berishën, vetëm se Nano vjen nga metropoli.

Politikan i vijës së moderuar, synon rrëzimin e fortifikatave të politikës dhe jo shembjen e mureve të presidencës me armët e njerëzve të irrituar. Qeveria e koalicionit i duket zgjedhja e domosdoshme dhe ndarja e përgjegjësive midis pozitës dhe opozitës, e detyrueshme. Kundër vetpërjashtimit, pro integritetit, ai beson në brezin e politikanëve të rinj dhe shpreson ende se Berisha mund ta mposht vetveten.

Rudina Xhunga-Si t’ju drejtohet “Koha Jonë”, pas daljes nga burgu, zoti, apo shoku Fatos?

Fatos Nano-Të bëhemi shokë, aq më mirë. Ndoshta, shoku është apelativ më pak zyrtar dhe më shumë njerëzor.

Rudina Xhunga-Ku keni lindur dhe kur?

Fatos Nano-Në maternitetin e Tiranës, në shtator të 52-shit.

Rudina Xhunga-Ju kanë treguar për ndonjë shenjë të veçantë të ditës së lindjes?

Fatos Nano-Ka qenë ditë krejt e zakonshme. Shenjat e çuditshme, s’di sa parathënëse u shfaqën më vonë. Në moshën 9 vjeçare nëna më solli dhe një herë në jetë. Ndërsa kisha rënë në kllapi, pas një konvulsioni ethesh dhe gjyshja mendonte se flija, nëna, e porsa kthyer nga shkolla ku jepte mësim, me intuitën që vetëm nëna e ka, më rrëmbeu nga vdekja e afërt dhe me biçikletë më çoi përtej çdo shpejtësie të imagjinueshme në spital.

Rudina Xhunga-Në shkollë ishit nxënës ambicioz apo…?

Fatos Nano-Vizioni im i hershëm ka qenë të shijoja jetën pa neglizhuar përgatitjen për gjithë ç’mund të ndeshja rrugës. Ngaherë i kam pranuar dhe përballuar sfidat, por s’mund të them se i kam fituar të gjitha. Ambicioz? Sigurisht, në sensin ndërtues.

-Kur filluat të interesoheshit për socializmin?

-Atë kohë socializmi ishte ideja fener. Qiell i kaltër, ku dhe mund të luaje, së paku deri në adoleshencë. Raporti me jetën i brezit tim s’ka qenë fort i ankthshëm dhe rrjedhimisht pa shumë maja. Ka pasur nga ata që kanë dëshiruar majat derisa kanë dëgjuar ndonjë… fërshëllimë polici. Për shembull, mua dhe Fatos Lubonjës na ka qëlluar të na përjashtojnë nga gjimnazi për një ngjarje krejt banale. Dikush edhe është ndeshur në moshë të hershme me kufizimet e regjimit e dikush jo, për kombinacion rrethanash.

-Pse student i Ekonomisë Politike?

-Isha në plazh, kur më thanë se më kishte dalë e drejta e studimit për ekonomi politike. Kur pyeta, ç’kërkonin bashkë ekonomia me politikën, më shpjeguan se kishte të bënte me Marksin. Atëherë kërkova një libër të tij dhe gjeta Kapitalin. Mandej me rrjedhën e kurbës profesionale, kam konstatuar me qetësi racionale se ekonomist nuk mund të bëhesh pa njohur edhe Kapitalin, në sensin e njohjes së historisë së doktrinave të mendimit, ku mund të dallosh qartë kthesat, apo spekulimet që janë bërë me idetë në kohë të ndryshme.

-Dhe pas periudhës studentore, ende vazhdon t’ju tërheqë socializmi?

-Idetë në çdo kohë i përgjigjen rrethanave të caktuara dhe është absurditet i provuar nga historia të transportosh konkluzione apriori, nga një epokë në tjetrën, pasi i imponon brezave që vijnë skllavërinë e mendimit. Përfundimisht socializmi dhe sot është një ide, një doktrinë dhe do dëshiroja të veçoja si shtyllën e tij solidaritetin social, idenë e shanseve të barabarta, ose më saktë mekanizmin e mbrojtjes së shtresave të margjinalizuara të shoqërisë.

-Ju kujtohet, kur bënit faje fëmije, t’ju ketë thënë nëna: “Në burg do shkosh ndonjë ditë!”?

-Më trembte ndonjëherë me xhaxhi policin, që e pashë se s’ishte dhe aq xhaxhi i keq, kur përjetova burgun, pse dhe policët janë njerëz që sigurojnë me punën e tyre jetën e familjes. Megjithatë kam parë dhe xhaxhi katilin, xhaxhi gogolin.

