Shpallen gjashtë fituesit për “Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019″…

0
90
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Autorët fitues të “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë 2019”, janë shpallur nëpërmjet një një ceremonie, ku juria  kryesohej nga poetja Natasha Lako dhe anëtarët Lindita Arapi, Sadik Bejko, Thoma Jançe dhe Ermir Nika. Këta emra të letrave shqipe, kanë shpallur fituesit në gjininë e romanit, tregimit, poezisë, librit studimor, si dhe librit të përkthyer dhe letërsisë për fëmijë.

Romani më i mirë i vitit 2019-të,  u shpall “Diktatori në kryq”, me autore Mira Meksi. Motivacioni për këtë vlerësim ka qenë: “Për krijimin e vlerave dhe risive origjinale në prozën romanore shqipe, ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e një historie besimi në trajektoren e një epoke politike, atmosferën dhe prirjen për rikthim në realitetin që tashmë nuk i përket më”.

Ndërsa, Përkthimi më i mirë i vitit 2019, shkoi për “Iliada” nga Llambro Ruci. Motivacioni: “Për prurjen në shqip të një pasurie të madhe gjuhësore, një larmie strukturash poetike, të vargut, të figurës dhe duke i qëndruar besnik narrativës së një mjeshtri si Homeri”.

Vepra studimore më e mirë 2019, “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” nga Matteo Mandala. Motivacioni: “Një studim që na shfaq një tablo të qartë të prirjeve të albanologjisë së sotme arbëreshe, nëpërmjet analizës së Fjalorit të Da Lecce-s, ku arrihet në zbulimin e kuptimeve të zhdukura dhe rindërtimit të strukturave kuptimore, të fjalëve dhe zhvillimit të brendshëm të etnonimit të shqiptarëve”.

Përmbledhja me tregime më e mirë 2019, “Mikrobus” nga Romeo Çollaku. Motivacioni për këtë çmim: “Për sjelljen e një proze me një gjuhë të çlirët e të nuancuar në ngjyra, e cila vihet në shërbim të emocionit që përcjellin tekstet e tregimeve të tij me situatat dhe personazhet e përshkruara me gjallëri”.

Vëllimi poetik më i mirë 2019, “Shtjellë reje,” nga Alisa Velaj. Motivacioni: “Libri sjell vlerë në poezinë bashkëkohore shqipe, nëpërmjet frymës ekzistenciale, imazheve dhe meditimit që mbartet midis vargjeve të saj”.

Çmimi për letërsinë për fëmijë më e mirë 2019, i shkoi për librin “Kartolina e zileve” nga Shkëlzen Zalli. Motivacioni: “Duke plazmuar majën e përvojave të tij si poet, nëpërmjet lartësimit të fjalës dhe poezisë së tij në nivelin e mjeshtërve të letërsisë për fëmijë”. Në ceremoni, ka marrë  pjesë Ministrja e Kulturës Elva Margariti, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, si dhe anëtarë të jurisë dhe autorë të ndryshëm.

Në kandidim ishin; 30 autorë dhe përkthyes, ku çmimet u ndanë në “Plaza” në një ceremoni, duke respektuar rregullat ndaj pandemisë.

Zjarr Tv Ad