Dua të kujtoj se gjashtë muajt e fundit para burgosjes, burgu mu bë një realitet gati i parashikueshëm dhe nisa të stërvitesha për izolimin nga bota, duke qëndruar për orë të tëra i vetëm në errësirën e dhomës sime. Tre ditë para arrestimit tërhoqa veç nënën, që vuante nga zemra dhe mund të pësonte shok për shkakun tim dhe i thashë: “Mama, me mua mund të ndodhë gjithçka. Nuk dua të shqetësohesh”. Ajo m’u përgjigj duke derdhur dy pika lot: “Unë të kam bekuar një herë kur i hyre kësaj rruge dhe do të të dua çfarëdo të ndodhë me ty. Mos ki merak për mua. Do bëhem e fortë.” Nuk arriti ta çonte deri në fund premtimin, pasi mosha dhe dhimbja bënë të vetën.

-Thonë se jo gjithë të këqijat vijnë për keq. Ç’të mirë solli burgu për ju?

-Mesa duket vetëm burgu më mungonte për ta konsideruar veten të plotë dhe të përgatitur për gjithçka. Kisha qenë pedagog, kisha punuar në institute kërkimore dhe pranë majës së piramidës komuniste, që nuk ishte aq e frikshme, edhe sikur të tentoje me guxim për të ofruar diçka. Kam punuar tre vjet në një kooperativë bujqësore të malësisë së Tiranës, në Metalurgjikun e Elbasanit, sapo dola nga shkolla, ku edhe krijova çerdhen time familjare. Pra, më mungonte vetëm burgu për të shijuar në mënyrë dashamirëse eksperiencat e ndryshme që të dhuron jeta. Nuk them se tani duhet të bëj ekzaktësisht të njëjtat gjëra, për të provuar sërish se i përballoj, por besoj është një cikël i realizuar që më jep mundësi ta shijoj pjesën tjetër të jetës me nota optimiste.

-Ç’i ndryshoi burgu karakterit tuaj?

-Nëse hyn tek ndryshimet e karakterit, jam bërë më reflektiv, më tolerant. Bazuar tek eksperienca personale dhe ajo e të tjerëve mendoj se, kur bën pak burg, del i inatosur dhe hakmarrës, kur bën një burg afatmesëm fiton aftësinë e kontrollit të emocioneve dhe racionalitetin, ndërsa, ka shembuj të gjallë për ç’ndodh me njeriun pas një burgu të zgjatur.

-A ka pasur një takim midis jush dhe Alisë para largimit nga 313?

-Ishte takim i pashmangshëm natën e revoltës, kur u shpërthyen dyert dhe të burgosurit në revolt e sipër kishin pikësynimin të mbërrinin në qelinë time, me idenë funksionuese, ose jo, se pa Nanon s’fitohet liria. Kështu u gjenda pandehmas në qelinë prej 15 metra katror, i rrethuar nga 45 vetë, midis të cilëve të ashtuquajturit kapobanda më të rrezikshëm të viteve të fundit, 7 gra arkëtare fondacionesh, një çift Italian i ndarë prej 45 ditësh, që në panikun e përgjithshëm putheshin dhe derdhnin lot gëzimi. Midis tyre ishte dhe Alia, që mori një gërvishtje në ballë, kur dy hasëm nxorën thikat për të larë hesapet. Ishte një kontakt krejt njerëzor. E vlerësova veçanërisht, pse ai, për asnjë çast nuk humbi gjakftohtësinë.

-Ç’ndryshim ka pësuar marrëdhënia juaj me Berishën nga viti ’91 në ’97?

-Marrëdhënia ime me Berishën nuk mund të them se s’ka ndryshuar. Kam pasur dy ekstreme kontaktesh me të. Me Berishën e 90-ës, në godinën e “Zërit të Popullit”, kontrollonim bocat e shkrimeve të njëri-tjetrit dhe diskutonim plot pasion për ç’mund dhe ç’duhej ndryshuar që të sigurohej hapja e shoqërisë shqiptare. Ato ditë, kur ende ndihej zemra e kardiologut, që rrihte, ndryshojnë shumë nga dita e incidentit të Shkodrës, ku na bllokuan rrugën dhe ai lëshoi shprehjen “Shkodra nuk i do socialistët”. Më kujtohet t’i kem thënë: “Zoti Berisha! Të gjithë po presim që ju të ndihmoni Partinë Demokratike të qeverisë më mirë vendin, duke e lënë të pavarur dhe të arrini personalisht të bëni mirë presidentin. Këto janë kërkesat minimale dhe maksimale që do t’i shërbejnë qetësimit të situatës.”

Pas kësaj erdhi menjëherë burgosja, ndjekur nga 101 veprime të Berishës, që më shoqëruan në burg. Për shembull, ende pa u bërë publik mocioni i porsambërritur në zyrat e PS-së, Berisha e mori vesh nga të parët. (Nuk dua të zgjatem me këtë temë). Menjëherë u dërguan 4 gardianë special nga Tirana që bllokuan dhe sportelin e qelisë sime, duke më shpëtuar së paku nga minjtë. Porosia e tij direkte ishte: “Kujdes! Nga burgu ka dalë një letër tepër e rrezikshme për politikën shqiptare.”

Megjithatë mendoj se Berisha është skematik në tipin e tij reaktiv, apo reflektiv, në sjelljet morale, njerëzore dhe ato politike, ndaj nuk më është dashur të harxhoj kohë për vëzhgimin e tij. Mjediset intelektuale dhe media, vënë në përdorim logjikën maksimale për të ndjekur kurbën e mendimeve dhe veprimet e Berishës, por në të vërtetë nuk gjendet shumë logjikë tek njeriu, i cili qëndron gjatë brenda tipit që kërkon zgjidhje vetëm me anë impaktesh negative. Ende vazhdoj të shpresoj se Berisha do dalë nga ky tip.

-A mendoni se presidenti ka ende kohë për t’u rritur?

-Patjetër. Po të zhvishet nga ndjenja e revanshit. Do pranoja çdo lloj ambicie profesionale, intelektuale, apo dhe ato sfidat djaloshare të ndeshjeve fizike, por kurrë etjen e ethshme për pushtet që bëhet fenomen i rrezikshëm social. Do e mposht vetveten, sepse ka dhe një familje të mirë, që s’i duhet vetëm për t’i lidhur këpucët, apo kravatën, por për shumë më tepër.

-A do lindte nevoja e krijimit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, nëse nuk shkatërrohej ajo e Stabilitetit?

-Njeriu mund të ndihmohet të veprojë ndryshe dhe kur rrethanat sociale nuk e favorizojnë për të kultivuar më tej shpirtin e aventurës, çfarëdo qoftë ky pozitiv, ose negativ. Një formulë si ajo e Qeverisë së Stabilitetit, e përafërt me atë të Pajtimit Kombëtar, mendoj se ishte shtrati politik dhe institucional në të cilin duhej të ecte të paktën tranzicioni shqiptar deri në mbylljen e ciklit të reformave fondamentale, që të hynim pastaj në një shoqëri normale, ku do të alternoheshin forcat në pushtet. Poqe se nuk do ishte sulmuar dhe shembur Qeveria e Stabilitetit, do kishim arritur tashmë në një tjetër logjikë zhvillimi politik dhe klima nuk do ishte kaq e mbarsur me urrejtje. Gjithashtu eksperienca pozitive politike do kishte krijuar stafin e specialistëve të ekspertizës në shtet gjë që i është pamundësuar vendit.

-Ç’parashikoi Nano, ndërsa partia e tij firmoste kontratën politike të 9 marsit?

-Ditën e parë që shkova në tryezën e partive, i thashë Genc Pollos dhe Ylli Vejsiut, të cilët i respektoj dhe kjo është e vërtetë, si profesionistë, si intelektualë, si njerëz që e njohin etikën e marrëdhënieve publike në shoqërinë moderne: “Ju kuptoj shumë më mirë në gjuhë të huaj, por ju lutem çlirohuni nga diktati që ju detyron të flisni ndryshe nga ç’mendoni. Thojani edhe Berishës këto dhe ejani të punojmë së bashku për një politikë të re, për një frymë të re bashkëjetese”. Përjetuan për disa sekonda dramën e brendshme dhe pastaj shtypën butonin e kasetofonëve instaluar në kokë.

-Është fantazuar shumë për Trieste ’91. A ekziston një prapaskenë, së cilës i ka ardhur koha të dalë në skenë?

-Takimi i Triestes nuk është kaq konspirativ sa ngjarjet që mund të kenë ndryshuar jetën politike në vende të tjera. Një nga parimet e sjelljes sime politiko-shoqërore, ka qenë mosnjohja e prapaskenave. Kjo, sepse kam dashur të fus në politikë, potencialin njerëzor. U ndodhëm pas një ftese të përbashkët me Berishën, Meksin dhe të ndjerin profesor Çoku në mjediset e hotelit, ku pushonim para nisjes në konferencën e socialdemokratëve evropianë. U krijua kështu një marrëdhënie shoqërore, e pashkëputur nga raporti mes nesh në Shqipëri. Ndërsa Berishën e kisha përballë dhe profesor Çokun në krah, shtrova në mënyrë të natyrshme shqetësimin se Saliu po i elektrizonte në mënyrë të tepruar masat. Ishte koha kur Berisha kishte vënë në lëvizje karvanin e tij karizmatik elektoral: “S’më duket sfidë e papërballueshme, -i thashë, – por ne të tjerët nuk kemi pse futemi. Turmat një ditë do dalin jashtë kontrollit dhe në momentin “kur djajtë duhen futur në shishe”, sepse një qeverisje e qëndrueshme nënkupton rregulla, do të jetë për të gjithë e vështirë të disiplinojnë reaksionin e të revoltuarve.” Pra ajo çka unë kërkova ishte të qetësonim bashkë njerëzit dhe jo t’i irritonim. Profesor Çoku u përpoq të meditonte që dialogu të hynte në këtë shtrat, duke qenë prezent i bisedës së dy eksponentëve kryesorë të forcave që po ndaheshin në atë fushatë elektorale sapo të nisur. Në Trieste unë kam kërkuar nga Berisha jo ndarje postesh, por ndarje përgjegjësish, siç duhet të ndodh në një botë të qytetëruar mes pozitës dhe opozitës. Pra, të ndahen jo vetëm përgjegjësitë e qeverisjes, por edhe përgjegjësitë e kontrollit që ushtron qeverisja.

-Atëherë qenkeni i pakënaqur nga qeveria Fino?

-Unë jo. I revoltuar është Ceka. Ata njerëz që kemi dërguar në qeveri nuk janë më të këqij se ne, as ne, më të mirë se ata. Nuk qe një zgjidhje e rastit, por precipitat i kësaj klime, i këtij brezi, i këtij ballafaqimi idesh. Problemi është tjetërkund. Është përplasja e ekzekutivit paralel të presidentit me ekzekutimin real. Kështu qeverisë i ka mbetur pak terren për të vepruar duke qenë se shumë kohë më parë Berisha i ka marrë masat për të qenë i siguruar dhe kur qeveria t’i dilte jashtë kontrollit. Nuk është kryesore veç formula e re e ekzekutivit, siç është kjo e Pajtimit Kombëtar. I rëndësishëm sidomos është krijimi i institucioneve të reja me marrëdhënie dhe kufij të ndarë bashkëveprimi  e pavarësie njëkohësisht.

-E vërtetë është se e “keni gjetur Finon në kinder sorpresa”.

-Kryeministri Fino, të cilin e kam ndër shokët e mi më të mirë, ka krijuar një imazh publicitar dhe politik të plotë. Nëse ju e shihni të përshtatshëm dhe për marketingun…(qesh)

Në të vërtetë fytyra e tij e qetë në shfaqet publike, afron jo vetëm ato që duan çokollatën, pasi shpreh më së miri efektin qetësues që ka kjo formulë qeverisje për njerëzit e dëshpëruar dhe me shpirt të trazuar.

-Ju i shërbyet më mirë PS-së, brenda apo jashtë burgut?

-Sidomos media nuk më ka lënë të ndihem në periferi të politikës shqiptare, gjatë periudhës së burgut. Besoj se kam ditur të pozicionohem si duhet, qoftë jashtë, apo brenda tij.

-Ndërkaq gjendja në PS është normalizuar vetiu, apo bën sikur?

-Pas periudhës reflektive gjatë burgimit tim, menjëherë sapo u ktheva në jetën aktive politike, unë gjeta dhe tek shokët e mi dëshirën dhe shtytje për të krijuar shtratin e ri të debatit politik, atë të hapjes së një faqeje të re; të politikës së qytetëruar. Mbi këtë bazë, në asnjë rast nuk i jemi përgjigjur provokimeve të Berishës, apo provokimeve të politikës së vjetër, që dalin nga goja e gjithkujt nuk është çliruar ende nga këto skema. Në një kohë që Berisha kërkonte nga ne të denonconim marrëveshje që s’ishin marrëveshje, ne afirmonim angazhimet tona në kontratat politike për krijimin e qeverisë dhe kërkonim që qeveria të funksiononte realisht. Motoja jonë është lëvizja nga politika e bunkerëve dhe fortifikatave, (ku politikanët shqiptarë tradicionalisht kanë mbetur të ngujuar, duke pritur t’u dalë kundërshtari në shënjestër për ta eliminuar), në politikën e sheshit të betejës, ku ballafaqohen alternativat. Për fat të keq, me gjithë dëshirën tonë, që tashmë ka rrokur një pjesë të madhe të spektrit politik, ka një konsensus të lakmueshëm nga qendra e djathtë, përfshi dhe ballin kombëtar, mbetet gjithmonë ballafaqimi i politikës së vjetër. Gjithsesi ajo është tkurrur në dimensionet më të favorshme për t’u zhdukur, paraqitur ndonjëherë në histori, duke qenë se është grumbulluar vetëm rreth presidencës. Nëse duhet sulmuar dhe çliruar presidenca, kjo nuk vlen të bëhet me armë të nxehta, apo me turma të irrituara, por vetëm duke shembur muret e fortifikatave të politikës.

-Nëse nuk i shembni dot kështu, do t’u ktheheni turmave të irrituara?

-Kur njerëzit provokohen, është provuar në Cërrik si reagojnë. Ata tashmë e kanë thënë fjalën e tyre, pra kërkuan zgjedhjet e lira si të vetmen zgjidhje politike. Për të gjithë, zgjedhjet janë rruga e vetme që gjithçka të shkojë drejt normalitetit.

-Do të ketë zgjedhje, apo zgjidhje?

-Koncepti se me çfarëdo lloj zgjedhjesh mund të kapërcehet kriza është provuar se ka dështuar në maj të 96-ës. Me keqardhje konstatoj se Komuniteti Ndërkombëtar nuk është ndërgjegjësuar si duhet për thellësinë e krizës. Nëse zhvillohen zgjedhje për zgjedhje në 29 qershor, kriza do të ngelej po këtu, për t’u përsëritur në edicionet e tjera. Zgjedhjet si minimum kërkojnë të mos bëhen në kushte shtetrrethimi dhe e shumta do të ishte që vota të lëvizte në mënyrën më trasparente të dukshme, si një balonë, nga zgjedhësi tek subjekti që ai zgjedh.

-Gjendja e jashtëzakonshme nuk po hiqet. Dhe fjala bojkot “duhet përjashtuar”. Atëherë PS…?

– Ajo çka duhet përjashtuar në politikën shqiptare është vetpërjashtimi. Në Shqipëri deri tani është konkretizuar një edicion i ri i aparteidit politik, pra i neutralizimit deri në pranga të kundërshtarëve, pamundësia për të konkurruar paqësisht. Pushteti është përdorur që të lërë të padëshiruarit, gozhduar jashtë mundësisë për të influencuar në zgjedhje të moderuara dhe në zgjidhje normale të konflikteve. Nëse kjo nga brenda shihet si bojkot, nga një vëzhgues i paanshëm shihet si një rrethim me tela gjembash, që nuk lejon pjesëmarrjen. E domosdoshme është, që në vend të përjashtimit, (qoftë edhe kur ky konceptohet si bojkot, por është një përjashtim i detyruar, sepse edhe sikur të mos bojkotonin subjektet politike, janë të përjashtuar zgjedhësit nga garancitë për të votuar lirisht), të aplikojmë integrimin.

-Përsëri PSD dhe PAD janë zhgënjyer nga PS-ja.

– Zhgënjimin e tyre ma zbulojnë vetëm gazetat, sepse në fakt ne vazhdojmë të komunikojmë normalisht me njëri-tjetrin. Unë do dëshiroja që ata të mos zhgënjeheshin nga vetja. I qëndroj idesë se Shqipërisë i duhet një konsensus real, nga qendra e majtë në qendrën e djathtë dhe këtë e mbështes në faktin, që është krijuar një brez politikanësh të rinj dhe të mesëm i cili ka ditur të gjejë e të ruajë kontakte të qëndrueshme. Kjo, ndoshta pse shumica vijnë nga qarqet akademike, intelektuale, të kulturës, shtypit, kërkimit shkencor. Mendoj se ambiciet personale nuk duhet ta dëmtojnë këtë shtrat mirëkuptimi.

-Rezultati ideal për ju nuk do të ishte fitorja në maxhorancë e PS-së?

-Jam indiferent në pjesën që do i takonte PS dhe të tjerëve brenda një koalicioni të domosdoshëm. Sikur jam kundër përcaktimeve parti e madhe, parti e vogël. Jam për bashkëqeverisjen, për ndarjen e përgjegjësive midis pozitë, opozitës, për të krijuar së fundi në vend një situatë të ekuilibruar.

-E ka menduar Nano sloganin personal të fushatës?

– Ndoshta s’është slogan, por përvojë jetësore. Kam kuptuar se në çdo dy njerëz, unë mund ta bëj njërin për vete./dritare.net/31 Maj 1997

Zjarr Tv Ad